seance degjimore

LAJME-20-00001.mpg_snapshot_03.18-1280x720.jpg
ent ela21:22 | 12/09/2019

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe i ftuar në studion e  Mbrëmjë në ABC News të Mirela Milorit ka folur për situatën politike në vend, seancën dëgjimore me presidentin Ilir Meta, shqetësimin e opozitës së re parlamentare dhe luftën kundër informalitetit.

I pyetur nëse ishte në dijeni qeveria që mund të digjej parlamenti gjatë protestës së opozitës në 8 qershor, Braçe deklaroi se nuk ka akses në informacione të klasifikuara.

Milori: Ka patur dijeni qeveria juaj që ekziston një informacion që mund të digjej parlamenti gjatë protestës?

Braçe: Nuk kam akses në informacione të klasifikuara dhe as jam interesuar ndonjëhërë për të pasur akses. Nuk ka lidhje kjo situatë me atë lloj dekreti. Pse merreni me një gjë që ka qenë evidente. Ju e keni transmetuar live tentativën për të djegur kryeministrinë, parlamentin, shkollat.

Sipas tij deklarata e presidentit Ilir Meta në seancën dëgjimore në komisionin hetimor parlamentar të ngritur për shkarkimin e tij, nuk ka të bëjë me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, pasi Shqipëria është republikë parlamentare dhe Kuvendi është sovrani.

“Nuk më intereson se çfarë ka thënë Presidenti, më intereson Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta është shumë e ftohtë në këtë aspekt, në asnjë nen të kushtetutës Presidentit nuk i jepet e drejta të zhdekterojë. Për këtë është ngritur komisioni hetimor. Në rastet kur ka turbulenca të rendit publik, Kushtetuta orienton Presidentin t’i drejtohet Kuvendit dhe është kuvendi sovrani në këtë vend, se Shqipëria është republikë parlamentare dhe jo presidenciale. Kush refuzon të njohë pushtetin parlamentit është jashtë kornizës kushtetuese të Shqipërisë. Vendos parlamenti e askërkush tjetër”.

Shqetësimit të opozitës së parlamentare për një pakt të mundshëm Rama- Basha, zëvendëskryeministri i përgjigjet se ka vend për panik, pasi është ajo që vendos me votë në sallën e parlamentit.

“Secili prej tyre ka të drejtën e vetos dhe votës. Ka shumicë të cilësuar dhe secili prej tyre është faktor në sallën e parlamentit dhe nuk ka vend për panik dhe përdorje se janë ata njerëzit që vendosin me votë në sallë. Gjithçka e shoh si një shqetësim që mund të tejkalohet se kanë të drejtën e votës, që nuk e ka opozita televizive”. /abcnews.al

SHKRESA-PER-SHISH-MBULIM.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
ent ela20:00 | 12/09/2019

Një grup deputetësh të kuvendit të Shqipërisë i kërkojnë kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror pjesëmarrjen në një seancë dëgjimore.

Kërkesa e 9 deputetëve drejtuar kreut të këtij institucioni Helidon Bendo, vjen pas deklaratës së presidentit të Republikës se kishte marrë informacione nga SHISH se më 8 qershor do të digjej parlamenti.

Këto informacione, sikurse është shprehur ditët e fundit presidenti, kanë çuar në vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Pikërisht për të mësuar më tepër rreth informacioneve që pretendon kreu i shtetit, deputetët kërkojnë seancë dëgjimore me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. /ABC News Albania 24/7

0df19d41-173e-40f8-b844-e0c2cdc65549-1280x720.jpg
ent ela10:10 | 06/09/2019

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pranuar kërkesën e Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për të rihapur pjesërisht procesin e hetimeve. Malaj është njëherazi  edhe kandidat për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Gjatë zhvillimit të seancës së sotme gjyqtari Malaj ka parashtruar të gjitha prapësimet për 4 gjetjet e Komisionerit Publik që kishin të bëjë me pasurin e tij. Komisioneri Publik kishte bërë ankimin pasi sipas tij në vitit 2007-2008, 2009 -2011, Malaj rezultonte me bilanc negative të të ardhurave në raport me shpenzimet vjetore, të deklaruara.

Gjatë prapësimeve dhe analizës financiare Malaj u shpreh se Komisioneri Publik nuk i ka llogaritur të ardhurat nga dietat, të ardhurat nga koha kur punonte si pedagog i jashtëm.

Theksin gjyqtari Artur Malaj e vendosi tek hetimi i personave të lidhur dhe e akuzoi komisionerin se po mban dy standarde. Sipas gjyqtarit ka disa raste të ngjashme me të tij që subjekte të rivlerësimit kanë blerë makina nga persona fizik dhe nuk janë ankimuar nga Komisioneri Publik./ABC News Albania 24/7

zaganjori-1280x726.jpg
nev ila14:26 | 25/06/2019

Për rreth 3 orë Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi seancë për drejtuesin e Gjykatës së lartë  Xhezair Zaganjori, gjykatë kjo e mbetur me dy gjyqtarë. Komisioneri Publik Florian Ballhysa ka kërkuar edhe njeherë shkarkimin e Zaganjorit me argumentin se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e 4 pasurive.

Gjithashtu komisioneri Publik u shpreh në seancë se Zaganjori ka shmangur pagimin e detyrimeve tatimore dhe nuk ka pasur burime të ligjshme për të paguar shkollimin e djalit në Gjermani. Sipas komisionerit, Florian Ballhysa problemet e drejtuesit të gjykatës së lartë lidhen me një shtëpi, një dyqan, një zyrë, garazh dhe një bibliotekë. Pas daljes nga Kolegji Xhezair Zaganjori u shpreh se komisioneri nuk ka paraqitur në këtë seancë të njejtin raport që ka dorëzuar kur ka bërë ankiminin.

Drejtuesi i Gjykatës së Lartë që tashmë do të vijojë betejën e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, komentoi edhe krijimin e një gjykatë të Lartë provizore, për të mos penguar vijimin e punës. Ndërsa numri i dosjeve të mbetura kapicë është rritur.

Xhezair Zaganjori gjatë seancës dha sqarime për shtëpinë ku jeton duke shpjeguar se ajo pronë ishe e bashkëshortes dhe është ndërtuar në 1997 kjo e dokumentuar edhe me foto gjatë ndërtimit e banimit ndër vite aty. Zaganjori u shpreh se tashme i mbetet Kolegjit në dorë nëse do që ti pranoj apo jo provat e paraqitura prej tij. Për shkak të provave të reja që u dorëzuan nga Kreu i Gjykatës së Lartë, kolegji e shtyu seancën e rradhës për në 10 korrik në orën 09:30, për ti dhënë kohë Komisionerit Publik që të shprehet në lidhje me provat./ABC News Albania 24/7

hyrja-10.00_00_24_10.Still001-1280x720.jpg
G. P.10:29 | 01/05/2019

Ka qenë tronditëse dëshmia në Kongresin amerikan e Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka rrëfyer se si është përdhunuar nga ushtarë serbë në kohën e luftës kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa minuta në sallën e Kongresit mbizotëroi heshtja e plotë.

Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Uashington zhvilloi një seancë dëgjimore me temë: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë.”

Seanca u drejtua nga kryetari i Komisionit, Eliot Engel.

Gjatë kësaj seance fjalën e mori dhe Ilir Bytyqi, i cili tregoi se si ushtarët serbë i kishin vrarë tre vëllezërit në kohën e luftës. Ndërkohë ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga kërkoi drejtësi për më shumë se 20 mijë gra të dhunuara në kohën e luftës nga forcat serbe.

Tronditëse ishte dhe dëshmia e Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës.

Engel në hapjen e seancës u shpreh se pas 20 vjetësh, për viktimat e luftës në Kosovë ka patur shumë pak në mos aspak drejtësi. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë duhet të kishin ushtruar më shumë trysni, por përgjithësisht dështuan.

Është hera e parë që në Kongresin amerikan zhvillohet një dëshmi me pjesëmarrje të gjerë për të kërkuar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve.

Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës, tregoi me tone emocionale hollësitë e dhimbshme të dhunimit të saj nga forcat serbe kur ishte 16 vjeç. Ajo tha se edhe pse sot jeton në Teksas me dy fëmijët e saj, nuk do të gjejë kurrë paqe në jetën e saj pa u vendosur drejtësia. Kongresmeni Engel tha se nuk ka qenë e lehtë për zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman të dilte në publik me historinë e saj të dhimbshme.

Ndëkohë Jahjaga u shpreh se duke dhunuar brutalisht trupat e grave, ushtria serbe, policia dhe forcat paramilitare sulmonin burrat që nuk mund t’i vrisnin dhe torturonin dot drejtpërsëdrejti. Përmes përdhunimit, ata synonin të përulnin burra shqiptarë të Kosovës për t’i paraqitur si të dobët dhe të paaftë për të “mbrojtur” gratë e tyre.

Ish-presidentja e Kosovës bëri thirrje që SHBA të ndihmojnë në mënyrë që të gjithë ata që kanë kryer krime të tilla lufte të nxirren përpara drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi./ABC News Albania 24/7

ARQILE-KOÇA-MBULIM.mpg_snapshot_00.23-1280x720.jpg
ent ela11:12 | 06/03/2019

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça, nga deklarata e Inspektoriati të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konflikteve të Interesit dhe nga hetimet e KPK-së, rezulton se ka deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin. Ka burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje të pasurisë dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, zhvilloi sot seancën dëgjimore për prokurorin Arqile Koça.

Në një hetim të kryer nga KPK për pasuritë, apartamente, dy garazhe, rezultoi se janë përfituar nga një shoqëri private, për të cilat është verifikuar origjina. Gjatë hetimit rezultoi se subjekti nuk është favorizuar nga kjo shoqëri.

Edhe për likuiditetet përputhen deklarimet dhe janë krijuar me burime të ligjshme. Probleme nuk janë konatatuar as në blerjen e dy makinave në pronësi të subjektit. Për kriterin e aftësive profesionale, ka rezultuar se prokurori Koça, ka treguar aftësi profesionale, nivel të lartë etike dhe ka treguar angazhim profesional. Ndërsa për kriterin e figurës, subjekti ka plotësuar saktë formularin dhe është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. /abcnews.al

KPK-PLANE.mpg_snapshot_01.32-1280x720.jpg
ent ela10:20 | 22/01/2019

Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda u ul të martën përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku kërkoi konfirmimin në detyrë. Nga relatimi i bërë nga treshja gjykuese e vettingut duket se “themra e Akilit” për Prelën do të jetë punësimi në të zezë për vite me radhë i bashkëshortit të saj inxhinier. Kjo për faktin se të ardhurat financiare të bashkëshortëve buronin vetëm nga pagat e tyre.

Sipas raportit të KPK, për disa vite gjatë harkut 2003-2011, bashkëshorti i saj ka punuar si inxhinier pa kontratë punë, është paguar me para cash dhe nuk ka paguar tatime dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.

Vetë Prela kundështoi faktin. Sipas saj, ndonëse pa kontrata formale, shoqëria kishte paguar sigurimet për të shoqin, pa i cënuar pagën neto. Prela foli edhe për një padi kundër shoqërisë së ndërtimit, për detyrimet e papaguara.

Në këtë pikë këmbënguli edhe vëzhguesi i ONM në sallë, Theo Jacobs. Përmes një metafore, ai tha se kjo situatë e mospagimit të taksave i linte një shije të keqe, si ajo që të mbetet në gojë pas konsumimit të një ilaci në mëngjes.

“Pse bashkëshorti juaj është paguar në cash në 2003-2009? Ai ka pasur llogari bankare. Kjo mund të duket pyetje pa vend, por kjo reduktohet kur nuk janë paguar as taksat. Si për koincidencë për pagesat cash nuk janë paguar taksa, ndërsa për ato në banke po. Bashkëshorti juaj është viktime në këtë skemë shmangie taksash, apo është pjese e saj?”, pyeti Jacobs.

Prela nga ana e saj tha se është firma e ndërtimit që nuk ka respektuar detyrimet kontraktore. “Në këtë rast të dëmtuarit jemi ne. Nëse ne do të donim të ndërtonim të ardhura të paligjshme, mund të rrisnim në mënyrë fiktive rrogën. Por duket qartë që nuk është rasti”, tha titullarja e Krimeve.

Vëzhguesi Jacobs shprehu habi edhe për një borxh të marrë në vitin 2007 pa asnjë akt shkresor tek një i afërm i bashkëshortit të prokurores. Prela tha se në realitetin shqiptar të kohës nuk çohej ndërmend formalizimi i një borxhi tek një i afërt.

Sipas KPK aktualisht Prela zotëronte një banesë të blerë nga të ardhurat e fituara nga shitja e një apartamenti në Tiranë dhe një në Durrës, si edhe 1 mijë m2 truall në Petrelë. Komisioni ngriti dyshime për blerjen e pronave të mëparshme në vlera më të ulëta nga tregu, por Prela argumentoi se çmimi kishte qënë preferencial, pasi ndërtuesi ishte shoqëria ku punonte i shoqi. Sipas KPK Prela nuk kishte probleme me figurë, apo me aftësitë profesionale.

Gjatë hetimit administrativ, ONM i kishte kërkuar Prelës informacion për dosjen “Shullazi”, informacion i servirur prej saj. Prela u lakua gjërësisht tre muaj më parë për shkak të përplasjes së saj me prokurorët e Krimeve që nuk pranuan të shortoheshin për dosjen.  Seanca e shpalljes së vendimit për “fatin” e Donika Prelës në sistemin e drejtësisë do të zhvillohet në 29 Janar./abcnews.al

SOTIRAQ-LUBONJA-1280x720.jpg
ent ela12:50 | 03/10/2018

Edhe gjyqtari i Apelit në Korçë, Sotiraq Lubonja i është nënshtruar vetingut nga KPK. Edhe ai vetohet me përparësi si kandidat për anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Edhe për gjyqtarin Sotiraq Lubonja, ILDKP ka raportuar ne Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për deklarim të pasaktë, fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe mungesë burimesh të ligjshme.

Trupa gjykuese e KPK, e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Valbona Sanxhaktari deklaroi sot gjatë seancës dëgjimore me këtë gjyqtar se Lubonja nuk ka pasur para të justifikuara për ndërtimin e një shtëpie me vlerë 6,5 milionë lekë, në periudhën 1995-2002.

Sa i takon vlerësimit të figurës së gjyqtarit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e gjen ate të përshtatshëm për të vijuar detyrën.

Lidhur me aftësitë profesionale, Komisioni i Pavarur i kualifikimit vlerëson se gjyqtari i Apelit në Korçë, Sotiraq Lubonja ka aftësi në zbatimin e ligjit dhe arsyeton si duhet vendimet gjyqësore.

Gjyqtari Sotiraq Lubonja kërkoi konfirmimin e tij në detyrë, ndërsa KPK pritet të japë vendimin në seancën e datës 8 tetor. /abcnews.al

AHMET-JANGULLI-1280x720.jpg
ent ela10:22 | 03/10/2018
Gjyqtari i Gjykatës Administrative Shkodër Ahmet Jangulli ka dalë sot në një seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që do të bëjë Veting-un e këtij gjyqtari përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari. Gjyqtari Jangulli vetohet me përparësi, pasi është kandidat për anëtar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Procesi i Veting-ut për këtë gjyqtar do të bëhet mbi bazën e vlerësimit të tre shtyllave; pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Sipas raportit të ILDKP, të paraqitur pranë KPK, deklarimi i pasurisë nga gjyqtari Jangulli është i pasaktë, ka fshehje të pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare. Sipas KPK, ka diferenca mes të ardhurave të deklaruara ndër vite nga gjyqtari dhe të ardhurave të dokumentuara. Lidhur me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar relaton në raportin e saj se gjyqtari Jangulli është i papërshtatshëm për ushtrimin e detyrës. Në bashkëpunim me një prokuror, gjyqtari Jangulli dyshohet se kanë favorizuar tre të pandehur kundrejt marrjes së ryshfetit. Tre personat ishin akuzuar për “falsifikim dokumentesh”, “përdorim pasaporte false” dhe “shpërdorim detyre”. Sa i takon aftësive profesionale, KPK vlerëson se subjekti Ahmet Jangulli ka paqartësi procedurale dhe probleme me arsyetimin e vendimeve. Ndaj tij ka disa ankesa për shkelje etike në gjyq dhe konstatohet zvarritje e proceseve gjyqësore. /abcnews.al

 

 

dritan-hallunaj.jpg
G. P.10:26 | 31/07/2018

Sot ishte radha e gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, për të kaluar në sitën e Vettingut. Hallunaj doli në seancë dëgjimore para trupës së gjyqtarëve Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu, pasi vetohet me përparësi për shkak të kandidimit në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Në lidhje me pasurinë e tij, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive vlerësoi se Hallunaj ka bërë deklarim të saktë, dhe se ai nuk ka ka fshehje pasurie apo ndonjë deklarim të rremë. Ndërsa nga hetimi i thelluar rezulton se gjyqtari Hallunaj ka në pronësi një apartament 165 m2 të blerë me kredi për vlerën e 49 mijë eurove në 2005. Gjyqtari shpjegoi se rasti ishte okazion për shkak të vështirësisë financiare të ndërtuesit.

Ndërsa sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara, Hallunaj nuk ka kontakte te papërshtatshme. Gjithashtu konstatohet pershtatshmeri për vijimin e detyrës. Në lidhje me aftësitë profesionale Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i vlerëson ato të mjaftueshme, pasi 5 dosjet e vëzhguara nuk kanë pasur problem./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono