shprehje

mm-1280x698.jpg
ent ela15:31 | 09/03/2019

Të premten Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar rreth 20 vjet burgim për gjashtë të akuzuar: ish-shefin e shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijalkov, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, dhe katër ish- anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ata u dënuan për shkak të rolit të tyre në parregullsitë e procesit të zgjedhjeve vendore në vitin 2013.

Procesi gjyqësor i koduar si ‘Titaniku 2’ u kërkua nga Prokuroria Speciale Publike. Pavarësisht se avokatët e të dënuarve kanë paralajmëruar ankimim në Gjykatën e Apelit, parashikohet se vendimi do të tensionojë situatën politike në vend

Rasti ‘Titanik’ në të cilin u dënuan me burgim dy eksponentë të lartë politik – Sasho Mijalkov, ish-shef i shërbimit sekret maqedonas, dhe Menduh Thaçi, kryetar i PDSh-së, dhe katër ish-anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, është pasuar nga dy vlerësime katërcipërisht të kundërta: Sipas të parit, dënimi është provë se – drejtësia vonon ama nuk harron.

Me fjalë të tjera, aktgjykimi i Gjykatës Penale në Shkup, është ajo drita e shumëpritur në fund të tunelit – për vendosjen e shtetit të së drejtës. Mirëpo, përtej kësaj, fakti se gjykatat speciale, jo rrallë nuk i shpëtojnë damkës si ‘gjykata politike’, verdikti i Gjykatës sikur lë një shije mosbesimi.

Në fakt, sipas një këndvështrimi tjetër, dënimi i së premtes, sikur flet për pozitën e vështirë të qeverisjes së kryeministrit Zoran Zaev, në radhë të parë për ruajtjen e shumicës së dy të tretave në Parlament, që i është shumë e nevojshme për bërjen e detyrave të shtëpisë – për epilogun e pasigurt të zgjedhjeve Presidenciale të 21 prillit, por edhe për thellimin e reformave në pritje të dritës jeshile për çeljen e negociatave për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në BE.

Kryeministri Zaev ashiqare ka nevojë për ‘tetëshen e artë’ të shkëputur nga VMRO-DPMNE-ja, për të cilën thuhet se është e afërt me Mijalkovin, por edhe për dy deputetët e PDSH-së së Thaçit. Së këndejmi, nuk janë të paktë ata të cilët mendojnë se me dënimet e shqiptuara, sikur Mijalkovi, po edhe Thaçi, po paralajmërohen për atë që quhet politikë e ‘kulaçit dhe kërbaçit’.

Me fjalë të tjera, të jenë të kujdesshëm për veprimet që do të mund të ndërmarrin, për shkak se – dihet: ‘pushteti e zë lepurin edhe me qerre’! Dhe gjithë kjo, pavarësisht se nga diçka duhej të niste, e zbeh betejën për shtetin e së drejtës. Kjo aq më tepër kur edhe raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 2013-tës, për të cilat u dënua gjashtëshja e prirë nga Mijalkov e Thaçi, fliste për parregullsi që nuk patën ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve!/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono