Safet Bajri

OK-HETIMET-PER-SAFET-BAJRIN.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ad min15:53 | 01/02/2019

I konsideruar si kreu i një grupi tejet të rrezikshëm kriminal që ka vepruar ndër vite në Shkodër, Safet Bajri doli këtë të premte 4 orë në liri, për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij.

I forti i Shkodrës u nis drejt qytetit të lindjes rreth orës 10:00 për të marrë pjesë në varrimin e babait në orën 13:00. Bajri u lirua nga qelia me leje të Drejtorisë së Burgjeve. Ndërkohë që ishin marrë të gjitha masat e sigurisë për lëvizjen e të dënuarit. Safet Bajri u vu në pranga në Shtator të 2018-s në zonën e Xhamllikut në kryeqytet pasi akuzohet per disa vepra penale./abcnews.al

prokuroria-e-krimeve-te-renda.jpg
ad min13:09 | 28/09/2018

Gati një javë pas arrestimit, Safet Bajri dhe pesë të prangosur të tjerë si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” kërkojnë të lirohen nga qelia. Ata janë ankimuar në Apelin për Krimet e Rënda masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar për ta nga Shkalla e Parë. 

Gjashtë prej nëntë të arrestuarve në Shqipëri nga operacioni policor “Oaz”, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” kërkojnë të lirohen nga qelia. Pa kaluar një javë nga dita kur Shkalla e Parë e Krimeve la në fuqi masën “arrest në burg” për ta, të dyshuarit i janë drejtuar Apelit. Deri më tani, masat janë kundështuar nga Safet Bajri, i dyshuar si një ndër kryesorët e grupit, Ilir Rustemi, Emrah Plaku, Ismet Idrizi, Klaudio Hoxhalli dhe Denis Brajoviç.

Në ankimin e depozituar në gjykatë nga avokati Arbër Hoxha, të arrestuarit pretendojnë se vendimi i Shkallës së Parë është i padrejtë. Në përfundim ata kërkojnë ndryshimin e masës “arrest në burg” dhe caktimin e një mase sigurie më të lehtë, si ajo e “arrestit shtëpiak” apo e “detyrimit për paraqitje”.

I njëjti pretendim u paraqit prej tyre edhe në seancat gjyqësore në Shkallën e Parë për verifikimin e masës “arrest në burg” të caktuar në mungesë, por nuk u morën parasysh nga gjykata.

Operacioni “Oaz” u finalizua me 11 të arrestuar mbrëmjen e 21 shtatorit dhe u zhvillua njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam, Holandë. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, pas 6 muajsh hetimesh, dhjetra orë përgjimesh, veprimet hetimore proaktive në terren dhe shkëmbimit të informacionit me agjencitë partnere u siguruan prova të mjaftueshme që ngrinin dyshime se të arrestuarit ishin pjesë e një grupimi kriminal të angazhuar në trafik droge, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive. Të njëjtit procedim i janë bashkangjitru edhe tre procedime të Prokurorisë së Shkodrës në lidhje me një tentativë vrasje dhe dy vrasje të shënuara në këtë qytet në harkun kohor 1999-2001./abcnews.al

bajri-shkoder.jpg
ad min16:16 | 24/09/2018

Gjykata për Krimet e Rënda ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 6 nga 9 të arrestuarit në Shqipëri si anëtarë të grupit kriminal “Bajri”. ABC News ka siguruar vendimin e gjykatës ku zbardhen akuzat për gjithë të dyshuarit.

Gjashtë nga nëntë të arrestuarit në Shqipëri nga operacioni “Oaz” si pjesë e grupit kriminal “Bajri” dolën të hënën para Gjykatës për Krimet e Rënda. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi verifikoi masat e sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë për ta, duke i lënë ato të pandryshuara.

Seanca e paracaktuar në orën 14:00 nisi me një orë vonesë. Shkak u bë vonesa në transportimin e Safet Rustemit (Bajrit) nga Shkodra, ku ai ishte paraditen e së hënës ishte për një masë sigurie për llogari të njohjes së vendimi penal fajësie dhënë ndaj tij në Belgjikë.

Në përfundim të seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati i Safet Bajrit, i konsideruar si më kryesorët e grupit e cilësoi të papërshtatshme masën “arrest në burg” për klientin e tij. Ai tha se gjykata nuk kishte marrë parasysh as një garanci pasurore.

ABC News siguroi një kopje të vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda në lidhje me grupin “Bajri”. Mbi të dyshuarit e lënë në “arrest në burg” rëndojnë veprat penale të “paracaktimit të rezultateve në garat sportive”, “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “organizim i llogarive të palejuara”, të gjitha në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas dosjes gjyqësore, rezulton se hetimi ndaj këtij grupi ka nisur nga Krimet e Rënda gjashtë muaj më parë duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në vrasje, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive.

Në vijim këtij procedimi i janë bashkangjitur edhe tre procedime të Prokurorisë së Shkodrës, përkatësisht ai për tentativën e vrasjes së Arbën Tuzit në vititn 1999, vrasjen e tij në vitin 2001, si edhe vrasjen e Fabiola Bajrit në vitin 2002. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, autori i dyshuar i tyre është Behar Bajri (Rustemi), aktualisht i arrestuar në Holandë.

Ndërkohë të martën, pritet të dalin për verifikim mase para Gjykatës për Krimet e Rënda, tre nga personat e tjerë të arrestuar në Shqipëri nga operacioni “Oaz”./abcnews.al

 

OK-HETIMET-PER-SAFET-BAJRIN.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ad min12:08 | 24/09/2018

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masë sigurie arrest me burg për Safet Bajri. Sipas burimeve nga gjykata, kjo masë ishte për llogari të belgëve, të cilët kanë çuar dosjen në ngarkim të tij në këtë gjykatë.

Gjykata e Shkodrës la arrest me burg Safet Bajrin për krimet në Belgjikë. Më herët, FNSH-ja dhe forcat e Policisë, blinduan territorin kur Safet Bajri, i arrestuari i klanit Bajri, u fut në gjykatë për të marrë masën e sigurisë. Ai u arrestua bashke me 10 persona të tjerë, por Gjykata e Krimeve të Renda vendosi masën e sigurisë për ta. Kurse për Safet Bajrin vendosi  Gjykata e Shkodrës, pasi sipas një procedure dosja per krimet e Belgjikës, ka shkuar në këtë gjykatë.

Avokati i klientit nuk pranoi të flasë për mediat, por as nga gjykata dhe prokuroria nuk u dha asnjë informacion rreth dosjes së Belgjikës. Vetë Bajri nuk foli në gjykatë kur iu komunikua masa e arrestit. Më 25/01/2017, Safet Rustemi u dënua nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale që përpiqej të kontrollonte skenën e drogës dhe prostitucionit në Bruksel. Më herët në 22 shkurt 2014, ai ishte dënuar nga Gjykata Penale e Brukselit me një burgim prej 9 vjetësh si kreu i një bande kriminale që merret me importin dhe trafik droge. Po të njëjtën ditë, ai dënohet me pesë vjet burgim për posedim dhe trafikim droge dhe heqje të paligjshme të lirisë përmes kërcënimeve me vdekje./abcnews.al

bajrajt.jpg
ad min14:31 | 23/09/2018

Gjykata për Krimet e Rënda pritet të verifikojë të hënën masat e sigurisë “arrest në burg” dhënë në mungesë për 11 të arrestuarit si anëtarë të grupit kriminal “Bajri”. Të arrestuarit do të dalin pra Krimeve në orën 14:00.

Nëntë personat e arrestuar në Shqipëri gjatë operacionit policor të “Oaz”, si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” pritet të dalin të hënën në orën 14:00 para një trupi gjykues te Krimeve të Rënda. Kjo gjykatë do të verifikojë masat e sigurisë “arrest në burg”, caktuar më herët në mungesë për ta. Burime pranë institucionit bënë me dije se prokuroria do t’i qëndrojë të njëjtës masë sigurie.

Gjatë së dielës, gjykata ka bërë njoftimet përkatëse për Komisariatet e Policisë u mbahen të arrestuarit, si edhe për burgun e “Shën Kollit” ku qëndrojnë tre personat e arrestuar javën e parë të Shtatorit pas kontrolleve policore në Shkodër.

Operacioni “Oaz” u mbyll mbrëmjen e së shtunës, në përfundim të një hetimi 6-mujor të koordinuar mes Policisë dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe agjencive partnere Holandë me 11 të arrestuar në Tiranë, Shkodër e Roterdam dhe dy persona të shpallur në kërkim.

Sipas prokurorisë, grupi i dominuar nga anëtarë të fisit Bajri kryente aktivitet kriminal brenda dhe jashtë vendit, ku spikaste përfshirja në trafikun e drogërave të rënda edhe “gjobvënia”. Bazuar në dhjetëra orë përgjime, informacione të shkëmbyera me partnerët dhe veprimeve proaktive në terren, Prokuroria ka dokumentuar deri tani se anëtarë të këtij grupimi janë autorë të dy vrasjeve të ndodhura gati dy dekada më parë në Shkodër.

E para është vrasja e Arbën Tuzit, në shkurt të vitit 2001, ndërsa tjetra vrasja e 15-vjeçares Fabiola Bajri në vitin 2002, bashkëjetuese e njërit prej të arrestuarve. Vrasja e së resë është raportuar fillimisht si vetëvrasje, ndonëse vajza ishte qëlluar me një plumb, ndërsa arma pranë saj u gjet me fishek gati për qitje.

Mes të arrestuarve janë dhe Safet Bajri dhe vëllai i tij Ilir Rustemi, të konsideruar si njerëzit kryesorë të grupit. Në role të ndryshme anëtarët e grupit dyshohet të kenë konsumuar 10 vepra penale, ku nuk mungojnë as dyshimet për pastrim parash, apo trukim të ndeshjeve sportive./abcnews.al

SAFETI-BELGET-1280x720.jpg
ent ela20:33 | 22/09/2018

Mediat në Belgjikë i kanë bërë jehonë arrestimit të Safet Bajrit, i cili konsiderohej nga autoritetet vendase si një ndër kriminelët më të rrezikshëm në Europë. Një prej të përditshmeve vendase ka shkruar në edicionin online se Bajri u arrestua në kuadër të një hetimi të nisur nga drejtësia belge, në të cilin bashkëpunuan oficerë shqiptarë.

Emri i Safet Bajrit, i konsideruar kreu i një prej bandave më të rrezikshme kriminale të Shkodrës, është shfaqur sërish të shtunën në mediat belge, këtë herë për arrestimin e tij në Tiranë. Dhe faktikisht, Bajri konsiderohej nga autoritetet belge si një ndër kriminelët më të rrezikshëm të Europës, që ndodhej në majat e klasifikimit të listës së personave më të kërkuar nga policia federale. Duke njoftuar arrestimin e tij në edicionin online, gazeta “L’echo” shkruan se Bajri, që në Bruksel përdorte mbiemrin Rustemi, ishte përpjekur të merrte nën kontroll xhiron e prostitucionit duke mos kursyer aktet e dhunës.

Më 27 shkurt 2015, ai do të arrestohej dhe në fund të procesit gjyqësor, ku u akuzua për vrasje, shantazhe dhe shfrytëzim prostitucioni, u dënua me 22 vjet burg. Por pavarësisht dënimit të rëndë, Bajri u lirua me kusht dhe qershorin e kaluar Zyra për të Huajt në Bruksel e dëboi atë nga vendi. Një lëvizje kjo që shkaktoi një përplasje të ashpër mes zyrës në fjalë dhe Ministrisë belge të Drejtësisë.

Sa i takon arrestimit, “Lesho” shkruan se ai u arrit falë hetimeve të organeve belge të drejtësisë në bashkëpunim me oficerin shqiptar të kontaktit. Një bashkëpunim nga i cili ministri belg i Drejtësisë Koen Gens ka mbetur shumë i kënaqur, vijon gazeta, duke shtuar se drejtësia ka ristrukturuar çështjen në ngarkim të Bajrit duke e ngritur atë sërish. Emri i Bajrit kishte tërhequr vëmendjen e mediave belge shumë më parë.

Më 27 shkurt 2015, “Lavenir” do të shkruante për arrestimin e tij dhe për dy atentate me armë zjarri të kryera në lokalitetet Vilvorde dhe Ganshoren. Në shkrimin në fjalë thuhej se Bajri është përgjegjës për rreth 40 vrasje të kryera nga familja e tij në Shqipëri. Fillimisht, organizata e drejtuar prej tij ishte aktive në veri të Italisë, ku detyronte vajza të reja të ushtronin prostitucion përgjatë një autostrade. Në korrik 2014, policia italiane ndërmorri një operacion masiv kundër bandës dhe që prej atëherë Rustemi dhe vëllai i tij u transferuan në Belgjikë. Brenda një kohe të shkurtër ata u përfshinë në shfrytëzimin e prostitucionit në Gar dë Nord dhe lagjen Alhambra.

Gjithashtu, banda kishte qenë aktive edhe në shpërndarjen e drogës dhe në disa raste gjobëvënieje. Në tetor të 2014-s policia federale në Bruksel arrestoi grupin kriminal, duke vënë në pranga vëllezërit Safet dhe Saed Rustemi dhe 3 bashkëpunëtorë. Por jo vetëm kaq, duke e cilësuar një kriminel me të vërtetë të keq, gazeta tjetër “La Dernier Hër” shkruan se për të marrë nën kontroll prostitucionin bashkë me vëllain dhe kushërinjtë e tij Ilir, Bardhyl dhe Dushi Rustemi, ai kreu një sërë veprash të rënda penale si shkatërrim prone, vrasje të mbetur në tentativë, zhvatje dhe trafikim të qënieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin.

Në një shkrim të datës 18 korrik 2018, e njëjta gazetë shkruante se Rustemi kishte pushtuar plazhet e Velipojës, duke publikuar përmes një fotoje edhe hartën e ndarë sipas gazetës belge nga grupet kriminale në veri të Shqipërisë. /abcnews.al

OK-HETIMET-PER-SAFET-BAJRIN.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ad min15:48 | 22/09/2018

Pas arrestimit të Safet Bajrin të cilësuar si një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, ndaj këtij të fundit pritet t’i bëhet njohja e vendimin të dhënë nga Belgjika, vend ku akuzohet si kreu i një organizate kriminale.

Shkodrani akuzohet për trafik droge e prostitucion nga nga Gjykata e Brukselit. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 9 vite burgim. Ndërkaq në Shqipëri, Safet Bajri akuzohet për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh. Bajrit i janë sekuestruar një sërë pronash në Shqipëri. Ndërkaq mësohet se urdhër-arreste janë dhënë dhe për disa persona të tjerë në Tiranë dhe Shkodër. Safet Bajri u arrestua dje nga Forcat Operacionale të Policisë së Tiranës. Ai u ndalua në ambientet e një magazine në zonën e “Xhamllikut”, në kryeqytet, ndërsa burimet thanë se mbante edhe një armë pa leje.

Arrestimi i 34-vjeçarit u krye në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej afro një viti, pas dyshimeve për përfshirjen e tij apo drejtimin e një organizate kriminale të trafikut të lëndëve narkotike. Nga ana tjetër, ai figuronte në listën e personave më të kërkuar të Belgjikës, i dënuar me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale, që përpiqej të kontrollonte trafikun e drogës në Bruksel./abcnews.al

ediii.jpg
ad min11:24 | 22/09/2018

Kryeminstri Edi Rama ka reaguar nëpërmjet një postimi në Tëitter në lidhje me arrestimin e operacionin “Forca e Ligjit” me 11 të arrestuar të grupit të Safet Bajrit:
“Policia e Shtetit foli përsëri me forcën e vendosmërisë sonë në luftën kundër krimit.Forca e Ligjit prangosi rrjetin kriminal të Shkodrës pas një pune policore disamujore të shtrirë edhe jashtë vendit.Respekt dhe për vendosmërinë e Prokurorisë.Forca e Ligjit po përshkallëzohet”./abcnews.al

safet-bajri-rustemi.jpg
ent ela22:57 | 21/09/2018

Tvklan.al sjell momentet kur Safet Bajri (Rustemi) mbërrin në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Siç mund të shihet edhe nga pamjet, 34-vjeçari mbërriti nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sëbashku me Bajrin, në polici është ndaluar edhe një tjetër person, identiteti i të cilit nuk dihet ende.

34-vjeçari Bajri, i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës u arrestua pasditen e kësaj të premteje në një magazinë në zonën e “Xhamllikut”, në Tiranë.

Arrestimi i tij është bërë në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë.

Safet Bajri (Rustemi) është në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet belge, ndërsa mediat atje e kanë konsideruar si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë./tvklan.al

safet-Bajri.jpg
ent ela22:37 | 21/09/2018

Safet Bajri (Rustemi), i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës është arrestuar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë. 34-vjeçari u arrestua në një magazinë afër zonës së “Xhamllikut”.

Arrestimi i tij është bërë në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë.

Lajmi konfirmohet për tvklan.al nga burime të Prokurorisë dhe të Policisë.

Sëbashku me Bajrin, në polici është ndaluar edhe një tjetër person, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Ndërkohë mësohet se në kërkim janë shpallur edhe 3 persona të tjerë.

Safet Bajri në listën e më të kërkuarve në Belgjikë

Safet Bajri (Rustemi) është në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet belge, ndërsa mediat atje e kanë konsideruar si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.

Ai është dënuar më 25 Janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg. Kjo organizatë është përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.

Mbi Rustemin rëndon edhe një dënim tjetër i 22 Shkurtit 2014. Gjykata Penale e Brukselit e dënoi me 9 vite burgim si kreu i një organizate kriminale për trafik droge dhe 5 vite të tjera për posedim e trafik droge dhe heqje të paligjshme të lirisë e kërcënime me vdekje.

Operacioni i Policisë së Shtetit në Shkodër

15 ditë më parë, (më 6 Shtator), në një operacion të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, Policia e Shtetit vuri në pranga 4 persona, të njohur dhe të afërm të Safet Bajrit, e më konkretisht; Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, Emrah Plaku, 22 vjeç, Astmer Bilali, 29 vjeç dhe Erogen Brajoviç, 36 vjeç. Këta persona, sipas policisë, janë anëtarë të grupeve kriminale aktive në qytetin e Shkodrës, por edhe më gjerë.

Intervista e Safet Bajrit: Jam i pafajshëm për akuzat që më janë ngritur në shtetin belg

Në një intervistë të dhënë disa muaj më parë për mediat shqiptare, Bajri deklaroi se ishte larguar drejt Belgjikës për të kërkuar azil politik, kërkesë e cila i ishte refuzuar dhe mohoi akuzat që rëndojnë mbi të në shtetin belg.

Ai tha se herën e parë ishte arrestuar gjatë kohës që punonte si roje në të zezë në një lokal, kur policia bastisi vendin dhe arrestoi pronarin sëbashku me stafin.

Bajri pretendoi në intervistë se autoritetet belge kishin falsifikuar dosjen duke e shndërruar atë në kreun e një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucioni./tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono