shorti

shorti-liga-europa-1280x674.jpg
nev ila16:22 | 30/08/2019

Nuk pati përballje aq të forta në shortin e Ligës së Evropës, siç ndodhi në atë të Championsit një ditë më parë. Pas nxjerrjes së goglave në Nion të Zvicrës, u përcaktua ndarja e skuadrave në 12 grupe, ndërsa shumica e ekipeve me emër pritet ta kenë të lehtë për t’u kualifikuar.

Duelet më të fortë janë në grupin F, ku Arsenali i Londrës do të jetë së bashku me Frankfurtin e Gjermanisë, gjysmëfinalist të sezonit të kaluar. Po ashtu, në grupin J, janë vendosur Roma e Italisë dhe Borusia Gladbah e Gjermanisë.

Short i pranueshëm për ekipet e tjerë anglezë si Mançester Junajtid apo Uolves, si dhe për skuadrat spanjolle, Sevilja, Espanjol e Getafe.

Lacio Italian, ku luan portieri i kombëtares shqiptare Tomas Strakosha, u vendos në grupin E, së bashku me Sëlltikun e Skocisë, Renën e Francës dhe Kluzhin e Rumanisë./ABC News Albania 24/7

 

champions-1280x854.jpg
G. P.15:40 | 29/08/2019

Duele gjigandësh priten në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Ndryshimi i rregullave nga UEFA mund të sjellë të papritura në shortin që hidhet sot në Montekarlo, në orën 18:00.

Mund të ketë përplasje spektakolare nga ky short i çuditshëm. Championsi pret të mësojë ndarjen e skuadrave në grupe, në zgjedhjen e goglave që do të bëhet në Pallatin Grimaldi në Montekarlo sot në orën 18:00, dhe rregullat e ndryshuar, pritet të sjellin diçka të veçantë.

Reali i Madridit do të jetë në vazon e dytë, për herë të parë në dekada dhe mund të vendoset në një grup me ekipe të tillë si Liverpuli apo Interi. Edhe pse madrilenët janë 13 herë kampionë të Europë, madje kanë fituar 3 nga 4 edicionet e fundit, sërish ata u zbritën në kategori nga rregulli i ri i UEFA-s.

Ky rregull parashikon që në vazon e parë të jenë ekipet kampionë të Championsit dhe Ligës së Europës, dhe po ashtu ekipet me koeficient më të mirë në 6 ligat e para të kontinentit deri në vitin 2018.

Kjo do të thotë se më të privilegjuarit do të jenë Liverpuli, Çelsi, Barcelona, Mançester Siti, Bajerni, Juventusi, Paris SG e Zeniti i Shën Peterburgut. Kampionët e Rusisë bënë shaka për këtë fakt, me një postim në rrjetet sociale.

“Ja klubi që të gjithë e duan në short, – shkruajtën ata në Tuiter, – Zenit Shën Peterburg, Rusi, lindur në 25 maj 1925”.

Në tri vazot e tjera klubet u ndanë në bazë të koeficientit të UEFA-s të vitit 2019. Në vazon e dytë, bashkë me Realin janë edhe Atletiko, Dortmundi, Napoli, Totenhemi apo Ajaksi.

Në të tretën, ekipe të tillë si Interi, Valencia, Lioni apo Leverkuseni, ndërsa emra më modestë janë në vazon e katërt, Lajpcig, Crvena Zvezda, Lokomotiv Moskë, Atalanta apo Gallatasaraj.

Favorit për fitimin e Championsit jepet Mançester Siti, ndjekur nga Barcelona, Liverpuli e Reali./ABC News Albania 24/7

Screenshot_1-21.jpg
Sej rie10:30 | 10/08/2019

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është hedhur shorti për sezonin e ri futbollistik 2019-2020. Skuadrat që kanë probleme me financat dhe rrezikonin licencimin  Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari do të jenë pjesë e edicionit të ri të Superiores. Skuadra e Partizanit do ta nis mbrojtjen e titullit kampion në transfertën e Kukësit. Në javën e parë Tirana do të presë në shtëpi skuadrën e Luftëtarit, Skënderbeu sfidon Flamurtarin, Teuta përballet me Bylisin ndërkohe që Vllaznia pret në shtëpi Laçin. Derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani do të zhvillohet në javën e gjashtë të Kategorisë Superiore./ABC News Albania 24/7

 

bayern.jpg
G. P.23:45 | 28/06/2019

Bayern e nis me një ndeshje të fortë sezonin e ri të Bundesligës. Kampionët luajnë në shtëpi ndaj Hertës së Berlinit, ndërsa Dortmundi sfidon Augsburgun.

Merr jetë edhe edicioni 2019-2020 për Bundesligën gjermane, pasi ditën e sotme është hedhur edhe shorti për kampionatin e ri.  Këtë vit kampionati gjerman do të nisë të premten e 16 Gushtit.

Pas hedhjes së shortit është përcaktuar ndeshja hapëse, e cila do të jetë ajo ndërmjet Bayern Munchen dhe Hertha Berlin. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e bavarezëve, “Allianz Arena”.

Gjithashtu një short i lehtë edhe për Borusia Dortmund, të cilët do të presin në “Signal Iduna Park” Augsburgun. Vlen të theksohet se Verder Bremeni, ku aktivizohet ylli i Kosovës, Milot Rashica, do të presë debutuesit e Fortuna Dusldorf.

Union Berlin, që merr pjesë për herë të parë në histori në Bundesligë, do ta nisë në shtëpi, ndaj RB Leipzig. Der Klassiker, mes Dortmund e Bayern, do të zhvillohet fillimisht në Bavari në mesin e Nëntorit.

Përballjet e tjera në javën e parë do të jenë: Bayern Leverkusen-Paderborn, Uolfsburg-Këln, Eintraht Frankfurt-Hofeneim, Freiburg-Mainz, Union Berlin-Leipzig. Dhe ndeshja më e bukur e javës së parë është ajo mes Borusia Moshengladbah dhe Shalke 04./ABC News Albania 24/7

partizani-1280x716.jpg
nev ila23:36 | 17/06/2019

UEFA ka publikuar ndarjen e vazove në prag të shortit për ndeshjet e turit të pare të Champions Ligë.

Partizani ndodhet në vazon e dytë ku do të përballet me kundërshtarë të fortë.

Në prag të shortit për ndeshjet e turit të parë të ligës së kampioneve, UEFA ka bërë publike ndarjen e vazove për skuadrat pjesëmarrëse. Janë plot 32 skuadra që do të marrin pjesë në turin e parë eliminator të ndarë ne tre vazo.

Grupi i dhe grupi 2 ka në përbërje 10 skuadra ndërkohë që grupi 3 përbëhet nga 12 ekipe.  Ekipet e renditura me koeficientet më të mirë pozicionohen në vendet e para në secilin grup, për rrjedhojë ekipet më pak favorite pozicionohen nga fundi.

Skuadra kampione e Shqipërisë, Partizani, ndodhet në vazon e grupit të dytë dhe renditet tek skuadrat jo favorite. Mundësitë janë që Partizani të përballet me një nga skuadrat e Selltiv, Sherif Tiraspol, Karabag, Slovan Bratislava dhe Dudelanzh.

Skuadrat e tjera krah partizanit jane Valeta, Sarajevo, Sutjeska, dhe Saburtalo.

Skuadra tjetër shqiptare e Shkëndijës së Tetovës ndodhet në gurpin e 1 dhe do të përballet me skuadra të kalueshme në letër./ABC News Albania 24/7

champions-1280x854.jpg
G. P.12:21 | 15/03/2019

Ështe hedhur në Nyon të Zvicrës, shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve ku dueli më i fortë cilësohet Barcelona-Manchester United. Takim i lehtë për Juventusin që do të përballet me Ajaksin. Liverpooli ka peshkuar Porton, ndërkohë që Manchester City do të përballet me ekipin tjetër anglez, Tottenham.

Është hedhur në Nyon të Zvicrës, shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ku nuk mungojnë përballjet e zjarrta. Goglat rezervuan duele interesante e ndërkohë i hapet rruga një përballje në finalen e madhe të Madridit dy yjeve të futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldos. Skuadra e Juventusit do të përballet me Ajaksin që bëri surprizën ndaj Real Madrid. Ndeshja e parë do të luhet në Holandë, ndërkohë që ndeshja e kthimit në “Allianz Stadium”.

Ndeshje e lehtë për skuadrën e Liverpool që do të presë në shtepi Porton. “The Reds” peshkuan skuadrën më të dobët dhe janë favoritë absolutë të paktën në letër. Skuadra e teknikut Jurgen Klopp ka mundësinë e shkëlqyer për të prerë biletën për në gjysmëfinalen e Champions League.

Barcelona është vendosur përballë skaudrës së Manchester United. Goglat rezervuan një duel madhështor mes dy ekipeve emblemë të kontinentit të vjetër. Ndeshja e parë do të zhvillohet në “Camp Nou”, ndërkohë që sfida e kthimit në Old Trafford. Katalanasit do të shërbejnë si një matës i forcës së anglezëve që bën surprizën ndaj Paris Saint Germain.

Katër ishin ekipet angleze që u kualifikuan në çerekfinale të Championsit dhe vështirë se mund të shmangej një përballje mes tyre. Shorti rezervoi një përballje interesante mes Tottenham dhe Manchester City.

Në Nyon të Zvicrës u hodh edhe shorti për fazën gjysmëfinale. Kështu, fituesja e çiftit të Ajaksit dhe Juventusit do të përballet me fituesin e duelit Tottenham-Manchester City. Ndërkohë që fituesja e çiftit të dytë Liverpool-Porto do të ndeshet me fituesin në ndeshjen mes Barcelonës dhe Manchester United. /abcnews.al

SHORTI-PER-KED.mpg_snapshot_00.01-1280x702.jpg
ent ela14:55 | 07/12/2018

Pas refuzimit të Presidentit Ilir Meta në Kryesinë e Kuvendit është hedhur shorti për plotësimin e stafit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.Kërkesa e deputetit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi për t’u tërhequr pasi është antikushtetues sipas tij nuk u mor parasysh nga kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi.

Ndërsa goglat bëheshin gati për të zgjedhur 9 anëtarët e Këshillit të emërimeve në drejtësi, deputeti I Partisë Demokratie Oerd Bylykbashi I kërkoi kryeparlamentarit Gramoz Ruci të tërhiqej nga ky vendim.

Presidenti thotë se ka vakum ligjor dhe dispozitat tranzitore kane mbyllur efektin e tyre. Kandidatët filtrohen nga 3 organe Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese, KLGJ e KLP, të cilat nuk janë ngritur ende. Qëllimi është kapja e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca. Tërhiquni nga ky short sot dhe plotësoni vakumin ligjor për funksionimin e KLGJ e KLP.

I qetë shprehet Kryetari i kuvendit Gramoz Ruci për këtë vendim të cilin tha se mori pas konsultimeve me dy organizma të rëndësishëm.

Letrën e presidentit për shortin e kam konsultuar me ekspertet ligjore te kuvendit, EURALIUS, OPDAT. Sot është rendi qe hidhet shorti. Për shortin e KED Gjykata Kushtetuese ka sjelle dy kandidatura. Për këtë nuk mund te hidhen shorti pasi janë vetëm dy kandidate për dy poste dhe dy kandidaturat vlerësohen automatikisht te zgjedhur. Bëhet fjalë për Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha.

Dhe kështu u bë.

Bashkim Dedja e Vitore Tusha u zgjodhën nga Gjykata Kushtetuese.Ardian Dvorani nga Gjykata e Lartë, ndërsa anëtar zëvendësues Medi Bici; Arta Marku nga Prokuroria e Përgjithshme, pa anëtar zëvendësues;  Fationa Memçaj nga prokuroritë e Apelit, pa anëtar zëvendësues; Fatri Islamaj dhe Margarita Buhali nga gjykatat e Apelit dhe anëtar zëvendësues është Gurali Braimllari; Eriol Roshi nga gjykatat administrative, me anëtar zëvendësues Klodiana Veizi Memën.

Ky është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Rradhën e ka plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese që sot është jashtë funksionit. /abcnews.al

 

CAKTOHET-SHORTI-PER-KED.mpg_snapshot_01.46-1280x720.jpg
ent ela14:00 | 04/12/2018

7 dhjetori është përcaktuar si data kur Kuvendi i Shqipërisë do të hedhë shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ky vendim erdhi pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta njoftoi Kuvendin se nuk mund ta hidhte shortin për shkak të vakumit ligjor.

Refuzimit të Presidentit të Republikës i dha zgjidhje Kryetari i Kuvendit. Në datën 7 dhjetor do të hidhet shorti për të përzgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Institucioni i ri i reformës në drejtësi i ngritur 10 muaj më parë nuk ka funksionuar asnjë ditë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka si funksion përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. KED, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën 1 janar të çdo viti kalendarik.

Sipas ligjit Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga Gjykatat Administrative. Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë”

Vakumi ligjor e pengoi Presidentin e Republikës që të hidhte shortin përzgjedhës. Këtë e argumenton në shkresën e datës 26 nëntor drejtuar Kuvendit.

“Për shkak të vakumit ligjor nuk e hedh dot shortin e KED. Ndërhyni në ligj ose në të kundërt hidheni vetë shortin sipas precedentit të vjetshëm”.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka dorëzuar dy lista për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Pas hedhjes së shortit dhe konstituimit të KED, pritet të plotësohen dhe 7 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, edhe ky një  institucion jashtë funksionit për shkak se gjyqtarët nuk kaluan dot vettingun në drejtësi.

Ky do të jetë shorti i dytë përzgjedhës, pasi i pari u hodh në 27 Janar të këtij viti. /abcnews.al

 

 

kosova.jpg
G. P.23:00 | 02/12/2018

Kosova është optimiste se mund të kualifikohet për në Euro 2020. Trajneri Shaland dhe presidenti Ademi komentojnë shortin, që i vendosi në grup me Anglinë.

Do të luajë në stadiumin më të famshëm të botës. Kosova sfidon Anglinë, shpikëse të futbollit, në eleminatoret e Euro 2020-s, ndërsa shorti i Dublinit ishte emocionues, por edhe që dha shpresë. Skuadra e sapokualifikuar nga grupet e Ligës së Kombeve, do të synojë të lerë pas fuqi tradicionale të këtij sporti, pasi në grupin A janë edhe Çekia, Bullgaria e Mali i Zi. Trajneri Bernar Shaland, njeriu që udhëhoqi ekipin në sukseset ndaj Azerbajxhanit, Maltës e Ishujve Faroe, flet me krenari.

“Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova. Nuk mund të mendojmë se jemi në një grup të lehtë pasi Anglia është skuadër shumë e fortë dhe këtë e dimë. Por me skuadrat e tjera është e mundur, kam besim tek ekipi im, i cili është shumë mirë para ndeshjes me Maqedoninë”.

Edhe presidenti i Federatës, Agim Ademi, ka po këtë mendim, pavarësisht kundërshtarëve dhe përvojës së munguar.

“Grupi është interesant, por unë i besoj ekipit tonë, e cila mund t’ia dalë në kët grup. Besoj në punën dhe përkushtimin e tyre, në punën e trajnerëve dhe gjithë përkushtimin e trajnerëve”, tha Ademi.

Kosova mund të kualifikohet në Europian edhe nëse nuk ia del në këto eleminatore. Triumfi në Ligën e Kombeve bëri që ajo të jetë vetëm dy ndeshje larg finaleve, pasi duhet të fitojë gjysmëfinalen dhe finalen e nivelit D, ndërsa të kualifikuar janë edhe Gjeorgjia, Bjellorusia e Maqedonia./abcnews.al

shqiperia.jpg
G. P.17:51 | 02/12/2018

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, flet për shortin e Europianit. Ai gjykon se kombëtarja ka shpresë për kualifikim.

Ëndrra është një tjetër udhëtim si ky. Ekipi përfaqësues arriti kulmin në verën e vitit 2016, e shkoi në Francë, në finalet e Europianit, dhe padyshim presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të donte një “bis”. I ndodhur në kryeqytetin e Irlandës, në sallën ku u hodh shorti i eleminatoreve të Europianit të ardhshëm, Duka e vlerësoi si normal grupin ku do të luajë Shqipëria.

“Franca kampion bote. Kemi një lloj eksperience, kemi zhvilluar dy miqësore së fundmi. Nuk ka skuadra të vogla sidomos për ne, të gjoitha ndeshjet janë të vështira. Islanda është relativisht shumë e vështirë, Turqia gjithashtu. Moldavia nuk është e lehtë. Duhet të mos kemi mungesa, të kemi futbollistët në dispozicion. Nëse humb një ose dy lojtarë nuk i ke për të gjithë edicionin pastaj”, tha Duka.

A mendon ai se kombëtarja ka shanse për kualifikim, pas dështimit në Ligën e Kombeve.

“Nuk është keq. Do ta konsideroja me fat. Mund të ishte dhe më keq. Mund të ishte grupi ku është Gjermania dhe Holanda dhe nuk do kishte asnjë lloj shansi. Sipas meje Turqia, Islanda dhe ne do të lufotjmë për vendin e dytë”, theksoi Duka.

Po skuadra më e fortë e grupit, Franca, si e mendon shortin?

“Shorti është gjithnjë i vështirë dhe ky nuk bën përjashtim. Do të ndeshemi me dy ekipe që i njohim sepse kemi luajtur më parë, si Islanda dhe Shqipëria. Do të jetë e vështirë në Turqi, në një ambient të zjarrtë. Të gjitha ndeshjet janë të forta, të gjithë kundërshtarët janë të fortë, dhe detyra jonë është të fitojmë më shumë pikë sesa ata. Veçoj Islandën, që është grup shumë kompakt, ndërsa do kemi udhëtime të gjata në Shqipëri dhe Turqi. Nuk ka më ndeshje të lehta, dhe duhet seriozitet e përqëndrim maksimal për t’ia dalë”, u shpreh Deschamps.

Vlerësim optimist nga trajneri i Turqisë, Mirçea Luçesku.

“Nuk ka grupe të lehta në eleminatoret e Europianit. Ne do të synojmë të fitojmë ndeshjet tona dhe të shkojmë në finale. Shpresoj që të mos luajmë ndaj Francës në ndeshjen e parë, pasi është shumë e fortë. Po ashtu, vlerësoj shumë Islandën. Mendoj se nëse do të përgatitemi si duhet, do të mund të dominojmë shumicën e ndeshjeve, por jemi ende në fillim të punës sonë, pasi po krijojmë një skuadër nga e para”, tha ai./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono