shkumbini

egnatia-vs-korabi.jpg
Vladimir Prenga11:18 | 04/01/2020

Shkumbini është përjashtuar nga kampionati dhe janë disa klubet që janë vënë në lëvizje për të afruar lojtarët e mbetur të lirë. I pari që sistemohet është sulmuesi Erjon Mustafaj, i cili ka nënshkruar me skuadrën e Egnatias.

“Egnatia ka arritur të firmosë me sulmuesin Erjon Mustafaj, i cili do jetë një vlerë e shtuar për ekipin e Egnatias. Mustafaj do t’i bashkohet skuadrës ditën e hënë, kur do të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore me skuadrën tonë”, njofton klubi i Egnatias.

Në Rrogozhinë ai gjen trajnerin Artan Bano, me të cilin bashkëpunoi një vit më parë në ekipin peqinas. Kështu tek Egnatia kanë nisur edhe lëvizjet në hyrje, pas largimit të mesfushorit Xhonatan Lajthia një ditë më parë.

Mustafaji, me fanellën e Shkumbinit shënoi 4 gola në 9 ndeshje dhe ishte një nga lojtarët kryesorë. 30-vjeçari e njeh mirë Kategorinë e Parë, ndërkohë që në të shkuarën ka provuar të luajë edhe në Superiore. /abcnews.al

Shkumbini-1.jpg
Veronik Istrefaj10:31 | 27/12/2019

Janë publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit vendimet e Komisionit të Apelit dhe ekipi i Shkumbinit nuk është falur. Në takimin kundër Dinamos, gjyqtari Sokol Bebja u dhunua fizikisht dhe Disiplina dënoi ashpër Shkumbinin.

Dënimi që mori Shkumbini, me datë 19 dhjetor 2019

1- KF Shkumbini, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër KF Dinamo, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe zbatimin e ligjit si dhe kërcënimin e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 10/1/o, 31, 57/2, 63/1/b, 63/1/c, 63/1/e, 64/1, 62/2 dhe neni 65 të KDS dënohet me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonet 2019-2020 si dhe gjobë në masën 1.000.000 leke. Në bazë të nenit 116 të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Ekipi nga Peqini nuk e pranoi këtë vendim dhe apeloi. Sot, Komisioni i Apelit hodhi poshtë apelimin e klubit dhe la në fuqi dënimin fillestar, duke i dhënë një goditje shumë të rëndë skuadrës së Kategorisë së Parë.

Vendimet e Komisionit të Apelit (27.12.2019)

1- Lënien në fuqi të vendimit Nr. 17 të Komisionit të Disiplinës, datë 19.12.2019 (pika 1).

2- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS), Lozanë Zvicër.

Shkumbini.jpg
Igli Nikolli16:29 | 19/12/2019

Komisioni i Disiplinës ka marrë vendim në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen e Kategorisë së Parë mes Shkumbinit dhe Dinamos. Përballja u mbyll në barazim 1-1, teksa në fund të saj nisi dhuna e vendasve kundër arbitrit kryesor.

Klubi peqinas është përjashtuar nga çdo kompeticion, dënohet me rrëzim një kategori më poshtë dhe është gjobitur me shumën e 1.000.000 lekëve. Trepikëshi i ndeshjes ka kaluar në favor të Dinamos, që fiton 0-3 dhe siguron tre pikë të rëndësishme për mbijetesën, ndërsa lojtari Andi Bakiasi i ka dhënë fund karrierës me veprimet e tij.

VENDIMET E PLOTA

“KF Shkumbini, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër KF Dinamo, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe zbatimin e ligjit si dhe kërcënimin e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 10/1/o, 31, 57/2, 63/1/b, 63/1/c, 63/1/e, 64/1, 62/2 dhe neni 65 të KDS dënohet me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonet 2019-2020 si dhe gjobë në masën 1.000.000 leke. Në bazë të nenit 116 të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Në bazë të nenit 28 të KDS, zbritjen e KF Shkumbini në një kategori më të ulët, në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së Dytë.

Në bazë të nenit 57/2 të KDS, KF Shkumbini, humbet ndeshjen kundër KF Dinamo, në tavolinë me rezultatin 0-3 si dhe i zbriten 3 (tre) pikë nga klasifikimi.

Lojtari i KF Shkumbini, Andi Bakiasi, për goditje të përsëritur dhe kërcënim ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 11/f), 48/1/b), 57/1 të KDS, dënohet me përjashtimin përjetë nga çdo aktivitet futbollistik i organizuar nga FSHF.

KF Besëlidhja për sjellje të gabuar të spektatoreve në bazë të Nenit 65/3/c dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobe ne masën 50.000 Lekë. Ne aplikim të Nenit 116/1/a te KDS ne masën 50 %

KF Turbina për sjellje të gabuar të spektatoreve në bazë të Nenit 65/4/b të KDS dënohet me zhvillim e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.

Lojtari i KF Ada Arsen Lingata për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/b të KDS dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

KF Mirdita në bazë të Nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të vonesave në fillimin e lojës, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.

Zyrtari i KF Laçi U-17 Ylber Zani për protestë me gjeste ofenduese ndaj zyrtarëve të ndeshjes në bazë të Nenit 55/1 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

Lojtari i KF Teuta U-17 Klajdi Muzhaqi për sjellje të gabuar ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

Zyrtari i FC Flamurtari U-17 Mardian Kacolli për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/2/a) të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i FC Flamurtari U-17 Memo Dhrami për sjellje josportive ndaj kundërshtarit dhe zyrtareve te ndeshjes ne baze te Nenit 47/1/d dhe 48/1/a te KDS dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

Lojtari i SH.S.Pepa U-17 Marsildo Çerri për sjellje josportive ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/f te KDS dënohet me 6 (gjashte) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

Lojtari i SH.S Pepa U-17 Kristi Dhima për sjellje josportive ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

Sh.S Pepa U-17, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të nenit 65/1 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.

Lojtari i Spartaku U-17 Markelian Plaku për sjellje josportive ndaj zyrtareve të ndeshjes në bazë të Nenit 48/1/a dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

KF Shënkolli U-15 për mosparaqitje në ndeshjen kundër Akademia në bazë të Nenit 86/2/d të Rregullores së FSHF, Nenit 30/1 te KDS ekipi që nuk paraqitet, e humbet ndeshjen me rezultatin 3-0, si edhe i hiqen 3 pikë në klasifikim nga pikët e grumbulluara. Ekipi i KF Shënkolli U-15 në bazë të Nenit 12/1 të KDS paralajmërohet se në rast të përsëritjes së shkeljes, në bazë të nenit 86/2/e të Rregullores së FSHF ekipi do përjashtohet nga aktiviteti dhe do zbresë një kategori më poshtë.

Pranimin e kërkesës së lojtarit të Besa U19, Flavio Meçja, pezullimin e pjesës së mbetur të masës disiplinore.

Pranimin e kërkesës së lojtarit të Besa U19, Alfonso Ligeja, pezullimin e pjesës së mbetur të masës disiplinor”. /abcnews.al

tirana.jpg
Veronik Istrefaj16:43 | 16/12/2019

Komisioni i Disiplinës ka pasur shumë punë këtë javë, pasi zhvillimet në futbollin shqiptar kanë qenë të shumta. Në Kategorinë e Parë, ndeshja mes Shkumbinit dhe Dinamos kishte një episod të dëmtuar, pasi gjyqtari Sokol Bebja u sulmua fizikisht nga disa tifozë. Disiplina konfirmoi se ka çelur hetimin disiplinor. Në derbi, tifozët e të dyja skuadrave prishën stolat e stadiumit dhe si Partizani, ashtu dhe Tirana, janë dënuar me nga 2 milionë lekë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:

KF “Partizani” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/1;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë. KF “Partizani” detyrohet të dëmshpërblejë dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”.

KF “Tirana” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/2;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë. KF “Tirana” detyrohet të dëmshpërbleje dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”.

Çeljen e hetimit disiplinor për incidentet në ndeshjen Shkumbini – Dinamo./abcnews.al

PEQIN.jpg
Veronik Istrefaj21:44 | 14/12/2019

Sot në futbollin shqiptar, zhvillimet kanë qenë të shumta. Përveç shkarkimit të tre trajnerëve në Superiore, ka pasur zhvillime kryesore edhe në Kategorinë e Parë. Takimi mes Shkumbinit dhe Dinamos ka qenë në fokusin kryesor, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Sokol Bebja. Klubi i Dinamos dhe FSHF reaguan pak orë më parë, ndërsa tani, ka reaguar dhe klubi i Shkumbinit.

Deklaratë e Drejtuesve të Shkumbinit:

Lorenc Hasbajrami, administratori i klubit – “Takimi ndaj Dinamos ka qenë një ndeshje e vlerësuar nga djemtë, por që bukurinë një ndeshje futbolli ia prishi gjykimi aspak korrekt dhe i njëanshëm gjyqtarit të takimit. Kjo ka çuar që i gjithë takimi të kalojë me shumë stres nga lojtaret në fushën e lojës, nga stafi në pankinë dhe irritimin e tifozëve në tribunë.

Në përfundim, me gjithë irritimin e disa tifozëve, por që absolutisht nuk mundet të lejohet te behet tragjike. Stafi i Shkumbinit, lojtarët në asnjë moment nuk kane lejuar të dhunohet gjyqtari i takimit, Sokol Bebja, por edhe kane mbrojtur së bashku me lojtarët dhe stafin e miqve, që gjithçka të shkojë normale dhe pa incidente.

Pas sfidës, Policia e Shtetit ka përcjellë gjyqtarin e takimit, ndërsa në përfundim, nuk ka pasur asnjë denoncim për akte dhune ndaj gjyqtarit të takimit apo ndonjë shenjë minimale dhune. Ndaj kërkojmë qe edhe trumbetimi sikur në Peqin ka ndodhur akt dhune të mos jetë i njëanshëm.

Ndaj gjyqtarit Bebja theksojmë që nuk ka pasur dhunë, sikurse masat e sigurisë kanë bërë maksimumin në mbarëvajtjen e një takimi të provokuar nga fillimi, deri në përfundimin e tij”./abcnews.al

PEQIN.jpg
Igli Nikolli19:52 | 14/12/2019

Sot u rikthye dhuna në futbollin shqiptar. Ndeshja e Kategorisë së Parë mes Shkumbinit dhe Dinamos u mbyll në barazim 1-1, rezultat që u prit keq në kampin vendas. Skenat e dhunës u rikthyen në Peqin dhe arbitri Sokol Bebja u sulmua në mes të fushës.

Shoqata e Arbitrave ndihet e shqetësuar nga dhuna dhe shpreh indinjatën e thellë për ngjarjen e turpshme të ndodhur ditën e sotme. Kjo shoqatë ka një kërkesë për Policinë e Shtetit dhe shpreson që përgjegjësit të arrestohen sa më shpejt.

REAGIMI I PLOTË

Shoqata e Arbitrave e indinjuar nga dhuna ndaj arbitrit Sokol Bebja në Peqin. Shoqata e Arbitrave shpreh sot shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Sokol Bebja, gjatë ndeshjes Shkumbini-Dinamo në Peqin. Shoqata e konsideron të turpshme dhe të papranueshme hyrjen e agresorëve në fushën e blertë ku duhet të luhet vetëm futboll dhe dhunimin e paprecedentë të një arbitri.

Shoqata shpreh indinjatën e thellë për këtë ngjarje të rëndë e të dënueshme me ligj. Gjithashtu, Shoqata e Arbitrave kërkon nga policia e shtetit arrestimin urgjent të dhunuesve dhe nxjerrjen para gjykatës si dhe marrjen e masave për garantimin e punës dhe sigurisë së arbitrave. Shoqata e Arbitrave solidarizohet me arbitrin Sokol Bebja dhe i uron shërim të shpejtë“. /abcnews.al

PEQIN.jpg
Veronik Istrefaj17:43 | 14/12/2019

Sot në Peqin, në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Dinamos, gjyqtari kryesor Sokol Bebja u dhunua nga disa tifozë që u futën në fushën e lojës dhe e goditën. Pritej reagimi nga Federata Shqiptare e Futbollit, reagim që nuk ka vonuar.

Pak çaste më parë, FSHF reagoi ashpër për këtë episod të turpshëm, duke shkruar: “Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit.

FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.

FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambientet sportive”./abcnews.al

PEQIN.jpg
Veronik Istrefaj17:11 | 14/12/2019

Ajo që ka ndodhur sot në Peqin, është e turpshme. Gjyqtari kryesor i sfidës Shkumbini-Dinamo, Sokol Bebja, është dhunuar nga disa tifozë që kanë zbritur nga shkallët e stadiumit dhe janë futur në fushë. Ndeshja mes Shkumbinit dhe Dinamos u mbyll me rezultatin 1-1.

Gjyqtari Bebja ka marrë shumë goditje nga tifozë të shumtë, por arriti të ruajë qetësinë dhe me ndihmën e disa forcave të sigurisë, të largohet nga stadiumi. Ky fenomen është i përsëritur në Peqin dhe kësaj radhe, klubi i Shkumbinit rrezikon dënimin e rëndë, duke parë dhe shembullin e Kamzës sezonin e shkuar.

Klubi i Dinamos ka reaguar menjëherë në faqen e saj zyrtare në Facebook, duke u distancuar nga ky episod i turpshëm dhe duke thënë se klubi dinamovit, është gjithmonë Fair-Play: ” Çdo ndeshje e Dinamos në transfertë po shoqërohet me presione që nuk kanë lidhje me fushën e lojës. Në fund të ndeshjes së sotme është dhunuar arbitri Sokol Bebja!

Nuk është hera e parë që faktorë të jashtëm mundohen të ndikojnë në fatet e ndeshjes. Dinamo ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë Fair-Play, brenda dhe jashtë fushe”,/abcnews.al

eyoh.jpg
Vladimir Prenga11:45 | 07/12/2019

Micheal Effiong Eyoh, sulmuesi anësor i Shkumbinit, pretendon se është kërcënuar para ndeshjes me Burrelin dhe ka publikuar edhe një mesazh.  Të gjendur në këtë situatë, klubi matjan ka nxituar të reagojë dhe të garantojnë peqinasit dhe Federatën Shqiptarë të Futbollit, që në stadiumin “Liri Ballabani” nuk do të ketë kurrë probleme dhe se do t’i mirëpresin të gjitha ekipet rivale.

Drejtori sportiv, Klejvis Gjoka, ka reaguar përmes kësaj komunikate që i është shpërndarë mediave: “KF BURRELI, mirëpret çdo kundërshtar në mënyrën më mikpritëse. Klubi i Futbollit Burreli distancohet nga çdo akt apo paraakt për dhunë në stadiumin e qytetit të tij.

Në lidhje me një pretendim për kërcënim të sulmuesit të Shkumbinit Michael Effiong, të bërë në rrjetet sociale nga individë të panjohur, ju garantojmë se Klubi nuk ka e nuk do të ketë asnjë akt të tillë, jo vetëm në këtë ndeshje, por në asnjë përballje që do të luhet në stadiumin tonë.

Ne garantojmë çdo ekip e çdo lojtarë që zbret në fushën e Burrelit që do të ketë mikpritjen më të mirë të mundshme. Do të gjejë një atmosferë paqësore e qytetare. Ne kemi treguar dhe do të vazhdojmë të tregojmë se në Burrel luhet vetëm futboll dhe asgjë tjetër. Me këtë rast sigurojmë KF SHKUMBININ dhe FSHF se ndeshja do të jetë e qetë e pa asnjë lloj problemi. KF BURRELI”.

Mesazhi që ka marrë Eyoh, publikuar në “Panorama Sport”
eyoh.jpg
ad min09:50 | 07/12/2019

Jetojmë në epokën e internetit, në epokën ku çdo adoleshent apo i rritur mund të të dërgojë mesazhe kërcënuese. Pre e një mesazhi të tillë ka rënë edhe Micheal Effiong Eyoh, anësori nigerian i Shkumbinit.

Vetë lojtari e ka publikuar mesazhin në llogarinë e tij në “Instagram” dhe përgjigja është e qartë: “Kërcënime boshe. Për këtë do t’u shënoj dy gola”, shkruan Eyoh, i cili ka provuar të luajë edhe në Superiore me Laçin, sikurse edhe në të Parën me Dinamon dhe Turbinën. /abcnews.al

Mesazhi që ka marrë Eyoh, publikuar në “Panorama Sport”


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono