samiti i sofjes

VUCIC-NE-SOFIE-1280x720.jpg
ent ela16:49 | 17/05/2018

Mediat serbe i kanë kushtuar një hapësirë të gjerë samitit të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, ku ishte i pranishëm dhe presidenti serb Vucic. Pikërisht ky i fundit është kritikuar nga mediat në vend për praninë në një samit ku Kosova u trajtua si shtet.

Është cilësuar si një thikë pas shpine nga mediat serbe prania e kreut të shtetit Aleksander Vuçic  në Samitin e Sofies. Në një analizë të “Blic”, thuhet se mungesa e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoi në samitin e bashkimit europian dhe vendeve të Ballkanit perëndimor dhe nga ana tjetër prania e Serbisë janë dy gjëra që nuk shkojnë. Në shkrim thuhet ndër të tjera se kreu i ekzekutivit spanjoll nuk mori pjesë në një takim ku Kosova përfaqësohet si shtet sepse praktikisht do të njihte statusin e shtetit si të barabartë me të tjerët. Nga ana tjetër, Serbia përfaqësohet nga presidenti Vuçic sepse ai këmbënguli se nuk duhej injoruar vendi organizator, Bullgaria. Nga kjo del se Spanja mbron qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Serbia nuk po e bën këtë.

Në këtë samit, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Haradinaj, presidenti Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli.

Ndërkohë para Qendrës e Kulturës në Sofie, pesë shtetas serbë protestuan kundër pranisë së delegacionit kosovar, që mori pjesë në Samitin e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor. Ata mbanin në duar një parullë ku shkruhej “Kosova është Serbi”. /abcnews.al

MBULIM-MBYLLET-SAMITI-I-SOFJES-1280x720.jpg
ent ela16:36 | 17/05/2018

Në Sofje të Bullgarisë u mbajt sot samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë liderë të vendeve të Unionit, liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe drejtues të institucioneve të BE. Në përfundim të tij ai u vlerësua i suksesshëm nga presidenti i Këshillit Europain Donald Tusk. Në sapo përmbyllëm një samit shumë të mirë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor- tha Tusk në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Komisionit Junker dhe kreun e Bullgarisë Bojko Borisov, vendi i të cilit ka presidencen e radhës së BE. Tusk tha se në Samitin e Sofjes u konfikrmua perspektiva europiane për gjithë rajonin e Ballkanit. Sipas tij në këtë rajon ka probleme që duhen zgjidhur, por e ardhmja e tij është në BE. Tusk u shpreh me tej: “Ashtu siç e kam thënë edhe gjatë vizitave të mia në rajon, Bashkimi Europian do të mbetet partneri më i qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor. Për të shmangur çdo konfuzion, më lejoni që të jem shumë i qartë. Nuk shoh të ardhme tjetër për Ballkanin përveç BE-së”- nënvizoi presidenti i Këshillit Europian.

Ndërsa gjatë punimeve të samitit Presidenti francez Emmanuel Macron zbehu shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE, kur deklaroi se para zgjerimit duhet një reformim i thellë në union.

Ai u shpreh sot në Samitin e Sofjes se mbështet Ballkanin të ecë përpara në drejtim të integrimit në BE, por për zgjerimin duhet kujdes.

“15 vitet e fundit kanë treguar një rrugë që e ka dobësuar Europën, duke menduar çdo herë për zgjerimin e saj”- tha Makron. Kjo , sipas tij,  nuk i shërben as vendeve kandidate, as shteteve anëtare. Por presidenti francez u shpreh dakord që Ballkani të ketë një dialog strategjik të përforcuar me BE dhe një perspektivë të qartë.

Megjithatë mesazhi i liderëve  europianë ishtë i qartë: Është koha për të folur për reforma substanciale dhe jo për data të caktuara.

Në përfundim liderët kanë firmosur deklaratën e përbashkët të punimeve të samitit të Sofies ku përfshihen disa marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev ishin larguar më herët nga samiti dhe e kishin firmosur më përpara deklaratën e përbashkët. Ndërsa bashkë me liderët europianë marrëveshjen e nënshkruan presidenti serb  Vuçiç, ai kosovar Thaçi, boshnjaku Izetbegoviç dhe kryeministri malazez Markoviç. /abcnews.al

BASHA-SAMITI-PPE-SOFJE-1280x720.jpg
ent ela17:15 | 15/05/2018

Të mërkurën kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, do të marrë pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane në Sofje të Bullgarisë, që mbahet përpara Samitit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit të PPE, në samitin e saj janë ftuar të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker dhe presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani.

Axhenda e samitit të PPE do fokusohet tek integrimi europian vendeve të rajonit tonë dhe përgatitjet për samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do mbahet po në Sofje më 16 e 17 maj.

Presidenti i PPE Zhozef Doll do mikpresë Samitin, në të cilin do marrin pjesë presidentët e kryeministrat e djathtë të vendeve të BE, si dhe krerët e djathtë partiakë të Ballkanit perëndimor.

Samiti i PPE do mbahet të mërkurën nga ora 16 deri në 18 e 30, ndërsa kryetari I PD ka bërë të ditur se më pas do kthehet në Tiranë për të qenë i pranishëm në seancën parlamentare të të enjtes. /abcnews.al

SPANJE-SOFIA-1280x720.jpg
ent ela13:40 | 12/05/2018

Mediat serbe raportojnë se kryeministri spanjoll Mariano Rajoi ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në samitin e përbashkët të Bashkimit Europian dhe Ballkanit perëndimor në Sofje, për shkak të pranisë së Kosovës. Samiti do të mbahet në datat 17 dhe 18 maj.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, konfirmoi se nuk do të jetë i pranishëm në samitin e Bashkimit Europian – Ballkanin Perëndimor në Sofje më 17 dhe 18 maj. Sipas raportimit të së përditshmes serbe “Vecenje novosti”, lajmi është konfirmuar nga buime zyrtare të Këshillit Europian. Kryeministri spanjoll do të marrë pjesë vetë në takimin jo formal të Këshillit Evropian në kryeqytetin e Bullgarisë një ditë para samitit, por nuk do të qëndrojë në takimin kryesor.

Arsyeja e këtij vendimi ëshët prania e Kosovës në këtë samit, Rajoi ka refuzuar mundësinë për tu ulur në të njëjtën tryezë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi apo me ndonjë përfaqësues të shtetit të Kosovës.

Kreu i shtetit të Kosovës, një ditë më parë bisedoi me anë të telefonit me kryeministrin bullgar, Boiko Borissov, vendi I të cilit organizon dhe samitin e përbashkët të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje.

Presidenti Thaci u shpreh pas bisedës se kushti kryesor për anëtarësim në BE, mbetet mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajon. Ai shtoi se për Kosovën dhe Serbinë, mbetet jetike arritja e marrëveshjes detyruese ligjore për normalizim marrëdhëniesh dhe pajtim. Thaçi siguroi kryeministrin Borissov, se Kosova është e gatshme që të mbyllë kapitullin e konflikteve me Serbinë dhe të hapë atë të paqes. /abcnews.al

VAJGL-INTERVISTA-ERISA.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
ent ela14:51 | 08/05/2018

Në një intervistë eskluzive për ABC News, Ivo Vajgl, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Europian shprehet se në samitin e Sofies nuk priten bisedime për data apo afate, brenda të cilave disa nga vendet e Ballkanit mund të shpresojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. Por samiti duhet të përçojë një mesazh të qartë drejtuar skeptikëve për proçesin e zgjerimit, që rajoni i Ballkanit është një vlerë e madhe e shtuar e Bashkimit Europian. Sipas Vajgl, edhe nëse çështja e emrit të Maqedonisë nuk zgjidhet, atëherë Bashkimi Europian duhet të fillojë negociatatat e anëtarësimit me Maqedoninë.

Cila është pritshmëria juaj nga samiti i Sofjes si raportues për Maqedoninë? Përveç qëndrimit politik, do ketë projekte të rëndësishme?

Ivo Vajgl, eurodeputet: “Pres konfirmimin, që vendet kandidate të hyjnë në Bashkimin Europian në një të ardhme të parashikueshme. Nuk pres bisedime për data apo afate, brenda të cilave disa nga vendet e Ballkanit mund të shpresojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. Por pres të ketë një mbështetje unanime për zgjerimin. Një mesazh të qartë edhe drejtuar politikanëve skeptikëve dhe skeptikëve për proçesin e zgjerimit, që rajoni i Ballkanit është një vlerë e madhe e shtuar e Bashkimit Europian. Lidhur me projektet konkrete, mendoj, se së paku duhet t’i përmbahemi projekteve për të cilat është folur në vitet e shkuara në kuadrin e instrumentit IPA apo programe të tjera. Duhet që të lidhim këtë pjesë të Europës me vendet e Bashkimit Europian dhe kjo do të thotë investime në infastrukturë, trasport, energji”.

Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk gjatë vizitës së tij në Ballkan tha, se progresi i bërë nga të dyja vendet është i maftueshëm për hapjen e negociatave. A mund të themi që jemi në prag të këtij vendimi, apo i frikësoheni shteteve anëtare që mund të bllokojnë proçesin?

Ivo Vajgl, eurodeputet: “Shpresoj të mos ketë akte solo të shteteve anëtare individuale që ndjekin interesat e tyre. Eshtë një çështje kaq e rëndësishme gjeostrategjikle, që Bashkimi Europian duhet të tregojë bashkim dhe jo ndasi”.

Ne dimë aktualisht që shtetet anëtare skeptike për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë janë Gjermania, Holanda, Franca. Ndërkohë që për Maqedoninë mbetet kryesisht Greqia, apo ka vende të tjera skeptike?

Ivo Vajgl, eurodeputet: “Mund të jetë e vërtetë, por nuk dua të supozoj tani. Nëse i referohem çështjes së pazgjidhur midis Greqisë dhe Maqedonisë, ka një ndërvarësi lidhur me emrin e Maqedonisë. Une mendoj, se edhe nëse çështja e emrit nuk zgjidhet, atëherë Bashkimi Europian duhet të fillojë negociatatat e anëtarësimit me Maqedoninë. Negociatat mund dhe duhet të çelen. Ky ka qenë vazhdimisht qëndrimi i Parlamentit Europian. Mendoj, se Këshilli Europian duhet të marrë në konsideratë edhe qëndrimin e Parlamentit Europian”.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe Maqedonia për të bindur vendet skeptike?

Ivo Vajgl, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Europian: “Së pari, të dyja vendet duhet të provojnë që kanë një klasë politke mbështetëse për ambiciet e tyre europiane. Kjo do të thotë gjithashtu një bashkëpunim konstruktiv në Parlament midis mazhorancës dhe opozitës. Shpresoj,që ky mesazh të kuptohet nga politikanët, sepse nëse ky oportunitet që ofrohet për të hedhur hapat vendimtare tani nuk shfrytëzohet, kam frikë se e gjithë perspektiva europiane e  këtyre vendeve mund të rrezikohet”. /abcnews.al

Gazetare e ABC News: Erisa Zyka

SAMITI-SOFIE-1280x720.jpg
ent ela13:22 | 02/04/2018

Rumania, Qipro dhe Spanja kanë vendosur të bojkotojnë takimet kryesorenë samitin e vendeve të ballkanit në sofie në program për në 17 prill. Vendimi është marrë për shkak të Kosovës dhe faktit se nuk dëshirojnë të jenë në të njëjtën tryezë bisedimesh me presidentin Thaçi.

Sipas mediave serbe, Spanja, Rumania dhe Qipro kanë vendosur që të mos marrin pjesë në takimet kryesore në samitin e vendeve të Ballkanit  që do të mbahet në 17 prill në Sofie. Këto vende nuk dëshirojnë të jenë në të njëjtën tryezë me presidentin e Kosovës Hashim Thaci dhe as këtë fotografohen me të.

Nga ana tjetër Bashkimi europian pret që Serbia të ketë përfaqësuesit e saj në Sofie. Ndërsa Spanja, Rumania dhe Qipro po mendojnë një plan B sipas të cilit përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm në darkën e punës një ditë para samitit dhe më pas gjatë tij të përfaqësohen nga vende të tjera të Bashkimit Europian. Kjo nuk përbën një risi në Bashkimin Europian pasi është e mundur që një shtet anëtar të përfaqësojë një tjetër.

Por problem në këtë rast është se nuk ka një qendrim të përbashkët për sa i përket çështjes së Kosovës mes vendeve anëtare në BE, dhe për këtë arsye nuk dihet se kush mund të përfaqësojë Spanjën, Rumaninë dhe Qipron. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono