SHBA

vlcsnap-error275-2-1280x720.jpg
ent ela10:28 | 23/02/2018

Autoritetet amerikane kanë zbuluar se masakra në Florida mund të ishte parandaluar. Sherifi i zonës bëri me dije se një oficer i caktuar për të ruajtur sigurinë në godinë nuk kishte ndërhyrë edhe pse ndodhej aty gjatë të shtënave.

Detaje shokuese kanë dalë në dritë, sa i përket masakrës në një gjimnaz në Shtetet e Bashkuara. Një officer i armatosur, i cili ishte caktuar të qëndronte në shkollën e mesme në Florida ku adoleshenti Nikolas Crus vrau me armë zjarri 17 persona javën e kaluar, ishte jashtë ndërtesës gjatë të shtënave dhe nuk ndërhyri. Kjo është konfirmuar nga zyra e sherifit lokal. “Oficeri Scot Peterson ka dhënë dorëheqjen pasi u pezullua”, bëri me dije Sherifi i zonës, Scott Israel. “Jam I shkatërruar, ai nuk hyri kurrë Brenda”, shtoi më tej ai.

Sherifi Isral nënvizoi se është verifikuar me video që oficeri Peterson ishte në kampus, i armatosur dhe me uniform, 90 sekonda pasi filluan të shtënat dhe ka qëndruar jashtë për 4 minuta. Sulmi në total ka zgjatur 6 minuta. I pyetur se çfarë duhej të bënte oficeri, Israel u përgjigj: “Duhej të hynte brenda, të lokalizonte agresorin dhe ta vriste atë”. Oficeri operonte në shkollën “Marjory Stoneman Douglas”, që prej 2009-ës.

Peterson ende nuk ka komentur lidhur me akuzat dhe sherifi i zonës bën me dije se ai nuk ka dhënë asnjë arsye përse nuk hyri në ndërtesë ndërsa agresori gjendej aty. Gjithashtu nuk është e qartë nëse ndaj tij do të ketë proces gjyqësor. Ky detaj i rëndësishëm vjen pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkon që të armatosen mësuesit, në mënyrë që të parandalojnë masakra të tilla në shkolla. Kjo nismë është mbështetur edhe nga Shoqata Kombëtare Amerikane e Armëve “NRA”.

Ndërkohë, ka pasur shqetësime edhe për sistemin e kamerave të sigurisë së shkollës së mesme dhe për injorimin e paralajmërimeve për Nikolas Cruz. Kamerat kanë shfaqur adoleshentin në një vend në të cilin ai nuk ishte dhe kjo ka bërë që të vonojë përgjigjen e forcave të sigurisë. Gjithashtu në 2016 dhe 2017 ka pasur shqetësime për Crus, përfshirë një që paralajmëronte se po planifikonte një sulm në shkollë. /abcnews.al

rusia.jpg
gra moz18:18 | 22/02/2018

Pas Shteteve të Bashkuara është Europa që rrezikohet nga ndërhyrjet ruse në zgjedhje. Përmes një analize, revista “The Economist” i bën thirrje BE-së që të marrë në konsideratë akuzat ndaj 13 shtetasve rusë të ngritura në Amerikë.

Nga fundi i viteve ‘80, kur Mikhail Gorbaçev ndërmori perestrojkën, Rusia bëri paqe me Perëndimin. Asokohe u krijuan përshtypjet dhe besimi se palët mund të hiqnin dorë nga përpjekjet për të rrënuar njëra-tjetrën me gënjeshtra dhe teori komplotiste të Luftës së Ftohtë. Por ngritja e akuzave ndaj 13 shtetasve rusë, 16 shkurtin e këtij viti, nga hetuesi i “Russiagate”, Robert Mueller, ka treguar se sa të brishta këto përshtypje kanë qenë në të vërtetë.

Mueller ka deklaruar se në vitin 2014, Rusia ndërmori një komplot kundër demokracisë amerikane dhe ai pretendon se ka prova që përgënjeshtrojnë mohimet e vazhdueshme të Moskës. Sipas një analize të “The Economist”, me mbështetjen e një oligarku të lidhur me Kremlinin, Agjencia ruse për Kërkimet në Internet ngriti një ekip “trollësh”, siç njihen ndryshe manipuluesit online. Këta të fundit krijuan një sistem të gjerë me identitete të rreme me qëllim përçarjen e opinionit publik në Shtetet e Bashkuara, për të devijuar votimin e vitit 2016 nga Hillary Clinton tek Donald Trump.

Por pas Amerikës, “The Economist” paralajmëron se është radha e Europës, e cila gjithashtu është e rrezikuar. Kjo, pasi Rusia ka financuar politikanët ekstremistë, ka depërtuar në sistemet kompjuterike, ka organizuar marshime dhe përhapur gënjeshtra, sërish me qëllimin që të krijojë përçarje. Është e kotë të spekulosh se sa të suksesshme janë përpjekjet e Rusisë në këtë drejtim, vijon analiza, përgjigjia e saktë nuk dihet. Por komplotet në vetëvete janë një fenomen negativ dhe përhapja e tyre në radhët e qytetarëve të pakënaqur mund të përbëjë shqetësime serioze për demokracitë e cënueshme perëndimore.

Nëse vërtet Perëndimi do të mbrohet nga Rusia dhe agresorë të tjerë, atëherë duhet t’i trajtojë akuzat e ngritura nga Mueller në Shtetet e Bashkuara si këmbana alarmi, përfundon shkrimi i “The Economist”. Për të përforcuar tezën e saj, revista prestigjoze nënvizon se rrjetet sociale sot janë një vegël shumë më e fuqishme se taktikat e viteve ’60, që bazoheshin tek dhënia e ryshfetit për gazetarët. Gjithashtu, nuk kushton shumë të përdorësh Facebook-un për të gjetur simpatizantë, për të zbuluar të pavendosurit dhe të perfeksionosh parulla për t’i bërë për vete. Me zgjuarsi, dikush mund të manipulojë sistemin në favorin e tij, siç bëri Rusia dhe një ushtri e tërë është gati për të hedhur baltë./abcnews.al

shba.jpg
gra moz18:00 | 21/02/2018

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama për Presidentin e përbashkët në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Sipas kësaj selie diplomatike, gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë nuk e fsheh që kjo deklaratë e kryeministrit, Edi Rama, ka zhgënjyer.
Reagimi i selisë diplomatike të SHBA-së u bë pasditen e së mërkurës përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale. Me një gjuhë të drejtëpërdrejtë aty shkruhet:

“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.”

Më tej, ky mesazh vijon:

“Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”, perfundon reagimin e saj ambasada amerikane në Tiranë.

Në lidhje me këtë deklaratë, kryeministri Edi Rama sqaroi se ajo ishte nxjerrë nga konteksti.
Reagimi i ambasadës amerikane nuk është i pari i këtij lloji ardhur pas deklaratave të Ramës në Kuvendin e Prishtinës. Përveç reagimeve të ardhura nga vendet fqinje si Serbia dhe Greqia, në lidhje me këtë deklarate ka patur një reagim dhe nga Komisioni Europian që e cilësoi si të papërshtatshme. /abcnews.al

 

 

vlcsnap-error619-1280x720.jpg
ent ela13:52 | 20/02/2018

Në SHBA ka polemika lidhur me sjelljen e presidentit Donald Trump në një ditë kur janë zhvilluar funeralet e viktimave të masakrës në shkollën e Mesme në Florida. Një prezantues i CNN e akuzon Trump se ka luajtur golf gjatë funeraleve.

“Ndërsa dy familje në Parkland të Floridas i jepnin lamtumirën e fundit fëmijvë, Donald Trump luante golf dhe publikonte mesazhe në tuitër kundër FBI. Kush pret më shumë respekt për tragjedinë të qetësohet, presidenti nuk ka ndryshuar sjelljen e tij”. Ky është sulmi i ashpër i bërë nga prezantuesi televiziv kryesor i CNN, Anderson Cooper në programin e tij politik “360 gradë”.

Duke denoncuar se si Trump shijonte pushimin në fundjavë në resortin e tij në Mar-a-Lago, prezantuesi thotë se pak kilometra më tej dy familje zhvillonin funeralet e dy fëmijëve të tyre, që humbën jetën gjatë masakrës në shkollën e mesme “Marjory Stoneman Douglas” të kryer nga adoleshenti Nikolas Cruz.

Cooper ka treguar një sërë mesazhesh në tuitër të presidentit amerikan që tregojnë se, në ditën e gjatë të zisë, Trump nuk ka publikuar kurrë një mendim për familjet e viktimave. Fjalë më e përdorur është në fakt “Rusia”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë gjithë ditës ka vijuar mesazhet e tij për “Russiagate”, FBI dhe për atë që nuk ka bërë Barak Obama. Por asnjëherë një fjali ngushëllimi për familjet e viktimave.

“Këto mesazhe tregojnë shumë për atë që kalon tek mendja e njeriut më të fuqishëm të botës. Cilat janë prioritetet e tij: dhe në çfarë konsiston humanizmi i tij”, thotë prezantuesi i CNN në një video editoriale.  Ndërkohë, videoja e Copper është bërë virale në internet dhe menjëherë është ripublikuar nga shumë qytetarë me hashtagun “t’I detyrojmë të jenë të ndershëm”./abcnews.al

 

vlcsnap-error265-1280x720.jpg
gra moz19:06 | 19/02/2018

Moska zyrtare i ka cilësuar si të pabaza akuzat e ngritura ndaj disa shtetasve rusë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, për ndërhyrje në zgjedhje. Për qeverinë ruse, akuzat e publikuara të premten nuk përmbanin asnjë provë.

Kremlini i ka cilësuar si të pabaza akuzat e ngritura ndaj 13 shtetasve rusë nga drejtësia amerikane, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov, ka deklaruar se akuzat nuk përmbanin “prova thelbësore” për një ndërhyrje ruse dhe ndikimin e shtetit rus në të.

“Ne nuk pamë ndonjë provë thelbësore që dikush të ketë ndërhyrë në punët e brendshme të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Peskov në një intervistë telefonike për CNN. Të premten e kaluar, kryetari i grupit hetimor të skandalit “Russiagate”, Robert Mueller publikoi akuzat ndaj 13 shtetasve rusë dhe 3 kompanive ruse.

Sipas CNN, në to përshkruhej në detaj një përpjekje e paprecedentë dhe disavjeçare e Rusisë për të ndërhyrë në sistemin politik amerikan dhe në zgjedhjet presidenciale. Akuzat bien ndesh me qëndrimin e vazhdueshëm të presidentit Trump, që i vë në dyshim hetimet që nga marrja e detyrës, një vit më parë. Presidenti i ka cilësuar hetimet mbi fushatën e tij presidenciale një rreng, por të dielën që sapo kaloi ai u përpoq të sqaronte qëndrimin e tij.

“Nuk kam thënë kurrë se Rusia nuk ndërhyri në zgjedhje. Kam thënë se mund të ketë ndërhyrë Rusia, Kina, apo çdo vend tjetër. Ose mund të ketë qenë një gjeni që luante me kompjuter nga shtrati i tij”, tha Trump. Nga profili i tij në Tëitter, shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se, “rrengu” se stafi i tij u mpleks me Rusinë gjatë fushatës nuk funksionoi kurrë./abcnews.al

vlcsnap-error097-1-1280x720.jpg
gra moz16:11 | 19/02/2018

Në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në histori është krijuar një embrion hibrid njeri-dele. Shkenctarët thonë se ky eksperiment do të ndihmojë në rritjen e organeve njerëzore tek kafshët.

Për herë të parë është krijuar në laborator një embrion hibrid njeri – dele, në të cilin një celulë në 10 mijë është humane. Njoftimi ka ardhur nga shkencëtarët e universitetit “Davis” të Kalifornisë. Rreth një vit më parë një grup kërkuesish kishin realizuar embrionin e një njeriu dhe një derri, ku celulat humane ishin 1 në 100 mijë. Hibridi, shpjegojnë kërkuesit, është një hap drejt mundësisë për të rritur organe njerëzore tek kafshët.

Hibridi është përfituar duke futur qelizat burimore të riprogramuara në embrionin e deleve, të cilat më pas u lanë të rriteshin për 28 ditë, maksimumi për të cilin eksperimenti kishte marrë autorizimin, nga të cilat 21 në mitrën e një kafshe. Në këtë periudhë qelizat njerëzore janë riprodhuar, shpjegon Pablo Ross, një nga autorët e eksperimentit, edhe pse për të arritur tek mundësia e përfitimit të një organi të plotë duhet një një raport prej një deri në 100.

Në të njëjtin prezantim, shkencëtarët kanë shpjeguar se kanë arritur të zhvillojnë embrione të deles dhe derrit pa pankreas falë teknikës “copy paste”. Ky është një hap i mëtejshëm drejt rritjes së organeve humane tek kafshët. “Edhe pse duhet shumë punë, organet e prodhuara në këto kushte, një ditë mund të përbëjnë një mënyrë për të kënaqur kërkesën e lartë për organe, duke transplantuar, për shembull, një pankreas hibrid në një pacient”, thotë studiuesi Ross.

“Përdorimi i deleve ka shumë avantazhe krahasuar me derrin pasi mjaftojnë 4 embrionë dhe jo 15 për të filluar një shtatzani”, thotë ai, ndërsa rikujton se delja ka organe me dimensione të ngjashme me ato njerëzore./abcnews.al

vlcsnap-error609-1-1280x720.jpg
gra moz12:34 | 18/02/2018

60 ditë kohë i ka lënë Gjykata e Fierit SHBA-së për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e hakerit, Aldo Ymeraj. Pas këtij afati, ai do të lihet i lirë pasi policia shqiptare nuk ka nisur asnjë hetim ndaj tij në lidhje me akuzat për krime kibernetike.

25-vjeçari Aldo Ymeraj i njohur për shkak të akuzave per krime kibernetike nga FBI do të qëndrojë në burg për 60 ditë.
Pas këtij afati, hakeri Ymeraj ose do të ekstradohet drejt SHBA ose do të dalë i lirë. Procedura penale dhe praktika gjyqësore në rastet e dhënies së masës së arrestit me burg për efekt ekstradimi është e kufizuar brenda afateve të parashikuara nga legjislacioni. Në rastin e 25-vjeçarit, Gjykata vendosi afatin 60 ditor.
Kjo do të thotë se nëse dokumentacioni nga SHBA për ekstradimin e Ymerajt nuk është gati pas 2 muajsh atëherë ky i fundit do të lirohet. Precedentë të tillë në Fier nuk mungojnë, ku më i famshmi është rasti Kajolli. Policia shqiptare nuk ka filluar ndërkohë asnjë hetim të pavarur për hakerin nga Fieri.
Ai u arrestua bazuar vetëm në të dhënat dhe akuzat e FBI-së. Prokuroria dhe Policia e Fierit nuk japin detaje në lidhje me dokumentacionin që FBI ka dërguar deri tani për Ymerajn. I riu nga Fieri u arrestua për llogari të një hetimi që FBI ka ngritur për 36 persona në të gjithë botën. Këta akuzohen se vidhnin miliona dollarë para nëpërmjet internetit duke hyre në të të dhëna personale dhe institucionale./abcnews.al

mcmaster.jpg
ent ela09:42 | 18/02/2018

Nga konferenca e sigurisë në Mynih, këshilltari i presidentit Trump ka paralajmëruar vendet që investojnë në Iran, përfshirë ato që janë aleate të SHBA. Gjithashtu, ai ka replikuar me ministrin e Jashtëm rus sa i takon ndërhyrjes në zgjedhje.

Nga Mynihu, ku po zhvillohet Konferenca e Sigurisë, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet që investojnë në Iran, përfshirë të zotët e shtëpisë. “Kush investon në Iran investon për Gardën Revolucionare dhe në këtë mënyrë u mundëson atyre të vazhdojnë të vrasin”, ka deklaruar këshilltari i presidentit Trump, Herbert Raymond McMaster.

Ai ka theksuar se, në Iran nuk investojnë vetëm Kina dhe Rusia, por edhe Gjermania, Japonia dhe Korea e Jugut. Ndër të tjera, këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare ka komentuar edhe akuzat e ngritura nga drejtësia amerikane ndaj 13 shtetasve rusë për ndërhyrje në zgjedhje, duke thënë se ato janë të pakontestueshme.

Por “Shtetet e Bashkuara po aftësohen gjithnjë e më shumë në gjurmimin e origjinës së këtij spiunazhi dhe kësaj ndërhyrje”, ka thënë McMaster. Në këtë mënyrë ai i është përgjigjur edhe deklaratës së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që i kishte cilësuar akuzat e ngritura vetëm “thashetheme”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ngritur shqetësimin se Rusia po zhvillon armë të reja bërthamore që përbëjnë kërcënim për Perëndimin. “Rusia po modernizon kapacitetet e saj bërthamore, po zhvillon sisteme të reja bërthamore dhe po shton rolin e këtyre armëve në strategjinë e saj ushtarake. Ky është një shqetësim i madh”, ka thënë Stoltenberg./abcnews.al

vlcsnap-error708-1280x720.jpg
gra moz22:43 | 16/02/2018

FBI ka pranuar përgjegjësinë e saj lidhur me ngjarjen e dy ditëve më parë në shkollën e mesme në Florida, ku humbën jetën 17 persona. Byroja Federale e Hetimit ka deklaruar se nuk kishte vepruar sipas protokollit pasi kishte marrë informacion se autori i masakrës Nikolas Cruz mund të kryente një sulm të armatosur.
Muajin e kaluar, një person i afërt me 19-vjeçarin kishte kontaktuar agjencinë ligjzbatuese për ta paralajmëruar për rrezikun potencial që përbënte Cruz, nisur nga pajisja me armë, sjellja e çakorduar dhe komentet në rrjetet sociale. “Por protokollet nuk u ndoqën dhe informacioni u anashkalua”, ka deklaruar të premten FBI. Drejtori i përgjithshëm Christopher Ëray ka bërë me dije se rasti në fjalë është nën hetim./abcnews.al

washington.jpg
gra moz19:23 | 16/02/2018

Dy ditë pas masakrës në Florida, një sinjalizim për të shtëna ka çuar forcat e policisë në një shkollë në Siatëll të Shteteve të Bashkuara. Edhe pse lajmi është i pakonfirmuar, agjentët dhe efektivë të agjencive të tjera ligjzbatuese kanë mbërritur në zonë dhe kanë nisur evakuimin e ndërtesës. Më herët, drejtuesit e kolegjit urdhëruan mbylljen e kampusit dhe i njoftuan nxënësit përmes rrjeteve sociale. Kolegji ndodhet në lokalitetin Des Moins, rreth 45 kilometra në jug të Siatëllit dhe në të frekuentojnë leksionet rreth 17 mijë studentë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono