shpetim

roje.jpg
ad min14:23 | 19/07/2019

Në liqenin e Pogradecit mungojnë rojet. Pushuesit  thonë se ndihen të pasigurt sidomos për të moshuarit dhe fëmijët. Nga 50 subjekte që operojnë në këtë zonë, vetëm dy prej tyre kanë certifikuar rojet konform ligjit.

Piku i sezonit turistik e gjen liqenin e Pogradecit pa kushtet minimale të sigurisë. Në të gjithë gjatësinë e vijës bregliqenore konstatohet mungesa e rojeve.

Edhe ato pak kulla vrojtimi të ngritura vite më parë janë bosh, duke rritur pasigurinë tek pushuesit. Askush nuk garanton shpëtimin  e jetës së tyre në rast mbytje. Të lahesh në liqen mund të rezultojë fatale për gjithkënd sidomos për të moshuarit dhe fëmijët.

“Unë kam gati 10 ditë këtu në Pogradec dhe mungojnë rojet e sigurimit bregliqenore”.

“S’ka fare roje. Burri ikën më tutje, unë rri këtej se kam frikë fëmijët”.

“Gjatë kohës që jepet licenca për këto shezllonet të jepet edhe e drejta, ndryshe të hiqet e drejta dhe për shezllonet”.

Teksa apelojnë bashkinë dhe strukturat e tjera shtetërore për të zgjidhur problematikën, për vizitorët siguria është arsye për t’ju dhënë fund pushimeve para kohe.

“Njerëz shpëtimi dhe pa polici bregdetare nuk ka. Më pëlqeu Pgradeci, më pëlqeu deti, por mbrojtje nuk ka, kështu që nesër duhet të iki”.

Nga 50 subjekte,që kanë kontratë me bashkinë për shfrytëzimin e bregut të liqenit, 3 prej tyre kanë ngritur kulla vrojtimi dhe vetëm 2 subjekte kanë certifikuar rojet e sigurisë konform ligjit. Vetëm disa ditë më parë Prefekti i Korçës Dhori Spirollari paralajmëroi ashpërsim të masave ndaj bizneseve që shfrytëzojnë plazhin dhe nuk vendosin roje./ABC News Albania 24/7

droniii.jpg
ad min14:00 | 20/11/2018

Disa studentë në Kinë kanë realizuar projektin e një droni, që mund të shpëtojë jetë njerëzish, në rast të ndonjë zjarri në qiellgërvishtëse. Droni në fjalë mund të ndahet në katër pjesë, duke hapur një rrjetë në mes, e cila mund të mbajë një person në ajër.

Projekti vjen nga Kina dhe i ka të gjitha karakteristikat për të qenë me të vërtetë revolucionar: “NetGuard” është një dron që ndahet në katër pjesë dhe hapë një rrjetë të aftë për të shpëtuar persona që duan të hidhen nga një qiellgërvishtëse të kapluar nga flakët.

Sapo të merret kërkesa për shpëtim, droni përdor sistemin GPS për të zbuluar vendndodhjen e saktë ku duhet të shkojë dhe udhëtimin e bën në kuotë të lartë për të shmangur trafikun dhe për të arritur atje sa më shpejt të jetë e mundur.

Pasi mbërrin në vendngjarje, droni ndahet në katër pjesë dhe hapë një rrjetë sigurie në qendër. Falë katër motorëve me helika arrin të qëndrojë në fluturim dhe është në gjendje të mbajë një person në ajër. Rrjeta është e ndërtuar nga një shtresë e katërfishtë e poliuretanit, mjaft e fortë për të mbajtur peshën e një të rrituri mesatar: ndërsa sensorët e vendosur kapin trajektoren e personit që hidhet në rrjetë, duke pozicionuar dronin në mënyrë që ta mbajë atë në ajër.

I projektuar nga një grup prej 6 studentësh në Quangzhou të Kinës, ky dron është kandidat për të fituar 13 mijë dollarë në një panair tenkologjie në Tajvan./abcnews.al

TURISTET-SHPETIMI-HISTORIA-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ad min19:54 | 31/10/2018

ABC News ju sjell historinë e rrugëtimit të vështirë të turistëve huaj që humbën rrugën mes maleve të Thethit. Fatmirësisht ata u shpëtuan nga banorët e zonës, por organizatorët e udhëtimeve kërkojnë marrjen e masave.

Chris Simm, 33 vjeç nga Anglia dhe Sanne Carbaat 27 vjeçe nga Holanda tre netë më parë humbën rrugës nga Valbona për në Theth. Pasi kishin udhëtuar për 10 orë hynë në një rrugë të gabuar dhe e panë veten mes maleve. Shkak u bë një shenjë orientimi e pavendosur mirë.

Sanne Carbaat – turistja që humbi: “Jemi nisur në ora 8 të mëngjesit nga Valbona për të shkuar në këmbë deri në Theth. Koha ishte e mirë. Gjatë ecjes jemi ngatërruar dhe jemi futur djathtas në vend që të shkonim majtas sepse shenjat e orientimit nuk ishin të mira. Kemi ecur nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 të pasdites dhe pasi erdhën djemtë për ta na shpëtuar kemi bërë edhe 2 orë e gjysëm të tjera. Kalonim në rrugë malore ose duke zbritur. Në fillim ka rënë shi dhe më pas era ishte shumë e fortë dhe problemi ynë ishte të gjenim dru për të ndezur zjarr. Kemi qëndruar mbi 5 orë të vetëm deri sa na shpëtuan”.

Nga një udhëtim magjepës në një natyrë të pafundme u bë një rrugëtim i vështirë dhe makthesh. Çifti tregon momentin kur u shpëtuan nga tre djem të Thethit, Çesk Berishta, Nikoll Djegsina dhe Françesk Harusha

“Ne nuk na gjeti policia por Çesku, Niko dhe Françesku, pra tre djem nga Thethi. Në fillim ishim të frikësuar sepse nuk e dinim se çfarë po ndodh dhe kush po vjen”.

Çesk Berishta është njëri nga të rinjtë që shpëtuan jetën dy turistëve. Ai u thote turisteve të mbajnë numra kontakti të vendasve në udhëtime të tilla sepse mund të përfundojnë edhe ushqim për ujqërit.

Çesk Berishta – banor i Thethit: “Të marrin një informacion, ose një guidë ose një kartvizitë të dikujt që të kenë një numër telefoni të dikujt që nëse mbeten rrugëve të njoftojnë ndokënd.”

Loren Nikaj një nga menaxherët e organizimeve për udhëtime turistike kërkon nga shteti të ngrihen skuadra të gatshme shpëtimtarësh me banorë te zonës.

Loren Nikaj –menaxhere kampingu: “Në malësi që është e mbipopulluar me turista, në ditë kalojnë me mbi 1000 vetë aty këtë vit, vitin tjetër do të jenë më shumë. Unë mendoj që duhet të ketë një skuadër të gatshme sa herë të jetë një problem i tillë sepse është gjë frekuente nuk është hera e parë që ndodh.”

turistet-1.png
ad min10:04 | 30/10/2018

Dy turistë të huaj janë shpëtuar nga policia pasi kishin mbetur të bllokuar orej 8 orësh në Bjeshkët e Kaprres në Theth. Bëhet fjalë për një 27-vjeçare nga Holanda dhe një 33-vjeçar nga Irlanda e Veriut, të cilët kanë ngatërruar rrugën për të dalë në Qafën e Valbonës dhe kanë dalë në vendin e quajtur “Qafa e Pejës”.

Për gjetjen e tyre në ndihmë të forcave policore shkuan edhe banorët e zonës. Ata i gjetën dy turistët në vendin e quajtur “Maja e Jezercës, e cila është një zonë e thepisur dhe që rrezikonte jetën e tyre. Përveç kësja, dy të rinjtë gjendeshin në kushte të vështira pasi nuk kishin ushqim, ujë dhe kërcënoheshin nga kafshët e egra në zonë. Pas gjetjes ata u dërguan në Theth dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore./abcnews.al

shpetiiim.jpg
ad min12:12 | 25/09/2018

Policia e Shkodrës ka arritur të shpëtojë dy peshkatarë, të cilët kishin mbetur të izoluar për shkak të baticës.

58-vjeçari B.T. dhe 56-vjeçari Gj.Z. kishin mbetur të izoluar në një urë druri në Velipojë që lidh lagunën e Vilunit me fshatin Rjoll.

Ata kishin shkuar me varkë për të peshkuar dhe kishin hipur në një urë druri  të prishur. Për shkak të baticës varka është larguar nga vendi dhe peshkatarët kanë mbetur të izoluar në urën e drurit.

Ata u nxorrën në breg rreth orës 23:50 të së hënës./abcnews.al

may.jpg
ad min09:36 | 18/07/2018

Kryeministrja britanike ka kaluar të martën me sukses një votim mbi strategjinë e Brexit, që konsiderohej një test për ekzistencën e qeverisë së saj. Një grup deputetësh laburistë i kanë ardhur në ndihmë Theresa May, që “kërcënohej” nga rebelimi i 12 konservatorëve.

Kryeministrja Theresa May i ka shpëtuar për fije një humbjeje përballë ligjvënësve pro BE-së në Parlament, të cilët kërkonin ndryshimin e strategjisë post Brexit. Deputetët dëshironin që Mbretëria e Bashkuar t’i bashkohet unionit doganor nëse nuk arrihet një marrëveshje për tregtinë e lirë me Unionin europian.

Por qeveria, e cila pretendon se një union doganor do ta pengonte në nënshkrimin e marrëveshjeve të reja tregtare, e ka kaluar testin me 307 vota përballë 301. Në prag të votimit, konservatorët kishin deklaruar se një dështim do të çonte në mbajtjen e një votëbesimi për qeverinë. Kjo e fundit megjithatë humbi në një votim tjetër që kishte të bënte me ligjin për tregtinë e ilaçeve pas daljes nga BE-ja.

Ligjvënësit votuan me 305 vota kundrejt 301 që Britania të vazhdojë të jetë pjesë e rrjetit rregullator europian për ilaçet mjekësore. Mes konservatorëve ishin 12 deputetë “rebelë” që kërcënonin May, për shkak se kërkonin qëndrimin në të dyja unionet, por në votën për doganat qeveria u mbështet nga 4 laburistë.

Unioni doganor lejon tregtinë pa tarifa mes vendeve anëtare dhe parashikon aplikimin e një takse të përbashkët për importet nga kontinentet e tjera të botës. Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars 2019, por konservatorëve dhe laburistëve u duhet të bien dakord mbi mënyrën se si do të funksionojnë marrëdhëniet tregtare më pas./abcnews.al

TAJLANDE-OPERACIONI-1280x720.jpg
ad min10:43 | 10/07/2018

Në Tajlandë ka nisur sot faza e tretë e operacionit për shpëtimin e katër djemve dhe të trajnerit të tyre të futbollit, të cilët janë bllokuar në një shpellë. Udhëheqësi i misionit të shpëtimit, tha se të pestë personat do të nxirren jashtë në të njëjtën kohë.

Në dy ditët e kaluara janë nxjerrë gjallë nga shpella 8 nxënës. Ministri tajlandez i Shëndetësisë ka bërë të ditur se ata janë mirë dhe u janë nënshtruar të gjithë kontrolleve në spital.

12 djem, të moshës 11 deri në 16 vjeç, dhe trajneri i tyre kanë qenë duke eksploruar shpellën Tham Luang më 23 Qershor, kur janë bllokuar brenda, si pasojë e përmbytjeve nga shirat. Ata u zbuluan të gjallë javën e kaluar. Një ekip prej 90 zhytësish, 40 nga Tajlanda dhe 50 nga jashtë, po marrin pjesë në operacionin e shpëtimit që ka nisur qysh të dielën./abcnews.al

mesi.jpg
ad min09:54 | 01/04/2018

Lionel Mesi tregoi edhe një herë se përse cilësohet si futbollisti më i mirë në botë. Edhe pse luajti si zëvendësues shpëtoi Barcelonën nga humbja e parë e sezonit në kampionatin spanjoll.

Mbeteshin vetëm 2 minuta lojë, në stadiumin e Seviljes, dhe një nga arritjet më të mëdha të sezonit dukej se do të merrte fund. Barcelona ishte në prag të humbjes së parë në La Liga, me skuadrën vendase që kryesonte 2-0. Franko Vaskez dhe Luis Muriel kishin shënuar golat për Seviljen, që po shkonte drejt një fitoreje të madhe, dhe Barça drejt humbjes së parë të sezonit.

Gjithsesi, trajneri Ernesto Valverde, kishte ende një “as nën mëngë”, dhe kë tjetër përveçse Lionel Mesin, e prania e tij solli barazpeshën. Argjentinasi hyri në fushë në minutën e 58-të, por me durim priti momentin e tij, ndërsa ndryshoi fytyrën e skuadrës. Deri në atë moment, katalanasit nuk arrinin të mbanin topin, por sapo “Mjeshtri” hyri në lojë, nisi “recitali”. Luis Suarez shkurtoi diferencën e golave në minutën e 88-të, ndërsa Mesi kishte krijuar më parë raste për shokët e tij. Pas goditjes së dy shtyllave, dhe pas rrjetës së Suarezit, erdhi goditja e Mesit./abcnews.al

lumi-kir-1280x670.jpg
ad min14:14 | 22/03/2018

Një 62-vjeçar rrezikoi jetën e tij për t’u shpëtuar jetën dy fëmijëve që kishin mbetur mes ujit të lumit Kir për disa orë. Burri, bashkë me të vegjlit, ndodhet në spitalin e Shkodrës nën kujdesin e mjekëve.

Ishte njeriu i parë që vrapoi dhe u fut me not në lumin Kir për të shpëtuar dy fëmijët e bllokuar poshtë Urës së Bardhajve prej orës 15:00 të ditës së mërkurë.

Fran Vatgjoka, ndodhet në spitalin e Shkodrës, bashkë me dy fëmijët, pasi policia i nxori nga lumi.

Fran Vatgjoka: “Unë isha në shtëpi, më njoftuan në telefon ca njerëz të mi të afërm dhe thanë na kanë mbetur fëmijët në ujë. Arrita të shkoj. U futa me not për të shkuar tek fëmijët. Ishin bllokuar në ujë. Fëmijët kanë mbetur në ujë prej orës 3, unë kam qëndruar dy orë. Ishte rrezik i madh”.

62-vjeçari tregon se fëmijët kanë qenë duke luajtuar mes tyre pa kuptuar se si rrezikohet jeta.

Fran Vatgjoka: “Ikin, se kanë problem, kanë qenë dy fëmijë të rinj.U munduam për mirë, na ndihmuan edhe forcat e rendit. Tani jemi mirë, nuk kemi ndonjë problem. Falenderojmë dhe stafin mjekësor”.

Në lumin Kir nuk ka rrugë kalimi. Ai përdoret për kalim vetëm në verë, kur nuk ka ujë për të shkuar më shpejt në qytetin e shkodrës. Dy të miturit dhe Vatgjoka u shpëtuan pas operacionit të Forcave Speciale të policisë së Shkodrës./abcnews.al

vlcsnap-error977-1-1280x720.jpg
ad min18:32 | 28/02/2018

Dy gra me probleme shëndetësore të bllokuara nga bora në fshatrat e Shalës së Shkodrës u transportuan për ndihmë mjekësore drejt Tiranës nga njësia e helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale arriti të ndihmojë dy të semurat në fshatrat Nënmavriq dhe Lekaj vetëm pas dy tentativash për t’u ulur.
42-vjeçarja me probleme kardiake dhe e sëmura tjetër me probleme apandesiti akut janë nën mbikqyrjen e mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono