rruga e arbrit

edi-rama....png
G. P.13:45 | 11/10/2018

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet që po kryhen në Rrugën e Arbrit. Ai i kërkoi kompanisë ndërtuese që pranverën e vitit 2021 punimet të kenë përfunduar. Nëse qeveria tregohet korrekte me pagesat sipas përfaqësuesit të firmës, rruga mund të jetë gati dhe më herët.

Mes batutash ia lanë nga një porosi njëri-tjetrit. Bëhet fjalë për përfundimin e Rrugës së Arbrit që do të lidhë Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë. Punimet që po kryhen, kryeministri Edi Rama i inspektoi bashkë me ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri, për të cilin kjo rrugë dëshmon efektivitetin e Partneritetit Publik –Privat.

“Meqë jemi dhe në kuadër të PPP-ve, kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë se sa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojnë dhe 10 vjet siç kanë vajtur. Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”, u shpreh ministri.

Thuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës po punohet. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar sqaron se aktualisht janë investuar mbi 25 milionë euro.

“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”, tha Qendro.

Ndërtimi i urave dhe tuneleve i shpjeguan inxhinierët kryeministrit mbetet pjesa më e vështirë e kësaj vepre. Ndërsa shefi i qeverisë nga ana e tij u ndal te panorama që rruga do të ofrojë në përfundim të saj.

“Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, theksoi kryeministri.

Rruga e Arbrit, si pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashme pjesë  e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit. Investimi kap vlerën e 240 milionë eurove ndërsa punimet po kryhen ne Partneritet Publik-Privat./abcnews.al

KATER-RRUGET-ME-KONCENSION-1280x720.jpg
ent ela17:16 | 01/08/2018

Katër janë akset rrugore që qeveria ka dhënë me koncesion, të cilat do kapin vlerën e vetë programit të qeverisë “1 miliard euro”.  Në materialin në vijim ju sjellim profilin e këtyre rrugëve.

“Rruga Thumanë – Kashar, Rruga e Arbrit, Rruga Milot – Balldren, Rruga Orikum – Dukat”

Këto janë katër akset kombëtare që do të jepen me koncension duke përmbyllur  kështu programin Një Miliardë euro të qeverisë.

Në total vlera për ndërtimin e këtyre projekteve llogaritet 700 milionë euro, por me të gjitha interesat që do t’u paguhen privatëve , kostoja arrin në një miliardë euro.

Autostrada Thumanë-Kashar do të kalojë në 14 fshatra në Bashkinë e Tiranës, Vorës dhe Krujës.

Qëllimi është lidhja me rrugën Tiranë–Durrës, duke kaluar kryesisht nëpër toka bujqësore, në perëndim të rrugës ekzistuese që lidh Thumanën me Fushë-Krujën, pa e prekur atë.

Rruga 20, 8 km e gjatë do të kushtojë  225, 821, 553 euro.

Rruga e Arbrit

Pas tymit të kuq që shpërtheu në një tunel të vogël në Klos në 17 qershor të këtij viti, ka nisur puna në rrugën e arbrit. Segmenti 26, 2 km është I ri dhe do të bashkojë Dibrën me Tiranën.

Kjo rrugë kushton me gjithë mirëmbajtjen për 10 vjet, me gjithë operimin e tunelit, 250 milionë euro.

Rruga do të ketë tunele më të gjatë me standarte rigoroze, me tunel emergjence.

Rruga Milot-Balldren

“Rruga e re do të ndërtohet me standarde ndërkombëtare të kategorisë A, me një gjatësi rreth 18 km, me 6 korsi nga të cilat dy janë të emergjencës, rrugët sekondare ndërlidhëse, me gjatësi rreth 9.5 km. Do të ndërtohen urat e reja te Drinit dhe te Matit, paralele me urat ekzistuese, nënkalime si dhe vepra te tjera, të gjitha këto për të lehtësuar dhe rritur sigurinë në qarkullimin e automjeteve të zonave përreth

161, 500,000 euro llogaritet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot Balldren. Kohëzgjatja e kontratës është 13 vjet.

Rruga Orikum – Dukat

Projekti i katërt i paketës “1 miliard” është rruga Orikum-Duka. Kostoja e projektit është parashikuar 50 milionë e 572 mijë euro. Ndërtimi i saj nis në rrugën e Portit të jahteve për të kaluar më pas në Bypassin e Orikumit dhe përfundon në Dukat. /abcnews.al

 

 

 

RAMA-DIBER-1280x720.jpg
ent ela13:23 | 17/06/2018

Kryeministri Edi Rama në takim me banorët në qendër të Peshkopisë foli për mbajtjen e premtimit për ndërtimin e rrugën e Arbrit, e cila sipas tij nuk do të mbetet më një iluzion. Vonesa e kthimit të vëmendjes nga Dibra, sipas kryeministrit, është produkt i asaj që quajti qeveria më imorale që vendi ka parë, atë të kryeministrit Sali Berisha.

Nga Peshkopia dhe Klosi, iu drejtua kujt e akuzon se veriun e Shipërisë nuk e do.

“Ne kemi sot një buxhet sepse kemi mundësinë pasi kemi shlyer një pjes ëtë borxheve, 85% e projektit 1 miliard shkon nga Tirana lart… çfarë është, nuk është veri?”

Pjesë e këtij projekti me partneritetit publik privatështë edhe rruga e Arbrit, premtim i mbajtur sipas devizës së takimeve në Dibër.

“Nuk do të jetë më një iluzion, Rruga e Arbrit. Një zotim i lidhur me besë si arbrit dikur motit. Si pleqni e djelmni për të lidh sho-shoqin prej nji shtegu përbashkimi e përparimi, siç e deshën të parët tanë, e në radhë të parë këtu të parët tuaj:.

Pesë vjet më vonë, arsye e pikës së dobët dhe ende të nxehtë të mandatit të parë, zero kilometra rrugë të shtruar, për kryeministrin Rama është qeveria Berisha.

“Kur morëm mandatin ne na u desh t’i paguanim një më një 5 kontrata me vlerë 2.9 miliardë lekë për ta hapur rrugën e Dibrës si skenë për daulle e për shirita, edhe pse Rruga e Arbrit nuk dukej gjëkundi. Kështu ishin kontratat e nënshkruara nga ata që vazhdojnë sot e gjithë ditën t’u bien daulleve, kontrata për rrugë daullesh e shiritash pa buxhet, pas të cilave nuk u bënë rrugë, por vetëm copa rrugësh me gropa borxhesh”.

Dy deputetet e PDIU Reme Lala dhe Elena Xhina gjatë takimit në Dibër shpallën kalimin e mandatit të tyre me Partinë Socialiste, duke falenderuar kryeministrin për nisjen e punës në rrugën e Arbrit. /abcnews.al

olta-xhacka.jpg
G. P.11:56 | 15/05/2018

Punimet për Rrugën e Arbërit do të nisin brenda dy javësh. Kështu u tha ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, banorëve të qarkut Dibër. Ndërtimi i kësaj rruge nuk do të lërë në hije nevojat e tjera që ka kjo zonë e Shqipërisë ka nënvizuar ministrja Xhaçka.

Ndalesa e radhës e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë turit të llogaridhënies publike të qeverisë, u zhvendos këtë herë në qarkun Dibër.

Në qytetin e Peshkopisë, ministrja Xhaçka dha lajmin e mirë se për dy javë fillojnë punimet për Rrugën e Arbërit, e cila do të lidhë Bulqizën me Tiranën për vetëm 30 minuta.

“Dibra i ka dhënë shumë Shqipërisë ndër vitem në histori dhe është koha të marrë mbrapsht atë që i takon. Më në fund kanë ardhur mjetet dhe për dy javë fillon puna për rrugën dhe ambicia jonë është që brenda tre vjetëve Tiranë-Bulqizë, që do të lidhet për vetëm 30 minuta, të ketë përfunduar. Fatmirësisht ka hyrë në rrugë të mbarë dhe do të bëhet realitet shumë shpejt dhe jam e bindur që pas kësaj mundësie të jashtëzakonshme edhe Dibra do të jetë e lidhur me pjesën tjetër dhe do të zhvillohet me ritme shumë më të shpejta edhe falë gjithë atyre vlerave që ju i keni këtu,që janë mençuria, punëtoria, aftësia për të bërë gjëra të bukura, gjëra të mëdha”, deklaroi Ministrja.

Në bashkëbisedim me qytetarët, ministrja e Mbrojtjes nënvizoi se, ndërtimi i rrugës nuk mund të lërë në hije nevoja të tjera që qytetarët kanë për arsim, për shëndetësi, për infrastrukturë, për më shumë rrugë, për më shumë shkolla, për më shumë ujësjellësa, për më shumë shërbime, të cilat kanë lidhje me punën e përditshme që bën qeveria apo bashkia.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë Administrative Maqellarë, Ministrja e Mbrojtjes e vuri theksin tek sistemi meritokratik për të gjithë ata që u shërbejnë qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë.

“Kemi ardhur në pushtet duke premtuar se, mënyrën e vjetër të të bërit të gjërave, merr njërin për dore dhe hiq tjetrin, njëri i nënës e tjetri i njerkës, do ta prishim. Dhe që do ndërtonim një sistem sa më meritokratik. Por e rëndësishme është që vullnetin për t’i ndryshuar gjërat për mirë e kemi shumë të fortë. Dhe Maqellara do të përfaqësohet edhe më shumë, edhe më mirë. Detyrimi ynë për Maqellarën është disafish, jo vetëm për shkak të madhësisë, jo vetëm për shkak të rëndësisë që mund të ketë Maqellara për qarkun e Dibrës ose për Bashkinë e Dibrës, por edhe për besimin e madh që na kanë dhënë dhe që ne duhet ta justifikojmë”, tha ndër të tjera Ministrja Xhaçka në fjalën e saj./abcnews.al

rruga-e-arbrit-1280x720.jpg
ent ela15:55 | 28/03/2018

Është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë kontrata për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Kontrata me një vlerë 240 milionë euro ka në objekt përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.

Kontrata për ndërtimin e rrugës së Arbrit mori edhe vulën e qeverisë. Është ky vendimi që u miratua në mbledhjen e këshillit të ministrave e bërë publike nga ministria e energjisë dhe infrastrukturës.

Kontrata u firmos në Shkurt të këtij viti mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë Gjoka sh.a. Kostoja e rrugës është parashikuar 240 milionë euro dhe shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13-vjeçare.

Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij. Ai gjithashtu do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës gjatë të gjithë periudhës së koncesionit.

Pritet që shoqëria e kontraktuar të nisë punimet brenda vitit. Rruga e Arbrit konsiderohet si një vepër e vështirë nga pikëpamja inxhinierike, për shkak të relievit në të cilin kalon./abcnews.al

DSC_6107-1280x854.jpg
ent ela10:28 | 05/02/2018

Në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u krye firmosja e kontratës së koncesionit me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. Në përfundim të procesit të negocimit, kontrata me kompaninë fituese të garës u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka.

Në përfundim të ceremonisë së firmosjes, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se kontrata u përmbyll pas një procedure të gjatë konkurimi dhe negocimi investiv.

“Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës. Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, kemi të bëjmë me një të vështirë, një vepër të rëndësishme por që do të jetë nga pikëpamja inxhinierike, një nga veprat më të realizuara në Shqipëri.

“Është një vepër që do të kushtojë 240 milion euro dhe në këtë kontratë ne kemi parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likujdojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

Duke sqaruar se kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, ministri Gjiknuri sqaroi se do të vazhdoohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat.

“Siç tashmë publiku është i njohur, kemi disa projekte të cilat ne gjatë këtij viti do ti tenderojmë, do ti negociojmë, do ti kontraktojmë dhe jam i bindur që viti 2019, 2020, 2021 do jetë vite të kantiereve të mëdha të ndërtimit. Unë i uroj shumë suksese kompanisë dhe jam i bindur se do kemi një projekt të suksesshëm dhe sëbashku do shkojmë tek qytetarët dibranë për tu dhënë lajmin e mirë”, nënvizoi Gjiknuri.

Ndërkaq, Presidenti i “Gjoka Konstruksion” garantoi se kompania do të zbatojë me rigorizitet angazhimet e marra përsipër në këtë kontratë koncesioni.

“Falënderoj qeverinë dhe ministrin për besimin. Më në fund duket që qeveria ka filluar të besojë tek kompanitë shqiptare. Premtoj që nuk do të zhgënjej, do ta realizojmë në cilësi dhe në afat”, u shpreh Gjoka./abcnews.al

vlcsnap-error572-1-1280x719.jpg
us er15:46 | 11/11/2017

Kryeministri Edi Rama prezantoi projektin e Rrugës së Arbrit e cila tha se do të jetë realitet deri në fushatën e ardhshme zgjedhore. Madje ai tha se falë buxhetit të lartë të infrastrukturës dhe projektit 1 miliard euro do të rindërtohen në standarde europiane gjithë akset kryesore të vendit. Kësisoj ai citoi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeun edhe duke e krahasuar veten me të.

Në Dibër qeveria prezantoi projketin e rrugës së Arbrit, duke u zotuar se kësaj here ajo do të jetë realitet në fund të katër viteve.

Kryeministri tha se Dibra meriton më shumë se të tjerët për 2018-ën, i cili është dhe viti i Skënderbeut.

Në një mbledhje të afrët me qeverinë maqedonase do të vihet theksi dhe tek domosdhmëria që rruiga të vijojë dhe përtej kufirit, si një arterie që i jep zhvillim rajonit.

Është më e gjatë në kilometra se projekti i parë dhe me vlerë më ët ulët tha kryeministri, ndaj siasp tij ia ka vlejtur pritja.

Por ky i rrugës së Arbrit është vetëm zotimi i parë që do mbështet jo vetëm me fondin e infrastruktuërs në buxhet por dhe me projektin 1 miliard.

E nisi me kënderbeun dhe e mbylli duke e cituar atë, por  edhe duke krahasur veten me heroin tonë kombëtar.

Rama tha se çdo ëndërr që e ndjekin e bëjnë realitet dhe se ër këtë do të shihen sy më sy me dibranët në fushatën e ardhshem zgjedhore./abcnews.al

 

 

 

rama10.jpg
us er10:23 | 11/11/2017

Kryeministri Edi Rama, së bashku me kabinetin qeveritar e ka zhvendosur mbledhjen e qeverisë në Dibër. Në një takim që po zhvillon me banorët e Peshkopisë për planin e zhvillimit dhe shërbimet, Rama u shpreh para dibranëve se Rruga e Arbrit në projekt ka një përmirësim të konsiderueshëm.

Ai tha se rruga do të bëhet me gjysmën e kostos krahasuar me projektin e vjetër. Rama tha se pas përfundimit të rrugës, Dibra do të jetë oborri i pasëm i metropolit.

“Pas ndërtimit të rrugës, Dibra do të jetë një lagje e madhe Tiranës, pasi integrimi do të jetë i plotë. Dibra do të kthehet në oborrin e pasmë të metropolit. Me ndërtimin e rrugës do të shikojmë ndryshime të mëdha në bujqësi, turizëm dhe jo vetëm. Po diskutojmë me qeverinë Maqedonase për të ndërtimin e pjesës së mbetur në anën tjetër të rrugës”, tha Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se qeveria do të investojë edhe rindërtimin e muzeut në Kastriot.

“Ne kemi sot edhe projektin e muzeut të Skënderbeut në Kastriot. Ne po financojmë rindërtimin e muzeut dhe mendojmë se kjo do të jetë një pikë shumë e rëndësishme që do t’i japë më shumë mundësi të gjithë zonës. Do të bëjmë investimin e munguar edhe për llixhat. Ndërhyrjet në qytete janë shumë të rëndësishme për njerëzit”, tha Kryeministri./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono