sajesa

selia-PD-1280x713.jpg
ent ela17:36 | 08/11/2019

Pasi Prokuroria i ka komunikuar akuzën kreut të PD Lulzim Basha, për falsifikim dokumentesh, ka ardhur edhe reagimi i selisë blu.

Në një reagim publik PD shprehet se sot u vërtetua se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të Partisë Demokratike. Ajo ishte një sajesë e Edi Ramës, për të fshehur një tjetër hetim që po zhvillohej në SHBA.

Reagimi i plotë:

Sot prokuroria vendosi pushimin e akuzës qesharake që e stisën dhe e përdorën për të goditur kundërshtarin politik sipas një strategjie të miratuar nga zyra e Edi Ramës. Pasi u keqpërdorën duke akuzuar zyrtarët e Partisë Demokratike për pastrim parash dhe përdorim të parave ruse, prokuroria sot u detyrua të pranojë se këto akuzave të stisura nuk qëndrojnë.

E vërteta është se ishte Partia Demokratike që i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të financave dhe shpenzimeve të saj, e bindur se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin. Partia Demokratike ka deklaruar që ditën e parë se kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Partia Demokratike vlerëson faktin që pas 2 viteve të mbajtjes së kësaj çështje të hapur për qëllime propagande qeveritare, çështja është dërguar në gjyq. Tashmë shqiptarët do të kenë mundësi të njihen me dokumentet e plota, në seanca gjyqësore të hapura dhe transparente, ku do të provohet se Partia Demokratike ka bërë transparencë të plotë të financave të saj dhe ka deklaruar në përputhje me ligjin çdo shpenzim të kryer.

Ndërkohë që partnerët strategjikë bëjnë thirrje për reforma që forcojnë pavarësinë e institucioneve, drejtësia e kontrolluar nga Edi Rama, nuk heton krimet dhe korrupsionin qeveritar, mbyll sytë përpara lidhjeve të krimit me politikën, dhe sajon akuza kundër kundërshtarit politik të Edi Ramës.

Sot u vërtetua se nuk ka patur kurrë asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të Partisë Demokratike. Ajo ishte një sajesë e Edi Ramës, për të fshehur një tjetër hetim që po zhvillohej në SHBA.

Në të vërtetë, në SHBA ka patur vetëm një hetim që lidhet me Shqipërinë dhe që ka përfunduar me dënimin e të paktën 2 personave, mbi financimin e paligjshëm të Edi Ramës.

Edhe pse faktet janë bërë publike, edhe pse është depozituar kallëzim penal nga opozita, edhe pse dosja e drejtësisë amerikane është e plotë, edhe pse avokatët e personave të dënuar deklaruan që kanë vepruar për llogari të Edi Ramës, prokuroria shqiptare nuk ka kryer asnjë veprim. Prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, as ka nisur hetime dhe as ka marrë të pandehur Edi Ramën për financim të paligjshëm, edhe pse ky fakt është provuar tashmë nga drejtësia. /abcnews.al

 

mark-babani-3.jpg
ad min19:15 | 16/09/2019

Pas përgënjeshtrimit të akuzave të opozitës kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës deklaroi se do të kallëzojë në prokurori sekretarin e Partisë Demokratike Gazmend Bardhin. Menjëherë ka reaguar në Facebook, ky i fundit i cili thotë se Babanit do t’i duhen avokatë për fshehjen e arrestimit të tij për vjedhje makinash.

Pas deklaratës së kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës se do padisë Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së për shpifje, nuk ka vonuar përgjigja e Gazment Bardhit. Në një postim në Facebook, Bardhi thotë se avokatët Babanit do t’i duhen për të negociuar vitet e burgut për fshehje të arrestimit të tij në Sicili në prill 1994 për vjedhje makinash.

Në daljen për mediat kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani deklaroi se nuk është ndaluar asnjëherë nga policia për vjedhje në Itali. Sipas tij, historia është e sajuar për të ulur imazhin e tij dhe për këtë arsye do të depozitojë një kallëzim për Bardhin.

“E gjithë kjo histori, është e sajume, është një histori që nuk ka lidhje me mua. Unë deklarimet dhe vetëdeklarimet i kam bërë të qarta. Ato në qoftë se kanë fakte mund të kishin shkuar në prokurori. Mua s’më bëjnë as Sajmir, as edhe një emër tjetër, se unë kam lindur Mark Babani dhe jam Mark Babani. Nuk ka lidhje me gjurmët e gishtërinjve të mi. Unë atë po pres që ata të bëjnë padi në prokurori. Mua s’më ka thirrur prokuroria. Unë po pres padinë e prokurorisë. Jam i gatshëm të jap deklarimet e mia. Në qoftë se e kanë bërë padinë pse dalin e flasin nëpër televizorë. Normalisht ata po sajojnë për të ulur imazhin tim. Kam autorizuar avokatët e mi dhe po shoh para se prokuroria të dalë me një vendim që t’i bëjmë një denoncim penal zotit Gazment Bardhi për shpifjet që ka bërë karshi figurës time”, tha Mark Babani.

Në modelin e denoncimeve të mëparshme për Pjetrin e Shkodrës e Kajmakun e Vorës, Bardhi pyet Mark Babanin.

“Në datën 24 Janar 1996 në cilin hotel ke bujtur?”, dhe paralajmëron prova të tjera në ditët e ardhshme./ABC News Albania 24/7

IMG_6164-1280x853.jpg
ent ela11:49 | 14/10/2018

Dokumentat e prokurorisë së Përgjithshme në dosjen për Fredi Alizotin i erdhën sërisht në ndihmë demokratëve për denoncimin e radhës. Nga foltorja e selisë blu, Enkelejd Alibeaj publikoi pjesë të transkrimptimeve, të marra nga policia e shtetit nën varësi të ministrit Fatmir Xhafaj, të bisedave që Alizoti ka patur në datën kur ka dëshmuar në prokurori se ishte ai zëri i denoncuar si i Agron Xhafajt në video-përgjimin e dosjes “Babalja”.

“Dokumente zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, që provojnë se Fredi Alizoti, aktori i Edi Ramës, është sajesë e vetë Fatmir Xhafës”.

Biseda zhvillohet mes Fredi Alizotit dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë Fier më 1 qershor në orën 5 pa 8 minuta.
____________________________________________________

Drejtori pol. Fier: Përshëndetje
Alizoti: Përshëndetje si ja kalon?
Drejtori pol. Fier: Si je? Kush jeni ju zotëri?
Alizoti: Unë jam Fredi Alizoti
Drejtori pol. Fier: O Fredi, unë jam Drejtori i Policisë së Qarkut Fier
Alizoti: Unë jam te QTU-ja dhe po të pres
Drejtori pol. Fier: Te QTU-ja?
Alizoti: Po
Drejtori pol. Fier: Unë jam në Lushnje
Alizoti: Dëgjo vëllanë
Drejtori pol. Fier: Po
Alizoti: Të flas nga afër unë dhe ti spjegoj të gjitha rrethanat dhe do ikim në Tiranë
Drejtori pol. Fier: Po ti ku rri me shpi?
Alizoti: Unë po të them te QTU-ja.
Drejtori pol. Fier: He
Alizoti: Po të pres te QTU-ja

17 MINUTA MË VONË
ora 5 e 13 min

Alizoti: Do ta zgjidhësh ti ktë punë apo ta zgjidhi shefi lartë e vlla, se unë po marr taksi tani e po iki lart
Drejtori pol. Fier: Do vi të marr unë thashë ore
Alizoti: Me ça do vish ti?
Drejtori pol. Fier: U ktheva nga rruga, do vi të marr unë
Alizoti: Po në rregull hajd po të pres ktu

7 MINUTA MË VONË
Ora 5 e 20 min

Alizoti: Hë o vëlla ç’bëre
700: Hiç
Alizoti: Ej mbaroi ky muhabet
700: Mirë boll e vlla, ça të them vllai
Alizoti: Dëgjo mua ej, 5 minuta vjen më merr drejtori i përgjithshëm i Fierit ktu, pesë muhabete i ka bërë, mora një pako të mirë
700: Ok lali
Alizoti: Ej do ta dëgjosh do ta dëgjosh
__________________________________________________

6 ditë pas deklaratës së dhënë në prokurori, ku Alizoti prentendoi se ishte zëri i regjistruar në audio përgjimin që pretendohej të ishte i vëllait të ministrit të brendshëm nga akuzuesit…

Enkelejd Alibeaj: “Aktori i vetëshpallur nga Edi Rama, telefonohet përsëri, personalisht nga Drejtori i Policisë Qarku Fier, i cili e pyet se çfarë po bën dhe ku ndodhet, dhe Alizoti i përgjigjet “lart ku më lartë”. Alizoti i kërkon Drejtorit të Policisë Fier që të takojë “Shefin e madh” me patjetër atë ditë, duke e garantuar se “nuk ka më kthim mbrapa, ato që janë bërë nuk kthehen më mbrapa”.

Për këtë Partia Demokratike shtroi këto pyetje:

• Çfarë “pako” ka marrë Fredi Alizoti? Kush ia ka dhënë atë?
• Kush është Taulanti nga Librazhdi që i ka thënë Fredi Alizotit “hap gojën sa do”?
• Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë?
• Pse e ka telefonuar përsëri në datën 7 Qershor 2018 Drejtori i Policisë së Qarkut Fier shtetasin Fredi Alizoti?
• Cili është “shefi i madh” i Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier që kërkon të takojë Fredi Alizoti?

Por për demokratët, çdo shqiptar i ka të qarta përgjigjet dhe Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk mund të fshihen më përballë fakteve që kanë fabrikuar dëshmitar për të mbrojtur një trafikant droge, përfundoi Alibeaj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono