sekuestro

POLICIA-ELBASAN-1280x960.jpg
nev ila17:21 | 24/07/2019

Tjetër sekuestrim i pasurive në Elbasan. Pas ditës së djeshme ku Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Elbasan vendosën sekuestro preventive të pasurisë prej 500 mijë euro të Klement Çalës, i cili dyshohet si një prej grabitësve të Rinasit, edhe sot është vendosur tjetër sekuestro për pasurinë e një 33 vjeçari me iniciale M.K.

Sipas policisë sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme të 33 vjeçarit, u vendosën pasi dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Njoftimi i policisë:

“Finalizohet operacioni “Invest”, për sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal

Vendoset sekuestro preventive ndaj pasurive të paluajtshme në pronësi të 33-vjeçarit, që arrijnë vlerën e rreth 700 000 Eurove.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të hetimit të procedimit penal të regjistruar pranë kësaj Prokurorie, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë paradites së sotme u finalizua operacioni policor i koduar ” Invest”, për vendosjen e sekuestrove preventive ndaj pasurisë së 33-vjeçarit M. K.,

Në kuadër të operacionit u kryen veprimet procedurale dhe u vendos sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si më poshtë:

-1 apartament me sipërfaqe 350 m2
-1 truall me sipërfaqe 5000 m2.
-1 ndërtesë 200 m2
-1 automjet

Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato arrijnë vlerën e rreth 700 000 Eurove.
Në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, po vijojnë hetimet dhe verifikimet, për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi.
Policia e Shtetit është e vendosur për të gjurmuar, evidentuar dhe sekuestruar çdo pasuri a vlerë monetare, që rrjedh nga aktivitet kriminal“./abcnews.al

policia-e-vlores.jpg
ad min17:11 | 27/06/2019

Sekuestrohen disa pasuri në Vlorë me vlerë rreth 1.5 milionë euro që dyshohet se janë përfituar nga aktivitete të paligjshme. Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur masën e sekuestros preventive për disa objekte në pronësi të Maks Merkaj të cilat janë 5 apartamente banimi, 1 vilë trekatëshe, 1 mjet lundrimi, anije peshkimi dhe  4 automjete.

Mësohet se Merkaj është arrestuar vitin e kaluar për grup të strukturuar kriminal dhe shfrytëzim prostitucioni ne Itali. Aktualisht ndodhet në burgun e Vlorës dhe pret për t’u ekstraduar  në shtetin fqinj./ABC News Albania 24/7

Policia-e-Tiranes-1280x662.jpg
ent ela13:38 | 07/03/2019

Pasuri me vlerë 2,2 milionë euro të dy vëllezërve janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Tiranës. Ata po hetohen për pastrim parash sipas ligjit antimafia, pasi dyshohet se këto pasuri burojnë nga aktivitete të paligjshme.

Ky është Armando Gorezi, të cilit iu sekuestrua me vendim të  Gjykatës së Tiranës, apartamente, garazhe, restorante para kesh.

Të ardhurat dyshohet se kanë rrjedhur nga aktivitetet kriminale jashtë vendit të Armandos dhe vëllait të tij Alket Gorezi, përkatësisht 44 dhe 47 vjeç. Burime nga policia e kryeqytetit pohojnë se paratë dyshohen se kanë si origjinë trafikun e narkotikëve dhe të shfrytëzimit të prostitucionit në Itali.

Armando Gorezi u arrestua në vitin 2015, në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për vrasjen e Indrit Kuçit në vitin 2011 në Torino. Prej asaj kohë ai ndodhet në burg në Itali. Pronat e tyre në Shqipëri tashme administrohen nga vëllai tjetër Alket Gorezi.

Pronat për të cilat u vendos sekuestro preventive janë 9 apartamente, dy dyqane dhe një garazh, në Tiranë dhe Durrës. Sipas uniformave blu, vlera e pasurive të sekuestruara arrin 2.2 milionë euro.

Sipas të dhënave të QKB, Armadno Gorezi rezulton pronar i një bar-restoranti në zonën e Yzberishtit në kryeqytet. Hetimet ndaj vëllezërve Gorezi, me origjinë nga qytetit i Beratit kishin nisur në vitin 2018 nga Prokuroria e Tiranës./abcnews.al

Policia-LEzhe-1.jpg
ent ela10:41 | 24/01/2019

Një 50-vjeçareje nga Lezha dhe babait të saj i janë sekuestruar llogari bankare me rreth 5. 2 milionë Euro dhe pasuri të patundshme në Lezhë dhe në Tiranë. Mësohet se paratë vinin nga Zvicra dhe dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Miliona Euro llogari  bankare dhe pasuri të patundshme janë sekuestruar me vendim të Gjykatës të Lezhës. Rreth 5.2 milionë Euro të cilat ishin të depozituara në një banke të nivelit të dytë në Lezhë, 7 apartamente në këtë qytet dhe disa apartamente në Tiranë janë në pronësi të një gruaje 50-vjeçare, shtëpiake dhe babai të saj 83-vjeçar.

Hetimet nisën menjëherë pasi në llogaritë e hapura nga Shqipe Pali mbërritën nga Zvicra në një kohë të shkurtër, shuma të medha parash. Pasi tërhiqeshin nga banka, me këto para 500vjeçarja sëbashku me të atin Pjetër Voci blinin prona të paluajtshme. Kaq ka mjaftuar që mbi llogaritë e hapura të vendosej sekuestro si dhe mbi apartamentet në Lezhë e Tiranë. Sipas burimeve të ABC News dyshohet se paratë janë dërguar nga kunati dhe vëllai i Shqipes që jetonin në Zvicër.

Policia ka nisur hetimet dhe po bashkëpunon me homologët në Zvicër për të mësuar prejardhjen e parave të sekuestruara. Ato dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Ndaj me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj, gjykata e rrethit gjyqësor Lezhë ka vendosur sekuestrimin e llogarisë në bankë dhe të pasurive të patundshme./abcnews.al

policia-sekuestro.jpg
ent ela11:13 | 02/12/2018

Shqetësimet e shumta të qytetarëve të denoncuara në numrin 112 dhe rrezikshmëria e lartë për jetën që vijnë nga kapsollat apo mjetet piroteknike kanë vënë në lëvizje Policinë e Shtetit prej disa ditësh duke zhvilluar kontrolle të imtësishme në tregje dhe biznese që tregëtojnë këto lëndë plasëse të rrezikshme.

Vetëm gjatë orëve të fundit policia ka kontrolluar 1136 subjekte dhe tregje të shumicës duke sekuestruar 643  kapsolla, si dhe 487 fishekzjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën.

Kontrollet janë përqëndruar edhe në verifikimin e plotësimit të masave shtesë të sigurisë, si kamera dhe fikse zjarri.  Policia e Shtetit në kuadër të këtij plani masash iu ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të mos tregëtojnë kapsolla apo lëndë piroteknike si dhe të  plotësojnë kushtet dhe kriteret për magazinimin dhe tregtimin e lëndëvë piroteknike dhe fishekzjarreve, konform ligjit. Policia u ka bërë thirrje dhe qytetarëve dhe prindërve që të mos lejojnë fëmijët të bien në kontakt me këto lëndë të rrezikshme. /abcnews.al

SHKELQIM-MIRI-SEKUESTRO-1280x720.jpg
ent ela18:15 | 19/09/2018

Ndonëse prokuroria urdhëroi heqjen e sekuestros për 30 milionë lekët e gjetura në banesën e ish-gjyqtarit të akuzuar për “korrupsion”, Shkëlqim Miri, i pandehuri nuk mund t’i shpëtojë paratë. ABC News ka mësuar se në 9 gusht 2018, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sekuestros mbi këtë shumë, për llogari të hetimit pasuror të nisur ndaj Mirit, bazuar në ligjin “Antimafia”. 

Gjatë leximit të pretencës në seancën gjyqësore të së hënës ndaj Shkëlqim Mirit, ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë të akuzuar për “korrupsion”, prokuroria urdhëroi heqjen e sekuestros për gati 30 milionë lekë të rinj cash të gjetura në banesën e tij.

Por kjo nuk do të thotë se ekziston mundësia që paratë t’i kthehen gjyqtarit të pandehur. “ABC News” ka mësuar se shumë prej 175 mijë euro, 1 mijë USD dhe 9.6 milionë lekë është sekuestruar për llogari të një procedimi paralel për hetimin pasuror të nisur ndaj ish-gjyqtarit bazuar në ligjin “Antimafia”.

Kërkesa e Prokurorisë për Krimet e Rënda për sekuestron e kësaj shumë është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në 9 gusht 2018.

Sipas burimeve, Gjykata ka vendosur pezullimin e pasojave të zbatimit të masës së sekuestrimit, derisa trupa që po gjykon akuzën për “korrupsion” të gjyqtarit të ketë shpallur një vendim përfundimtar.

Deri në dhënien e një vendimi final nga Shkalla e Parë, Prokuroria vijon veprimet hetimore në lidhje me verifikimin e burimit të parave të gjetura në banesën e të pandehurit Miri.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ish-gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri ka marrë 30 mijë euro rryshfet nga i afërmi i tij Kujtim Miri me qëllim dhënien e një vendimi të favorshëm për një person të akuzuar për një vrasje të dyfishtë në vitin 1997 në Burrel. Në përfundim të gjykimit, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të Shkelqim Mirit dhe dënimin e tij me 4 vjet burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 2 vjet e 8 muaj. Po ashtu, prokuroria kërkoi konfiskimin e shumës prej 30 mijë euro, që dyshohet të ketë qenë rryshfeti i marrë nga gjyqtari. /abcnews.al

KRONIKE-APELI-PER-PASURINE-E-LLALLES-ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.12-1280x695.jpg
ent ela19:09 | 09/08/2018

Mbeten nën sekuestro pronat e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Në një seancë të zhvilluar pa praninë e vetë Llallës dhe të mbrojtësit të tij ligjor, por me një avokat, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda la nën sekuestro 1 apartament në Durrës dhe të 3 trojeve në pronësi të ish-kreut të akuzës, prona këto me vlerë rreth 1 miliard lekë të vjetra, të sekuestrua në 23 korrik po me vendim gjykate.

Pasuritë e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla do të vijojnë të jenë të sekuestruara. Vendimi u mor nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, e cila ne një seancë të zhvilluar rreth orës 15:00 të së enjtes rrëzoi kërkesën e avokatit të ish-kreut të organit të akuzës për heqjen e sekuestros preventive të disa pasurive që shkojnë në vlerën e 1 miliard lekëve të vjetra. Vendimi për të mbajtur pronat nën sekuestero u dha nga gjyqtari Idriz Mulkurti, ndërsa në sallë nuk ishte as ish-Kryeprokurori dhe as avokati i tij sokol Hazizaj, i cili i tha ABC News se është aktualisht i larguar me pushime jashtë vendit. Në këto kushte, mësohet se Gjyqtari i gatshëm ka kërkuar që pala ankimuese të përfaqësohej në seancë nga një avokat kryesisht.

Tashmë ish-Prokurori i Përgjithshëm mund t’i drejtohet Gjykatës së Lartë, për të kërkuar heqjen e sekuestros preventive të një apartamenti në Durrës dhe mbi 22 mijë metra katrorë tokë arë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Vetëm pak ditë më parë, me 23 korrik Prokuroria për Krimet e Rënda i ka dha një zhvillim të papritur hetimit të nisur ndaj ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, kur Gjykata e Krimeve vendosi nën sekuestro disa pasuri të Llallës, që në total kapin vlerën e gati 1 miliardë lekëve të vjetër. Pasuritë në fjalë përbëhen nga një apartament në Durrës dhe katër troje në Tiranë. Kërkesa e prokurorëve të Krimeve për ngrirjen e pasurisë së ish-shefit të tyre, Llalla, erdhi për shkak të krijimit të dyshimeve se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të tij janë produkt i veprave penale për të cilat ai akuzohet.

Kjo lëvizje e fortë e Prokurorisë erdhi në muajin e katërt të hetimit të nisur ndaj Llallës. Ish-kryeprokurori dyshohet të ketë konsumuar katër vepra penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurise”, “mosdeklarim të shumave të të hollave në kufi”, “pastrim parash” dhe “shpërdorim të detyrës”. Procedimi penal ndaj tij u regjistrua në 15 mars 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më tej hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Pas përfundimit të mandatit të kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqje nga detyra vendim që e shpëtoi atë edhe nga procesi i Vettingut./abcnews.al

poliii.jpg
ad min14:06 | 16/07/2018

Antikrimi i policisë së Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë sekuestruar 293.000 euro, të dyshuara si fitime nga veprimtaria kriminale. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se për këtë vlerë është bërë e mundur sekuestro preventive mbi 4 llogari bankare të shtetasit italian V.L. Ky person dyshohet për kryerjen e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë për veprimet e mëtejshme./abcnews.al

vlcsnap-error607-1280x720.jpg
ent ela12:24 | 05/02/2018

Gjykata e  Apelit për Krimet e Rënda e vlerësoi të vlefshëm dhe e la në fuqi vendimin e shkallës së parë për sekuestrimin e pasurisë së Kelmend Balilit.

Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata vendosi me kërkesë të prokurorisë së krimeve të rënda, vënien nën sekuestro të gjitha bizneseve dhe pronave te Klement Balilit, si Santa Quaranta,  restorante, toka dhe prona të tjera të familjes.

Ky  vendim i gjykatës së shkallës së parë u apelua nga familja e Balilit, por edhe Gjykata e apelit të Krimeve të Rënda e ka lënë sot në fuqi këtë vendim.

Klement Balili është shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike. Dyshohet se këto pasuri janë vënë me të ardhura që burojnë nga ky aktivitet kriminal.

Balili është ende në arrati, por prokuroria e Krimeve të Rënda vazhdon hetimet ndaj tij./abcnews.al

 

vlcsnap-error755-1-1280x720.jpg
ad min12:10 | 26/12/2017

Gjykata e Apelit të krimeve të rënda shtyu për në 9 janar shqyrtimin e ankimimit të vendimit të shkallës së parë për sekuestrimin e pronave të familjes së Klement Balilit. Shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e avokates së familjes Balili, për të pasur më shumë kohë në dispozicion në mënyrë që të njihet me aktet e dosjes.

Gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vendosur në sekuestro preventive kompleksin e njohur Santa Kuaranta dhe 20 apartamente që ishin pronë e Balilit dhe familjes së tij, me dyshimin se ishin përfituar nga aktivitete kriminale, si trafiku i drogës.

Në 24 nëntor dhjetra forca policore shkuan në hotelin e njohur në Sarandë, pronë e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Klement Balili, për ta vënë nën sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono