samitin

8bc8dc39-b299-4caa-ba37-0bf149099067-933x445.jpg
ad min12:40 | 09/07/2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte i pranishëm në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, shprehur keqardhjen që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Kosova, nuk është e pranishme në këtë Samit.

“Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj”.

Kosova e ka bojkotuar këtë samit për shkak se Bosnje-Hercegovina nuk njeh pavarësinë e saj. Në sensibilizim me Kosovën, edhe ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, nuk shkoi në samit duke kërkuar trajtim të barabartë të Kosovës me shtetet e tjera. Pavarësisht refuzimit të ministrit Cakaj, Presidenti Ilir Meta vendosi të shkonte në samitin e SEECP që u mbajt në Sarajevë.

 Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta:

 Të nderuar Bashkëkryetarë,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj!

Dëshiroj ta nis fjalën time duke falënderuar Bosnjen dhe Hercegovinën për organizimin dhe mikpritjen e këtij samiti si dhe për kontributin e saj në Procesin e Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), si Kryesuese e tij përgjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

Me këtë rast, më lejoni të përgëzoj Kosovën për marrjen e Kryesisë së saj dhe t’i suksese gjatë mandatit në këtë detyrë. Kam besim se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Trojkën e SEECP-së, do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, forcimit të dialogut politik si dhe përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në rajon.

Ballkani Perëndimor ka përshkuar një rrugë shumë të gjatë në ngritjen e institucioneve demokratike dhe shoqërive multietnike, të bazuara në parimet e sundimit të ligjit dhe të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Falë zgjerimit të NATO-s dhe integrimit në BE-së, rajoni mbetet i bashkëngjitur fort në arkitekturën më të suksesshme të sigurisë që ka njohur ndonjëherë Europa.

Mund të thuhet pa frikë se kurrë më parë rajoni nuk ishte ka qenë më i qëndrueshëm dhe më i sigurt. Të marrin për shembull hyrjen në fuqi së fundmi të marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës. Duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë e të vështirë dypalëshe, kjo marrëveshje shënon një hap të madh përpara në përparimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ky është me të vërtetë një lajm i mirë.

Megjithatë, një numër sfidash dypalëshe dhe rajonale ende mbeten në rrugën drejt integrimit të vazhdueshëm rajonal dhe atij për në Bashkimin Europian. Në këtë këndvështrim dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit. Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këëtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.

Të dashur kolegë,

Thelbësor është përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues për në Bashkimin Europian. Ndonëse është e vërtetë që procesi i zgjerimit të BE-së është bërë shumë më sfidues për shkak të një numri arsyesh politike të njëkohshme, na duhet të pranojmë se qasja aktuale, e bazuar në kushtëzimin strikt, mbetet një qasje e drejtë. Ne duhet ta mirëpresim këtë qasje si një mundësi për të transformuar vendet tona edhe më tej si dhe për t’iu afruar akoma edhe më pranë Bashkimit Europian.

Shqipëria është e vetëdijshme se ka ende një punë të vështirë për të bërë që të përmbushë kriteret dhe standardet e nevojshme. Ne duhet të japim rezultate të prekshme, duke u përqendruar në reformat që forcojnë institucionet shtetërore, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si dhe krimit të organizuar.

Mbetemi të përkushtuar dhe me shpresë se Këshilli i BE-së do të vendosë në tetor për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë fqinje. I jemi mirënjohës vizionit të Kancelares Merkel, që u përsërit edhe në Samitin e fundit të Poznanit, që dhënia e mundësisë vendeve të Ballkanit për t’i bashkëngjitur BE-së është në interesin strategjik të të bllokut komunitar europian.

Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik midis pjesëmarrësve të SEECP, si dhe ndërmjet ekonomive të SEECP dhe BE-së është me rëndësi të madhe për rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe begatinë e qytetarëve të Europës Juglindore.

Procesi i Berlinit ka arritur të prodhojë një dinamikë pulsuese në procesin e integrimit evropian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u përqendruar në axhendën e ndërlidhjes, bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve njerëzore. Jemi të bindur se këta përbërës, që u përforcuan edhe nga udhëheqësit e Bashkimit Europian në Poznan, qëndrojnë në thelbin e rrugës së pranimit në BE dhe do të shërbejnë gjithashtu si shtysë për një paqe dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor miratuan në Samitin e Sofje Deklaratën për Axhendën Dixhitale të Ballkanit Perëndimor, i cili i dha formë axhendës rajonale në shumë fusha, veçanërisht në ato që lidhen me roaming-un, transformimin dixhital të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe Qeverisjes-elektronike. Shqipëria e mirëpriti nënshkrimin prillin e shkuar në Beograd të marrëveshjes rajonale të Roaming-ut në Samitin Dixhital si dhe hyrjen në fuqi të asaj marrëveshjeve gjatë këtij muaji, në korrik.

Eksodi i një numri të madh të rinjsh të arsimuar e të kualifikuar përbën një kërcënim të mundshëm për stabilitetin e vendeve tona. Kjo dukuri nuk perceptohet si diçka e përkohshme dhe duhet të adresohet nga çdo qeveri më vete, por edhe bashkarisht nga të gjithë aktorët relevantë në rajon.

Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe vënia e theksit te perspektiva europiane u siguron të rinjve një shtysë pozitive për të çliruar potencialin e tyre në nxitjen e pajtimit në rajon si dhe në ndërtimin e shoqërive të begata. Shqipëria, duke qenë vendi pritës i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, po i inkurajon këto nisma të reja që të shnëdërrohen në shembujt më të mirë të promovimit e bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes shkëmbimit të programeve dhe veprimtarive.

SEECP-i ka qenë e përfshirë me sukses dhe në mënyrë aktive në këto procese përmes instrumentit të saj operacional, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Ne duhet të njohim kontributin e rëndësishëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për ta mbështetur zhvillimin në hapësirën tonë, përpjekjet e tij për të sjellë ide si dhe për të zbatuar projekte në interes të një bashkëpunimi të zgjeruar rajonal.

Ne jemi të gëzuar and ndihemi krenarë për faktin që një shqiptare po kryeson me sukses Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, e frymëzuar nga qyteti i bukur i Sarajevës”. /abcnews.al

edi-ramama-1280x723.jpg
ad min18:30 | 05/07/2019

Kryeministri Rama ndodhet në  Poloni në takimin e radhës për Procesin e Berlinit. Ai u takua me Presidentin Polak, i cili i garantoi mbështetje në prespektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Në Poznan të Polonisë, kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi takimin  e radhës me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Rama, pjesë e këtij samiti, zhvilloi disa takime, duke përfshirë homologun francez.

Kreu i qeverisë shqiptare u takua edhe me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, i cili dha mbështetje për integrimin e Ballkanit.

“Të gjithë theksuan idenë që integrimi evropian është sot vizioni më i rëndësishëm që bashkon të gjithë rajonin, e mungesa e këtij vizioni do të destabilizonte seriozisht Ballkanin. Si pjesë e komunitetit evropian, ne jemi të detyruar të caktojmë një datë të qartë për integrimin. Do të përsëris këtu të njëjtat fjalë që thashë edhe në Samitin e Tiranës. Polonia nuk do të pranojë që vendet e rajonit të përfshihen në një vrapim, pa një vijë finishi në horizont. Inkurajoj këtë mesazh që të jetë një deklaratë e qartë e këtij Samiti të Poznanit”.

Në fund të Samitit, kryeministri Rama bëri një bilanc të takimit, duke evidentuar nevojën e ndërsjelltë të Evropës dhe Ballkanit për tu bashkuar./ABC News Albania 24/7

vucic-1280x725.jpg
ad min17:30 | 23/06/2019

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka fajësuar Kosovën për anulimin e samitit të Parisit. Sipas Vuçiç, kërkesa e Prishtinës zyrtare për njohjen e pavarësisë e bën të pamundur dialogun, pavarësisht lëshimeve që mund të bëjë Beogradi.

Presidenti serb, Alleksandar Vuçiç, thotë se i ka patur parashikimet e sakta se takimi në Paris me Kosovën nuk do të ndodh. Ai ka thënë se nuk është i lumtur për këtë pasi Serbia ka nevojë për një zgjidhje, por Kosova me sa duket e di këtë dhe bllokon Serbinë. Anulimi i takimit ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi pasi tani nuk dihet si do të vazhdoj dialogu. Vuçiç ka theksuar se Serbia ka ofruar të mos loboj për tërheqjen e njohjeve dhe të mos hiqet taksa, por Kosova kërkon njohjen e pavarësisë.

 Alleksandar Vuçiç, president i Serbisë: “Ata e shohin që ne po nxitohemi që të bëjmë diçka për vendin tonë, ndaj dhe kërkojnë të njohim Kosovën ose asgjë. Por përgjigjja jonë nuk mund të jetë e tillë. Ne do të merremi me ekonominë dhe do të kujdesemi për serbët në Kosovë dhe për gjithçka rreth Kosovës e Metohisë”.

Serbia kishte qenë skeptike para të gjithëve duke thënë se ka gjasa që takimi të mos ndodh. Për serbët fajin e ka Kosova pasi nuk dëshiron të bëj asnjë lëvizje dhe në rrethana të tilla është parë që dialogu nuk ka kuptim.

 Alleksandar Vuçiç, president i Serbisë:  “Kurrë nuk kemi firmosur asgjë, apo kemi pranuar verbalisht që të mos lobojmë kundër pavarësisë. Kam ofruar të ndalojmë dhe të mos hiqet taksa, por të mos kërkojnë as ata njohje. Kjo ka mbështetje ndërkombëtare. Ata e dinë që ne kemi sukses në zhvillimin e vendit dhe nuk duan”.

Presidenti serb ka thënë se Serbia ka masat e gatshme kundër Kosovës, por për këtë do ta vendos në një takim me serbët e atjeshëm se si dhe cfarë masash do të vihen fillimisht./ABC News Albania 24/7

kosove-1-1280x714.jpg
ent ela16:19 | 05/04/2019

Në mungesë të simboleve kombëtare dhe shmangies së përdorimit të termit “Kosovë”, zyrtarët kosovarë e kanë braktisur samitin dixhital të Beogradit, duke akuzuar palën serbe për provokim të qëllimshëm. Në reagimin e saj, qeveria serbe ka deklaruar se nuk kishte për qëllim të provokonte askënd.

Samiti dixhital në kryeqytetin serb ka vazhduar pa praninë e zyrtareve të qeverisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur pasi organizatorët sa herë është përmendur fjala Kosovë kanë fikur mikrofonat e panelistëve dhe kanë lexuar një tekst të shfaqur në ekran ku thuhej se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se vetëm në këtë aspekt mund të flitet për të, duke vazhduar bisedimet. Në këte video duket ky reagim pasi mediat nuk janë lejuar në të gjitha pjesët. Kjo fusnotë e gjallë ka ndodhur gjatë gjithë samitit pavarësisht se edhe Kosova firmosi heqjen e romingut.

Organizatorët e Qeverisë së Serbisë thonë se nuk kanë patur për qëllim të ofendojnë askënd. Ata thonë se do të udhëtojnë vitin e ardhshëm dhe janë munduar të jenë nikoqirë të mirë. Por, rregullat janë rregulla pavarësisht se thonë se porosia e samitit ishte bashkëpunimi i domosdoshëm. Nuk ka qenë e lehtë të tejkalohet taksa e Kosovës ndaj Serbisë.

Sinkron Mihajlo Jovanoviç, Zyra për Teknologjitë Informative“Vendimi i qeverisë për të firmosur romingung për Ballkanin perëndimor do të thotë se jemi të interesuar për një progres rajonal. Nuk ka patur qëllim për të provokuar askënd, por është rekomandim i qeverisë për të respektuar rezolutën 1244 dhe në disa raste jemi detyruar ta theksojmë këtë, por pa qëllim të keq dhe është vetëm një kërkesë e jona për të respektuar të drejtën, gjë që e kërkojmë nga të gjitha shtetet e botës”.

Në këtë takim nuk ka patur asnjë simbol të shteteve që kanë marrë pjesë dhe firmosja e marrëveshjeve është bërë nën patronatin e Bashkimit Evropian./abcnes.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono