senat

kennedy.jpg
ad min18:18 | 18/08/2019

Pavarësisht tragjedive të vazhdueshme që i kanë ndodhur në jetë, familja e famshme amerikane Kennedy duket e vendosur të mos tërhiqet nga skena politike. Joe  Kennedy i Treti, nip i Robert Kennedy-t, ka shprehur ambicien për të garuar për Senatin në vitin 2020.

Një tjetër anëtar i klanit Kennedy mund të zbresë në fushë dhe të synojë Senatin amerikan. 38-vjeçari Joe Kennedy i Treti, nip i Robert Kennedy, po shqyrton mundësinë për të sfiduar në zgjedhjet e 2020-s senatorin demokrat të shtetit Masaçusets, Ed Merkej.

Lajmin e bën të ditur “Nju Jork Tajms” që citon disa burime konfidenciale, sipas të cilave vendimi do të merret së shpejti. Sipas tyre, Joe Kennedy është i interesuar për Senatin dhe ka tashmë shumë mbështetës që e përkrahin.

Gjithashtu, në rrjetin social Facebook është hapur para pak ditësh profili i një grupi të quajtur “Hidhu në garë, Xho”, ku mbështetësit shpjegojnë se Senati amerikan ka nevojë për një lider aktiv dhe progresist, për t’u përballur me taktikat e liderit të republikanëve, Mitch Mçonell.

Nëse fiton garën me Merkej, Joe do të jetë Kennedy i katërt që shërben në Senat, pas parardhësve të tij Robert, John dhe Ted Kennedy. Mediat amerikane shkruajnë se një përballje eventuale mes dy ligjvënësve të Masaçusetsit do të ishte gara e profilit më të lartë në radhët e demokratëve dhe njëkohësisht një test për atë që njihet si garda e vjetër e partisë.

Gjithashtu, kontesti do të kthehej në një lloj “larjeje hesapesh” mes pasardhësit të një prej familjeve më të famshme amerikane dhe një prej figurave politike të instaluara prej më shumë se 4 dekadash në politikën e Masaçusetsit./ABC News Albania 24/7

sekretari.jpg
ad min23:15 | 18/06/2019

Administrata amerikane ka humbur të martën një copëz të rëndësishme të saj në një kohë tensionesh në Lindjen e Mesme. Bëhet fjalë për sekretarin në detyrë të Mbrojtjes, Patrik Shejnahahn, i cili është tërhequr nga posti pas zërave për dhunë në familje.

Sekretari në detyrë i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, Patrik Shejnahan ka hequr dorë nga mundësia për të mbajtur zyrtarisht postin e kreut të Pentagonit. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti Donald Trump, konfirmim që ka shkaktuar pasiguri sa i takon lidershipit të institucionit në një kohë tensionesh në Lindjen e Mesme. Tërheqja e Shejnahan ka ardhur pas zërave për dhunë në familje mes tij, ish-bashkëshortes dhe të birit. Lajmi për incidentet doli në dritë pasi FBI nisi hetimet paraprake mbi to në prag të seancës së konfirmimit që do të mbahej në Senat. Ndërkohë, presidenti Trump ka deklaruar se sekretari për Ushtrinë, Mark Esper do të emërohet si sekretar i përkohshëm i Mbrojtjes.

Esper, një personazh tej mase i respektuar në ambientet e Pentagonit, konsiderohej një emër kyç për këtë post në rast se Shejnahan nuk do të konfirmohej. Tani, vendimi i papritur ka gjasa që të zgjasë më tej atë që ka qenë periudha më e gjatë pa një sekretar të konfirmuar të Mbrojtjes. Ndërkohë, kritikët kanë ngritur dyshime se largimi ka ardhur pasi Shejnahan, pa një konfirmim zyrtar, nuk kishte asnjë pushtet për t’u përballur me Trump në rast mosmarrëveshjesh mbi strategjitë ushtarake. Ish-shefi ekzekutiv i kompanisë “Boeing” nuk ka patur më parë eksperiencë në çështjet e sigurisë kombëtare. Ai u zgjodh pas largimit të sekretarit të Mbrojtjes, Xhim Metis, pas kontrasteve me Trump për Afganistanin dhe Sirinë./ABC News Albania 24/7

junior.jpg
ad min23:59 | 12/06/2019

Komisioni i Senatit amerikan që vazhdon të hetojë ndërhyrjen e përfolur ruse në politikën amerikane ka thirrur për të dëshmuar djalin e madh të presidentit Trump. Në përfundim të seancës, Donald Trump Junior ka deklaruar se nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin e tij.

Donald Trump Junior, djali i madh i presidentit të Shteteve të Bashkuara, u paraqit të mërkurën në komisionin për shërbimet sekrete të Senatit amerikan, për të dëshmuar në një seancë me dyer të mbyllura në lidhje me ndërhyrjen ruse.

Konkretisht, intervista ka patur në fokus investimin privat të familjes Trump në Moskë dhe takimin e përfolur me një avokate ruse që pretendonte se kishte material që mund të ndihmonte presidentin Trump në zgjedhjet e 2016-s.

“Nuk mendoj se kam ndryshuar diçka në qëndrimin tim, sepse nuk ka patur asgjë për të ndryshuar”, deklaroi Trump Junior pas seancës.

Ai u shpreh i kënaqur që kjo çështje është mbyllur dhe sqaruar, si nga ana e tij ashtu edhe nga komisioni. I pyetur nga mediat nëse druhet se ka bërë një dëshmi të rremë, ai u përgjigj shkurt: “Aspak”.

Komisioni i Senatit për shërbimet sekrete, që udhëhiqet nga senatori republikan Riçard Burr, po kryen një hetim dypartiak mbi ndërhyrjen ruse në politikën amerikane, përfshirë këtu zgjedhjet presidenciale të tre viteve më parë.

Hetimi i Senatit vazhdon edhe pse hetuesi i posaçëm Robert Mueller e ka mbyllur hetimin e tij lidhur me marrëdhëniet e përfolura të stafit të Trump me rusët gjatë fushatës dhe nëse presidenti pengoi drejtësinë në hetime./ABC News Albania 24/7

SENATI-BORDELLO_ABCM2-T1.mpg_snapshot_00.22-1280x832.jpg
ad min13:40 | 07/11/2018

Pronar i një shtëpie publike, yll i një program zbavitës televiziv, 72 vjeçari Denis Hof, ka fituar një vend në senatin amerikan. Por republikani Hof ka ndërruar jetë në muajin tetor.

Dennis Hof, pronar i një shtëpie publike, dhe yll i një reality Shou ka fituar një vend në asamblenë shtetërore të Nevadës në zgjedhjet e mes mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ai nuk mund të marrë vendin e tij sepse ka ndërruar jetë. Hof, nga rradhët e republikanëve, ndërroi jetë në 16 tetor në moshën 72 vjecare.
Gjatë fushatës së tij elektorale, 72 vjeçari pronar i “Moonlight Bunny Ranch” cilësohej si Tramp i Pahrump, qytezës nga Nevada. Meqënëse ai nuk jeton më, vendi i tij do i jepet një republikani tjetër. kreu i fushatës së tij elektorale Çak Math u shpreh se shpresonte që Hof ti mbështeste nga lart, tashmë që nuk jeton më./abcnews.al

TRUMP-GAZETARI.mpg_snapshot_00.00-1280x1016.jpg
ad min21:50 | 31/10/2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, është pritur me protesta në vizitën e tij për të nderuar 11 viktimat e sulmit të sinagogës në Pittsburgh. Gjithashtu vizita e tij është bojkotuar edhe nga të gjithë liderët politikë, republikanë dhe demokratë.

Është pritur me një kor protestash presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka dashur të shkojë me çdo kusht në Pittsburgh, në Pensilvani, për t’I bërë homazhe viktimave të sulmit të së shtunës në sinagogë. Por komuniteti hebre dhe qindra manifestues të tjerë e kanë pritur me vërshëllima. Trump ishte i shoqëruar nga zonja e parë Melania, e bija Ivanka dhe dhëndrri Jared Kushner, të dy këta të fundit të besimit hebre.

“President i urrejtjes … largohu nga shteti jonë”, “Trump, gënjeshtrat vrasin. Fjalët kanë rëndësi”: këto ishin disa nga pankartat e shkruara nga protestuesit.

Akuza është që me tonet e tij të dhunshme, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka inkurajuar antisemitizmin. Gjatë mbërritjes në qytetin amerikan, presidenti nuk u prit nga kryebashkiaku, demokrati Bill Peduto, i cili nuk ka pranuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë. Trump është injoruar edhe nga eksponentë të tjerë politikë.

Lideri i mazhorancës në Senat, republikani, Mitch Mçonnell, kryetari i dhomës së deputetëve, Paul Ryan, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, dhe ajo e dhomës së deputet ëve Nancy Pelosi, u ftuan të gjithë për t’iu bashkuar presidentit, por nuk kanë pranuar ftesën. Trump dhe Melania, të shoqëruar nga drejtuesi i sinagogës, vizituan memorialin e improvizuar në afërsi të godinës së kultit. Presidenti amerikan ndezi qirinj dhe vendosi nga një gurë të vogël në secilin memorial./abcnews.al

v.png
ad min23:59 | 04/10/2018

Senatorët amerikanë janë përplasur të enjten në lidhje me raportin e FBI-së që hetoi akuzat për agresion seksual ndaj kandidatit të presidentit Trump për Gjykatën Supreme. Për republikanët, raporti nuk cënon figurën e Bret Kavanah, ndërsa për demokratët hetimi ishte i mangët.

Raporti i FBI-së mbi të zgjedhurin e Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara ka përplasur anëtarët e Senatit amerikan. Pas mbikëqyrjes së raportit, demokratët kanë deklaruar se ai është i paplotë; ndërsa republikanët janë shprehur se dokumenti nuk vërteton asnjë nga akuzat e bëra ndaj Bret Kavanah.

Kryetari i komisionit të drejtësisë, Çak Grejslli tha se hetimi i FBI-së nuk konstaton asnjë sjellje që mund të cënojë figurën e Kavanah. Edhe Xhef Flejk dhe Suzan Kollins, të njohur si senatorët e moderuar e që kishin mbështetur hetimin e FBI-së, deklaruan njëzëri se raporti nuk përmban asnjë element shtesë dhe tregon se hetimi ka qenë tërësor.

Nga ana tjetër, demokratët ngritën shqetësimin se hetimi ka qenë i cunguar dhe dëshmitarët kryesorë nuk janë marrë në pyetje. Dajen Feinshtejn e cilësoi hetimin të paplotë dhe theksoi se raporti nuk përmban pjesën thelbësore të procesit.

Votimi për konfirmimin e Kavanah mbahet të shtunën dhe mbështetja e figurës së tij të do të ishte një fitore për presidentin Trump dhe grupin e tij parlamentar, në një kohë kur po afrojnë zgjedhjet e nëntorit.

Republikanët kanë një mazhorancë 51 me 49 në Senat, por shumica për konfirmimin e kandidatit nuk është e sigurtë. 9 anëtarët e Gjykatës Supreme marrin mandat të përjetshëm dhe luajnë një rol kyç për çështjet më jetike të Shteteve të Bashkuara, nga aborti tek kontrolli i armëve./abcnews.al

itali-qeveria-1.jpg
ad min22:47 | 05/06/2018

Qeveria e Giuseppe Conte ka marrë votëbesimin në Senatin e Italisë. Në fjalimin që i parapriu votimit, kryeministri i ri ka përjashtuar opsionin e daljes së Italisë nga euro, por i ka mëshuar reformimit të politikave ekonomike.

Senati italian i ka dhënë mbrëmjen e së martës votëbesimin qeverisë së Giuseppe Conte. Nga 324 vota, 171 kanë qenë pro, 117 kundër dhe 25 abstenim. Në fjalimin e tij, kryeministri Conte ka garantuar senatorët për vazhdimin e marrëdhënieve të Italisë me Bashkimin Europian.

“Dalja nga euro nuk është pjesë e diskutimeve tona. Por ne do të diskutojmë politikat ekonomike”, ka deklaruar Conte.

Ai u ka dhënë përgjigje edhe kritikave se flet sikur të ishte në fushatë elektorale.

“Ndoshta sepse nuk jeni mësuar të shihni gjërat e përmendura gjatë fushatës të përmbledhura në një program qeverisës”, u ka thënë ai senatorëve skeptikë.

Në këtë moment kreu i qeverisë është ndërprerë nga një ovacion i fortë dhe është dashur ndërhyrja e kryetares së Senatit për të vënë situatën nën kontroll.

“Lëreni të flasë. Nuk jemi në stadium”, ka thënë Elizabeta Alberti Kazelati.

Në fjalimin e gjatë 75 minuta, Conte ka konfirmuar pikat e kontratës qeverisëse mes Ligës së Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet. Gjithashtu, ai ka konfirmuar përkatësinë e Italisë në NATO, por edhe orientimin e politikës së jashtme drejt Moskës. Lufta kundër mafias ka qenë një tjetër pikë në fokusin e tij.

“Kjo është një kontratë që mbron qytetarin. Për vendin tonë, tashmë fryn një erë e re”, ka thënë Conte./abcnews.al

gina-haspelll-e1526627642282.jpg
ad min09:56 | 18/05/2018

Senati amerikan konfirmoi zonjën Gina Haspel si drejtoren e re të CIA-s. Ajo është gruaja e parë që shërben në këtë post. Emërimi i zonjës Haspel për të drejtuar agjencinë e spiunazhit ringjalli një debat rreth praktikave tashmë të ndaluara të torturës.

Ajo u konfirmua pasi disa demokratë iu bashkuan shumicës republikane duke thënë se ata do ta mbështesnin kandidaten e paraqitur nga Presidenti Donald Trump.

Udhëheqësi i shumicës republikane, Mitch Mçonnell, arriti të bindte anëtarët ta miratonin emërimin e zonjës Haspel megjithë disa kundërshtime, duke përfshirë senatorin John Mçain, i cili u kishte bërë thirrje kolegëve ta hidhnin poshtë atë.

Republikanët vlerësuan karrierën 33-vjeçare të zonjës Haspel në CIA, nga operative në shumë vende të botës e deri tek emërimi për të shërbyer si drejtoresha e parë grua e agjencisë./abcnews.al

 

olta-xhaccka.jpg
ad min15:06 | 17/04/2018

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis. Ajo u prit në takime të veçanta nga senatori Tom Cotton dhe kongresmenët Matt Gaetz dhe Jim McGovern në Capitol Hill.
Ministrja vlerësoi mbështetjen e SHBA-ve për reformën në drejtësi. Ndërkohë me senatorin Tom Cotton dhe kongresmenët Matt Gaetz e Jim McGovern Xhaçka diskutoi mbi partneritetin strategjik mes SHBA dhe Shqipërisë, si dhe mbështetjen e qeverisë amerikane për Forcat tona të Armatosura.
Gjatë qëndrimit të saj në Washington, ministrja u takua edhe me përfaqësues të kompanisë amerikane, elitë në industrinë ushtarake në botë, Lockheed Martin. Me këtë kompani, qeveria shqiptare ka lidhur kontratë për blerjen e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore shqiptare./abcnews.al

italia-4.jpg
ad min15:28 | 24/03/2018

Italia ka një kryetar të ri Parlamenti, Roberto Fico, i Lëvizjes Pesë Yjet, ndërsa senati do të drejtohet nga Elizabeta Kaselati e Forza Italia. Por partitë politike në vend nxituan të komentojnë se kjo nuk nënkupton se do të ketë një kombinim të tillë dhe për qeverinë e re.

Roberto Fico, i Lëvizjes Pesë Yjet, është kryetari i ri i Dhomës së Deputetëve në Itali pasi mori 422 vota pro në bazë të marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes dhe qendrës së djathtë. Ndërsa në krye të Senatit do të jetë një grua, Maria Elizabetta Kasellati, emër i propozuar nga Silvio Berlusconi për qendrën e djathtë dhe që u mbështet nga Lëvizja Pesë Yjet në raundin e katër të votimit, duke i dhënë 420 vota pro. Kasellati në këtë mënyrë ëshët gruaja e parë që drejton senatin në Itali

Në deklaratën e tij të parë për media, kryetari i ri i Parlamentit Fico u shpreh se vendimet përfundimtare duhet të jenë të pjekura dhe se ai nuk do të bëjë asnjë lloj lëshimi në debatet parlamentare. Ndër të tjera ai premtoi se një nga objektivat kryesorë mbetej shkurtimi i shpenzimeve të politikës.

Ndërsa nga ana e saj, Kasellati falenderoi Presidentin e Republikës Italiane, i cili, sipas saj, është simboli i unitetit. Maria Elisabetta Alberti Casellati në Senat dhe Roberto Fico në Dhomën e Deputetëve janë rezultat i një mbërmjeje të gjatë debatesh në negociatat mes qendrës së djathtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet. Negociata që sipas të pranishmëve kanë qenë me tone të larta. Por të dyja palët kanë theksuar se kjo marrëveshje nuk nënkuton se do të ketë një të ngjashme dhe për krijimin e qeverisë së re./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono