shembje

shembja.jpg
ad min16:15 | 16/10/2019

Fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit rinisën sot shembjen e disa banesave të tjera në zonën e Shkozës, të cilat preken nga gjurma e projektit të Unazës së Madhe. Banorët kanë bërë rezistencë edhe përballë policisë që shkoi në mbështetje të aksionit. Ata kërkojnë të dëmshpërblehen për shtëpitë e tyre para se ato të shemben.

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës banorët e Shkozës, shtëpitë e të cilëve preken nga ndryshimi i lumit të Lanës, u zgjuan nga zhurmat e fadromës së Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

Familjarët nuk janë kundër projektit, por kërkojnë që më parë të dëmshpërblehen ose të sistemohen diku tjetër me banesa sociale. Për disa çaste, situata u tensionua, qëndresa e kësaj familjeje bëri që INUK të shtyjë edhe për 24 orë prishjen e kësaj banese.

Luan Hoxha tregon se prishja po bëhet në mënyrë selektive nga Inspektoriati Ndërtimor. E vetmja shtëpi që u shemb ishte ajo e familjes Sinani.  Në mbështetje të banorëve të Shkozës ishte edhe ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi.

Të enjten pritet të vijojë edhe shembja e 3 banesave të tjera në zonën e Shkozës. Në total janë 15 shtëpi që duhen të shemben nga ndryshimi i lumit të Lanës që është pjesë e Unazës së Madhe./ABC News Albania 24/7

tuneli-panoramik.jpg
ad min15:47 | 28/04/2019

Tuneli panoramik në rrugën Tiranë-Elbasan është i kalueshëm për të gjithë. Ministrja   e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënvizoi se tashmë gjithçka po përmbyllet me sukses drejt përfundimit të plotë të punimeve që është fundi i muajit Maj.

Ka përfunduar edhe vepra e fundit e artit në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Në prononcimin e saj, Balluku bëri të ditur se investimi në fjalë u bë i mundur në saj të një fondi prej 458 milionë lekësh të akorduara nga buxheti i shtetit, ndërsa punimet për ndërtimin e tij u realizuan para afatit të parashikuar.

“Kjo është një vepër shumë e rëndësishme e aksit Tiranë-Elbasan, i cili siç dihet tashmë nga të gjithë ishte një aks problematik për shkak të mungesës së studimit gjeologjik në fazat fillestare, por gjithçka po përmbyllet me sukses dhe jemi në pritje që të përmbyllim këtë projekt ashtu siç kemi premtuar në fund të Majit”, u shpreh ministrja Balluku.

Nga ana e saj, drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato, tha se tuneli i ndërtuar është një vepër arti e cila është e plotësuar me të gjithë komponentët e saj.

“Tani më i gjithë aksi është në përdorim të mjeteve dhe të përdoruesve të rrugës”, deklaroi Qato.

Ndërtimi i këtij tuneli, bën të mundur eliminimin e rrezikut të rrëshqitjes së dherave në këtë pjesë të aksit. Puna për ndërtimin e tij nisi për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu një vit më parë./abcnews.al

medellin.jpg
ad min19:18 | 22/02/2019

Bashkia e Medellin në Kolumbi ka vendosur të shembë me eksploziv ndërtesën 8-katëshe në të cilën jetonte Pablo Escobar. Fortesa do të kthehet në park, në nder të viktimave që shkaktoi lufta e përgjakshme mes trafikantëvve të drogës.

Pallati i Medellin që ishte fortesa e bosit të drogës Pablo Escobar, do të shembet me eksploziv mbrëmjen e së premtes. Në vend të ndërtesës 8 katëshe, një lloj bunkeri luksoz ekstravagant ku jetoi për shumë kohë familja Escobar si dhe baza e kartelit të drogës së Medellin, do të ndërtohet një park në kujtim të viktimave të trafikut të drogës.

Kryebashkiaku i qytetit u shpreh se nuk bëhet fjalë për fshirjen e historisë, por që ajo të tregohet nga këndvështrimi i heronjve të vërtetë: viktimave. Bashkia parashikon të zëvendësojë ndërtesën me një hapësirë prej 5 mijë metrash katrorë për të kujtuar të gjithë personat që u vranë në periudhën më të dhunshme të narko-terrorizmit, në vitet 1980–1990, kur bandat e drogës bënin një luftë, e cila nuk përjashtonte asnjë.

Shkatërrimi i saj është pjesë e një fushate të Bashkisë së Medellin, e cila synon të tregojë anën tjetër të historisë, e cila nuk shfaqet as në seritë televizive. Çdo ditë grupe turistësh vizitojnë fortesën e bardhë të ndërtuar në vitet ’80 nga Eskobar në zemër të El Poblado, një nga lagjet më luksoze të qytetit. Që nga viti i kaluar, fasada e saj është mbuluar nga manifeste në kujtim të protagonistëvve të vërtetë: policë, gazetarë, gjykatës, njerëz të zakonshëm, të vrarë me urdhër të baronit të kokainës.

Pablo Escobar, një nga personat më të pasur të planetit sipas Forbes, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vitin 1993, pasi kishte ndërtuar një perandori droge. Ndërtesa në të cilën jetonte është dhe simbol i atentatit të parë me autobombë të kryer në Kolumbi, kur në vitin 1998, banda e Kali sulmoi Escobar, rivalin e tij kryesor. Shpërthimi dëmtoi dëgjimin e vajzës së tij dhe shkazktoi një luftë të përgjakshme mes bandave.

Por 443 shtëpitë që Escobar ndërtoi për familjet që jetonin në periferi të Medelin, janë ende në këmbë. Atje akoma njerëzit e cilësojnë si Robin Hood kolumbian./abcnews.al

aa-1.jpg
ad min11:52 | 26/01/2019

Të paktën 9 viktima dhe më shumë se 300 persona janë shpallur të zhdukur, si pasojë e shembjes së një dige, në zonën e Brumadinho, në Brazil pamjet nga ajri tregojnë se si një det balte ka mbuluar shtëpitë në rajonin e Korregos.

Qeveria e Presidentit të Republikës Bolsonaro, ka autorizuar krijimin e njësisë së krizave. Presidenti deklaroi se qeveria e tij ka ndërmarrë një operacion të gjerë shpëtimi dhe se ai vetë do të shkojë të shohë nga afër atë që ka ndodhur./abcnews.al

SINKRON-JORIDA-BREGU-I-LUMIT.mpg_snapshot_00.59-1280x720.jpg
ad min16:37 | 04/12/2018

Një tjetër protestë u zhvillua në zonën e bregut të Lumit, ku banorët akuzuan qeverinë se nuk kanë marrë dëmshpërblimin për shembjen e banesave, për shkak të zbatimit të projektit të bulevardit të ri të Tiranës. Njëlloj si një ditë më parë, pranë tyre ishte deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Jorida Tabaku, deputete e PD: “Kjo protestë këtu është klithmë e banorëve që kërkojnë të drejtën e tyre të pronës.ot pamë tek Unaza e Re në Laprakë që shteti shkoi pa lajmëruar dhe i hyri brneda në shtëpi dhe i nxorri nga shtëpia. Pamë që në Shkozë i nxorri fëmijët në mes të natës dhe i nxorri nga shtëpia dhe i la pa shkollë dhe i prishi shtëpinë. Nesër do të vijnë këtu, pasnesër do të jenë dikur tjetër. Ishin në jug dhe i morën pronat qytetarëve. Kjo është klithmë e këtyre banorëve pronarë në të drejtën e tyre për të mbrojtur pronën. Unë nuk besoj se ka gjë më të shtrenjtë se jeta dhe se prona. Në qoftë se këto të dyja shkelen nuk e di se çfarë i mbetet në dorë këtyre banorëve. Në 2013-n Erion Veliaj erdhi e u tha banorëve se dëmshpërblimi prej 23 mijë lekësh të reja që PD u kushte dhënë banorëve deri këtu nuk ishte i drjetë. Erion Veliaj bashë me Sadri Abazin dhe Ervin Bushatin thanë se do ti dëmshpërblejnë me 50 mijë lekë të reja metri katror. Sot atë premtim e morën dhe e shkelën me dy këmbë. Unë jam këtu për ti mbrojtur banorët bashkë me kolegët e mi të PD. Do të bëjmë një betejë ligjore deri në pikën e fundit për ti mbrojtur këto banesa, ashtu siç po luftojnë qytetarët në të gjithë Shqipërinë. I bëj thirrje qeverisë të tërhiqet sa nuk është vonë, përndrydhe që të gjithë do të jemi brenda këtyre banesave, brenda këtyre pronave të ligjshme, për ti trajtuar me të njëjtin standat që janë trajtuar 200 familjet e pjesës së parë të bulevardit. Le ta zhvillojmë qytetin duke mos shkelur pronën.”/abcnews.al

muri.jpg
ad min16:00 | 25/11/2018

Kisha në Nokovë të Gjirokastrës mund të shembet plotësisht. Reshjet e fundit kanë dëmtuar më shumë strukturën e saj.

Themelet e kësaj kishe po lëkunden. Reshjet më të fundit kanë ndikuar për përkeqësimin e gjendjes. Është kisha ortodokse e Shën Gjergjit në fshatin Nokovë në Gjirokastër. Një kishë më shumë se 200-vjeçare.

Muri anësor i saj është shembur në dy pjesë dhe gurët kanë zënë një pjesë të mirë të rrugës që të çon për tek lagja e sipërme. Pritet një grup inxhinierësh për të vlerësuar dëmin dhe bërë studimin gjeofizik të ndërtesës.

Edhe në brendësi të kishës gjendja është e rëndë. Tavani në 50% të sipërfaqes së tij është gati në rënie e bashkë me të edhe çatia. Dy profile betoni anësore nuk po rezistojnë nga pesha. Kryeplaku i fshatit Anesti Shupuli ka kërkuar ndihmën e autoriteteve për të ndërhyrë sa më shpejt në këtë drejtim.

Kisha e Shën Gjergjit në Nokovë, daton në shekullin e 19-të dhe konsiderohet si objekt i trashëgimisë kulturore dhe hyn në listën e monumenteve të katëgorisë së parë. Ajo ka rezistuar dhe mbahet në këmbë nga investimet e pjesshme që kanë realizuar banorët e fshatit./abcnews.al

shalla-2.jpg
ad min20:31 | 23/10/2018

Një incident tronditi të martën tifozët rusë të mbledhur në kryeqytetin e Italisë për ndeshjen e futbollit Romë-CSKA. Shkallët lëvizëse të një stacioni metroje u shembën duke plagosur 20 prej tyre dhe bllokuar disa të tjerë. Sipas mediave italiane, struktura u shemb për shkak se tifozët rusë po këndonin dhe po kërcenin teksa shkalla ishte në lëvizje.

Të lënduarit u dëmtuan kryesisht tek këmbët. Prej tyre, vetëm një person është në gjendje të rëndë. Ndërkohë, në një ngjarje tjetër, një tifoz rus u plagos me thikë dhe dy të tjerë u sulmuan fizikisht gjatë një përleshje mes tifozërive, në një zonë pranë stadiumit “Olimpiko”. Forcat e rendit përdorën gaz lotësjellës për të ndaluar sherrin dhe ndaluan 15 tifozë italianë./abcnews.al

vlcsnap-2018-09-25-17h35m16s879-1280x720.png
ad min17:55 | 25/09/2018

Paratë për ndërhyrjen në pallatin e shembur në Shtuf të Gjirokastrës janë akorduar po projekti nuk është gati. Disa banorë i kërkuan bashkisë zgjidhje pasi janë në prag të dimrit dhe nuk dinë ku do të jetojnë.

Pamja e pallatit është po ajo e disa muajve më parë. Çarje muresh, dhera që po e dëmtojnë më tepër deri në rrëzim të plotë. Për këtë arsye 25 familjet iu drejtuan bashkisë për t’u informuar se cili do të jetë fati i banesave të tyre. Fondi prej 85 milionë lekësh është akorduar por nuk është tërhequr në mungesë të një projekti nga ana e emergjencave civile. Banorët janë të trembur pasi stina e dimrit po afron dhe aty në Shtuf nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje.

Banori 1: “Ne na ka humbur durimi. Erdhi tetori shirat do të fillojnë dhe me shirat e para aty nuk do të mund të ndërhysh më. Vetë specialistët na e kanë konfirmuar këtë gjë.”

Disa nga familjet janë larguar dhe janë vendosur me qera në ambiente të tilla. Por kjo për ta është e papërballueshme. Ata thonë se nëse nuk do të ndërhyhet në kohë do të hyjnë në grevë urie.

Banori 2: “Do të shkojmë atje tek shtëpia i gjithë pallati dhe do të rrijmë atje brenda do të bëjmë grevë.”

Në muajin Shkurt, 25 familjet e këtij pallati tetëkatësh u gjetën të papërgatitur nga zemërimi i motit dhe u përballën me masiv dheu që zbarkoi sipër shtëpive të tyre.
Prej asaj kohe kanë kaluar 8 muaj dhe ata janë detyruar ose të jetojnë në gërmadha ose në ndonjë ambient tjetër ku duhet të paguajnë çdo muaj./abcnews.al

IMG_1383-933x445.jpg
ent ela22:13 | 20/09/2018

Kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një të ri në vend të tij.

Sipas tij, godina e Teatrit Kombëtar është “një godinë që ka marrë fund dhe s’ka asgjë për të ruajtur, zero” dhe si pasojë “do të shembet”.

Deklarata e Ramës vjen pak orë pasi Parlamenti pranoi dekretin e Presidentit që kthente për rishqyrtim ligjin për Teatrin e ri dhe amendoi ligjin në fjalë duke rihapur garën për ndërtimin e godinës së re të këtij institucioni, në përputhje me kërkesën e institucioneve europiane.

Opozita e cilësoi antikushtetuese këtë hap dhe përmes një letre, kërkoi që mos të amendohej ligji sa kohë që pranimi i dekretit e bënte nul atë.

Skena e këtij teatri është 8 metra e gjerë. 8 metra e gjerë është skenë për vatër kulture, jo për godinë teatri bashkiak në një vend normal dhe lërë më për skenë të një Teatri Kombëtar. 24 metra e gjerë është skena e Turbinës. E para kjo… E dyta, ka funksionuar nën logon e Teatrit Kombëtar, por ka qenë jashtë të gjitha standardeve të imagjinueshme për një teatër normal. Është një godinë ku t’i nuk fton dot një trupë të huaj, sepse nuk të ngjitet një trupë e huaj në atë skenë. Është një godinë ku të gjithë ata që kanë dhënë jetën atje kanë sakrifikuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është një godinë të cilës i ka ardhur fundi.

Sipas kreut të qeverisë, godina e Teatrit Kombëtar “nuk ka asnjë lloj vlere nga pikëpamja e një trashëgimie kulturore, e cila të mund të justifikojë qëndrimin e saj atje si një varr i hapur. Ajo s’mund të jetë teatër, ajo s’mund të jetë muze, ajo s’mund të jetë destinacion, s’mund të jetë asgjë./tvklan.al

gianluca-ardini.jpg
ad min21:17 | 09/09/2018

“Orë të stërgjata, plot me dhimbje dhe mezi pret momentin që dikush të të shpëtojë”.

Kështu e ka nisur rrëfimin e tij për Newsmediaset, Gianluca Ardini. 28-vjeçari arriti t’i mbijetojë tragjedisë së Xhenovas, ditën kur ura Morandi u shkatërrua. Ai qëndroi për katër orë i varur me rripin e sigurimit në furgon derisa forcat e kërkim-shpëtimit arritën ta nxirrnin.

Në ato momente të tmerrshme Gianluca mendonte vetëm për një gjë… djalin që do lindte për disa ditë.

“Në një situatë të tillë mendon për familjen, fëmijën që do të lindë dhe si ia dola të shpëtoj.  Mund të shkonte edhe më keq”, tha ai.

Gianluca tregoi edhe momentet e para të tragjedisë. Atë se si filloi gjithçka.

“Më kujtohet që po binin disa shtylla dhe pastaj si në një film, asfalti u shkatërrua dhe u shembëm poshtë. Vazhdoj dhe pyes veten si është e mundur që furgoni u shkatërrua dhe unë jam akoma gjallë. Në ato momente mendova më të keqen, mund edhe të mbetesha i paralizuar, por gjithçka shkoi mirë”, tregon 28-vjeçari.

Atë ditë, Gianluca nuk ishte vetëm në furgon. Sëbashku me të ishte edhe kolegu i tij, Luigi, por nuk mundi t’i shpëtojë tragjedisë. Pavarësisht gjithçkaje në fund, i mbijetuari i Xhenovas falenderoi edhe personin që e nxorri nga furgoni.

“Ai është ëngjëlli im. Ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm”, përfundoi Gianluca Ardini.

Tragjedia në Xhenova, mori jetën e 41 personave, mes tyre dhe të dy të rinjve shqiptare./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono