shengjin

53edc4d1-2a65-42e8-a9a3-179ed158529f-1280x720.jpg
in a18:07 | 30/12/2019

Banorët e Thumanës që i mbijetuan tërmetit dhe ndodhen në hotelet e Shëngjinit kanë dalë me një vendim. Ata nuk do të lënë hotelet siç ju kërkuan përfaqësuesit e Bashkisë së Krujës në 3 janar. Kujtojmë këtu se ditën e shtunë ata nuk firmosën as dokumetet për marrjen e bonusit të strehimit dhe kërkojnë që Bashkia të jetë më e përgjegjshme në vendimet që merr. Gazetari i “ABC News”, Gjergj Figuri bisedoi me disa prej tyre të cilët u shprehën se do të largohen vetëm nëse shteti përdor dhunë. Ata sqarojnë se janë interesuar për banesa me qira dhe bonusi i caktuar nuk përputhet me vlerën e tregut.

“Jemi 349 vetë nga Thumana, nuk dalim nga hoteli pa një vendim Bashkie”, shprehen banorët.

“Vetëm nëse na nxjerr policia me shkopa gome do dalim”, thotë një tjetër.

Për “Abc News” banorët e Thumanës sqarojnë se gjetja e një shtëpie me qira është e vështirë për sa kohë që çmimet janë rritur dhe vlera e bonusit nuk përputhet.

“Pronarët e dinë se ka rënë tërmeti, por i kanë rritur çmimet”, thonë ata.

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve që prej më shumë se një muaj janë vendosur në hotelet e Shëngjinit janë nga Thumana. Ata kanë jetuar tek pallatet që u shëmbën totalisht ose pranë tyre. Disa madje kanë lidhje gjaku dhe me viktimat dhe janë ende të tronditur. Tani duhet të përballen dhe me dalje në rrugë, pasi vendimin e qeverisë për marrjen e bonusit e kanë kundërshtuar./abcnews.al

shengjin-banoret.jpg
nev ila16:31 | 15/12/2019

Ndihmat ndahen në mënyrë selektive. Shqetësimi vjen nga banorë të Thumanës të cilët pas tërmetit janë akomoduar në hotelet e Shëngjinit.  Qytetarët shprehen se u mungojnë veshjet. Ndërsa të sëmurët kronike ankohen se nuk  u shpërndahen ilacet.

Ilaçe për të sëmurët kronikë, veshje, pelena e ushqim për më të vegjlit janë disa prej nevojave  që shfaqin shumë prej banorëve të Thumanës të cilët pas tërmetit të 26 nëntorit po qëndrojnë në hotelet në Shëngjin.

Banorët ankohen për selektivitet në shpërndarjen e ndihmave.

Në qendrën shëndetësore të vendosur pranë Resortit ku janë strehur shume prej personave të mbetur pa strehë  nga tërmeti mjekët thonë se kryhen të gjitha vizitat ambulatore ndërsa ilaçet për urgjencat nuk mungojnë.

Bluzat e bardha hezitojnë të flasin sa i përket shpërndarjes së barnave tek të sëmurët kronikë. Rreth pretendimeve të qytetarëve mungon reagimi dhe nga njësia e kujdesit shëndetësor në Lezhë./abcnews.al

banoret-lezhe.jpg
nev ila16:42 | 06/12/2019

Një pjesë e banorëve të Thumanës që janë strehuar në disa hotele të vogla në Shëngjin ankohen për mungesë vëmendje nga strukturat shtetërore, ndërsa thonë se nuk kanë as veshmbathje dhe ilaçe.

Banorët e Thumanës të dëmtuar nga tërmeti janë ndarë në tre hotele në Shëngjin. Vëmendja e mediave dhe institucioneve këto ditë është fokusuar tek hoteli më i madh, që strehon shumicën e këtyre banorëve.

Ndërsa dy hotelet e tjerë me më pak persona janë jashtë vëmendjes. Kamera e “ABC News” u përball me zemërimin e tyre. Askush nuk ju ka sjellë ilaçe apo rroba për tu ndërruar.

Në hotelet e Shëngjinit deri tani janë strehuar rreth 1 300 banorë të cilëve tërmeti i 8 ditëve më parë ju ka dëmtuar shtëpitë./abcnews.al

testi-femijet-1280x638.jpg
nev ila18:45 | 01/12/2019

Një pjesë e madhe e fëmijëve të Thumanës, të zhvendosur me familjet e tyre nëpër hotelet e Shëngjinit po argëtohen nën mbikëqyrjen e psikologëve.

Këta të fundit përmes pikturave kanë nisur të kuptojnë mbi gjendjen psikologjike të të vegjëlve pas lëkundjeve të forta të tërmetit të 26 nëntorit.

Këta nuk janë fëmijë të zakonshëm. Ata janë nga Thumana dhe Kurbin që u prekën nga tërmeti. Në sytë e tyre ka ende trishtim.

Të vegjlit me familjet e tyre janë zhvendosur në Shëngjin në disa hotele dhe pranë tyre ka shkuar një grup psikologësh që po përpiqet që përmes argëtimit të mësojë më shumë për atë çka ata ndjejnë pas lëkundjeve që i zgjuan nga ëndrrat. Psikologja Enkeleda Vranoci tregon se si e kuptojnë gjendjen e tyre përmes një testi.

Një pjesë e fëmijëve do të duan kohë të largojnë nga mendja shtëpitë e tyre që janë kthyer në gërmadha, klithmat e nënave dhe lotët e tyre. Gjithsesi lojërat argëtuese po i aktivizojnë imagjinatën dhe po ju kthejnë buzëqeshjen qoftë dhe për pak çaste./abcnews.al

PLAZH-NE-SHENGJIN-1280x720.jpg
ent ela14:37 | 28/10/2019

Jo vetëm në fundjavë, por edhe në ditë të tjera plazhet në vendin tonë janë populluar shumë. Temperaturat e larta në këtë vjeshtë i kanë orientuar ata drejt bregdetit.

Është fund tetori dhe në Shëngjin pushuesit po lahen. Temperaturat janë të larta dhe bregdeti është i populluar. Shumë pushues nga Kosova, por edhe vendas.

Kjo periudhe ka qenë një mundësi e mirë për të pushuar dhe ata që e duan detin nuk e kanë humbur këtë shans.

Sezoni është mbyllur dhe këtu vendorët nuk i kushtojnë shumë vëmendje pastërtisë. Por vizitorët janë të kënaqur, pasi nuk e kishin menduar të bënin plazh në vjeshtë.

I gjithë bregdeti ka njerëz në Shëngjin. Këto pamje jo vetëm në fundjavë, por edhe në ditë të tjera.

Lajmet për ndryshimin e motit janë përhapur dhe këtu shfrytëzohet çdo orë e ngrohtë.

Gazetar i ABC News, Lezhë: Gjergj Figuri

 

policia.jpg
nev ila09:50 | 22/10/2019

Një 23 vjeçar është arrestuar ditën e sotme, pasi iu gjetën doza me lëndë narkotike të llojit cannabis sativa në Ishull Lezhë në Shëngjin.

Policia njofton se kishte informacione që 23 vjeçari shpërndante drogën në shkolla apo në ambiente përreth. Pas kontrollit fizik iu gjetën doza të vogla gati për shpërndarje, gjithashtu edhe gjatë kontrollit të banesës u gjet një sasi cannabisi.

Informacioni i policisë:

“Policia e Lezhës, kontrolle dhe shërbime pranë shkollave, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, në afërsi të një shkolle u kap dhe arrestua në flagrancë një shtetas, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, me qëllim “Identifikimin, goditjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shpërndajnë apo tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në ambientet e shkollave apo përreth tyre” bëri arrestimin në flagrancë të shtetasit:

  1. R.,23 vjeç, banues në Ishull Shëngjin, Lezhë.

Arrestimi i tij u bë pasi Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dispononin informacione se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza të vogla me lëndë narkotikë të dyshuar Cannabis Sativa.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë dhe perreth saj u gjetën dhe 203 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”./abcnews.al

aksidentiiii.jpg
ad min09:32 | 06/10/2019

Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të diel në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin. Si pasojë e një aksidenti rrugor humbi jetën një i ri.

Mësohet se viktimë ka mbetur 29-vjeçari Fatmir Pervata, banues në Tropojë. Ai u aksidentua nga një 19-vjeçar gjatë kohës që po ecte në rrugë.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e policisë.

Ngjarja ndodhi pranë fabrikës së letrës. Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

/abcnews.al

MARKATA-E-PESHKUT-MBULIM.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela15:52 | 17/09/2019

Markata e peshkut në Shëngjin, e para e këtij lloji që po ndërtohet në vend është drejt përfundimit. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi pasi inspektoi punimet u shpreh se qeveria ka planifikuar ndërtimin e 3 markatave të tilla.

Aktualisht është në fazën e tenderimit markata e Vlorës, punimet për të cilën do të nisin brenda vitit. Ndërsa markata e Durrësit do të ristrukturohet bashkë me organizatën e peshkimit. Vitin e ardhshëm ministri tha se do të nisin procedurat edhe për Markatën e Sarandes.

Investimi në Shëngjin kap vlerën e rreth 60 milionë lekëve dhe është një financim i buxhetit të shtetit. Me ndërtimin e këtyre markatave për herë të parë sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të aplikohet procedura e ankandit. Kjo pritet të sjellë uljen e kostove në stabilimentet e peshkut dhe rritjen e cilësisë. /ABC News Albania 24/7

hetimet-per-katamaranin.jpg
ad min17:00 | 10/09/2019

Edhe pse në hetim janë përfshirë tre shtete për humbjen e kapitenit turk, i cili drejtonte një jaht luksoz pranë portit të Shëngjinit përsëri, asgjë e re nuk është zbuluar. Mali i Zi ka përcaktuar të gjithë trajektoren e ndjekur nga Sevgin Yavuz, ndërsa mbetet mister se si nuk u diktua nga radarët e portit të Shëngjinit.

Shtohen misteret për trajektoren e përshkruar nga jahti luksoz dhe humbja në mënyrë të dyshimtë të kapitenit në ujërat e territorit Shqiptar. Policia kërkoi ndihmën e autoriteteve malazeze për të mësuar itinerarin e përshkruar nga jahti i nisur nga porti i Tivarit.

Nepërmjet letërporosisë të mbërritur nga shteti fqinj i Malit të zi thuhet se, personi që rezultoi në drejtim të jahtit “Atik Bey” ishte Sevgin Yavuz, i regjistruar i humbur  prej disa ditësh.

Po kështu ai ishte regjistruar i vetëm në bordin e mjetit dhe kishte lundruar në drejtim të ujërave neutrale me destinacion Korfuzin. Jahti nuk u diktua nga radarët e portit të Shëngjinit.

Mjeti lundrues u gjet nga një peshkarexhë rreth 12 milje në ujërat tona detare. Pesë janë autoritetet përgjegjëse për funksionimin e radarëve; Policia Kufitare, Kapiteneria e Porteve, Shërbimi Doganor, Ministria Mbrojtjes, dhe Drejtoria e Kontrollit për Mjedisit.

Mbetet mister që mjeti lundrues nuk u diktua nga autoritetet shqiptare kur ndryshoi trajektoren e përcaktuar më herët në portin e Tivarit në Malin e Zi. Për këtë arsye ka nisur një verifikim edhe Prokuroria e Lezhës për të parë nëse është ndjekur praktika standarde apo ka shkelje të procedurës nga autoritetet e ngarkuara nga ligji.

Ndërkohë pronari i vërtetë i mjetit Nedim Akyuz ka sqaruar pozicionin e tij në këtë histori. Ai ka mbërritur në Shqipëri dhe ka treguar në polici se nuk di asgjë rreth rrethanave se çfarë mund të ketë ndodhur apo ku mund të jetë momentalisht kapiteni i jahtit Sevgin Javuz.

Hetimet për humbjen e kapitenit turk janë shtrirë në tre vende, duke ngritur edhe një grup të përbashkët pune. Një nga pistat kryesore që po hetohet është edhe ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës./ABC News Albania 24/7

pjerin-ndreuu.jpg
ad min14:30 | 08/09/2019

Kryetari i Bashkisë së Leshës Pjerin Ndreu tha se do të aplikojë gjoba të renda për subjektet që ndotin plazhin e Shëngjinit. Sipas Ndreut, Shëngjini është i ndotur sepse bashkia nuk ka kryer rolin e saj.

Mungesë kapacitetesh, mjetesh, ndërgjegjësimi dhe mbi të gjitha kulturë për të mbajtur pastër ambientin. Këto janë arsyet që rendit kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili e pranon që situata nuk është ende nën kontroll në zonën turistike të Shëngjinit që vazhdon të jetë e ndotur.

Zgjidhja sipas tij do të vijë vetëm pas organizimit të ri të të gjithë sistemit të pastrimit dhe aplikimit të gjobave që sipas tij do të miratohen së shpejti në Këshillin Bashkiak.

“Ka qenë një kohë e shkurtër dhe një gjendje e mbingarkuar për shkak edhe të ndërgjegjes që ka lidhje me operatorët turistikë, kryesisht hoteleri dhe restorante dhe me vetë pushuesit të cilët na rezultojnë që të gjithë bashkë kryejnë një ndotje të papërballueshme për momentin”, thotë Ndreu.

Sa i përket ndotjes dhe papastërtive në të gjithë territorin e bashkisë, Ndreu fajëson kompanitë e pastrimit duke paralajmëruar edhe ato për penalitet për mos zbatim kontratash.

“Një paketë gjobash shumë të rënda do kalojmë në këshillin bashkiak. Mendoj se do e përmirësojmë rrënjësisht situatën dhe kjo histori do fillojë të përgatitet që tani që sezoni t’i gjejë njerëzit të ndërgjegjësuar dhe me një skemë shumë efektive besoj se do ia dalim”, shprehet Ndreu.

Pavarësisht se Bashkia e Lezhës e menaxhon sistemin e pastrimit nëpërmjet 3 kompanive të ndryshme, është dashur edhe ndërhyrja e administratës së bashkisë me aksione për të patur një ambient të pastër në të gjithë territorin, aksione që ende vijojnë./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono