Shqiperi-France

air-albania-1280x821.jpg
nev ila22:30 | 17/11/2019

Ditë historike për stadiumin e ri të kombëtares së Shqipërisë, ndërsa për kryeministrin Edi Rama është një ditë mesazhesh. Ndërkohë që fliste në inaugurimin e impiantit të ri sportiv “Air Albania” një tjetër mesazh iu dërgua nga një pjesë e tifozëve brenda stadiumit.

Nuk dihet nëse këto thirrje kanë mbërritur në veshin e kryeministrit pasi ky i fundit ishte zënë me falënderime për ata që e bënë të mundur realizimin e ëndrrës së tij. Aq i kënaqur shprehet kryeministri Rama sa e krahason me kryeveprat botërore.

Në të njëjtën linjë me të u shpreh edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka.

E së bashku me kryeministrin Rama dhe Presidenti i UEFA-s Aleksander Çeferin hodhën firmat në këtë 17 nëntor që do të mbahet mend jo vetëm si Çlirimi i Tiranës në 1944 por edhe si moment historik për futbollin shqiptar.

Pjesë e ceremonisë së hapjes u bënë nga emra të njohur të muzikës shqiptare ku nuk munguan edhe numrat koreografikë./abcnews.al

stadiumi-1280x719.jpg
nev ila20:30 | 17/11/2019

Shënohet incidenti i parë në Arenën Kombëtare “Air Albania”. Burime për abcnews.al kanë njoftuar se i gjithë stadiumi ka filluar të thërrasin në kor “Rama IK”. Kjo ndodhi gjatë ceremonisë së inaugurimit të stadiumit të ri kombëtar, që në fakt ka pasur debate që në fillim kur u miratua projekti.

Sikurse mund të dëgjohet edhe në video, në kor, tifozët thërrasin “Rama ik”, në momentin kur në stadium fiken dritat dhe ndizen dritat e celularëve, një simbolikë kjo e përdorur edhe gjatë protestave të PD-së, ku protestues te shumte, ndriçuan bulevardin me dritat e celulareve.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së stadiumit së bashku me familjen e tij, bashkëshorten Linda Rama dhe djalin Zaho. Në fjalën e tij, Rama e quajti ditën e sotme “ditë historike për sportin shqiptar”.

Gjithashtu edhe për emrin ka pasur shumë kundërshti, por tani të gjithë shqiptarët janë para një fakti të kryer dhe kanë një stadium të ri modern.

RAPORTIMI NGA GAZETARI I ABC NEWS– Pa nisur ndeshja me Francën, gazetari i ABC News, Bledar Kuka, në një lidhje direkte foli për atmosferën në “Air Albania Stadium” dhe praninë e tifozëve. “Atmosfera është mjaft e mirë, ndeshja ndiqet nga një numër i madh tifozësh. Në tre tribuna tifozët kanë ardhur shpejt, kurse në tribunën VIP tifozët kanë ardhur me nge.

Opinionet e tifozëve kanë qenë të mira për stadiumin. Ata manë ardhur për kombëtaren, jo vetëm për stadiumin e ri. Francezët janë vendosur në tribunën lart, në zonën e tyre të izoluar. Një pjesë e madhe e tifozëve nuk kanë marrë bileta, pasi ka pasur ndarje me mik, sicc e kemi thënë”, tha mes të tjerash.

Lajmi në përditësim…/abcnews.al

ilnica.jpg
ad min12:22 | 17/11/2019

Shqipëri-Francë ka sjellë problematika të ndryshme, tipike të ndeshjeve të mëdha. Për të gjetur një biletë nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi një pjesë të mirë të tyre i kanë marrë firma të ndryshme private dhe institucione shtetërorë. Sigurisht shumëkush i ka gjetur me mik, shkurt shqiptarçe.

Veç tifozëve, edhe gazetarët kanë hasur probleme me akreditimet. Zyra e Shtypit në FSHF pat njoftuar se do të ketë nga një gazetar sportiv për media dhe shumëkush ka mbetur pa u akredituar. Kërkesat kanë qenë të larta, nga vendi ynë dhe nga Franca.

Një prej atyre që nuk është akredituar është edhe gazetari sportiv Eduart Ilnica, aktualisht pjesë e Klan Plus. Për mes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka akuzuar personat përgjegjës në FSHF. Në fakt nuk është kursyer aspak.

POSTIMI I PLOTË – “Për zarat dhe sahanlëpirësit në FSHF… Sonte, në përurimin e stadiumit të ri, do të shohim njerëz nga më të ndryshmit për të qenë në qendër të vëmendjes, normale mendoj në një botë komerciale… Nuk i hyj me emra përveçëm, secili ka gjetur mikun dhe dëshiron të jetë prezent në këtë eveniment. Është e drejta e gjithkujt dhe një ego mëse normale… Por të lësh gazetarët e fushës (sportit) jashtë, në një stadium ku numri i gazetarëve është më i lartë se kurrë në vendin tonë, është vërtet për të ardhur keq. Dhe një ndër ta, jam edhe unë…

Prej 18 vitesh gazetar sportiv, madje para se vetë Duka të merrte mandatin e parë, platformën e të cilit për herë të parë e kam botuar në gazetën ku isha i punësuar asokohe. Nuk kam gjë me Dukën në këtë rast (kritikat apo përgëzimet i kam bërë publike me kohë), por me zarat dhe sahanlëpirësit e FSHF-së, me njerëzit që merren me akreditimet apo rezervimet.

Ironia e fatit qëndron se në ndeshjen testuese dhe në ndeshjen ndaj Andorrës, këta miushë të akreditojnë (natyrisht kanë bërë detyrën, siç unë kam shkuar për të bërë punën), ndërsa për përballjen me Francën, zarat të thonë “jo”, edhe pse aplikimi është bërë konform rregullave dhe afatwve.

Ju them këtyre sahanlëpirësve se, sa orë keni ju në FSHF, unë kam shkrime, kronika, analiza e komente rreth futbollit. I akredituar në stadiume si “Stade de France” (pra Francën e kam parë dy herë atje), në Oslo dhe ndonjë tjetër (nuk po flasim për stadiumet tona), zarat e FSHF-së nuk më akreditojnë në stadiumin e ri…

Të kuptohemi, nuk është çështja thjesht për të hyrë në stadium, sepse asnjë zar nuk më pengon dot, ndeshjen do ta shoh te “Hallexhinjtë”, por ca njerëz bëhen më katolikë se Papa. Dhe në fund Duka këta njerëz i ka një përdorimesh… Do të vazhdoj misionin tim, brenda, anash stadiumit apo jashtë tij, sepse nuk ka zar dhe sahanlëpirës të më pengojë…FORCA SHQIPËRI!”, shkruan Ilnica. /abcnews.al

75289378_777892049300721_5076521077513912320_n-1280x720.jpg
Vladimir Prenga10:17 | 16/11/2019

Stadiumi i ri kombëtar “Air Albania” është gati për duelin me Francën të dielën në mbrëmje. Edhe pse punimet vazhdojnë ende për detajet e fundit, tashmë impianti i ri modern në Shqipëri, mund të konsiderohet i përfunduar.

Stadium i ri kombëtar është gati për duelin me Francën të dielën në mbrëmje. Punimet në impiantin më modern në Shqipëri janë thuajse drejt fundit. Në ambientet e jashtme të “Air Albania Stadium” vihet re prezenca e zyrtarëve të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, që tregon qartë përkushtimin dhe presionin e madh në prag të një dueli kaq të rëndësishëm.

Në pjesën e jashtme të stadiumit punimet thuajse kanë përfunduar dhe po bëhet gati vendosja e rrethimit të perimetrit të sigurisë, ku do të kalojnë tifozët për t’u kontrolluar para hyrjes në stadium. Në hyrjen kryesore të stadiumit ka përfunduar shtrimi me pllaka guri të kuqe dhe punëtorët po kujdesen maksimalisht për çdo detaj.

Në një nga hyrjet e impiantit është stampuar edhe emri i ri i “Air Albania Stadium”. Në pjesët e jashtme dallohet heqja e skelave të ndërtimit, duke treguar qartësisht se punimet kryesore janë ezauruar dhe ka mbetur vetëm përfundimi i disa gjërave të fundit vetëm një ditë para ndeshjes me Francën, por që nuk ndikon aspak në inaugurimin pasi stadiumi në fjalë është licencuar nga UEFA një javë më parë. Në hyrjen e stadiumit vihet re se montimi i kamerave të sigurisë është në fazën finale.

Ambientet e brendshme të stadiumit janë një mrekulli më vete. Në sektorin e bareve dhe restoranteve po jepet dora e fundit, që çdo gjë të jetë në perfeksionin e kërkuar për inaugurimin. Tapeti është i një cilësie të lartë dhe moti i qëndrueshëm në ditët e fundit pritet ta përmirësojë akoma më tepër gjendjen e fushës.

Stadium është i mrekullueshëm dhe gati për duelin e së dielës në mbrëmje, kur nuk do të mungojnë personalitetet e larta. Tifozët do të kenë mundësinë të shijojnë për herë të parë emocionet e kombëtares në ndeshjet në shtëpi në një impiant modern dhe i standardeve europiane. /abcnews.al

arena3-1.jpg
Vladimir Prenga09:27 | 16/11/2019

Shqipëri-Francë do të mobilizojë një numër të madh forcash rendit për të garantuar sigurinë. Rreth 1650 policë do të jenë të gatshëm, ndërkohë që FSHF ka kontraktuar BBS Security për stjuartët, që do të jenë mbi 350. Policia e Shtetit së fundmi ka publikuar edhe masat e marrë për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe zbulon gjithçka.

“Në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe struktura të tjera të Policisë do të marrin një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por edhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, brenda në stadium dhe në qytetin e Tiranës”, njofton policia.

Njoftimi i plotë

“Policia e Shtetit njofton se në datën 17.11.2019, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” Tiranë, do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare e futbollit midis Shqipërisë dhe Francës, e vlefshme për eliminatorët e Kampionatit Europian të Futbollit “Euro 2020”.

Në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe struktura të tjera të Policisë do të marrin një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por edhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, brenda në stadium dhe në qytetin e Tiranës.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, tifozërinë vendase, atë të ardhur nga treva të tjera dhe tifozërinë e ekipit të Francës, që do të ndjekin ndeshjen në stadiumin “Arena Kombëtare”, se për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv do të merren disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të, si më poshtë:

*Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

*Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.

*Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.

*Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:
•Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobusët do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.
•Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzët do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.
•Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobusët do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

*Pikat e kontrollit dhe orientimi i tifozërisë:
•Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të  orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht:
1.Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.

2.Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).
3.Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).

4.Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
5.Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).

Për të qartësuar qytetarët, orientimi i sektorit ku ata kanë biletën, të bëhet sipas specimentit bashkëlidhur njoftimit.

Parkingu i automjeteve në pjesën lindore të stadiumit “Arena Kombëtare”, në datën 17.11.2019, nuk do të funksionojë dhe nuk duhet të mbahen automjete të parkuara gjatë kësaj date.

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30. Ftojmë qytetarët të afrohen pas kësaj ore për të hyrë në stadium dhe mos ta lënë për minutat e fundit.

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi do të kontrollohen fizikisht të gjithë. Edhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja për parkim në parkimin nëntokësor përreth stadiumit do të kontrollohen në hyrje tek pika e kontrollit tek Rektorati.

Njoftojmë qytetarët shqiptarë se kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, në bazë të të cilit klasifikohen vepra penale veprimet e parashikuara në nenin 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive” dhe dënohen deri në tre vjet burgim, si dhe konsiderohen vepra penale “Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive”, të parashikuara në nenin 274/b, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e komunitetit dhe të drejtuesve të automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin.

/abcnews.al

bbs.jpg
Vladimir Prenga20:23 | 10/11/2019

“Arena Kombëtare” është shkelur sot për herë të parë nga tifozët dhe vajzat e Vllaznisë dhe Apolonisë. Ky është testi gjeneral para se UEFA të japë “OK”-in përfundimtar dhe Shqipëria të luajë në ndeshjen me Francën, më 17 nëntor.

Pritshmëritë për ndeshjen e sotme ishte për një pjesëmarrje të lartë të tifozëve dhe FSHF kishte vendosur që për mbarëvajtjen e saj të angazhonte 100 stjuartë të kompanisë BBS Security, aq sa zakonisht ka pasur në takimet zyrtare që janë luajtur në Elbasan apo në Shkodër.

ABC News ka mësuar edhe numrin e stjuartëve që do të jenë në ndeshjen Shqipëri-Francë dhe bëhet fjalë për një shifër rekord. 350 stjuartë do të angazhohen për këtë ndeshje, numri më i lartë në një ndeshje futbolli të luajtur në vendin tonë.

Duke shtuar edhe forcat e rendit, që pritet të jenë 1650, shkon në 2000 numri i forcave të sigurisë që do të jenë në total për takimin inaugurues të stadiumit “Arena Kombëtare”. Kapaciteti i lartë i stadiumit, si dhe pjesëmarrja e personaliteteve të larta sjell edhe gjithë këto masa sigurie, me synim shmangjen e çdo problematike para, gjatë dhe pas ndeshjes./ abcnews.al

 

 

radhe-tifozet.jpg
Vladimir Prenga15:32 | 06/11/2019

Janë shitur të gjitha biletat online për ndeshjen ndaj Francës në Arenën Kombëtare. Tifozët vazhdojnë të mbajnë radhë në dyqanin e Federatës në kryeqytet, ndërsa problemi më i madh janë porositë e bëra nga institucionet shtetërore dhe kompanitë private

Reshjet më shumë prishin punë për trafikun. Sidomos në mot të tillë, radha e makinave shtohet në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, aty ku ndodhet dyqani i Federatës Shqiptare të Futbollit, ku shiten biletat e ndeshjes së kombëtares.

Vetë tifozët, që në shi janë më të paktë se zakonisht në radhë, nuk e kanë këtë problem kryesor, por faktin sesa bileta vendosen në dispozicion të tyre. Kur duhen edhe 11 ditë deri në sfidën e Europianit ndaj Francës, qytetarët mund të gjejnë vetëm bileta për tribunat pas portave.

Shitjet në internet për francezët kanë përfunduar dhe nuk mund të bësh më asnjë porosi në këtë mënyrë. Online ke mundësi vetëm për ndeshjen tjetër, atë ndaj Andorrës në “Elbasan Arena”, madje shanset janë të larta në çdo sektor të stadiumit.

Pengesa kryesore për qytetarët janë porositë e shumta të bëra në Federatë nga institucione shtetërore, kompani të mëdha private të të gjitha fushave, si dhe porositë mbi bazë njohjeje. Një fenomen që ka krijuar problem në çdo ndeshje të rëndësishme, siç ka ndodhur më parë me Gjermaninë, Portugalinë, Spanjën, Italinë apo Serbinë.

Nga Federata nuk jepet shifër e saktë e biletave të shitura, pavarësisht se flitet për rreth 9 000 të tilla, në një stadium me kapacitet 22 000 vende. Informacioni është vetëm për biletat e nxjerra në treg, ndërsa nuk dihet saktë sesa janë porositur, duke anashkaluar blerjen online apo atë fizikisht në dyqanin zyrtar të FSHF-së. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

Arena.jpg
Vladimir Prenga12:49 | 05/11/2019

Shumë zhurmë rreth ndeshjes Shqipëri-Francë. Biletat ishin një nga çështjet e diskutuara më së shumti, ndërkohë që nuk ngelen pas problematikat që “Arena Kombëtare” , kryesisht me pozicionin e kamerave për transmetimin e ndeshjeve.

UEFA ndërkohë ende nuk e ka konfirmuar “Arenën Kombëtare” për ndeshjen me Francën, kjo pasi nuk është zhvilluar sfida testuese që ishte programuar të luhej të dielën. Për shkak të fushës së mbjellë, u vendos që të shtyhej për më datë 10 nëntor përballja Vllaznia-Apolonia, për femra.

Përfaqësues të UEFA-s do të jenë në këtë ndeshje për të parë nga afër stadiumin dhe më pas do të merret një vendim përfundimtar. Për sa kohë ende UEFA s’e ka dhënë fjalën e saj për stadiumin, ekziston rreziku që Shqipëri-Francë të mos zhvillohet në “Arena Kombëtare”.

UEFA, në faqen zyrtare nuk ka përcaktuar akoma stadiumin ku do luhet Shqipëri-Francë

Gjithsesi duket e vështirë të ndodhë diçka e tillë, kur biletat kanë dalë në shitje dhe një pjesë e mirë e tyre janë blerë nga tifozët. FSHF nga ana tjetër ka shpërndarë ftesat për shumë personalitet të sportit dhe politikës, ndërkohë që i pranishëm për inaugurimin e “Arena Kombëtare” do të jetë edhe Aleksandër Ceferin, kreu i UEFA-s.

Në FSHF nuk ka asnjë shenjë paniku dhe presin me padurim të shohin stadiumin e ri të mbushur plot e përplot në ndeshjen me Francën. Dhënia e “OK” nga UEFA për ta është thjesht çështje kohe. Sigurisht, që të largohen të gjitha dyshimet, duhet pritet vendimi zyrtar i qeverisë europiane të futbollit. /abcnews.al

UEFA, në faqen zyrtare ka përcaktuar stadiumin ku do luhet Shqipëri-Andorra
tkz.jpg
Vladimir Prenga16:36 | 01/11/2019

Tifozët kanë vërshuar pranë dyqanit zyrtar të Federatës Shqiptarë të Futbollit dhe synimi është të pajisen me bileta për ndeshjen me Francën kryesisht. Gjithsesi institucioni më i lartë i futbollit në vend ka marrë një vendim absurd, që i detyron tifozët të blejnë bileta për të dyja takimet.

Është e pakuptimtë diçka e tillë për disa arsye. Ndeshjet luhen në stadiume të ndryshme, me kapacitete të ndryshme. Për të blerë bileta për të dyja ndeshjet do të jenë të detyruar vetëm një pjesë e tifozëve, çka është një pabarazi. Po ashtu, sikurse dihet në tribunën kryesore në ndeshjen me Francën do të ketë tifozë vetëm me ftesa, kurse për takimin me Andorrën ka bileta në shitje edhe për tribunën kryesore.

Tifozët gjithashtu ankohen edhe për tentativën për t’i detyruar ata që të bëhen pjesë e “Klubit të Tifozëve”, të cilët kanë përparësi në pajisjen me bileta. Madje online vetëm për ta po shiten momentalisht biletat e takimit me Francën.

Në orët në vazhdim mund të ketë edhe një reagim të FSHF-së, që mund të vendosë për arsye të shumta ta ndryshojë vendimin për t’i shitur biletat dyshe. Sa i takon detyrimit për t’u bërë anëtar i “Klubit të Tifozëve”, kemi të bëjmë me një absurditet. Kurrsesi nuk mund të shiten bileta për një grup të caktuar tifozësh, vetëm pse paguajnë një kuotë në FSHF. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono