Rruga

64263488_1709145665895972_1788902875770912768_n.jpg
ent ela09:45 | 15/06/2019

Qytetarët e Tiranës këtë verë do të kenë një tjetër alternativë për të shkuar në plazhin e Durrësit apo drejt Jugut. Rruga e vjetër nga kryeqyteti në Ndroq ka nisur të rikonstruktohet. Kryebashkiaku Veliaj shprehet se shumica e punimeve mbaron në pak javë.

Rruga alternative që lidh kryeqytetin me Durrësin apo Jugun e vendit, ajo nga Ndroqi po ndryshon pamje. Ajo do të jetë në shërbim të banorëve me kushte më të mira, sipas kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj gjatë  kësaj vere.

“Është një rrugë e cila ka pasur prej kohësh nevojë për një dorë, kështu që po bashkojmë forcat. ARRSH-ja do bëjë aksin kryesor, të gjitha riparimet e nevojshme, ndërsa bashkia do të bëjë të gjitha kthesat dhe qafat e rrugëve. Do punojmë gjithashtu për skarpatat”.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë që mund të hasin gjatë kryerjes së punimeve.

“Brenda 20 ditësh, tre javë, do të kenë mbaruar le të themi riparimet kryesore, pastaj do të shfrytëzojmë gjithë korrikun-gushtin, kur Tirana është më e zbrazur dhe ka më pak trafik, që të sigurohemi që kur secili të kthehet nga plazhet të gjejë jo vetëm akset kryesore, por edhe rrugët e mëhallës së vet, shumë më të mira seç i la përpara se të mbaronin votimet dhe të shkonin për pushime”.

Kjo rrugë do t’i shërbejë jo vetëm banorëve të zonës për të derguar prodhimet e tyre bujqësore drejt tregjeve në kryeqytet, por dhe pushuesve që zgjedhin plazhin e Durrësit. /ABc news Albania 24/7

 

 

tirana.jpg
G. P.17:41 | 10/06/2019

Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e rishikuar të rrethrrotullimit në sheshin “Shqiponja” në Tiranë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi se puna do të nisë së shpejti dhe parashikohet të përfundojë brenda 24 muajve.

E tillë pritet të jetë hyrja kryesore e Tiranës pas rreth dy vjet e gjysmë. Këshilli teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e rishikuar të rrethrrotullimit në sheshin “Shqiponja”. Drejtoresha Sonila Qato dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shpjeguan detajet.

“Nuk kemi më atë barrierën e një mbikalimi, por është një projekt i harmonizuar me nënkalim dhe krijimin e sipërfaqeve të reja të gjelbërta”, tha Balluku.

Ky projekt i ka dhënë zgjidhje dhe kalimit të këmbësorëve, një problematike e hasur në projektin fillestar.

“Në projektin e parë ishte parashikuar lëvizja e tyre me tunele nëntokësore si dhe kalimin e automjeteve direkt në kryqëzimin e Laprakës dhe të Zogut të Zi, gjë e cila do të sillte bllokim të këmbësorëve në këto dy pika. Zgjidhje përsëri me tre nivele, por duke vendosur përsëri lëvizjen e këmbësorëve dhe të trafikut lokal të zonës në nivelin zero. Projekti siguron lëvizjet e rrjedhshme të automjeteve në nivelet nëntokësore”, tha Qato.

Automjetet parashikohet të lëvizin me 80 km/h. Shpejtësia do të reduktohet në 40 km/h në kthesat e nënkalimeve ndonëse nuk parashikohen ndalesa. Zbatimi i projektit pritet të nisë së shpejti. Paralelisht do të punohet dhe në lotet e tjera të Unazës.

“Menjëherë do të nisim procedurat ligjore të garës për këtë objekt si dhe hapjen e kantierit për implementimin e punimeve. Tashmë që vendimi i qeverisë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ky projekt është i miratuar. Sqarojmë që gjurma e shpronësimit të parë është ruajtur edhe në këtë projekt të dytë me disa modifikime teknike në funksion të realizimit të këtij projekti madhor”, tha më tej Qato.

Investimi që synon përmirësimin e trafikut dhe në të ardhmen krijimin e një tjetër qendre për Tiranën do të kryhet nga qeveria. Vlera e tij parashikohet e njëjtë si në projektin fillestar rreth 2 miliardë e 696 milionë lekë./ABC News Albania 24/7

rruga.jpg
G. P.11:55 | 04/06/2019

Këtë të martë është hapur plotësisht rruga Tiranë-Elbasan. ARRSH ka njoftuar se që nga sot ajo është e kalueshme në të dyja korsitë e saj nga të gjitha mjetet. Rruga Tiranë-Elbasan filloi të ndërtohet në vitin 2011. Ajo pritej të përfundonte në vitin 2015, por afatet u shtynë.

Më 14 Mars të këtij viti, Ditën e Verës, u hap njëri krah i segmentit nga kryqëzimi i Ibës deri tek hyrja e tunelit të Krrabës. Mjetet kalonin në karrexhatën e majtë të këtij segmenti, ndërkohë që më parë kalimi bëhej nga aksi i vjetër nga Mulleti.

Ndërkohë në fund të muajit Prill, u përfundua së ndërtuari edhe tuneli panoramik. Ndërtimi i këtij tuneli, bën të mundur eliminimin e rrezikut të rrëshqitjes së dherave në këtë pjesë të aksit pasi u bllokua para një viti./abcnews.al

parlamenti-holandez.jpg
nev ila23:21 | 28/05/2019

Kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë po pengon rrugëtimin evropian të vendit. Kështu thuhet në raportin e misionit fakt mbledhës të Parlamentit holandez, i cili mes të tjerash nënvizon se Shqipëria është një vend ku institucionet e drejtësisë nuk janë funksionale.

Marrëdhëniet politike në Shqipëri po pengojnë avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian. Është ky vlerësimi që ka bërë delegacioni i komisionit për çështjet evropiane të Parlamentit holandez, në raportin e publikuar pas misionit fakt-mbledhës të kryer në datat 6 deri më 8 maj në Shqipëri.

Ndonëse vlerësohet se Shqipëria është një vend me një demokraci deri diku funksionale, raporti i sheh me shqetësim marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës, deputetët e të cilës kanë braktisur parlamentin dhe djegur mandatet.

Situata është shenjë e marrëdhënieve të vështira politike në Shqipëri, të cilat po pengojnë avancimin e demokracisë”, thotë raporti.

Ndër të tjera, dokumenti i ligjvënësve holandezë vlerëson procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, që siç thotë, është kryer nga një komision profesional dhe i pavarur. Por nga ana tjetër, raporti thekson se institucionet kryesore të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese, nuk janë funksionale.

Po ashtu raporti vlerëson me nota pozitive ngritjen e institucioneve të reja, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, si dhe Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion, por sërish vë në dukje se ato nuk janë funksionale. Sa i takon korrupsionit, në raport vlerësohet se rezultatet në luftimin e fenomenit në nivele të larta kanë qenë zhgënjyese.

Në përfundim, delegacioni fakt-mbledhës vlerëson se procesi i anëtarësimit, që vijon me hapjen e negociatave, mund të shënojë një progres në aspektin e zhvillimit institucional, por nënvizon se nuk ka përse të jetë domosdoshmërisht kështu./ABC News Albania 24/7

 

sezoni-turistik-1.jpg
G. P.15:07 | 24/05/2019

Vendorët në Gjirokastër deklaruan se për këtë sezon turistik pritet dyfishimi i turistëve në parkun antik të Antigonëse, por rruga është e gjitha e dëmtuar. Shkarjet masive nisën në vitin 2016 dhe aktualisht gjendja nuk ka ndryshuar.

Në Antigone u bë festë për çeljen e sezonit turistik. Por rruga që të çon tek parku ka këtë pamje. Mbrojtëset anësore janë shkatërruar nga aksidentet në tërë gjatësinë e saj.

Shkarjet janë aq të shpeshta për shkak të përbërjes së saj shtuf saqë papritur mund të përfundosh poshtë. Në vitin 2016 për shkak të rrëshqitjeve, katër fshatra u izoluan. Dhe prej asaj kohe asgjë nuk ka ndryshuar. Vendorët thonë se nuk kanë fonde dhe nuk dinë se si do t’i joshin turistët për të vizituar dhe shijuar vendin antik.

“Ky segment nuk mundëson ardhjen me ritmin e duhur të turistëve. Jo vetëm ai segment, por edhe linja që tashmë nuk janë miratuar dhe të përcaktuara që duhet të kishte një linjë për agjencinë turistike për Antigonenë, për Labovën e Zhapës, për Urën e Kordhocës, për Picarin, për Kardhiqin. Pra një agjenci turistike që do të mundësonte lëvizjen e vizitorëve vendas dhe të huaj nëpërmjet transportit”.

Zona e Lunxhërisë dhe Antigonesë nxisin turizmin gjithëvjetor duke u mbështetur tek resurset natyrore dhe arkeologjike dhe promocionin e haneve. Në Antigone jetojnë aktualisht rreth 7000 banorë. Vitin e kaluar komuna priti rreth 2000 vizitorë, por për këtë sezon autoritetet lokale shpresojnë ta dyfishojnë këtë shifër.

Por në këtë gjendje në të cilën ndodhet rruga, vështirë të lëvizin banorët se vizitorët do alarmohen./ABC News Albania 24/7

balldren.jpg
nev ila22:28 | 22/05/2019

Ndryshe nga projektet e tjera, kontratat e ndërtimit në partneritet publik-privat të dy akseve kombëtare Milot – Balldren dhe Dukat – Orikum do të miratohen në parlament, duke i dhënë mundësi kuvendit që të japë mendime dhe të bëjë ndryshime sa i përket kostos dhe cilësisë së rrugëve.

Këshilli i Ministrave ka miratuar nënshkrimin e kontratave me kompanitë që dolën fituese për të marrë koncesionet e rrugëve, ndërsa mësohet që në negociatat që ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar me kompanitë ANK dhe Gjikuria, është ulur interesi që qeveria do t’i kthejë atyre për investimin që firmat do të bëjnë në këto dy rrugë.

Projekti i rrugës Milot – Balldren parashikon ndërtimin e një aksi tërësisht të ri që është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe do të kushtojë 161 milion euro për 17.2 kilometra.

Ndërsa projekti i dytë parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me ByPass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milion euro.

Të dy veprat janë pjesë e programit “1 miliard euro investime” dhe do të ndërtohen fillimisht me kapital të operatorëve privatë, ndërsa buxheti i shtetit do të shlyejë shumën e investuar në vite./ABC News Albania 24/7

DREJT-PERFUNDIMIT-ELBASAN-BANJE.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela15:10 | 10/05/2019

Shumë shpejt segmenti rrugor nga Elbasani në Banjë do të jetë gati. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Drejtoresha e Autoriteti Rrugor Shqiptar inspektuan punimet që po kryhen në lotin numër tre. 

Rreth 80 % e punimeve në segmentin rrugor nga Elbasani në Banjë kanë përfunduar. Inxhinieri i Autoritetit Rrugor Shqiptar i tregoi drejtoreshës së tij dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku ku kanë mbetur.

“Ky objekt përbëhet nga vepra arti të mëdha që është ky vijadukti me gjatësi 258 metra dhe ura e Sulovës me gjatësi 244 metra. Siç e shohim këtu punimet e nënstrukturës dhe të mbi strukturës deri në shtresën e asfaltit kanë përfunduar. Pjesa tjetër, nga ura e Sulovës deri në urën e Mollasit, ka përfunduar shtresa e binderittotalisht, mbeten pa u përfunduar vetëm shtresat asfaltike, shtresa asfalto-betonit edhe punimet e sinjalistikës dhe ndriçimit rrugor në zonat e banuara”.

1.3 miliardë lekë janë investuar nga buxheti i shtetit për të ndërtuar 8.5 kilometrat e kësaj rruge.

“Pjesë e ndërtimit do jenë ndërtimi i dy vijadukteve përgjatë gjithë këtij segmenti i cili lidh fshatin Gostinë me fshatin Mollas dhe ky është një investim të cilin kompania së fundmi është duke ecur me ritme të mira dhe ne pretendojmë që ta përfundojmë brenda afateve”.

Me përfundimin e punimeve banorët e shtatë fshatrave do të lidhen me njëri-tjetrin përmes një rruge me standarde.

“Shpresoj shumë që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt pasi është e rëndësishme në koneksionin që i bën shtatë komuniteteve nga Gostina deri në Mollas. Kemi shtatë fshatra të cilat lidhen dhe sigurisht kjo rrugë çon dhe në Kuçovë”.

Ndërtimi i këtij segmenti u shpreh ministrja Balluku është pjesë e strategjisë së qeverisë për të krijuar një rrjet rrugor i cili lidh në mënyrë më të shpejtë dhe më të shkurtër komunitetet. /ABC News Albania 24/7

MBULIM-PERPLASJA-TE-ASTIRI.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela12:50 | 07/05/2019

Banorët e zonës së Astirit janë përplasur fizikisht paraditen e sotme me policinë. Shkak ka qenë bllokimi i rrugës, në të cilën pritej të kalonte kryeministri.

Ndërhyrja e policisë e përforcuar me forca të ndërhyrjes së shpejtë, për zhbllokimin e rrugës është shoqëruar me kundërshtinë e banorëve, pranë të cilëve ishin edhe disa ish deputetë të Partisë Demokratike.

Përplasja është shoqëruar me konfrontim fizik ndërsa banorët janë ankuar se ndaj tyre është hedhur lëndë gazi nga policia. Ish deputeti Klevis Balliu është shoqëruar bashkë me disa protestues. Situata është qetësuar por banorët e Unazës së re vazhdojnë të mbajnë të bllokuar rrugën, e përpallë tyre qëndrojnë forca të shumta policie. Sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka deklaruar se banorët kanë nevojë për një zgjidhje dhe ka akuzuar qeverinë për abuzim ndaj tyre.

/ABC News Albania 24/7

tuneli-panoramik.jpg
G. P.15:47 | 28/04/2019

Tuneli panoramik në rrugën Tiranë-Elbasan është i kalueshëm për të gjithë. Ministrja   e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënvizoi se tashmë gjithçka po përmbyllet me sukses drejt përfundimit të plotë të punimeve që është fundi i muajit Maj.

Ka përfunduar edhe vepra e fundit e artit në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Në prononcimin e saj, Balluku bëri të ditur se investimi në fjalë u bë i mundur në saj të një fondi prej 458 milionë lekësh të akorduara nga buxheti i shtetit, ndërsa punimet për ndërtimin e tij u realizuan para afatit të parashikuar.

“Kjo është një vepër shumë e rëndësishme e aksit Tiranë-Elbasan, i cili siç dihet tashmë nga të gjithë ishte një aks problematik për shkak të mungesës së studimit gjeologjik në fazat fillestare, por gjithçka po përmbyllet me sukses dhe jemi në pritje që të përmbyllim këtë projekt ashtu siç kemi premtuar në fund të Majit”, u shpreh ministrja Balluku.

Nga ana e saj, drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato, tha se tuneli i ndërtuar është një vepër arti e cila është e plotësuar me të gjithë komponentët e saj.

“Tani më i gjithë aksi është në përdorim të mjeteve dhe të përdoruesve të rrugës”, deklaroi Qato.

Ndërtimi i këtij tuneli, bën të mundur eliminimin e rrezikut të rrëshqitjes së dherave në këtë pjesë të aksit. Puna për ndërtimin e tij nisi për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu një vit më parë./abcnews.al

xhandarmeria.jpg
G. P.19:08 | 24/04/2019

Persona të maskuar kanë hapur zjarr në mes të rrugës në qytetin Roubauix të Francës dhe më pas janë larguar për t’i shpëtuar forcave të policisë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur përveç patrullave normale edhe forcat speciale të cilat janë vënë në kërkim të autorëve.

Të shtënat janë qëlluar ndaj saraçineskës së ulur të një kafeneje të qytetit, që ndodhet në afërsi të kufirit mes Francës dhe Belgjikës. Komisariati lokal i policisë ka sqaruar se dyshimet e para janë për një përplasje mes bandash, pasi në zonën ku janë verifikuar të shtënat ndodhin shpesh episode të tilla./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono