shqiperi

ramna-dhe-macron.jpg
G. P.21:24 | 04/05/2019

Samiti i Berlinit ishte zhvillimi gjeopolitik që testoi tensionin politik në Shqipëri. Kryeministri Rama mbajti një profil të ulët publik mbi atë samit që pati në fokus marrëdhënien Kosovës Serbi, si pjesë e shqetësimit Europian për të patur stabilitet në rajon. Në Tiranë, Lulzim Basha artikuloi për herë të parë kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve, ndërsa presidenti Meta deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje me standarde pa opozitën. Vetë Kryeministri i ndjek jo pa vëmendje ato lëvizje.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron mblodhën të hënën e 29 Prillit në Berlin udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, për një takim informal. Formati ishte ai i Procesit të Berlinit të Gushtit 2014, iniciativë e kancelares gjermane. Franca e Gjermania, pavarësisht ulje-ngritjeve ndër vite në marrëdhënien e tyre, njihen motori i ndërtimit të Europës.

Madje miqësia franko gjermane është një nocion i njohur diplomatik, i zhvilluar paralelisht me Bashkimin Europian. Në Janar të këtij viti Merkel e Macron nënshkruan një traktat bashkëpunimi, që u pa si një thellim i marrëveshjes historike të Elysee të vitit 1963 mes presidentit Charles de Gaulle dhe kancelarit Konrad Adenhauer, për ta kthyer bashkëpunimin franko-gjerman në një realitet të përditshëm.

Merkel e Makron kanë marrë përsipër rajonin tonë e në modelin e marrëveshjes së suksesshme mes Athinës e Shkupit, synojnë një të ngjashme mes Kosovës e Serbisë. Por në atë samit dy vende të rajonit, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë në pritje për të dytin vit radhazi dritën jeshile për hapjen e negociatave të antarësimit. Dukshëm ky nuk ishte prioriteti i dyshes franko-gjermane. Për Macron prioritet është stabiliteti në rajon, si çështje europiane.

Por Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë pritshmëri për hapjen e negociatave. Rama e Zaev patën secili takime kokë më kokë me kancelaren. Në një deklaratë të shkurtër e të kujdesshme, Km nuk pati asnjë referencë për qëndrimin e Merkel për Shqipërinë. Entuziazëm nga ai takim përcolli ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj që foli për mbështetje absolute të Gjermanisë për hapjen e negociatave.

Kryeministri Zaev dukej më i pakënaquri për mungesën e një premtimi për hapje negociatash. Vendi i tij ndryshoi emrin për të arritur marrëveshjen me Greqinë, e cila u mor si model në Samitin e Berlinit për ngërçin mes Kosovës e Serbisë, por premtim nuk pati. Mediat raportuan se Zaev u kishte deklaruar interlokutorëve Merkel e Macron, se do jepte dorëheqjen nëse vendit të tij nuk i hapeshin negociatat e anëtarësimit në BE, edhe pse përmbushi kushtin që i ishte vënë për marrëveshje me Athinën. Mesazhi i Zaev për qytetarët e reflektonte këtë

Por dyshja franko-gjermane dukej kishte tjetër plan, normalizimin e marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë, duke u ndalur së pari projektin që kishte tensionuar marrëdhënien: korrigjimin e kufijve e më pas në taksën për produktet serbe. Në konkluzionet e përbashkëta të samitit evidentohet rëndësia e një marrëveshje gjithpërfshirëse, sërish me ndërmjetësimin e BE, pavarësisht kërkesave nga pala e KS për përfshirje të SHBA.

Serbia dhe Kosova janë dakordësuar të çojnë përpara përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe të angazhohen sërish në mënyrë konstruktive për normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me qëllim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Mes konkluzioneve, edhe një detyrë që dukej enkas për Mogherinin si lehtësuese e dialogut Kosovë Serbi.

Një nga ata që ka humbur besimin dhe është përplasur me Mogherinin është Kryeministri Haradinaj, që nuk u shfaq në takimin që shefja e diplomacisë zhvilloi me delegacionet në Berlin. Nëse Serbia u paraqit me presidentin Vuçiç e Kryeministren Brnabiç, nga Kosova u shfaq vetëm presidenti e zv.kryeministri.

Një ditë pas samitit, KE njoftonte se në Berlin ishte konfirmuar roli i Mogherinit si ndërmjetëse, ndërsa qëndrimi i saj 2 muaj më herët dukej se ishte harruar. Pas samitit të Berlinit, flitet për dialog, por jo kushte.

Spikati pas këtij Samiti një ndryshim në qëndrim edhe nga Presidenti Thaçi. Me të mbërritur në aeroportin e Prishtinës tha se vendosja e taksës ishte e drejtë, ndërsa Serbia nuk duhej të vinte kushte.

Por palët shqiptare nuk kishin qenë unison në Berlin. Haradinaj arriti një fitore jo të vogël me kundërshtinë e tij ndaj idesë së ndryshimit të kufijve dhe vënien në pikëpyetje të taksës serbe. I dha peshë akteve të veta duke akuzuar publikisht Presidentin Thaçi e Rama për presion në samit për heqjen e taksës.

Nëse Thaçi nuk reagoi, Rama u përgjigj një ditë më vonë. Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale me titull, e vërteta ime me shumë dëshmitarë, thuhej se Haradinaj po gënjente për përfitim politik.

Por pas këtij mohimi, vinte pohimi se i tiji kishte qenë një sugjerim, që Haradinaj të pranonte propozimin Merkel Makron për pezullim të përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mbështesnin njohjen e plotë ndërkombëtarisht të Kosovës.

Ndërsa Lulzim Basha lexonte qëndrimin e Merkel e Macron, si një tjetër “jo” për hapjen e negociatave me Shqipërinë. I qartë se hapja e negociatave ka ndjeshmëri publike, Km publikoi në rrjetet sociale dy takime që i vlerësoi si pozitive për këtë proces: me Kryetaren e socialdemokratëve gjermanë, Andrea Nahles dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Johann Ëadephul.

Nënkryetari i grupit parlamentar të kancelarës, u pyet nga DW për situatën në Shqipëri e djegien e mandateve nga opozita.  Spikati në përgjigje kujdesi në koment për PD, partinë simotër në PPE. Zyrtari i lartë i grupit parlamentar të Merkel megjithatë, nuk dukej gati për një premtim për hapje negociatash

Në ditën e fundit të afatit ligjor për Koalicionet, në KQZ u regjistrua koalicioni i majtë i udhëhequr nga PS me emrin e njohur Aleanca për Shqipërinë Europiane, si dhe një koalicion i djathtë me një grup partish të vogla, me emrin “Shpresa për ndryshim”. 13 maji është afati për regjistrimin e kandidatëve, e atë ditë socialistët do zyrtarizojnë kandidatët për 61 bashkitë.

Të paktën publikisht palët duken ekstremisht larg: Kryeministri që përgatitet për zgjedhje e opozita që përgatitet për protestë të shtunën e 11 Majit para selisë së qeverisë dhe bojkot zgjedhor.

Sytë mbeten nga presidenti i Republikës. A do arrijë Ilir Meta të ulë palët në tryezë, e a do e ndërmarrë aktin e shtyrjes së zgjedhjeve, ndërsa afatet për 30 qershorin e dekretuar prej tij po skadojnë njëri pas tjetrit për opozitën?/ABC News Albania 24/7

dabulla.jpg
G. P.15:44 | 29/04/2019

Edhe pse nuk po bind së fundmi, Partizani do të dalë me meritë kampion i vendit. Ish-lojtari i Tiranës, Rezart Dabulla, analizon Superligën pas javës së 31-të dhe flet për fatin e skuadrës së tij të zemrës.

I duhet dhënë merita, edhe kur nuk ke dëshirë që të ndodhë. Partizani po del kampion i Superligës shqiptare edhe pse javët e fundit me hapa gjysmakë, diçka që e pranon edhe një ish-kampion me Tiranën si Rezart Dabulla. Si ndihet futbollisti, që ishte pjesë e një brezi që bëri epokë, për faktin se të kuqtë janë pranë titullit.

“Ne jemi mësuar me frymën që Partizani ka qenë rival historik dhe gjithmonë ka pas qenë që Tirana duhet të ishte më lart se Partizani. Ka kohë që Tirana është poshtë Partizanit. Gjëja që më vjen keq është diferenca e madhe mes dy ekipeve. Është shumë e vështirë që Partizani ta lëshojë këtë vit fitimin e titullit. E ka merituar”, tha Dabulla.

Tirana e tij vazhdon të kënaqë me mënyrën e lojës, por nuk është aspak e besueshme për rezultatet.

“Tirana ka zhvilluar lojëra të mira. Është një ekip që shënon me vështirësi dhe pëson lehtësisht. Trajneri, drejtuesit nuk mund t’i mësojnë një lojtari si të shënojnë gol”, tha Dabulla.

Kanë mbetur edhe 5 javë, sa do të ndikojnë aleancat, dhe sa vetë merita e skuadrave në fushë?

“Aleancat ndikojnë. Deri tani nuk kanë ndodhur. Shpresojmë mos të ndodhin deri në fund, por nuk është çudi edhe nëse shfaqen”, u shpreh Dabulla.

Sezoni po përfundon, dhe Dabullës i kërkojmë një krahasim me nivelin e vjetshëm, kur Skënderbeu ishte Skënderbe.

“Disa luftojnë për kampion, disa për Europë, disa për të shpëtuar. Është një situatë që mua më pëlqen. Skënderbeu ka qenë tjetër gjë, ka pasur një ekip që luanin bashkë. Me daljen e tyre jashtë objektivave ka qenë fati i Partizanit dhe Kukësit të luftojnë për të dalë kampion”, u shpreh Dabulla./abcnews.al

akademia-futbollit.jpg
G. P.14:57 | 28/04/2019

Nuk ka vend të Europës, ku fëmijët kanë kaq shumë dëshirë të bëhen futbollistë se në Shqipëri. Gjithsesi, sistemi zinxhir ka probleme me infrastrukturën, me përzgjedhjen dhe me kohën e humbur rrugëve, siç e tregon kronika në ABC News.

Nga këtu fillon e ardhmja. Në terrenet sportive të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, qindra e mijëra fëmijë e të rinj, ushtrohen thuajse çdo ditë për të realizuar ëndrrën, të bëhen futbollistë profesionistë.

E ardhmja ende nuk ka mbërritur, por e tashmja mund të quhet krizë, me fare pak lojtarë të gatshëm për kombëtaren, që dalin nga sistemi i ekipeve zinxhir. Sokol Bulku, ish-lojtar i Tiranës, trajner në Akademinë e Kompleksit të Kamzës, ka këtë vërejtje.

“Ka ndryshuar sepse është rritur masiviteti dhe dëshira për t’u marrë me sport dhe futboll. Ndërsa për keq unë mendoj se janë shkëputur disa hallka të atij sistemi kur kemi filluar dhe ne sportin. Hallka kryesore që është shkëputur është seleksionimi. Kryesoja është te masiviteti. Po shkuam kështu ku ata që janë poshtë shkojnë lart pa asnjë lloj përzgjedhje dhe atëherë do kemi probleme. Dhe probleme kemi sepse nuk po hasim shumë talente nga vendi”, tha Bulku.

Komplekset e futbollit po ndërtohen në periferi. Trafiku në Tiranë mbetet i rënduar, sa ndikon kjo tek jeta normale e futbollistëve të vegjël dhe të rinj?

“Je larg qytetit, ambient i pastër, por sjell edhe pasoja për kohën që kanë këta fëmijë sepse janë edhe në shkollë dhe në futboll dhe harxhojnë shumë kohë për të ikur larg. Duhet të kenë transport të organizuar dhe nuk u ngel shumë kohë për të mësuar”, tha Bulku.

Albi Subashi është një nga djemtë që prej 11 vitesh ndodhet në futbollin e moshave. Ai flet për gjendjen dhe sakrificat që ka bërë Arbeni, babai i tij.

“Fillimet e karrierës kanë qenë pak të vështira pasi nuk kishte shumë kushte të mira. Sakrificat e babit që më ka ndihmuar për të vazhduar. Tani gati-gati po bëhen sa më mirë kushtet. Unë për vete jam i kënaq, tani të shohim ça do bëjmë në të ardhmen”, tha Albi.

Infrastruktura është problemi numër 1. Jo më kot, presidenti i Federatës, Duka, theksoi pak kohë më parë, për ABC News se qeveria duhet të bëjë 200 fusha. Ledio Pano, ish-lojtar i Partizanit dhe kombëtares, është sot trajner i futbollit të moshave, dhe thekson pikërisht këtë mungesë.

“Vitet e fundit me prishjen e shumë fushave, duke u bërë beton sporti ka humbur shumë. Partizani deri në 2007-2008 ka nxjerrë shumë lojtarë nga akademia e saj pasi kishte një klub me disa fusha dhe jo vetëm një fushë. Aty zhvillonin stërvitje mbi 200 fëmijë. Në këto 200 fëmijë dolën ata futbollistë që kanë dalë”, tha Pano.

Një fëmijë që dëshiron të bëhet futbollist profesionist është një kënaqësi, një shqetësim dhe një barrë financiare për familjet. Adriatik Çarçani është një prind, djali i të cilit luan për Partizanin.

“Ka që në moshën 6 vjeç, deri në moshën 17 vjeç. Pra ka 11 vjet që luan. Vështirësia dihet si e çdo prindi. Pagesat, kushtet. Në vit mund të shkojë në 2 milionë lekë. Që nga uniformat, pagesa, fugoni që vjen këtu. Nuk është se shkëlqejmë te mësimet, se normal që të merr kohë stërvitja, por që shkon te katër orë në ditë vetëm për këtë punë”, tha ai.

Për sa i përket pagesë, Ledio Pano flet nga këndvështrimi tjetër, ai i klubit.

“Gjendja ekonomike sigurisht që ndikon në ardhjen e këtyre fëmijëve nëpër ekipet cilësore. Kjo pagesë për mendimin tim është minimale me atë çfarë kërkojnë këto talente. Flasim gjithmonë për talentin sepse jo të gjithë luajnë futboll”, tha Pano.

Pano thotë se ndodh që bëhen dallime, për ata që nuk kanë dhe që janë talente, pra mund të paguajnë më pak, apo ndodh që nuk paguajnë fare. Ka shumë dyshime dhe akuza për padrejtësi në punën e trajnerëve, por trajneri Sokol Bulku ka gjithashtu vërejtje për rolin e prindërve.

“Duhet t’ia lejnë të gjitha kompetencat trajnerit, drejtorit dhe akademisë e të mos ndërhyjnë sepse dashje padashje ata bëhen pengesë edhe në edukimin e fëmijës në sport. Kjo ndoshta shtohet në momentin kur fëmijë nuk është i aftë që të paraqesë aftësitë e veta dhe fillojnë dhe dalin këto lloj pretendimesh”, tha Bulku.

Sidoqoftë, problemet tek futbolli i moshave janë tepër të mëdha, dhe vështirë se mund të zgjidhen në një të ardhme të shpejtë./abcnews.al

natasha-mualja-erisa.mp4_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela13:00 | 25/04/2019

Procesi i Vettingut vazhdon të ketë vlerësimin e Komisionit Europian edhe gjatë takimit të fundit  të nënkomisionit BE-Shqipëri mbi sigurinë, të drejtat themelore dhe gjyqësorin të zhvilluar në Bruksel në kuadrin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Kryetarja e Kolegjit të apelimit të Gjykatës Kushtetuese, Natasha Mulaj në një intervistë ekskluzive për ABC News flet për heshtën e procesit të Vettingut Mulaj ka prezantuar para Komisionit Europian një drejtësi bazuar vetëm mbi ligjin, të pakontestueshme, pa kushte dhe pa ekuivok. /abcnews.al

ke-komisioni-europian.jpg
ent ela09:17 | 25/04/2019

Takimi i nënkomisionit të 11-të mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë BE-Shqipëri ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian. Gazetarja e ABC News në Bruksel Erisa Zykaj raporton se komisioni përgëzon autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre dhe progresin e qëndrueshëm të arritur në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht në fushën e reformës së drejtësi dhe procesit të Vettingut. Ekzekutivi europian konsideron, se reforma në drejtësi dhe Vettingu ka hedhur themelet për të konsoliduar një gjyqësor të vërtetë, të pavarur, të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm.

Por në konkluzione kërkohet qartazi konsolidimi i mëtejshëm i sistemit përmes luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Komisioni Europian njeh rezultatet e prekshme të arritura në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe thekson rëndësinë e finalizimit të themelimit të Prokurorisë Speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK). Në konkluzione nënvizohet, se është kyçe që operacionet e suksesshme të policisë të ndiqen nga hetime, aktakuza dhe dënimet përfundimtare.

Edhe pse në 2018  kërkesat e pabazuara të azilit të  shtetasve shqiptarë në vendet anëtare të BE kanë shënuar rënie krahasuar me 2017, kërkohet vazhdimi i përpjekjeve konkrete për të adresuar këtë fenomen, si dhe zbatimin e rekomandimeve të raportit të Monyevit mbi financimin e pastrimit të parave  dhe luftës kundër-terrorizmit.

ABC News ka mësuar se ende nuk ka një akt nga Hollanda pranë Komisionit Europian për vendimin e parlamentit të saj një javë më herët për rivendosjen e vizave për Shqipërinë. /abcnews.al

 

moti-4-1280x725.jpg
Sej rie22:30 | 19/04/2019

Vranësira të dendura reshje shiu dhe intervale me erë të fortë mbeten në Gadishulli Iberik. Ndërsa kthjellime dhe vranësira të herë pas-herëshme dominojnë brigjet e Egjeut, Europën Qëndrore dhe Gadishullin Skandinav. Gjithashtu me kthjellime, vranësira të lehta paraqiten Ishujt Britanikë dhe Lindja e kontinentit.

 

 

SHQIPERIA-BE-HAHN.mpg_snapshot_00.00.jpg
ent ela16:15 | 19/04/2019

Kuadri ligjor për të drejtat e pronës në Shqipëri ka dobësi ligjore dhe teknike. Është ky opinioni i Komisionerit për zgjerim Johannes Hahn i cili nënvizon gjithashtu se Bashkimi Evropian është duke e monitoruar atë.

Përmbyllja e sigurisë ligjore dhe qartësia e titujve të pronësisë nuk është arritur ende plotësisht, pavarësisht nga vazhdimi i përpjekjeve. Janë këto shqetësimet e shprehura nga komisionier për zgjerim Joahanes Hahn  sipas të cilit monitorimi i kësaj situate është i domosdoshëm.

“Duke pasur parasysh kompleksitetin e këtyre ҫështjeve, mbështetja e mundshme financiare e BE-së do të shoqërohet me një monitorim të plotë të zhvillimeve përkatëse legjislative dhe institucionale që ndikojnë në situatën e të drejtave pronësore në Shqipëri. Për më tepër, Komisioni Europian, gjatë hartimit të mbështetjes së tij, është duke përdorur ekspertizë multidisiplinare për të shqyrtuar kuadrin ligjor, institucional dhe teknik dhe siguruar që mbështetja e tij të jetë komplementare me programet e tjera të donatorëve”.

Sipas komisionerit Johanes Hahn cështjet e pazgjidhura në këtë fushë kanë një efekt negativ në të drejtën e individit ndaj pronës. Për më tepër, ato mund të kontribuojnë në një “efekt ngrirës” mbi investimet e aktorëve të biznesit dhe të krijojnë një premisë për informalitetin, duke përdorur vakumet në zbatimin e ligjit.

“Në këtë drejtim, Komisioni Evropian pohon se konsolidimi i të drejtave pronësore kërkon të drejta të pronës të qëndrueshme, që të funksionojnë mirë në të gjithë vendin, në të cilat të jetë përmbushur parimi i sigurisë ligjore. Ne, inkurajojmë një proces reformimi të mirë kalibruar me përfshirjen e të gjithë aktorëve përkatës dhe nën drejtimin  ndërkombëtar”.

Komisioneri Hahn ka theksuar që copëzimi, fragmentarizimi ligjor, zbrazëtitë në sistemin e regjistrimit dhe zbatimin e ligjit në këtë fushë mbeten të adresohen në të gjithë vendin./abcnews.al

basha-5-1280x651.jpg
Sej rie18:50 | 15/04/2019

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha inkurajon Komisionin Evropian që të iniciojë një mision monitorimi në Shqipëri për sistemin e sundimit të ligjit.

Deklaratën shefi i opozitës e bëri nga Ljubjana e Sllovenisë, ku ishte i ftuar i Institutit ndërkombëtar të Studimeve për Lindjen e Mesme e Ballkanin.

Duke folur për perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimin rajonal, Basha tha se monitorimi më efektiv i reformave të Sundimit të Ligjit, në vendet që kërkojnë anëtarësim mund të arrihet duke u mbështetur në shembullin pozitiv të të ashtuquajturit Raporti Priebeqë ka ndihmuar në tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në 2015.

Sipas Bashës, me modelin Priebe, Komisioni Evropian ka nisur monitorimin e të gjithë sistemit të Sundimit të Ligjit në Bosnje dhe Herzegovinë, e të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe me Shqipërinë./abcnews.al

shqiperia-1280x690.jpg
Sej rie15:51 | 11/04/2019

Shqipëria renditet si një ndër destinacionet kryesore turistike për vitin 2019. “Lonely Planet” në një shkrim kushtuar fermave në zonat veriore të vendit tonë, i bën apel turistëve të vizitojnë fermat autentike

Faqja e njohur ndërkombëtare, e specializuar për turizmin “Lonelyplanet”, i ka kushtuar një shkrim fermave në zonat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Pukës, në përgatitje për sezonin e ardhshëm turistik.

Partnerët tregtarë ndërkombëtarë, gazetarët e udhëtimit dhe agjencitë shqiptare të turizmit do përfshihen në një kalendar aktivitetesh që përfshijnë ecje, degustimin e verërave, pjekjen e byrekut dhe bërjen e reçelit.

Pjesë e aktivitetit janë fermat në fshatrat Qerret, Ganjollë, Reç, Koplik, Muriqan dhe Lajthiza e Vogël në Pukë.

“Lonelyplanet” e ka përcaktuar Shqipërinë ndër destinacionet kryesore turistike për 2019 në botë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono