rrenoja

familja-lala.png
R D18:08 | 05/12/2019

Qeveria i trajton njësoj familjet e viktimave të tërmetit të 26 nentorit, pavarësisht numrit të familjarëve të humbur. Në Fletoren Zyrtare është zbardhur vendimi për t’u akorduar financiarisht 1 milion lekë familjeve me pasoja në jetë njerëzish.

Më 30 nëntor qeveria ka vendosur t’i akordojë ndihmë financiare në shumën e 1 milionë lekëve familjeve të 51 viktimave të termetit të 26 nentorit.

Por, Abc News veren se ky vendim i trajton njësoj si familjet që kanë humbur një anëtar dhe ato që kanë patur më shumë viktima.

Ndihma financiare do të jetë e njëjte si për të afermit e familjes Reçi me katër viktima, ashtu dhe për familjen Qato që ka humbur një anetar te saj.

Një milion lekë do levorohen dhe për familjen Cara nga Thumana me 6 jetë te humbura, por dhe per Diena Karanxhen me te bijen si dhe te e emen Roza Mecaj që gjeten vdekjen nga termeti që goditi Durresin.

Vendimi qe ë trajton njesoj familjet e 51 viktimave pavaresisht anetareve te humbur u mor kater dite pas fatkeqesise natyrore.

Tashmë që ka kaluar më shume se se një jave prej ngjarjes e situata është qartësuar, mos ka ardhur koha për ta riparë atë?

Më poshtë familjet që patën numrim më të madh të viktimave:

1. Familja Lala nga Durrësi: Sahadete Lala, Ilir Lala, 52 vjeç i paralizuar prej vitesh, Marjeta Lala, nëna e gjashtë fëmijëve, Griselda Lala motra e Ramë Lalës, Amelia Lala 9 vjeçe, Emilio Lala 6 vjeç, Dionis dhe Dionisa 2-vjeçare.

2. Familja Cara nga Thumana: Fatmira Cara 53 vjeç, Hasan Cara 18 vjeç, Anthi Cara 72 vjeç, Almir Cara 29 vjeç, Stela Zvergeci 21 vjeç (e fejuara e Almir Cares) dhe Erisa Cara, 28 vjeçe.

3.Familja Reçi nga Durrësi: Eduard Reci 54 vjeç, Dolora Reci 49, Kristi Reci 25 vjeç, Klaus Reci 21-vjeçar.

4. Familja Çupi nga Thumana: Klement Çupi, 37 vjec Hajredin Cupi 66 vjeç dhe e ëma Lutfie Çupi.

5. Familja Greku nga Thumana: Saimir Greku, 31 vjeç dhe prindërit e tij Pëllumb Greku 57 Vjeç, dhe Çelike Greku

6. Familja Cakoni nga Thumana: Drita Cakoni 15 vjeç dhe i ati Kastriot Cakoni 58 vjeç.

/abcnews.al

 

Screenshot_10.png
R D22:21 | 02/12/2019

Genz Neziri është një ndër banorët e Thumanës që ka mbërritur ne minutat e parë të katastrofës së 26 nëntorit, tek pallatet e shembura. Ka parë me sytë e tij gjithçka ndodhi aty, që prej fillimit e deri me sot kur Thumana është gërmadhë. Mes dhimbjes Genci rrëfen per “Abc News” skenat e tmerrshme te ditëve që pasuan tërmetin e 26 nëntorit.

Thumana është sot një gërmallë me prigje të larta inertesh që vranë më 26 nëntor, fëmijë, te rinj, gra, burra e pleq. Genc Neziri është banor i Thumanës. Banesa e tij është pak metra larg pallateve ku ndodhi tragjedia. Ka mbërritur i pari për të ndihmuar edhe sepse atje kishte familjarë të tij.

Pas gjashtë ditësh ai është ende shumë i traumatizuar, ka përjetuar me dhimbje çdo sekondë të secilës viktimë nën rrënoja.

Kishte mundur të dilte bashkë me familjet i padëmtuar nga rrënojat e shtëpisë së tij në Thumanë, kur mori një telefonatë nga miku i tij. Ishte nisur me urgjerncë drejt bllokut të pallatëve në Thumanë.

Ka parë njerëz të ngujuar nëpër rënoja, gjysma njerëz në përpjekje për ti mbijetuar përbindëshit me beton e hekur që ishte hedhur pamëshirë mbi ta… ka dëgjuar ulurima fëmijësh grash, djemsh e burrash…

Genci është ende shumë i lënduar për llahtarinë që pa ndër njerëz me të cilët është rritur e ka jetuar në ato anë, por ka parë me sytë e tij se si dy kompani ndërtimi pa asnjë lidhje profesionale me situata të tilla janë caktuar të gërmojnë mbi trupa në pritje që shteti të japë zgjidhej për qytetetarët e tij nën rrënoja.

Nuk do ti largoget kurrë nga mendja thirrja e djemve të familjes Çupi e pamundësia për ti ndihmuar…

Si shumë banorë të tjerë të Thumanës, Genci ishte aty për të ndihmuar këdo gjendej në rrezik por atje në njërin prej pallateve gjendej kushëriri i tij Bujari, bashkë me bashkëshorten dhe djalin…

Ka parë përkushtimin e pashoq të forcave kosovare por edhe atyre greke e të tjera që me profesionalizëm bënë gjithccka për të nxjerrë jetë të shpëtuara nga ato rrënoja.
/abcnews.al

636d68f0-39ec-4db0-8392-74d2094cb7f8-1-1280x720.jpg
R D21:16 | 30/11/2019

Rrënoja, kaos, dhimbje, por edhe heronj që shpëtojnë të mbijetuar. Është Durrësi në orët e vështira të këtij fundnëntori, pas termetit të së martës, me një nga goditjet më të forta sizmike që kanë ndodhur në Shqipëri. Një reportazh që sjell detaje nga rrënojat ku mbetën 51 viktima, vuajtjen e atyre që humbën familjarët si dhe përjetimet e zjarrfikësve heronj kur shpëtuan të mbijetuar, por edhe kur humbën familjarë të tyre.

Gazetarja Luljeta Progni sjell gjithçka nuk u pa në këto orë të vështira të këtij qyteti.

****
Kurrë më parë Durrësi nuk ka qënë më i lënduar se sot. Nën dheun e këtij qyteti lëngojnë shpirtra fëmijësh, djem, vajza, gra, burra e të moshuar, mbetur nën rrënojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Është një ndër goditjet më të rënda sizmike që kanë ndodhur në Shqipëri.

Duhej të kishte shkuar në shkollë të martën në mëngjes, por nuk mundi, dhe fletoret e tij, të shkruara bukur, janë shpërndarë rrëmujshëm nëpër shkallët e shtëpisë së kthyer në gërmadhë.

Është shumë fatlum Besi Ceka, sepse i mbijetoi bashkë me gjithë familjen kësaj gjëme që u lëshua pa mëshirë në lagjen e kënetës. Gjyshi dhe prindërit e tij luftuan fort ndaj këtij masivi gërmadhash.

Besi, Bora, Sidriti janë fëmijët fatlumë të shtëpisë që u rrëzua nga tërmeti i të martës në mëngjes. Ata mbijetuan por tani jetojnë me traumën e madhe që pësuan në kalvarin e vështirë për të dalë nga këto rrënoja. Ata janë të lënduar edhe sepse pak metra më larg është shtëpia e kushërinjve të tyre, Emilio, Griselda, Amelia, Dionisa e Dionis, fëmijët e shtëpisë Lala, që u shua thuajse e gjitha si familje.

Janë të afërm të familjes Ceka, që gjendet pak metra larg tyre, shtëpia e shkatërruar e gjitha, por që për fat të mirë pa viktima.

Fëmijët e dy familjeve ndanë bashkë ditët e bukura nëpër oborret e këtyre shtëpive që janë sot rrënoja. Nëpër to u kënaqën me lojërat e fëmijërisë. Veçse, Emilio, Griselda, Amelia, Dionisa e Dionisi, nuk do të jenë kurrë më aty. Ata mbetën poshtë rrënojave të shtëpisë. Shpirtrat e tyre lenguan nën gërmadhë për 48 orë e mbi ta shfaqeshin kukulla, tesha, jastekë, krevatë por edhe djepi i binjakëve 2-vjeçarë, Dionisit e Dionisës.

Trupat e akullt të fëmijëve të familjes Lala u nxorën nga rrënojat. Ata u përcollën për në banesën e fundit, tetë veta të një vatre. Ramë Lala, 17 vjeç, është i vetmi i mbijetuar nga fatkeqësia. Ai mban pikërisht emrin e gjyshit.
Ecim pak për t’u drejtuar në qytet. Gjëmë e madhe në Lagjen 18. Janë shuar familje. Nën rrënojat e pallatit 6-katësh ka mbetur Klausi, bashkë me mamin Doloresin, me motrën Kristi, si dhe të atin, Eduard Reçi.
Atje nën shkatërrim mbeti edhe Esiela, 8-vjeçarja e bukur, përqafuar me mamin e saj Dienën, në atë skëterrë mbeti edhe gjyshe Roza.

Ka shumë bashkëmoshatarë të Besit, bashkë me prindër e gjyshe që lënguan deri në frymën e fundit nën rrënoja, në Durrës, Thumanë, Kënetë…

Heronjtë

Nëpër rrënoja zjarrëfikësit vazhduan punën deri dje. Ata kërkuan me shpresë deri në fund për të gjetur të mbijetuar. Ia dolën të shpëtojnë nga vdekja rreth 40 veta por prej andej nxorën pak më shumë se aq trupa të akullt, që nuk mundën të mbijetojnë.

Është beteja më e vështirë e tyre në gjithë përvojën si zjarrfikës.

Këta heronj punuan me përkushtim të vërtetë me jetën në fije të perit në çdo moment, duke marrë në sy rrezikun nga copat e betonit apo hekurit mbi kokat e tyre.

Me kolegët e tyre që erdhën nga Kosova pikësëpari, Greqia, Italia, Serbia, Franca, Rumania e shumë vënde të tjera, që iu gjendën pranë Shqipërisë në këto ditë të vështira.

Arben Cara është komandanti i skuadrës që shpëtoi nga rrënojat 25-vjeçarin Klajdi Qato. Është rasti më fatlum i kësaj katastrofe sepse pas 21 orë përpjekjesh e luftë me gërmadhat, Klajdi doli i padëmtuar prej andej. Kur Arben Cara bashkë me skuadrën e tij po luftonte për Klajdin, atje në Thumanë, shtatë familjarë të tij kishin dhënë shpirt poshtë shtëpisë të tyre të shkatërruar.

Padyshim, secili prej zjarrfikësve kishte shqetësimin e familjes së tij por beteja për të shpëtuar jetë nën rrënoja nuk iu la kohë, që të mendonin për këtë.

Jemi në ditën e dytë pas tërmetit. Efektivi e RENEA-s duke shpëtuar fëmijë në një kat të lartë pallati në Durrës.

Komandanti padyshim që ka shqetësimin për djalin e tij 2-vjeçar, që e thërret të vijë në shtëpi e t’i qëndrojë pranë, por nuk mundet të largohet nga detyra. E ka ndarë me ndjekësit e tij komunikimin emocional me birin aq të vogël.

“Miqte e mi vendosa ta ndaj me ju kete histori pasi u ndjeva shume i pafuqishem ne tragjedine e fundit kur degjoja pertej telefonit te qarat e djalit tim 2 vjecar, Semit i cili me therriste: Babi kam frike, hajde ke pija(shtepia), ka fantazma ne pi(shtëpi), etj, etj, me ate zerin e tij te pafajshem dhe me çiltersine e nje femije krejtsisht i pafajshem.Dhe pergjigjia ime dhe pse me gjysme zeri ishte;O dashuri o zemra ime nuk mund te vi sepse me duhet te ndihmoj disa femije te tjere, njerez te tjere qe jane ne veshtirsi e ndoshta fatkeqsisht me pak shprese per jeten e tyre”, shkruan në rrjetet sociale, komandanti i RENEA-s.

Ndërsa tronditjet e tokës prej tërmeteve vazhduan për dy ditë, zjarrëfikësit dhe forcat e tjera shqiptare të shpëtimit, punuan papushim… Tërhiqeshin vetëm në rastet kur toka dridhej fort. Për pak çaste largoheshin nga ato rrënoja të rrezikshme e trishtuese, për të marrë frymë a pirë pak ujë, e për t’iu kthyer sërish “luftës”.
Nëpër rrugët e qytetit mbretërontë llahtaria. Nën tmerrin e shkundjeve të forta që pasuan tërmetin e 26 nëntorit, njerëzit e çoroditur endeshin kuturu nëpër sheshet ku ishin mbledhur për t’i shpëtuar mureve të rrëzuara të shtëpive të tyre. Pas tërmetit mijëra qytetarë të Durrësit nisën të mblidhen nëpër çadra pranë statiumit.

Rënia e qytetit

Nëpër rrugë ka heshtje, frikë, llahtari….. Qyteti është goditur pamëshirë nga fatkeqësia e madhe e Natyrës. Dy ditët e tmerrshme pas goditjes së rëndë, shkaktuan kaos e panik të paprovuar kurrë më parë. Njerëzit ecin si hije nëpër rrugë, të frikësuar nga vdekja që e panë t’u vinte aq afër.

Durrësi duket vërtet i shkatërruar. Mund të thuhet pa frikë se qyteti ka rënë….. objektivi i kamerave tona fikson njëra pas tjetrës banesa të shkatërruara fund e krye…

Panorama është e frikshme…. pallate e shtëpi të kafshuara dhunshëm nga shkundja e tokës.

Janë me qindra ndërtesat e dëmtuara rëndë apo pak më lehtë, por ku nuk guxon të fusësh kokën.
Kanë humbur thuajse gjithçka materiale, por ndjehen fatlumë ata që kanë shpëtuar bashkë me fëmijët.

Të mbijetuarit

Shoku që kanë pësuar nga goditejt e tërmetit i shtyn të ikin larg, sa të mundin më larg. Kosova është e para derë e hapur për ta…

Do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve karvani i makinave me ndihma e mjete shpëtimi, polici e ushtri, e gjithë Kosova në këmbë për të ndihmuar Shqipërinë, për të shpëtuar ç’të mundej. Ata ishin të parët që erdhën, e të parët që sollën qindra autobusë për të marrë familje nga Durrësi, Thumana a vende të tjera të rëna në tragjedi. Mijëra mesazhe falenderimi vijnë nëpër redaksitë tona, Nga Prishtina, Gjilani, Prizreni, Podujeva e shumë krahina të Kosovës, atje ku janë sistemuar qytetarë të zonave të goditura.

Ikën duke lënë pas qytetin bosh. Ikin bashkë me dhimbjen për jetët e humbura e llahtarinë që iu panë sytë. Rrugët e këtij qyteti kanë mbetur të shkreta, thuajse të braktisura./abcnews.al

 

e249008a-0d91-4461-a4c2-918fafbb7155-1280x853.jpg
ent ela14:54 | 27/11/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e konsideroi një hap pozitiv shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në një prononcim për mediat nga Thumana, Presidenti ngushëlloi familjarët e viktimave. Ai tha se reagimi nga të gjitha vendet ka qenë i jashtëzakonshëm.

Fakti që është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për dy qarqe është një hap pozitiv i angazhimit në këtë drejtim”.

Prioritet për Presidentin është që të vazhdohet puna me këmbëngulje për të gjetur qytetarët e tjerë nën rrënoja.

 “Ajo që është prioritare, e theksoj edhe një herë, është të vazhdohet puna me këmbëngulje deri në fund për të gjetur të gjithë qytetarët tanë që janë nën rrënoja dhe të mos humbasim shpresën për të shpëtuar edhe jetë të tjera, ashtu sikurse ndodhi mbrëmë në mesnatë te ish-hotel Palma i shkatërruar, ku edhe fati na ndihmoi, por edhe puna e ekipeve tona dhe ekipeve të specializuara greke, bëri të mundur që Klajdi 24-vjeçar të shpëtonte mrekullisht. Kjo është kryesorja. Për të tjerat padyshim që do të merren të gjitha masat për t’i rikuperuar këto dëme katastrofike”. 

Prononcimi i Presidentit Meta për mediat nga Durrësi

Pyetje: Zoti President, sa e vështirë shfaqet aktualisht situata në vendin tonë? A keni një informacion të saktë se sa është numri i saktë i personave që ndodhen ende nën rrënoja?

Presidenti Meta: Për një numër më të saktë duhet t’i drejtoheni zyrtarisht Ministrisë së Mbrojtjes si institucioni përgjegjës zyrtar.
Ajo që është prioritare, e theksoj edhe një herë, është të vazhdohet puna me këmbëngulje deri në fund për të gjetur të gjithë qytetarët tanë që janë nën rrënoja dhe të mos humbasim shpresën për të shpëtuar edhe jetë të tjera, ashtu sikurse ndodhi mbrëmë në mesnatë te ish-hotel Palma i shkatërruar, ku edhe fati na ndihmoi, por edhe puna e ekipeve tona dhe ekipeve të specializuara greke, bëri të mundur që Klajdi 24-vjeçar të shpëtonte mrekullisht. Kjo është kryesorja.  Për të tjerat padyshim që do të merren të gjitha masat për t’i rikuperuar këto dëme katastrofike.

Pyetje: Do të kërkojë shumë kohë ky aksion rikuperimi pas këtyre dëmeve?

Presidenti Meta: Padyshim do të bëhet një vlerësim total dhe natyrisht kjo kërkon kohë.  Nuk mund të shmanget vëmendja nga kërkimi i njerëzve që janë nën rrënoja.  Nevojitet shpresë dhe vendosmëri për të shpëtuar çdo jetë që mundet.  Patjetër që çdo gjë do të bëhet në mënyrën më transparente, duke filluar nga përllogaritja e dëmeve dhe angazhimeve. Fakti që është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për dy qarqe për momentin tregon që…

Pyetje: A mos është shpallur me vonesë gjendja e jashtëzakonshme? A duhej shpallur menjëherë pas tërmetit?

Presidenti Meta: Fakti që është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për dy qarqe është një hap pozitiv i angazhimit në këtë drejtim.

Pyetje: Si po ecën koordinimi mes njësive policore dhe atyre ushtarake, duke pasur parasysh se kanë ardhur shumë ekipe nga jashtë në ndihmë të Shqipërisë?

Presidenti Meta: Sigurisht, ne kemi një institucion përgjegjës që është Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, që nxjerrin në mënyrë të vazhdueshme komunikata për shtyp lidhur me situatën, por edhe lidhur me koordinimin e të gjithë forcave vendase, por edhe forcave të specializuar ndërkombëtare që kanë ardhur në vend.  Ajo që mund të them është që reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe i jashtëzakonshëm nga të gjitha vendet që u është kërkuar kjo ndihmë.  Shpresojmë që edhe me ndihmën e tyre të përfundojmë prioritetin e parë dhe të kemi bilancin përfundimtar sa u takon viktimave, që shpresojmë të mos shtohen më.

Pyetje: A keni një koment për ndihmën që ka ardhur nga Kosova?

Presidenti Meta: Ndihma nga Kosova është shkëlqyer. Unë kam shprehur disa herë falënderime, nga dje paradite e deri në mesnatë, ku bashkë me Zv.Kryeministrin Limaj vizituam Thumanën dhe takuam trupat e specializuara të Kosovës. Ndihma është e jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet. Në drejtimin profesional, pra me ekipe mjaft të specializuara, që kanë bërë një punë mjaft të shkëlqyer, por edhe në aspektin humanitar.  Nga Kosova kanë ardhur që dje ndihma shumë të konsiderueshme dhe po vazhdojnë. Pak më parë pata edhe një bisedë telefonike me Ambasadorin e Kosovës në Tiranë. Janë ndihma në të gjitha aspektet, të jashtëzakonshme dhe impresionuese. Një mbështetje plotësisht vëllazërore.

Pyetje: Zoti President, a ke informacion nëse këto tre persona që po kërkohen janë viktima apo ka ende shpresë që të jenë të gjallë?

Presidenti Meta: Nuk është detyra ime të jap informacione kaq të detajuara, por ne shpresojmë dhe nuk do ta humbasin shpresën deri në fund për të mos pasur viktima të tjera. Faleminderit! /abcnews.al

00c549e5-1b5b-41af-8ccc-32e76859b82d-1280x720.jpg
ent ela10:03 | 27/11/2019

Një tjetër trup i pajetë është identifikuar nën rrënoja në Durrës, ndërsa policia  po kërkon për 3 persona, anëtarë të dy familjeve të ndryshme. Gazetarja Ajgena Korbi raporton se policia dyshon se janë 3 persona, duke iu referuar dëshmive të familjarëve. Policia ka lokalizuar njërin prej tyre. Ata kanë marrë një barrelë dhe po tentojnë ta nxjerrin nga gërmadhat.

Situata në Durrës është dramatike. Grupet e ushtrisë kanë hapur një tunel për të nxjerrë trupin e lokalizuar nga policia.

Ka familjarë që rrëmojnë me duar në gërmadha dhe mundohen të gjejnë dokumente që për ta janë të rëndësishme. Të tjerë presin me ankth dhe shpresë se mos ndonjë familjar i tyre ka mbijetuar. Mendohet se mund të jenë dy persona të tjetë nën rrënoja, por kjo ende nuk ëhstë identifikuar.

Ka shumë familjarë që presin më ankth konfirmimin për të afërmit e tyre. Mediat po tentohet të mbahen larg zonës, ndryshe nga një ditë më parë. Zona është bllokuar nuk lejohet qarkullim i lirshëm i qytetarëve. /abcnews.al

 

MBULIM-NXJERRJA-NGA-RRENOJAT-E-KLAJDI-QATOS-HOTEL-PALMA.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
ent ela08:49 | 27/11/2019

Është shpëtuar një tjetër person në Durrës që kishte mbetur nën rrënoja. bëhet fjalë për Klajdi Qaton, i cili u shpëtua nga forcat e kërkim shpëtimit në zonën e Shkëmbit të Kavajës

Klajdi Qato ishte i bllokuar që prej goditjes së fortë të tërmetit që shkatërroi lokalin e babait të tij në Shkëmbin e Kavajës

Shpëtimi i Klajdi Qatos u krye në operacionin mes ekipeve shqiptare dhe greke të kërkim shpëtimit.

Ky është momenti kur e kanë nxjerrë Klajdi Qaton nga Hotel Palma:


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono