rregulla

emigracion.jpg
ad min08:45 | 15/08/2019

Administrata Trump ka njoftuar një politikë të re që komplikon më shumë procesin e aplikimit për leje qëndrimi apo marrjen e shtetësisë amerikane për një kategori të imigrantëve që ndodhen në Shtetet e Bashkuara. Politika e re specifikon se nëse këta emigrantë marrin ndihma sociale si kupona ushqimorë, asistencë si persona me të ardhura të ulëta apo strehim falas, kërkesa e tyre mund të mohohet. Aktivistët kanë shprehur kritika ndaj politikës së re, duke thënë se vë në shënjestër imigrantët e varfër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara ka përgatitur materialin në vazhdim:

Arturo Balbino erdhi në Shtetet e Bashkuara ilegalisht 14 vjet më parë. Ai është martuar me një amerikane, me të cilën ka bërë fëmijë. Arturo ka një letër nga punëdhënësi i tij, pronari i një kompanie ndërtimi, që i garanton punën.

Por në muajin mars kërkesa për leje të përhershme qëndrimi – Green Card – iu mohua. Si arsye u përmend fakti që ai merr ndihma sociale nga qeveria federale në formën e asistencës për familjet e varfra.

“Përpiqem të mendoj se çdo gjë do të shkojë mirë dhe se do të ribashkohem me familjen. Është shumë e rëndë të mendosh se nuk do të jem në gjendje të kthehem t’ulem pranë fëmijëve gjatë viteve,” thotë Arturo.

Ashtu si shumë të tjerëve, Arturo Balbinos nuk iu miratua aplikimi për dokumentaamerikane pasi ai konsiderohej si barrë mbi buxhetin shtetëror, bazuar në politikat e reja të imigracionit.

“Administrata e Presidentit Trump po rithekson idealet e mbështetjes në aftësitë e veta dhe të përgjegjësisë vetjake për të garantuar se imigrantët do të jenë në gjendje të përballojnë jetesën dhe të arrijnë sukses në këtë vend. Kjo politikë nuk lejon që t’u jepen dokumentet amerikane shtetasve të huaj, të cilët ka gjasa të bëhen barrë për shtetin,” shprehet Ken Cuccinelli, Drejtor në Detyrë i Agjencisë për Imigracionin.

Me termin barrë mbi shtetin identifikohen personat që marrin përfitime nga shteti në formën e kujdesit shëndetësor falas, strehimit me kosto të reduktuar ose falas dhe ndihmave të tjera për 12 muaj brenda një periudhe 36 mujore.

Aktivistët e akuzojnë administratën se ka vënë pa të drejtë në shënjestër imigrantët e varfër. Kjo rregullore nuk hyn në fuqi deri në mes të tetorit, por ndikimi i saj është ndjerë ndër imigrantët që aplikojnë:

“Kjo rregullore e re është bërë shkak që shumë individë të mos kërkojnë ndihma nga shteti, sepse kanë frikë se mund të diktohen dhe agjentët më pas do t’i deportojnë, ose sepse ka rrezik t’i pengojë në të ardhmen të marrin dokumentet amerikane,” thotë analisti për politikat e imigracionit, Cristobal Ramon.

Presidenti Trump garon vitin e ardhshëm për një mandat të dytë dhe shpreson që tëfitojë vota me qëndrimin e rreptë kundër imigracionit.

“Kjo temë i shton pikë presidentit në radhët e bazës së tij. Ai mund të vazhdojë t’imëshojë kësaj teme nëse demokratët vazhdojnë të kërkojnë zgjerimin e ndihmave sociale për imigrantët e paligjshëm.

Rregullorja nuk prek programet e imigrimit për refugjatët e luftës apo azil-kërkuesit; po ashtu politika e re përjashton nga kufizimet viktimat e trafikut me njerëz dhe të dhunës në familje.

Kjo politikë nuk ndikon tek imigracioni mbi baza familjare, pasi personi që aplikon për të sjellë të afërmit në Shtetet e Bashkuara duhet të tregojë se ka fonde të mjaftueshme për të përballuar koston e jetesës së të afërmve që do të vijnë për të jetuar në Amerikë./VOA

paloka.jpg
ad min20:29 | 16/05/2019

Edi Paloka ka komentuar reagimin e Astrit Patozit, i cili e konsideron vendimin e opozitës për të dërguar komisionerë në KZAZ si një përpjekje për të penguar procesin zgjedhor kundër Bindjes Demokratike, por edhe kundër zgjedhjeve në tërësi.

“Ky është kulmi. Një njeri që drejton një parti që e ka sajuar Edi Rama, që e kanë vërtetuar të gjithë që është me firma të falsifikuar tani thotë “ndaloni shkeljen e ligjit”. Cilin ligj? E kemi me ligj regjistrimin e anëtarëve të KZAZ”, tha Paloka gjatë një interviste në rubrikën “Mbrëmje ABC” me Mirela Milorin.

Ndër të tjera, gjatë intervistës, ai u shpreh se Patozi nuk ka qenë asnjëherë në krahun e tij edhe pase kanë qenë bashkë gjatë kohës në PD.

Mirela Milori: Zoti Patozi ka qenë në krahun tuaj një jetë.

Edi Paloka: Në krahun tim nuk ka qenë asnjëherë.

Mirela Milori: Në të njëjtin skalion, keni qenë në PD?

Edi Paloka: Pikërisht, në krahun tim asnjëherë. Kuptojeni këtë kur e them unë.

 

Nënkryetari i PD-së tregoi në studio se kandidati i “Bindjes Demokratike” në Kavajë është regjistruar pa qenë fare në Shqipëri, madje nuk dëshiron që ta bëjë diçka të tillë. Kjo është edhe një ndër arsyet pse PD do dërgojë komisionerë në KZAZ sipas Palokës./abcnews.al

akademia-e-shkencave.jpg
ad min18:30 | 15/04/2019

44 akademikët, të cilët kanë të drejtë kandidimi për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, për herë të parë do të kalojnë përmes procesit të dekriminalizimit. 24 Maji është data e zgjedhjeve e përcaktuar nga Asambleja e këtij institucioni.

Prej dy vitesh Akademia e Shkencave është pa kryetar dhe në proces reformimi. Data 24 Maj është zyrtare për zgjedhjet shpallur nga asambleja. Sekretari i Përgjithshëm në detyrë, Vaso Tole, thotë se për herë të parë do ketë një skaner të thellë të kandidatëve, të cilët kanë të drejte gare për kryetar të Akademisë, zëvendëskryetar të Akademisë, Sekretar Shkencor i Akademisë dhe kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike.

Për herë të parë do të ketë jo vetëm një platformë formale për dosje, por në ditën e zgjedhjes do të ketë një ballafaqim të tyre. Akademiku dhe anëtari i komisionit të zgjedhjeve Shaban Sinani thotë se pak ditë më parë është dorëzuar edhe projektligji për reformën në Akademinë se Shkencave të Shqipërisë nga 15 deputetë të Partisë Socialistë. Ç’ka nënkupton fillimin e diskutimit në komision me palët e interesit.

Megjithëse projektligji është një hartim i përbashkët nga anëtarët e Akademisë dhe një grup pune nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, së fundmi kjo e fundit ka qenë pak e tërhequr, pranon Sinani./abcnews.al

duka-1-1280x714.jpg
ent ela19:14 | 11/03/2019

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, beson se sezoni i ardhshëm do të nisë me kuadrin e ri ligjor, të premtuar nga qeveria. Presidentët e klubeve u shprehën me besim se ky sport do të ketë të ardhme shumë të mire.

Dukeshin vërtet të lehtësuar, madje edhe kishin besim. Krerët e futbollit, që nga presidenti i Federatës, Duka, e deri tek ata të klubeve, ishin të bindur se pas tryezës me kryeministrin Rama do të hapej një faqe e re për këtë sport.

Duka vlerësoi bashkëpunimin e kryeministrit dhe dha një afat se kur gjithçka do të jetë gati. Më i vjetri në këtë biznes është presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.

Ai ka në plan t’i shfrytëzojë ndryshimet ligjore. Numri 1 i Kukësit, Gjici, ishte nga ata që pohoi hapur se punon me dy bordero, i detyruar nga ligjet e tanishme. Ai nuk e pati aspak me frikë heqjen dorë nga paligjshmëria./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono