shqiperi

SINKRON-PALOKA.mpg_snapshot_01.04-1280x720.jpg
G. P.14:05 | 19/08/2018

Vijojnë denoncimet nga selia blu ndaj mazhorancës. Këtë të dielë ishte nënkryetari i PD-së, Edi Paloka. Ai tha se anëtari i bandës së Aldo Bares, që u arrestua një ditë më parë në Greqi, shëtiste lirshëm në Shqipëri, edhe pse ishte në kërkim nga Italia për trafik ndërkombëtar droge. Paloka i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet për arsyet se pse Edmond Bego u arrestua në Greqi, ku kishte shkuar për pushime, por nuk prekej në Shqipëri.

“Nëse Edmond Bego nuk do ishte nisur me pushime në Greqi, sot shqiptarët nuk do të dinin se një kriminel i rrezikshëm, ka vazhduar të pasurohet lirisht duke u lidhur direkt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, edhe pse ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali”.

Deklarata vjen nga selia blu, pasi policia greke arrestoi në pikën kufitare të Igumenicës, Edmond Begon.

“Anëtarin e bandës së Aldo Bares, i dënuar në Itali me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge, biznesmenin e lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës”.

Për numrin dy të demokratëve Edi Paloka, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin organet kompetente por edhe shefin e ekzekutivit..

“Si është e mundur që një trafikant i dënuar droge, jo vetëm nuk arrestohet, por bën i qetë biznes në Shqipëri? A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?”

Për këto edhe më shumë Partia Demokratike do t’i japë shqiptarëve në ditët në vijim informacionet që disponon mbi arsyet përse sipas tyre ligji nuk ka vepruar për Edmond Begon. Për ta, heshtja e organit të akuzës do të ishte një tjetër e dhënë që edhe ky organ tashmë është në mbështetje të krimit të organizuar dhe jo në luftë me të. /abcnews.al

ISHP-PER-NILIN.mpg_snapshot_01.20-1280x720.jpg
G. P.15:34 | 17/08/2018

Shqipëria nuk është prekur nga sëmundja virale, Ethja e Nilit Perëndimor. Konfirmimi vjen nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili u kujton qytetarëve se për këtë sëmundje nuk ka vaksinë tek njerëzit, por mënyra më e mirë për të parandaluar është shmangia e pickimit nga mushkonjat.

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se aktualisht nuk ka asnjë rast të sëmundjes virale Ethja e Nilit Perëndimor në Shqipëri. As në këta dy vitet e fundit nuk është identifikuar ndonjë rast bazuar në të gjitha testimet e kryera për të gjitha rastet e dyshuara.

Zyrtarisht thuhet se, që prej vitit 2011 në Shqipëri është vendosur survejanca për zbulimin e hershëm të Etheve të Nilit Perëndimor në të gjithë vendin dhe sidomos evidentimin e infeksioneve të sistemit nervor qendror të shkaktuar prej tij. Po ashtu, janë përforcuar kapacitet laboratorike të diagnozës përfshi këtu dhe atë molekulare të kësaj sëmundjeje pranë laboratorit të virologjisë në ISHP.

Ndërkaq, për Shqipërinë është kryer edhe një vlerësim risku ku janë përcaktuar zonat me risk më të lartë ku kemi një mbikqyrje dhe kontroll të përforcuar. ISHP këtë sezon në bashkëpunim me ECDC (Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve) ka përcaktuar masat për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Ndër masat e marra përfshihen edhe:

– Survejancë e përforcuar tek kuajt dhe zogjtë;
– Bashkëpunim ndërkufitar për Plan të Kontrollit të mushkonjave për të ndërhyrë në rastet e shpërthimit të ndonjë epidemie dhe shkëmbim informacioni me vendet fqinje;
– Survejancë e përforcuar entomologjike;

Instituti i shëndetit publik kujton se për këtë sëmundje nuk ka vaksinë tek njerëzit, por mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin nga virusi i Nilit Perëndimor si në Shqipëri dhe jashtë saj, është shmangia e pickimit nga mushkonjat./abcnews.al

h_00396080-933x445.jpg
G. P.14:29 | 17/08/2018

Mali i Zi ka dërguar trupat ushtarake në kufirin me Shqipërinë për të parandaluar fluksin e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi ditën e djeshme.

“Trupat malazeze do të përdoren nga sot (dje) për të kontrolluar rajonin kufitar dhe kufirin shtetëror me Republikën e Shqipërisë pranë pikës doganore të Bozaj. Siguria kufitare do të sigurohet nga patrulla të përbashkëta të policisë dhe Forcave të Armatosura që do të parandalojnë kalimet e paligjshme drejt Malit të Zi, si dhe veprimtari të tjera të paligjshme në rajonin kufitar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë malazeze të Mbrojtjes.

Në muajin Maj, autoritetet malazeze paralajmëruan se do të ndërtonin një gardh në kufirin me Shqipërinë, pikërisht për të parandaluar kalimin e refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme. Por ndërtimi i gardhit u anashkalua si opsion dhe u vendos dërgimi në kufi i trupave ushtarake.

Në Korrik, Kryeministri hungarez Victor Orban i ofroi homologut të tij malazez ndihmë për të përballuar krizën e migracionit.  Sipas Orban, Mali i Zi në këtë mënyrë do të mbrojë jo vetëm territorin e vet, por edhe të Hungarisë dhe të gjithë Bashkimit Europian. Refugjatët e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, për të shkuar drejt vendeve perëndimore të BE-së, kanë gjetur një rrugë të re, duke kaluar përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. /tvklan.al

DIVORCET-NE-VITE.mpg_snapshot_00.16-1280x720.jpg
G. P.15:14 | 12/08/2018

Është rritur numri i divorceve në Shqipëri që nga viti 2008. Rekordin e shënon viti 2017 me 7,956 divorce. Në analizën statistikore të Ministrisë së Drejtësisë tregohet edhe grafikisht numri i çështjeve familjare që kanë përfunduar me zgjidhje martese.

Në vitin 2012 janë regjistruar 6,737 divorce.

Në vitin 2013 pësojnë një rënie të lehtë me 25 zgjidhje martese më pak.

Në vitin 2015 i drejtohen më shumë çifte bashkëshortësh dyerve të gjykatës.

Nga 10,084, 7,080 vendosin ti japin fund martesës së tyre.

Pas këtij viti trendi i problemeve familjare vazhdon të pësojë rritje.

Për 7,645 familje vendoset zgjidhja e martesës së prindërve.

565 divorce më shumë se në vitin 2015.

Rekordin e shënon viti 2017. Numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej është 11,522. Nga ky numër, 7,956 janë regjistruar për zgjidhje martese. Janë në këtë vit 311 zgjidhje martese të regjistruara më shumë se në vitin 2016. Po ashtu janë 876 zgjidhje martese të regjistruara më shumë sesa në vitin 2015. Në krahasim me vitin 2014 janë 742 zgjidhje martese më shumë për vitin 2017. Dhe duke i krahasuar me vitin 2013, janë 1,244 zgjidhje martese të regjistruara më shumë.

Raporti statistikor i Ministrisë së Drejtësisë ka arritur në përfundimin se numri i divorceve të regjistruara nga gjykatat ka ardhur në rritje. Rrethet në të cilat vihet re një numër më i madh i çështjeve të regjistruara për zgjidhje martese për vitin 2016, janë: Tirana, Vlora, Elbasani, Fieri, Shkodra dhe Korça. Por gjithashtu, vihet re se ka një tendencë në rritje edhe në rrethet e tjera për paditë për zgjidhje martese në vitin 2016./abcnews.al

DITA-NDERKOBETARE-E-RINISE.mpg_snapshot_01.22-1280x720.jpg
G. P.14:33 | 12/08/2018

80 % e të rinjve në Shqipëri nuk gjejnë asnjë shërbim miqësor në vend. Ndërsa 30% e kësaj grupmoshe është e papunë. Të dhënat vijnë nga “Rrjeti Kombëtar Shqiptar” në ditën ndërkombëtare për të rinjtë. Përfaqësuesit e organizatave rinore i kërkojnë qeverisë dhe bashkive më tepër vëmendje ndaj kësaj grupmoshe.

Rreth 30 % e të rinjve në vendin tonë nuk kanë një punë. Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës e rendisin Shqipërinë të parën në Europë sa i përket papunësisë tek të rinjtë. Në ditën botërore të rinisë, “Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë” dhe “Qendra për të Drejtat e Fëmijëve” i kërkojnë qeverisë të miratojë në buxhet një zë specifik për rininë, ndërsa bashkive të krijojnë seksionet për këtë grupmoshë.

Kërkesa e tyre vjen pasi mbi 15 organizatat të shoqërisë civile, për gati dy vjet vlerësuan punën e bërë për zbatimin e planit kombëtar të veprimit për rininë në Shqipëri 2015-2020. Rezultatet i përmblodhën në një raport kombëtar, sipas të cilit buxheti që shkon për rininë është thuajse zero. Nga mbi 50 aktivitete të parashikuara për t’u realizuar, përgjatë dy viteve u përmbushën vetëm 10 prej tyre. Si shkak evidentohet mungesa e strukturave institucionale në nivel qendror dhe lokal.

Ndërkohë që të dhënat e Indeksit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, që shoqërojnë këtë raport, janë një këmbanë alarmi për të gjithë politikë-bërësit në Shqipëri. Rreth 81% e organizatave rinore në vend nuk gjejnë asnjë mbështetje për politikat e punësimit te Qeveria. Ndërsa 80 % e të rinjve nuk gjejnë asnjë shërbim miqësor në vendin tonë. Plani i miratuar në maj të vitit 2015 nga Qeveria Shqiptare kishte për qëllim zhvillimin dhe koordinimin e politikave rinore në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë, si dhe forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën shoqërore e në proceset vendimmarrëse.

Sipas Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë, rinia shqiptare nuk e ka gjetur mbështetjen e premtuar nga Qeveria dhe bashkitë. Të rinjve gjithnjë e më shumë po i kufizohen mundësitë për të marrë pjesë në vendimarrje dhe në politikë-bërje. Ndërkohë që duke u përdorur vetëm si sfond politik, të rinjtë nuk mund të arrijnë të ndryshojnë apo përmirësojnë jetën e tyre./abcnews.al

DENTISTET-ME-TE-SHTRENJTE-NE-SHQIPERI1-1280x720.jpg
ent ela13:44 | 09/08/2018

Një anketim i Komisionit Europian për cilësinë e jetesës tregon se 77 % e shqiptarëve e kanë shumë të vështrirë të përballojnë shërbimet  e stomatologut. Për këtë standard, shqiptarët renditen të fundit në Europë, ndërsa të parët për kujdesin dentar janë finlandezet dhe suedezët.

Italianët vijnë në Shqipëri për të rregulluar dhëmbët, por vetë shqiptarët e kanë të vështirë të përballojnë kostot e shërbimeve dentare.

Të dhënat janë publikuar në Anketën Evropiane të cilësisë së jetës të Komisionit Evropian.

77%  e të anketuarve shqiptarë u përgjigjen se e kanë shumë të vështirë që të përballojnë shërbimet e përkujdesit dentar, duke u renditur të parët në Europë. Pas Shqipërisë renditet Greqia, ku 68% e të anketuarve kanë thënë se e gjejnë të vështirë, apo shumë të vështirë që të përballojnë përkujdesjen dentare në vend. Megjithatë kanë një diferencë me 10 pikë përqindje në krahasim me Shqipërinë.

Mesatarja Europiane, për individët që janë përgjigjur se e gjejnë të vështirë ta përballojnë është 36%. Vendet me përqindjen më të ulët në Europë janë Finlanda dhe Suedia, me përkatësisht 11 dhe 13%, të cilat pasohen nga Holanda me 13%.

Megjthëse vendi ynë përzgjidhet nga të huajt, listën e të cilëve e kryesojnë italianët, edhe numri i tyre ka rënë. Sipas institutit të statistikave numri i shtetasve të huaj që kanë deklaruar se kanë ardhur në Shqipëri për arsye shëndetësore ishte 111 në pesë muajt e parë të vitit, nga INSTAT, duke shënuar rënie në krahasim me një vit më parë. /abcnews.al

 

maqedonia.jpg
G. P.11:55 | 03/08/2018

Presidenca e Maqedonisë organizoi një ceremoni me rastin e fetës së Republikës. Gjatë ceremonisë ka paur thirrje anti-shqiptare, por deri tani Presidenca nuk është distancuar nga këto incidente. Reagimet në vend kanë qenë të shumta.

Me thirrjet anti-shqiptare “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur” një pjesë e të pranishmëve në ceremoninë e organizuar nga presidenca maqedonase me rastin e festës së Republikës, shoqëruan vendosjen e luleve në Meçkin Kamen në Krushevë. Çdo gjë ndodhi para syve të presidentit Ivanov.

Mediat maqedonase kontaktuan me Presidencën, e cila ishte organizatore e manifestimit, por nga ky institucion nuk pati as edhe një distancim nga thirrjet raciste anti-shqiptare, ndërsa sipas Kushtetutës, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese në shtet në momentin që thirrjet u bënë në festën e Ilindenit.

Qeveria maqedonase nga ana e saj i dënoi thirrjet raciste në ditën e Republikës në 2 Gusht. Në një deklaratë për shtyp thuhej se qeveria e Republikës së Maqedonisë i dënon thirrjet për urrejtje dhe dhunë, që janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe u bën thirrje institucioneve kompetente t’i hetojnë këto dukuri dhe të marrin masat e duhura. Ilindeni është ditë për bashkim dhe jo ndarje, thuhej më tej.

Nga ana tjetër, atmosferë krejtësisht e ndryshme mbretëronte në manifestimin në Pelincë. Përveç këngëve dhe valleve maqedonase, në këtë organizim të qeverisë, u shfaqën edhe valle shqipe dhe ato të bashkësive të tjera etnike në vend.

Presidenti Ivanov në festën e Ilindenit u paraqit para qytetarëve me një fjalim të ashpër kundër pushtetit. Ai kundërshtoi marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, e cila sipas Ivanovit, e nënshtron shtetin ndaj Greqisë si dhe e fshin identitetin dhe historinë maqedonase.

Edhe pse NATO ka garantuar anëtarësimin e vendit sapo të përfundojë marrëveshjen me Greqinë, Ivanov theksoi disa herë se marrëveshja nuk garanton automatikisht integrim të vendit në NATO dhe BE. “Çfarë na duhet prosperiteti, pa identitet”?! Me këtë pyetje retorike Ivanov iu drejtua edhe ndërkombëtarëve, të cilët sipas tij, duan ta bindin popullin të vetëshuhet.

Maqedonia festoi në 2 Gusht Ditën e Republikës dhe dy Ilindenët historik, 115-vjetorin e fillimit të Kryengritjes së Ilindenit dhe 74 vjetorin e KAÇKM-së./abcnews.al

temperaturaaa.jpg
G. P.11:43 | 01/08/2018

Spanja dhe Portugalia pritet të përballen me temperatura rekord duke filluar që nga e enjtja e 2 Gushtit. Agjencitë metereologjike në të dyja vendet parashikojnë temperature deri në 50 gradë Celsius.

Anticikloni afrikan ka pushtuat gjysmën e Europës, duke shënuar rekord të temperaturave të larta. Por vendet që do të vuajnë më shumë pasojat janë Spanja dhe Portugalia. Këto dy vende deri tani kanë shënuar temperature deri në 37 gradë Celsius.

Por një tjetër valë të nxehti afrikan do të sjellë në këto dy vende rekorde të reja, duke nisur që nga e enjtja e 2 Gushtit e deri në 8 Gusht temperaturat mund të arrijnë deri në 50 gradë Celsius. Lisbona do të përballet me ditë të tëra kur temperatura do të shënojë 40 gradë, ndërsa në qytetet bregdetare spanjolle temperaturat mund të shkojnë deri në 45 gradë Celsius. Të gjitha agjencitë metereologjike në të dy vendet kanë dhënë gjendjen e alarmit duke u bërë thirrje banorëve të marrin masa./abcnews.al

 

vappe.gif
G. P.17:20 | 28/07/2018

Të dielën parashikohet që vendi të përfshihet nga i nxehti afrikan. Sipas shërbimit “Meteoalb” fusha termike do të ushqehet nga masa ajrore të nxehta nga ky kontinent, të cilat pritet të rrisin ndjeshëm temperaturat në Shqipëri.

Nga 29 Korriku deri më 5 Gusht, meterologët thonë se termometri do të shënojë vlerat më të larta të vitit. Ndërkohë që 20 ditët e fundit të Gushtit, sipas shërbimit “Meteoalb”, pritet që temperaturat të jenë në vlerat tipike të muajit. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e ndonjë tre-ditëshi ku termometri të shënojë mbi 36°C./abcnews.al

ekstradim-933x445.jpg
G. P.11:20 | 28/07/2018

Një 55-vjeçar nga Berati i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri.

Anesti Paskos, i njohur ndryshe me emrin Bedri Ibrahimi më 26 Mars të 2012-s ka vrarë me thikë Sako Protoduari, dhe ka plagosur Gëzim dhe Eduart Portudarin, si pasojë e një konflikti.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata e ka dënuar me 18 vjet burg për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese”, dhe “vrasjes në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono