rrogozhinë

rrogozhine.jpeg
ad min20:16 | 15/10/2019

Disa të burgosur në burgun e Rrogozhinës janë përplasur me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur pas një sherri banal, për arsyen “Pse më pe”.

Fillimisht janë përplasur fizikisht, më vonë kanë përdorur mjete të ftohta, si kaçavida. Për pasojë një prej të burgosurve është lënduar dhe është dërguar në Tiranë për mjekim.

Burime bëjnë të ditur për Abcnews.al se ai është Bajram Myftaraj 26 vjeç. I riu ka pësuar dy fraktura, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Deri tani nuk ka asnjë reagim nga policia për këtë ngjarje, e cila ka ndodhur disa orë më parë./ abcnews.al

keshilli-bashkiak-i-rrogozhines.jpg
ad min10:20 | 30/07/2019

Në Bashkinë e Rrogozhinës është betuar sot kryetari i ri Haxhi Memolla, dhe është konstituuar Këshilli Bashkiak. Bashkia që drejtohej nga PDIU i kaloi qetësisht Partisë Socialiste. Ish-kryetari i Bashkisë, Beqir Nuredini u shpreh se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme, por ai nuk mund ta mbajë zyrën forcërisht.

U përqafuan për t’i treguar komunitetit se ne Rrogozhine është paqe. Kryetari i ri Haxhi Memolla dhe ish-kryetari Beqir Nuredini i dhanë dorën njërit-tjetrit.

“Pushteti kaloi paqësisht. Falenderoj të gjithë palët që ishin pjesëmarrëse. Gjithashtu edhe kryetarin e bashkisë aktual sepse kemi pasur marrëdhënie të mira gjatë këtyre 4 vjetëve që kam punuar dhe kam qenë nënkryetar bashkie bashkë me të”, tha Haxhi Memolla.

Kryetari i ri i bashkisë Haxhi Memolla u betua dhe në të njëjtën kohe u konstituua këshilli Bashkiak. Koalicioni që drejtohet nga PS ka 20 nga 21 vendet në Këshill, kurse një anëtar është i Partisë Demokracia Sociale. Ish-kryetari Beqir Nuredini duke ikur tha:

“Sigurisht që e konsiderojmë të pavlefshëm të gjithë këtë proces për aq kohë sa edhe dekreti i Presidentit për ne është i vlefshëm dhe është akoma në fuqi. Një qeveri që ka kapur të gjitha pushtetet sigurisht që ka gjykuar të vlefshme të merrte dhe këtë godinë në Bashkinë e Rrogozhinës. Unë nuk kam ndërmend të përplas njerëzit me njëri-tjetrin për aq kohë sa janë bashkëqytetarë dhe jetojnë me njëri-tjetrin, kështu që kam vendosur ta liroj paqësisht këtë godinë me këtë arsyetim besoj të logjikshëm”.

Në mbledhje asistuan deputetët Arben Ahmetaj dhe Elisa Spiropali.  Rrogozhina është një prej bashkive ku Partia Socialiste nuk pati kundërshtarë përballë më 30 Qershor. Drejtuar nga PDIU i kaloi qetësisht Partisë Socialiste./ABC News Albania 24/7

kzaz-ne-kavaje.jpg
ent ela16:52 | 19/06/2019

Bashkia e Rrogozhinës ka paditur sot në prokurorinë e rrethit gjyqësor Kavajë, KZAZ-në nr 43 si dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Shkresa e dërguar në organin e akuzës është firmosur nga kryetari i kësaj bashkie Beqir Nuredini, i cili i përket PDIU-së.

Në dt.15 qershor të këtij viti, kryebashkiaku Nuredini i dërgoi një kërkesë KQZ dhe KZAZ të lirojë ambientet e Pallatit të Kulturës duke u bazuar në dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Lirimi i ambienteve nuk është kryer duke detyruar Nuredinin t’i drejtohet organit të Akuzës. /ABC News Albania 24/7

lulzim-basha.jpg
ad min12:46 | 07/04/2019

Por, kryetari i Partisë Demokratike duket i vendosur për të vijuar me aksionin opozitar, deri në rrëzimin e qeverisë “Rama”. Nga Rrogozhina, Lulzim Basha iu përgjigj presidentit se nuk do të ketë as kompromis dhe as pazare, ndërsa bëri thirrje për bashkim forcash në protestën e 13 Prillit.

Për Lulzim Bashën nuk ka kthim pas. Kryetari i Partisë Demokratike iu përgjigj Presidentit të Republikës nga Rrogozhina ku tha se nuk do të ketë kompromis për të zhbërë atë që nisi me 16 Shkurt.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë Pazar mbi sakrificën tuaj. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje të thellë politike që do të bëjë të mundur që ëndrra e çdo të riu dhe të reje të Rrogozhinës, e çdo prindi, ëndrra e fermerëve për një Shqipëri evropiane të bërë realitet”, tha Basha.

Protesta e ardhshme e madhe e opozitës paralajmëroi kryedemokrati do të jetë më 13 Prill. Basha ftoi qytetarët të bëhen pjesë e tubimit që do të zhvillohet në Tiranë i cili ndryshe nga herët e tjera të shtunën e ardhshme do të mbahet gjatë pasdites.

“Të bëheni pjesë e lumit të qytetarëve që do derdhen në Tiranë mbrëmjen e shtunës së ardhshme në orën 18:00 në një tjetër bashkim të madh kombëtar. Pranvera sapo ka nisur, ndryshimi po vjen falë jush”, tha Basha.

Gjithashtu  kryetari i Partisë Demokratike foli dhe për ndryshim ë sistemit zgjedhor.

“Deputetët e ardhshëm në parlament nuk do të përcaktohen më në mënyrë misterioze, anonime apo vetëm nga një njeri. Deputetët do të jenë prodhim i vullnetit të qytetarëve. Ata do ta kenë fatin e lidhur me qytetarët. Ata do ta kenë fatin të lidhur me ju. Ju do të jeni ata që do të përcaktoni kandidatët e ardhshëm të PD-së, ju do të jeni ata që do përcaktoni me votë, deputetët e ardhshëm të parlamentit”, tha kryedemokrati.

Beteja e demokratëve tha kryetari Lulzim Basha ka në thelb varrosjen e fenomenit Rama, politikanit që sipas tij fut duart në xhepat e qytetarëve për të pasuruar një grup njerëzish. Lideri i opozitës pati dhe një paralajmërim për ata të cilët i quan oligarkë, ndërsa tha se do t’u konfiskohet çdo pasuri që po u zhvasin popullit./abcnews.al

kamioni.jpg
ad min10:39 | 06/02/2019

Një kamion me targa të Kosovës, u përmbys në rrethrrotullimin e Rrogozhinës rreth orës 01:oo të natës. Kamioni ka qene i ngarkuar me materiale për skrap, të cilat po i dërgonte në Elbasan dhe mesa duket drejtuesi i tij e ka pasur të vështirë të kthehet në rrethrrotullim, ç’ka solli përmbysjen e mjetit.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar nga ky aksident. Materialet e skrapit bllokuan pjesërisht rrugën, nërsa policia ka nisur procedimet ndaj drejtuesit të mjetit. Sipas informacioneve policore, mjeti me peshë rreth 140 tonë skrap ka qenë me shpejtësi në momentin që ka hyrë në rrethrrotullim./abcnews.al

RROGOZHINE-PROTESTA-1280x720.jpg
ent ela18:46 | 04/02/2019

Për 30 minuta banorët e Rrogozhinës, Kavajës, Peqinit dhe Lushnjës protestuan kundër qeverisë mbasditen e kësaj të hëne. Ata mbajtën të bllokuar të dyja korsitë e autostradës Rrogozhinë- Tiranë, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe plotësimin e 8 pikave me karakter ekonomik.

Gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kryeministri Rama, i cili po kthehej nga një takim me strukturat e PS në Lushnjë, është detyruar të devijojë rrugën.  Deputetja e PD, Oriola Pampuri u shpreh, se Rama duhej të takohej me protestuesit dhe jo të ndërroj rrugën, pasi ai është shkaku i kësaj revolte. Protesta e opozitës nga rrethet do të kulmojë në Tiranë në dt. 16 shkurt.  /abcnews.al

DEMTOHET-REZERVUARI-RROGOZHINE-1280x691.jpg
ent ela13:59 | 24/01/2019

10 fshatra të Rrogozhinës rrezikojnë të mbeten pa ujë për vaditje gjatë sezonit të verës. Rezervuari i Okshtunit, që i ka furnizuar prej vitesh, nuk ka portë dhe për pasojë i gjithë uji po derdhet nëpër kanalet dhe përrenjtë e zonës.

Ky rezervuar është ndërtuar që në kohën e komunizmit. U ka shërbyer prej vitesh banorëve të 10 fshatrave në Rrogozhinë. Por prej pak kohësh porta e tij është zhdukur. Banorët japin versione të ndryshme për fatin e saj.

Për pasojë të gjithë ujërat e sezonit dimëror në vend që të grumbullohen për t’u përdorur në sezonin e verës po derdhen nëpër kanale dhe përrenjtë e zonës. Ndaj banorët kërkojnë vendosjen e portës, e cila ndalon rrjedhjen e pakontrolluar.

Rezervuari i Okshtunit ka një sipërfaqe prej 85 ha dhe vadit mbi 4 mijë ha toke bujqësore. Burimi i vetëm i të ardhurave për familjet e zonës është sektori bujqësor.

Tokat janë të mbjella me vreshta, pemë frutore dhe sera, zhvillimi i të cilave varet nga vaditja. /abcnews.al

Gazetare e ABC News: Anila Sefa

zjarr.jpg
ent ela17:52 | 15/11/2018

Një zjarr i fuqishëm që ra pasditen e kësaj të enjte në Konjat të Lushnjes u vendos në kontroll pas dy orësh përpjekjesh të zjarrfiksëve. Për fat shpëtoi edhe një pikë karburanti e cila ndodhej vetëm pak metra nga flakët.

Vatra e parë e zjarrit është parë buzë autostradës Lushnje-Rrogozhinë, në kilometra e 5 të saj dhe më pas dy vatra të tjera u shfaqën edhe pranë linjës hekurudhore.  Dy hektarë me disa rrënje ullinj dhe pemë frutore u dogjën. Dyshohet se ka qenë zjarrvënie e qëllimshme, pasi e njëjta sipërfaqe digjet çdo vit.

aksidentiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii.jpg
ad min18:41 | 13/11/2018

Një këmbësor mbeti i plagosur rëndë në një aksident rrugor në aksin Rrogozhinë-Kavajë. Aksidenti ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Lekaj.

Mësohet se një mjet ka goditur këmbësorin dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. I plagosuri është dërguar ne spitalin e Kavajës dhe është në gjendje kritike për jetën.

Ai është rreth 35 vjeç dhe në momentin e aksidentit ka qenë duke kaluar trafikndarësen nga njëra anë e rrugës në tjetrën./abcnews.al

banoret.png
ad min14:19 | 31/10/2018

Qendra Shëndetësore në Zhabjak në Rrogozhinë duhet t’u jepte ndihmë mjekësore më shumë se 1800 banorëve, por godina është kthyer në një gërmadhë. Banorët ose kërkojnë ndihmë në shtëpi duke paguar para ose shkojnë në Kavajë.

E shkatërruar dhe e ekspozuar në qiell të hapur. Kjo godinë është qendra shëndetësore në Zhabjak të Rrogozhinës. Mjeku nuk mund ta veshë dot bluzën e bardhë, sepse e ka mbuluar myku. Normalisht këtu duhet të merrnin shërbimin mjekësor banorët e fshatit, por ata i drejtohen Kavajës. Mure të rrëzuara, të rrethuara nga myku dhe lagështia, tavani i hapur dhe histori me gjarpërinj, tregohen nga infermieri i qendrës, i cili shërben prej shumë vitesh.

“Ne më tepër po shërbejmë nëpër banesa se të bësh një prefuzion, një serum, nuk e mban dot një orë të rrijë aty në këtë lagështirë. Këtë vit, dy herë gjarpri ka hyrë brenda”, tha infermieri Përparim Demiri.

“Një rast kishte hyrë një gjarpër këtu me zor e kemi nxjerrë. Më shumë turp. Sikur me qenë në ‘44-n”, tha një banor.

“Kjo u shërben vetëm gjarpërinjve dhe breshkave që futen nëpër tavana bëjnë foletë edhe laraskat”, tha një tjetër.

Në ditët me shi, ky ambient mbushet me ujë. Godina ndodhet nën nivelin e rrugës.

“Rruga është gjysmë metër, më sipër se kjo. Kjo është në gropë tamam si bunker”, tha infermieri.

Banorët paguajnë për vizita në shtëpi. Pjesa tjetër, janë të detyruar të shkojnë në Kavajë, 15 kilometra larg. Ata kërkojnë ndërhyrjen nga strukturat përgjegjëse.

“Këtu flitet për check up-e, për gjëra, për miliona euro, por këtu shihet gjendja”, u shpreh një banor.

“Është qendër sanitare. Kjo këtu nuk ka asnjë gjë si qendër sanitare. Vetëm një krevat që ke këtu po të rrotullohesh bie poshtë”, u shpreh një tjetër.

Qendra shëndetësore në Zhabjak, si pjesë e njësisë administrative Kryevidh, duhet të mbulojë shërbimin shëndetësor për 1800 banorët e zonës. E ndërtuar për herë të parë, që prej vitit 1974 për këtë godinë asnjëherë nuk është investuar seriozisht. Përpara viteve ‘90, këtu ka funksionuar edhe materniteti, ndërsa sot gjithçka ka mbetur veçse një kujtim. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono