rusi 2018

ndeshja.jpg
G. P.13:58 | 15/07/2018

Kush do të jetë kampione e botës, Franca apo Kroacia? Kjo do të mësohet pas finales së madhe të Botërorit, që luhet në orën 17:00 në Moskë.

Ja edhe udhëtimi i fundit.

A thua Franca po shkon drejt triumfit të madh të radhës, një tjetër titulli botëror?

Me gjashtë finale në histori, kjo kombëtare ka padyshim një traditë më të madhe sesa Kroacia.

Luhet për Kupën e dytë të Botës, që do ta vendoste Francën edhe më shumë në mes kombëtareve më të lavdishme në rruzull, dhe trajneri Didier Deschamps, e di se çdo të thotë të fitosh.

“Është një privilegj i madh, është kënaqësi e vërtetë të jesh këtu. U kam thënë lojtarëve se nuk ka gjë më të bukur sesa një finale e Kupës së Botës. Do t’u them po ashtu, “ruani qetësinë, besoni në vetvete dhe përqëndrohuni”. Pësimet e finales së humbur në 2016 do të na ndihmojnë këtë herë. Kroacia ka talent dhe përvojë të madhe, por jemi ndeshur edhe më parë me ekipe të këtij niveli, me lojtarë si Messi apo Hazard”, tha trajneri i Francës.

Kapiteni Lloris thotë sesi është motivimi tek francezët.

“Jemi në finale, por nuk mendojmë se e kemi arritur qëllimin tonë. Ne duam të fitojmë Kupën e Botës, por e dimë se kemi përballë një kundërshtar të një cilësie maksimale. Kroacia meriton po aq vlerësim sa edhe ne. Do të duhet të luajmë finalen e përsosur për t’ia dalë”, tha kapiteni francez.

Kroacia luan finalen e parë në histori, dhe padyshim euforia është më e madhe tek ajo.

Mund të jetë një minus, por trajneri Zllatko Daliç ka besim te karakteri i lojtarëve të tij.

“Është pragu i finales së Botërorit dhe lojtarët e dinë se çdo të thotë kjo. Më vjen mirë që lojtarët e mi thonë se janë 100 për qind gati. Nëse nuk do të ishin, nuk do të donin të luanin. Nuk është se jemi stërvitur shumë së fundmi, sepse nuk kemi nevojë. Kishim nevojë për të pushuar, gjithçka tjetër e dimë”, u shpreh Daliç.

Luka Modriç, mos ndoshta mendon se mund të fitojë edhe Topin e Artë?

“E përsëris se jam i përqëndruar tek suksesi i kombëtares. Natyrisht, është kënaqësi kur përmendem si fitues i mundshëm i Topit të Artë, por nuk dua që të mendoj për këtë. Kemi shansin të arrijmë një sukses të madhe dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit t’ia dalim”, tha Modriç.

Dy ekipet nuk kanë asnjë mungesë, ndërsa parashikimet favorizojnë Francën.

eden-hazard.jpg
G. P.15:02 | 13/07/2018

Reali i Madridit ka gjetur pasardhësin e Cristiano Ronaldos. Kampionët e Europës kanë bërë një ofertë prej 170 milionë eurosh për njërin nga yjet më të mëdhenj të Botërorit.

Ky njeri ka bërë të harrohet Neymari.

Jo vetëm kaq, por Eden Hazard është identifikuar si pasardhësi i Topit të Artë dhe lojtarit më të mirë të botës vitin e kaluar.

Reali i Madridit kampion i Europës, pasi zgjidhi çështjen e stolit me Julen Lopeteguin, është hedhur menjëherë në sulm, dhe ofron 170 milionë euro për kartonin e futbollistit të Çelsit.

Ylli 27-vjeçar pritet të largohet nga Blutë e Londrës, shpejt pas shkarkimit të trajnerit Antonio Conte, pra tekniku i ri, Mauricio Sarri, nuk pritet ta ketë në dispozicion edicionin e ardhshëm.

Tifozët madrilenë kishin votuar për Hazard-in si dëshirë e parë e tyre, ndaj Nymar-it, dhe klubi vendosi të veprojë shpejt, sidomos pas lajmeve se edhe Barcelona po mendonte për kapitenin belg.

Hazard po shkëlqen në Kupën e Botës në Rusi, duke udhëhequr Belgjikën deri në gjysmëfinale.

Ai ishte ndoshta lojtari më i mirë i ndeshjes ndaj Francës, pavarësisht humbjes 0-1, dhe shpreson të ndihmojë ekipin për të fituar medaljen e bronzit në finalen e vogël ndaj Anglisë.

Hazard e ka cilësuar Realin si skuadrën e duhur për të luajtur dhe besohet se ky transferim do të kryhet. Nuk dihet sesa do të kërkojë Çelsi, por duket se numri 10 belg do të bëhet lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori./abcnews.al

droge.jpg
G. P.10:28 | 10/07/2018

Vazhdimisht janë raportuar nga Rusia disa raste, ku gazetarët, sidomos ato femra janë ngacmuar seksualisht gjatë raportimeve live. Por këtë herë fati i keq ka qenë me një gazetar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, që mbulon Kupën e Botës Rusi 2018.

Mediat kanë raportuar rastin, ku ai u drogua dhe më pas u vodh pasi kishte hipur në një taksi. Ngjarja ka ndodhur të premten, kur gazetari kishte kërkuar një taksi në qendër të Moskës.

Sipas mediave ruse, ai ka pirë kafe, të ofruar nga dy persona në taksi. Më pas ka humbur ndjenjat. Kur erdhi në vete, gazetari pa se ishte lënë në veri të kryeqytetit rus.

Gjithashtu, kur u zgjua, ai kuptoi se i kishin grabitur celularin, kartat e bankës si dhe 500 paund që kishte me vete. Gazetari e denoncoi rastin në polici, ku oficerët gjurmuan “taksinë” , e cila më vonë rezultoi të ishte e palicensuar.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dy persona në të 30-tat, që besohet se e kanë pranuar që e droguan dhe vodhën gazetarin. Nëse ata shpallen fajtorë mund të përballen me një dënim deri në 5 vjet burg.

Ndërkohë, sipas mediave ruse, BBC e ka konfirmuar incidentin për një agjenci lajmesh dhe gjithashtu kanë pohuar se gazetari vazhdon punën normalisht./abcnews.al

NDESHJA-KROACI-RUSI-1280x720.jpg
ent ela10:23 | 08/07/2018

Kroacia është gjysmëfinalistja e fundit e Botërorit. Eleminoi Rusinë pas penalltive, dhe do të ndeshet me Anglinë, për një vend në finale.

Nuk mund të fitojë ndryshe, përveçse kështu.

Kjo është Kroacia e madhe e një vendi të vogël, që mposhti kombëtaren e shtetit më të madh në botë, Rusisë, për të arritur në gjysmëfinale të Botërorit.

Në pengesën e fundit përpara finales do të kenë Anglinë.

Nuk mjaftuan 90 minuta, madje as 120, dhe ashtu si kundër Danimarkës, shpëtimtari u bë portieri Danijel Subashiç, vendimtar tek gjuajtjet e penalltive.

Numri 1 kroat, këtë herë priti vetëm një 11-metërsh, por edhe kaq mjaftoi, sepse rusët gabuan më shumë.

Gjithsesi, Subashiç pati fat, pasi kaloi shpejt një dëmtim që u duk serioz në minutën e parafundit.

Nëse ai nuk do të kishte qenë, historia e penalltive mund të kishte qenë ndryshe.

Çerekfinalja në stadiumin e Soçit u parashikua pikërisht në favor të Kroacisë, veçse suksesi ishte më shumë sesa i vuajtur.

Rusia, e udhëhequr nga trajneri Çerçesov, mbiquajtur “Komandanti”, sfidoi çdo vlerësim teknik të bërë para ndeshjes, duke mos lejuar të shkelej me këmbë.

Kaloi e para në avantazh dhe nuk u dorëzua as kur potenciali shumë më i madh kroat solli përmbysjen.

Në minutat e fundit të shtesës së dytë, barazoi rezultatin duke treguar një forcë të madhe psikologjike.

U mund me meritë nga një ekip më i fortë, por duke dalë me kokën lart nga Botërori, duke bërë krenar një komb të tërë dhe presidentin Putin, I cili këtë herë nuk ishte në tribunë.

Aty ishte presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Yjet kroatë tani ëndërrojnë të mundin dhe Anglinë, e të kalojnë mrekullinë e brezit të artë të vitit 1998.

rus.jpg
G. P.16:57 | 07/07/2018

Rusi-Kroaci do të jetë çerekfinalja e fundit e Kupës së Botës. Skuadra vendase synon mrekullinë e radhës, pas eleminimit të Spanjës, por ballkanasit jepen favoritë.

Rikuperim mendor dhe jo vetëm fizik. Këtë mendoi stafi teknik i Rusisë, kur lejoi futbollistët të kishin pranë familjet dhe njerëzit e dashur, në prag të çerekfinales.

Vendasit duan të bëjnë gjithçka për të kaluar Kroacinë dhe për të arritur për herë të parë mes katër më të mirëve të Botërorit. Pasi ia dolën ndaj Spanjës, gjithçka duket e mundshme edhe pse rusët nuk jepen favoritë.

Udhëtimi drejt Sochi-t, në jug ishte i qetë dhe me optimizëm. Problemi i vetëm për Rusinë është dëmtimi i Zhirkovit, gjithë të tjerët janë në dispozicion të trajnerit Çerçesov.

“Është e qartë se përgatitjet tona kanë qenë disi më të ndryshme, – pohoi Çerçesovi, – pasi Kroacia është skuadër e ndryshme nga Spanja. Nuk mund të flas me hollësi për taktikën apo formacionin, por mund të them se kemi bërë gjithçka që në ndeshjet t’i kemi gati të gjitha “armët” tona. Historia e Spanjës ishte e bukur, por ajo kaloi dhe ne duam të shkojmë përpara”.

Ballkanasit cilësohen si tepër të fortë dhe duan të barazojnë rekordin e Botërorit të vitit 1998. Kroacia nuk ka asnjë mungesë, qoftë për dëmtim apo pezullim, dhe formacioni pritet të ketë i njëjtë si ndaj Danimarkës.

“Ne nuk mund ta zgjedhim kundërshtarin, – tha Daliç, – nëse mund të jetë i zoti i shtëpisë apo dikush tjetër. Ne thjesht mundemi të luajmë siç dimë dhe të fitojmë. Sfida do të jetë shumë e fortë, dhe problem shtesë do të jetë mbështetja e tifozëve rusë, por unë besoj tek lojtarët e mi, që kanë përvojë në ndeshjet nën presion”.

Fitorja e Rusisë jepet me kuotën 4.25, barazimi në 3.1 dhe fitorja kroate shihet si shumë më tepër e mundshme, me koeficient 2.1./abcnews.al

thai.jpg
G. P.12:30 | 07/07/2018

Nëse çdo gjë do të shkojë si duhet dhe 12 adoleshentët tajlandezë e trajneri i tyre do të shpëtohen këto ditë, atëherë FIFA i ka ftuar zyrtarisht në finalen e Botërorit Rusi 2018 që do të luhet në 15 Korrik në stadiumin Luzhniki në Moskë.

Federata botërore e futbollit, i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Tajlandës në të cilën shpreh “keqardhje të thellë dhe mbështetje” për familjet e futbollistëve të rinj dhe trajnerit të tyre, të cilët janë bllokuar në veri të vendit. Lajmi është konfirmuar nga agjencia e lajmeve Anadolu.

Letra që mban firmën e Gianni Infantinos, thotë se FIFA dëshiron të ftojë fëmijët dhe trajnerin e tyre në finalen e Botërorit në Rusi, nëse shpëtohen deri në atë ditë.

Më tej, shtohet se ardhja e fëmijëve dhe trajnerit në finale “padyshim do të jetë një moment fantastik i bashkimit dhe festimit”.

Fëmijët, të cilët u bllokuan në shpellën e përmbytur nga 23 Qershori, kanë kërkuar nga pjesëtarët e ekipit të shpëtimit, të cilët kujdesen për ta që t’i informojnë për zhvillimet në Botëror. Finalja e Botërorit do të luhet më 15 Korrik në stadiumin “Luzhniki” të Moskës./abcnews.al

anglia.jpg
G. P.08:30 | 04/07/2018

Anglia u bë çerekfinalistja e fundit e Botërorit. Skuadra angleze mundi Kolumbinë pas gjuajtjes së penalltive, dhe do të ndeshet me Suedinë për një vend në çerekfinale.

Edhe çerekfinalistja e fundit u mësua. Ishte Anglia që kaloi tek 8 më të mirat e Kupës së Botës, veçse pas një drame të madhe, nga ato drama që zakonisht i ka humbur. U deshën gjuajtjet e penalltive për të eleminuar një Kolumbi, në letër inferiore, por tepër të guximshme dhe këmbëngulëse deri në fund.

Pikërisht 11-metërshat kishin qenë fatalë për anglezët për dekada me radhë, të eleminuar 6 herë nga 7 që i ka takuar për t’i gjuajtur në turnetë e mëdhenj, por këtë herë ishte ndryshe.

Shpikësit e futbollit luajtën më mirë në pjesën e parë, duke iu afruar disa herë golit. Ishin ata që kontrolluan ndeshjen, edhe pse Kolumbia u mbrojt me rregull. Ky ritëm vazhdoi edhe pas pushimit dhe Kane fitoi një 11-metërsh të merituar, të cilin e ktheu në gol po vetë.

Gjithsesi, pasi kaluan në avantazh të besuarit e trajnerit Southgate e ulën ritmin dhe amerikanolatinët u kthyen në ndeshje. Këmbëngulja e tyre dha rezultat në minutën e tretë shtesë, kur Yerri Mina i Barcelonës barazoi mrekullisht.

Edhe shtesat ishin me dy fytyra, në të parën më mirë Kolumbia. Anglezët deshën t’u shpëtonin 11-metërshave në 15 minutat e fundit shtesë, por nuk ia arritën edhe pse patën raste.

Në fund, gjithsesi, patën fat dhe nerva të forta dhe tani i pret Suedia në çerekfinale, një shans i mirë për të arritur në gjysmëfinale të Botërorit./abcnews.al

sterling.jpg
G. P.19:26 | 03/07/2018

Anglia do të përpiqet të ndryshojë historinë në Kupën e Botës, pasi prej 12 vitesh nuk kualifikohet për në çerekfinale. Skuadra angleze jepet favorite sot ndaj Kolumbisë, por është nën presion.

Prej 12 vjetësh dështon për të arritur në çerekfinale.

Anglia mund të jetë shpikësja e futbollit, por në Botëror prej kohësh nuk është një fuqi e madhe, diçka që duhet ta ndryshojë skuadra e trajnerit Gareth Southgate.

Ishullorët janë nën presion të jashtëzakonshëm në prag të ndeshjes së të tetave të finaleve ndaj Kolumbisë në stadiumin “Spartak” të Moskës, pasi gabimi i tyre do të kishte më shumë pasoja.

Për fat, anglezët nuk kanë probleme, pasi Delle Ali e kaloi dëmtimin.

Bilanci është në favor të europianëve me 3 fitore e 2 barazime.

“Kemi përballë një kundërshtar shumë të mirë, të cilin e respektojmë. Duhet që të vazhdojmë të luajmë me po atë këmbëngulje si deri tani, dhe me po atë lirshmëri. Duhet të vazhdojmë të sulmojmë, pasi kjo është loja jonë, pavarësisht nga kundërshtari apo se për çfarë luhet. Është një nga ato ndeshje për të cilat ia vlen të luash futboll”.

Kolumbia jepet e pafavorizuar, me koefiçient 4 për fitoren, ndaj 2.1 për anglezët. Pyetja kryesore për kolumbianët është, a do të luajë James Rodriguez?

“Kemi lajme të mira nga James Rodriguez, pasi vizita mjekësore doli pozitive, dhe shpresojmë që ai të luajë ndaj Anglisë. Gjithsesi, do të vendosim në fund dhe kemi besim edhe tek alternativat e tjera. Është e vërtetë që anglezët kanë pushuar më tepër se ne, por besoj se do të na ndihmojë fakti se patëm sfida shumë të ashpra dhe e treguam veten të fortë nën presion”.

Tifozët e të dyja skuadrave kanë vërshuar në Moskë. Pritet të jenë të paktën 6 000 anglezë, por sidoqoftë, epërsinë numerike do ta kenë kolumbianët./abcnews.al

cut.jpg
G. P.16:10 | 30/06/2018

Priten duele të ashpër në sfidën mes Uruguajit dhe Portugalisë. Disa nga lojtarët e tyre kanë histori sherresh në ndeshjet e kampionatit spanjoll, ndërsa kanë luajtur për Realin, Barcelonën apo Atletikon.

Mund të shohim një betejë, jo vetëm sport. Uruguaj-Portugali do të thotë sfidë mes dy ekipeve të shquar, mes lojtarëve të mëdhenj, por edhe mes atyre që njihet si “të këqinjtë” e futbollit. Përveç dueleve, bukurisë teknike dhe golave, pritet të mos mungojnë as përplasjet e skajshme.

Në një krah janë Luis Suarez e Diego Godin, në anën tjetër Cristiano Ronaldo dhe Pepe, me histori të tilla në ligën spanjolle. Suarez e Pepe kanë pasur konflikte në La Liga, njëri me fanelën e Barcelonës e tjetri me atë të Realit.

Goditjet e palejuara kanë ndodhur më shumë se një herë, dhe asnjëri prej tyre nuk mund të pretendojë se është një engjëll. Suarez, gjithsesi, në prag të ndeshjes, dëshiron të flasë vetëm për futbollin.

“E di se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje, – u shpreh ai, – jemi për jetë a vdekje përballë kampionëve të Europës. Jemi totalisht të motivuar, por duhet të jemi të qetë që të japim maksimumin. Personalisht, jam shumë më mirë se në ndeshjen e parë. Unë jam një perfeksionist, analizoj çdo gjë, dhe flas me shokët e me trajnerin”.

Duel i egër edhe ai Diego Godin-Cristiano Ronaldo, tepër i ashpër edhe se zhvillohet në derbin e Madridit. Ronaldo nuk ka përtuar ta godasë mbrojtësin e Atletikos, por edhe uruguajani nuk ia ka falur, dhe ia ka kthyer me të njëjtën monedhë./abcnews.al

brazil.jpg
G. P.15:50 | 28/06/2018

Shorti i Kupës së Botës favorizon më shumë Spanjën për të shkuar drejt finales. Në krahun tjetër, do të ndeshen shumica e skuadrave të mëdha të Botërorit.

I bie që të luajnë për vendin e dytë.

Anglia dhe Belgjika janë në hall të madh sonte në prag të ndeshjes mes tyre, pasi paradoksalisht fitorja dhe vendi i parë, do t’i vendosnin në pozita shumë të vështira.

Skuadra që do të kualifikohet si e para në grupin G, jo vetëm që do të ndeshet me të dytën e grupit H, por do të ketë rrugën më të vështirë për të shkuar drejt finales së Botërorit.

I tillë është shorti i Kupës së Botës, që përcakton se një Angli apo një Belgjikë kryesuese e grupit, do të ndeshej potencialisht me Brazilin në çerekfinale.

Shorti dhe mënyra sesi pëfunduan grupet, bën që në njërin krah të jenë shumica e skuadrave të mëdha.

Fituesi i sfidës mes Uruguajit dhe Portugalisë, në të tetat e finaleve, do të ndeshet me triumfuesin e çiftit tjetër tepër të fortë, Francë-Argjentinë.

Një duel Messi-Ronaldo është plotësisht i mundshëm.

Po në këtë krah është edhe Brazili, si dhe fituesja e grupit G, Anglia ose Belgjika.

Në të kundërt, në krahun tjetër, Spanja duket e favorizuar.

Nëse kalon Rusinë, që edhe parashikohet, do të ndeshej me fituesin e duelit Kroaci-Danimarkë, me kroatët ekip i fortë, por jo i madh dhe pa përvojë në botërorë.

Më pas spanjollët, mund të ndesheshin me Suedinë ose Zvicrën, dhe me Belgjikën ose Anglinë, në varësi të rezultatit të sotëm./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono