sërish

klp-1-1280x720.jpg
nev ila15:23 | 11/10/2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dështuar sërish për miratimin e metodologjisë, që do të përdoret për vlerësimin e kandidatëve për prokuror të përgjithshëm. Peng procesin, po e mban një vendim i Apelit të Administratives që pritet për kandidatin Lulëzim Alushaj. Ndërkohë, KLP dhe KLGJ po shkelin ligjin për të drejtën e informimit duke i zhvilluar mbledhjet pa praninë e medias.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dështuar për të dytën herë për të miratuar metodologjinë e pikëzimit të kandidatëve për prokuror të Përgjithshëm. Qeveria e prokurorëve më herët ka miratuar rregulloren me 3 kriteret kryesore për vlerësimin e tyre.

Bëhet fjalë për kriterin profesional, atë moral, si dhe aftësinë organizative dhe drejtuese. Gjithashtu, KLP do të marrë parasysh për kandidatët, edhe elemente plotësues të vlerësimit, si titujt akademikë, trajnimet dhe gjuhët e huaja.

Në nisje të mbledhjes kryetari i këtij Këshilli, Gentian Ibrahimi, deklaroi se vazhdimin e fazës së dytë të intervistimit të 3 kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm e mban peng ankimimi në gjykatën Administrative të Apelit, i avokatit Lulëzim Alushaj.

Avokati u përjashtua nga gara, pasi sipas KLP nuk plotësonte 15 vite eksperiencë pune. Gjykata Administrative e Apelit do të shprehet më 16 tetor për këtë çështje.

Edhe në këtë mbledhje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shkeli ligjin për transparencën pasi seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Mbetet e paqartë së përse u kyçën dyert për mediat pasi në këtë seancë nuk do të diskutohej për të dhëna sekrete të tre kandidatëve në garën për kryeprokuror.

Pas përfundimit të mbledhjes,  anëtarët e qeverisë së prokurorëve nuk dhanë asnjë sqarim për problemet që konstatuan në metodologjinë e pikëzimit. Të njëjtin shembull si Këshilli i Partë i Prokurorisë duket se ka ndjekur edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i cili u mblodh këtë të premte pa njoftuar mediat.

“ABC News” ka siguruar axhendën e përcaktuar nga qeveria e gjyqtarëve, ku një nga pikat e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektvendimit për Metodologjinë e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë.

E kontaktuar nga Abc News” zyra e shtypit e Këshillit të Lartë Gjyqësor refuzoi të japë informacion se çfarë u diskutua në mbledhjen e kësaj të Premteje./ABC News Albania 24/7

 

rruga-durres-1280x724.jpg
nev ila15:12 | 09/10/2019

Rikonstruksioni i rrugëve krahas kostove është shndërruar në problem për qytetarët e Durrësit. Pas përfundimit të punimeve, rrugët hapen sërish për të tjera ndërhyrje. Sipas qytetarëve, kjo është një dëshmi e shpërdorimit te taksave.

Një njërën prej rrugëve të Durrësit siç është  “Aleksandër Goga”  pasi ka mbaruar se asfaltuari është hapur serish për rrjetin e ri të ujësjellësit. Rruga nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme dhe kjo ka shqetësuar banorët . Ata thonë për ABC News se ky është një rast i përsëritur dhe një dëshmi e shpërdorimit të taksave.

Rruga Aleksander Goga që lidh Mazoleumin e Dëshmoreve me sheshin “Liria” ka përfunduar se rehabilituari para pak kohësh. Ky segment rrugor është dëmtuar sërish nga një ndërhyrje e ujësjellësit për shtrirjen e rrjetit të ri.

Kur puna është mbyllur rruga nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme dhe gjysma e asfaltit ndodhet në këtë gjendje sot. Durrsakët nuk e njohin  si rastin e vetëm, megjithatë ndihen të nervozuar.

Rehabilitimi i rrugës  me vlerë 700 milion lekë nisi në mars të 2018 për lehtësimin e trafikut. Në projektet për rrugët që ristrukturohen nuk përfshihen investimet që do të bëhen nga ndërmarrje të tjera shtetërore apo edhe private.  Për pasojë ndërhyrjet që u kryen vetëm sa e vështirësuan qarkullimin në aksin me ngarkesë të madhe lëvizjeje./ABC News Albania 24/7

giuseppe-conte-1280x853.jpg
nev ila23:30 | 02/09/2019

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte i ka dërguar një mesazh Lëvizjes 5 Yje, duke i kërkuar që ta pranojë bashkëpunimin me demokratët, si një mundësi unike për të ndryshuar Italinë.

Por në një reagim, kryetari i 5 Yjeve, Luixhi Di Maio është përgjigjur se partia anti-sistem do të vendosë duke u bazuar në idetë e saj.

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte i bëri sërish thirrje të hënën anëtarëve të partisë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet që të mbështesë koalicionin e ri me Partinë Demokratike.

Në apelin e tij, Konte tha se qeveria e planifikuar mund të transformojë Italinë. Konte ka mbajtur një seri bisedimesh si me 5 Yjet ashtu dhe me liderët e PD në përpjekje për të bashkuar dy subjektet në një administratë të re, pas rrëzimit të qeverisë së kaluar të përbërë nga 5 Yjet dhe Liga e Veriut.

Anëtarë të 5 Yjeve do të mbajnë një seri takimesh ditën e martë mbi platformën e tyre qeverisëse dhe për të diskutuar nëse grupi parlamentar do të bashkojë forcat me demokratët, deri dje armiqtë e tyre tradicionalë.

Duke konstatuar pasigurinë, Konte postoi një video në Facebook ku tha se koalicioni i propozuar do t’i bëjë mirë Italisë.

“I kuptoj dyshimet tuaja, por kemi një mundësi unike për të treguar se mund ta reformojmë vendin dhe të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme”, deklaroi Konte.

Menjëherë pasi foli ai, lideri i 5 Yjeve Luixhi Di Maio përdori gjithashtu Facebook-un për të shpërndarë një mesazh, por refuzoi t’u sugjeronte anëtarëve të grupit të tij se si të votonin.

“Këtu nuk ka të bëjë vota e drejtë apo e gabuar. Këtu kanë të bëjnë idetë dhe idetë e bashkuara do të udhëheqin lëvizjen tonë”, tha Di Maio.

Ai u shpreh i bindur se Lëvizja 5 Yjet do të dalë fituese nga ky proces.

Sipas një sondazhi të televizionit “La Sete”, 51 për qind e elektoratit të 5 Yjeve mbështesin lidhjen me PD, ndërsa nga demokratët rreth 69 për qind mbështesin gjithashtu bashkëpunimin me 5 Yjet./ABC News Albania 24/7

sinisa-mihajlovic-bologna-1280x720.jpg
nev ila17:52 | 31/08/2019

Trajneri i Bolonjës, Sinisha Mihajloviç, u ul për herë të dytë radhazi në stolin e skuadrës, edhe pse i sëmurë me leuçemi. Fitorja e bolonjezëve ishte tepër e vështirë, pasi ata u ndalën nga portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha.

Bëri më shumë sesa javën e kaluar.

Sinisha Mihajloviç ishte edhe në stërvitjen e Bolonjës së tij, në prag të duelit të Serisë A ndaj Spalit, padyshim me lejen e mjekëve, por sërish duke treguar forcën e karakterit.

Trajneri serb është i bindur se duhet të vazhdojë të sakrifikojë për një skuadër që e mori sezonin e kaluar, në prag të shkatërrimit, e shpëtoi në Serinë A, dhe tani dëshiron ta udhëheqë drejt sukseseve më të mëdha.

Po lufton sëmundjen e rëndë të leuçemisë, ndërsa pati edhe një të papritur tjetër.

Mori leje për të shkuar edhe në shtëpi, dhe gruaja e tij, Ariana, i kishte përgatitur një surprizë.

Pritje tepër e ngrohtë, me tullumbacë të vendosur kudo nëpër banesë, me njerëzit e shtëpisë të pranishëm dhe me shprehjet e mirëseardhjes në italisht dhe serbisht me shkronja qirilice.

Në stadiumin “Dal Ara”, po ashtu, atmosfera ishte e shkëlqyer.

Mbi 25 000 tifozë në tribuna, nga të cilët më shumë se 15 000 të abonuar, një shifër që nuk shihej prej 15 vjetësh, veçse Mihajloviçi gjeti në rrugën e tij drejt suksesit disa kundërshtarë, mes të cilëve portierin e kombëtares shqiptare, Etrit Berisha.

I transferuar nga Atalanta për të pasur minutazh në fushë, shqiptari i Kosovës bëri një ndeshje të shkëlqyer me të paktën dy pritje shpëtuese.

Ai u ndihmua edhe nga shokët e skuadrës së tij modeste, Spal të Ferrarës.

Natyrisht, nuk mungoi as fati, që është thuajse i domosdoshëm në futboll.

Gjithsesi, i duruari i fituari, dhe Bolonja e Mihajloviçit e arriti fitoren në minutën e tretë shtesë, shpërblim i një paraqitjeje mëse heroike.

Kënaqësi për Sinishën, me bolonjezët që vazhdojnë të jenë në vendet e larta të renditjes./ABC News Albania 24/7

protesta-hong-kong-1280x727.jpg
nev ila17:25 | 31/08/2019

 

Me mijëra persona janë mbledhur në qendër të Hong Kongut për të manifestuar në mbrojtje të demokracisë; kjo pavarësisht se autoritetet nuk kishin dhënë autorizim dhe organizatorët në  ditë më parë e kishin anuluar.

Edhe pse u anulua dhe nuk pritej të kishte manifestime, me mijëra persona kanë zbritur në rrugët e Hong Kong për të protestuar në mbrojtje të demokracisë.

Kjo pavarësisht se policia nuk kishte dhënë autorizim për shkak të trazirave të një jave më parë. Edhe këtë fundjavë parashikohen përplashe të dhunshme me manufestuesit që kanë ndërtuar barrikada, dhe agjentët e pollicisë nga ana tjetër që kanë marrë masat për të shpërndarë turmën me ujë me presion.

Për të shmangur ndalimin për të protestuar, manifestuesit prganizuan lutje fetare në masë, për të cilat nuk është i nevojshëm një autorizim nga forcat e rendit.

Me mijëra persona janë mbledhur në këtë mënyrë në qendër të ishullit ndërsa policia ka rrethuar zyrën e Lidhjes ku ndodhen zyrat e qeverisë qendrore kineze në ish koloninë britanike./ABC News Albania 24/7

rama-pjetri-pd.jpg
nev ila14:38 | 14/08/2019

Institucionet shqiptare kanë nisur komunikimet me shtetin italian për të konfirmuar nëse Valdrin Pjetri ka qenë vërtetë i dënuar siç PD deklaron. Nëse kjo vërtetohet, atëherë Shkodra duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, teksa socialistët do të ngelin sërish në dorë të Ilir Metës për të caktuar një datë të re. Ndërsa Edi Rama ende nuk ka vendosur nëse do të lejojë që Këshilltarët socialistë në Shkodër do të lejojnë ose jo betimin e Valdrinit, parashikuar në 21 gusht.

Valdrin Pjetri është politikani i lëvizjeve drastike. Ai arriti që brenda vitit, të jetë edhe Drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave, edhe Prefekt i Shkodrës, edhe kandidat fitues për këtë bashki, e njëkohësisht, me bekimin gjithnjë e në rritje të Edi Ramës, të bëhej edhe drejtues politik i socialistëve në qarkun më të madh verior.

Por kështjella politike e Valdrin Pjetrit e ndërtuar shpejt nga mbështetja e pa kursyer e Edi Ramës, u thërrmua po kaq shpejt të martën, kur demokratët publikuan vendimin e dënimit të tij të fshehur në Itali për trafik droge.

Edi Rama e ngriu marrëdhënien e Valdrinit me Partinë Socialiste derisa të dalë e vërteta ligjore.

Pavarësisht kësaj, Pjetri është i pari socialist që u shpall fitues për bashkinë e Shkodrës, ku selia rozë nuk kishte mundur asnjëherë të tejkalonte demokratët.

Edhe pse e fitoi Shkodrën pa një rival në garë, Pjetri mund të jetë i pari kryebashkiak fitues që nuk do të mundë as të bëjë betimin e tij dhe të vendosë shiritin simbolik kuq e zi.

Ceremonia e marrjes së zyrës së Voltana Ademit nga i preferuari i Ramës në Shkodër ishte parashikuar në datën 21 gusht, por qarqet politike nuk e kanë marrë vendimin nëse kjo gjë do të ndodhë në këtë datë, apo do të ngrijë derisa të flasë drejtësia.

Institucionet kanë nisur letër-porosi në Itali për të marrë një konfirmim zyrtar  nëse dokumentet e publikuara nga PD, janë origjinale. Nëse prokuroria konfirmon vërtetësinë e tyre, KQZ brenda 5 ditëve duhet ti ndërpresë mandatin, pasi dënimi për trafik droge, përbën ndalim të përjeshtëm në funksione publike.

Nëse Valdrin Pjetrit i ndërpritet mandati, atëherë, presidenti i Republikës, duhet të caktojë një datë të re për zgjedhje të pjesshme në Shkodër. Por në kushtet kur Ilir Meta nuk e njeh 30 qershorin dhe pasojat e atyre zgjedhjeve, pikëpyetja më e madhe e socialistëve është se çfarë do të bëjnë nëse kreu i shtetit nuk dekreton kurrë një datë të re për zgjedhjet lokale në Shkodër.

Socialistëve ju duhet një strategji juridik-politike për të dalë nga kurthi i së shkuarës së Valdrinit, ndërsa Edi Ramës i duhet një emër i ri për drejtimin e Shkodrës, të cilën e shpalli objektivin e tij strategjik./ABC News Albania 24/7

trafik-1280x724.jpg
ad min14:00 | 05/08/2019

Përsëri është bllokuar rruga Fushë Krujë –Thumanë. Trafiku është i rënduar dhe mjetet janë në radhë për të lëvizur. Minimalisht për të përshkuar këtë segment në flukse të tilla duhen dy orë por edhe më tepër. Në disa pika ka punonjës të policisë, por që nuk mund ta normalizojnë situatën. Kjo ndodh sepse rruga nuk e përballon dot një fluks kaq të madh mjetesh që vijnë nga drejtime te ndryshme. Një situatë e tillë po ndodh prej ditësh nga mëngjesi deri në mbrëmje. Me gjasa rruga do të jetë me trafik të renduar përgjatë gjithë sezonit turistik./ABC News Albania 24/7

moms-killed-corner-ht-ps-190730_hpMain_16x9_1600-1280x720.jpg
nev ila11:51 | 31/07/2019

Sërish të shtëna me armë zjarri dhe viktima në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dy gra mbetën të vrara në Cikago teksa protestonin kundër armëve, ndërsa në Misisipi një ish i punësuar në një supermarket vrau dy nga ish kolegët e tij pasi u pushua nga puna.

Manifestonin kundër armëve në përpjekje për të bërë më të të sigurt lagjen e tyre, por u vranë pikërisht me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në Cikago në shtete e bashkuara të amerikës, ku dy nëna 26 dhe 35 vjec, u vranë gjatë protestës.

Të shtënat erdhën nga një fuoristradë në lëvizje e sipër. 26 vjecarja kishte tre fëmijë ndërsa viktima tjetër dy.

Të dyja bënin pjesë në shoqatën “nënat kundër vrasjeve të pakuptimta”, e cila u krijua pesë vjet më parë pas vrasjes në një shkëmbim zjarri të një tjetër nëne të re në moshë.

Që nga ai moment vendi ku ajo u vra, nënat e zonës mblidhen cdo vit për të sjellë ushqim dhe lodra për fëmijët, me objektivin për ta bërë qytetin më të sigurtë.

Gjatë të shtënave mbeti i plagosur dhe një 58 vjecar, i cili nuk përjashtohet të ketë qenë objektivi i të shtënave.

Ndërkohë dy persona janë vrarë dhe një agjent policie mbeti i plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri në një supermarket në Misisipi.

Lajmi u konfirmua nga mediat amerikane, të cilat raportojnë se vrasësi u plagos dhe më pas u ndalua nga agjentët e policisë. Dy viktimat punonin në supermarket, ndërsa agresori është një ish kolegi tyre i cili ishte pushuar nga puna pas 25 vitesh shërbim./ABC News Albania 24/7

skynews-angela-merkel-germany_4714437-1280x720.jpg
ad min13:40 | 10/07/2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përjetuar sërish një moment jo shumë  të mirë shëndetësore. Gjatë ceremonisë zyrtare të pritjes së kryeministrit finlandez Rinne atë e kanë pushtuat sërish dridhjet

Episod tjetër dridhjesh për kancelaren gjermane Anxhela Merkel, i treti brenda pak javësh. Teksa ndodhej së bashku me kryeministrin finlandez Antti Rinne, Merkel ka filluar të dridhet teksa po ekzekutoheshin himnet kombëtare. Dhe pse këë herë dridhjet nuk ishin aq të forta. Në mes të muajit korrik ndodhi e njëjta gjë gjatë vizitës së Presidentit ukrainas Zelenski në Berlin.

Fillimisht dridhjet ishin justifikuar me dehidratimin si pasojë e temperaturave të larta të regjistruara në kryeqytetin gjerman. Por gjatë ditës së sotme temperaturat nuk ishin shumë të larta. Ekipi i saj ishte përpjekur të shuante shqetësimet për shëndetin e saj dhe zëdhënësi i Merlek pohoi se asnjë takim nuk ishte anuluar. Merkel e cila do të mbushë 65-vjeç në 17 Korrik, ka pasur gjithnjë një shëndet të mirë. E konsideruar shpesh si liderja më me ndikim në Bashkimin evropian dhe një nga gratë më të pushtetshme në botë, ajo vendosi të largohet nga skena politike në përfundim të mandatit të saj në vitin 2021./ABC News Albania 24/7

TAGANI.png
ad min17:40 | 08/07/2019

Federata Shqiptare e Futbollit do të tolerojë përsëri e do të lejojë që klubet me borxhe të marrin pjesë në Superligë. Ish-administratori i Tiranës, Salih Tagani, flet pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv.

Vendimi ishte vërtet i rëndë.

Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv, u vuri klubeve kufirin tek thana për borxhet, duke u lënë afat deri në 31 Korrik, ndryshe i pret përjashtimi.

Tirana, Vllaznia, Flamurtari e Luftëtari janë të rrezikuarit, dhe ish-administratori I Tiranës, Salih Tagani, tregon se çfarë duhet të bëjnë klubet.

Tagani: “Këto janë masa shtërnguese pak a shumë për klubet, por nëse këto do të fillojnë të zbatohen me kalimin e viteve do të jenë lehtësuese për klubet sepse do t’i vënë klubet në shina. Afati është shumë i ngushtë dhe nuk mundet që borxhe të krijuara prej vitesh të likujdohen për periudhë muajsh. Për ekipet që janë SHA e vetmja pjesë është shitja e një pjese të aksioneve. Nëpërmjet kësaj mund të likujdojnë detyrimet që mund të kenë ndaj palëve të treta. Për ekipet që janë me Bashkitë duhet parë mënyra e privatizimit dhe duhet parë përpara se të kthehen në SHA këto ekipe, likujdimi i këtyre borxheve të merret përsipër nga bashkitë”.

Sa seriozisht e ka këtë herë Federata, që ka toleruar më parë?

Tagani: “FSHF ka pasur përherë një farë tolerimi karshi gjithë klubeve dhe është munduar t’i ndihmojë. Federata pavarësisht se kontrollohet nga UEFA dhe normalisht që ata duhet të jenë korrekt me pjesën e UEFA-s, gjithsesi do të bëjë një farë tolerimi për t’i mundësuar që të marrin pjesë në disa aktivitete kombëtare. Për sa i takon tatimeve nëse shteti merr ndonjë vendim për faljen e detyrimeve dhe kjo do të ishte më e mira pasi sporti këtu tek ne dihet se nuk ka ndonjë fitim”.

Përse janë krijuar kaq shumë borxhe nga disa klube?

Tagani: “Çështja e borxheve është thjesht keqadministrim. Sepse një klub kur bën parashikimin për vitin që do të vijë, fondet që ka në dispozicion, lojtarët që duhet të blejë, kontratat , vlera e kontratave nuk mund të shkojë përtej limiteve të veta. Nëse një klub do t’i respektonte kontratat atëherë nuk kishte pse të rriteshin borxhet”.

Gjithsesi, ekziston rreziku për kalimin në administrim, pra për falimentim.

Tagani: “Çështje të klubeve që vijnë direkt nga UEFA dhe UEFA investigon për mënyrën se si kanë shkuar këto proçese, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të zbresin në kategori. Po zbrite në katagori hum interesi dhe humbet vlera si ekip. Praktikisht fillon dhe shkon drejt dështimit, shpresoj që të mos ndodhi”.

Problem i madh ligji i sponsorizimeve, ku Shqipëria fal 4 për qind, e Kosova 30 për qind.

Tagani: “Nuk kam çfarë flas, flasin shqifrat. Një shtet që nuk i kushton rëndësi sportit ka humbur një vlerë të madhe”./ABC News Albania 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono