Samit

haradinaj.jpg
G. P.15:18 | 12/09/2019

Kosova ka anuluar pjesëmarrjen e planifikuar në Samitin i Pragës, mes katër shteteve të Vishegradit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shkak për këtë u bënë deklaratat e presidentit çek Zeman kundër njohjes së pavarësisë së vendit.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nuk do të marrë pjesë në samitin e Pragës. Në këtë samit marrin pjesë katër shtete të Vishengradit dhe shtete e Ballkanit Perëndimor. Haradinaj anulimin për pjesëmarrje në këtë samit e ka arsyetuar me procesin zgjedhor në Kosovë.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit. Përmes kësaj letre i kam shprehur falenderimet e sinqerta Kryeministrit të Çekisë,  Andrej Babis, për ftesën për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lart përkushtimin e Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj.

Dje Agjencia Çeke e Lajmeve, duke iu referuar burimeve të saj diplomatike, ka shkruar se refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në takimin e së enjtes, vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të presidentit çek, Milosh Zeman.

Zeman javën e kaluar ka deklaruar se dëshiron t’i diskutojë mundësitë kushtetuese që Republika Çeke të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Të njëjtën deklaratë Zeman e ka përsëritur edhe dje gjatë qëndrimit në Beograd ku tha se brenda një muaji do ta rishikojnë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Pavarësisë së Kosovës./ABC News Albania 24/7

strategjia.jpg
G. P.09:00 | 27/08/2019

Fillimisht samiti i G-7 në Francë, pastaj një vizitë në Poloni. Për një udhëtim në Gjermani, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka pasur deri tani kohë. Ekspertët e shohin këtë si pjesë të një strategjie më të gjerë.

Që nga fillimi i samitit në Biarritz Presidenti amerikan Trump tregohet i entuziazmuar në Twitter. “Kemi takime shumë të mira, udhëheqësit kuptohen shumë mirë,” shkruan ai në rrjetin e mesazheve të shkurtra. Një drekë dyorëshe me Macronin ai e quajti “takimin më të mirë që kemi pasur deri tani”. Franca dhe Macroni sipas tij kishin bërë një punë të shkëlqyer deri tani në një samit “shumë të rëndësishëm”. Një takim dypalësh me Kancelaren Gjermane në kuadër të samitit deri vonë nuk ishte planifikuar.

Pas samitit, në fund të gushtit Trumpi do të vizitojë një vend tjetër evropian: Poloninë. Atje ai do të marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të Luftës së Dytë Botërore 80 vjet më parë.

Kurse Gjermania nuk është në planin e udhëtimeve të tij. Gjithashtu, Trump nuk tregoi fillimisht përsëri asnjë angazhim për të takuar kancelaren Merkel në kontekstin e këtij apo të një udhëtimi të mëvonshëm. Kjo përshtatet në tabllo: në më shumë se dy vjet të mandatit të tij, Trumpi e ka takuar Merkelin vetëm një herë në Gjermani – në samitin e G-20-s, në vitin 2017 në Hamburg. Ndërsa mysafir i saj në Berlin ai nuk ka qenë kurrë.

US-Präsident Donald Trump und Kanzlerin Merkel (picture-alliance/dpa/K. Nietfeld)

SHBA dhe Gjermania: raport që është bërë i vështirë

Kjo në një kohë kur lista e temave të bisedës do të ishte shumë e gjatë. Në të do të kishte mbi të gjitha tema të ngarkuara me konflikte – siç janë shpenzimet për mbrojtjen e Gjermanisë, qëndrimi ndaj Iranit, tubacioni i gazit Nord Stream 2 me Rusinë. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara vërtet që kanë ende shumë gjëra të përbashkëta, por kohët e fundit kanë megjithatë gjithnjë e më shumë dallime.

Trumpi dhe Merkeli nuk kanë dallime të rëndësishme vetëm në politikë. Edhe harmonia midis të dyve konsiderohet jo veçanërisht e mirë. Në ngjarjet përkujtimore për D-Day këtë verë, Trumpi nuk i ofroi Merkelit as një shtrëngim duarsh.

“Stil drejtues transaksional”

Refuzimi ndaj Gjermanisë si dhe anulimi nga Trumpi i një udhëtimi të planifikuar në Danimarkë në shtator, për shkak të refuzimit të Danimarkës për të shitur Groenlandën, janë tipike për “stilin e udhëheqjes transaksionale” të Trumpit, “thotë eksperti amerikan Josef Braml i Shoqatës Gjermane për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Ai e sheh veten si shef, formulon qëllime dhe kërkesa të qarta dhe i shpërblen ose i dënon vartësit me avantazhe ose disavantazhe, kur ata nuk i plotësojnë kërkesat e tij,” tha Braml në një intervistë për DW.

Roli i brishtë i preferuar i Polonisë

“Kjo është arsyeja pse Gjermania dhe Danimarka po ndëshkohen me mungesë vëmendjeje, kurse Polonia për momentin ka qenë në gjendje të ketë sukses te presidenti amerikan,” shtoi ai.

Kjo ka pasoja: ndërsa ndikimi i Berlinit në Uashington po zvogëlohet, Varshava e ka përmirësuar ndjeshëm profilin e saj transatlantik që nga koha kur Trump mori postin. “Polonia ka më shumë ndikim se Gjermania, dhe unë do ta quaja Poloninë partnerin e dytë më të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara pas Mbretërisë së Bashkuar”, i thotë ARD-së, Nile Gardiner nga “Fondacioni Heritage” në Uashington.

08.11.2012 DW QUADRIGA Josef Braml
Josef Braml

Ndërkohë, Bramli e paralajmëron Poloninë dhe vendet e tjera që të mos mbështeten shumë në marrëdhëniet e reja diplomatike me Shtetet e Bashkuara. “Miqtë e tanishëm të Trumpit në Evropën Lindore nuk duhet të gabohen. Herët a vonë do të jetë e rëndësishme për gjeostrategjistët amerikanë të pajtojnë interesat amerikane dhe ruse, në mënyrë që të frenojnë veprimtarinë e gjerë të Kinës,” thotë Braml në bisedë me DW.

Strategjia: përçarja e BE

Zakoni i ri i mospërfilljes së vendeve ekonomikisht të forta evropiane, dhe përkundrazi duke i kushtuar vëmendje të veçantë atyre vendeve që kanë një marrëdhënie veçanërisht të vështirë me Brukselin, mund të ketë lidhje me një qëllim të gjerë strategjik – domethënë, për të thelluar hendekun brenda Bashkimit Evropian.

“Itinerari i Trumpit në Evropë është një përpjekje e dukshme për të përçarë BE-në. Qeveria e tij tashmë e ka bërë të qartë. Ajo beson në një politikë të tillë, sepse është kundër multilateralizmit”, thotë në një bisedë me ARD, Jacob Kirkegaard në Institutin Peterson të SHBA për Ekonominë Ndërkombëtare.

Me siguri duhet parë në këtë kuadër, që Trumpi ka mbështetur në mënyrë të përsëritur kryeministrin e ri britanik Boris Johnson. Në të njëjtën kohë, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, ka kërcënuar se SHBA mund të tërheqin trupat e tyre nga Gjermania dhe në vend të kësaj t’i zhvendosin në Poloni.

“Qeveria e Trumpit u përpoq që nga fillimi të fusë një pykë midis shteteve anëtare të BE”, thotë koordinatori transatlantik i Qeverisë Federale, Peter Beyer, në një bisedë me Südwestpresse. “Ne duhet ta marrim seriozisht këtë.”/DW

macron-and-trump-1280x835.jpg
G. P.17:00 | 25/08/2019

Gjatë punimeve të samitit G7, presidenti Trump ka shpërfillur përpjekjet e homologut Macron për uljen e tensioneve me Iranin. Për Trump, presidenti francez mund të flasë sa të dojë me regjimin e Republikës Islamike, administrata amerikane do të ndjekë planet e saj.

Emmanuel Macron dhe Donald Trump nuk e kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët në lidhje me Iranin, në punimet e samitit G7. Ka qenë presidenti amerikan që ka shpërfillur përpjekjet e homologut francez për të ndërmjetësuar me Republikën Islamike.

Trump u shpreh i kënaqur që presidenti Macron po mban kontakte me Teheranin, por shtoi se administrata amerikane do të vazhdojë me iniciativat e saj. Liderët europianë janë përpjekur ta sheshojnë konfrontimin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që kur Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 dhe rivendosi sanksionet ndaj ekonomisë iraniane.

Macron, që ka nxitur ndërmjetësimin në javët e fundit për të shmangur një përkeqësim të situatës në rajon, kishte thënë për një televizion vendas se liderët e G7-s kishin rënë dakord për një ndërveprim të përbashkët.

Por Trump, që ka zgjedhur një politikë presioni ndaj Republikës Islamike, u tërhoq. I pyetur nga mediat nëse kishte firmosur një deklaratë mbi Iranin që Macron do ta shpallte për llogari të G7-s, Trump tha:  “Nuk e kam diskutuar këtë. Jo”.

Ai shtoi se Macron por edhe liderë të tjerë janë të lirë të flasin me Teheranin. “Ne do të vazhdojmë me planet tona, por nuk mund t’i ndaloj njerëzit që të flasin. Nëse duan, le të flasin”, tha Trump.

Ndërkohë, vetë Macron tërhoqi komentet e mëparshme të tij duke bërë të ditur përmes zyrës së shtypit se G7-a nuk kishte dalë me një qëndrim të përbashkët sa i takon Iranit./ABC News Albania 24/7

presidenti-slloven.jpg
ent ela12:42 | 09/05/2019

Në fjalën e tij në konferencën e përbahskët për shtyp pas përfundimti të samitit të Brdo Brijunit,  Presidenti i Sllovenisë, Pahor theksoi se pas zgjedhjeve evropiane, është koha që Brukseli të shohë zgjerimin e Ballkanit në një mënyrë sui generis.

“Dua të shpreh qëndrimet e mia se pas zgjedhjeve evropiane dhe Komisionit të ri, është koha për Brukselin që të shohë procesin e  zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor në një mënyrë sui generis. Komisioni do i drejtojë neogociatat me qeveritë e vendeve të ndryshme, por në të njëjtën kohë KE, PE duhet të ketë para syve panoramën e përgjithshme të rajonit dhe të ftojnë të gjithë ata në proces, pasi do të varen nga njëri-tjetri dhe në këtë rast ekziston një mundësi që problemet do zgjidhen në një mënyrë më të mirë sesa janë zgjidhur”.

Sipas presidentit slloven pas zgjedhjeve evropiane procesi i zgjerimit nuk do të jetë në nvelin e lartë të rendit të ditës së KE, por varet nga ne sesi do t’i zgjidhim çështjet.

“Jam mjaft i habitur nga atmosfera pozitive në seancë sot. Nuk po them që zgjidhëm problemet, por trajtuam çështjet në mënyrë të hapur dhe debatuar ato në mënyrë miqësore. Është e rëndësishme të gjithë e dinë se pas zgjedhjeve evropiane procesi i zgjerimit nuk do jetë në nivelin e lartë të rendit të ditës të Komisionit, dhe varet nga ne ti zgjidhim këto çështje që ky rajon do jetë më tërheqës për pjesën tjetër të BE”.

Pahor konfirmoi gjithashtu se takimi tjetër do jetë në Lubjanë, ku mes të ftuarve do të jetë edhe sekretari i përgjithshëm i kombeve të Bashkuar. /abcnews.al

 

rama-1280x715.jpg
G. P.10:23 | 02/05/2019

Vendosi të hapë dyert e mbledhjes së grupit parlamentar për t’i dërguar një mesazh të përbashkët jo vetëm Tiranës, por edhe Prishtinës për çka thanë e nuk thanë mbi samitin e zhvilluar në Berlin.

“Nuk kisha parë kurrë dezinformim më të madh politik, mediatik se sa tërësia e marrëzive dhe ligësive e pasqyruar në Tiranë e Prishtinë. Samiti s’kishte asnjë lidhje me integrimin e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut Në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama sqaron se  nuk shkoi në Berlin që të njihej me vendimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave ndonëse pranon që një problem siç e quan ai ka shtyrë vendimin e Bundestagut për Shqipërinë.

“I vetmi problem i miqve gjermanë është se koha fizike për procedurën e diskutimit të Bundestagut nga data e daljes së rekomandimit të Komisionit në ditën e vendimmarrjes në qershor është tejet e shkurtër. Prandaj është folur për Shtatorin, nga pala gjermane, por kurrsesi për mosçelje negociatash”, tha ai.

Sa për Francën, Kryeministri zgjodhi të nënvizojë faktin se duhet pritur përfundimi i zgjedhjeve evropiane në Maj, në periudhën kur qëndrimi i Francës do formohet në bazë të rekomandime të Komisionit.

“Do ishim në pozitë të vështirë sot nëse komisioni nuk do rekomandonte hapjen e negociatave”, tha Rama.

Ndërkohë që kryeministri shtrëngonte duart me kancelaren gjermane dhe presidentin francez, në Shqipëri presidenti u dakordësua me partitë aleate të Partisë Demokratike për të thirrur një tryezë dialogu mes mazhorancës dhe opozitës. Ky nuk është një realitet tjetër politik për shefin e qeverisë nga ai që la kur u nis për në Berlin. Këtë e pasqyroi në përsëritjen  e thirrjes për zgjedhje në 30 Qershor.

“Me gjithë broçkullat që u thanë për Samitin apo që mua do më tërhiqet veshi që të shtyja zgjedhjet, u them se nuk më zuri veshi asnjë kërkesë të kësaj natyre. Zero fjalë për të shtyrë zgjedhjet.”

Jashtë kamerave kryeministri Rama i kërkoi drejtuesve politikë në qarqe  që të gjejnë kandidatët më të mirë si kryebashkiakë e si këshilltarë bashkiakë. Puna të vijoi sikur opozita do të garojë përballë tyre, i ka porositur ai.

Kohën më të madhe në fjalimin e tij rreth 45 minutësh në media ia dha ndryshimeve në Kodin Penal. Burgu nuk pret vetëm ata që do të prishin zgjedhjet, por edhe ata që bllokojnë rrugët.

“Nuk mund ta pranojmë si normalitet sportiv bllokimin e lëvizjes së qytetarëve dhe organizimin e saj në mënyrë sistematike”.

Paketa e re e ndryshimeve parashikon ashpërsim të dënimit për krimet mjedisore, ndaj atyre që dhunojnë bluzat e bardha, por edhe neglizhencës së mjekëve në trajtimin mjekësor, për të drejtën e autorit që shkelet vazhdimisht, të drejtat e kafshëve për mbrojtjen nga shfrytëzimi e dhunimi, për ndëshkimin e të gjithë atyre që shkelin vijat e bardha të fushës së blertë të futbollit e ajo që i duket se duhet të rishikohet është rritja e dënimit me burg për ata që cënojnë sigurinë ushqimore.

“Pastaj sasinë e dënimit unë personalisht nuk jam dakord se më duket shumë e vogël ta diskutojnë këtë komisionet dhe grupet e interesit”, tha Rama.

Në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u vendos që Asambleja Kombëtare të zhvillohet në 10 Maj ndërsa prezantimi i 61 kandidatëve për kryebashkiakë në datën 13 Maj./ABC News Albania 24/7

ivica-dacic-1280x717.jpg
G. P.14:25 | 29/04/2019

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçic deklaroi se nuk ka pritshmëri që samiti i Berlinit të jetë historik për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, sipas tij, Samiti mund të jetë i mirë vetëm nëse Prishtina detyrohet të heqë taksën prej 100 për qind të vendosur ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Ai theksoi se nëse nuk bëhet presion mbi Prishtinën, vështirë se mund të priten përparime spektakolare në lidhje me vazhdimin e dialogut. Por, ai shtoi se duke pasur parasysh pjesëmarrësit e takimit, nuk beson se do të ketë presion ndaj Prishtinës.

“Do të ketë shumë fjalë, por pak rezultate konkrete”, përfundoi Daçiç./abcnews.al

VUCIC-PREMTIMI_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.01.jpg
G. P.15:57 | 28/04/2019

Në prag të samitit të Berlinit, një gazetë gjermane shkruan se vendet e Ballkanit nuk janë gati për të nisur negociatat e anëtarësimit. Më shumë se kushdo tjetër, vendi që sipas së gazetës nuk meriton anëtarësimin është Serbia, ku dominon një frymë e theksuar anti-BE dhe pro-ruse.

Shtetet e Ballkanit meritojnë mbështetje, por integrimi i mëtejshëm i tyre në BE do të ishte një sinjal i gabuar. Kështu thuhet në një shkrim analitik të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Sontaggszeitsung”, sipas të cilës me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Kosova nuk janë gati për t’u afruar më tej me Unionin.

Për Maqedoninë e Veriut, që ka një qeveri reformatore që për hir të së ardhmes ka bërë kompromise të guximshme, gazeta vlerëson se hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishte mirënjohja e duhur për guximin e treguar.

Por vendi që sipas së përjavshmes gjermane nuk e meriton më shumë anëtarësimin në BE është Serbia, ku pjesa dërrmuese e popullsisë është anti-europiane dhe pro-ruse. Sipas gazetës, në Serbi vetëm 29 për qind e popullsisë janë pro-BE-së, ndryshe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ku mbështetja për Unionin llogaritet në 83, 84 dhe 59 për qind.

“Frankfurter Allgemeine Sontaggszeitsung” vë në dukje edhe politikat e presidentit Aleksandër Vuçiç, që nga njëra anë thotë se do të anëtarësojë vendin në BE dhe nga ana tjetër me fushatë kundër BE-së erdhi në pushtet dhe mban pushtetin.

Gazeta e vë theksin edhe tek mediat serbe të afërta me Vuçiç, si televizioni “Pink” dhe e përditshmja “Informer”, të cilat ndërmarrin fushata dezinformimi sikur BE do të organizojë luftëra ndaj Serbisë dhe se po të mos ishte për Vuçiç dhe Rusinë e Vladimir Putin, Serbia do të merrte fund.

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të ishte një argument vendimtar kundër anëtarësimit të Serbisë në BE. Përse t’i dhurohet anëtarësimi një shteti ku urrejtja ndaj BE-së është instrument për sigurimin e pushtetit?”, shkruan gazeta gjermane. Sipas saj, në Bruksel duhet thënë: “Serbia është pjesë e Europës, por nuk e ka vendin në BE. Të paktën jo sot dhe as nesër”./abcnews.al

haradinaj-2.jpg
G. P.16:15 | 18/04/2019

Në samitin e Berlinit kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se do të flasë edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Evropa ia ka borxh Kosovës liberalizmin e vizave. Ai për këtë çështje do të flasë edhe në Samitin e Berlinit me dy udhëheqësit kryesorë, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Ndërsa nuk beson në këtë samit do të ketë negociim për territorin e Kosovës.

Ramush Haradinaj: Samiti i Berlinit është një mundësi e mirë dhe një tavolinë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor dhe Kosova e ka perspektiven evropiane dhe për mua ka shumë rëndësi se Evropa e ka një borxh ndaj Kosovës, pra liberalizimin e vizave dhe vendimi ende nuk është marrë. Aty janë udhëheqësit kryesor si Merkel dhe Macron, shpresoj që të kam mundësi t’ua rikujtoj këtë borxh, nuk mendoj se aty do të ketë negocim për territorin e Kosovës dhe Serbisë e as për Zajednicë”, tha Haradinaj.

Ndërsa pas mbledhjes së qeverisë kryeministri Haradinaj, ka folur edhe për deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të PDK-së për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ka thënë se  nëse ndokush dëshiron të dal nga koalicioni mund ta bëj.

Haradinaj tha se nuk e prish kontratën sepse nuk është tradhtar dhe se do të jetë i fundit që do dal nga ajo kontratë. Disa zyrtarë të PDK-së kanë përmendur faktin që në zgjedhjet e radhës kreu I PDK-së që është aktualisht kryetar i Parlamentit të Kosovës do të jetë kandidat për kryeministër./abcnews.al

48046723_403.jpg
G. P.08:11 | 30/03/2019

Marrëveshja Brexit dështoi për herë të tretë në Londër. BE-ja tani pret propozime të reja nga Kryeministrja May. Disa skenarë janë të mundshëm para takimit të posaçëm të BE-së më 10 prill.

Po tani? Parlamenti londinez zgjodhi opsionin më të padëshiruar si për institucionet e BE-së ashtu edhe për shumicën dërrmuese të 27 shteteve anëtare. Me këtë “Jo” të tretë (344 për, 286 kundër), po shtohen gjasat e Brexit-it të ashpër. Si datë e daljes është paraparë 12 prilli, siç e caktuan një javë më parë, krerët e BE-së, së bashku me kryeministren britanike Theresa May, vendosën të zhvillonin një takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Sipas negociatorit të BREXIT-it, Michel Barnier, kryeministrja britanike ka tani vetëm dy opsione: Ose të kërkojë sërish zgjatjen e negociatave, sipas nenit 50 të Traktateve të BE-së ose ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE-ja, pa marrëveshje dhe pa një fazë kalimtare.

Zgjatje apo dalje e menjëhershme?

“Nëse britanikët kërkojnë një zgjatje, ajo duhet të jetë mjaft e gjatë,” tha sërish Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, në Bruksel. Menjëherë pas votimit në parlamentin britanik, Tusk shpalli se më 10 prill do të mbahet një samit i posaçëm i BE-së, dy ditë para datës së caktuar për Brexit.

Deri më tani, kryeministrja britanike nuk donte kurrsesi që negociatat të zgjateshin për vite të tjera, sepse kjo nënkupton, që Britania e Madhe të marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian nga 23 deri më 26 maj.

Por Parlamenti Britanik e ka hedhur poshtë edhe Brexitin e ashpër e pa marrëveshje. May, e cila si “shpërblim” për miratimin e marrëveshjes së saj kishte ofruar dorëheqjen, tani, që marrëveshja nuk u pranua sërish, do të qëndrojë në post në kërkim të alternativave.  Këto ajo do të duhet t’ia prezantojë BE-së në samitin e posaçëm më 10 prill. Michel Barnier, kryenegociatori i BE-së, njoftoi në Varshavë, se BE-ja tani do të përgatitet edhe më intensivisht për një Brexit pa marrëveshje.

Po faturën?

Ambasadorët e BE-së diskutuan të mërkurën skenarë të ndryshëm dhe thanë se bisedime me Britaninë pas Brexit-it pa marrëveshje, mund të ketë vetëm nëse britanikët paguajnë llogarinë e divorcit.

BE-ja pret nga Londra që kjo t’i premtojë dëmshpërblimin prej 39 miliardë euro, sikurse e parashikon marrëveshja e refuzuar. Ky premtim duhet të vijë një javë pas Brexit-it, përndryshe bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme tregtare do të vihen në akull. Shumë deputetë britanikë e kishin hedhur poshtë këtë, duke pohuar se një Brexit pa marrëveshje nuk e obligon Britaninë e Madhe t’i paguajë ndonjë kosto BE-së./DW

 

hanoi-summit.jpg
G. P.14:12 | 02/03/2019

Samiti në Vietnam mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un ka përfunduar pa asnjë marrëveshje. Kjo sepse sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, Peniani priste heqjen e të gjitha sanksioneve. Një lëvizje për të cilën Uashingtoni nuk ishte dakord.

Nuk është arritur asnjë marrëveshje në samitin e Hanoit në Vietnam mes presidentit Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong Un. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila në një deklaratë për shtyp shton se mbledhjet për sa i përket çarmatimit bërthamor do të vazhdojnë në të ardhmen. Në deklaratën e tij për gazetarët, Trump theksoi se kishte refuzuar kërkesën e Kim për të hequr sanksionet. Dita e dytë e samitit kishte nisur me një takim kokë më kokë mes dy liderëve, i cili zgjati 45 minuta.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Senders e përshkroi takimin mes dy liderëve si shumë të mirë dhe konstruktiv. Trump dhe Kim diskutuan për mënyrat e ndryshme të avancimit të çarmatimit bërthamor dhe koncepteve bazë të ekonomisë.

Arsyeja për të cilën Donald Trump dhe Kim Jong Un nuk arritën një marrëveshje në samitin e tyre në Hanoi është se koreanoveriorët kërkonin heqjen e të gjitha sanksioneve në territorin e tyre, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta bënin një gjë të tillë, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë. Deklarata për media e Trump u bë dy orë më parë se ç’ishte parashikuar pasi takimi u mbyll më shpejt dhe pa një marrëveshje mes palëve. Trump shtoi se nuk mund të hiqeshin të gjitha sanksionet për sektorin që Peniani dëshironte. Ai tha se nuk kishte lëshuar pe për asgjë, por se gjithsesi mbetej një mik i mirë i Kim dhe i Koresë së Veriut.

“Kanë një potencial shumë të madh, është e pabesueshme, por për sa i përket sanksioneve bëhej fjalë për një sektor që ne nuk e dëshironim”, vazhdoi Trump. Kim Jong Un dëshironte heqjen e sanksioneve për të çmontuar kompleksin bërthamor strategjik në Jongbion. Por presidenti amerikan konfirmoi se Kim Jong Un i kishte premtuar se nuk do të bënte më asnjë test raketor që kishte të bënte me bërthamorin.

Por kreu i Shtëpisë së Bardhë pranoi se kishin pasur ditë produktive për sa i përket bisedimeve në Hanoi dhe marrëdhëniet me Kim Jong Un ishin të forta, por këtë herë ishte vendosur që të mos firmosej asgjë. Por ai shtoi se këndvështrimet e ndryshme ishin reduktuar ndjeshëm. Edhe pse Kim ka një këndvështrim që nuk përputhet me atë amerikan. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u shpreh se Trump dhe Kim ishin të bindur se ka pasur progres, por asnjëri nga ata nuk arriti të hidhte hapin e radhës.

Pavarësisht mungesës së marrëveshjes, presidenti amerikan këmbëngul se atmosfera ishte miqësore. Para samitit, lideri koreanoverior u shpreh i sigurt se do të kishte rezultatet pasi u impenjua se do të arrinte rezultatet që priteshin nga komuniteti ndërkombëtar. Por Kim Jong Un nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve rreth të drejtave të njeriut në vendin e tij për t’u shpëtuar më pas nga Trump, i cili i tha gazetarëve se po diskutohej për çdo gjë.

Sipas analistëve, samiti i Hanoit mes Trump dhe Kim dështoi për shkak të prioriteteve shumë të ndryshme të të dyja palëve. Arsyet e dështimit u bënë shumë të qarta, nga njëra anë Kim këmbëngulte që sanksionet ndërkombëtare të hiqeshin të gjitha. Por nga ana tjetër në shkëmbim ai nuk ishte dhe aq i gatshëm për të hequr dorë plotësisht nga program i tij bërthamor. Por pavarësisht kësaj, lideri koreanoverior pretendonte që sanksionet të hiqeshin menjëherë.

Në këtë pikë, në vend të një suksesi ndërkombëtar, për të cilin presidenti amerikan Trump kishte nevojë, në një moment që ish-avokati i tij Cohen ka bërë deklarata të forta kundër tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë gjendet përballë akuzave dhe kritikave të ashpra për atë që gjithnjë e më shumë po shfaqet si një diplomaci e keqmenaxhuar.

Kritika që i shtohen shqetësimeve për sjelljen e tij jo shumë korrekte: për shembull, kanë qenë të shumtë ata që e cilësuan si alarmante faktin që Trump foli me Kim vetëm për vetëm, në prani vetëm të përkthyesve dhe pa asnjë shënim zyrtar për atë që u tha. Një vendim i rrezikshëm kur bëhet fjalë për negociata shumë delkate sipas analistëve. Situatë që mund t’i mundësojë palës tjetër të drejtën për të pretenduar se ka marrë premtime të ndryshme.

Një rregull i qartë i diplomacisë është dhe ai sipas të cilit nuk duhet të ketë takim mes liderëve nëse nuk është arritur më parë një marrëveshje mes palëve në negociata. Kjo pasi liderët kanë të drejtë vetëm të përcaktojnë detajet e fundit. Trump e ka harruar këtë rregull. Kim ka kaluar nga “Njeriu raketë” dhe ai që varfëronte popullin e tij, në një lider të madh. Dy takimet me presidentin amerikan i kanë dhënë pikë atij në skenën ndërkombëtare. Koreja e Veriut mbetet një fuqi bërthamore, dhe rruga drejt çarmatimit bërthamor mbetet ende larg duke mos përjashtuar rikthimin e tensioneve të forta. Edhe pse Trump duket i kënaqur me premtimin e Kim se nuk do të kryejë më testet raketore apo bërthamore.

Nga ana e tij Kim Jong Un është kthyer në shtëpi si një fitues absolut. Para njerëzve të tij, ai mund të krenohet se nuk ka lëshuar pe para kërkesave të palës amerikane. Ndërkohë as babai i tij dhe as gjyshi nuk ishin pritur dy herë nga një president amerikan dhe as nuk ishin trajtuar në mënyrë të barabartë. Legjitimiteti i Kim është ngritur shumë lart tashmë dhe kjo për faj të Trump. Ky i fundit u fokusua që të dukej në sytë e botës si miku i ish “Njeriut raketë”, se sa i gatshëm për të firmosur një marrëveshje diplomatike.

Tashmë do të jetë interesante të kuptohet se çfarë do të ndodhë muajt e ardhshëm. Nga ajo që dihet, Uashingtoni nuk ka propozuar alternativë reale ndaj qëndrimit legjitim të Penianit përballë çarmatimit total dhe të menjëhershëm. Tashmë për të zhbllokuar situatën, mund të ketë ardhur momenti për të përfshirë në negociata dhe Pekinin e Seulin.

Një skenar i suksesshëm do të shihte Kim Jong Un që pranon një çarmatim bërthamor total në shkëmbim të anulimit të të gjitha sanksioneve, ndërsa Xi Jinping e Mun Jae-in mund të garantojnë nga ana e tyre mbështetje ushtarake dhe ekonomike për Penianin, në rast se Uashingtoni nuk do të mbante fjalën. Në këtë mënyrë të gjithë do të fitonin diçka dhe nuk do të humbisnin asgjë. Por diplomacia ka kohën e saj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono