shkelqim miri

vlcsnap-error075-1280x720.jpg
ent ela15:12 | 12/01/2018

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për gjyqtarin e Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. Gjyqtari Miri u arrestua në 10 nëntor dhe po hetohet për akuzën e “korrupsionit”. Miri iu drejtua Apelit për të kundështuar vendimin e Shkallës së Parë të 29 dhjetorit 2017.

Për të katërtën herë nje trup gjykues refuzoi kërkesën e gjyqtarit të pezulluar të Apelit, Shkëlqim Miri, për zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”. Apeli i Krimeve të Rënda ishte gjykata e radhës që i dha përgjigje negative pretendimeve të tij për liri. Gjyqtari Miri vuan masën shtërnguese që prej 10 nëntorit 2017. Për shkak të një sëmundjeje të rëndë fillimisht ai qëndroi në Spitalin e Burgjeve dhe më tej në një spital privat në Tiranë. Ai u arrestua pas dyshimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda për përfshirjen e tij në një aferë korruptive, ndërkohë që në banesën e tij policia gjeti një shumë prej gati 30 milionë lekë të rinj.

Të premten Miri kundërshtoi në Apelin e Krimeve vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë në 29 dhjetor 2017, e cila nuk pranoi lirimin e tij për shkak të problemeve  shëndetësore. Gjykata administroi si provë raportin e dy ekspertëve të mjekësisë ligjore. Pas ekzaminimit të gjyqtarit ekspertët konkludonin se ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se gjendja e tij ishte përkeqësuar, por nuk përbënte rrezik për jetën e tij. Në Apel, prokurori kërkoi lënien e pandryshuar të masës, ndërsa avokati kërkoi lirim duke pretenduar se masa e sigurisë mund të sillte dëme të pakthyeshme në shëndetin e klientit. Pasi dëgjuan kërkesat e palëve kolegët e gjyqtarit nën hetim vlerësuan se vendimi i Shkallës së Parë duhej lënë në fuqi./abcnews.al

 

vlcsnap-error879-1-1280x720.jpg
us er15:14 | 06/01/2018

Pasi kaloi natën e ndërrimit të viteve në masën “arrest në burg”, gjyqtai i pezulluar i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, kërkon të lirohet. Gjyqtari i akuzuar për “korrupsion” ka apeluar vendimin e 29 dhjetorit 2017, që la të pandryshuar këtë masë sigurie. Kërkesa e Mirit është motivuar me problemet shëndetësore që po kalon.

Shkëlqim Miri, gjyqtari i Apelit Tiranë, i arrestuar në nëntor të vitit të kaluar kërkon lirinë në Apelin e Krimeve të Rënda. Ai po hetohet për akuzën e “korrupsionit”, pas dyshimeve të Prokurorisë për marrjen e një rryshfeti prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm.

Përmes avokatit, gjyqtari i pezulluar Miri ka apeluar vendimin e 29 dhjetorit 2017 të Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Në këtë datë, gjyqtarja Daniela Shirka nuk pranoi kërkesën e tij për lehtësim të masës së sigurisë “arrest në burg” për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Në ankimin e depozituar në Apel, pretendohet se vijimi i masës shtërnguese mund të sjellë dëme të pakthyeshme në shëndetin e gjyqtarit dhe se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e kësaj mase ekstreme.

Gjyqtari Miri qëndron i izoluar prej 10 nëntorit 2017, ditë kur policia gjeti në banesën e tij një shumë prej gati 30 milionë lekësh të rinj.

Për shkak të problemeve me shëndetin gjyqtari Miri ai e vuajti këtë masë fillimisht në Spitalin e Burgjeve e mandej në një spital privat në kryeqytet. Në seancën e 29 dhjetorit Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda u njoh me raportin e dy ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të cilët ekzaminuan gjendjen shëndetësore të gjyqtarit. Para gjykatës ekspertët pohuan se gjyqtari Miri vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se gjendja e tij ishte përkeqësuar. Por sipas mjekëve, atij nuk i rrezikohej jeta nëse qëndronte nën mbikqyrje spitalore.  Kjo kërkesë është e treta në radhën e kërkesave të Mirit për lirim nga qelia./abcnews.al

 

vlcsnap-error043-2-1280x721.jpg
us er17:00 | 29/12/2017

Gjyqtari i pezulluar i Apelit, Shkëlqim Miri, do ta kalojë natën e ndërrimit të viteve nën masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi kërkesën e tij për ndryshim të kësaj mase për arsye shëndetësore. Gjykata u bazua në një akt-ekspertimi të mjekësisë ligjore, sipas të cilit, Mirit nuk i rrezikohej jeta nga kjo masë sigurie.

Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi kërkesën e gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Miri, për ta liruar nga masa e sigurisë “arrest në burg” për arsye shëndetësore. Gjyqtari u arrestua në 10 nëntor për akuzën e “korrupsionit”, pak pasi ne banesën e tij u gjetën nga policia gati 30 milionë lekë të rinj. Për shkak të problemeve me shëndetin ai po e vuan masën e sigurisë në ambientet e një spitali privat në kryeqytet. Në seancën e së premtes tek Krimet e Rënda gjykata u njoh me raportin e dy ekspertëve të mjekësisë ligjore të cilët ekzaminuan gjendjen e tij shëndetësore.

Para gjykatës, ekspertët pohuan se Shkëlqim Miri vuan nga një sëmundje e rëndë, e cila është përkeqësuar. Por sipas tyre, atij nuk i rrezikohet jeta nëse qëndron në mbikqyrje spitalore. Pretendimet e ekspertëve u kundërshtuan me forcë nga avokati Ardian Visha. Avokati këmbënguli në rrezikun e lartë për dëme të pakthyeshme që mund të ketë në shëndetin e Mirit vijimi i masës “arrest në burg”. Pretendimet e tij nuk u morën parasysh nga gjyqtarja Daniela Shirja. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit ajo vendosi vijimin e masës shtërnguese për kolegun e saj të pezulluar.

Prokuroria për Krimet e Rënda po heton gjyqtarin Miri në lidhje me një aferë korruptive që dyshohet të ketë ndodhur në Gjykatën e Apelit. Sipas prokurorise, ai ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997./abcnews.al

Gazetar i ABC News: Armand Bajrami

vlcsnap-error209-1280x720.jpg
us er16:18 | 22/12/2017

Shkëlqim Miri, gjyqtari i Apelit Tiranë i akuzuar për “korrupsion” nuk do të mund të lirohet nga masa e sigurisë “arrest në burg” të paktën deri në 29 dhjetor. Gjykata për Krimet e Rënda shtyu në këtë datë seancën e radhës për shqyrtimin e kërkesës së tij për zëvendësim të masës së sigurisë. Gjyqtari i pezulluar Miri kërkon lirim për shkak të problemeve shëndetësore. Në seancën e të premtes, ekspertët mjeko-ligjorë kërkuan edhe një javë kohë për të përfunduar ekzaminimin shëndetësor të gjyqtarit të pezulluar nga detyra. Jashtë gjykatës, avokati Ardian Visha theksoi se gjyqtari Miri po mbahet nën kujdes të specializuar shëndetësor në një spital privat në kryeqytet.
Gjyqtari Shkelqim Miri u arrestua në 10 nëntor, pas dyshohet të ketë marrë një rryshfet prej 30 mijë euro për një vendim të favorshëm. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti një shumë prej 30 milionë lekësh./abcnews.al

vlcsnap-error496-1280x720.jpg
us er14:31 | 07/12/2017

Shkëlqim Miri, gjyqtari i Apelit i arrestuar në 10 nëntor për “korrupsion” kërkon të lirohet nga qelia për arsye shendetësore.

Te enjten Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dy ekspertë mjeko-ligjore të cilët do të bëjnë ekzaminimin e gjyqtarit të pezulluar. Ata do të dalin me një raport mbi gjendjen shendetesore të tij dhe nëse qëndrimi në qeli i rrezikon apo jo jetën.

Shkëlqim Miri, gjyqtari i pezulluar i Apelit Tiranë, që po hetohet në masën “arrest në burg” për akuzën e “korrupsionit”, kërkon të dalë nga qelia.

Pak ditë pasi Apeli për Krimet e Rënda la në fuqi këtë masë sigurie Miri i është drejtuar me një kërkesë tjetër Shkallës së Parë.

Në kërkesën e shqyrtuar të enjten, gjyqtari i shprehte kolegëve të Krimeve të Rënda nevojën për t’i zbutur masën e sigurisë për arsye shëndetësore.

Pretendimet u parqiten nga avokati i tij mbrojtës, për shkak se i dyshuari Miri prej disa ditësh qëndron në Spitalin e Burgjeve. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura avokati ka argumentuar se problemi shëndetësor i klientit të tij të diagnostikuar me tumor, kërkon ndihmë mjekësore të specializuar dhe se mbajtja në qeli mund t’i rrezikojë jetën.

Në lidhje me këtë pretendim gjykata ka caktuar dy eskpertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ata do të ekzaminojnë gjyqtarin Miri në ambientin e paraburgimit, për të dalë në një përfundim nëse qëndrimi në qeli është shkak që i rëndon gjendjen shëndetesore, apo paraqet rrezik për jetën.

Shkelqim Miri u arrestua në 10 nëntor 2017. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda ai ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i dënuar nga Gjykata e Matit për një ngjarje të ndodhur në vititn 1997 në Burrel.

Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e gjyqtarit, për llogari të hetimit, policia gjeti dhe sekuestroi gati 30 milionë lekë të reja. Deri në këtë fazë të hetimit ai ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën./abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

091117_GJYQTARI-MBULIM_00_3.jpg
us er10:35 | 27/11/2017

Shkëlqim Miri, gjyqtari i pezulluar i Apelit të Tiranës, i arrestuar për akuzën e “korrupsionit” do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda refuzoi të hënën kërkesën e tij për lirim nga qelia duke lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë për të në 12 nëntor.

I dyshuari Miri nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Avokati i tij, Ardian Visha, i bëri me dije treshes gjykuese se klienti ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Burgjeve që prej datës 24 të këtij muaji. Gjyqtari i pezulluar është diagonstikuar me herët me një tumor dhe qëndrimi në qeli i ka rënduar gjendjen shëndetësore.

Përmes ankimit Visha kërkoi zbutje të masës së sigurisë duke argumentuar se Shkalla e Parë kishte gabuar kur izoloi në paraburgim gjyqtarin. Avokati e vlerësoi si të pabazuar në prova rreziku i ikjes së gjyqtarit dhe po ashtu edhe akuzën e ngritur kundër tij.

Nga krahu tjetër i sallës së gjyqit, prokurori i Apelit pretendoi se nuk ndryshuar asnjë kusht ligjor, që do të sillte nevojën e ndryshimit të masës së sigurisë.

Gjyqtari Shkelqim Miri u arrestua në 10 nëntor 2017. Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se ai ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës,  i dënuar nga Gjykata e Matit për ngjarje të vitit 1997. Nga kontrolli i kryer në banesën e gjyqtarit, u gjetën dhe sekuestruan 30 milionë lekë të rinj. Në Shkallën e Parë gjyqtari mohoi akuzën. Për shumën e parave ai pretendoi se ishin të një të afërmi të tij./abcnews.al

 

vlcsnap-error835-1-1280x720.jpg
us er16:25 | 21/11/2017

Shkëlqim Miri, gjyqtari i pezulluar i Apelit të Tiranës, i arrestuar në 10 nëntor për akuzën e “korrupsionit” kërkon të dalë nga qelia. Ai ka ankimuar në Apel vendimin e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda që caktoi për të “arrest në burg”. Në ankimim Miri këmbëngul në mohimin e akuzës. Prokuroria për Krimet e Rënda ka ngritur dyshimet se gjyqtari ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës. Treshja e gjyqtarëve ku ishte anëtar i dyshuari Miri, la në fuqi një vendim të Gjykatës së Matit e cila kishte ndryshuar kualifikimin e akuzës ndaj Dodës për një ngjarje të vitit 1997 nga “vrasje me dashje” në “plagosje të rëndë”, me pasojë vdekjen. Gjatë kontrollit të bërë në banesën e tij, me leje të gjykatës, policia gjeti dhe sekuestroi gati 30 milionë lekë të reja./abcnews.al

vlcsnap-error142-1280x720.jpg
us er20:04 | 17/11/2017

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që të pezullojë nga detyra anëtarin e trupës gjyqësore të Gjykatës së Apelit të Tiranës Shkëqim Mirin. Vendimi u mor në mbledhjen e thirrur pasditen e së premtes, në orën 18.00 dhe të drejtuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Të dielën e kaluar, gjyqtari Miri u la në burg pa afat nga kolegët e tij të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ai u ndalua pasi ishte nën hetim, nën dyshimin për kryerje të veprës penale të korrupsionit. Shkëlqim Miri dyshohet se ka pranuar ndryshimin e kualifikimit penal të një krimi të kryer nga Gentian Doda. Ky i fundit ishte dënuar me 20 vite heqje lirie për vrasje, por fillimisht Gjykata e Matit dhe më pas edhe ajo e Apelit të Tiranës pranuan që akuza ndaj tij të kthehej nga vrasje në plagosje me pasojë vdekjen. Për të bërë këtë ndryshim të veprës penale, dyshohet se gjyqtari Miri ka marreë një shumë të konsiderushme parash në valutë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga prokuroria në banesën e tij u gjetën më shumë se 300 milionë lekë të vjetra, të padeklaruara më herët nga gjyqtari për të cilat ai vetë dhe mbrojtësi i tij ligjor pretendojnë se i ka marrë borxh për të kuruar një sëmundje nga e cila vuan gjyqtari./abcnews.al

vlcsnap-error531-1280x720.jpg
us er10:52 | 15/11/2017

Prokuroria i dërgoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për gjyqtarin Shkëlqim Miri, e cila caktoi masën e sigurisë arrest me burg për gjyqtarin.

Tashmë pritet qe KLD të marrë masë ndaj gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, pasi u arrestua për akuzën e korrupsionit. Gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri ishte të dielën në Gjykatën për Krimet e Rënda, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të gjyqtarit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, gjyqtari mohoi akuzën dhe shpjegoi se shuma prej 30 milionë lekësh gjendej në banesën e tij, sepse do t’i duheshin për kurim, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore./abcnews.al

vlcsnap-error605-1280x720.jpg
us er19:15 | 13/11/2017

“ABC News” zbardh përgjime të reja të hetimit që çoi pas hekurave për akuzën e “korrupsionit” gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri. Në një bisedë telefonike të 25 majit 2017 Alban Buci i rrëfente nënës së Gentian Dodës se djali i saj do të lirohej shumë shpejt, pasi ai i kishte sqaruar gjyqtarët. Gjatë kësaj bisede bashkëbiseduesit theksojnë se “janë shkundur” financiarisht nga kjo çështje.

Sigurimi i një shumë prej 30 mijë euro, që dyshohet të jetë përdorur për rryshfet në gjykimin e Gentian Dodës në Gjykatën e Apelit Tiranë ka rrënuar financiarisht familjarët dhe miqtë e tij. Të paktën, kështu ka pretenduar shoku i tij Alban Buci në një bisedë telefonike me nënën e Dodës në 25 maj 2017. Përgjimi i bisedës së zhvilluar dy ditë pasi Buci i dorëzoi eurot në Fushë-Krujë, Kujtim Mirit, personit të dyshuar si sekseri i gjyqtarit Shkëlqim Miri, është pjesë e dosjes së siguruar nga “ABC News”. Në këtë komunikim Alban Buci garanton nënën e Dodës se djali i saj do lërë qelinë për dy javë. Ai i tregon asaj edhe lutjen ndaj gjyqtarit për të mos kërkuar më para dhe thekson se kjo çështje i ka fikur dhe shkundur.

Alban Buci: Rri pa merak, se e kam sqaruar unë atë punë. E kam sqaruar padje me atë që ka çekiçin. I kam sqaruar gjërat.
Nëna e Dodës: Mirë, faleminderit shumë.
Alban Buci: I kam dhënë një thes me dokumente. Shyqyr ka me dalë dhe ai se na ka fikë më. S’kemi as brekë me vesh s’kemi. Jemi shkund krejtë. S’kemi çar me i bë tjetër.
Nëna e Dodës: Veç të dalin, pas Zotin.
Alban Buci: I thashë atij gjyqtarit, daku mos kërko më se s’kemi çarë me të dhënë tjetër, veç shpirtin.
Nëna e Dodës: Se dhe unë me pyet, atije dëgjohet dhe kështu, prandaj të pyes ty.
Alban Buci: Rri pa merak se e kemi sqaruar në maksimum. Do vjet të takoj. Do vij të takoj një ditë dhe ta sqaroj tamam.
Nëna e Dodës: Po fol njehërë, pyet sot.
Alban Buci: Jo s’ka nevojë me pyet se e kam sqaruar unë vetë personalisht para tre ditësh.
Nëna e Dodës: A do të paraqitet në Burrel a në Tiranë.
Alban Buci: Jo jo, s’ka me u paraqit në asnjë vend ky. I bëshin vetë ata.
Nëna e Dodës: Eee
Alban Buci: E bëjnë vetë ato.
Nëna e Dodës: Se aty isha në siklet, se thashë se mos do të shkonte prapë në Burrel.
Alban Buci: Jo çar sikleti, i kemi sqaruar ato gjërat, mos u mërzit ti. Ne presim veç të dalin.
Nëna e Dodës: Mirë faleminderit.

Për Alban Bucin gjykata për Krimet e Rënda ka caktuar një masë sigurie “arrëst në burg” në mungesë. Ai dyshohet të jetë një nga personat e angazhuar në aktin korruptiv në gjykatë./abcnews.al

 

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono