senati

trumpp.jpg
ent ela22:25 | 14/03/2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka pësuar brenda dy ditësh humbjen e dytë në Senat, ku senatorë republikanë rebelë kanë mbështetur rezolutat e demokratëve, këtë herë për t’i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme në kufi me Meksikën.

Senati amerikan miratoi të enjten një propozim për t’i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin jugor me Meksikën, të shpallur nga presidenti Donald Trump. Sipas mediave amerikane, ishin 12 senatorë republikanë rebelë që dolën pro shfuqizimit të masës së shpallur nga kreu i shtetit, që nga ana e tij ka paralajmëruar me vendosjen e vetos ndaj rezolutës. Votimi, që kaloi me 59 vota kundrejt 41, përbën humbjen e dytë të Trump në Senat në vetëm dy ditë. Të mërkurën, senatorët aprovuan një rezolutë që kërkon që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund mbështetjes së koalicionit të udhëhequr nga sauditët në luftën në Jemen.

Një refuzim i hapur ky i politikave të Trump ndaj mbretërisë. Përpara votimit të së enjtes, lideri i mazhorancës në Senat, Miç Mek Konell u bëri thirrje republikanëve që ta hidhnin poshtë propozimin e demokratëve, por nuk ndodhi kështu. Tani, senatorët që dezertuan druhen se në të ardhmen presidentët, qofshin edhe demokratë, do të përpiqen të uzurpojnë Kongresin për të miratuar programet e tyre. Përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Trump kërkoi një rrugë alternative për të siguruar fondet miliardere për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, pas refuzimit të Kongresit për lëvrimin e tyre./abcnews.al

trump-1-1280x720.jpg
ent ela23:00 | 07/02/2019

Ndërsa Kongresi i ka shpallur luftë me hetimet e tij, Senati po i shkon për shtat presidentit Donald Trump. Komisioni gjyqësor ka votuar pro të zgjedhurit të tij për postin e prokurorit të përgjithshëm, i cili flitet se mund të lehtësojë pozitat e kreut të shtetit në lidhje me hetimet mbi ndërhyrjen ruse.

“Persekutim presidencial”. Kështu i ka cilësuar hetimet e nisura nga demokratët në dëm të tij presidenti amerikan Donald Trump. Në reagimin e radhës ndaj nismave të rivalëve politikë, që tashmë kontrollojnë Kongresin, Trump është shprehur: “Demokratët dhe komisionet e tyre hetimore janë një çmenduri”. Por ndërsa Kongresi duket se po i vendos shkopin ndër rrota, Senati po ia lehtëson disi situatën kreut të shtetit. Ditën e enjte, komisioni gjyqësor miratoi të emëruarin e Trump për prokuror të përgjithshëm, Uilliam Bar.

Votimi u krye sipas linjave partiake. Republikanët e vlerësuan Bar si një person të kualifikuar, ndërsa demokratët votuan kundër me argumentin se ai mund të pengojë publikimin e të dhënave të hetimeve mbi ndërhyrjen ruse, që do të jetë dhe testi i pavarësisë së tij nga presidenti Trump nëse konfirmohet përfundimisht.

Vitin e kaluar Bar e kritikoi hetimin e udhëhequr nga Robert Myler, por tha se nëse zgjidhet do të bëjë gjithçka për publikimin e konkluzioneve të tij. Megjithatë, ai nuk premtoi nëse do të mundësojë publikimin e të gjithë dosjes, duke cituar këtu rregulloren e Departamentit të Drejtësisë. Aktualisht Bar punon si avokat korporatash, ndërsa ka mbajtur postin e prokurorit të përgjithshëm në vitet ‘90, gjatë administratës së Bushit të vjetër. /abcnews.al

senati-akademik.jpg
G. P.12:45 | 01/02/2019

Po sot është mbledhur edhe Senati Akademik nën drejtimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni. Në rendin e ditës janë dy pika, e para që ka lidhje me shqyrtimin e materialit të përcjellë nga grupi i punës i ngritur me vendim të Senatit Akademik për të kordinuar vlerësimin e akteve nënligjore të miratuara dhe shqyrtimin e kërkesës së bërë nga një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë.

Një grup i këtyre të fundit prej 3 javësh tashmë janë ngujuar në ambientet e brendshme të Fakultetit dhe kanë arritur që të bojkotojnë krejtësisht mësimin e studentëve të juridikut, të cilët pak ditë më parë gjetën si zgjidhje të vetme vijimin e mësimit gjatë pasditeve në ambientet e gjimnazit “Petro Nino Luarasi”. Studentët e Fakultetit të Drejtësisë kërkesave të tyre i kanë shtuar dhe shfuqizimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Ata kanë zhvilluar deri më tani dy takime me rektorin Koni, por pa gjetur zgjidhje për problemet e ngitura prej tyre./abcnews.al

SINKRON-RAMA-NGUIMI-I-STUDENTEVE.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela16:14 | 14/01/2019

Kryeministri Rama ka përshëndetur deklaratën e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, në lidhje me ngërçin e krijuar në zhvillimin e mësimit në fakultete. Rama në tëitter shkruan se përshendet deklaratën e Senatit duke theksuar se uron që t’i garantohet mësimi një orë e më parë shumicës që po pengohet brutalisht. Më tej Rama në tëitter thekson se kërkesat e studentëve do të përmbushen sipas planit të publikuar dhe do shkohet përtej tyre. Në fund të postimit Rama shkruan se dialogu dhe bashkëpunimi me universitetet do të thellohet. /abcnews.al

VOA-AMBASADORJA-SHQIPTARE-USA-1280x720.jpg
ent ela10:00 | 05/01/2019

Kandidatura e Kathleen Ann Kavalec, e emëruar si ambasadore e SHBA në Tiranë, i është kthyer presidentit Donald Trump. Lajmi i bërë publik nga Zëri i Amerikës, që citon si burim ndihmësit në Komisionin e Senatit amerikan për Çështjet e Jashtme.

Zonja Kavalec u emërua nga Presidenti Trump në korrik 2018 dhe qysh ajo kohë, kandidatura e saj ka qenë në pritje për t’u konfirmuar nga komisioni i senatit.

Zonja Kavalec, ishte parashikuar të dilte në një seancë në senat në muajin shtator, si pjesë e procesit të konfirmimit, por përfundimisht nuk dëshmoi dhe emri ishte hequr nga njoftimi për seancën.

Sipas  Zerit te Amerikes, një javë para seancës emri i saj ishte përmendur në një artikull të gazetës Ëashington Examiner që kishte të bënte me komunikimet e një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë me ish-agjentin britanik Christophet Steele. Ky i fundit u dorëzoi agjencive amerikane të zbulimit një raport për lidhje të mundshme të fushatës Trump me rusët.

Emri i zonjës Kavalec ende figuron në faqen e Shtëpisë së Bardhë si e emëruar për postin.

Sipas rregullave të Senatit, kur koha e pritjes për konfirmim i kalon të 30 ditët, kandidatura i kthehet presidentit. Por  kjo mund të anashkalohet përmes një vote konsensuale në komisionin e çështejve të jashtme të senatit, thekson VOA.

Kandidatura e Kavalec ka qënë një prej rasteve me pritjen më të gjatë për konfirmim nga senati, nënvizon Zëri i amerikës, duke shprehur paqartësi lidhur me arsyen përse kjo kandidaturë nuk është marrë në shqyrtim.

Kavalec njihet si një diplomate karriere, me një përvojë rreth 30-vjeçare si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit, ndërsa më herët ka drejtuar edhe  Zyrën e Punëve Ruse. /abcnews.al

SENATI-UT-MBULIM.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
G. P.17:09 | 12/12/2018

Senati akademik i Universitetit të Tiranës bën të ditur se ky universitet nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provimet e mbartura, pika 4 e VKM nr.288 datë 21 maj 2108, e cila u shfuqizua disa ditë më parë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Senati sqaron se Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të shkollimit dhe ngarkon Bordin e Administrimit të Universitetit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare për Universitetin e Tiranës.

Po ashtu në aktet e brendshme të Universitetit të Tiranës, sipas kësaj deklarate, do të parashikohen rregulla të qarta për pjesëmarrjen e studentëve në veprimtarinë financiare dhe akademike. Universiteti i Tiranës merr përsipër ngritjen e një grupi të përbashkët pune me pedagogë dhe studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura nga studentët./abcnews.al

MISISIPI-REPUBLIKANETB-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
G. P.09:09 | 29/11/2018

Në Misisipi ka fituar kandidatja Republikane për karriken e senatit që ishte në diskutim. Në këtë mënyrë partia e vjetër fuqizon edhe më tej maxhorancën në Senat kundrejt demokratëve. Senatorja Hyde-Smith njihet për qëndrimet e saj ekstreme dhe për mbështetjen ndaj presidentit Trump.

Vala blu në Misisipi është zbehur. Në balotazhin për karriken e Senatit në Shtetet e Bashkuara ka triumfuar kandidatja republikane e së djathtës ekstreme e mbështetur nga presidenti Donald Trump, Cindy Hyde-Smith. Ajo mori mbi 54% të votave kundër 45% të rivalit democrat afroamerikan Mike Epsy. Kjo ishte sfida e fundit e zgjedhjeve amerikane të gjysëm mandatit që rikonfirmuan Dhomën e Përfaqësuesve për demokratët dhe një maxhorancë të gjerë në senat për Republikanët, 53 karrike nga 100 që janë gjithsej.

Fitorja e Hyde-Smith, e konsideruar një test lidhur me mbështetjen ndaj Trump dhe racizmit në jug të SHBA-ve, sinjalizon që kthimi nga e djathta e kandidatëve mund të kalojë në ekstremizëm. Për të ndihmuar senatoren Hyde-Smith, presidenti Trump mbajti dy tubime në vigjilje të votimit në Misisipi, duke sulmuar karvanin e emigrantëve, duke mbrojtur përdorimin e gazit lotësjellës kundër klandestineve dhe duke I përkufizuar hetimet për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet amerikane si “gjueti shtrigash”.

Gjysmë shekulli pas miratimit të “Ligjit mbi të Drejtat Civile” dhe “Aktit të të Drejtave të Votimit” dhe pas zgjedhjes së presidentit të parë me ngjyrë në historinë amerikane, Barak Obama, rezultati I votimit në Misisipi tregon se nuk ka hapësirë për kandidatët e bardhë të moderuar në jugun e thellë të Shteteve të Bashkuara. Në shtetin që mburret me numrin më të madh të linçimeve midis 1882 dhe 1968, Hyde-Smith gjatë fushatës zgjedhore nuk hezitoi të bënte një shaka shokuese duke thënë se ishte gati të rrinte “në rreshtin e parë” në rastin e ndonjë “varjeje publike”. Ajo më pas kërkoi falje duke pranuar se dikush mund të ishte ofenduar, pasi videoja me deklaratën e saj u bë virale. Ndërkohë, senatorja është një mbështetëse e zjarrtë e Trump dhe gjithmonë ka votuar në favor të presidentit duke ndarë linjën e ashpër ndaj emigrantëve, duke mbështetur politikën për armët dhe atë kundër abortit si dhe ka simpati për nacionalizmin e bardhë./abcnews.al

MBULIM-FRANCE-SPIUNI-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.05-1280x659.jpg
G. P.18:55 | 27/11/2018

Agjentët e shërbimit francez të inteligjencës arrestuan Benua Kuenedi, një funksionar i senatit francez dhe president i shoqatës për miqësinë franko-koreane. Sipas mediave franceze, që citojnë burime të policisë, Kuenedi akuzohet se i ka dhënë informacione të rezervuara Koresë së Veriut. Për momentin nuk janë publikuar informacione zyrtare për rastin./abcnews.al

SHBA-KANDIDATI.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela23:10 | 28/09/2018

Senatorët republikanë në Senatin amerikan kanë mbështetur emrin e zgjedhur nga presidenti Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme. Por përballë akuzave për agresion seksual, senatorët kanë lënë të hapur mundësinë që FBI të hetojë gjyqtarin Bret Kavanah.

Një panel i Senatit amerikan ka kaluar të premten me 11 vota pro dhe 10 kundër kandidaturën e zgjedhur nga presidenti Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara. Por me një lëvizje të papritur, senatori republikan Xhef Flejk i bëri thirrje FBI-së që të hetojë akuzat për agresion seksual të ngritura ndaj gjyqtarit, një lëvizje kjo që mund të vonojë me 1 javë konfirmimin e tij në krye të instancës më të lartë gjyqësore. Por ende është e paqartë nëse hetimi do të bëhet pasi do të jetë sërish Senati që do të votojë, në një kohë kur demokratët e mbështesin një proces të tillë dhe republikanët e kundërshtojnë.

“Këtë do t’ia lë Senatit në dorë, ata i marrin vendimet. Deri tani kanë bërë një punë shumë të mirë dhe profesionale”, ka reaguar Trump ndaj kërkesës së senatorit Flejk.

Nga zyra Ovale, presidenti republikan ka insistuar për emërimin e Kavanah duke thënë hapur se në asnjë moment nuk e ka menduar zëvendësimin e tij. Republikanët kanë një mazhorancë 51 me 49 vende në Senat dhe ende nuk dihet nëse ata mund të sigurojnë të paktën 50 vota për të konfirmuar emërimin e gjyqtarit.

Një ditë më parë Kavanah dhe Kritstin Ford dëshmuan në një tjetër panel të Senatit në lidhje me akuzat për agresion seksual. Ford konfirmoi variantin e saj duke thënë se ishte 100 për qind e sigurtë për praninë e gjyqtarit në dhunimin e 36 viteve më parë dhe se kishte patur frikë mos e vrisnin. Duke reaguar, herë me pasion dhe herë duke u përlotur, Kavanah hodhi poshtë në mënyrë kategorike akuzën dhe tha se nuk kishte bërë kurrë një veprim të tillë. /abcnews.al

SHBA-SENATI-MBULIM.mpg_snapshot_00.01-1280x766.jpg
ent ela10:45 | 19/09/2018

Senati amerikan ka miratuar të martën me shumicë votash paketën e shpenzimeve, që i mundëson qeverisë federale të jetë në detyrë deri më 7 dhjetor. Votimi me 93 vota pro dhe 7 kundër ka bërë që të shmanget përsëritja e një bllokade të shërbimeve qeveritare, sikurse ndodhi në fillim të vitit. Paketa e shpenzimeve kap shifrën e 855 miliardë dollarëve dhe përfshin shërbimet për punësimin, shëndetësinë, arsimin dhe mbrojtjen.

Kjo e fundit ka edhe pjesën e luanit prej 675 miliardësh, që do të menaxhohen nga Pentagoni. Për t’u kthyer në ligj paketa duhet të marrë konsensusin e Dhomës së Përfaqësuese, që mund të mblidhet vetëm pas 25 shtatorit dhe më pas të firmoset nga presidenti Donald Trump./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono