Samiti i Berlinit

haradinaj-samiti.jpg
nev ila18:40 | 07/06/2019

I sapokthyer nga Berlini, ku u takua me kancelaren Angela Merkel, kryeministri Ramush Haradinaj ka prekur çështjen e taksës për produktet serbe duke deklaruar se qeveria e tij është e gatshme ta pezullojë atë vetëm nëse ka një marrëveshjeje të negociuar.

Pas kthimit nga vizita zyrtare në Berlin, kryeministri Ramush Haradinaj tha se në takimin me kancelaren gjermane është vërtetuar serioziteti i Kosovës në çështjen e dialogut. Ndërsa ka përmendur dy opsione për suspendimin eventual i taksës.

Qëndrimi im është konsistent, janë dy opsione. Ose një vendim i madh, pra një konferencë një ditore, atëherë Kosova është e gatshme të suspendoj taksën deri në këtë konferencë, por me marrëveshje paraprakisht të negociueshme për një vendim për përmbyllje me kusht të njohjes, por edhe nëse e suspendojmë disa ditë, nuk e ndihmojmë procesin, se mund të zgjas me ditë dhe vjet”, tha Haradinaj.

Sipas tij Samiti i Berlinit e ka mbyllur çështjen e shkëmbimit të territoreve.

“Samiti i Berlinit e ka mbyllë çështjen e formulave të ndërrimit të territorit,  një çështje e tillë nuk ekziston tek asnjëra palë”, theksoi ai.

Ai ka thënë se nga kjo vizitë i është dhënë një shtytje procesit të liberalizimit të vizave.

Haradinaj ka qëndruar në Gjermani për dy ditë radhazi me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel, ku përveç saj ka zhvilluar edhe takime të tjera atje, ndërsa ka marrë pjesë edhe në lutjen e Mëngjesit./ABC News Albania 24/7

ramna-dhe-macron.jpg
ad min21:24 | 04/05/2019

Samiti i Berlinit ishte zhvillimi gjeopolitik që testoi tensionin politik në Shqipëri. Kryeministri Rama mbajti një profil të ulët publik mbi atë samit që pati në fokus marrëdhënien Kosovës Serbi, si pjesë e shqetësimit Europian për të patur stabilitet në rajon. Në Tiranë, Lulzim Basha artikuloi për herë të parë kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve, ndërsa presidenti Meta deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje me standarde pa opozitën. Vetë Kryeministri i ndjek jo pa vëmendje ato lëvizje.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron mblodhën të hënën e 29 Prillit në Berlin udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, për një takim informal. Formati ishte ai i Procesit të Berlinit të Gushtit 2014, iniciativë e kancelares gjermane. Franca e Gjermania, pavarësisht ulje-ngritjeve ndër vite në marrëdhënien e tyre, njihen motori i ndërtimit të Europës.

Madje miqësia franko gjermane është një nocion i njohur diplomatik, i zhvilluar paralelisht me Bashkimin Europian. Në Janar të këtij viti Merkel e Macron nënshkruan një traktat bashkëpunimi, që u pa si një thellim i marrëveshjes historike të Elysee të vitit 1963 mes presidentit Charles de Gaulle dhe kancelarit Konrad Adenhauer, për ta kthyer bashkëpunimin franko-gjerman në një realitet të përditshëm.

Merkel e Makron kanë marrë përsipër rajonin tonë e në modelin e marrëveshjes së suksesshme mes Athinës e Shkupit, synojnë një të ngjashme mes Kosovës e Serbisë. Por në atë samit dy vende të rajonit, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë në pritje për të dytin vit radhazi dritën jeshile për hapjen e negociatave të antarësimit. Dukshëm ky nuk ishte prioriteti i dyshes franko-gjermane. Për Macron prioritet është stabiliteti në rajon, si çështje europiane.

Por Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë pritshmëri për hapjen e negociatave. Rama e Zaev patën secili takime kokë më kokë me kancelaren. Në një deklaratë të shkurtër e të kujdesshme, Km nuk pati asnjë referencë për qëndrimin e Merkel për Shqipërinë. Entuziazëm nga ai takim përcolli ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj që foli për mbështetje absolute të Gjermanisë për hapjen e negociatave.

Kryeministri Zaev dukej më i pakënaquri për mungesën e një premtimi për hapje negociatash. Vendi i tij ndryshoi emrin për të arritur marrëveshjen me Greqinë, e cila u mor si model në Samitin e Berlinit për ngërçin mes Kosovës e Serbisë, por premtim nuk pati. Mediat raportuan se Zaev u kishte deklaruar interlokutorëve Merkel e Macron, se do jepte dorëheqjen nëse vendit të tij nuk i hapeshin negociatat e anëtarësimit në BE, edhe pse përmbushi kushtin që i ishte vënë për marrëveshje me Athinën. Mesazhi i Zaev për qytetarët e reflektonte këtë

Por dyshja franko-gjermane dukej kishte tjetër plan, normalizimin e marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë, duke u ndalur së pari projektin që kishte tensionuar marrëdhënien: korrigjimin e kufijve e më pas në taksën për produktet serbe. Në konkluzionet e përbashkëta të samitit evidentohet rëndësia e një marrëveshje gjithpërfshirëse, sërish me ndërmjetësimin e BE, pavarësisht kërkesave nga pala e KS për përfshirje të SHBA.

Serbia dhe Kosova janë dakordësuar të çojnë përpara përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe të angazhohen sërish në mënyrë konstruktive për normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me qëllim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Mes konkluzioneve, edhe një detyrë që dukej enkas për Mogherinin si lehtësuese e dialogut Kosovë Serbi.

Një nga ata që ka humbur besimin dhe është përplasur me Mogherinin është Kryeministri Haradinaj, që nuk u shfaq në takimin që shefja e diplomacisë zhvilloi me delegacionet në Berlin. Nëse Serbia u paraqit me presidentin Vuçiç e Kryeministren Brnabiç, nga Kosova u shfaq vetëm presidenti e zv.kryeministri.

Një ditë pas samitit, KE njoftonte se në Berlin ishte konfirmuar roli i Mogherinit si ndërmjetëse, ndërsa qëndrimi i saj 2 muaj më herët dukej se ishte harruar. Pas samitit të Berlinit, flitet për dialog, por jo kushte.

Spikati pas këtij Samiti një ndryshim në qëndrim edhe nga Presidenti Thaçi. Me të mbërritur në aeroportin e Prishtinës tha se vendosja e taksës ishte e drejtë, ndërsa Serbia nuk duhej të vinte kushte.

Por palët shqiptare nuk kishin qenë unison në Berlin. Haradinaj arriti një fitore jo të vogël me kundërshtinë e tij ndaj idesë së ndryshimit të kufijve dhe vënien në pikëpyetje të taksës serbe. I dha peshë akteve të veta duke akuzuar publikisht Presidentin Thaçi e Rama për presion në samit për heqjen e taksës.

Nëse Thaçi nuk reagoi, Rama u përgjigj një ditë më vonë. Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale me titull, e vërteta ime me shumë dëshmitarë, thuhej se Haradinaj po gënjente për përfitim politik.

Por pas këtij mohimi, vinte pohimi se i tiji kishte qenë një sugjerim, që Haradinaj të pranonte propozimin Merkel Makron për pezullim të përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mbështesnin njohjen e plotë ndërkombëtarisht të Kosovës.

Ndërsa Lulzim Basha lexonte qëndrimin e Merkel e Macron, si një tjetër “jo” për hapjen e negociatave me Shqipërinë. I qartë se hapja e negociatave ka ndjeshmëri publike, Km publikoi në rrjetet sociale dy takime që i vlerësoi si pozitive për këtë proces: me Kryetaren e socialdemokratëve gjermanë, Andrea Nahles dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Johann Ëadephul.

Nënkryetari i grupit parlamentar të kancelarës, u pyet nga DW për situatën në Shqipëri e djegien e mandateve nga opozita.  Spikati në përgjigje kujdesi në koment për PD, partinë simotër në PPE. Zyrtari i lartë i grupit parlamentar të Merkel megjithatë, nuk dukej gati për një premtim për hapje negociatash

Në ditën e fundit të afatit ligjor për Koalicionet, në KQZ u regjistrua koalicioni i majtë i udhëhequr nga PS me emrin e njohur Aleanca për Shqipërinë Europiane, si dhe një koalicion i djathtë me një grup partish të vogla, me emrin “Shpresa për ndryshim”. 13 maji është afati për regjistrimin e kandidatëve, e atë ditë socialistët do zyrtarizojnë kandidatët për 61 bashkitë.

Të paktën publikisht palët duken ekstremisht larg: Kryeministri që përgatitet për zgjedhje e opozita që përgatitet për protestë të shtunën e 11 Majit para selisë së qeverisë dhe bojkot zgjedhor.

Sytë mbeten nga presidenti i Republikës. A do arrijë Ilir Meta të ulë palët në tryezë, e a do e ndërmarrë aktin e shtyrjes së zgjedhjeve, ndërsa afatet për 30 qershorin e dekretuar prej tij po skadojnë njëri pas tjetrit për opozitën?/ABC News Albania 24/7

PROVOKACIA-3-MAJ-MONOLOGUSHPETIM-IDRIZI-PJESA-1.mpg_snapshot_11.40-1280x720.jpg
ent ela21:20 | 03/05/2019

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka vlereësuar qëndrimine kryeministrit kosovar në samitin e Berlinit. Sipas tij qëndrimi i kreut të qeverisë kosovare ishte prej një shtetari dhe patrioti, karshi një vendi që pengon avancimin tij.

“Haradinaj ka mbajtur qëndrimin më korrekt të një shtetari edhe një patrioti që e ka në ADN e tij dhe ka luftuar me armë në dorë. Ajo që pamë nga Samiti i Berlinti ishte që ra marrëvehsja për ndryshimin e kufijve, ku Rama e Vuçiç ishin bërë kumbarë të kësaj. U pa që ishte një marrëveshje jo në interesin e shqiptarëve.

Duhet të ketë marrëdhie të mira Serbi Kosovë, por ndërkohë që Serbia vë veton gjithmonë karshi avancimit të një shteti të lirë e të pavarur si Kosova, sigurisht që shteti i Kosovës duhet të përgjigjej me masa të tilla që i kanë bërë mirë Kosovës. Dhe haradinaj thotë përsa kohë që Serbia e pengon dhe nuk e neh Kosovën, padyshim që duhet të përgjigjej me masa të tilla”.

Sipas tij Serbia ka mbështetje nga diplomacia, pasi nuk flitet për të zhdukurit dhe të masakruarit në Kosovë, por flitet për krime të UÇK-së.

“Ne shqiptarët më shumë beteja i kemi humbur në tavolinë se në luftë. Shumë shpejt kuptuam se mbështetja dhe diplomacia që kishte Serbia sot nuk flasim për mijëra të zhdukur e masakruar në Kosovë, por flasim për krime të UÇK-së. Në momentin që ti mban qëndrime dinjitoze, je i respektuar si shtet dhe dinjitet kombëtar”. /abcnews.al

BERISHA-PER-SAMITIN-E-BERLINIT.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
ent ela18:12 | 02/05/2019

Ish kryeministri Sali Berisha deklaron se hapja e negociatave për Shqipërinë është një horizont që po largohet. Në një intervistë për TV Klan, Berisha tha se Samiti i Berlinit varrosi projektin e ndarjes së Kosovës.

“Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë prej kushteve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian. më datën 27 Qershor të vitit 2018.”

Është kjo përgjigjia që ka dhënë ish – Kryeministri Sali Berisha për deklaratat e Kryeministrit Rama se ai ka dizinformuar për zhvillimet në Samitin e Berlinit. Në një intervistë për televizionin Klan, Berisha thotë se negociatat janë gjithnjë e më larg.

“Vetëm ata që duan të gënjejnë veten, mund të presin të hapen negociatat”.

Numri i lartë i azilkërkuesve nga Shqipëria, rithekson Berisha, do të penalizojë edhe shqiptarët e Kosovës në procesin e liberalizmit të vizave. Dhe ky, sipas tij, është qëndrim i Francës.

“Është radio shtetërore gjermane, Deutsche Welle, e cila në kohën kur Rama ishte në Berlin, njoftoi shqiptarët se një nga shkaqet më kryesore të mos’heqjes së vizave për Kosovën, për Presidentin Macron është përvoja e keqe e Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë”.

Thotë se Samiti i Berlinit do të hyjë në histori pasi varrosi projektin e ndarjes së trojeve të Kosovës pas së cilit sheh si arkitektë Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi.

“Që të dy shkuan me projektin e Serbisë së Madhe, të copëtimit të trojeve të Kosovës dhe ndryshimit të kufijve. Berlini do hyjë në histori se varrosi këtë projekt, arkitektë të të cilit ishin Aleksandar Vuçiç, miladin shqipfolës në Prishtinë (Hashim Thaçi) dhe zografi bis në Tiranë (Edi Rama)”. /ABC News Albania 24/7

 

kocijancic.jpg
nev ila16:30 | 30/04/2019

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e komisionit evropian, Maja Koçijançiç, u shpreh se samiti i Berlinit tregoi qartë mbështetjen e Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç, ka deklaruar se takimi i Berlinit,  BE- Ballkan ka përçuar një sinjal mbështetjeje për më shumë angazhim nga Bashkimi Evropian për lehtësimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.

Koçijançiç ka nënvizuar, se puna dhe përpjekjet e Bashkimit Evropian në këtë drejtim do të vazhdojnë edhe në takimin e liderëve të Ballkanit në 8 dhe 9 maj në Tiranë në kuadër të procesit të Brdo-Brionit. Koçijaniç këtë deklaratë e ka bërë gjatë konferencës së mesditës së Komisionit Evropian.

“Takimi në Berlin prodhoi një sinjal të qartë për mbështetjen e mëtejshme dhe me më shumë angazhim  lidhur me vazhdimin e lehtësimi të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Kjo është e rëndësishme, sepse çdo angazhim për lehtësimin nga BE-ja të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit është i mirëpritur.  Kjo nënkupton se do ketë takime të mëtejshme për dialogun. Çdo takim në këtë kuadër ndihmon dhe shihet si kontribut për mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Puna dhe kontaktet midis palëve vazhdojnë. Mogherini do jetë me liderët e Ballkanit pas dhjetë ditësh në Tiranë për procesin e Brdo-Brioni, ku pritet që të vazhdojë kontaktet edhe lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd. Si u vutë në dijeni, ajo është takuar me liderët e Ballkanit në Berlin”, deklaroi Koçijançiç.

Procesi i Brdo-Brionit ka lindur zyrtarisht në 20 mars 2010 si një iniciativë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë për të forcuar bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit dhe përshpejtuar avancimin e vendeve në kuadrin e reformave të integrimit evropian./ABC News Albania 24/7

samiti-berlin.jpg
nev ila16:13 | 30/04/2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron u kanë sugjeruar 6 vendeve të Ballkanit perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në BE se ka pak shanse për t’u bashkuar menjëherë me bllokun, duke u thënë atyre se duhet të vënë rregull në shtëpitë e tyre një herë.

Kështu nis një shkrim i prestigjiozes “Financial Times” për samitin e Berlinit me titull: “Ujë i ftohtë mbi shpresat e Ballkanit për pranimin e menjëhershëm në BE”.

Macron u përqendrua në nevojën për “stabilitetin politik” në rajon, duke thënë se Parisi do të ndihmonte në reformat kyçe ekonomike, sociale, të sigurisë dhe të sundimit të ligjit përmes procesit të zgjerimit të BE.

BE ka mbajtur gjatë mundësinë e sjelljes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok për të nxitur përparimin ekonomik dhe për të përmirësuar stabilitetin më të gjerë rajonal.

Mali i Zi dhe Serbia tashmë kanë hapur zyrtarisht negociatat për t’u bashkuar me BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë dhe shpresojnë të kenë dritën e gjelbër për të hapur negociatat zyrtare të pranimit në një samit të qershorit, të cilin vendet e tjera aspiruese do ta shohin si një provë gatishmërinë për t’u angazhuar./abcnews.al

samiti-berlin.jpg
nev ila10:55 | 30/04/2019

Samiti i Berlinit u mbyll me dakordësinë e Kosovës dhe Serbisë për implementimin e marrëveshjeve të arritura mes tyre si dhe për vazhdimin e dialogut, me synim normalizimin e marrëdhënieve. Makron dhe Merkel pritet të mbledhin sërish liderët e Ballkanit Perëndimor në një takim të ngjashëm, në 1 korrik në Paris.

Samiti   i Berlinit ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi. Ndonëse në Samit u diskutua rreth mundësisë së vazhdimit të negociatave mes dy vendeve, pala serbe ka ripërsëritur se nuk do të vazhdojë dialogun pa u hequr taksa 100%. Kurse  pala kosovare ka theksuar sërish qëndrimin e saj, duke thënë se nuk pranon kushtëzime nga Serbia.

Samiti  i Berlinit, i organizuar me nismën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Makron përfundoi me dakordësinë që të mbahet një takim i ri i të njëjtit format më 1 korrik në Paris.

Sipas konkluzioneve të samitit, të publikuara në faqen e Kancelarisë Gjermane,  Kosova dhe Serbia janë pajtuar t’i implementojnë marrëveshjet e arritura si dhe të vazhdojnë dialogun me ndërmjetësimin e BE-së.

Në konkluzione nënvizohet nevoja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë për stabilitetin në rajon dhe për perspektivën Europiane të dy vendeve. Të gjithë u dakordësuan se një marrëveshje e tillë duhet të jetë gjithpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme e t’i shërbejë stabilitetit të rajonit.

“Serbia e Kosova u dakordësuan të përshpejtojnë përpjekjet për implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të riangazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me synim arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe definitive”,  thuhet në deklaratën e Samitit.

Vendet   e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë dakordësuar marrëveshja e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ishte një  “shembull i shkëlqyer” për zgjidhjen e një konflikti të tillë.

Palët  ranë gjithashtu dakord që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një hapësirë ekonomike rajonale në përputhje me deklaratën e Samitit të Sofjes në vitin 2018, dhe konkluzionet e Kryesisë së Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër 2018./ABC News Albania

ZAEV-NE-BERLIN-KLAN-MAQEDONIA_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela23:09 | 29/04/2019

Maqedonia e Veriut ka marrë vlerësime në Samitin e Berlinit për marrëveshjen e arritur me Greqinë. Kryeministri Zaev është takuar me kancelaren Merkel dhe presidentin Makron dhe është inkurajuar të vazhdojë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.

Kryeministri Zoran Zaev në Berlin është takuar me Presidentin francez Emanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Takimivlerësohet si mjaft i rëndësishëm, duke marrë parasysh se Maqedonia e Veriut është në pritje që në qershor t`i fillojë negociatat me BE-në, pas zgjidhjes së suksesshme të kontestit rreth emrit me Greqinë fqinje. Për stabilitetin e rajonit dhe përfitimet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë pas Marrëveshjes së Prespës, është e domosdoshme që vendi të ketë përkrahje dhe të vazhdojë sa më shpejtë në rrugën e integrimit të pritur evropian – janë dakorduar Kryeministri Zaev dhe Përfaqëesuesja e lartë e BE-së Federika Mogherini në takimin në Berlin.

“Bashkërisht është konstatuar se Maqedonia e Veriut dhe Marrëveshja e Prespës janë shembuj pozitiv për Ballkanin dhe se ky sukses është inkurajim për vendet pjesëmarrëse të Konferencës për Ballkanin Perëndimor” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. /abcnews.al

merkel-thaci.jpg
ad min11:48 | 28/04/2019

Samiti i Berlinit nuk do të sjellë një risi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por do të jetë një shans për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Sipas presidentit Hashim Thaçi, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron do nxisin palët për një marrëveshje të tipit Athinë-Shkup.

Një ditë para takimit të Berlinit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se ky samit nuk do të sjellë një proces të ri në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por do të kërkojë mundësi për zgjidhjen e problemeve duke marrë si shembull marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

“Në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Kreu i shtetit të Kosovës ka theksuar se, pret nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit dhe kontinentit. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi. Presidenti ka shtuar se, në këtë takim do të kërkojë edhe dënimin e genocidit të shtetit serb në Kosovë në vitet 1998-1999.

“Ne do të fokusohemi në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka shtuar Thaçi./abcnews.al

IDRO-TAKIMI-I-BERLINIT.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela18:15 | 17/04/2019

Për analistët serbë, samiti i Berlinit do të shërbejë për të zhbllokuar ngërçin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tyre, Angela Merkel dhe Emanuel Makron do të përpiqen të marrin në dorë lidershipin e procesit dhe të përafrojnë qëndrimet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Franca dhe Gjermania shihen si mundësi për të qenë lokomotiva e zgjidhjes së problemeve në Ballkan. Ftesa nga Berlini ka nxitur reagime në Serbi pasi Kosova ende nuk i ka hequr taksën për mallrat serbe, e që konsiderohet kusht për vazhdimin e dialogut. Presidenti serb u kritikuar pjesërisht për pranimin e ftesës, ndërsa në Serbi u tha se kërkesa e vetme do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës. Stefan Surllic, ligjerues në Fakultetin e shkencave politike në Univerzitetin e Beogradit, thotë se Vucic ka njoftuar opinionin se është hequr dorë nga ërkufizimi, por Serbia nuk do të bëj veprime pa u bërë lëshime në llogari të saj.

Stefan Surlliç, Fakulteti i Shencave Politike në Beograd: “Dyshja Merkel-Makron do të tregojë para zgjedhjeve se nuk tregton me çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimin e tij në BE dhe porosia e dytë është që Ballkani dhe sidomos Kosova janë çështje evropiane. Lojtarët e tjerë të rëndësishëm mund të paraqiten në finale, por Berlini dhe Parisi do të formulojnë idenë dhe do ofrojnë kornizën e bisedimeve, apo edhe në fund modelin e marrëveshjes Beograd-Prishtinë”.

Serbia thotë se shumica e qytetarëve duan një konflikt të ngrirë me Kosovës. Por zyrtarët, e sidomos presidenti, duan një marrëveshje.

Millan Antonijevic, drejtor i Fonadacionit për Shoqëri të Hapur, thotë se ideja është të promovohet edhe zgjërimi. Përvec një shtytje ekonomike për të gjitha vendet, Berlini dhe Parisi duan të tregojnë se është koha për çështje konkrete.

Millan Antonijeviç, Fondacioni për Shoqëri të Hapur, Beograd: “Procesi që është i bllokuar ka nevojë për një energji të re. Nëse kjo ndodh, disa procese mund të zhbllokohen dhe mund të shohim qëndrime më të përafërta edhe të Beogradit edhe të Prishtinës shumë shpejt. Nisma e Francës është për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe qëndrimi i tyre është i tillë edhe për Beogradin dhe Prishtinën. Në anën tjetër kemi Berlinin që ka një qëndrim të fuqishëm që nuk ka ndryshuar shumë në kohë”.

Presidenti Vucic tha se presionet do të shtohen për njohjen e pavarësisë së plotë të Kosovës pa ndryshim të asnjë gjëje. Serbia e pret mundësinë e zhbllokimit të dialogut në mes të paralajmërimit të masave të mundshme kundër Kosovës dhe idesë për një zgjidhje me kompromis. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono