shëndetësi

RRITJA-E-PAGAVE-PER-VITIN-2019.mpg_snapshot_00.47-1280x720.jpg
ent ela17:18 | 06/01/2019

Këtë vit rriten pagat për 65 mijë punonjës të administratës shtetërore. Rritja do te jete nga 5 deri në 20 përqind, sipas sektorëve të përcaktuar nga vendimi i këshillit të ministrave.

Paga më të larta do të marrin gjatë këtij viti 65 mijë të punësuar. Vendimi i qeverisë ka parashikuar disa nga kategoritë që do jenë përfitues. Duke filluar nga 3 mujori i dytë i këtij viti paga do të rritet 10 % në sistemin e shëndetësisë.Në arsim rritja është vendosur të jetë 7%.

Sipas kategorive janë edhe ushtarakët që do të përfitojnë rritje page nga 5% deri në 7%.

Ndryshime pagash do të ketë edhe për punonjësit në sistemin penitenciar. Për herë të parë përfitojnë edhe diplomatët, paga e të cilëve do të rritet 20%.Të gjitha këto ndryshime janë bërë publike më herët edhe nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj.

Prej një janarit të këtij viti ka ndryshuar edhe paga minimale. Në shkallë vendi do të jetë 26 mijë lekë nga 24 mijë lekë, që ishte më parë.

Me hyrjen në fuqi të Paketës Fiskale 2019, zgjerohet edhe kufiri i pagës që do të taksohet me 23%, nga 13 mijë lekë të rinj në 15 mijë lekë të rinj. /abcnews.al

ogerta-manastirliu.jpg
G. P.18:34 | 19/12/2018

Këtë fundviti, përveç pensionistëve, qeveria do të japë shpërblime edhe për shtresa të tjera në nevojë. Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara do të marrin nga 3 mijë lekë në prag të Vitit të Ri.

Pas pensionistëve, qeveria ka vendosur të japë shpërblim për disa kategori të tjera në nevojë ne festat e fundvitit. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe ajo e paaftësisë do te marrin nga 3 mijë lekë.

“Qeveria vendosi të shpërblejë me rastin e festave të fundvitit në masën 3 mijë lekë çdo familje përfituese të ndihmës ekonomike dhe programit të mbështetjes për aftësinë e kufizuar. Qeveria ka përcaktuar një buxhet prej 396 milionë lekë në funksion të paketës së solidaritetit të fundvitit”, u shpreh ministrja Ogerta Manastirliu në një deklaratë.

Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga paketa  e solidaritetit të fundvitit të miratuar nga qeveria do përfitojnë 69 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe 62 mijë 640 familje në ndihmë ekonomike.

“69 mijë familje të cilat kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuar të lindur ose bërë të tillë, individë përfitues të statusit të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjikë, individë përfitues të statusit të të verbërit”, tha ajo.

Sipas ministres Manastirliu, ky vendim tregon vëmendjen e qeverisë për shtesat në nevojë në prag të festave të fundvitit./abcnews.al

INVESTIMET-NE-SHENDETESI-DHE-ARSIM.mpg_snapshot_01.25-1280x720.jpg
G. P.16:28 | 23/11/2018

Investimet në shëndetësi dhe arsim ishin temë e diskutimit mes ministrave të fushës dhe deputetëve në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave. Ndonëse në mbledhje ishte e pranishme ministrja Lindita Nikolla përgjigjen studentëve dhe pedagogëve ia dha kryetari i komisionit Erion Braçe.

Studentëve dhe pedagogëve që protestuan para kryeministrisë për ulje të tarifave të studimit dhe rritje të buxhetit për arsimin përgjigjen ia dha kryetari i Komsionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe.

Erion Braçe, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë: “Më bën shumë përshtypje buxheti i shtetit, është 1.6 miliardë lektë, 120 milionë dollarë. Për të gjithë ata që janë në këtë arsim, pedagogë, ndihmës pedagogë, por mbi të gjitha për ata që dalin në rrugë se e gjitha kjo është 25 milionë dollarë më shumë se i gjithë buxheti i Ministrisë së Bujqësisë.”

Protestuesve Braçe iu sugjeroi të ndryshojnë sheshin e protestës.

“Unë e kuptoj që protesta merr më shumë zë politikisht këtu përpara këtij sheshi ku jemi ne, por kam përshtypjen se efektivisht këto protesta duhet të jenë atje ku janë të destinuara këto para. Kërkoni llogari deri në qindarkën e fundit, ku shkojnë 81 milionë dollarë që janë para që dalin nga buxheti i shtetit. 126 milionë dollarë që bëhen bashkë me tarifat e tyre.”

Ndërsa ministrja e Arsimit e thirrur në Komisionin Parlamentar për të detajuar buxhetin e parashikuar për vitin që vjen zgjodhi ti përgjigjej opozitës, ndonëse deputetët e saj nuk ishin të pranishëm në mbledhje. Lindita Nikolla u ndal tek mbyllja e klasave kolektive.

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit: “Janë mbyllur në të gjithë vendin rreth 325 klasa kolektive. Ne realizuam premtimin që anjë mësues nuk do të dilte jashtë sistemit për shkak të mbylljes së klasave kolektive dhe orientimit të nxënësve me trensport falas drejt shkollave ku qendërzoheshin. Pra janë 800 milionë lekë që do të mundësojnë transportin e 35 mijë nxënësve dhe 12 mijë mësuesve.”

Ndërsa më herët ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiliu, iu tregoi deputetëve se për ti ndryshuar pamjen spitaleve dhe qendrave shëndetësore vitin që vjen do të investohen 3.1 miliardë lekë.

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: “Me buxhetin e vitit 2019 ne përfundojmë ndërtimin e spitalit kirurgjikal të QSUT, me një vlerë prej 8.5 euro, gjithashtu vijon investimi për spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme. 100 qendra të reja shëndetësore për vitin 2019 të cilat do të financohen nga ky buxhet, patjetër që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët edhe në ato zona ku shërbimi shëndetësor apo qendrat shëndetësore janë jo në gjendje të mirë infrastrukturore.”

Buxheti i vitit që vjen, sipas ministres së Shëndetësisë, mbulon më shumë se 85 % të nevojave që ka vendi nga rreth 40 % që financoheshin me para publike për shëndetësinë 5 vjet më parë./abcnews.al

RAMA-PER-BUXHETIN-E-SHENDETESISE-ABCM5T2.mpg_snapshot_00.53-1280x720.jpg
G. P.20:35 | 20/11/2018

Kryeministri Rama prezantoi projektbuxhetin për shëndetësinë për vitin e ardhshëm. Ky buxhet, sipas shefit të qeverisë, mundëson rritje pagash për bluzat e bardha si dhe më shumë investime në sistemin tonë shëndetësor.

Vitin e ardhshëm Qeveria parashikon të rrisë me 7% pagat për 650 mjekë dhe rreth 14 mijë infermierë në të gjithë vendin. Këtë e bëri të ditur kryeministri Rama gjatë prezantimit të projektbuxhetit të 2019-s për shëndetësinë.

“ 18416 punonjës në sistemim e shëndetësisë do të kenë rritje page, duke filluar nga 3-mujori i dytë i vitit të ardhshëm prej 7%.”

Buxheti i vitit 2019, sipas shefit të qeverisë është 43 përqind më i madh se ai i para 5 viteve. Ndaj kjo-tha kryeministri – do të bëjë të mundur investime për përmirësimin e sistemit shëndetësor në tërësi.

“Kemi një program për rindërtimin në themel të 300 qendrave shëndetësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nga të cilat, 80 të parat përfundojnë brenda këtij viti dhe 100 të tjera do të rindërtohen në vitin e ardhshëm. Modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare është një proces në vazhdim dhe paralelisht, ne po modernizojmë spitalet rajonale. Janë sot në plan 5 maternitete të reja, si materniteti i Sarandës që është një model kuptimplotë i vizionit dhe i ambicies tonë për shëndetësinë që duam, që do të financohen në periudhën në vazhdim të këtij mandati, duke filluar me Beratin, qysh me buxhetin e këtij viti dhe me Korçën, qysh me buxhetin e këtij viti. Ne do kalojmë në një mbështetje financiare kuptimplotë, 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 për të dytin, 1200 për të tretin. Nëse dalin dy bashkë marrin të dy 800 dollarë. Nëse dalin tre, marrin 1200.”

Rama e vuri theksin edhe tek Rimbursimi i barnave, për të cilin, siç tha kryeministri,- do të shkojnë më shumë para nga buxheti se deri tani.

“Ne sot kemi kaluar 100 milionë dollarët e barnave të rimbursueshme. Për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë dollarë barna. 5 vite më parë ishte thuajse 30 milionë dollarë më pak.”

Shefi i qeverisë premtoi se brenda këtij viti do të përfundojë rehabilitimi dhe pajisja me infrastrukturë moderne në 80 qendra shëndetësore të vendit. Kryeministri nuk la pa përmendur edhe politikat sociale, si punësimi apo ndihma ekonomike për familjet në nevojë.

“U larguan 20 mijë që nuk e meritonin, por u futen 10 mijë e ca që kurrë nuk kishin marrë një lek ndihmë, duke qenë në derexhenë më të keqe. Sepse skema e vlerësimit funksionon dhe skema e vlerësimit nuk targeton varfërinë si koncept i përgjithshëm, po targeton varfërinë e skajshme. Ndërkohë ka ndodhur që 2475 familje që dolën nga skema, apo që mbetën në skemë, sot nuk marrin më para nga skema, sepse kanë njerëz të punësuar. Vitin që vjen, ne do të bëjmë një ndryshim të jep ndihmën ekonomike për sa kohë nuk të ofrohet dot punë. Në momentin që të ofrohet punë, ke të drejtën të refuzosh një herë. Nëse refuzon dy herë, nuk të jepet më ndihmë ekonomike, sepse nuk ta kanë për borxh të tjerët që punojnë, të paguajnë taksa që ti të vazhdosh të rrish në shtëpi, duke qenë fizikisht i gatshëm për punë, sepse është tjetër gjë pamundësia fizike.”

Për tu përshëndetur me të pranishmit në mbyllje të takimit, kryeministri Rama pati për ta një porosi.

“Kurajë, respekt ata që ju shajnë, thjesht dhe vetëm trajtojini me keqardhjen që meritojnë ata që janë për pak kamomil përpara gjumit.”/abcnews.al

homofiliket-1280x712.png
G. P.15:19 | 30/10/2018

Italia do t’i sigurojë Shqipërisë mbështetje për trajtimin e të sëmurëve me hemofili. Kjo u bë e ditur në takimet e zhvilluara në Itali nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me përfaqësues të Senatit italian.

Bashkëpunimi do të formalizohet me një marrëveshje mes dy vendeve, e cila pritet të firmoset së shpejti nga dy ministrat respektivë të Shëndetësisë. Ministrja Ogerta Manastirliu vlerësoi mbështetjen e Italisë për të siguruar ndihmë konkrete për sigurimin e faktorit 8, i cili është jetik për të gjithë të sëmurët hemofilikë në vendin tonë.

Këta pacientë shpesh hasin në vështirësi për trajtimin e problemeve të tyre shëndetësore./abcnews.al

farmacii.jpg
G. P.14:45 | 20/09/2018

12 farmaci janë ndëshkuar me gjobë prej 150 mijë lekësh të rinj për tregtim të barnave pa pullën e sigurisë, pa recetën e mjekut dhe për ruajtjen e ilaçeve në kushte të papërshtatshme.

Ministrja e Shëndetësisë ka ngritur një Task-Force ndërinstitucionale për sigurinë e tregtimit të barnave në farmaci. Ditët e para të funksionimit të saj janë kontrolluar 21 subjekte, ku për më shumë se gjysmën e tyre janë marrë masa administrative.

Grupet e punës të shpërndara në terren kanë për synim monitorimin e kushteve higjeno-sanitare të ruajtjes së ilaçeve, kontrollin e barnave mbi pullën e sigurisë, apo tregtimin e tyre pa recetë e të tjera./abcnews.al

kapacitetet.jpg
G. P.18:10 | 12/09/2018

Vetëm gjatë sezonit veror, rreth 8 mijë persona me shumë se një vit më parë, kanë pasur nevojë për ndihmën e mjekut. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, thotë se shpesh është dashur dhe ndërhyrja me helikopter.

Rreth 48 mijë thirrje për ndihmë kanë mbërritur pranë Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore vetëm gjatë sezonit veror, tetë mijë më shumë se vitin e shkuar. Një pjesë janë ndjekur nga bluzat e bardha në 26 qendrat shëndetësore në bregdet dhe zonat malore.

Më shumë se 1 mijë raste kanë pasur nevojë për një trajtim më të specializuar të cilët janë dërguar në spitalet rajonale, por edhe në Tiranë. Fluksi i urgjencave sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës është përballuar falë riorganizimit të autoambulancave në terren dhe ndërhyrjes me helikopter.

“Duke parë që infrastruktura dhe trafiku sidomos në verë na krijonte probleme në mbërritje, pra vendosëm autoambulancat pranë qendrave turistike. Me një personel shtesë. Kemi pasur edhe transferime drejt Tiranës, sidomos ndaj Traumës. Kemi shkuar edhe me helikopter. Ne kemi transportuar këtë verë të gjitha traumat dhe të gjithë kodet e kuqe që paraqiten në spitalet rajonale”, tha drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës

Vetë Njësia e Transportit Mjekësore ka në dispozicion tre helikopterë, të cilët me radhë i nënshtrohen procesit të mirëmbatjes. Të tjerët, Qendrës Kombëtare të Urgjencës i vihen në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes në rast nevoje. Një procedurë për të cilën pilotët janë ankuar se mundet të vonojë në dhënien e ndihmës mjekësore, por drejtori Brataj ka një tjetër mendim.

“S’kemi pasur asnjë rast të mos jepet ndihma ose të mos e realizojmë. Helikopterët janë në dispozicion. Ka pasur raste që kemi ngritur edhe dy helikopterë. Ne kemi tre  të kuqtë tanë që kanë qenë në radhën e punimeve që ata kryejnë, duke bërë mirëmbajtjen, duke bërë punime sepse mjetet fluturuese kanë specifika të ndryshme. Janë me orë fluturimi ose me kohë që duhet të bëjnë shërbimet e tyre. Sa herë ne si Ministri Shëndetësie kemi nevojë për helikopterët për shëndetësi, i kemi në dispozicion”. Tha Brataj

Sipas drejtuesit të saj, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka kapacitete për t’u ardhur në ndihmë 5 deri në 6 milionë banorëve./abcnews.al

MBULIM-METALIAJ-SHENDETESIA.mpg_snapshot_00.08-1280x691.jpg
G. P.13:26 | 16/08/2018

Partia Demokratike ka vijuar denoncimin lidhur me koncesionet e dhëna në sistemin e shëndetësisë, sektor ky që sipas selisë blu është në gjendje tepër të rëndë. Deklarata erdhi nga deputetja Lindita Metaliaj 5 vjet pas premtimit të kryeministrit Rama për shëndetësi falas, shqiptarët paguajnë edhe më shtrenjtë për kujdesin shëndetësor. Demokratët i referohen edhe raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit duke cituar gjetjet e tij lidhur me mungesën e specialiteteve në spitalet rajonale dhe bashkiake si dhe mungesën e performancës së shërbimit parësor, gjë e cila rrit kostot dhe përqëndron pacientët në qendrën universitare QSUT.

Ndërkohe, theksojnë demokratët, shqiptarët paguajnë minimalisht 385 milionë euro nga taksat e tyre për 4 koncesionet e dhëna në shëndetësi, asnjë prej të cilëve nuk ka përmirsuar shërbimin në rrethe, thekson Metaliaj, duke përsëritur premtimin e demokratëve për anullim të atyre që cilësojnë koncesione korruptive./abcnews.al

vlcsnap-error097-1-1280x720.jpg
G. P.16:11 | 19/02/2018

Në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në histori është krijuar një embrion hibrid njeri-dele. Shkenctarët thonë se ky eksperiment do të ndihmojë në rritjen e organeve njerëzore tek kafshët.

Për herë të parë është krijuar në laborator një embrion hibrid njeri – dele, në të cilin një celulë në 10 mijë është humane. Njoftimi ka ardhur nga shkencëtarët e universitetit “Davis” të Kalifornisë. Rreth një vit më parë një grup kërkuesish kishin realizuar embrionin e një njeriu dhe një derri, ku celulat humane ishin 1 në 100 mijë. Hibridi, shpjegojnë kërkuesit, është një hap drejt mundësisë për të rritur organe njerëzore tek kafshët.

Hibridi është përfituar duke futur qelizat burimore të riprogramuara në embrionin e deleve, të cilat më pas u lanë të rriteshin për 28 ditë, maksimumi për të cilin eksperimenti kishte marrë autorizimin, nga të cilat 21 në mitrën e një kafshe. Në këtë periudhë qelizat njerëzore janë riprodhuar, shpjegon Pablo Ross, një nga autorët e eksperimentit, edhe pse për të arritur tek mundësia e përfitimit të një organi të plotë duhet një një raport prej një deri në 100.

Në të njëjtin prezantim, shkencëtarët kanë shpjeguar se kanë arritur të zhvillojnë embrione të deles dhe derrit pa pankreas falë teknikës “copy paste”. Ky është një hap i mëtejshëm drejt rritjes së organeve humane tek kafshët. “Edhe pse duhet shumë punë, organet e prodhuara në këto kushte, një ditë mund të përbëjnë një mënyrë për të kënaqur kërkesën e lartë për organe, duke transplantuar, për shembull, një pankreas hibrid në një pacient”, thotë studiuesi Ross.

“Përdorimi i deleve ka shumë avantazhe krahasuar me derrin pasi mjaftojnë 4 embrionë dhe jo 15 për të filluar një shtatzani”, thotë ai, ndërsa rikujton se delja ka organe me dimensione të ngjashme me ato njerëzore./abcnews.al

vlcsnap-error391-1280x720.jpg
us er14:13 | 17/12/2017

Presidenti amerikan, Donald Trump ka ndaluar zyrtarët e shëndetit që të përdorin disa emërtime në dokumente. Ky vendim ka ngjallur polemika në Shtetet e Bashkuara.

Në dokumentet për buxhetin e vitit të ardhshëm, administrata e presidentit Donald Trump i ka ndaluar autoritetit më të lartë të Shëndetit Amerikan, Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, përdorimin e shtatë fjalëve dhe frazave: Vulnerabël, e drejtë, diversitet, transeksual, fetus, bazuar në dëshmi dhe bazuar në shkencë. Në dy rastet e fundit sugjerohet përdorimi i shprehjes “bazuar në shkencë në konsideratë më standarded dhe dëshirat e komunitetit”.

Lista e zezë e presidentit amerikan ka ngjallur reagime dhe kritika të shumta nga shoqata dhe opozitarët. “Është më e qartë se kurrë: kjo administratë e ka përçmuar shëndetin e grave, njerëzit LGBT dhe shkencën që nga dita e parë”. Kështu shkruan në tuiter Planned Parenthud, rrjeti i organizatave jofitimprurëse që merren me shëndetin dhe ekudimin seksual si dhe me aksesin në shërbime shëndetësore si p.sh aborti.

“Administrata Trump po e bën Amerikën përsëri idiote. Qendrat për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve janë ndaluar nga përdorimi i shprehjeve ‘bazuar në shkencë dhe prova’. Ne do të përfundojë duke përdorur Voodoo dhe shushunja për të trajtuar sëmundjet”. Kështu është shprehur me ironi deputeti demokrat Ted Lieu, i cili perifrazon sloganin e Trump “Bëje Amerikën përsëri madhështore”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono