serbi

vendet-e-kuintit-1280x713.jpg
nev ila16:00 | 13/08/2019

Vendet e Kuintit, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rinisin procesin e dialogut.

Përmes një deklarate të përbashkët, vendet në fjalë kanë kërkuar nga Prishtina që të heqë taksën për produktet serbe dhe nga Beogradi që të ndalojë lobimin kundër pavarësisë së Kosovës.

Ambasadat e vendeve anëtare të QUINT-it i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet. Ato kanë kërkuar nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare.

Aty shtohet se vendet janë gatshme të forcojnë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por kjo mund të bëhet vetëm kur jepen shenja të gatishmërisë për kompromis.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Kryeministri ne dorëheqje Ramush Haradinaj nëpërmjet një statusi në Facebook ka thënë se nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen.

Pa praninë e mediave janë takuar sot në një nga restoranet e Prishtinës, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes Albin Kurti. Në një status në Facebook, kreu i VV-së Albin Kurti ka shkruar se në takim është biseduar për seancën e 22 gushtit.

“Me 22 gusht dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike. Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët” ka shkruar Kurti në Facebook. Edhe Partia Demokratike e Kosovës këmbëgul se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është e pashmangshme.

Jemi në fazën e përgatitjeve, zgjedhjet janë të pashmangshme. Më 22 gusht do t’i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Veseli.

Për datën 22 gusht është caktuar seancë për shpërbërjen e parlamentit pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7

PERGJIMET-VUCIC-ABCM2T1.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela15:38 | 02/08/2019

Një skandal përgjimesh ka përfshirë në ditët e fundit edhe Serbinë. Presidenti Aleksandar Vuçiç ka publikuar dokumente sekrete që tregojnë se ai është përgjuar kur ka qenë në opozitë. Lëvizja e kreut të shtetit është kritikuar nga ish-zyrtarë serbë, me argumentin se cënon sistemin e sigurisë së vendit.

Atë që ndodhë në fqinjësi, prite në shtëpi! Kjo thënie jona e moçme, pas skandaleve të përgjimeve në disa vende të rajonit, përfshirë këtu Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, por edhe Kosovën, është bërë aktuale edhe në Serbinë fqinje. Ka qenë presidenti Aleksandër Vuçiç ai i cili, në një televizion të afërt me regjimin e tij, ka shpalosur dokumente që dëshmojnë se ka qenë i përgjuar për mbi 20 vjet në kohën e veprimit të tij prej opozitari, nga viti 1995 e deri më 2012. Ai, si prove për këtë në televizionin Pink ka cituar raporte zyrtare të klasifikuara si sekret shtetëror, duke përmenduar edhe emra gjykatësish të cilët kishin autorizuar përgjimin, por edhe emra të diplomatëve të huaj, kryesisht nga Franca, Hungaria, Rusia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët kishte kontaktuar.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Ata kanë marrë rusët, amerikanët, hungarezët dhe francezët në mënyrë që të shikojnë tërërsisht politikën time dhe politikën tone edhe ndaj evropianëve, edhe ndaj rajonit, edhe ndaj fuqive të mëdha, Rusisë dhe Amerikës”, vlerësoi Vuçiç duke shpalosur dokumente që në krye mbajnë togfjalëshin ‘Sekret shtetëror”.

Një veprim i këtillë i shefit të shtetit është kritikuar nga ish-zyrtarë, por edhe ekspertë të fushës, të cilët për televizionin N1 thonë se një veprim i këtillë është i palejueshëm, për shkak se, thonë ata, cënojnë sistemin e sigurisë së vendit. Boris Tadiç është ish president i Serbisë, në kohën e të cilit është bërë shumica e përgjimeve:

Boris Tadiç, ish-president i Serbisë: “Zbulon sekrete të shtetit, kryen vepra penale. Shkatërron shërbimin e sigurimit të shtetit dhe themelet e shtetit që janë shërbimet e sigurimit të shtetit, pa të cilat është i pamundur ekzistimi i shteteve”, vlerëson Boris Tadiç duke shtruar pyetje se kush do të mund të punojë në të ardhen në këtë shërbim kur presidenti i shtetit zbulon sekrete shtetërore.

Ekspertët e fushës në Beograd thonë se pëgjimi i diplomatëve të huaj bënë pjesë në atë që cilësohet si ‘përpunim statusor’, ndërkohë që analistët publikimin e dokumenteve me siglën ‘sekret shtetëror’ e shikojnë si përpjekje të presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij për të spostuar vëmendjen nga vala e protestave antiqeveritare që prej muajsh ka mbërthyer qytetet më të mëdha të Serbisë. /ABC News Albania 24/7

PIKA-KUFITARE-VERMICE_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
Sej rie15:30 | 24/07/2019

Është përuruar zgjerimi dhe rehabilitimi i hyrjes së pikës kufitare Kosovë – Shqipëri, në Vërmicë. Të pranishëm kanë qenë ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi.

Me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave, janë shtuar shirite rrugore në kufirin Kosovë Shqipëri.

Ky investim është bërë me procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të nis zbatimi i marrëveshjes për lehtësira të qarkullimit të mallrave dhe transportuesve tjerë të mëdhenj.

Ndërsa sipas policisë në këtë pikë kufitare nuk ka pritje të qytetarëve që udhëtojnë nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas.

Derisa të nis zbatimi i të gjitha marrëveshjet Kosovë Shqipëri nuk do të ketë mbledhje të tjera të përbashkëta për t’u arritur marrëveshje të reja por vetëm takime në kuadër të funksionalizimit të marrëveshjeve aktuale./ABC News Albania 24/7

67387202_2243165242403258_858460685686800384_n.jpg
nev ila16:15 | 18/07/2019

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ndodhet në Vjenë të Asutrisë. Nga Vjena, vëllai i kryeministrit Haradinaj ka postuar fotografi, me të cilën ka konfirmuar se është i lirë.

Daut Haradinaj ka postuar në Facebook-un e tij, pas lajmit se ai është ndalur sot në Francë.

“Live nga Vjena”, ka shkruar ai në FB.

Për vëllain e kryeministrit Haradinaj, Daut Haradinaj, u raportua se është ndaluar në Vjenë.

Para dy vitesh ishte ndaluar edhe kryeministri Ramush Haradinaj për disa muaj në Kolmar të Francës për llogari të shtetit Serb por më pas ai u la i lirë./abcnews.al

shqiptaret-3-1280x655.jpg
Sej rie18:15 | 16/07/2019

Gjatë vizitës në Serbi, presidenti francez Emanuel Macron u takua edhe me një grup studentësh, mes të cilëve dy shqiptarë. Ata e njohën presidentin me problematikat që hasin të rinjtë në Ballkan dhe me projektet e tyre për të krijuar një të ardhme në vendlindje.

Rina Kadiri është nga Rahoveci i Kosovës, kurse Mikel Zito është nga Vora. Kanë qenë student dhe bëjnë projekte për të rinjtë. Tani janë më të qetë pasi kanë kryer misionin në Beograd. Ky është momenti kur presidenti francez, Emanuel Macron, u flet studentëve që janë pjesë e fondacionit Ryco, nga i tërë rajoni. Rina dhe Mikeli këtu kanë përfaqësuar Kosovën dhe Shqipërinë. Pak orë më vonë thonë se ishin të lumtur për të folur me presidentin francez dhe homologun e tij serb, Alleksandar Vuçiç. Rina thotë se i ka treguar Macron, por edhe Vuçiç për nevojën që kanë të rinjtë. Si shqiptare e Kosovës e ka patur me rëndësi përfaqësimin.

Mikeli thotë si për shaka, se një jetë më e mirë në Ballkan nënkupton qëndrim në vendlindje dhe jo azil në Francë. Por, për ta arritur këtu nevojiten për tu krijuar kushte.

Presidentët kanë premtuar mbështetje për projektet e tyre pasi rininë e shohin si një mjet pajtimi dhe bashkëpunimin si mënyrë. Vet Vuçiç u premtoj se do të shtoj buxhetin për këto ide pozitive në rajonin e trazuar të Ballkanit./ABC News Albania 24/7

haradinajh-1280x717.jpg
Sej rie21:30 | 15/07/2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ndihet i trembur nga vizita e presidentit Macron në Beograd, e konsideruar si një presion ndaj Prishtinës për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Haradinaj ka nënvizuar se taksa do të hiqet vetëm kur të ketë njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e sheh si kërcënim për Kosovën vizitën e presidentit të Francës Emanuel Macron në Serbi. Ai thotë se kjo vizitë nuk i ndryshon raportet Francë-Kosovë. E ka pranuar se Kosova ka presion të vazhdueshëm për heqjen e taksës, por sipas tij kjo  nuk do të ndodhë derisa nuk arrihet një marrëveshje për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës: “Kosova nuk është mirë të japë shembuj të dorëzimit ose të nënshtrimit në fazat finale, sepse nëse jepet, atëherë kërkesat do të rriten për kompromise më të mëdha”.

Gjatë një vizite që i ka bërë komunës së Vushtrrisë, Haradinaj ka përmendur çështjen e liberalizimit të vizave për të cilën tha se do të ndodhë shpejt./ABC News Albania 24/7

1A772FF2-F47F-42D6-9CBD-11B7B7E17F33_cx0_cy1_cw0_w1023_r1_s.png
Sej rie20:00 | 13/07/2019

Një analist me përvojë i Ballkanit thotë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të mos ta ketë elementin territorit. James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, në një intervistë për Zërin e Amerikës kritikoi kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi siç tha ai bllokuan një marrëveshje të mundshme pa pasur një alternativë. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, zoti Hooper tha se situata e krijuar kërcënon stabilitetin dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë vullnetin të angazhohen por duan të shohin perspektivën për një zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, procesi i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur për një kohë të gjatë dhe një nismë e Gjermanisë dhe Francës për të ripërtërirë procesin dështoi. Çfarë ndodh më tej? Cila mendoni se është rrugëdalja?

 James Hooper: Tani duhet të presim të shohim a do të ketë një zgjidhje, sepse ka tre alternativa mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse duan një marrëveshje, e vetmja mundësi është ajo e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Nuk besoj se ka asnjë shans për një marrëveshje graduale ose të pjesshme. Marrëveshja e zonjës (Catherine) Ashton kur ishte shefe e politikës së jashtme të BE-së, ishte e pjesshme dhe graduale dhe asnjëra nga palët nuk e zbatoi atë plotësisht. Shoqata e komunave serbe parashikohej nga marrëveshja dhe nuk u zbatua, nuk u pranua, u bë shumë e debatueshme në Kosovë, ku u pa si një mënyrë për Beogradin të ndërhynte në politikën e Kosovës. Unë e lexoj moszbatimin e marrëveshjes si fundin e perspektivës për ndonjë marrëveshje të pjesshme. Kjo është një nga realitetet e vështira që unë kam kuptuar nga negociatat e viteve të fundit, veçanërisht vitin e fundit dhe muajt e fundit. Presidentët Thaçi dhe Vuçiç po negocionin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe arsyeja që ajo dështoi ishte në fakt jo se serbët dhe shqiptarët nuk mund të binin dakord, në fakt ishin shumë pranë marrëveshjes. Sigurisht duheshin sqaruar disa detaje por në përgjithësi, për konceptin e përgjithshëm kishin rënë dakord. Problemi ishte se populli i Kosovës nuk donte të pranonte një shkëmbim territori si pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Po ashtu as Gjermania, zonja Merkel nuk donte ta pranonte dhe kështu e bllokoi. Unë i kuptoj shumë mirë ndjeshmëritë që mund të kenë gjermanët për paprekshmërinë e kufijve dhe territorit, që vijnë nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, por kjo nuk funkisonon në Ballkan, atje është ndryshe. …

Zëri i Amerikës: Çfarë nuk funksionon?

James Hooper: Nuk kishte kufi mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte një kufi i brendshëm që është zhvendosur dhe ndryshuar brenda Jugosllavisë, nuk ishte një kufi i jashtëm mes dy vendesh, kështuqë kufiri i jashtëm duhej të caktohej dhe për të duhet të arrihej marrëveshje. Sipas mendimit tim, suksesi që pati zoti Haradinaj për ta bllokuar këtë në Kosovë, përmes tarifave dhe suksesi që pati kancelarja Merkel – dhe mendoj që kundërshtimi i saj ishte më vendimtar sesa ai i zotit Haradinaj – për ta bllokuar, do të thotë se Evropa, Bashkimi Evropian, ose më saktë Gjermania nuk është e gatshme të pranojë këmbime territori, si çmim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. Pra realiteti i parë i vështirë është se nuk ka më vend për marrëveshje të pjesshme, graduale. Së dyti, nëse marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, meqenëse nuk mund të ketë një të tillë të pjesshme. Për ta arritur atë – dhe kjo nuk është pranuar, megjithëse është pranuar nga Presidentët Thaçi dhe Vuçiç – duhet të ketë një këmbim territori. Ky është realiteti. Unë e kuptoj kur shqiptarët e Kosovës, paraqesin kërkesat e tyre maksimale dhe thonë se nuk duan ta pranojnë, por kjo do të thotë se nuk do të ketë marrëveshje dhe mendoj që ajo që bëri zonja Merkel që mendoj se ishte bërë me një koordinim, të paktën de facto, sepse duket se ka ngjashmëri mes veprimeve të tyre, mes bllokimit nga brenda të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse nga ana e zotit Haradinaj në Kosovë, dhe bllokimit në Berlin në nivelin evropian nga kancelarja Merkel. Përshtypja ime është që ata nuk i kuptojnë këto realitete. Dhe nëse unë nëse nuk ka vend për një marrëveshje të pjesshme dhe nuk duan të paguajnë çmimin e shkëmbimit të territoreve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, realiteti i tretë është që rrjedhimisht do të ketë dhunë dhe flas këtu mes Kosovës dhe Serbisë. Ato do të fillojnë të rrëshqasin gradualisht dhe papritur do të shpërthejë dhuna.

Sepse Serbia është një shoqëri shumë nacionaliste dhe siç po shohim edhe Kosova është shoqëri nacionaliste, po të kesh parasysh mbështetjen që pati zoti Haradinaj. Kur ke nacionalistë të fortë nga të dyja anët, mundësia për dhunë rritet në mënyrë të konsiderueshme, sepse ka më pak aftësi që njerëzit të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Gjëja kryesore që unë kritikoj është se kancelarja Merkel dhe kryeministri Haradinaj, bllokuan një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa pasur një alternativë tjetër nga ana e tyre.

Zëri i Amerikës: Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe. Prishtina ngul këmbë se nuk do ta bëjë këtë derisa Serbia nuk ndryshon qasjen ndaj shtetësisë së Kosovës. Si mund të zgjidhet ky ngërç?

James Hooper: Duket se kryeministri Haradinaj do që Serbia të japë që në fillim të negociatave atë për të cilën duhet rënë dakord në fund. Ai e di që nuk ka asnjë shans që Serbia ta pranojë këtë. Kjo nuk do të ishte negociatë, do të ishte thjesht paraqitje e kërkesës maksimale (nga ana e Kosovës). Është një përpjekje për bllokim negociatash dhe për të penguar marrëveshjen. Çështja shtrohet se si t’i çosh përpara negociatat dhe të arrish një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që unë mendoj se do ta rriste konsiderueshëm sigurinë e Kosovës, në një botë që është bërë më e rrezikshme vitet e fundit.

Zëri i Amerikës: Në një intervistë për Zërin e Amerikës para disa kohësh ju thatë se çështja e tarifave i ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit. Nga ana tjetër, Presidenti Thaçi ka thënë se nuk mund të ketë negociata pa angazhimin e Shteteve të Bashkuara. Si mund të bashkëekzistojnë këto dy realitete?

James Hooper: Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të luajnë një rol shumë aktiv për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe mendoj se e ka bërë këtë. Ndihmës Sekretari (në detyrë) Reeker ishte në takimin e nivelit të lartë të Bratislavës dhe ka qenë shumë i angazhuar në proces dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ishin plotësisht të angazhuara për të lehtësuar negociatat dhe për t’i dhënë fund këtij problemi. Kur nuk ka shpresë më për një marrëveshje të gjerë, apo për përparim, nuk është se Shtetet e Bashkuara e harrojnë Kosovën, por kjo çështje bie në listën e përparësivë, bëhet më pak e rëndësishme dhe qeveria amerikane i kushton më pak rëndësi Kosovës. Dhe Kosova kishte më shumë për të humbur se Serbia nuk kishte marrëdhënie të afërt me Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje dy vendeve që të arrijnë një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur. A mendoni se ekziston ende mundësia për një marrëveshje deri në fund të vitit?

James Hooper: Jo. Sipas gjykimit tim nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse deri në fund të vitit 2019. Koha më e hershme që kjo mund realizohet është viti 2020. Jam shumë i shqetësuar se vdekja e kësaj marrëveshjeje specifike për të cilën zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kishin rënë dakord, shkaktuar nga kancelarja Merkel dhe kryeministri Haradinaj, asgjësoi perspektivën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Vështirësia tanë është nëse është e mundur që të ringjallet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që të shfaqet një alternativë që ta pranojnë të dyja palët. Vështirësia tani është që të mbahet gjallë koncepti i një marrëveshjeje të gjerë që të përfshijë shkëmbim territori. Realiteti për Kosovën është që nëse nuk ka një element territorial, nuk do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe nuk besoj që në Kosovë kanë arritur në pikën që ta pranojnë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Të dy presidentët, Hashim Thaci dhe Aleksandër Vucic janë në pushtet për një kohë të gjatë dhe nuk arritën të sigurojnë një marrëveshje. Kur nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë deri tani, pse do të mendohej që tani mund të jenë në gjendje?

James Hooper: Unë mendoj se zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kanë arritur shumë. Ata kanë kapërcyer barrierat e komunimit mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin zytar. Ata kanë kanalet e veta të komunikimit. Ata kanë qenë në shumë takime bashkë dhe ky nuk është sekret. Kanë pasur rast, të flasin, të kuptojnë njëri-tjetrin të shohin se ç’perspektivë ka pala tjetër, të shohin se çfarë u duhet të bëjnë për të realizuar një marrëveshje. Mendoj se ata kanë arritur mjaft mirëkuptim dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Ata nuk u mjaftuan me kaq. E përdorën këtë mirëkuptim për të arritur një marrëveshje me ndërmjetësimin e zonjës Ashton, dhe për të parandaluar shkallëzime, si edhe në përpjekje për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Arsyeja që nuk e arritën ishte se Gjermania bllokoi zotin Vuçiç dhe zoti Haradinaj bllokoi zotin Thaçi. Mendoj se ishte një arritje e madhe dhe u bllokua nga BE-ja. Dhe kjo është e jashtëzakonshme. Kur të shkruhet historia e kësaj periudhe, njerëzit do të shohin se çfarë zhvillimi i jashtëzakonshëm ishte ky, që Bashkimi Evropian bllokoi një marrëveshje të tillë./VOA

shehet-1280x719.jpg
Sej rie10:30 | 01/07/2019

Shehë dhe dervishë nga Kosova janë pritur nga bashkësia Islame në Serbi për të kryer lutje në gjuhën shqipe në tyrben e “Sheh Mustafasë”. Policia serbe ka marrë përsipër sigurinë e tyre

Kjo është tyrbeja e Sheh Mustafas në qendër të kryeqytetit të Serbisë. Një nga të rrallat të ngelura në këtë vend. Shehët nga tarikati Saadi nga Kosova besojnë se shehu i ka takuar grupit të tyre. Kanë kaluar 236 vjet që prej kohës kur dikush nga ky tarikat është lutur apo ka bërë ziqër për shpirtin e tij.

Shehët dhe dervishët arrijnë nga Kosova dhe bëhen gati për të bërë atë që për shumë kohë ka qenë gati e pamundur.

Sheh Përparimi nga Gjakova është në krye të tyre. Ka kaluar shumë kohë, por besojnë tek hyjnorja dhe bën lutje edhe shqip.  Serbëve u interesojnë tarikatet dhe për shumë kjo lutje duket interesante.

Bashkësia Islame e Serbisë ua hapi portën për mirëpritje. Dikur besohej se në kohën e otomanëve kishte 17 teqe në kryeqytetin serb dhe shumë xhami. Tani aty afër ekziston vetëm një. Lejen për këtë lutje ky tarikat e ka kërkuar përmes institucioneve dhe policia serbe u ka garantuar sigurinë.

Lutjet e tyre u bën atraksion për median serbe dhe turistët, kurse kësaj radhe shehët i kanë shpëtuar pyetjeve të shpeshta politike në mes të shqiptarëve dhe serbëve, kurse ata shpresojë se nuk do të kalojnë dy shekuj për një lutje të re.

Kufizimi është i përhapur në tërë Ballkanin, por më shumë tek shqiptarët se sa tek kombet tjera. Në Serbi ata funksionojnë në kuadër të bashkësisë islame, kurse dikur teqe ka patur edhe në Luginën e Preshevës./ABC News Albania 24/7

gjykata-kushtetuese-1.jpg
G. P.19:42 | 27/06/2019

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur jo kushtetues ekipin negociator në dialogun me Serbinë, që kryesohet nga zëvendës kryeministri Fatmir Limaj. Pas vendimit, anëtarët e ekipit nga Partia Social-Demokrate kanë njoftuar tërheqjen nga grupi.

Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues nga Gjykatës Kushtetuese e Kosovës. Gjykata ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosje. Menjëherë pas këtij vendimi, Partia Social-Demokratike ka thënë se tërhiqen nga ky delegacion.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e delegacionit ne kemi marrë vendim që të dalim nga ky delegacion shtetëror dhe që nga sot do pushojmë së shërbyeri nga kjo kompetencë. Gjykata i ka kontestuar të gjitha kompetencat e delegacionit shtetëror”, tha Visar Ymeri.

Vendimin e kanë mirëpritur dy partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosje.

“Kosova është dëmtuar shumë nga pazaret antikushtetuese të koalicionit. Ekipi dialogues dhe qeveria duhet të japin dorëheqje. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja”, tha Abdullah Hoti.

“Pra projektligji për dialogun ka krijuar një delegacion jo kushtetues të cilit i janë veshur kompetenca kushtetuese dhe atë delegacion e vendosën mbi Kuvendin”, tha Albulena Haxhiu.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmetin e PSD-së./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono