rrezikon

marsidaa.jpg
nev ila20:55 | 16/10/2019

Abc News, ka mësuar se Marsida Qatja është marrë zyrtarisht nën hetim nga prokuroria e Durrësit, me akuzen e “përdorimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”, referuar nenit 285/a. Prokuroria e Durrësit ka kërkuar si masë sigurie për Qatjan, “detyrim paraqitje”, por që për këtë do të vendosë gjykata.

Sipas këtij neni (285/a), ndalohet përshtatja ose lejimi për përshtatjen e lokalit, banesës, për grumbullimin e personave, me qëllim që ata të konsumojnë substanca narkotike, dhe se personat që kryejnë shkeljen e kësaj vepre penale, rrezikojnë deri në 5 vjet burg.

Marsida Qatja është marrë disa herë në pyetje në prokurori, për shkak të dëshmive kontradiktore që ka dhënë për ngjarjen e rëndë kriminale që ndodhi në banesën e saj në Kavajë, ku mbeti i vdekur Dritan Haxholli dhe u plagos Bledar Toçi.

30-vjeçarja, ka pohuar para oficerit të Policisë Gjyqësore se është përdoruese e drogës dhe në raste të caktuara ka përdorur edhe kokainë. Ajo ka theksuar se edhe natën kur ndodhi ngjarja, ka marrë kokainë, të cilën e kishte sjellë miku i saj./abcnews.al

kandidate-1280x723.jpg
ad min15:50 | 11/07/2019

Ursula von der Leyen, kandidate për presidente të Komisionit Evropian rrezikon të mos votohet nga shumica e eurodeputetëve javën e ardhshme. Momentalisht, Bashkimi Evropian nuk ka një plan B se cili do të jetë hapi i radhës nëse kandidatura rrëzohet.

Kandidatja për presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk ka mbështetjen e të gjitha grupimeve në Parlamentin Europian. Kjo rrezikon votimin nga shumica e  eurodeputetëve të Parlamentit Evropian javën e ardhshme, pa të cilin ajo nuk do të mund tê konfirmohet si presidente e ekzekutivit evropian. Shkëmbimi i ideve me grupimin e socialdemokratëve dhe atë të gjelbërve në Parlamentin Evropian ka rezultuar pothuajse katastrofik. Por edhe vetë grupimi i saj i partisë popullore evropiane nuk ka dalë hapur në mbështetje të saj, pasi liderët evropianë kanë rrëzuar kandidaturën e këtij grupimi, Manfred Weber. I vetmi grupim që e mbështet hapur është ai i liberalëve dhe demokratëve. “Renew Europe”.

Iratxe García Pérez, kryetare e grupimit socialdemokrat (S&D): “Ne sot përcollëm një mesazh të fortë të familjes tonë politike. Lufta kundër ndryshimeve politike, arritja e një modeli social evropian të qëndrueshëm, politika e emigracionit dhe barazia gjinore janë prioritete absolute për ne. Ne kemi bërë disa kërkesa specifike për von der Leyen dhe do presim qëndrimin e saj specifik ndaj këtyre kërkesave. Do të diskutojmë sërish mbi këtë para se të japim votën tonë  javën e ardhshme”.

Dacian Ciolos, president i grupimit të liberalëve dhe demokratëve “Renew Europe”: “Ne i kërkuam Ursula von der Leyen një mekanizëm evropian për të siguruar që të gjitha qeveritë e Bashkimit Evropian të respektojnë shtetin ligjor. Ky mekanizëm duhet shoqëruar me sanksione. Ne kërkojmë gjithashtu zhvillimin e një ekonomie tê pastër dhe efektive duke integruar jo vetëm nevojat e mbrojtjes së mjedisit, por edhe procesin e dixhitalizimit. Ne diskutuam edhe për një Evropë tê fortë ushtarakisht por edhe për politikën e fqinjësisë, duke adresuar partneritetet e Lindjes dhe të Jugut, por dhe marrëdhëniet me rajonin e Ballkanit”.

Dalja e parë e Ursula von der Leyen para shtypit nuk ka shërbyer në forcimin e imazhit të saj. Katër idetë e përçuara në konferencën për shtyp nuk janë risi. Bëhet fjalë për fondin e tranzicionit ekologjik, rrogën minimale në Bashkimin Europian, konsiderimin e iniciativave legjislative me shumicë absolute të Parlamenti Evropian në rendin e ditës së Komisionit Europian, si edhe  një prezencê më të madhe të Europës në botë

Ursula von der Leyen, kandidate për presidente e KE-së: “Duhet të jemi më ambiciozë. Dioksidi i karbonit (CO2) duhet të ketë një çmim. Ne duhet të veprojmë më shpejt, për objektivat e fiksuara për vitit 2030, duke qenë se neutraliteti i klimës deri në vitin 2050 është një domosdoshmëri. Unë besoj se është e mundur të pajtojmë ndërgjegjen e klimës me një ekonomi të fortë dhe të begatë. Duhet të kemi një fond tranzicioni të klimës për të mbështetur këtë periudhë tranzicioni për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë zemra e ekonomisë evropiane. Së dyti, në çdo shtet të Bashkimit Evropian, puna duhet të mundësojë një jetë sa më tê  mirë. Unë do të luftoj për një pagë minimale në të gjitha vendet e BE. Së fundmi, është kyçe që të kemi një Evropë të fortë dhe të bashkuar që merr rolin e saj në botë. Bota po thërret për më shumê Evropë, duke kërkuar më shumë angazhim nga Europa”.

Momentalisht, Bashkimi Europian nuk ka një plan B nëse Ursula von der Leyen nuk votohet nga shumica e eurodeputetëve javën e ardhshme dhe as për impaktin që kjo mund të ketë te kandidati për përfaqësues së politikës së jashtme dhe të sigurisë, Joseph Borrel./ABC News Albania 24/7

meta-2.jpg
ad min14:50 | 13/06/2019

Teksa në Kuvend diskutohej mocioni për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve vendore, Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje për përgjegjshmëri e mature, nga të gjithë aktorët politikë.

Në një status në rrjetet sociale, kreu i Shtetit shkruan:  “Shqipëria ka nevojë për reflektim dhe përgjegjësi maksimale nga të gjithë aktorët politikë! Të mos humbasim këtë moment historik për të hedhur një hap përpara drejt Europës”. Meta bën thirrje gjithashtu të bëhet çdo përpjekje për mos-shkëputjen nga përparimi i fqinjit tonë Maqedonisë së Veriut.

“Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit detyrim historik për të gjithë ata që duan Shqipërinë si Europa!”, e përfundon postimin e tij, Presidenti Meta.

Kjo deklaratë e Presidentit vjen në një moment kur Maqedonia e Veriut mori “PO”zyrtare nga Berlini për hapjen e negociatave dhe data pritet të caktohet në Shtator./abcnews.al

basha-2.jpg
ad min18:45 | 04/06/2019

Nga Berlini , lideri i PD-së Lulzim Basha, në një bisedë për “Deutsche Welle” thekson se opozita u përmbahet kërkesave të saj dhe se kriza mund të zgjidhet vetëm përmes marrjes së përgjegjësive politike, largimit të Kryeministri Rama dhe krijimit të qeverisë tranzitore për të shkruar drejt zgjedhjeve të reja. Ai ndidhet në Berlin pasi ka marrë pjesë  në Kongresin Ekonomik të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial.

Dje patët një takim me këshilltarin e kancelares Merkel për çështjet e sigurisë. Cili ishte mesazhi që ju dha ai për zgjidhjen e krizës aktuale në Shqipëri?

Dua t’ju them, në radhë të parë, që takimi këtu është një dialog i nivelit të lartë, që mbahet me përfaqësuesit më të lartë politikë të Gjermanisë, qeverisë gjermane, të industrisë gjermane dhe të biznesit gjerman mbi çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Europë dhe çështjet e bashkëpunimit ekonomik. Pra, bëhet fjalë për një dialog të nivelit të lartë që shikon, jo vetëm tek e sotmja, por tek e nesërmja e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, në veçanti e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, si dhe të integrimit evropian të vendit.

Cili qe mesazhi që morët tek Kancelaria, tek zyra e Kancelares Merkel?

E gjithë kjo konferencë po zhvillohet sipas asaj që njihet si rregulli “Chatham House rule”. Pra, unë kam zhvilluar biseda jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk jam i lirë të atribuoj përmbajtjen e këtyre bisedave. Por konkluzioni që mund të ndaj me ju dhe, përmes jush, me gjithë ndjekësit e Deutsche Welle në Shqipëri dhe anembanë hapësirës shqiptare, është ky: Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht.

Në momentin aktual, në Gjermani, sikundër dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, predominon mendimi që nuk do të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike, e cila është e vetmja rrugë për të plotësuar detyrat e paplotësuara, siç është lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, dënimi i politikanëve të kapur dhe të përgjuar në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur votat dhe për të falsifikuar rezultatin elektoral të vitit 2017-të. Nga ana tjetër, është shqetësimi që, nëqoftëse nuk ka ndryshim, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi të madhe, e cila, pastaj, do ta veçonte dhe nga Maqedonia e Veriut. Ajo do të shkonte përpara në këtë proces, ndërkohë që Shqipëria do të mbetej në vendnumëro apo akoma më keq, do të izolohej.

Shqetësim kanë gjermanët edhe për shkak të largimit tuaj nga institucionet. Si do t’i zgjidhni ju këto probleme, me përmbysjen e qeverisë?

Është një problem i diskutuar që në viziten time në prill. Padyshim që, hapi i marrë nga opozita, është një hap i fortë, i paprecedent, por, nga ana tjetër, ka shërbyer për të ilustruar krizën e paprecedentë ku ndodhet vendi – pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një prokuror të përkohshëm të emëruar në mënyrë antikushtetuese, pa asnjë hetim domethënës në çêshtjet e mëdha, në luftën ndaj korrupsionit dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Pra stanjacioni total, kriza e thellë politike dhe kushtetuese janë arsyeja që kanë çuar në veprimet e opozitës. Ajo që po diskutojmë sot është rruga e daljes nga kjo krizë. Në këtë kuadër, qendrimi ynë është i qartë. Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm duke aplikuar standardet dhe precedentët evropianë. Në cilin vend të Evropës nuk do të kishte dhënë dorëheqjen një kryeministër, i cili është kapur bashkë me kupolën e tij duke asgjësuar procesin zgjedhor, që është kapur në afera të tmerrshme korruptive, ndërkohë që drejtësia duket se është e paralizuar dhe nuk është në gjendje t’u japë përgjigje këtyre skandaleve?!

Por ka shumë përfaqësues të CDU/CSU-së, edhe deputetë këtu, që e shohin pak më ndryshe nga ju këtë çështje dhe thonë se nuk është vertetuar akoma që zoti Rama është kapur në këto, qoftë edhe në përgjime e në dosjet në fjalë, që duhen ndjekur nga hetuesia, pastaj të flasim për një faj apo përgjegjës.

Shiko, Gjermania është një vend i madh dhe këtu ka lindur një koncept politik “verstehers”, ka Putin-verstehers, ka edhe Rama-verstehers, por qëndrimi zyrtar dhe, me siguri, këtë ju ua shpjegoni teleshikuesve tuaj se çdo të thotë verstehers. Do të thotë dikush që mundohet të justifikojë veprime apo sjellje të pajustifikueshme për normat dhe standardet evropiane. Putin-verstehers janë ata politikanë në Gjermani, të cilët mundohen të justifikojnë sjelljen e Putinit, Rama-verstehers janë ata politikanë në Gjermani që mundohen të justifikojnë sjelljen e Edi Ramës. Qendrimi zyrtar është i qartë dhe i prerë. Natyrisht ne e kemi dëgjuar thirrjen e tyre për dialog. Kam patur mundësinë të shpreh angazhimin total në emër të opozitës dhe, natyrisht, të Partisë Demokratike për zgjidhjen e kësaj krize. Kërkesa e vetme, e cila ka gjetur mirëkuptim të plotë është përmbajtja e standardeve evropiane. Standardet evropiane, në këtë rast, e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize.

Pra ju jeni të gatshëm të hyni në dialog me Ramën?

Këtë doja t’u thoja. Pra, standardet evropiane dhe precedentët evropianë e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize. Ajo kalon përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe garantimit të standardeve zgjedhore si hap i parë, ndërkohë që Partia Demokratike dhe opozita ka një platformë që është pjesë e një dialogu kombëtar për një reformë të thellë kushtetuese, që do të garantojë balancimin dhe ndarjen e pushteteve dhe që kurrë më Shqipëria të mos përfundojë në këtë situatë, ku një grup njerëzish, një grup politikanësh, një grup kriminelësh, një grup oligarkësh kanë marrë peng gjithë vendin.

Shiko çfarë ka ndodhur, janë kapur me skandalin e Unazës së Re, të cilin e ka pasqyruar Deutsche Welle, siç e ka pasqyruar edhe Zëri i Amerikës. 40 milionë euro për 2 kilometër, 30 milionë euro një kompani fantazëm. Asnjë nuk shkon para drejtësisë. Pse? Sepse drejtësia është kapur.
Dhe çfarë ndodh? Kalojmë nga ky skandal në një skandal tjetër, 300 milionë euro tek rruga Milot- Balldren. Po të marrim Milot-Balldren dhe Rrugën e Arbrit do të shikojmë se dy kompanive, që i takojnë nje nipi dhe një daje, po i jepet 5% e PBB-së, mbi 500 milionë euro.

Pra mesazhi është i qartë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ky është rekordi me i lartë, më i zi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.
Ky është mesazhi qe vjen nga Berlini, meqë më pyetët për mesazhin e Berlinit. Në këtë situatë nuk ka shanse që të hapen negociatat për Shqipërinë. Kërkohet ndryshim politik.

Partia Demokratike dhe opozita janë gati të luajnë rolin e tyre për këtë ndryshim politik, nga i cili të përfitojnë të gjithë shqiptarët. Të hapet rruga evropiane e Shqipërisë, që është bllokuar dhe shkaktarët e bllokimit janë një dhe vetëm një – është pushteti i ardhur në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe që po mbahet me ndihmën e krimit të organizuar dhe nje grushti oligarkësh në kosto të zhvillimit të Shqipërisë, të punësimit të shqiptarëve, të varfërimit te shqiptarëve, të bllokimit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ju mund t’i bëni të gjitha këto biseda edhe me Ramën. Ai ju ka bërë 7 letra deri tani.

Kjo nuk është çështje personale midis meje dhe zotit Rama. Këtu bëhet fjalë për një qasje serioze dhe një përkushtim të dimensionit evropian.

Prandaj, ndodhem sot unë këtu dhe jo zoti Rama. Prandaj ndodhem unë sot këtu si interlokutori i autoriteteve gjermane dhe i kapitalit te industrisë gjermane, sepse zoti Rama ka humbur shansin të tregojë seriozitet me përkushtimin ndaj standardit evropian. Si mund të pritet një zgjidhje përmes letrave, ndërkohë që nuk trajton problemet kryesore të krizës?

Problemi kryesor i krizës është një Parlament i dalë nga vota e vjedhur me krimin e organizuar. Problemi kryesor i krizës është rënia e të gjithë institucioneve të drejtësisë, kapja e te gjithë pushteteve në një dorë. Problemi kryesor i krizës është mungesa totale, siç vihet re edhe këtu, e investimeve perëndimore apo i investimeve gjermane. Është rënia e ekonomisë ne duart e krimit të organizuar. Sot në Shqipëri aktiviteti kryesor ekonomik, është pastrimi i parave te pista. Shkaktari i këtyre problemeve nuk mund të jetë zgjidhja e këtyre problemeve. Ndaj, parashtrimi i opozitës, zgjidhja politike që ne kemi parashtruar është rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil, për të shmangur çmendurinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve fallco, moniste, prapë të diktuar nga krimi, prapë me kandidatë kriminelë dhe mbylljes përfundimtare të derës së Evropës.

Ndaj, mund t’ju them nga Berlini, ju dhe teleshikuesve tuaj, se jam me shumë shpresë nga këto takime, tashmë në gjysmën e aktivitetit tim, – do të vazhdoj edhe gjatë pjesës tjetër të ditës, në takime të nivelit të lartë, – se me ndihmën e partnerëve gjermanë, me ndihmën e partnerëve europianë, ne do të mund ta tejkalojmë këtë krizë, do ta hapim rrugën e Evropës. Por kjo kalon përmes marrjes së përgjegjësive politike nga shkaktarët e kësaj krizës, përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Këto janë çështje morale, që duhet ta zgjidhë secili me moralin e tij. Një dorëheqje është çështje morali…

Në rastin konkret është çështje stabiliteti politik. Është çështje e së ardhmes europiane të vendit dhe nuk është vetem çështje morale.

Megjithatë edhe ju jeni përgjegjës për stabilitetin politik të vendit, sepse ju po bëni thirrje për kryengritje. Edhe ish kryeministri Sali Berisha bën thirrje për kryengrije.

Të mos dalim nga tema. Secili ka mënyrat e veta për t’i folur publikut dhe unë nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt. Unë flas ne emrin tim, në emër të PD, në emër të opozites së bashkuar, sepse jam kryetari i PD dhe opozitës së bashkuar.

Me përgjegjësinë totale po ju them zgjidhja politike që opozita ka parashtruar, zgjidhja politike që kalon përmes standardeve europiane, është rruga e vetme, rruga e sigurtë për të shmangur konfliktin total civil, për të cilin nuk është e interesuar as opozita, as Partia Demokratike, as shqiptarët.

Kushdo që është i interesuar në krahun tjetër, kushdo që bën llogaritë se duke nxitur konfliktin civil, mund t’u shpëtojë përgjegjësive politike dhe ligjore për aferat korruptive dhe kriminale, e ka shumë gabim.

Zoti Basha, Ministri i Brendshëm ju ka akuzuar juve që jeni përgjegjës për vrasjet e Janarit 2011…

Nuk merrem me fosile komuniste, të promovuar për shkak të servilizmit dhe për shkak të shkeljes flagrante të ligjit e të Kushtetutës. Të gjithë këta njerëz do të përgjigjen para drejtësisë, sepse kanë rikthyer të burgosurit politik në Shqipëri, duke nisur me Ministrin e Brendshëm, duke vazhduar me Kryeministrin.

Çështja nuk qëndron këtu. Asnjë diversion, asnjë sulm i tyre nuk mund të heqë vëmendjen nga nevoja akute për të zgjidhur krizën politike në vend dhe për të shmangur konfliktin civil. Zgjedhje moniste, zgjedhje me krimin, pushtet të marrë me dhunë dhe të mbajtur me dhunë, nuk do të ketë më.

Ndaj, edhe njëherë dua t’ju them se, këtu nga Berlini, bashkë me preokupimin e jashtëzakonshëm për krizën politike në vend, sjell edhe një mesazh shprese për të gjithë shqiptarët që, me zhbllokimin e rrugës që e ka bllokuar sot Edi Rama dhe të krizës politike që ka imponuar ai, Shqipëria ka me të vërtetë mundësi të jashtëzakonshme. Këtu kemi partnerë dhe miq të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë, që mund të ndihmojnë në nxjerrjen e vendit nga kriza politike dhe nga kriza ekonomike, duke sjellë investime gjermane në Shqipëri, duke hapur vende pune dhe duke bërë transferimin e përvojës së tyre të suksesshme, teknologjisë dhe, në veçanti, për rininë, përvojës së tyre, atë që quhet arsimimin dual, për të cilin kemi folur.

Ka shumë zgjidhje, por që të mos e kthejmë në miting të PD…

Jo, më vjen keq. Këto janë përshtypjet e mia pozitive nga takimet me bosët e industrisë gjermane, te cilët janë të gatshëm dhe shpresëplotë…

Dakord, por për këtë ju duhet pushteti dhe ju nuk merrni pjesë akoma as në zgjedhje.

Nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ka një proces fals kriminal, ku, njerëzit që duhet të ishin në burg për trafik droge, për trafik vajzash dhe grash apo për trafik votash, nga Pjerin Ndreu tek Valbona Sako, në vend që të shkojnë para drejtësisë, pormovohen. Kjo është faza e fundit e kalbëzimit të një regjimi kriminal, që ka marrë peng Shqipërinë. Ndaj, zgjidhja është dhënia fund e këtij regjimi dhe kthimi i së drejtës për të zgjedhur qeverinë me votë tek qytetarët shqiptarë. Kjo betejë bëhet për qytetarët shqiptarë, kjo betejë bëhet për vlerat evropiane dhe mënyrat evropiane të daljes nga kjo krizë.

Megjithatë pajtoheni dhe ju dhe nuk jam unë e vetmja që mendoj se, tek e fundit, edhe ju, duke qenë pjesëmarrës i një qeverie të mëparshme, keni edhe ju përgjegjësinë tuaj për gjendjen e vendit apo jo? Ndoshta është një zgjidhje që, përveç zotit Rama, ndoshta dhe ju, me të tjerë persona që, nuk po them janë konsumuar, por e kanë dëshmuar aftësinë e tyre qeverisëse, të largohen për t’i lënë vend brezit të ri?

Unë jam brezi i ri. Do apo nuk do zoti Rama apo lakejtë e tij, unë jam brezi i ri. Unë kam ardhur si pjesë e brezit të ri dhe përfaqësoj vlerat europiane të besimit tek demokracia, tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Jam njeri që kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin, edhe kur kjo i ka sjellë faturë politike partisë sime. Në këtë kuptim, jam i bindur se përfaqësoj atë qe i duhet Shqipërisë: një politikë të ndarë nga krimi dhe vullnet politik për të mos kompromentuar interesin e shqiptarëve për shkak të karriges.

Pra, qartësisht, nuk jemi njësoj dhe të barabartë. Kemi një qeveri që qeveris prej 6 vjet e gjysmë, kemi një opozitë dhe një kryetar opozite që ka luftuar kundër krimit të organizuar, kundër kanabizimit, kundër aferave të tmerrshme korruptive, kur askush nuk e hapte gojën.

Prandaj ndodhem sot këtu, si përfaqësues i një gjenerate të re të shqiptarëve, si një njeri që ka privilegjin dhe përgjegjësinë të drejtojë një parti politike dhe një opozitë, të bashkuar rreth vlerave, programit dhe vizionit evropian për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Kjo është arsyeja pse ndodhem këtu, si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie evropiane, me zgjedhje të lira e të ndershme.

Kur do të bëhen ato?

Kjo është beteja. Nëse ju e quani kryengritje, apo revolucion, apo diçka tjetër. Kjo është një betejë popullore, pikërisht, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, ku, në fund, produktin ta diktojnë qytetarët shqiptarë me votë.

 

 

gjoka-1280x728.jpg
ad min18:30 | 25/05/2019

Kukësi ndodhet përballë një ndeshjeje tepër delikate, këtë javë në Superligë. Skuadra e trajnerit Gjoka mund të mos kualifikohet për në Evropë nëse mundet nga Partizani

Nga pretendimet për titull, tek rrezikimi i objektivit minimal. Kukësi i duhet të luftojë për Evropën pikërisht në fushën e skuadrës kampione, Partizanit, pra në mënyrën më të vështirë të mundshme.

Trajneri Ernest Gjoka e ka të qartë se nuk lejohet asnjë hap i gabuar, sepse dështimi do të ishte tepër i madh.

Gjoka:“Është ndeshje shumë e fortë, është ndeshje ndaj skuadrës që ka dalë kampion dhe ne e respektojmë shumë. Sigurisht nga ai moment që kishim sigurua vendin e dytë tashmë e kemi të hapur vendin e dytë dhe ky është një nga objektivat kryesorë të tonët për të siguruar vendin e dytë. Ne do të përgatitemi për të dhënë gjithçka dhe për të siguruar vendin e dytë, atë që ne e duam me patjetër”.

Vendi i dytë dhe Kupa janë objektivat e mbetur për t’u realizuar, ndërsa te Kukësi s’ka siguri për asnjë trajner, pra as për Gjokën.

Gjoka: “E ardhmja jonë sigurisht do të varet edhe nga besimi që do na japi Presidenti, por duhet me patjetër të arrihet objektivi. Duhet me patjetër që skuadra të riktheje një trofe. Të rikthejë një trofe për vetë investimet që ka bërë ky klub. Ne po mundohemi që të mbarojmë të gjitha detyrat de pastaj do jemi apo jo në vazhdim, ky do jetë një bashkëpunim me presidentin”.

Pak ditë më parë, bëri bujë largimi nga skuadra i zv.trajnerit Rrahman Hallaçi.

Gjoka: “Me atë që ne diskutuam me presidentin, ka qenë një bisedë midis presidentit dhe Hallaçit. Kjo sepse Hallaçi ka kërkuar që të merrte një ekip fëmijësh për të trajnuar dhe presidenti i ka rekomanduar një punë dy vjeçare me Kukësin B. I ka thënë merr Kukësin B dhe mundohu ta ngresh de ta bësh klub elitar, gjë që do të shërbejë edhe ty për të ardhmen”.

Finalen e Kupës, Kukësi e luan ndaj Tiranës, skuadër që mund ta ndihmojë për mbijetesë nëse ndalon Kastriotin javën që vjen.

Gjoka: “Më ven keq që Tirana është në këtë gjendje, pro nuk kam kohë ta mendoj këtë çështje, sepse kam problemin e skuadrës sime dhe dua me patjetër të mbaroj këto detyra që ne kemi marrë përsipër. Për Tiranën do të kemi edhe një javë kohë ta mendojmë“. /ABC News Albania 24/7

macester-junajtid.jpg
nev ila22:55 | 28/04/2019

Mançester Junajtid mori një goditje të rëndë në shpresat për t’u kualifikuar në Champions. Barazoi në “Old Traford” ndaj Çelsit, pas një tjetër gabimi të portierit De Gea.

Është shumë pranë dështimit për herë të tretë në katër vitet e fundit.

Flasim për Mançester Junajtidin, dy herë kampion i Europës dhe rekordmen i titujve në Angli, por që me shumë gjasa mund të mbetet jashtë Championsit edicionin tjetër.

I duhej me patjetër fitorja ndaj Çelsit, dhe kishte një plus sepse luante në “Old Traford”, por nuk ia doli.

Përfundoi 1-1, rezultat që i jep shpresë bluve të Londrës dhe trajnerit të tyre shumë të kritikuar, Mauricio Sarri.

Junajtid e nisi shumë mirë ndeshjen, dhe kaloi në epërsi me golin e ish-lojtarit të Çelsit, Huan Mata, madje vazhdoi ta kishte lojën nën kontroll, por e pësoi sërish nga një lojtar i veti.

Gabimi  erdhi nga vetë portieri De Gea, njëri nga më të mirë në botë në rolin e tij, por që po kalon një periudhë të vështirë.

Ai nuk ndaloi dot një gjuajtje nga largësia, dhe spanjolli tjetër, Markos Alonso, e shfrytëzoi rastin që iu dha.

Ishte gafa e tretë e De Geas në tri sfidat e fundit, pas atyre ndaj Barcelonës në Champions dhe Mançester Sitit në derbi.

Përballja në “Old Traford” ishte  e fortë dhe me ritëm të lartë, por me pak raste.

Pavarësisht se skuadra e trajnerit Solskjer bëri më shumë për fitoren, fare mirë fitues mund të kishte qenë Çelsi, por ishte De Gea që e shpëtoi në sekondat shtesë pas gjuajtjes së Gonzalo Higuainit.

Në garë për Championsin janë Totenhemi, Çelsi, Arsenali dhe Junajtidi, që ndahen nga vetëm 5 pikë, ndërsa mbeten edhe 180 minuta deri në fund të kampionatit./abcnews.al

milan-1280x701.jpg
ad min21:45 | 20/04/2019

Milani rrezikon të mos kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm, duke dështuar sërish në Serinë A. Skuadra e trajnerit Gatuzo u ndal në barazim nga Parma

Dyshimet janë shtuar shumë për këtë skuadër.

Milani mund të jetë 19 herë kampion i Italisë dhe 7 herë kampion i Evropës, por ky sezon në Serinë A duket se po mbyllet si mos më keq.

Në fushën e një skuadre normalisht inferior si Parma, me detyrën për të fituar për të mos rrezikuar objektivat, të besuarit e trajnerit Xhenaro Gatuzo nuk mundën të jepnin përgjigjen e duhur.

Nuk mund të thuhet se thjesht nuk përballuan presionin që sa vjen e rritet, pasi ajo që ndodhi në stadiumin “Enio Tardini” ishte edhe më keq.

Milani bëri një ndeshje të shëmtuar, që duhej ta kishte humbur, kaq e madhe ishte epërsia e Parmës në lojë dhe në raste.

Ishte fat i madh, disa herë zotësi e portierit Donaruma dhe gabime të vendasve që nuk i dhanë suksesin emilianëve.

U duk madje se dështimi ishte plotësisht kundër tyre, kur Milani shënoi me rastin e vetëm që krijoi gjatë gjithë 90 minutave, me autor goli Santi Kastijehon.

Gjithsesi, lombardët nuk ishin në gjendje as të përfitonin nga fati, duke u barazuar në fund.

Çfarë problemesh ka kjo skuadër?

Kritikët thonë se nuk ka cilësinë e duhur, ndërsa trajneri Gatuzo deklaroi se ndoshta ai nuk është aq I mirë sa për të sjellë suksesin në një klub kaq të madh.

Milani ka 56 pikë, kur duhen edhe 5 javë deri në fund të kampionatit, dhe rrezikon seriozisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al

ura-patos-1280x690.jpg
ad min17:00 | 20/04/2019

Një nga ura më të rëndësishme në Patos ehte ajo e Belinës. Por ndërsa në zonë ushtrojnë aktivitetin firmat e naftës, ura ehte harkuar dhe banoret thonë se ajo rrezikon të shembet.

Quhet ura e Belinës në zonën e Patosit. Nuk bëhet fjalë për sinjalistikë apo për mbrojtëse.  Çdo ditë harkohet me tepër dhe ky është alarmi për rrezikun e shembjes.

Fshatarët që kalojnë përmes saj e shohin më qartë degradimin e saj.

Secili uron të mos jetë në atë urë momentin fatal.

“Në qoftes do vijnë makina të tonazhit të rëndë, dihet që ajo do të shembet. Po se kush do ta ketë rrësk ajo nuk dihet”.

Belina, është plotësisht e deformuar në konstruktin e saj dhe me mbajtëse gati të amortizuara.

Banorët e zonës tregojnë se ura është katandisur në ketë gjendje për shkak të qarkullimit në të automjeteve të tonazheve të rënda, të cilat ushtrojnë aktivitetin në zonën naftëmbajtëse të Marizës.

Zona  ka fatin e mirë  të ketë në territorin e saj një nga pasuritë më të mëdha, naftën. Në të ushtrojnë aktivitetin kompanitë më te fuqishme por mesa duket fati i mirë dhe i keq udhëtojnë në të njëjtën urë: tek ura e Belinës, e cila nga dita në ditë pret të rrokulliset me ç’të ketë sipër.

ADRIANA MILE

GAZETARE E ABCNEWS, FIER

ujembledhesi-i-sopit.jpg
nev ila17:14 | 18/04/2019

Për shume vite i papastruar nga një kanal nacional shpëtimtar, Ujëmbledhësi i Sopit është kthyer në një katastrofë bujqësore dhe kontinier plehrash. Banorët thonë se pavarësisht investimeve të bëra në zonë, mospastrimi i Sopit i çon dëm të gjitha.

Asgjë nuk duket nga ai që njihet ujëmbledhësi magjistral  i Sopit ose siç i thonë vendasit si kanali i Sopit. I mbytur dhe mbuluar nga një faunë kashtore  është shndërruar në venddepozitim  mbetjesh urbane.

Ujrat e bardha që shkarkohen nga lartësitë mblidhen ketu. Tjetër funksion i kanalit është  kullimi i tokave bujqësore.

Sot shtrati i ujëmbledhësit është më pak se 8 metër gjerësi nga 18 metër që janë parametrat e tij normal.

Në ditët me reshje ai behet një përbindësh për shumë familje që banojnë  përgjatë tij. Sikurse mbulon me ujë qindra hektarë  tokë të cilat edhe pse tre vitet e fundit janë bonifikuar qëndrojnë ende në lagështirë.

Kanali i Sopit, është ujëmbledhësi më i rëndësishëm nacional që përshkon 8 fshatra të Bashkisë së Fierit: Hoxhar, Pojan, Sopë, Dërmenas, Kryegjatë, Radostinë, Topojë, Shtyllas.  Ai mbledh ujërat shkarkuese të tyre në një gjatësi prej 4.5 km dhe përfundon në kolektorin e Rroskovecit.

Në kushtet kur i gjithë sistemi bonifikues i tokave përreth i është kthyer normalitetit  dhe kur reshjet e shpeshta shtojnë sasinë e ujit në të, e bëjnë këtë magjistral të paaftë për tërheqjen e ujërave të mbledhura. Ato kapërcejnë shtratin aktual të përgjysmuar dhe rrezikojnë çdo gjë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono