serie a

serie-a.jpg
G. P.14:10 | 30/07/2019

Duele të fortë në Serinë A, që në javët e para. Kalendari i përcaktuar në Milano ka derbin e Milanos që në javën e katërt, dhe ndeshje të tjera emocionuese.

Sezoni i fundit tashmë quhet legjenda e asaj që shkoi. Juventusi kampion për herë të tetë radhazi i përket historisë, dhe pas arkivimit, vjen menjëherë edicioni i ri, 2019-2020.

Seria A ka tashmë kalendarin e kampionatit të ri, përcaktuar me short në Milano, dhe emocionet janë të garantuara që në fillim, me ndeshje derbi dhe me duele të fortë.

Një “nxemje” në javën e parë, në program në 25 Gusht, me Fiorentina-Napoli, që është konkurrimi më i fortë. Në javën e dytë vjen një duel i nivelit “bombë”, Juventus-Napoli, në stadiumin “Allianz” të Torinos.

Vërtet pa fat skuadra e Carlo Ançelotit, që do të luajë dy herë radhazi jashtë fushe, ndaj rivalëve tepër të fortë. Po në javën e dytë, në 1 Shtator, do të jetë edhe derbi i kryeqytetit, Lacio-Roma, një nga ndeshjet më të ndjera në Itali, padyshim derbi më i ashpër.

Vjet, Roma fitoi 3-1 në fazën e parë, dhe Lacio iu përgjigj me 3-0 në të dytën. Në javën e tretë Juventusi shkon në fushën e Fiorentinës, diçka jo e garantuar si sukses.

Java e 4-ët, në 22 shtator, sjell derbin e madh të “Madoninës”, Milan-Inter në “San Siro”. Edicioni i kaluar ishte për zikaltërit që drejtoheshin nga Luçiano Spaleti, me dy fitore, dhe këtë vit do të duan të vazhdojnë sukseset me trajnerin e ri, Antonio Konte.

Në javën e pestë do të kemi Inter-Lacio dhe Torino-Milan, pra, tifozët do të kenë ç’të shohin në televizor dhe në stadium. Seria A nis në 25 gusht dhe përfundon në 24 maj, gjithashtu me një duel të madh si ai Roma-Juventus.

Juventusi është favorit për titullin, ndjekur nga Interi dhe Napoli./ABC News Albania 24/7

deligt.ajax_.esulta.braccia.larghe.tottenham.2018.19.690x400.jpg
G. P.23:35 | 11/07/2019

Mbrojtësi holandez Matias De Ligt pritet të zyrtarizohet si futbollist i Juventusit ditën e shtunë. Kostoja e këtij operacioni do të arrijë vlerën e 67 milionë eurove.

Mbrojtësi më në zë i momentit De Ligt pritet të zyrtarizohet si lojtari më i ri i Juventusit këtë fundjavë. 19-vjeçari është kthyer nga pushimet dhe të mërkurën është shfaqur në qendrën stërvitore të Ajaksit.

Mediat në Holandë e bëjnë të sigurtë kalimin e qendërmbrojtësit tek “Zonja e Vjetër”. Shtatlarti holandez mësohet se i ka dhënë lamtumirën shokëve të skuadrës dhe të shtunën do të firmosë për kampionët e Italisë.

Ajaksi do të startojë në fundjavë fazën përgatitore në Austri dhe kapiteni i skuadrës holandeze nuk pritet të udhëtojë me skuadrën pasi transferimi tek Juventus do të zgjatej pafundësisht.

Bardhezinjtë kanë nisur grumbullimin dhe të shtunën do të bashkohen me skuadrën edhe Cristiano Ronaldo me Blaise Matuidi ndërkohë që parashikohet që të kryejë testet mjekësore edhe De Ligt. Oferta e fundit e Juventusit për mbrojtësin është 67 milionë euro përfshi edhe bonuset, të cilat do të paguhen në bazë të arritjeve të futbollistit.

Ajaks kërkon 75 milionë, por palët mund të gjejnë shumë shpejt gjuhën e përbashkët. De Ligt pritet të firmosë me Juventusin një kontratë pesëvjeçare me 12 milionë euro në sezon duke u shndërruar në lojtarin e dytë më të paguar në kampionatin italian pas Ronaldos që përfiton 31 milionë euro neto në sezon tek Juventus./ABC News Albania 24/7

fonseca-1280x720.jpg
G. P.23:30 | 08/07/2019

Trajneri i skuadrës së Romës, Paulo Fonseca premton se do të ndërtojë një skuadër të madhe. Kreu i pankinës së verdhekuqëve beson se skuadra do të kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm.

Trajneri i ri i Romës Paulo Fonseca është shfaqur entuziast dhe i motivuar në ditën e tij të parë të punës. Tekniku synon të ndërtojë një skuadër të madhe dhe ta rikthejë sërish në Champions League.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Jam maksimalisht i motivuar të punoj me këtë skuadër dhe në këtë qytet. Nuk do të jetë Roma ime, por Roma e të gjithëve. Duam të ndërtojmë një skuadër që të bëjë krenarë tifozët verdhekuq. Kam qenë këtu vetëm si kundërshtar dhe do të bëj maksimumin për të rikthyer atë entuziazëm që karakterizon tifozërinë e Romës. Presidenti Pallota nuk më ka vënë ndonjë objektiv konkret, por unë dua që të rikthehemi në Champions menjëherë pas këtij sezoni dhe në fund të kontratës, të kem fituar diçka me Romën”, tha ai.

Tekniku i verdhekuqve  thekson se ndihet aspak i shqetësuar nëse do të largoheshin futbollistët që nuk janë të motivuar për të dhënë më të mirën e tyre në sezonin e ardhshme për fanellën verdhekuqe.

“Kam folur me drejtorin sportiv dhe duam të sjellim në skuadër emra të motivuar, që janë gati të lënë mënjanë interesat personale dhe të sakrifikohen për të ndërtuar diçka të mirë. Motivimin duhet ta kenë edhe lojtarët që janë aktualisht pjesë e skuadrës, si kusht vendimtar për vazhdimësinë e tyre me fanellën verdhekuqe. Sa i përket Higuain, do të kemi kohë të flasim, nëse do të vijë te Roma, pasi për momentin është i Juves”, thekson trajneri i Romes Paulo Fonseca.

Roma nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në Champions League për herë të parë pas rreth një dekade./ABC News Albania 24/7

verona.jpg
G. P.19:25 | 26/06/2019

Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani është prezantuar tek skuadra italiane e Veronës. 25-vjeçari ka nënshkruar një kontratë katër vjeçare

Tashmë është gjithçka zyrtare. Amir Rrahmani është zyrtarisht futbollist i skuadrës së Veronës në Serinë A. Mbrojtësi që aktivizohet me përfaqësuesen e Kosovës ka firmosur sot me ekipin e ri dhe nga sezonin e ardhshëm do të luajë në një nga ligat më të forta në botë.

Ish-futbollisti i Dinamos së Zagrebit kaloi tek Verona për 2.1 milionë euro, shifër e cila bëri diferencën pasi mbrojtësi ishte pranë transferimit te skuadra belge e Standard Liege.

25-vjeçari kaloi me sukses vizitat mjekësore e më pas firmosi për kontratën katërvcjeçare ndërkohë që paga e tij mendohet të jetë rreth 500 mije euro në vit. Rrahmani u shfaq shumë i entuziazmuar për aventurën e tij të re dhe shpreson të bëjë një sezon të mirë në vitin e parë në futbollin italian.

Futbollisti shqiptar ka mbajtur më parë veshur fanellën e Partizanit ku qëndroi për dy vite e më pas kaloi tek Split në Kroaci për të vijuar me Dinamon e Zagrebit, huazimin tek Lokomotiva dhe tashmë tek skuadra italian e Veronës, e cila përben ngjitjen më të madhe në karrierën e futbollistit./ABC News Albania 24/7

rrahmani.jpg
G. P.20:48 | 22/06/2019

Amir Rrahmani është shumë pranë kalimit në Serinë A. Futbollisti I Kosovës do të jetë pjesë e Veronës sezonin e ardhshëm.

Kjo skuadër, vitin e ardhshëm do të luajë në elitë, dhe për të do të jetë edhe një shqiptar. Hellas Verona fitoi të drejtën për në Serinë A, nëpërmjet plej ofit të Serisë B, dhe këto ditë pritet të prezantojë Amir Rrahmanin, mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës.

Futbollisti i Dinamos së Zagrebit mbylli ciklin në Ligën e Parë të Kroacisë, ku luajti prej 4 vjetësh, ndërsa tani do të provojë veten në një nga pesë ligat e mëdha të Europës.

“Verona, e kryer për Rrahmanin”, shkruan “kalçomerkato.it”, për transferimin e mbrojtësit të Kosovës.

Një tjetër faqe italiane në internet, “helas 1903”, informon se klubi veronez do t’i paguajë Dinamos së Zagrebit 2.1 milionë euro për kartonin e 25-vjeçarit, ndërsa vizita mjekësore pritet të jetë të martën e ardhshme.

Seria A natyrisht ishte një tërheqje më e madhe për shqiptarin e lindur në Prishtinë, sesa një aventurë tek Sëlltiku në Premier Ligën e Skocisë, apo tek Standardi i Liezhit në Belgjikë.

I vlerësuar si talent i së ardhmes, Rrahmani e nisi karrierën tek Drenica në Kosovë, pastaj për dy sezone veshi fanelën e Partizanit në Shqipëri, ku u dallua që në moshën 19-vjeçare.

Më pas shkoi në Kroaci, tek RNK Spliti, ku disa herë u shpall si pjesë e formacionit të javës në elitën e futbollit kroat.

Në vitin 2016 kaloi tek Dinamo e Zagrebit, për një vit huazim tek Lokomotiva, ndërsa përfundimisht u bë një nga lojtarët kryesorë të klubit më të madh të Kroacisë.

Rrahmani pritet të shkëlqejë edhe për Veronën në Serinë A, ndërsa kombëtarja shqiptare mund të thuhet se e humbi para 3 vjetsh.

Luajti dy ndeshje për ekipin tonë përfaqësues duke shënuar edhe gol ndaj Kosovës, u la jashtë Euro 2016-ës nga ish-trajneri De Biazi, duke zgjedhur përfundimisht të luante pikërisht për Kosovën./ABC News Albania 24/7

lipi.jpg
G. P.22:55 | 09/05/2019

Trajneri legjendar Marcelo Lippi ka theksuar se kampionati italian ka dalë nga kriza falë talenteve të reja.

Trajneri legjendat Marcelo Lippi ka dhënë se fundmi një interviste për Gazetta dello Sport ku ka folur për të kaluarën e tij tek Juventusi, Milan, por edhe futbollin italian.

“Është e vëshjtirë të fitosh nëse nuk luan mirë. Unë kam drejtuar një Juventus me tre sulmues që bënin presion lart. Nuk ndërtova një skuadër që të luante mirë faktikisht, por të luante në sulm. Mendoj se problemi i futbollit italian të viteve të fundit ishte numri i lojtarëve të huaj. Së fundmi po lindin shumë lojtarë vendas si Chiesa apo Zaniolo. Puna me të rinjtë është vendimtare për të ardhmen.

Futbolli italian ka përjetuar një periudhë të vështirë, por e shoh në rrugë të mbarë. Trajneri Mancini ka sjellë risi në skuadër duke grumbulluar lojtare të rinj të cilët edhe pse nuk kanë shumë eksperienca kanë luajtur mirë. Përfshi këtu edhe sulmuesin e  Juventusit Moise Kean. Shpresoj që talentet që po luajnë në Serie A të mos largohen në kampionatet e tjera, por të qëndrojnë në Itali”, përfundon Marcelo Lippi./ABC News Albania 24/7

conte.jpg
G. P.23:40 | 07/05/2019

Trajneri Antonio Conte ka hedhur poshtë zërat për një kalim te skuadra e Romës ndërkohë që nuk i mbyll derën Juventusit.

Një ndër trajnerët më në zë të momentit, Antonio Conte ka folur së fundmi për të ardhmen e tij. Conte theksoi se është i gatshëm për t’u rikthyer në Serie A, por refuzon kategorikisht drejtimin e skuadrës së Romës.

“Jam dashuruar me Romën për dy vite kur isha trajneri i kombëtares së Italisë. Ne stadiumin “Olimpiko” mund të përjetosh pasionin e tifozëve romak. Sot nuk janë kushtet për të pranuar të ulem në stolin e Romës, por nuk i mbyll dyert për të ardhmen. Kjo vlen për të gjitha skuadrat. Dua të jem i bindur se me klubin e ri që do të drejtoj do të kem mundësi të mund çdo rival dhe të ndjej se fitorja është e arritshme. Në të kundërt do të qëndroj pushim dhe nuk do të bëj hapa të nxituara nëse nuk jam i bindur”, tha ai.

Në lidhje me një rikthim te Juventus, Conte tha:

“Mendoj që skuadra e Juventusit vijon rrugëtimin drejt suksesit me trajnerin aktual Masimiliano Allegri, por në të ardhmen mund të ndodhë çdo gjë”.

Në Itali nuk është vetëm Roma dhe Juventus që  interesohem për Conten, por edhe dy klubet milaneze, Inter dhe Milan./ABC News Albania 24/7

jt-1-1280x720.jpg
G. P.14:00 | 03/05/2019

Juventus-Torino është ndeshja hapëse e javës së 35 në kampionatin italian. Sfida delikate për Inter, Romën dhe Milanin që duan sigurimin e Championsit.

Derbi Juventus-Torino është ndeshja hapëse e javës së 35 në Serie A. Bardhezinjtë e kanë siguruar matematikisht titullin kampion dhe ndaj Torinos do të luhet vetëm për statistika.

Në kampin e Juventusit përqendrimi është maksimal pasi derbi ka një rëndësi të veçante. Trajneri i “Zonjës se Vjetër”, Masimiliano Allegri, pritet të përdorë skemën 4-3-3 me Ronaldon, Bernardeschi-n dhe Kean në sulm.

Portugezi ka realizuar 20 gola në këtë sezon me bardhezinjtë dhe qëllimi kryesor i pesë herë fituesit të Topit të Artë është të shpallet golashënues në kampionatin italian ndaj dhe në Torino kanë një arsye të fortë për t’u frikësuar.

Ekipi Granada po zhvillon një sezon të shkëlqyer pasi ndodhet në vendin e gjashtë në klasifikim, ndërkohë që vijnë në këtë përballje pas fitores ndaj Milanit. Torino ka humbur vetëm një ndeshje në 14 sfidat e fundit.

Interi do të luajë në transfertën e Udinese-s. Ekipi friulian ende nuk e ka siguruar mbijetesën dhe për zikaltërit parashikohet një duel i vështirë. Inter renditet në vendin e tretë dhe kualifikimi në Champions është një objektv i realizueshëm ndaj dhe barazimi lejohet për skuadrën e Spalletit.

Ndeshje delikate dhe për Romën që do të luajë në fushën e Genoa-s. Verdhekuqtë janë rikthyer në një formë mjaft të mirë dhe vetëm një pikë e ndan nga vendi i katërt që është synimi kryesor i skuadrës së trajnerit Ranieri. Napoli do të presë në shtëpi skuadrën e Cagliari-t. Një sfidë e lehtë në letër për të besuarit e trajnerit Carlo Anceloti që luajnë sa për statistika.

Milan-Bolonja do të zhvillohet të hënën në San Siro. Kualifikimi i kuqezinjve në Champions sa vjen e vështirësohet ndaj dhe në shtepinë e Milanit, fitorja është detyrim të hënën në mbrëmje. Ne të kundërt  objektivi Champions do të cilësohej një kapitull i mbyllur./ABC News albania 24/7

torino-1280x720.jpg
G. P.13:25 | 29/04/2019

Milani është në krizë të plotë pas humbjes me Torinon, por klubi vendos të vazhdojë me trajnerin Xhenaro Gatuzo. Skuadra e njohur mund të mbetet jashtë Championsit.

Më e keqja ndoshta edhe mund të ndodhë. Milani mund të përfundojë ashtu siç nuk do të donin ta besonin tifozët, jashtë Ligës së Kampionëve. Shpresat e mëdha për të qenë në garën kryesore të klubeve në Europë, për herë të parë që nga viti 2014, duket se u shuan thuajse përfundimisht me humbjen e pësuar në Torino.

Në një duel direkt, skuadra vendase triumfoi 2-0, duke e mbërritur Milanin në renditje. Andrea Beloti shënoi me penallti në minutën e 58-të dhe Aleks Berenger vulosi shifrat 11 minuta më vonë.

Mbrëmja e milanistëve mori goditjen e fundit kur kapiteni Alesio Romanjoli u përjashtua me karton të kuq në minutën e 81-të. Të dyja skuadrat morën vlerësimet e merituara nga mediat.

“La Gazetta dello Sport” bën lojë fjalësh në titull: Dem i Artë, duke nënkuptuar Torinon, por edhe golshënuesin Beloti! Milani vritet me brirë, Europa në rrezik!

“Tuttosport” vendos foton e Belotit në kopertinë: Toro për Champions, 2-0 ndaj Milanit! Atje lart dikush ju do!

Championsi është ende shumë pranë, por skuadra e trajnerit Gatuzo është në krizë të plotë, me vetëm 5 pikë të fituara në 7 ndeshjet e fundit në Serinë A.

“Ne bëmë maksimumin, por gjendja është e tillë, – u shpreh trajneri, – kështu ndodh ndonjëherë në futboll. Jemi në vështirësi, por nuk mund të kritikojë lojtarët, që po punojnë shumë, por po ndjejnë presionin. E ardhmja ime varet nga rezultatet, por unë nuk shqetësohem për këtë. Shqetësohem për faktin se po shkatërrojmë imazhin e një klubi kaq të madh sa Milani”.

Trajneri ishte në rrezik për t’u shkarkuar, në përpjekje për të shpëtuar sezonin, por kjo nuk ndodhi. Drejtuesit e klubit, pas një mbledhjeje urgjente, vendosën të vazhdonin me Gatuzon.

Kështu lajmërojnë mediat italiane, ndonëse ato theksojnë se trajneri do të largohet në fund të sezonit, edhe nëse kualifikohet për në Champions./abcnews.al

milan-lazip-1280x720.jpg
G. P.17:30 | 14/04/2019

Igli Tare akuzon gjyqtarin pas humbjes së Lazios në fushën e Milanit. Drejtori sportiv shqiptar u shpreh se rezultati nuk u vendos nga fusha e lojës.

Ishte si një finale dhe tensioni pritej, por jo i tillë. Milan-Lazio në “San Siro” vendoste jo pak për kualifikimin në Champions dhe presioni psikologjik mbi nervat e lojtarëve kaloi kufirin normal.

Ishin dy momente, i pari një pretendim penalltie nga ana e Lazios, pas duelit në zonë mes Rodrigezit e Milinkoviç-Saviçit, dhe pastaj një festim i padenjë i dy lojtarëve milanistë me fanellën e dhuruar nga futbollisti i Lazios, Acerbi.

Pas veprimit të fundit, plasi sherri në fushën e lojës, një ngjarje e shëmtuar sidomos për një kampionat të nivelit dhe famës së Serisë A. Gjykata Sportive kërkoi materialet filmike për të nisur hetimin dhe për të dhënë dënimet.

Milani fitoi falë një penalltie të drejtë, shkaktuar nga Riza Durmishaj ndaj Muzakios, pra nga një shqiptar i Suedisë ndaj një arbëreshi.

Autori i golit ishte Franck Kessie që ekzekutoi me gjakftohtësi përballë Strakoshës. Portieri shqiptar shpëtoi Lazion nga pësimi i ndonjë goli tjetër me pritjet e tij. Në fund të ndeshjes doli në skenë shqiptari tjetër, Igli Tare.

Ai ishte tepër i zemëruar me arbitrin Rocchi që, sipas tij, mezi priti për të dhënë penalltitë e Milanit, duke sinjalizuar edhe këtë episod në zonë, më pas të anuluar nga VAR-i. Për drejtorin sportiv të Lazios gjithçka ishte e qartë.

“Kjo ishte histori e një vdekjeje të paralajmëruar, – tha drejtori sportiv lacial, – pikërisht, gjëja që i trembeshim përpara ndeshjes. Na vjen keq që humbëm një ndeshje që e luajtëm shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. Shpresonim që ndeshja të vendosej në fushë, por ishim viktimë e VAR-it dhe e gjykimit. Penalltia e Milanit edhe jepej, por gjithashtu ishte penallti për ne, pasi ishte ndërhyrje e rrezikshme në zonë. Duket se në Itali dinë ta dallojnë rëndësinë e klubeve”.

Gazetat sportive italiane i bënë jehonë polemikave.

“Il Corriere dello Sport”: Stuhi Championsi! Milani mund Lazion 1-0 dhe shkëputet, ka polemika për penalltinë e padhënë për Milinkoviçin!

“La Gazeta dello Sport”: Po, Kessie! Për Milanin, finalja ndaj Lazios, 1-0! Provë bindëse e kuqezinjve me penallti në fund, por Tare akuzon arbitrin!

Pas kësaj ndeshjeje, Milani ka 55 pikë, duke qenë në vend të katërt 1 pikë mbi Romën, ndërsa Lazio mbeti prapa me 49 pikë, kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono