sanksione

trump-xi.jpg
G. P.22:59 | 21/08/2019

Kina ka kërcënuar me vendosjen e sanksioneve për të gjitha kompanitë amerikane të përfshira në shitjen e avionëve luftarakë ishullit të Taivanit, një kontratë prej 8 miliardë dollarësh.

Ministria e Jashtme kineze ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet ta anulojnë menjëherë transaksionin dhe në të ardhmen të shmangin bashkëpunimet ushtarake me Taipein. Pekini e konsideron Taivanin një provincë rebele e destinuar të bashkohet me Kinën mëmë edhe përmes forcës, nëse do të jetë e nevojshme.

“Do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat tona”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme kineze./ABC News Albania 24/7

donald-tusk.jpg
G. P.23:25 | 11/07/2019

Bashkimi Europian ka vendosur të ndëshkojë Turqinë për kërkimet në ujërat territoriale të Qipros. Konkretisht, Brukseli ka vendosur të ndërpresë financimet dhe çdo dialog të nivelit të lartë me Ankaranë.

Bashkimi Europian pritet të kufizojë kontaktet dhe fondet për Ankaranë, si reagim ndaj kërkimeve ilegale për naftë dhe gaz që Turqia po zhvillon në brigjet e Qipros. Në një deklaratë zyrtare, Brukseli paralajmëron Turqinë se është gati t’i intensifikojë sanksionet nëse nuk tregon vullnet për t’u tërhequr nga planet e saj.

“Pavarësisht qëllimeve tona pozitive për të ruajtur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Turqinë, shkelja që ky vend i bën sovranitetit të vendit tonë anëtar, Qipros, e detyron BE-në të reagojë”, deklaroi presidenti në ikje i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Të enjten, diplomatët e akredituar në Bruksel u mblodhën për të diskutuar një vendim të përbashkët për të ndëshkuar Turqinë.

“Përballë aktiviteteve ilegale të Turqisë, BE vendos të pezullojë negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Transportit Ajror dhe pranon të mos zhvillojë më dialogje të nivelit të lartë me Ankaranë”, thuhet në projekt/vendimin e hartuar.

Gjithashtu, Këshilli Europian pranoi propozimin e Komisionit për të reduktuar asistencën e paraanëtarësimit për Turqinë dhe i bëri thirrje Bankës Europiane të Investimeve që të rishikojë aktivitetet e huadhënies në Turqi.

Për periudhën 2014-2020, BE duhej t’i jepte Turqisë 4.45 miliardë euro për reformat politike, agrikulturën dhe projekte të tjera në kuadër të përgatitjeve për një anëtarësim të mundshëm në bllok. Por tani BE kërcënon se do të ndërmarrë masa të tjera ndaj Turqisë nëse Ankaraja do të vazhdojë kërkimet për naftë dhe gaz./ABC News Albania 24/7

Donald-Trump-e1526640469549.jpg
G. P.23:50 | 24/06/2019

Presidenti Donald Trump firmosi të hënën sanksionet e reja ndaj Iranit, të cilat këtë herë kanë përfshirë edhe liderin suprem të vendit, ajatollahun Ali Khamenei. Trump kanë deklaruar se masat penalizuese janë një reagim ndaj rrëzimit të dronit amerikan nga pala iraniane javën e kaluar.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se ka vendosur sanksionet e reja dhe më të forta ndaj Iranit, që këtë herë përfshijnë edhe zyrën e liderit suprem të vendit, ajatollahut Ali Khamenei.

Trump tha se, sanksionet shtesë janë një përgjigje ndaj rrëzimit të dronit amerikan nga pala iraniane dhe ndaj shumë gjërave të tjera, të cilat ai nuk i identifikoi. Ajatollahu Ali Khamenei, që është autoriteti më i lartë i Iranit, u sanksionua për shkak se sipas Uashingtonit, ka qenë përgjegjës për sjelljet e fundit armiqësore të regjimit.

Irani e ndjen prej kohësh barrën e sanksioneve amerikane, që hynë në fuqi vitin e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Masat ndëshkuese, sidomos ato në sektorin e energjitikës, tregtisë dhe sektorit financiar shkaktuan rënien e investimeve të huaja dhe goditën eksportet e naftës.

Ato u ndalojnë kompanive amerikane dhe atyre të shteteve të tjera të bëjnë tregti apo marrëveshje të ndryshme me Iranin. Kjo ka çuar në rënien e importit të mallrave dhe produkteve që bëhen me materiale të rralla.

Gjithashtu, rënia e vlerës së valutës vendase, rialit, ka prekur koston e prodhimeve vendase si mishi dhe vezët, çmimet e të cilave janë rritur ndjeshëm. Nga ana e tij, Irani është përgjigjur ndaj presionit ekonomik duke shkelur disa nga zotimet e parashikuara nga marrëveshja e vitit 2015./ABC News Albania 24/7

iran-dhe-shba.jpg
G. P.09:00 | 27/03/2019

Administrata amerikane ka vendosur sanksione të reja ndaj Iranit, duke goditur këtë herë një rrjet individësh dhe kompanish, përgjegjës për transferta ilegale parash për të mbështetur trupat ushtarake elitë të Republikës Islamike.

Shtetet e Bashkuara vendosën të martën sanksione të reja në dëm të Iranit, duke vepruar ndaj një rrjeti kompanish dhe individësh në Iran, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Subjektet në fjalë konsiderohen përgjegjës për transferimin e miliarda dollarëve dhe eurove në mbështetje të Gardës Revolucionare Iraniane.

Departamenti amerikan i Thesarit ka deklaruar se, në tërësi ka futur në listën e zezë 25 persona dhe ente, përfshirë këtu kompani që shërbenin si mbulim dhe me bazë në të tre vendet. Institucionet e sanksionuara, të lidhura me Gardën dhe Ministrinë iraniane të Mbrojtjes, përfshijnë banka dhe grupe të tjera financiare mes të cilave Ansar Benk, Atlas Iksçejnxh dhe Iranian Atlas Kompani.

“Po vëmë në shënjestër një rrjet të gjerë kompanish fiktive dhe një numër individësh për të çrrënjosur një skemë që regjimi iranian e ka përdorur për të lëvizur në mënyrë ilegale mbi 1 miliard dollarë”, ka deklaruar sekretari i Thesarit, Stiven Mnushin.

Sanksionet synojnë të bllokojnë kompanitë e sipërpërmendura dhe t’i mbajnë ato jashtë sistemit financiar global, duke ndaluar njëkohësisht shtetas dhe biznese amerikane, si dhe banka ndërkombëtare me filiale në Amerikë, që të bëjnë biznes me to./abcnews.al

kim-and-donald.jpg
G. P.22:55 | 22/03/2019

Presidenti Donald Trump ka anuluar papritur sanksionet e fundit të vendosura nga administrata e tij ndaj Koresë së Veriut. Në njoftimin e saj, Shtëpia e Bardhë nuk ka publikuar motivin e kësaj lëvizjeje të kreut të shtetit, por ka thënë vetëm se Trump ka simpati për liderin Kim Jong Un.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar të premten se ka urdhëruar tërheqjen e një pakete sanksionesh të vendosura së fundmi ndaj Koresë së Veriut.

“Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi sot vendosjen e sanksioneve shtesë krahas atyre ekzistuese ndaj Koresë së Veriut, por po sot unë kam urdhëruar tërheqjen e tyre”, ka deklaruar Trump në Twitter.

Ende nuk është e qartë se cilave sanksione Trump i është referuar, edhe pse vetëm të enjten Shtetet e Bashkuara futën në listën e zezë dy kompani transporti kineze që kishin ndihmuar Penianin t’i shpëtonte penalizimeve të vendosura për shkak të programit bërthamor.

As zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders nuk ka saktësuar llojin e sanksioneve, por ka deklaruar vetëm se “presidenti Trump e pëlqen liderin Kim Jong Un dhe mendon se sanksionet nuk janë të nevojshme”.

Masat penalizuese ndaj kompanive kineze ishin të parat që nga samiti i dytë SHBA-Kore e Veriut i mbajtur muajin e kaluar. Vetëm disa orë pas njoftimit të sanksioneve, Peniani tërhoqi personelin nga një zyrë ndërlidhëse me Jugun, një lëvizje që shënon një kthim prapa në raportet me Seulin. Zyra në fjalë ishte ngritur në qytetin kufitar Kaesong, pas samitit historik mes liderin Kim Jong Un dhe presidentit të Jugut Mun Ja In vitin e kaluar./abcnews.al

1-63-933x445.jpg
ent ela08:00 | 28/02/2019

Sipas një zyrtari të lartë amerikan në ditët e ardhshme administrata Trump do të vendosë saksione të tjera ndaj Venezuelës.

Përfaqësuesi Special për Venezuelën Elliott Abrams tha gjithashtu se këtë javë Uashingtoni do të sjellë për votim përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një projekt-rezolutë, që bën thirrje për lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në vend.

Ministri i Jashtëm i Venezuelës Jorge Arreaza, i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të miratojnë një rezolutë që refuzon përdorimin e forcës ndaj vendit të tij.

“Është e pabesueshme, por siç i thashë zotit Elliott Abrams, gjatë takimit të fundit që patëm këtu në Nju Jork York, grushti i shtetit dështoi. Tani është koha për të mbledhur mendjen, të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe kushtetuta venezueliane”, tha ai.

Të hënën nënpresidenti amerikan Mike Pence njoftoi vendosjen e sanksioneve kundër katër guvernatorëve të Venezuelës të cilët mbështesin Nicolas Maduron.

Zoti Pence shtoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një ndihmë shtesë në vlerën e 56 milionë dollarëve për vendet e Amerikës Latine të cilët po kujdesen për më shumë se 3 milionë venezueljanë që janë larguar nga vendi që nga viti 2015./VOA

be.jpg
G. P.20:57 | 01/02/2019

Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës prezantuan Insteks, sistemin që do u lejojë të bëjnë tregti të ligjshme me iranin duke shmangur sanksionet amerikane ndaj vendit.

“Përpjekjet tona për të ruajtuar dispozitat ekonomike të marrëveshjes për programin bërthamor me Iranin janë të kushtëzuara në respektimin e loktë të te vendit dhe impenjimit të tij”.

Është kjo deklarata e përbashkët e ministrave të Jashtëm gjerman, francez dhe britanik, të cilët prezantuan Insteks. Ky i fundit është një sistem për të ruajtur sipërmarrjet europiane që kanë marrëdhënie tregtare me Iranin, duke i lejuar të shmangin sistemin e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Jashtëm francez Le Drian u shpreh se ky është një veprim politik dhe një gjest për të shpëtuar interesat europiane, për të cilin ai shpresonte që shumë shpejt të merrte mbështetjen edhe të homolgëve të tjerë në Europë. Ministri i Jashtëm britanik Hant, nga ana e tij shpjegoi se është një hap përpara shumë domethënës dhe vetëm me anë të këtij mjeti mund të zhvillohet një tregti e ligjshme mes Bashkimit Europian dhe Iranit.

Edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europiane Federika Mogerini e cilësoi Insteks si një mjet për të lejuar tregtinë e ligjshme, duke mirëpritur në këtë mënyrë vendimin e marrë nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe për të barazzuar ekuilibrat me sansksionet amerikane./abcnews.al

khashoggi-1.png
G. P.23:56 | 15/11/2018

Administrata amerikane ka vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për lëvizjen e parë ndëshkuese të Uashingtonit zyrtar, që megjithatë nuk cënon marrëveshjet e armatimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të enjten sanksione ndaj 17 zyrtarëve saudite për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Bëhet fjalë për përgjigjen e parë konkrete të administratës Trump në lidhje me vdekjen e reporterit, më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll. Mes zyrtarëve të sanksionuar është Saud al Katani, ish-këshilltari kryesor i princit të kurorës Mohamed bin Salman, konsulli i përgjithshëm saudit në Turqi Mohamed Alotaibi dhe skuadra e 15 agjentëve që realizuan vrasjen e Kashogit. Njoftimi përbën një risi për Uashingtonin, që rrallë herë vendos sanksione ndaj shtetasve sauditë.

Masat sidoqoftë nuk prekin qeverinë e Rijadit, një aleat i rëndësishëm ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara. Njëkohësisht, lëvizja i lejon administratës Trump të ndalojë çdo aksion që mund të prekë marrëveshjet fitimprurëse të armëve mes Amerikës dhe Arabisë Saudite, të cilat presidenti është zotuar se do t’i mbrojë. Konkretisht, sanksionet kufizojnë aksesin e zyrtarëve sauditë në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë asetet individuale të tyre. “Këta individë që vunë në shënjestër dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Thesarit./abcnews.al

turqia.png
G. P.23:01 | 04/10/2018

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të enjten sanksione të reja ndaj Turqisë, që mund të dëmtojnë më tej ekonominë e saj të drobitur. Këtë herë administrata amerikane ka vendosur të ndëshkojë një kompani që ka ndihmuar Korenë e Veriut me armatime të ndaluara.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Turqisë, këtë herë duke ndëshkuar një kompani për eksport armësh në Korenë e Veriut. Departamenti amerikan i Thesarit ka bërë me dije se, grupi turk “Sia Falcon International”, që ka një filial edhe në Lituani, do të hyjë në listën e zezë.

Për Uashingtonin, kompania në fjalë dhe drejtuesit e saj kanë shkelur sanksionet e vendosura nga OKB ndaj Koresë së Veriut. Mediat amerikane që bëjnë të ditur lajmin nuk kanë saktësuar llojin e sanksioneve dhe nuk është e qartë impakti që ato mund të kenë në ekonominë e drobitur turke.

Muajin e kaluar administrata amerikane vendosi sanksione të ngjashme ndaj Kinës, për blerjen e armatimeve nga Rusia, duke shkaktuar reagimin e ashpër të Pekinit. Ndërkohë, Departamenti i Thesarit ka vendosur sanksione edhe ndaj një diplomati korean, funksionar në ambasadën e Koresë së Veriut në Mongoli.

Diplomati Ri Song Un kishte udhëtuar më herët gjatë vitit në Turqi për të negociuar blerjen e armatimeve nga kompania “Sia Falcon International”.

Lëvizja vjen në një kohë kur sekretari i Shtetit Majk Pompeo do të udhëtojë për në Penian ditën e shtunë për të diskutuar me liderin Kim Jong Un mbi programin e çarmatimit bërthamor./abcnews.al

russi.jpg
G. P.17:11 | 21/09/2018

SHBA ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Kinës. Ky vendim i Uashingtonit erdhi pasi Pekini bleu avionë luftarakë dhe armatime nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj ushtrisë së Kinës për shkak të blerjes së avionëve nga forcat e armatosura të Rusisë dhe armatimeve të tjera. Thuhet se një veprim i tillë nga Pekini bie ndesh me sanksionet amerikane ndaj Moskës, të vendosura për të kundërshtuar veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhjet politike në SHBA.

Kina sëfundmi bleu 10 avionë luftarakë rusë “Sukhoi Su-35” dhe raketa “S-400”. Pekini nuk i është bashkuar sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga SHBA dhe aleatët Perëndimorë që prej vitit 2014. Disa ditë më parë, ushtria kineze mori pjesë në manovrat ushtarake më të mëdha të Rusisë të zhvilluara që prej Luftës së Ftohtë.

Marrëdhëniet mes Shtetetve të Bashkuara dhe Rusisë përshkallëzuar në mënyrë të shpejtë pasi Moska aneksoi Krimenë nga Ukraina në 2014. Gjithashtu dyshimet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016 dhe përfshirja ushtarake në Siri gjatë luftës civile, rritën dhe më tej tensionet.

Ndërkohë, për shkak të këtyre çështjeve, qeveria amerikane ka sanksionuar entitete dhe shtetas të shumtë rusë, duke filluar që nga pjestarët e qeverisë e deri tek kompani kryesore dhe banka./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono