Rusia

kremlin.jpg
G. P.19:18 | 18/03/2019

Rusia ka njohur termin “Republika e Maqedonisë së Veriut” si emrin e ri zyrtar të Maqedonisë. Vendimi është marrë të hënën dhe është komunikuar nga Ministria e Jashtme ruse, pavarësisht se më herët Kremlini kishte shprehur rezervat e tij mbi legjitimitetin e këtij emërtimi.

Njohja nga Moska vjen pasi Parlamenti maqedonas miratoi në janar një amendament që i jepte vendit emrin e ri, në kuadër të marrëveshjes së Prespës të arritur me Greqinë për t’i dhënë fund kontestit 27-vjeçar mes dy vendeve fqinje.

Skepticizmi rus kishte të bënte me faktin se emri i ri i jepte vendit ballkanas akses në aleancën ushtarake të NATO-s, zgjerimin e të cilës Kremlini e sheh me shqetësim./abcnews.al

CF598AC7-7280-4EFA-B639-D4DAD9C55766_w1023_r1_s-933x445.jpg
ent ela11:24 | 06/03/2019

Situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë dhe vendet e Ballkanit janë shënjestra kryesore të ndikimit malinj të Rusisë, ka thënë komandanti i forcave të SHBA-së në Evropë, Curtis M. Scaparrotti, gjatë një dëshmie para komitetit për Forca të Armatosura të Senatit amerikan.

Scaparrotti, i cili gjithashtu është komandant Suprem i Aleancës i NATO-s në Evropë, e ka quajtur Ballkanin një rajon me rëndësi strategjike përderisa ka folur para senatorëve edhe për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve dhe arritjen e një zgjidhje afatgjate që është e zbatueshme për dyja vendet janë aktualisht në pritje. Rusia e ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik”, ka thënë gjeneral Scaparrotti, duke nënvizuar faktin se Rusia e kundërshton njohjen e Kosovës si shtet sovran ndërkaq përmes ndihmës politike, ushtarake dhe ekonomike mundohet të ruaj ndikimin e saj në Serbi.

“Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), e cila përfshin mbi 3,500 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vendet tjera, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në këtë rajon”, ka thënë Scaparrotti.

Ai ka folur edhe për gjendjen në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se vendi po vazhdon të punojë drejt paqës dhe stabilitetit afatgjatë, pavarësisht sfidave nga Republika Serbe e cila është e ndikuar nga Rusia.

Në dëshminë e tij para komitetit për Forca të Armatosura, gjenerali amerikan, ka thënë po ashtu se Rusia është konkurrent afatgjatë strategjik që i sheh Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën e NATO-s si kërcënim kryesor për ambicjet e saj gjeopolitike.

“Moska synon të shtrijë ndikimin në vendet periferike të saj, për të minuar solidaritetin e NATO-s dhe për të shkelur rregullat në të cilat bazohet rendi ndërkombëtar”, është shprehur gjenerali amerikan Scaparrotti. /REL

stoltenberg-1280x720.jpg
G. P.09:03 | 02/03/2019

Sekretari i Përgjthshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që të veprojë në përputhje me Traktatin për Armë Bërthamore, një dokument i rëndësishëm për kontrollin e armëve për dekada.

“NATO-ja nuk dëshiron luftë të re të ftohtë, ne nuk dëshirojmë një garë armësh dhe i bëjmë thirrje Rusisë që të zbatojë Traktatin për Armë Bërthamore”, ka thënë Stolteberg pasi takimeve me kryeministrin bullgar, Boyko Borissov në Sofje.

Muajin e kaluar, Uashingtoni ka pezulluar zyrtarisht të gjitha obligimet e parapara në Traktatin për Armë Bërthamore, që daton nga viti 1987.

Ky pakt ndalon zhvillimin dhe pozicionimin e raketave balistike me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.

Shtetet e Bashkuara kanë marrë këtë hap pasi Uashingtoni dhe NATO-ja kanë akuzuar vazhdimisht Moskën për shkelje të këtij pakti, duke zhvilluar raketën 9M729, të njohur edhe si, SSC-8.

Rusia, e cila ka mohuar ndonjë shkelje, ka njoftuar se po ashtu do të braktisë këtë traktat.

“Raketat e reja ruse kanë kapacitet bërthamor, ato mund të arrijnë në qytetet evropiane, janë të vështira për t’u vërejtur andaj është e rëndësishme që të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë të veprojë në përputhje me paktin” ka thënë Stoltenberg.

Ai ka thënë se të njëjtën kohë, NATO-ja duhet të jetë e përgatitur për një botë pa këtë Traktat dhe me më shumë raketa ruse.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë në fjalimin e tij drejtuar kombit, muajin e kaluar, se nëse Shtetet e Bashkuara zhvillojnë raketa të reja në Evropë, atëherë Moska do të hakmerret duke pozicionuar armë të reja, të cilave do t’iu duhet shumë pak kohë për të arritur shënjestrat./REL

RUSIA-RAMA-M-1280x720.jpg
ent ela23:08 | 26/02/2019

Rusia e ka konsideruar të papranueshme deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, se Kosova është pjesë e Shqipërisë. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova deklaroi se Moska nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj deklaratës së Ramës se bashkimi Shqiper-Kosovës nuk është plan “B” por “A”.

Në reagim thuhet se një retorikë e tillë është absolutisht e papranueshme. Zakharova theksoi se, një plan i tillë është synim për të arritur në kufijtë e Serbisë.

“Ne e konsiderojmë këtë një shkelje të rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit dhe presim nga Perëndimi që të dënojë plane të tilla gjeo-politike”, vijoi zëdhënësja.

Për Moskën, një lëvizje e tillë minon stabilitetin dhe besimin mes vendeve të Ballkanit, si dhe komplikon dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. /abcnews.al

ppp-1-1280x718.jpg
ent ela08:00 | 26/02/2019

Rusia ka publikuar listën me objektivat amerikanë që do të sulmojë në rast të një agresioni bërthamor ndaj saj. Mes shënjestrave të raketave të Kremlinit janë edhe Departamenti i Mbrojtjes dhe një kompleks presidencial.

Televizioni shtetëror rus ka publikuar listën me bazat ushtarake amerikane që Moska do të sulmojë në rast të një sulmi bërthamor. I njëjti burim ka deklaruar se një raketë hiper-sonike që Rusia po zhvillon aktualisht do të jetë në gjendje t’i godasë ato në më pak se 5 minuta. Objektivat përfshijnë edhe Pentagonin, si dhe selinë presidenciale në Kemp Dejvit, në Merilend. Lajmi në televizion vjen pak ditë pasi presidenti Vladimir Putin deklaroi se Rusia ishte gati për një krizë të re raketash me Shtetet e Bashkuara si ajo e stilit kubanez. Me tensionet në rritje dhe shqetësimin e Kremlinit se Amerika mund të vendosë raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi në Europë, Putin ka paralajmëruar se Moska do të reagojë duke vendosur raketat hiper-sonike bërthamore në nëndetëset e saj në afërsi të ujërave territoriale amerikane. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk kanë në plan vendosjen e raketave të tilla dhe i kanë cilësuar paralajmërimet e Putin si një propagandë hipokrite. Dhe në fakt, aktualisht Uashingtoni nuk ka raketa bërthamore me bazë tokësore që mund t’i vendosë në kontinentin e vjetër. Sidoqoftë, vendimi për t’u tërhequr nga traktati bërthamor i vitit 1987 i hapë rrugë Shteteve të Bashkuara që të prodhojnë armatime të tilla./abcnews.al

 

kremlini.jpg
ent ela22:30 | 11/02/2019

E trembur nga një hakmarrje e Perëndimit për shkak të agresioneve kibernetike, Rusia ka vendosur të shkëpusë lidhjet me internetin tradicional dhe të krijojë linjën e saj, për t’u mbijetuar përpjekjeve për izolimin e saj online.

Rusia po planifikon të shkëputet përkohësisht nga interneti, për shkak të frikës nga një luftë kibernetike që mund të ndodhë në të ardhmen. Lëvizja e planifikuar nga Kremlini do të thotë se të dhënat në zotërim të organizatave dhe qytetarëve rusë do të qarkullojnë vetëm brenda vendit dhe jo në nivel ndërkombëtar.

Një ligj që mandaton ndryshimet teknike u paraqit në Parlamentin rus vitin e kaluar dhe plani i administratës ruse pritet të hyjë në fuqi përpara 1 Prillit, edhe pse nuk ka një datë të saktë. Projektligji, i quajtur Programi kombëtar për ekonominë digjitale, u kërkon shërbimeve ruse të internetit që të ofrojnë garanci se mund të veprojnë edhe përballë përpjekjeve të fuqive të huaja për të izoluar Rusinë online.

NATO dhe aleatët e saj kanë kërcënuar se do të sanksionojnë Rusinë për shkak të sulmeve të saj kibernetike dhe ndërhyrje të tjera, për të cilat Moska akuzohet prej kohësh. Masat e parashikuara në kuadër të ligjit parashikojnë që Rusia të krijojë versionin e vetë të sistemit të adresimit të rrjetit, i njohur si DNS, në mënyrë që të operojë më vete nëse lidhjet me serverët e vendosur ndërkombëtarisht ndërpriten.

Aktualisht janë 12 shoqëri që mbikëqyrin serverët e sistemit të adresimit dhe asnjë prej tyre nuk ndodhet në Rusi. Megjithatë, shumë kopje të DNS-së ekzistojnë edhe në Rusi, që do të thotë se rrjeti i saj mund të funksionojë edhe nëse ndërmerren veprime ndëshkuese për shkëputjen e tij./abcnews.al

images.jpg
ent ela22:34 | 09/02/2019

Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për vijimin e projektit të gazjellësit Nord Strim 2, i cili kundërshtohet fort nga Shtetet e Bashkuara.

Pas shumë debatesh dhe presionit të Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr, ambasadorët e vendeve anëtarë të BE, miratuan vijimësinë e shtrirjes së gazsjellësit “Nord Strem 2”.

Projekti që do të furnizojë më shumë me gazin rus Europën, ngjalli kontradita edhe mes partnerëve të afërt, Gjermanisë dhe Francës. Parisi njoftoi fillimisht se nuk do ta jepte mbështetjen, por më pas pranoi kompromisin me Berlinin për dritën jeshile të projektit, duke ashpërsuar kushtet dhe kontrollet.

Më shumë se sa një debat teknik lidhur me energjinë, linja që do të furnizojë Europën me 55 miliardë metra kub gaz në vit, është kthyer tashmë në një betejë politike. Frika e kundërshtarëve të projektit është se kontinenti mund të kthehet në një skllav të Moskës. Aktualisht Europa mbulon me gazin rus rreth 40% të nevojave të saj.

Shtetet e Bashkuara, paralajmëruan se me “Nord Strem 2”, Rusia synon gjithashtu goditjen e ekonomisë së Ukrainës, e përjashtuar nga linja e re e kalimit të gazit.

Stafeta tashmë i kalon Parlamentit Europian, kur një numër i konsiderueshëm deputetësh janë shprehur kundër tij. /abcnews.al

1049598469.jpg
ent ela19:33 | 05/02/2019

Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë qenë të parat, që kanë shkelur traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore. Në këto kushte, Kremlini ka nisur punën për një sistem të ri raketash me fuqi atomike, që do të mund të lëshohen nga baza tokësore, deri më sot të ndaluara nga pakti i Luftës së Ftohtë.

Rusia ka deklaruar të martën se ka në plan të ndërtojë një sistem të ri raketash, pak ditë pasi ajo dhe Shtetet e Bashkuara pezulluan pjesëmarrjen në traktatin për kontrollin e armëve bërthamore. Traktati në fjalë, i nënshkruar në vitin 1987 për t’i dhënë fund krizës së armatimeve mes Amerikës dhe Bashkimit Sovietik, u ndalonte të dyja palëve përdorimin e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.

Pas akuzave të vazhdueshme në adresë të Moskës se kishte shkelur akordin e nënshkruar nga presidentët Regan dhe Gorbaçev, presidenti Donald Trump njoftoi javën e kaluar tërheqjen, një lëvizje kjo që pak orë më vonë u kopjua edhe nga Kremlini. Të martën, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu deklaroi se synimi i forcave të armatosura është krijimi i një sistemi raketash me bazë tokësore në dy vitet e ardhshme.

Raketat bërthamore të qëlluara nga terreni ndaloheshin në bazë të traktatit, por jo ato të qëlluara nga ajri ose deti, të cilat Rusia i zotëron dhe do t’i përdorë për të ndërtuar sistemin e ri. Ministri Shoigu nënvizoi se janë Shtetet e Bashkuara ato që e kanë shkelur të parat akordin.

“Ata po punojnë për krijimin e raketave me bazë tokësore me një rreze prej 500 kilometrash, një kapacitet që ndalohet nga traktati i nënshkruar. Në këto kushte, presidenti Putin ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes që të përgatitet për masa reciproke”, ka deklaruar Shoigu. Lëvizjet e fundit të Uashingtonit dhe Moskës kanë ngritur shqetësime për nisjen e një gare të re armatimesh./abcnews.al

Sergey-Ryabkov3.jpg
G. P.09:08 | 02/02/2019

Pas lajmit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të tërhiqen nga traktati për armatimin bërthamor me Rusinë, ka reaguar Moska. Zv/ministri i Jashtëm rus Riabkov u shpreh se vendi do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur interesat kombëtare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin 48 raketa në Europë, duke vënë në rrezik Rusinë qendrore dhe Moska nuk mund të injorojë këtë kërcënim. Deklatata e fortë është bërë nga zv/ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, i cili theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin në gatishmëri dhe në mënyrë të menjëhershme madje, 24 raketa bërthamore Tomahok.

Rusia aktualisht po merr masa që të garantojë sigurinë kombëtare, theksoi ai. Lajmi është publikuar nga Interfax, ndërkohë që thuhet se mesazhi i presidentit rus Vladimir Putin në asamblenë federale, një vit më parë, ishte një sinjal më se i bindshëm se Rusia do të kujdeset për sigurinë e saj. Riabkov shtoi se forca dhe mjete janë në fazë të avancuar për të qenë gati dhe operativ.

“Nuk do të jemi të parët që të nisim garën e armatimit apo tensionimit, por Rusia do të garantojë sigurinë e saj”, tha zv/ministri i Jashtëm rus.

“Pyetja qëndron nëse amerikanët do të hedhin hapin e radhës duke lajmëruar Rusinë për vendimin e tyre për tërheqjen nga traktati. Por mendoj se kjo është një perspektivë e paevitueshme dhe se nuk do të ketë asnjë devijim nga deklaratat e presidentit  Tramp dhe atyre të këshilltarit për sigurinë kombëtare Xhon Bolton”, përfundoi Riabkov./abcnews.al

trump-dhe-putin.jpg
ent ela16:23 | 01/02/2019

Sekretari amerikan i shtetit, Majk Pompeo, deklaroi tërheqjen e shteteve të bashkuara të amerikës nga traktati historik për armët bërthamore të firmosur nga Ronald Regan dhe Mikael Gorbacov në 1987-ën. Pompeo deklaroi se Rusia ka shkelur hapur dhe prej vitesh traktatin duke mos treguar asnjë impenjim serioz për respektimin e tij. Por Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme për një marrëveshje të re me Moskën brenda gjashtë muajsh

Uashingtoni akuzon Moskën se ka shkelur në mënyrë të përsëritur marrëveshjet që nga viti 2014, por Rusia mohon. Pezullimi aktivizon një periudhë prej 180 ditësh për tërheqjen totale nga traktati, të paktën deri sa Moska të respektojë rregullat. Në të kundërt ekziston rreziku i një gare të re armatimi dhe tërheqjeje edhe nga marrëveshja tjetër bërthamore mes SHBA dhe Rusisë.

Shtëpia e bardhë bëri të ditur se shtetet e bashkuara të amerikës do të vazhdojnë me zhvillimin e opsioneve ushtarake dhe do të punojnë me NATO-n dhe aletatë e partner për t’i mohuar Rusisë çdo avantazh ushtarak që vjen nga sjellja e saj e paligjshme

Nato nga ana e saj në një deklaratë për shtyp thekson se nëse Moska nuk do të respektojë detyrimet e saj sipas traktatit duke shkatërruar në mënyrë të vërtetueshme të gjitha sistemet e saj raketore, atëherë do të mbajë përgjegjësi të plotë për përfundimin e traktatit. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono