rritet

aksidentet-1280x706.jpg
Sej rie15:00 | 04/08/2019

Në gjysmën e parë të këtij viti në rrugët e Shqipërisë pati më shumë aksidente me viktima, se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga 102 jetët e humbura në këtë 6-mujor në aksidente rrugore, 26 janë regjistruar vetëm në muajin Qershor.

Edhe pse pati një angazhim maksimal të efektivëve të policisë rrugore gjatë sezonit turistik veror, përsëri numri i aksidentet me pasojë vdekjen mbetet i lartë.

Vetëm gjatë muajit qershor humbën jetën nga përplasjet e automjeteve 26 persona. Një shifër disa herë më lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian në raport popullsie. Në  Qershorin e vitit të kaluar vdekshmëria nga aksidentet, sipas statistikave te policisë, ishte më e ulët, me gjashtë persona më pak se këtë Qershor.

Pjesa më e madhe e aksidenteve u shënua gjatë akseve kombëtare, veçanërisht në zonat bregdetare, por edhe në rrugët e sapo-përfunduara, siç është autostrada Tiranë-Elbasan. Konkretisht  në rreth rrotullimin e Saukut u regjistruan 6 viktima në më pak se 40 ditë. Pothuajse në të njëjtat shifra kanë mbetur edhe aksidentet rrugore me pasojë plagosjen  e rëndë dhe plagosjen e lehtë gjatë muajit Qershor.

Ajo që shqetëson më tepër specialistët e policisë së qarkullimit rrugor është fakti se në Qershor, në mbi 91  % të rasteve, aksidentet kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Në  këtë periudhë rreth një e treta e aksidenteve është kryer nga drejtues mjetesh te grup-moshës 25 – 35 vjeç.

Trend në rritje kanë aksidentet rrugore, sipas policisë së Shtetit, edhe në gjashtëmujorin e parë 2019-s. Numri i viktimave në rrugë në gjysmën e parë të këtij viti është 102 persona, ose 4 më shumë se në të njëjtin 6 mujor të vitit 2018./ABC News Albania 24/7

durres-4-1280x734.jpg
Sej rie14:50 | 24/07/2019

Në gjysmën e sezonit turistik është rritur ndjeshëm dhe numri i pushuesve që vijnë në Shqipëri përmes Portit të Durrësit. Për këtë arsye, policia po punon me procedura të përshpejtuara.

Ka kaluar thuajse gjysma e sezonit, por në portin e Durrësit fluksi për pushime ka ardhur në rritje. Në orët e fundit mbërritën katër tragete nga porti i Barit, duke sjellë afro 5 mijë pasagjerë si dhe 1900 automjete.

Ky numër i lartë ka nxitur institucionet që operojnë brenda portit të marrin masa. Policia e kufirit ka dyfishuar sportelet me qëllim shmangien e radhëve gjatë kontrollit të dokumentacioneve.

Kurse dogana ka shtuar personelin. Për t’iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve, edhe kompanitë e lundrimit kanë dyfishuar udhëtimin e trageteve.

Krahas emigrantëve shqiptarë, në ketë periudhë të vitit nëpërmjet portit hyjnë edhe turistë të huaj të cilët pushimet verore kanë planifikuar ti kalojnë këtu.

Burime nga Autoriteti Portual i Durrësit bëjnë të ditur se që prej fillimit të viti deri tani afro 300 mijë udhëtarë kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes dhe anasjelltas. Ndryshe nga viti i kaluar transporti detar është rritur me 2 % më shumë dhe shifra  pritet të rritet përgjatë javëve në vijim./ABC News Albania 24/7

rritet-mesatarja-1280x720.jpg
nev ila15:18 | 16/07/2019

Rritet nota mesatare për të aplikuar për në universitet. Aplikimet hapen pas dy javësh. Ndërkohë specialistët e arsimit këshillojnë kandidatët për studentë të përditësojnë të dhënat në portalin U Albania në të kundërt humbasin mundësinë për të aplikuar.

Rritet mesatarja për në universitet. Aplikimet nisin në fund të muajit.

Nëse gjatë gjimnazit nuk keni arritur mesatare të notave të paktën 6.5 këtë vit nuk do të mund të aplikoni për në universitet.

Kjo për programet 3 vjeçare Bachelor pasi për degët e mësuesisë mesataren duhet ta keni minimumi 7.5 ndërsa për mjekësinë 8.5.

Maturantët që nuk kalojnë dot pragun e mesatares kanë një tjetër mundësi.

Aplikimet për në universitet do të nisin më 30 korrik  dhe do të zgjasin deri më 5 gusht.

Specialistet e arsimit këshillojnë kandidatët për studentë që para se të mbyllin aplikimin të bëjnë kujdes.

Aktualisht rreth 22 mijë kandidatë për studentë kanë përditësuar të dhënat e tyre në sistem.  Numri i kuotave të lira në universitet këtë vit pritet të jetë rreth 35 mijë./ABC News Albania 24/7

be-femijet-765x383.jpg
Sej rie12:30 | 12/07/2019

Popullsia e Bashkimit Evropian shënon rritje pavarësisht se numri i vdekjeve në vendet anëtare është më i larët se ai i lindjeve. Fenomeni, sipas ekspertëve, ndodh për shkak të emigracionit

Një popullsi që rritet pavarësisht se numri I vdekjeve është më i lartë se i lindjeve. Një gjë e tillë ndodh në Europë, dhe kjo falë emigracionit. Lajmi bëhet I ditur nga zyra europiane e statistikave, Eurostat, me rastin e ditës botërore të popullsisë, të vendosur nga në vitin 1989 nga këshilli drejtues i programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, me objektivin për të shtuar vetëdijen për problematikat që i përkasin popullsisë botërore.

Në atë kohë popullsia e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ishte 474 milion persona. 30 vjet më pas kjo shifër është rritur me 8 për qind, sipas zyrës evropiane të statistikave

Popullsia aktuale e Bashkimit Evropian është më shumë se 513 milion persona, 1.1 milion më shumë në krahasim me 2017-ën. Një rritje që vjen nga emigracioni, duke marrë në konsideratë se në vitin 2018 janë regjistruar më shumë vdekje se sa lindje, një fenomen që përsëritet për të dytin vit radhazi. Në vitin 2017. 2.4 milion persona kanë emigruar nga vende që nuk janë anëtare në BE.

Vendi ku lindjet kanë qenë më shumë se sa vdekjet është Irlanda, ndërkohë që Bullgaria mban rekordin e kundërt. Italia ka numrin më të vogël të lindjeve.

Është regjistruar një rënie demografike në 10 shtete anëtare, në krye të klasifikimit janë Letonia, Bullgaria dhe Kroacia, ndërkohë që rritje demografike është regjistruar në Maltë, Luksemburg dhe Irlandë.

Gjermania dhe Franca në 1 Janar të 2019-ës rezultonin si vendet më të populluara, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Spanja. Popullsia e Gjermanisë është 83 milion banorë dhe përfaqëson 16.2 për qind të popullsisë totale të Bashkimit Evropian, ndërsa 67 milion të Francës përbëjnë 13.1 përqind të popullsisë së BE-së.

Duke përjashtuar vendet anëtare të BE-së që janë më të populluara, Polonia renditet e gjashta, të tjerët regjistrojnë më pak të 4 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian./ABC News Albania 24/7

281f027e-d01f-4eb4-83d4-fd100ef4184a-1280x853.jpg
Sej rie13:10 | 10/06/2019

1 në 5 fëmije të moshës tetë dhe nëntë vjeçarë në vend janë obezë. Specialistet e shëndetit publik vërejnë me shqetësim rritjen e numrit të fëmijëve mbi peshë ndërkohe kërkojnë marrjen e masave. Ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ndërmarrjen e një plani kombëtar veprimi për këtë problem.

Ndërsa  numri i fëmijëve nga 0 ne 5 vjeç nën peshë në Shqipëri ka renë ai i atyre mbi pesë vjeç obezë është rritur.  Kjo sipas specialistëve të shëndetit publik është një tjetër kambanë alarmi dhe i atribuohet kequshqyerjes.

 “Sipas studimit të fundit demografik dhe shëndetësor vërehet një rënie me 6% e numrit të fëmijëve mbipeshë të grup-moshës 0-5 vjeç në 10 vjeçarin e fundit, por ka një kambanë alarmi për sa i takon mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët 8-9 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP, 22% e tyre janë mbi peshë, prej të cilëve 10% janë obezë”, deklaroi Ministrja Manastirliu në fjalën e saj gjatë Forumit Shkencor mbi Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve”. 

Në Forumin Shkencor mbi Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve ministrja  Ogerta Manastirliu bëri të ditur ndërmarrjen e një plani kombëtar për mirë-ushqyerjen e fëmijëve.

 “Do të ndërmarrim një plan kombëtar veprimi me tre komponentë. Shëndetin e gruas shtatzënë, nxitjen e ushqyerjes me gji dhe mirë-ushqyerjen e fëmijëve. Ndryshimi i menuve në çerdhe dhe kopshte që u zbatua në Tiranë, do të shtrihet në të gjithë vendin, sepse mirë-ushqyerja që në vogëli duhet të jetë prioritet kombëtar”. 

Studimi demografik dhe shëndetësor nxjerr në pah se aktualisht 11% të fëmijëve nga 0 në pesë vjeç janë më të shkurtër për moshën dhe 2 % konsiderohen të dobët për gjatësinë që kanë./ABC News Albania 24/7

personayt-1280x708.jpg
Sej rie16:30 | 09/06/2019

Zëri i vegjetarianëve nuk është më i heshtur në Shqipëri. Numri i personave që kanë hequr dorë nga konsumi i mishit po rritet, dhe arsyet e tyre nuk lidhen vetëm me dashurinë që kanë për kafshët, por edhe me gjendjen shëndetësore.

Diola Dosti, nutricioniste, ndau me ABC News vështirësitë që hasi kur u bë vegjetarianë.

Me një histori ndryshe vjen, Endri Haxhiraj, aktivisti i parë i të ushqyerit veganë. Ai tregoi eksperiencën jo shumë të këndshme që e çoi të merrte këtë vendim

Pjesë e vegjetarianëve në Shqipëri, është edhe Arbër Çepani. Ai prej 7 vitesh nuk konsumon mish, dhe këtë vendim e cilësoi shumë të rëndësishëm.

Ndërsa një tjetër vegjetarian, vendimi për të mos konsumuar mish, e shpëtoi nga një sëmundje e rrallë.

Të shtunën e 8 Qershorit u zhvillua në Tiranë festivali i parë për vegjetarianët, me mbështetjen e veçantë të bashkisë se Tiranës./ABC News Albania 24/7

meshkujt-1280x713.jpg
G. P.17:20 | 03/06/2019

Tumori vijon të mbetet “vrasësi” më i pamëshirshëm. INSTAT ka publikuar të dhënat për vitin 2018, ku shihet një rritje me 5.1% e vdekjeve tek meshkujt, dhe rënie me 4.6% tek femrat. Qarku më i prekur është Gjirokastra, dhe numrin më të ulët të vdekjeve e ka Tirana.

Rritet numri i meshkujve që humbën jetën nga tumori në vitin 2018 dhe shihet një ulje e ndjeshme e vdekjes tek femrat.  Sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT, vdekjet tek meshkujt në 2018 janë rritur me 5.1 %, 115 raste më shumë në raport me 2017. Alarmante është grupmosha 20- 24 vjeç, ku janë regjistruar 10 vdekje, 7 më shumë nga viti i shkuar. Mosha mbi 50 vjeç vijon të jetë më e prekura, dhe në grupmoshën 35- 39 vjeç janë regjistruar 23 raste.

Ndërsa vdekja e femrave ka rënë me 4.6%, 65 më pak se viti i mëparshëm. Grupmosha më e prekur mbetet ajo mbi 50 vjeç me 90% të rasteve, ndërsa tek të rejat nuk ka pasur rritje. Referuar INSTAT, niveli i vdekshmërisë nga Tumoret ka një rritje prej 1,4 % krahasuar me vitin 2017.  Më të prekurit janë nga “Tumore të aparatit të tretjes” (34,5%) dhe “Tumore të aparatit të frymëmarrjes” (24,1 %).

Sipas INSTAT numri më i lartë i vdekjeve nga tumoret, është regjistruar në Gjirokastër, me 207 të vdekur për 100 mijë banorë. Më pas Korça, Shkodra, Vlora, Berati dhe Elbasani. Ndërsa, numri më i ulët i vdekjeve për 100 mijë banorë e ka Tirana me 93 të vdekur, më pas Kukësi (98) dhe Durrësi (107)./ABC News Albania 24/7

f-srilanka-a-20190422-870x641-1.jpg
nev ila20:40 | 24/04/2019

Ka shkuar në 360, numri i viktimave të sulmeve me bombë në kishat e Sri Lankës. Ndërkohë, nga hetimet e autoriteteve vendase ka rezultuar se atentatorët ishin njerëz të arsimuar, njëri prej të cilëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Është rritur në 359 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur bilanci i viktimave të sulmeve të shumëfishta në Sri Lanka. Kryeministri i vendit aziatik ka deklaruar se Shteti Islamik mund të jetë i lidhur me shpërthimet e ndodhura në kishat dhe hotelet e kryeqytetit Kolombo.

Vetë ISIS mori përsipër përgjegjësinë e sulmit të shumëfishtë, por nuk paraqiti ndonjë provë për të vërtetuar përfshirjen e tij. I dërguari i Shteteve të Bashkuara në Sri Lanka paralajmëroi se në vend ka gjasa të ndodhin sulme të tjera terroriste.

Ndërkohë, autoritetet kanë vijuar hetimet mbi atentatorët, nga të cilat ka rezultuar se një prej tyre dikur ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas autoriteteve, atentatori ka jetuar në jug-lindje të Anglisë në vitet 2006-2007, por nuk i ka përfunduar studimet. Më pas ai ka udhëtuar për në Australi, ka saktësuar zëvendës ministri i Mbrojtjes së Sri Lankës, pa publikuar të dhëna të tjera.

Policia ka identifikuar 8 nga 9 autorët, një nga të cilët ishte grua dhe ka konstatuar se të gjithë ishin të arsimuar dhe i përkisnin shtresës së mesme të popullsisë. Në tërësi, policia ka arrestuar rreth 60 persona në lidhje me atentatet e përgjakshme./abcnews.al

policia-franceze-1280x681.jpg
Sej rie20:00 | 20/04/2019

Gjendje alarmante e vetëvrasjeve mes radhëve të policisë në Francë. Sipas të dhënave më të fundit policët që vetëvriten janë më të shumtë në numër se ata që vriten në detyrë

Me qindra agjentë policie në Francë u mblodhën në heshtje para komisariatit të Montpelie, ku një kolegia e tyre 48 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, vrau veten. Me lot në sy ata i dhanë lamtumirën agjentes së fundit të policisë që është vetëvrarë me armën e shërbimit me një plumb në zemër.

Bëhet fjalë për vetëvrasjen e 28 në radhët e forcave të rendit, që nga fillimi I këtij viti. Sipas sindikatave, në të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri ishte 14.

Vetëm një ditë më parë një tjetër agjent 25 vjeçar u gjet i pajetë në banesën e tij ën periferi të Parisit. Ai I përkiste divizionit rajonal për sigurinë rrugore dhe punonte në shkolla

Në vitin 2018 sipas të dhënave të ministrisë së brendshme, në Francë ishin 35 agjentët e policisë që u përpoqën të vrisnin veten me armën e shërbimit, këtyre u shtohen dhe 33 anëtarë të xhandarmerisë të vetëvrarë.

Sipas psikologëve një nga arsyet kryesore është stresi si pasojë e atentateve që goditën Francën në vitin 2015, por kjo është vetëm një pjesë e arsyetimit. Ministri i Brendshëm Kastane premtoi se do të përshpejtonte aktualizimin e planit anti – vetëvrasje të nisur në vitin 2018 nga paraardhësi i tij. Përveç rekrutimit të psikologëve, dhe reduktimit të kohës që agjentët mund të mbajnë armët jashtë shërbimit, tashmë do të ketë dhe një njësi alarmi dhe një numër telefoni të posaçëm që do të jetë në shërbim 24 orë./abcnews.al

Fierzes-1280x725.jpg
ent ela15:00 | 10/04/2019

Reshje të dendura shiu vazhdojnë në Kukës dhe kjo ka ndikuar përveçse në përmirësimin e situatës për bujqit, por edhe në nivelit e ujit në liqenin e Fierzës. Aktualisht ai ndodhet në kuotën 247 m ndërsa kuota maksimale duhet të jetë 296 metra mbi nivelin e detit.

Thatësirës së tejzgjatur në Verilindje i ka ardhur fundi. Në Kukës shiu nuk pushuar prej së dielës. Veç situatës premtuese për fermerët në mbjelljet e pranverës, duket se është një shenje e mire  edhe për përmirësimin e situatës hidrike në vend.

Liqeni i Fierzës i ka ndjerë menjëherë këto reshje. Më shumë se 30 cm është rritur niveli i ujit. Edhe pse kuotë e papërfillshme, referuar situatës në të cilën ndodhet aktualisht liqeni i Fierzës, duket se do të ketë përmirësime në ditët në vijim.

Meteorologët kanë parashikua reshje shiu edhe për shtatë ditë të tjera . Sot liqeni i Fierzës ndodhet në kuotën e 247 metrave, ndërsa i mungojnë rreth dy te tretat e sasisë totale të ujit. Kuota maksimale e tij është 296 metra mbi nivelin e detit me një kapacitet prej 3 miliard metër kub ujë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono