shpifje

jorida-tabaku-1-1280x718.jpg
nev ila13:10 | 24/10/2019

U padit nga Rama, dënohet për shpifje Jorida Tabaku. Gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë Jorida Tabakun me 300 mijë lëk gjobë e cila ishte akuzuar për shpifje nga kryeministri Edi Rama.

Sipas Gjykatës Jorida Tabaku duhet të përgënjeshtrojë në faqen e saj në Facebook deklaratën e saj ku akuzon qeverinë për akte korruptive.

Në fillim të vitit 2019 qeveria hapi 17 gjyqe ndaj politikanëve të PD-së për shpifje.

Atë kohë kryeministri Rama deklaroi se me paratë që do të fitonte ndaj këtyre gjyqeve do të investohej në shkolla.

Një prej deputeteve të paditura atë kohë ishte edhe Jorida Tabaku për të cilën gjykata vendosi sot gjobën prej 300 mijë lekësh.

Ndërkohë një rishikim i tetëmbëdhjetë çështjeve gjyqësore që mbartin veprën penale të shpifjes dhe që janë shqyrtuar nga Gjykata e Lartë, tregon se në trembëdhjetë raste, përplasjet mes politikanëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës kanë përfunduar gjithmonë me fitoren e maxhorancës.

Po ashtu Rama rezulton edhe politikani që ka ngritur më shumë akuza për shpifje ndaj kundërshtarëve të tij politikë./abcnews.al

shkelzen-berisha-1280x720.jpg
nev ila15:56 | 19/06/2019

Pas rrëzimit të padisë për shpifje nga gjykata për kreun ne grupit parlamentar të PS Taulant Balla, Shkëlzen Berisha u shpreh se do ta ankimojë vendimin. Ndërsa deputeti socialist e cilësoi vendimin si një triumf i drejtësisë.

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha pasi ky i fundit kishte paditur kreun e grupit parlamentare të Partisë Socialiste Taulant Balla për shpifje. Balla pas përfundimit të seancës deklaroi  se ky është një triumf i drejtësisë.

Ndërsa Shkëlzen Berisha u shpreh se Balla vazhdon që të shpifë dhe mohoi faktin që ka detyrime tatimore të pa shlyera. Berisha tha se gjykatësja ka dashur të lajë duart për shkak të presionit politik të organizatës kriminale në pushtet.

Djali i ish-kryeministrit Berisha paralajmëroi se do të ankimojë vendimin deri sa të marrë drejtësi. Shkëlzen Berisha kishte paditur deputetin e PS Taulant Balla pasi pretendon se ky i fundit ka shpifur për të nga foltorja e drejtuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar të çështjes CEZ teksa ka thënë se ai kishte shmangur pagimin e taksave./ABC News Albania 24/7

slai-berisha-dhe-edi-rama.jpg
ad min15:27 | 13/03/2019

Gjykata e Tiranës ka zhvilluar këtë të mërkurë seancën paraprake për padinë e bërë nga kryeministri Edi Rama, i cili akuzon ish-liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha për shpifje. Bëhet fjalë për akuzat që ish-kryeministri i bëri shefit të ekzekutivit, për paktin e detit me Greqinë.

Mes të tjerash, Berisha deklaronte se Rama po u shiste detin grekëve. Kreu i Parties Socilaiste Edi Rama ka kërkuar shpërblim moral nga Berisha, në shumën prej 100 mijë lekësh. Padia Rama-Berisha po shqyrtohet nga gjyqtarja Fida Osmani, seanca e radhës do të zhvillohet më 11 Prill.

Burime bënë me dije se ishin avokatët e ish-kryeministrit, të cilët kërkuan shtyrjen e seancës më qellim që të gjitha paditë e Ramës ndaj Berishës të bashkohen në një të vetme.

Kreu i mazhorancës ka depozituar ne gjykatë edhe 39 padi të tjera të cilat i faturohen disa prej tyre liderit te opozitës Lulzim Basha dhe pjesa tjetër disa ish-deputetëve të Partisë Demokratike. Kryeministri Rama ka kërkuar dëmshpërblimin prej 100 mijë lekësh nga secilin prej tyre./abcnews.al

edi-rama-2-1280x718.png
ad min10:53 | 02/03/2019

Pak javë pas lançimit të Paketës Antishpifje, kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes rrjetit social Tëitter se janë në proces 17 çështje gjyqësore me opozitën, të cilën ai e quan “fabrikë shpifjesh”.

Sipas Ramës, për 10 nga këto çështje pritet vetëm përcaktimi i datës së gjyqit, ndërsa 44 çështje të tjera janë rrugës për të hyrë në proces e për t’i shkuar deri në fund.

Por pas këtij statusi, ka reaguar deputetja demokrate Jorida Tabaku.

“Kush mendon se frikëson opozitën me presionin e gjykatës, duhet ta dijë që ajo nuk thyhet”, shkruan Tabaku në Facebook.

Sipas Tabakut, opozita nuk i frikësohet askujt, e aq më tepër atij që fshihet gjatë protestave.

“Personalisht i qëndroj çdo akuze ndaj qeverisë, që nga inceneratorët e deri të lojërat e fatit”, shkruan Tabaku./abcnews.al

gjykata-e-tiranes.jpg
ent ela13:13 | 21/01/2019

Përmes këtij vendimi, gjyqtari Gerdi Hoxha i dha fund gjykimit të padisë për “shpifje” të deputetit socialist, Taulant Balla, kundër kryeopozitarit, Lulzim Basha. Në 21 Janarin e vitit 2019 Gjykata vlerësoi se kreu i PD, Basha, kishte shpifur botërisht në sallën e Parlamentit në 21 qershor 2018 kur lidhi emrin e deputetit Balla me “Toyotat Yaris”, ku u gjetën 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit. Për këtë shkak ai detyrohet të paguajë një gjobë prej 50 mijë lekësh.

Sipas gjykatës, Lulëzim Basha nuk pranoi të tregojë burimin e informacionit, ç’ka u çmua nga gjyqtari Hoxha si heqje dorë nga e drejta për të provuar para gjykatës se informacioni i përcjellë në deklaratat e tij ishte i saktë dhe i besueshëm.

Gjykata arsyetonte se me deklaratat e bëra në Kuvend dhe më pas ku lidhte emrin e Ballës me “Toyotat” “i akuzuari Lulzim Basha ka dashur me qëllim, t’i përccojë publikut mesazhin se viktima akuzuese z. Taulant Balla, njëherazi deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe eksponent i lartë i Partsisë Socialiste të Shqipërisë, është një bashkëpunëtor i krimit të organizuar, pasi bashkëpunon me persona të përfshirë në krime të tilla si trafik lëndësh narkotike, pastrim parash, del garant për këta persona etj”.

Duke iu referuar disa vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si edhe dy vendimeve të Gjykatës së Lartë në vend, gjyqtari Gerd Hoxha arsyetoi se në deklaratat e tij Lulëzim Basha nuk ka pasur qëllim informues, por si qëllim denigrimin dhe njollosjen e reputacionit të kreut të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Balla.

Jashtë sallës së gjyqit, Balla e konsideroi vendimin si historik dhe nuk harroi të kujtojë përkimin e datës së shpalljes.

Taulant Balla: “Ndoshta rastësia ka bërë që Lulzim Basha të dënohet me vendim penal në 12 Janar 2019. Por le të jetë ky një ogur i mirë për ndëshkimin përfundimtar edhe përsa i përket qoftë ndaj tij qoftë ndaj Sali Berishës. Do i kërkoja Lulzim Bashës dhe PD-së që të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar tërësisht në shpifje”.

Avokatët e Bashës komentuan si të padrejtë vendimin dhe paralajmëruan kundështimin e tij në Apel.

 “Nën presionin e procesit të vetingut gjykata ka dhënë një vendim që bën të qeshë çdo njeri që lexon vendimin. Mjafton që policia e Taulant Ballës të thotë se Taulant Balla nuk ka përgjegjësi në milionat e eurove të drogës të kapura në Portin e Durrësit dhe nuk ka rëndësi se çfarë hetimi po bën Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ne nuk jemi dakord me vendimin e Gjykatës, vendimin do ta ankimojmë”.

Referuar vendimit, gjykata i jep 6 muaj kohë kryeopozitarit të shlyejë gjobën, pasi vendimi të marrë formë të prerë./abcnews.al

edi-rama12345.jpg
ad min22:25 | 02/12/2018

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritje të gjobave kundër lajmeve të pavërteta në media. Para pjesëmarrëse të konferencës “Agjencitë e lajmeve kundër fake news-it” Rama theksoi ndërmarrjen e hapave konkretë për formalizimit ligjor të portaleve online në Shqipëri. 

Përpara pjesëmarrësve të konferencës “Agjencitë e lajmeve kundër fake news-it”, kryeministri Edi Rama listoi tre lajmet e rreme që krijuan sipas tij më shumë përshtjellim dhe shqetësim në opinionin publik në vend.

“Njëri tre vjet më parë jep lajmin që qeveria kishte vendosur të groposte në Shqipëri mbi 1400 kontenierë me lëndë radioaktive. Më pas lajmi i këtij viti kur u përhap fjala se qeveria kishte vendosur në një marrëveshje të fshehtë me BE që të spostonte në Shqipëri 600 mijë refugjatë ish luftëtarët e ISIS. Mund të rëndisja dhe lajme të tjera, lajme qesharake si marrëveshja e imja me Presidentit të Rusisë për t’i shitur atij një qytet të tërë në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri Rama shprehu nevojën e formalizimit ligjor të medias online, duke theksuar se më shumë se 600 portale në vend nuk dihet se kush i zotëron, apo kush i financon. Ai paralajmëroi rritjen e gjobave për shpifësit.

“Kjo është një situatë prej xhungle ku ne synojmë të vendosim një rregull normaliteti si në vendet e tjera. Ne do të rrisim gjobën për lajmet e rreme dhe për shpifjen siç unë e quaj me një fjalë të vetme në shqip. Për të ndërhyrë edhe të ndëshkuar përhapësin e shpifësit. Që do të thotë nëse një media është përgjegjëse për një lajm të rremë ose shpifje, cilido që e merr dhe e replikon është po aq përgjegjës sa media e origjinës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e përcaktimeve ligjore për mbrojten e të drejtës së autorit dhe krijimin e një loje me rregulla të qartë, pa cënuar lirinë themelore të fjalës së lirë dhe të informimit të publikut./abcnews.al

 

KRONIKE-BERISHA-BALLA-PADIA_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_01.35-1280x720.jpg
ent ela16:40 | 14/11/2018

Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua sot seanca e radhës e padisë për “shpifje” të Shkëlzen Berishës kundër deputetit socialist Taulant Balla. Berisha kërkon deklarimin fajtor të Ballës me pretendimin se ka shpifur në emër të tij kur drejtonte Komisionin Hetimor Parlamentar për privatizimin e OSSH.

Në shoqërinë e avokatit, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, mbërriti të mërkurën në Gjykatën e Tiranës për t’u përballur me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në këtë gjykim Berisha është në rolin e paditësit, ku pretendon se Balla ka shpifur për të nga foltorja e drejtuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar të çështjes CEZ.

Në sallën e gjyqit Berisha kishte përballë vetëm avokatin e deputetit. Përmes tij, Balla njoftoi gjykatën për pamundësi të pjesëmarrjes në seancë, për shkak të angazhimeve në Kuvend. Paditësi Berisha konfirmoi gjenenralitetet para gjykatës, por pretendimet u parashtruan nga avokati i tij. Sipas avokatit Ivi Kaso, deputeti Balla ka shpërndarë thënie të pavërteta kur ka pohuar se klienti i tij Shkëlzen Berisha për vitet 2009-2013 nuk ka paguar tatim mbi fitimin, duke bërë evazion fiskal. “Deklaratat janë bërë me qëllim diskretitimin e figurës së klientit të mbrojtur prej meje. Akuzuesi nuk është dhe nuk ka qenë për asnjë moment debitor ndaj organeve tatimore”, tha avokati Kaso, duke kërkuar deklarimin fajtor të Ballës për akuzën e “shpifjes së kryer botërisht.

Për t’i dhënë kohë avokatit të Ballës të njihej me parashtrimet dhe provat e paraqitura prej tyre dhe për t’u konsultuar me deputetin gjykata shtyu seancën për në 27 nëntor. Ndonëse kurseu komentet në sallën e gjyqit, paditësi Berisha nuk bëri të njëjtën gjë jashtë gjykatës.

Shkëlzen Berisha: “Proceset për zotin Balla për shpifje janë të shumta sepse profesioni kryesor i zotit Balla është shpifës. Nuk ishte i pranishëm ,shpreoj mos të ketë qenë duke nxjerrë ndonjë përdhunues nga komisariatet. Shpresoj mo të ketë qenë në ndonjë udhëtim me trafikatë që e ka mik shtëpie. Shpresoj që gjykata të provojë dhe njëherë shpifjen e radhës, kësaj here penalisht për zotin Balla.”

Padia e Berishës kundër Ballës u regjistrua fillimisht në Gjykatën e Lartë, por pas një ping-pongu mes saj dhe Krimeve të Rënda për çështjen e kompetencës dosja kaloi për gjykim në gjykatën e kryeqytetit./abcnews.al

edi-ramaa.jpg
ad min16:43 | 23/10/2018

Kryeministri Edi Rama ka gati 12 paditë e para antishpifje. Këtë e bën të ditur nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale. Duke e krahasuar opozitën me personazhin për fëmijë Liza në botën e cudirave, kryeministri tha se kundërshtarët e tij politikë do të humbasin gjithcka gjyqeve.

“Kontributi i parë në fondin e edukimit është fitorja e gjyqit të kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj këshilltarit bashkiak Akil Kraja”, tha shefi i qeverisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Po në rrjetet sociale kreu demokrat e paralajmëron se fundin do ta ketë të afërt dhe të ngjashëm me atë të diktaturës./abcnews.al

thumbnail_veliaj-keshilli-1280x853.jpg
ent ela14:47 | 23/10/2018

Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë ka dënuar sot Partinë Demokratike për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Vendimi u mor paraditen e sotme dhe sipas verdiktit të gjykatës, PD-ja i detyrohet t’i paguajë një dëmshpërblim moral prej 1 milion lekësh kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Veliaj kishte hedhur ne gjyq per shpifje keshilltarin bashkiak te PD, Akil Kraja.

Pas lajmit për dënimin për shpifje të PD-së, burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se kryebashkiaku Veliaj ka vendosur që me dëmshpërblimin prej 1 milion lekësh të blejë dy kompjutera, të cilët do t’ia dhurojë nxënësve të shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz.

Ky është rasti i parë që një vendim gjykate për shpifje shkon direkt në “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore, nga çdo vendim që gjykatat do të japin kundër shpifjeve publike.

edi-raama.png
ad min16:04 | 20/10/2018

Edi Rama duket i vetmuar në këtë periudhë, ku akuzat për të vetët i bëhen edhe duke patur si bazë dokumente të prokurorisë. Amplifikimi i tyre në mediat tradicionale e sociale, duke ushqyer më pas debatin e mbrëmjeve televizive, duket një dimension që nuk e kontrollon dot. Po tund publikisht një ligj antishpifje kundër të gjithëve, e në pritje që ta finalizojë, ka nisur me numrin 2 të partisë së tij, një seri kallëzimesh në prokurori, shumica ndaj eksponentëve të opozitës. Një prej të kallëzuarve, më shumë se një herë, e i thirrur edhe në prokurori, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, paralajmëron se synon ta largojë Ramën nga politika e ta çojë para drejtësisë, për ç’ka e akuzon.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Historia e Babales, jo vetëm që nuk u qartësua, por nga dokumente të prokurorisë duket edhe më e errët pasi personi i vetëdenocuar si aktori që u përdor si zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, në audiopërgjimin e Albert Veliut, ka qenë nën përgjim nga prokuroria. Me ato dokumente të prokurorisë i vijoi denoncimet selia blu, duke publikuar një përgjim të Fredi Alizotit me drejtorin e policisë Fier e një tjetër.

Pjesa tjetër e përgjimit u publikua nga një tjetër deputet i PD, njëlloj i kallëzuar nga kreu i grupit parlamentar socialist për shpifje. Në dokumentin e prokurorisë ishte zbardhur një rrëfim që Fredi Alizoti i bënte dikujt në telefon, tre ditë para se të vetëdenoncohej në polici si zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm.

Demokratët aludojnë se Taulanti nga Librazhdi, të cilit i referohet Alizoti është numri dy i PS. Duhet thënë se Taulant Balla është prej javësh shënjestra politike e opozitës. Pas akuzave të forta të Emiljano Nuhut për çështjen Xhisiela, përgjimeve të Fredi Alizotit për çështjen Babalja, selia blu artikuloi akuza të reja, sipas saj bazuar në të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS të lëvizjeve të përbashkëta të Taulant Ballës me një ish trafikant droge që sipas opozitës ka përfituar tendera publikë në zonën elektorale të Ballës.

Ervin Salianji: “Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega, shpeshherë me të njëjtën makinë, kryesisht me automjetin e Taulant Ballës me targa AA900IN. Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega me të njëjtin avion, ku destinacioni më kryesor ka qënë Vjena, Athina, Korfuzi, Parisi apo Mali i Zi. Vetëm në Vjenë kanë udhëtuar bashkë plot 14 herë. Ku i gjeti paratë Taulanti për udhëtime me charter plot 18 herë”?  

Tashmë Taulant Balla denoncon çdo akuzë në prokurori si shpifje, siç sugjeron paketa antishpifje që Kryeministri thotë se po përgatit, duke e shpallur si kontribut për atë që Rama ka caktuar si fondi i edukimit, për konstruksion çerdhesh e shkollash. E bëri të ditur edhe për këtë rast përmes Facebook, por duke iu drejtuar kryetarit të PD.

Lulzim mjaft e shpërdorove Sali-anjin me shpifje, për udhëtime 18 herë me chartera. Informacioni është në Albcontrol dhe mund ta merrni. Pse nuk bëni kallzim në Prokurori? Megjithatë faleminderit që po vijon te kontribosh për Fondin e Edukimit. Të hënën padia në gjykatë!”

Organi i akuzës duket i impenjuar me kohë e hetime në çështjet ku përfshihen politikanë e funksionarë publikë. Javën politike që lamë pas, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u mor në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rreth 60 minuta, lidhur me hetimet për dosjen e Babales, e përmendjen e emrit të tij nga Alfred Alizoti.

Në prokurori u thirr edhe deputeti socialist Rrahman Rraja, që u akuzua publikisht nga ish-oficeri Nuhu se kishte ushtruar presion për të birin e denoncuar për dhunë në polici.

Edhe gazetari Basir Çollaku, që intervistoi Emiljano Nuhun po hetohet për shpifje, njëlloj si kolegu i tij Jetmir Olldashi, që intervistoi Albert Veliun. Edhe Taulant Balla u thirr nga Krimet e Rënda për deklarimet e përgjuara të Fredi Alizotit. Por Balla ishte në prokuror për të shtuar padi të reja për Salianjin e Bashën.

Shefi i ekzekutivit nuk impenjohet më publikisht për këtë çështje, ku tashmë lakohen edhe emra të tjerë brenda gardhit të tij. I mblodhi për një fjalim të gjatë drejtues të policisë e zgjodh të tërheqë vemendjen me qasjen për rastin Xhisiela, ndërsa ish oficerin denoncues Emiljano Nuhu, tashmë e lakon vetëm si shpifës.

Që cështja Babalja po i sjell jo pak dhimbje koke Kryeministrit, kjo iu lexua fort, kur përcolli në media të gatshëm këtë material të një inspektimi të punimeve të Unazës së Tiranës. Ai merak ishte nënvizuar dukshëm e zyrtarisht.

Komod me këtë qasje të opozitës që pret reagim nga qytetarët, Kryeministri dukshëm po përpiqet të frenojë amplifikimin në media e rrjetet sociale të akuzave ndaj tij, e të vetëve. Nuk është aspak e lehtë, në kushtet kur akuzat tashmë kanë si bazë dokumente të prokurorisë, për të cilat nuk mund të akuzojë opozitën. Por po tenton të parandalojë efektin e tyre tek qytetarët, duke u fokusuar tek ato që i përcjellin si lajm, vete mediat.

Hartimi i një ligji enkas për veten, ministrat e drejtorët e vet, që i detyron të gjithë të ngrenë padi për cka do konsiderohet shpifje, me një department të posaçëm antishpifje në PS, vjen si një akt i panjohur në vendet demokratike. Eshtë sipërmarrja e re, e një Kryeministër që qeveris i vetëm, me një mazhorancë numerike si askush nga paraardhësit e tij, por që çuditërisht ka nevojë të mbrohet me ligj nga akuzat që i konsideron shpifje./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono