russiagate

190411181644-trump-mueller-split-0411-exlarge-169.jpg
ad min13:35 | 26/10/2019

Një gjykatëse në Shtetet e Bashkuara urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që t’i japë Kongresit dëshminë e ish-këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Ligjvënësit amerikanë janë duke mbledhur të dhëna mbi hetimin për shkarkimin e presidentit, Donald Trump.

Gjykatësja amerikane Beryl Hoëell urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që t’i japë një komiteti të Kongresit, dëshminë që kishte dhënë para Jurisë së Madhe, ish-këshilltari i posaçëm Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Kjo dëshmi është urdhëruar t’u jepet kongresistëve, teksa ligjvënësit amerikanë janë duke mbledhur të dhëna mbi hetimin për shkarkimin e presidentit, Donald Trump.

Vendimi i 25 tetorit njëherësh konfirmon ligjshmërinë e hetimit për procedurat e shkarkimit të Trumpit, teksa gjyqtarja, Beryl Hoëell urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që t’i dorëzojë materialet pranë Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve deri më 30 tetor.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se po rishikon vendimin dhe se administrata Trump pritet ta apelojë atë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nency Pelosi tha se vendimi i gjykatëses “është goditje tjetër ndaj përpjekjeve të presidentit Trump që ta vë veten mbi ligjin”. Kongresi deri më tani ka pranuar vetëm informacione të redaktuara nga raporti i Muellerit./ABC News Albania

russiagate.png
ad min14:23 | 25/10/2019

Drejtues dhe ish-drejtues të FBI-së të dyshuar si të përfshirë në skandalin “Russiagate” rrezikojnë akuzat për vepra kriminale. Kjo pasi hetimi i ministrit amerikan të Drejtësisë Uilliam Bar, për këtë çështje, nga administrative është bërë penal.

Hetimi, deri tani administrativ, i drejtuar nga ministri amerikan i Drejtësisë Uilliam Bar për origjinën e Russiagate është kthyer në një hetim penal. Hetimi i FBI-së ka të bëjë me lidhjet e mundshme mes Dondad Trump dhe Kremlinit gjatë presidencialeve të 2016-ës.

New Jork Times, që ka publikuar lajmin i pari për ndryshimin e statusit të dosjes, nuk dha detaje për afatet. Një vendim që i jep prokurorit Xhon Durham të drejtën për të thirrur në gjyq dëshmitarë dhe dokumente, për të mbledhur jurinë e madhe dhe për të prezantuar akuza penale.

Drejtues dhe ish drejtues të FBI-së si dhe të departamentit amerikan të drejtësisë, të cilët janë të përfshirë, rrezikojnë të hetohen për akuza kriminale. Sipas raportimit të New York Times, nuk është ende e qartë se cili është krimi për të cilin po heton Durham, dhe as se kur ka nisur ky hetim.

Ky i fundit ka të bëjë me ndërhyrjet e pretenduara ruse në zgjedhjet e 2016-ës, dhe i drejtuar nga prokurori special Robert Mueller, nuk dha asnjë provë bashkëpunimi mes fushatës elektorale të Trump dhe Moskës.

Por në të njëjtën kohë nuk përjashtoi asnjë shkelje të mundshme të presidentit amerikan. New Jork Times shkruan se ndoshta hetimi penal do të vërë alarmin për sa i përket faktit që Trump po përdor departamentin e drejtësisë kundër atyre që i konsideron armiq.

Durham po analizon në detaje dëshmitë e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të shërbimit të inteligjencës të përfshirë në hetimin e Mueller. Vëmendja është kthyer dhe tek analistët që denoncuan përfshirjen e Moskës në hakerimet në dëm të demokratëve në vitin 2016. Durham përforcoi ekipin e tij dhe ka shtrirë harkun kohor të hetimit duke përfshirë dhe periudhën e inaugurimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të 2017-ës.

Sipas Fox News hetimi i Durhan është zgjeruar duke u bazuar në prova të reja të mbledhura gjatë udhëtimit të tij të fundit në Romë me ministrin amerikan të drejtësisë Uilliam Bar. Statusi ndryshe i hetimit mund të përmbysë përfundimet e mëparshme.

Ndërkohë pritet publikimi, brenda një kohe të shkurtër, i një dosjeje tjetër për Russiagate, të hartuar nga Inspektori i Përgjithshëm Majkëll Horovitz, rreth dyshimeve për abuzime të mundshme në monitorimet e fushatës presidenciale të Trump në vitin 2016, nga ana e qeverisë Obama./ABC News Albania

muller-01-exlarge-169-1.jpg
ad min22:36 | 29/05/2019

Në daljen e tij të parë publike, hetuesi i posaçëm i ndërhyrjes ruse, Robert Mueller ka deklaruar se ai dhe ekipi i tij nuk mund të inkriminonin presidentin Donald Trump. Megjithatë, Mueller ka theksuar edhe se, nëse do të kishte patur prova se presidenti nuk kishte kryer krim do ta kishin thënë atë.

Në komentin e tij të parë mbi ndërhyrjen ruse, prokurori i posaçëm Robert Mueller ka sqaruar përse nuk mundi të akuzonte presidentin Donald Trump. Në një konferencë shtypi të mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Mueller ka përsëritur konstatimet e bëra në raportin e tij, duke deklaruar se nëse stafi i tij do të kishte patur bindjen se presidenti nuk kishte kryer krim do ta kishte deklaruar atë.

“Sidoqoftë, ne nuk dolëm me një përcaktim nëse kreu i shtetit e kishte kryer krimin”, ka deklaruar Mueller. Më tej hetuesi i posaçëm, duke cituar politikat e Departamentit të Drejtësisë, ka nënvizuar se një president nuk mund të akuzohet për një krim federal gjatë kohës që është në pushtet. “Kjo do të ishte jokushtetuese”, ka saktësuar Mueller.

Megjithatë, Mueller ka nënvizuar se oficerë të shërbimeve inteligjente dhe ushtrisë ruse ndërmorën një sulm të përbashkët ndaj sistemit politik amerikan, në përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhje dhe për të dëmtuar një prej kandidatëve presidencialë. Prokurori i posaçëm e hapi fjalimin e tij duke njoftuar se do të mbyllë zyrën e tij dhe do të japë dorëheqjen nga posti në Departamentin e Drejtësisë.

Duke vënë në dukje faktin që nuk ka folur publikisht gjatë hetimit, Mueller tha se vendosi të fliste të mërkurën sepse tani hetimi i tij është tërësisht i përfunduar. Ai shtoi se raporti i tij i shkruar “flet vetë”. Ndaj deklaratës ka reaguar presidenti Donald Trump, i cili në një postim në Twitter është shprehur: “Çështja u mbyll! Faleminderit!”./ABC News Albania 24/7

keshiltari-1280x886.jpg
ad min20:30 | 21/05/2019

Një ish-këshilltar i Donald Trump i është bindur thirrjes së presidentit për të mos dëshmuar në Kongres mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Të irrituar, demokratët kanë paralajmëruar me aksion ligjor kundër ish-funksionarit të Shtëpisë së Bardhë.

Një ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë nuk është paraqitur në Kongres për të dëshmuar mbi hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Myler, pavarësisht thirrjes që ishte bërë në adresë të tij.

Kishte qenë presidenti Donald Trump që i kishte bërë thirrje ish-vartësit të tij Donald Mek Gehn që të mos paraqitej përpara komisionit të drejtuar nga demokratët. Kjo ka detyruar kreun e komisionit gjyqësor të Kongresit, Xherold Nedller që të paralajmërojë marrjen e masave ligjore kundër Mek Gehn. “Thirrjet tona nuk merren sipas dëshirës.

Ky komision do ta marrë dëshminë e zotit Mek Gehn edhe nëse do të na duhet të shkojmë në gjykatë”, ka deklaruar Nedller. Ish-funksionari i Shtëpisë së Bardhë mund të gjykohet për shpërfillje të thirrjes së Kongresit. “Nuk do të lejojmë që presidenti të bllokojë thirrjet e Kongresit, duke vendosur veten e tij dhe aleatët mbi ligjin”, ka shtuar Nedller. Mek Gehn shërbeu si këshilltar në selinë presidenciale për thuajse dy vejt, para se të jepte dorëheqjen në tetor të 2018-s. Në një rast të mëparshëm, ai u tha hetuesve të çështjes mbi ndërhyrjen ruse se ishte ndjerë nën presion nga presidenti Trump për të shkarkuar prokurorin Myler./ABC News Albania 24/7

barr.jpg
ent ela19:22 | 14/05/2019

Pas hetimit mbi ndërhyrjen e përfolur ruse, një tjetër hetim do të marrë jetë në Shtetet e Bashkuara për të verifikuar nëse procesi i udhëhequr nga prokurori i posaçëm Robert Myler ka qenë legjitim. Vendimi është marrë nga prokurori i përgjithshëm, i cili është kritikuar se po vepron me urdhër të Presidentit Donald Trump.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Uilliam Berr ka caktuar një prokuror federal për të hetuar origjinën e hetimit mbi ndërhyrjen ruse. Xhon Durham, prokuror në Konektikat, ka bërë të ditur se i është kërkuar të përcaktojë nëse mbledhja e informacioneve mbi fushatën e presidentit Donald Trump ishte e ligjshme.

Megjithatë, kritikë të kryeprokurorit Berr e kanë akuzuar atë se po vepron për llogari të presidentit sesa për interes të drejtësisë amerikane. Muajin e kaluar, prokurori i përgjithshëm u tha anëtarëve të Kongresit amerikan se besonte se stafi elektoral i Trump ishte përgjuar.

“Dhe pyetja që shtrohet është nëse ishte një përgjim i autorizuar. Nuk po them që nuk ishte, por më duhet ta zbuloj”, u tha Berr ligjvënësve. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por shtoi se po organizonte një ekip që do të hidhte dritë mbi origjinën e hetimit që u udhëhoq nga hetuesi i posaçëm Robert Myler.

Tani, prokurori Xhon Durham, i njohur për hetimin e funksionarëve publikë të dyshuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën, nuk do të veprojë si hetues i posaçëm njësoj si Myler.

Ai do të ketë për detyrë të zbulojë nëse qeveria amerikane veproi në rrugë ligjore kur mblodhi informacione mbi stafin e Trump përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Ky do të jetë hetimi i tretë mbi ditët e para të jetës të çështjes që mori emrin “Rasha-gejt”. /ABC News Albania 24/7

Senate-Attorney-General-11-1550192697.jpg
ad min22:30 | 01/05/2019

Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë debatet lidhur me raportin e hetuesit të posaçëm mbi ndërhyrjen ruse. Së fundmi, kryeprokurori Uilliam Berr ka mbrojtur vlerësimin personal që i ka bërë dokumentit, duke shfajësuar presidentin Trump nga të gjitha akuzat.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara ka mbrojtur mënyrën se si ka paraqitur raportin hetimor mbi ndërhyrjen ruse, pas ankesave se nuk kishte prezantuar si duhet konstatimet e hetuesit të posaçëm Robert Myler.

Kryeprokurori Uilliam Berr u kritikua për vendimin e tij për ta çliruar presidentin nga akuza e pengimit të drejtësisë kur u shfaq përpara një paneli të Senatit. Dëshmia e Berr erdhi pas zbulimeve se Myler kishte shprehur shqetësim për prezantimin e raportit. Vetë hetuesi i posaçëm i ndërhyrjes ruse do të dëshmojë lidhur me çështjen në fjalë në Kongres më vonë gjatë muajit.

Prokurori i Përgjithshëm dëshmoi këtë të mërkurë, për herë të parë që nga publikimi i raportit me 448 faqe, ku thuhej se nuk kishte pasur bashkëpunim mes stafit elektoral të presidentit Donald Trump dhe Rusisë gjatë fushatës së vitit 2016. Por raporti nuk e shfajësonte presidentin nga akuza e pengimit të drejtësisë, me qëllim vështirësimin e punës së Myler.

Kryeprokurori Berr tha përpara komisionit të çështjeve gjyqësore të Senatit se, kishte mbetur i habitur për faktin se vetë zoti Myler nuk kishte arritur në një përfundim konkret nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë, ndërsa shprehu besimin tek gjykimi i tij se Trump nuk ndërmori hapa ilegalë për të bërë një gjë të tillë. “Nëse ai mendoi se nuk duhet të dilte me një përfundim për procedim, atëherë më mirë të mos kishte hetuar fare”, deklaroi Berr./ABC News Albania 24/7

MUELLER-PYETJET-1-1280x720.jpg
ad min09:23 | 16/04/2019

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se do të publikojë të enjten një version të redaktuar të raportit prej gati 400 faqesh të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar kandidatin e atëhershëm Donald Trump të fitonte presidencën.

Presidenti Trump tha të hënën se ai tashmë rezulton i pastër nga çdo shkelje e lidhur me zgjedhjet, ndërkohë që ai vetë dhe publiku amerikan presin hollësitë e hetimit 22 mujor të zotit Mueller.

Presidenti tha në Twitter se zoti Mueller dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr, bazuar në gjetjet e hetimit, “kanë përcaktuar tashmë se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë, as pengim të drejtësisë.” Sipas tij, këto krime, janë kryer nga ish-rivalja e tij demokrate Hillary Clinton.

Zoti Mueller hetoi rreth kontakteve të fushatës Trump me Rusinë dhe nëse zoti Trump, si president, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Në prag të publikimit të raportit, polemikat janë të ashpra.

Para tre javësh, zoti Barr publikoi një përmbledhje prej katër faqesh të gjetjeve të zoti Mueller, duke thënë se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump dhe fushata e tij nuk patën ndonjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte. Ndërkohë, zoti Barr nuk kishte arritur asnjë përfundim nëse Presidenti Trump kishte penguar drejtësinë. Por meqenëse prokurori i posaçëm Mueller nuk doli me asnjë vendim për çështjen e pengimit të drejtësisë, zoti Barr dhe zëvendësi i tij Rod Rosenstein thanë se nuk kishte vend për akuza për pengim të drejtësisë ndaj zotit Trump.

Zoti Barr, i emëruar nga Presidenti Trump si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, tha javën e kaluar se beson që agjencitë amerikane të inteligjencës të kenë spiunuar ndaj fushatës Trump dhe po hapin një hetim për të parë nëse kjo akuzë ka bazë të mjaftueshme.

Sa për raportin e zotit Mueller, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders i tha televizionit Fox News të djelën: “Nuk mendoj se kjo do ta dëmtojë presidentin.”

Kongresmeni Jerrold Nadler, kryetar i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve që po shqyrton çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, tha se zoti Barr duhet t’i dorëzojë komisionit të tij raportin e plotë dhe dëshmitë e tjera hetimore në raport, por zoti Barr nuk ka pranuar.

Zoti Barr ka thënë se do të publikojë sa më shumë të jetë e mundur nga raporti Mueller, duke përjashtuar materialet që kanë të bëjnë me dëshmitë sekrete për jurinë dhe burimet konfidenciale të zbulimit që përfshihen aty./VOA

trump-russiagate-1280x854.jpg
nev ila22:52 | 10/04/2019

Presidenti Amerikan Donald Trump u shpreh i vendosur për të gjetur origjinën e hetimit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale. Këtë hetim, Trump e cilësoi grusht shteti.

Presidenti Donald Trump ka përsëritur se hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Myler mbi ndërhyrjen e përfolur ruse ishte një tentativë për grusht shteti.

Trump ka deklaruar se ka biseduar me prokurorin e përgjithshëm, të cilit i ka kërkuar të gjurmojë origjinën e hetimit që e pastroi atë nga akuzat për lidhje me rusët.

“Kjo ishte një përpjekje për grusht shteti, një përpjekje për të rrëzuar një president, por ne i mposhtëm ata”, ka deklaruar Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar se do të luftojë ndaj akuzave për pengim të drejtësisë që përmban raporti i Myler.

Dhe a e dini përse do të luftoj? Sepse e di që i gjithë ky hetim ishte ilegal. Ishte një skemë mashtrimi”, ka thënë Trump për gazetarët.

Presidenti amerikan ka vlerësuar punën e kryeprokurorit Uilliam Berr për identifikimin e origjinës së hetimit të Myler, për të cilin duket se kërkon shpagim.

Sepse e gjitha ishte një gjueti shtrigash dhe këtë e dinë të gjithë. Edhe hetuesit e dinin dhe ajo që bënë ishte një akt tradhtie”, ka vijuar Trump.

Ai ka shtuar se nuk ka ndërmend ta lexojë raportin e Myler, që do të publikohet së shpejti, pasi e di që është i pafajshëm.

Ndërkohë, në një seancë tjetër dëgjimore në Kongres, Prokurori i Përgjithshëm ka deklaruar se beson se, autoritetet amerikane përgjuan fushatën elektorale të Trump./abcnews.al

russiagate.jpg
ent ela20:29 | 09/04/2019

Raporti mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet amerikane do të publikohet në Shtetet e Bashkuara brenda një jave. Dokumenti është komentuar për herë të parë nga presidenti rus Putin, i cili me ironi ka përdorur shprehjen “nga mali lindi një mi”.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Uilliam Berr u tha ligjvënësve amerikanë ditën e martë se do ta publikojë brenda një jave raportin e shumëpritur mbi ndërhyrjen ruse, të përgatitur nga prokurori i posaçëm Robert Myler.

“Brenda një jave do të jem në gjendje t’i prezantoj raportin publikut dhe më pas do ta diskutoj atë me kryetarët e komisioneve parlamentare për çdo paqartësi që mund të kenë”, deklaroi Berr në një seancë në Kongres.

Robert Myler e dorëzoi raportin mbi ndërhyrjen e përfolur ruse marsin e kaluar, pas 22 muaj hetime për të verifikuar nëse presidenti Donald Trump ishte mpleksur me palën ruse gjatë fushatës presidenciale, apo nëse ai ishte përpjekur të pengonte drejtësinë.

Lidhur me raportin reagoi për herë të parë të martën edhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili deklaroi se Moska e kishte paralajmëruar se nga hetimi nuk do të dilte asgjë.

Duke folur nga punimet e një forumi të mbajtur në Shën Pjetërburg, Putin tha se konstatimet e Myler ishin të parashikueshme për Moskën.

“Që ky hetim do të mbyllej në këtë mënyrë, si një mal nga i cili lind një mi, ne e kishim të qartë shumë më parë dhe personalisht e kam thënë disa herë”, u shpreh Putin.

Për presidentin rus, përfundimin e këtij hetimi famëkeq nuk mund ta dinte askush më mirë se Kremlini, pasi sipas tij Rusia nuk u përzje në asnjë moment në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. “Siç e tha dhe vetë Myler, nuk ka pasur lidhje mes Trump dhe Rusisë”, tha Putin. /abcnews.al

 

 

 

robert.jpg
ent ela08:55 | 29/03/2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar publikimin e plotë të raportit të Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse, duke deklaruar se një dokument me mbi 300 faqe nuk mund të përmblidhet në 65 fjalët e cituara nga prokurori i përgjithshëm.

Raporti i prokurorit të posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, është më shumë se 300 faqe. Kështu deklaruan të enjten zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe nisur nga kjo ligjvënësit demokratë përsëritën kërkesën që prokurori i përgjithshëm Uilliam Berr të publikojë dokumentin e plotë dhe jo vetëm përmbledhjen prej 4 faqesh të publikuar fundjavën e kaluar. “Na trego raportin. Nuk kemi nevojë që ta interpretosh ti për ne.

Duhet të shohim vetë se cilat janë faktet”, deklaroi kryetarja e grupit parlamentar demokrat Nensi Pelozi. Në raportin e tij për Kongresin, kryeprokurori Berr citoi vetëm 65 fjalë nga dosja e zotit Myler dhe deklaroi se ky i fundit kishte arritur në përfundimin se presidenti Trump dhe stafi i tij elektoral nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë. Por raporti nuk kishte një përfundim nëse zoti Trump, si kryetar shteti kishte penguar drejtësinë, duke u përpjekur që të frenonte hetimin.

“Megjithëse raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer krim, ai nga ana tjetër nuk e nxjerr atë të pafajshëm”, citoi prokurori i përgjithshëm raportin e zotit Mueller. Demokratët kanë kërkuar që ai t’ia dorëzojë raportin Kongresit deri të martën e ardhshme, por zoti Barr i tha kryetarit demokrat të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Xherrold Nedllër, se raporti do të dorëzohet brenda “javësh e jo muajsh”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono