sezoni turistik

FLUKSI-NE-PORTIN-E-VLORES-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.43-1280x720.jpg
ent ela12:44 | 19/09/2019

Më shumë 45 mijë hyrje janë regjistruar vetëm në Portin e Vlorës gjatë këtij sezoni turistik. Treminali i ri ka ndikuar në rritjen e numrit të udhëtarëve dhe sipas autoriteteve portuale, muaji gusht shënoi dhe fluksin më të lartë të pushuesve nga Italia në Vlorë. Ndërkohë edhe pse sezoni ka mbaruar, në Portin e Vlorës vazhdon të ketë fluks turistësh të huaj, kryesisht nga Italia. Gjatë verës u kërkua që në linjën Vlorë-Brindizi të hyjnë në lundrim dhe tragete të tjera. Por, për këtë sezon fluksi u përballua vetëm me një traget.  /ABC News Albania 24/7

klosi-1280x720.jpg
nev ila17:12 | 20/07/2019

Nga qyteti bregdetar i Vlorës, ku ministri Klosi mblodhi Task Forcën e Turizmit dhe ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, ministrja e shëndetësisë dhe zëvendës ministrja e Financave, të deleguarit e Këshillit të Ministrave për drejtimin e grupit ndërinsitucional për menaxhimin e sezonit turistik 2019, u raportuan problematikat dhe u lanë afate për zgjidhjen e menjëhershme të tyre, në shërbim të një sezoni turistik të mirëadministruar dhe në funksion të sigurisë së pushuesve.

“Nga 139 subjekte të kontrolluara në zonën e bregdetit në të gjithë qarkun e Vlorës vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë, ndërkohë që vetëm këtu ku jemi ka më shumë se 11 që e ushtrojnë këtë aktivitet, madje një numër i konsiderueshëm i këtyre aktiviteteve nuk ka nipt financiar”, tha ministri Klosi.

Ai foli edhe për sigurinë në plazhe, detyrimin që kanë subjektet për tu pajisur me kulla vrojtimi dhe ruajtës plazhesh të certifikuar, që sipas ministrit lë për të dëshiruar.

“Ne patëm 0 jetë të humbura në plazhet e Vlorës vitin e kaluar ndërkohë që sivjet nuk është po i njëjti rezultat sepse edhe shifrat flasin që kemi më pak roje plazhi sesa vitin e kaluar. Vrojtues të certifikuar kemi vetëm 84 ndërkohë që duhet të kishim më shumë. Kemi më shumë pika të ngritura për kulla vrojtimi krahasuar me vjet, por që nuk janë funksionale. Edhe pse është mesi i korrikut akoma nuk kemi realizuar në të gjithë zonën e vijës bregdetare, vijëzimet e detit; ku lejohet notimi dhe ku lejohet levizja e mjeteve te shpejtesise. Vjet patëm përsëri një arritje të madhe në të gjithë zonën e bregdetit me 0 aksidente me jetë të humbura. Ndërkohë që parvjet mungesa e këtyre vijëzimeve na bëri që vetë në Vlorë të kishim 3 aksidente disa edhe me jetë të humbura të turitëve të huaj në qarkun e Vlorës”, tha ministri Klosi.

Ministri tha se në Vlora i ka të gjitha mundësitë që deti të shfrytëzohet gjithmonë e më shumë, e megjithatë kontrolli mbi mjetet që shfrytëzojnë gadishullin e Karaburunit dhe Sazanin është pothuajse minimal.

Nëse vjet kanë qenë 2 sivjet janë 27 mjete që ofrojnë shërbimin në zonën e mbrojtur të Karaburunit që është një arritje për zonat e mbrojtura por përgjegjësia duhet të jetë gjithmonë e më e madhe. Meqë është dita e parë pas miratimit të Kodit Penal ku disa nga shkeljet e krimet mjedisore tashmë janë krime penale, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të ushtrojnë më shumë kontrolle, për të evidentuar dhe ndëshkuar krimin mjedisor, tanimë me ligj”, tha ministri Klosi.

Për ministrin Lleshaj, mos zbatimi i legjislacionit në fuqi për menaxhimin e stacioneve të plazhit duhet zgjidhur në mënyrë immediate, përndryshe do të nisin ndëshkimet.

“Java tjetër është afati i fundit për nënshkrimin e kontratave për dhënien me qira të stacioneve të plazhit. Nga e hëna, ekipe të bashkisë të shkojnë në çdo subjekt që të firmosin kontratat për marrjen në dorëzim të plazheve ose të ikin përfundimisht, përndryshe do të ketë penalizime dhe procedime penale. Kontrata të jenë me efekt prapaveprues që nga koha kur subjektet kanë filluar të ushtrojnë aktivitetin”, tha ministri Lleshaj.

Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë tha se janë marrë të gjitha masat për të garantuar shërbim shëndetësor në çdo pikë turistike.

“Kemi përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor në 28 qendrat shëndetësore verore që funksionojnë në të gjithë zonat turistike, me trajnimin e vazhdueshëm të ekipeve mjekësore dhe koordinimin e punës nga urgjenca kombëtare në territor. Nga 1 Qershori kanë marrë shërbim mjekësor rreth 20 mijë pushues”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Për zëvendës ministren e Financave, turizmi është një nga sektorët prioritarë dhe strategjik që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Paketa fiskale që ne kemi sot për një kategori të madhe biznesesh deri në 5 milion lekë është me taskë 0, gjithashtu në ndryshimet e fundit të paketës fiskale, të gjithë subjektet në qarkullim nga 5-4 milionë lekë kanë reduktim me 5% të tatimit nga 15%, që ka qenë më parë. Shumë incentiva janë bërë edhe në fushën e akomodimit dhe shërbimeve në funksion të agrobiznesit, duke nxitur edhe agroturizmin. Por, të gjitha këto lehtësi, duhen shoqëruar edhe me masa ndëshkuese për subjektet që shkelin ligjin dhe ministria e Financës është padyshim pjesë integrale e Task Forcave për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe strukturat e saj kanë nisur kontrollet në terren për të identifikuar subjektet turistike, që veprojnë në shkelje të ligjit, duke cenuar mbarëvajtjen e sezonit turistik”, tha Ikonomi./ABC News Albania 24/7

LLESHAJ-TAKIM-ME-PREFEKTET.mpg_snapshot_00.22-1280x720.jpg
ent ela19:15 | 15/07/2019

Ministri Brendshëm Sandër Lleshaj u kërkoi 12 prefektëve që të angazhohen maksimalisht për t’u ardhur në ndihmë turistëve të huaj dhe vendas, pasi në disa bashki bregdetare, fokusi nuk është te pushuesit.

Uroj që askush nga kryetarët e bashkive që nuk ka fituar zgjedhjet e 30 qershorit të mos çmendet për të mos liruar zyrën e tij. Kështu u shpreh ministri Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë takimit me 12 Prefektët e vendit, duke i kërkuar këtyre të fundit që të zbatojnë ligjin që ia njeh kushtetuta.

Ministri Lleshaj theksoi se punonjësit e administratës vendore nuk do të largohen gjatë konstituimit të Bashkive, pasi ata janë me statusin e nëpunësit civil.

Prefektët kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt sipas shefit të ministrisë, që të reagojnë kur bashkitë bgredetare nuk iu përgjigjen turistëve gjatë sezonit veror.

Në fund të fjalës së tij, Ministri Lleshaj kërkoi angazhimin e strukturave vendore për të shmangur zhurmat e panevojshme në plazhe. /ABC News Albania 24/7

policia-turistike-1280x706.jpg
nev ila15:15 | 04/07/2019

 

Policia e Shtetit do të asistohet me rreth 100 efektivë të huaj nga vendet fqinje nga 1 korriku deri më 31 gusht. Për disa vite me radhë uniformat blu bashkëpunojnë me policitë e Italisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Çekisë, dhe qëllimi kryesor është ndihma dhe orienti për pushuesit e vendeve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet verore.

Për të rritur sigurinë e turistëve të huaj, cilët zgjedhin Shqipërinë për pushimet verore, Policia e Shtetit do të asistohet me 100 efektivë nga vendet fqinje nga 1 korriku deri më 31 gusht.

Janë përcaktuar edhe 7 zonat ku do të patrullojnë trupat policore të Italisë, Çekisë, Kosovës, dhe Malit të Zi. Policët e huaj do të asistohen nga ata vendas dhe do të jenë të dislokuar në Sarandë, Vlorë, Durrës, Pogradec, Shëngjin, Shkodër si edhe në zonën e malore të Thethit.

Numri më i madh i efektivëve të huaj i përket policisë së Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja e memorandumit u bë në kuadër të rritjes së ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, që vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë. Ky memorandum ka si qëllim parandalimin e shkeljeve administrative në fushën e trafikut rrugor, uljen e numrit të aksidenteve për përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset që lidhin dy vendet.

Gjatë shërbimit punonjësit e Policisë së Kosovës dhe Malit të Zi e kryejnë shërbimin me uniformë, makina të loguara dhe logjistikë sipas standardeve të Policisë së vendit fqinj. Ndryshe nga vitet e kaluara Policia e Shtetit nuk ka shpërndatë fletë-palosje. Për sigurinë e pushuesve, në pikat e kalimit kufitar, plazhe si edhe në zonat e thella turistike janë angazhuar rreth 1,100 forca policore, kryesisht të Qarkullimit Rrugor, FNSH, dhe efektivë shtesë të rendit.

Ndërkohë janë angazhuar edhe 170 automjete, motorrë si edhe biçikleta. Pranë zonave të mëdha turistike janë ngritur edhe 5 stacione provizore policore 3 në bregdet dhe 2 në zona malore. Për të monitoruar vijën bregdetare dhe për t’i ofruar ndihmën e parë pushueseve policia e shtetit ka angazhuar edhe 7 mjete lundruese./ABC News Albania 24/7

manastirliu-1-1280x723.jpg
ent ela16:15 | 07/06/2019

28 qendra shëndetësore pranë zonave turistike do të ofrojnë shërbim përgjatë 24 orëve në shtatë ditët e javës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditura masat e marra për sezonin turistik.

Kjo qendër shëndetësore në Divjakë është një nga 28 qendrat që do të ofrojnë shërbim shëndetësor në 24 orë 7 ditë të javës deri më 15 shtator.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi masat e marra.

“Për herë të parë këtë vit kemi shtuar si qendra 24 orëshe qendrën shëndetësore të Dhërmiut fshat si dhe qendrën shëndetësore Rrjoll, në zonën e Velipojës”.

Manastirliu bëri të ditur se të gjitha qendrat nga Veriu në Jug janë pajisur me barna dhe materiale mjekësore për çdo rast urgjencë.

“Janë 132 mjekë dhe infermierë të trajnuar për çdo emergjencë, të cilët do të ofrojnë shërbim të specializuar në 28 qendrat verore, të cilat janë pajisur me të gjithë barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për të mbuluar sëmundshmërinë e stinës së verës dhe urgjencën mjekësore”.

Veç qendrave verore, të gjithë ekipet mjekësore në spitalet pranë zonave turistike do të jenë me shërbim të përforcuar, ndërsa autoambulancat dhe helikopterët do të jenë në gatishmëri. I gjithë shërbimi do të koordinohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore përmes numrit 127 ku adresohet çdo emergjencë shëndetësore./ABC News Albania 24/7

blendi-klosi-1.jpg
ad min16:02 | 05/06/2019

Në çeljen e sezonit turistik të Sazanit dhe Karaburunit ku i pranishëm ishte ministri Blendi Klosi është inauguruar edhe investimi për anijet të cilat do të transportojnë turistët e huaj drejt këtyre destinacioneve. Klosi deklaroi se çdo investim i tillë është një orientim për turizmin.

Në 5 Qershor ditën ndërkombëtare të mjedisit, ministri i Turizmit Blendi Klosi mori pjesë në çeljen e sezonin turistik në Sazan dhe Karaburun. Këtë verë ka një rritje të kapaciteteve turistike si janë anijet të cilët do të lundrojnë drejt këtyre destionacioneve, tha Klosi.

“Për të hapur një destinacion këtë sezon turistik që është Sazani dhe Karaburuni, duke inauguruar një investim spektakolar të një anije private e cila do bëjë këtë pjesë të biznesit turistik të gjirit të Vlorës duke shënuar kështu një nga detyrat që kemi në kuadër të strategjisë së turizmit”, tha Klosi.

Ai  pranoi se për shkak të situatës politike janë anuluar edhe prenotime nga turistët, por janë në numër të ulët, pa ndikim të madh.

“Mendoj që jemi në një sezon, i cili po fillon shumë mirë dhe që do të realizojë padyshim shifrat e vitit 2018. Në qofë se do të kishim më shumë atmosferë pë zhvillimin e turizmit, ky sezon do ishte një spektakël i vërtetë”, tha Klosi.

Destinacionet më të kërkuara për verën e këtij viti nga turistët e ardhur nga Polonia, Rusia, Çekia, por dhe Bjellorusia janë Sazani dhe Karaburuni./ABC News Albania 24/7

plazhi-i-shengjinit-1280x700.jpg
ent ela14:30 | 31/05/2019

UNUM Festival do të çelë aktivitetet e sezonit turistik në Shëngjin. Mbi 8 mijë vizitorë do të shijojnë muzikën elektronike nga 60 dixhei të njohur botërorë.

Përgatitjet tashme kanë përfunduar. Plazhi i Shëngjinit është sistemuar. Të premten në mbrëmje çelet sezoni turistik. Aktivitetet startojnë me festivalin e muzikës elektronike tek Rana e Hedhun .

Turistët e parë kanë mbërritur. Mbi 8 mijë vizitorë nga e gjithë bota do të shijojnë atmosferën. Drejtor i UNUM festival premton argëtim për të gjithë.

Muse Cessay, Drejtor i Unim Festival: “Është e rëndësishme që të vijnë ta shijojnë, shohin dhe t’ua shpjegojnë edhe të tjerëve”.

Fran Frrokaj, Kryetar i Bashkisë së Lezhës: “Data 1 qershor shënon edhe fillimin e sezonit veror dhe nuk ka më mirë se të fillojë me një aktivitet artistik”.

Gjatë 3 ditëve festive në skenat e realizuara në Shëngjin do të ngjiten rreth 60 Dj të njohur në skenat botërore. E gjithë vëmendja e këtij fillim sezoni veror do të jetë në Shëngjin. /ABC News Albania 24/7

 

BALLUKU-NE-PORTIN-E-VLORES.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela15:25 | 28/05/2019

Porti i Vlorës që nga ky sezon veror do të ofrojë shërbime më të shpejta dhe në kushte shumë më të mira për të gjithë udhëtarët. Terminali i ri është drejt përfundimit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shkoi për ta inspektuar.

Terminali i ri në portin e Vlorës do të vihet në funksion para nisjes së sezonit turistik. Punimet po shkojnë drejt fundit. Drejtori i Autoritetit Portual njohu ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë me investimin e kryer.

“Në krahasim me terminalin e vjetër ky terminal është një investim strategjik i cili ka 5-fishuar kapacitetet e tij për përpunimin e pasagjerëve. Aktualisht, gjatë vitit përpunohen rreth 190 mijë pasagjerë dhe me terminalin e ri këta pasagjerë do të jenë në kushte më komode dhe më të mira për të mbërritur në qytetin e Vlorës”.

“Investimet në Portin e Vlorës janë pjesë e strategjisë së zhvillimit të transportit të Qeverisë Shqiptare dhe ky terminal që ndodhet këtu, tashmë gati për t’u dorëzuar dhe gati për të nisur operacionet në fillim të sezonit, është tregues i qartë i të gjitha vendimmarrjeve që ne kemi bërë.”

Ndërkohë që një tjetër investim është në fazën e studimit. Ndërtimi i Kalatës Lindore pritet të jetë gati vitin e ardhshëm.

“Porti i Vlorës është një port ndërkombëtar, këtë fakt nuk duhet ta harrojmë, dhe absolutisht mund të destinohet për anijet turistike, pasi kjo është një zonë e cila ka si destinacion turizmin dhe është porta për të aksesuar Jugun e Shqipërisë. Megjithatë ky është një port ndërkombëtar, të cilin ne do ta sjellim sipas parametrave të duhur për të operuar të gjitha anijet, qofshin këto edhe anijet e mallrave, qofshin këto edhe anije turistike”.

Porti i Vlorës është përcaktuar si porti kryesor për nisjen e anijeve turistike me destinacion Gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit. Numri i operatorëve turistik të cilët operojnë me anije në këto destiancione ka ardhur duke u rritur. Nga 8 anije që kanë operuar në vitin 2018, për këtë sezon kanë paraqitur kërkesë 13 operatorë. /ABC News Albania 24/7

sezoni-turistik-1.jpg
ad min15:07 | 24/05/2019

Vendorët në Gjirokastër deklaruan se për këtë sezon turistik pritet dyfishimi i turistëve në parkun antik të Antigonëse, por rruga është e gjitha e dëmtuar. Shkarjet masive nisën në vitin 2016 dhe aktualisht gjendja nuk ka ndryshuar.

Në Antigone u bë festë për çeljen e sezonit turistik. Por rruga që të çon tek parku ka këtë pamje. Mbrojtëset anësore janë shkatërruar nga aksidentet në tërë gjatësinë e saj.

Shkarjet janë aq të shpeshta për shkak të përbërjes së saj shtuf saqë papritur mund të përfundosh poshtë. Në vitin 2016 për shkak të rrëshqitjeve, katër fshatra u izoluan. Dhe prej asaj kohe asgjë nuk ka ndryshuar. Vendorët thonë se nuk kanë fonde dhe nuk dinë se si do t’i joshin turistët për të vizituar dhe shijuar vendin antik.

“Ky segment nuk mundëson ardhjen me ritmin e duhur të turistëve. Jo vetëm ai segment, por edhe linja që tashmë nuk janë miratuar dhe të përcaktuara që duhet të kishte një linjë për agjencinë turistike për Antigonenë, për Labovën e Zhapës, për Urën e Kordhocës, për Picarin, për Kardhiqin. Pra një agjenci turistike që do të mundësonte lëvizjen e vizitorëve vendas dhe të huaj nëpërmjet transportit”.

Zona e Lunxhërisë dhe Antigonesë nxisin turizmin gjithëvjetor duke u mbështetur tek resurset natyrore dhe arkeologjike dhe promocionin e haneve. Në Antigone jetojnë aktualisht rreth 7000 banorë. Vitin e kaluar komuna priti rreth 2000 vizitorë, por për këtë sezon autoritetet lokale shpresojnë ta dyfishojnë këtë shifër.

Por në këtë gjendje në të cilën ndodhet rruga, vështirë të lëvizin banorët se vizitorët do alarmohen./ABC News Albania 24/7

parku-antigone.jpg
ad min14:15 | 21/05/2019

Antigoneja antike në Gjirokastër çeli zyrtarisht këtë 21 Maj sezonin turistik. Aty u organizua një paradë  tradite e konceptuar me këngë, valle, por pa harruar gatimet tradicionale të amvisave të zonës, punimet të dorës, objekte të traditës dhe suvenireve të prodhuara nga artizanët e zonës.

Sipas drejtorit të Parkut Antigone Shkëlqim Guçe, parku është vendosur prej vitesh në axhendën e turistëve të huaj. Ne vitin 2018 u regjistruan rreth 1500 vizitorë dhe ky numër këtë vit pritet të jetë disa herë edhe më i lartë për arsye se lugina e Drinos në Gjirokastër ka gjithmonë çfarë të ofrojë për kureshtarët e historisë./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono