rruge

rruge-tirane.jpg
G. P.15:07 | 06/10/2019

Investimet e Bashkisë së Tiranës po ndihen në çdo lagje të kryeqytetit. Gjatë ditëve të fundit, punonjësit e Mirëmbajtjes së Rrugëve po punojnë për të rehabilituar dhe asfaltuar rrugën e “Kavajës” në kryeqytet, duke u kujdesur për shtresat asfaltike, trotuaret, dhe ndriçimin.

Qytetarët e kësaj zone, dhe jo vetëm, po i gëzohen asfaltimit të rrugës, ndërhyreje e cila zgjidh përfundimisht ccështjen e amortizimit dhe të ujërave të zeza, sidomos tashmë që jemi në stinën e shirave.

Ekipi i mirëmbajtjes së rrugëve të Bashkisë së Tiranës ka vijuar punën këto ditë deri në orët e vona të natës, për të realizuar sa më parë mirmbajtjen e shtresave asfaltike përgjatë rrugës së “Kavajës”.

Punimet në infrastrukturë jo vetëm që lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve, mjeteve dhe mallrave, por i japin një vlerë tjetër pronës. Ndërkohë që ndërhyrjet do të vijojnë edhe në rrugë të tjera të Tiranës, për ta bërë sa me komode lëvizjen e këmbësorëve./abcnews.al

LIBRAZHDI-GURET-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela16:20 | 24/09/2019

Reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të gurëve në zonën e Librazhdit dhe të Prrenjasit. Situata më e rëndë ka qenë në kthesën e Murrashit aty ku ky fenomen ndodh sa herë ka shi e furtunë. Për këtë shkak pati bllokim të përkohshëm të qarkullimit rrugor. Por punonjësit e ARRSH dolën herët në terren dhe mundësuan lëvizjen e mjeteve në të dy anët e rrugës. Rënie të gurëve ka patur dhe në Hotolisht, Qukës, Pishkash dhe Qafë Thanë. Për fat nuk ka patur dëmtime në njerëz, por anë të rrugës kryesisht në Librazhd- Murrash duhen rrjeta mbrojtëse. /ABC News Albania 24/7

emigrante.jpg
G. P.13:12 | 14/09/2019

Emigrantët vijojnë të përdorin itenerarin ballkanik për të mbërritur në vende të ndryshme të Europës kryesisht në Gjermani dhe Francë. Azilkërkues afganë përdorin trena mallrash për t’u larguar nga Greqia nëpër Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, për të mbërritur në Europë.

Një tren mallrash përshkon Greqinë, dhe nga lart çdo gjë duket normale. Në të vërtetë nga një vagon në tjetrin fshihen emigrantë. Pjesa më e madhe e tyre janë afganë.

Ata përpiqen të kalojnë nëpër itenerarin ballkanik, i cili vijon të jetë i hapur pavarësisht se në teori rezulton i mbyllur që nga viti 2016. Kjo pas firmosjes së marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Turqisë dhe vendimit të njëanshëm për blindimin e kufijve nga disa vende.

Shumë prej tyre zbulohen dhe nuk lejohen të futen në vend duke mbetur në mes të një rruge, e cila nuk jep asnjë shpresë. Azilkërkuesit shprehen se në Greqi nuk iu është siguruar një vendbanim dhe pse kanë pritur për një vit, e tashmë duan të largohen.

Sapo mbërrijnë në kufi me Maqedoninë e Veriut, ata zbresin nga treni i mallrave dhe përpiqen të kalojnë nëpërmjet pyjeve në mënyrë të paligjshme, për të kaluar kufirin. Ndërsa të tjerë qëndrojnë ende në vagonë. Sipas tyre nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, ata do të mund të shkojnë në Gjermani dhe Francë.

Turqia po vijon t’i qëndrojë marrëveshjes me Bashkimin Europian për të mbajtur në vend emigrantë, të cilët duan të shkojnë në Greqi dhe Bullgari. Gjithsesi sforcimi financiar është shumë i madh, për këtë arsye Ankaraja këtë muaj kërcënoi me rihapjen e itenerarit nëse Europa nuk do të dojë të rinegociojë marrëveshjen./ABC News Albania 24/7

lulzim-basha-2.jpg
G. P.12:51 | 12/09/2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për kontratat koncensionare Milot Balldren dhe Orikum-Dukat që pritet të miratohen sot në parlament, pas rrëzimit nga maxhoranca të dekreteve të Presidentit Meta. Kryedemokrati i kujtoi të gjithë deputetëve të parlamentit se do të jenë subjekt i ligjit antimafia nëse do të votojnë për këto kontrata dhe pasuria e tyre do të hetohet kur PD të vijë në pushtet.

Kur në sallën e Kuvendit, deputetët e mazhorancës diskutonin për rrëzimin e dekreteve për Presidentit për dy kontratat koncensionare të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, nga selia e Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu drejtua me një paralajmërim të fortë deputetëve të Kuvendit.

“Vetëm një parlament peng i krimit dhe i oligarkëve mund të bëhet noter i një vepre kaq të rëndë, kriminale dhe hajdutërore. Kjo është vjedhje me ligj. Ndaj dua të paralajmëroj sot dhe pikësëpari çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të votuar këtë vjedhje me ligj se nesër do të jetë subjekt i Ligjit Antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe mbajmë shënim emrat. Nesër do t’ju ndjekim këmba këmbës! Çdo qindarkë, çdo shpenzim në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo pronë dhe pasuri  e juaja do të jetë nën lupën e Ligjit Antimafia dhe të SPAK-ut”.

24 orë pasi Kuvendi të ketë votuar mbi këto dy koncensione, Partia Demokratike në emër të opozitës do t’i drejtohet me një letër dy kompanive që do të marrin përsipër ndërtimin e rrugëve por edhe bankave të nivelit të dytë që kanë garantuar dhënien e kredive.

“Ditën e nesërme ANK dhe Gjikuria do të paralamërohen zyrtarisht me letër nga Partia Demokratike, në emër të opozitës së bashkuar, për të gjitha pasojat penale  dhe kriminale për ta dhe për çdo person privat të kompanive të tyre nga pronari dhe drejtuesit, deri tek juristët e kompanisë, si subjekte të ligjit të forcuar anti-mafia, ditën e parë që PD dhe opozita e bashkuar do të marrin përgjegjësitë e qeverisjes në vend.

Një letër e ngjashme do ti dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë pa përjashtim, për ti paralajmëruar se çdo financim, kredi apo garanci bankare dhënë këtyre koncensioneve, do ti bëjë këto banka automatikisht subjekte të ndjekjes anti-mafia. Do ti vendosë ato menjëherë në vëmendjen epërditëshme të opozitës sot dhe të qeverisjes së nesërme në bashkëpunim me SPAK, BKH dhe institucione të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve partnere”.

Kryedemokrati është i bindur se me miratimin e këtyre kontratave konsensionare, buxheti i shtetit do të jetë i paralizuar për kryerjen e investimeve mardje rrezikon edhe dhënien e pensioneve dhe rrogave për mjekët dhe arsimtarët./ABC News Albania 24/7

permbytje-elbasan.jpg
G. P.18:03 | 02/09/2019

Pas verës me temperatura ekstreme, stuhi shiu kanë përfshire pasditen e sotme Elbasanin.  Uji ka vërshuar në rrugë duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe udhëtarëve.

Raportohet se rrebeshi i pazakontë i shiut ka shkaktuar probleme me qarkullim në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë-Thanë dhe në disa akse dytësore që lidhin fshatrat me qytetet.

Reparti i zjarrfikësve dhe një grup pune i Bashkisë Elbasan po punojnë për normalizimin e kësaj situate. /ABC News Albania 24/7

DURES-1-1280x718.jpg
Sej rie14:15 | 11/08/2019

Nga mëngjesi deri në mbrëmje, i gjithë qyteti është në kaos. Ardhja e emigrantëve si dhe turistëve për pushimet verore ka rënduar trafikun. Lëvizja në Durrës apo edhe në zonat turistike është një sfidë më vetë.

Qëndrimi për një kohë të gjatë në trafik është i përditshëm. Jo vetëm gjatë ditës, por edhe në mbrëmje, kohë në të cilën gjendja rëndohet edhe më shumë. Kjo mbetet e lodhshme për përdoruesit e rrugës.

“Përpara të së mbërrijnë në destinacion, pjesën më të madhe të kohës së tyre drejtuesit e automjeteve e kalojnë në trafik. Përvese rrugëve të ngushta, situata rëndohet edhe nga mosrespektimi i rregullave të kodit rrugor. Ndalesat dopio-fil apo edhe parkimet në zonat e ndaluara krijojnë vështirësi në lëvizje”.

Kaosi ndihet në çdo rrugë. Përballë kësaj situate edhe policia e qarkullimit rrugor mbetet e pafuqishme për t’i dhënë një zgjidhje.

Të pakët në numër, patrullat monitorojnë vetëm disa prej zonave problematike kryesisht ato turistike, duke lënë jashtë vëmendjes shumë rrugë të tjera. Veç qytetit, të tjera rrugë të ngarkuara mbeten, rruga e Plazhit, unaza e Shkozetit, aksi Plepa-Golem si dhe Maminas-Gjiri i Lalësit.

ENKELEDA ARAPI

GAZETARE E ABCNEWS, DURRES

258036304-tatortks2-4MnRbHSua7.jpg
Sej rie22:15 | 01/08/2019

Një 21-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje në Gjermani. Nga raportimet e para bëhet me dije se ka qenë shoku i tij që e ka qëlluar me 5 plumba. Ngjarja ka ndodhur në Kassel të Gjermanisë, pranë një “Fast Food-i”. Policia ka arrestuar në shtëpinë e tij 26-vjeçarin e dyshuar si autor të krimit, por ky i fundit nuk e ka pranuar fajin.

Ai kishte ikur nga vendngjarja, por me ndihmën e dëshmitarëve është bërë i mundur identifikimi i tij dhe më pas është arrestuar nga autoritetet gjermane. Autori është një gjerman i lindur në Kassel, kurse viktima është nga Kosova.

Sikundër raportojnë mediat e huaja, dy të rinjtë njiheshin me njëri-tjetrin. Besohet se mes tyre ka pasur një grindje por ende nuk janë bërë të ditura motivet. Policia gjermane ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë./abcnews.al

korca-1280x720.jpg
G. P.16:59 | 27/07/2019

Pesë persona kanë mbetur të plagosur në tre aksidente që kanë ndodhur në akset nacionale të Korçës. Aksidenti i parë është regjistruar në rrugën Korçë-Kapshticë, ku një mjet ka dalë nga rruga dhe për pasoje ka mbetur e plagosur drejtuesja e mjetit dhe dy vajza që udhëtonin si pasagjere.

Në aksidentin tjetër që ndodhi në aksin Korçë–Pogradec një grua është plagosur nga përplasja e dy mjeteve. Në të njëjtin aks nacional një 35-vjeçar që drejtonte një motor u godit nga një mjet dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Pogradecit./ABC News Albania 24/7

aksidentii.jpg
G. P.21:25 | 10/07/2019

Nëntë persona kanë mbetur të plagosur në një aksident rrugor në fshatin Vërdovë. Të rinjtë e moshës 30-35 vjeç udhëtonin me një mjet fuoristradë, e cila doli nga rruga në aksin Korçë-Pogradec.

Për pasojë dy vëllezër që ndodhen në gjendje të kritike për jetën u transportuan në Tiranë kurse shtatë të tjerë po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Pogradecit. Këta të fundit nuk paraqesin rrezik për jetën.

Ata po udhëtonin nga Kalivaçi në drejtim të Pogradecit. Dyshohet se shkak për aksidentin të jetë bërë moti i keq./ABC News Albania 24/7

shqiptaret-1.jpg
G. P.20:01 | 08/07/2019

Janë të shumta rastet kur shqiptarët janë kapur me dokumente false me qëllim që të kalojnë në Britaninë e Madhe. Më e fundit vjen nga Spanja, ku janë ndaluar në aeroportin e Almerias dy shqiptarë, të cilët me dokumente false synonin të shkonin në Irlandë dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar.

Agjentët arrestuan fillimisht më 18 Qershor një 24-vjeçar me iniciale D.C gjatë në kontrolli. I riu paraqiti një pasaportë greke, e cila rezultoi të ishte false. Ndërkohë javën e kaluar një 40-vjeçar shqiptar u kap pasi kishte një pasaportë sllovene false. Të dy shqiptarët fillimisht kishin destinacion Dublinin dhe më pas Britaninë e Madhe.

Sipas autoriteteve spanjolle, ata kishin kontaktuar me organizata kriminale që merren me trafikimin e njerëzve dhe prodhimin e dokumenteve false. Të dy kishin udhëtuar për në shtetin iberik nga Greqia.

Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët kapen me dokumente false në përpjekje për të shkuar në Britaninë e Madhe. Madje përpjekjet e tyre për të emigruar në vende të ndryshme të Europës përmes dokumenteve false ka vendosur në lëvizje vitin e kaluar drejtësitë e vendeve ku kalojnë rrugët e shqiptarëve për të shkuar në Britani.

Përveç rrugëtimit me dokumente false, shqiptarët kanë zbuluar dhe “shtigje” të reja. Shpesh mediat holandeze kanë raportuar për një qytet të vogël të quajtur Moerdijk, ku ata presin për t’u ngjitur fshehurazi nëpër kamione, në mënyrë që të shkojnë në Britani./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono