ronaldo

C_29_fotogallery_1024741__ImageGallery__imageGalleryItem_3_image.jpg
ent ela23:32 | 12/03/2019

Cristiano Ronaldo kualifikon Juventusin ne çerek finale të Champions League. Portugezi realizoi  triplet në fitoren 3-0 që bardhezinjte regjistruan ndaj Atletiko Madrid, rezultat që i dërgon italianët në turin tjetër. Zonja e vjetër e dominoi takimin dhe nuk u vendos për asnjë moment në vështirësi.

Juventusi përmbys atletiko Madrid fale triplets së Cristiano Ronaldos. Bardhezinjtë regjistruan një fitore të pastër 3-0 në një mbrëmje sa magjike aq edhe historike për zonjën e vjetër. Trajneri Allegri e nisi formacionin me surpriza duke lënë jashtë Dybalen dhe duke aktivizuar Spinazolen. Juventus shënon me Kielinin në fillimin e takimit, por gjyqtari e anulon për një fault e Ronaldos ndaj portierit Oblak. Gjithsesi në minutën e 26 Bernardeski asiston saktë për Ronaldon i cili zhbllokon rezultatin. Pjesa e parë e takimit mbyllet në avantazh të vendasve. Në fraksion i dytë i lojës Juventus ishte dominues dhe i la shumë pak hapësira Atletikos duke shfrytëzuar rastet e krijuara. Juventus shënon edhe golin e dytë me Ronaldon. Kanselo asiston saktë për bashkëkombasin e tij i cili godet me kokë, Oblak largon topin Brenda portës, por gjyqtari i ndihmuar edhe nga teknologjia akordon gol për Juventusin. Allianz stadium shpërthen në festë, pasi një rezultat i tillë e dërgon ndeshjen në kohë shtesë. Italianëve u mjafton edhe një gol për të vulosur kualifikimin dhe e gjejnë sërish me anë të Cristiano Ronaldos. Berndarseki pengohet në zonë dhe gjyqtari Kuipers akordon 11 metërsh që shndërrohet në gol nga Cristiano Ronaldo. Juventus dhe Kristiano shkruajnë historinë dhe kalojnë në çerek finale të Ligës së Kampioneve.  /abcnews.al

RONALDO-DENOHET-ME-SPANJE-1280x759.jpg
ent ela15:41 | 22/01/2019

Kristiano Ronaldo u shpall fajtor nga gjykata spanjolle për shmangie nga taksat, por i shpëtoi burgut. Ylli i Juventusit do të paguajë thjesht një gjobë të madhe ndaj shtetit spanjoll.

Ligji është shkruar në mënyrë të tillë, që ta ndihmojë këtë kategori.

Kristiano Ronaldo u dënua saktësisht me 23 muaj burg nga gjykata spanjolle, për shmangie nga taksat, veçse çdo vendim i tillë me më pak se dy vjet, kur bëhet fjalë për krime jo të rënda, e shpëtojnë të dënuarin nga qelia.

Superylli portugez u paraqit në gjyq në Madrid, me syze të zeza, dhe në krah të shoqes së tij, Georginës, ndërsa u përpoq të dukej i qetë.

Ai iu përgjigj fare shkurt ngacmimeve të gazetarëve, ndërsa akordi me gjykatësit ishte arritur.

CR7-ta pranoi se kishte shkelur ligjin duke mos paguar rreth 15 milionë euro taksa ndaj shtetit spanjoll, dhe gjykata e dënoi me 23 muajt e burgut, që nuk do ta bëjë, dhe me 18.8 milionë euro gjobë.

Pas vendimit, gazeta spanjolle “Marka” e ngacmoi me titullin: Pasarela e Kristianos me Georginën, për t’u dënuar: Gjithçka, perfekte!

“La Gazeta delo Sport” në Itali ishte më e thatë: Kristiani, blic në gjykatë, 18 milionë dhe rasti mbyllet!

“Dhë Gardian” në Angli tregoi se Ronaldo ra dakord vetë që të paguante 19 milionë euro, për t’i dhënë fund gjyqit për taksat.

Gjyqi kishte vite që vazhdonte, ndërsa ish-lojtari i Realit ishte shmangur nga taksat duke përdorur një kompani në Ishujt Virxhinia për të fshehur të ardhurat e tij të plota në Spanjë.

Besohet se ai fshehu të ardhurat nga e drejta e imazhit.

Vendimi mund të jetë një lehtësim për yllin e Juventusit, i cili gjithsesi do të ketë edhe një gjyq tjetër, atë për përdhunimin e dyshuar të një ish-modeleje amerikane. /abcnews.al

JUVENTUS-RONALDO-SORRENTINO-1280x720.jpg
ent ela10:53 | 22/01/2019

Kristiano Ronaldo nuk pati një ditë të bukur në Serinë A. Superylli portugez humbi një penallti, ndonëse Juventusi arriti të fitonte dhe të shkëputej në krye.

Stefano Sorrentino është një emër që do të mbetet në kujtesën e CR7-ës. Superylli portugez i mbylli dy ndeshjet në Serinë A, përpara portierit veteran të Kievos, pa arritur t’i shënonte asnjë gol.

Pasi u ndalua prej 39-vjeçarit në Veronë në fazën e parë, në fitoren e vështirë 3-2, Kristiano Ronaldo pati mundësinë më të mirë për ta ndëshkuar.

Në minutën e 53-të në stadiumin “Alianc Arena” të Torinos, mori përsipër të gjuante një penallti.

Sorrentino e priti të djathtën e tij. Kristiano nuk është mësuar të gabojë penalltitë, dhe aq më pak që ndonjë portier të mos i lejojë golin për një vit sportiv, por duhet të mësohet.

“Ishte e shkruar diku, që ai nuk duhej të shënonte, – komentoi trajneri Alegri, – mund t’iu zbuloj se Kristiano e humbi një penallti edhe në seancën e nxemjes paraditen e ndeshjes. Janë gjëra që ndodhin, ndërsa jam shumë I kënaqur nga skuadra që fitoi bindshëm, duke lejuar shumë pak rreziqe”.

“La Gazeta delo Sport”: Festë e Juves, vetëm CR7-ta nuk argëtohet!

“Il Korriere delo Sport”: Juve, kuota 10! Shkatërrohet Kievo, 18 fitore në 10 ndeshje, Alegri dëshiron të fitojë para kohe titullin e 8-të radhazi!

Gjithsesi, Juventusi nuk gaboi, por ia doli 3-0, me rrjeta të shënuara nga Dagllas Kosta (13’), Emre Xhan (45’) dhe Daniele Rugani (84’).

Xhan ishte lojtari më i mirë në fushë, i ndjekur pikërisht nga Sorrentino.

Ronaldo mbeti në kuotën e 14 golave në Serinë A, këtë edicion, baraz me Duvan Zapatën e Atalantës dhe Fabio Kualjarelën e Sampdorias.

Juventusi, ndërkaq rivendosi epërsinë e 8 pikëve ndaj Napolit të vendit të dytë, duke kryesuar me 56 pikë, pas 20 ndeshjeve të luajtura në kampionat. /abcnews.al

ronaldo-1.jpg
ent ela15:43 | 31/12/2018

Kristiano Ronaldo e tregoi edhe një herë vlerën e tij të jashtëzakonshme në futboll. Portugezi u shpall shënuesi më i mirë i Realit për vitin 2018, edhe luajti vetëm 5 muaj në Madrid.

Luajti vetëm 5 muaj, por sërish e mbylli vitin në krye. Kristiano Ronaldo merr çmim në Madrid edhe pse ka kaluar që në korrik në Torino, tek Juventusi.

Portugezi u shpall golshënuesi më i mirë i vitit 2018 për Realin, duke lënë prapa Garet Bejlin dhe Karim Benzemanë. CR7-ta shënoi 28 gola, ndaj 27 të Bejlit dhe 18 të Benzemasë.

Jo vetëm kaq, por Ronaldos iu deshën vetëm 22 ndeshje për të arritur këtë shifër, ndërsa uellsiani pati nevojë për 48 takime, ndërsa Benzema luajti 53 herë.

E gjitha kjo flet vetë për standardin e jashtëzakonshëm të portugezit në radhët e madrilenëve, ndaj jo më kot Lionel Mesi kishte parashikuar se Reali do të jetë më i dobët pa Ronaldon.

Skuadra, nga e cila u largua edhe trajneri Zidan, dhe u shkarkua pasardhësi i tij, Lopetegi, është ende në pretendime për trofe, veçse nuk po bind aspak.

Në La Liga, duket më e dobët sesa Barcelona, dhe në Champions një hap prapa katalanasve, Juventusit, Liverpulit apo pretendentëve të tjerë si Bajern, Paris SG, Atletiko e Dortmund.

Tek Reali mund të mburren se do t’ia dalin edhe pa Kristianon, dhe të tregojnë Kupën e Botës për klubet, veçse fakti është se madrilenët janë ekipi i gjashtë në La Liga përsa i përket golave të shënuar. /abcnews.al

cristiano-ronaldo-1.jpg
ent ela21:10 | 01/12/2018

Akuza të reja për Kristiano Ronaldon. Revista gjermane “Der Shpigel” boton dokumenta sipas të cilave, ylli I Juventusit përdori dhunë ndaj Ketrin Majorgës, në përdhunimin e dyshuar në Las Vegas

Pozicioni në të cilin ndodhet është vërtet i vështirë.

Edhe pse në fushë, Kristiano Ronaldo po vazhdon të shkëlqejë, nuk mund të thuhet kështu për skandalin me Ketrin Majorgën.

Dokumente të reja kanë dalë lidhur me superyllin e Juventusit, të cilat e rëndojnë gjendjen e tij në skandalin e dyshuar të përdhunimit të Ketrin Majorgës.

Revista gjermane “Der Shpigel” boton dokumente të avokatëve të Ronaldos, në të cilët ai pohon se marrëdhënia e tij intime me vajzën amerikane nuk ka qenë edhe aq me mirëkuptim.

Sipas dokumentave, Majorga ka kundërshtuar, madje vetë futbollisti thotë se ka mundësi t’i ketë lënë shenja nga dhuna.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në vitin 2009 në “Palm Hotel” në Las Vegas, ndërsa biseda e Ronaldos me avokatët e tij u zhvillua në gusht të po atij viti.

Avokati I CR7-ës, Piter Kristiansen, deklaroi se dokumentet e pretenduara nga “Der Shpigeli” janë të falsifikuara, por revista u përgjigj duke thënë se zotëron qindra faqe, të cilëve nuk u vihet në dyshim autenticiteti.

Është e pranuar që më parë se Ronaldo dhe avokatët e tij i dhanë Majorgës 350 000 USD që ajo të mbyllte gojën, por avokatët thonë se kjo nuk provon se klienti i tyre është fajtor.

Gjithsesi, drejtësia amerikane besohet se do ta vazhdojë hetimin dhe, në rast se provohet që Ronaldo e detyroi Ketrinën, atëherë portugezi rrezikon jo pak. /abcnews.al

roni.jpg
G. P.18:05 | 23/10/2018

Kristiano Ronaldo do të ketë sot një nga ndeshjet më emocionuese në karrierë. Ylli portugez luan në fushën e Mançester Junajtidit në Champions, duke qenë përballë ish-ekipit me të cilin u bë i famshëm.

Nuk është shtëpia, por thuajse e tillë.

Kristiano Ronaldo kthehet në “Old Traford”, për herë të dytë si kundërshtar, sërish në Champions, ndërsa aty fillimisht njohur lavdinë si futbollist.

Nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit fitoi thuajse gjithçka me Mançester Junajtidin, ndërsa tani do të duhet ta mundë ish-ekipin e tij, siç bëri kur ishte tek Reali i Madridit.

“Është një emocion i madh për mua që rikthehem këtu. E njoh mirë historinë e këtij klubi, po ashtu i mbaj mend mirë tifozët. Fitova shumë trofe në këtë stadium, kam kujtime të mëdha, dhe një dashuri të madhe, sidomos për Sër Aleks Fergusonit, të cilit i uroj shëndet të plotë. Ai më ndihmoi jashtëzakonisht shumë”.

Përveç ngacmimeve për historinë e dyshuar të përdhunimit, Ronaldos iu kujtuan fjalët e yllit të Realit, Isko, që tha se “madrilenët nuk duhet të qajnë për një lojtar që nuk deshi të qëndronte në skuadër”.

“Epo mirë, jam dakord. Nuk duhet të qajmë”.

Në sfidën e Championsit, Ronaldo do të jetë përballë edhe një tjetër njohjeje të vjetër, ish-trajnerit të tij tek Reali, Zhoze Murinjos.

Dy portugezët nuk është se patën marrëdhënie shumë të mira, por tekniku i Junajtidit, nuk flet për konflikt.

“Kristiano është një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohëve, dhe askush nuk mund të thotë ndryshe. Gjithsesi, nuk do të jetë një ndeshje mes meje dhe atij, por mes dy skuadrave. Do të jemi përballë një skuadre të madhe si Juventusi, njërit prej kandidatëve më të fortë për të fituar Championsin, dhe që është favorite ndaj nesh. Kjo është më e rëndësishmja, jo nëse unë do të kthehem tek Reali apo jo”.

Rivali i tij në stol, trajneri juventin, Masimiliano Alegri, ka gjithashtu fjalë të mëdha për Mançester Junajtidin.

“Është një skuadër shumë e fortë fizikisht, dhe shumë e shpejtë, ndaj duhet t’i përgjigjemi me nivel teknik dhe inteligjencë, ndryshe do ta kemi pisk. Ndeshja është tepër e rëndësishme, pasi nëse fitojmë, kualifikohemi për në turin tjetër. Skuadra angleze ka lojtarë të mëdhenj si Pogba, por edhe të rinj shumë të talentuar”.

Junajtid do të ketë mungesa të rëndësishme si Aleksis Sançez, Felaini, Xhons, Lingard, Mektominej apo Dialo. Juventus është pa sulmuesin Mario Manxhukiç, ndërsa mungojnë edhe Emre Xhan e Sami Kedira.

Sfida është një klasike europiane, filluar që në 1978 dhe me duelin e fundit në 2003. Të dyja skuadrat kanë arritur fitore të mëdha, ndërsa bilanci është disi më pozitiv për italianët./abcnews.al

ronadlo.png
G. P.17:03 | 07/10/2018

Cristiano Ronaldo vërtet shënoi për Juventusin në Serinë A, veçse pozicioni i tij është tepër i rrezikuar për shkak të akuzave për përdhunim që vijnë nga Amerika.

Një gol për të larguar të keqen.

Cristiano Ronaldo do të kishte dashur shumë të kishte qenë kështu, veçse rrjeta në portën e Udinezes, thjesht e ndihmoi për lavdinë sportive dhe po ashtu i dha një dorë Juves për të arritur fitoren e tetë radhazi në Serinë A.

Portugezi nuk mund të shpëtojë dot lehtë nga akuzat e rënda për përdhunim që vijnë nga Amerika, pavarësisht nëse ai është apo jo me të vërtetë fajtor. Goditja ka qenë e rëndë për një nga dy superyjet e futbollit edhe pse flitet për një ngjarje të mundshme të para 9 viteve.

Ketrin Majorga, një ish-modele dhe sot mësuese, e akuzon Kristianon për përdhunim, diçka për të cilën ai rrezikon burgun, nëse gjykata e shpall fajtor. Avokati i Majorgës, Lesli Stovël, ka deklaruar se është kontaktuar nga një tjetër femër që deklaron se është përdhunuar nga futbollisti, pra skandali mund të zgjerohet edhe më shumë.

Një rrethanë lehtësuese për CR7-n sigurohet nga deklaratat e shoferit të taksisë me të cilën Majorga udhëtoi për në takimin me Ronaldon. Vins Hamfri shprehet se Katrina dukej e lumtur për mbrëmjen që do të kalonte me lojtarin, dhe mburrej me trupin e saj të shkëlqyer.

Me shumë gjasë, portugezi do të pyetet nga policia amerikane për ngjarjen, ndërsa ai ka pajtuar një avokat tepër të njohur, Dejvid Çesnof, një njeri që ka mbrojtur në gjyq emra të mëdhenj të sportit apo të artit si Shakill O’Nill, Andre Agasi, Majk Tajson, Leonardo Di Kaprio apo Paris Hilton.

Skandali i supozuar i Ronaldos ka goditur edhe Juventusin. Aksionet e klubit në bursë ranë me 18 për qind brenda ditëve të fundit, ndonëse ndikimi i portugezit mbetet pozitiv, sepse i rriti aksionet me 180 për qind kur mbërriti në Torino.

Edhe Ronaldo mund të ketë pasoja financiare dhe të imazhit, pasi sponsorët e tij si Nike apo EA Sports janë shprehur tepër të shqetësuar për këtë që po ndodh./abcnews.al

piatek.png
G. P.21:35 | 01/10/2018

Kampionati italian ka një protagonist të ri të golit. Nuk është ai që pritej, Cristiano Ronaldo, por një sulmues i ri polak, i quajtur Piatek.

Kombëtarja krenare ka pasur shumë ikona. Polonia mund të mburret me sulmuesit e saj të mëdhenj, që nga Vilimovski, e pastaj Lato, Bonjek apo Lewandowski. Tradita nuk mund të prishej dhe ja ku del në skenë pasardhësi.

Krzistof Piatek, 23 vjeç, ylli i ri i Genoas në Serinë A. Dy golat ndaj Frozinones bënë që ai të arrinte në kuotën 8 të rrjetave në kampionatin italian, të bëhej shënuesi më I mirë dhe të linte në hije Kristiano Ronaldon.

Piatek vjen, pra, nga Polonia, ku shkëlqeu me Zaglebien e Krakovian. Ai firmosi në 8 Qershor të këtij viti, duke i kushtuar klubi gjenovez 4 milionë euro. Shifra u duk okazion në atë kohë, ndërsa tani cilësohet falas.

Presidenti i Genoas, Preciozi, nxitoi dje të deklaronte se Piatekun pranoj ta humbas vetëm për 100 milionë euro, dhe vetëm për një klub të madh europian jashtë Italisë. Kur shënoi 4 gola në Kupën e Italisë ndaj Leçes në 11 Gusht, publiku italian dhe komentatorët televizivë kuptuan potencialin e këtij djaloshi 1.83 metra shtatlartë.

Në atë kohë, legjenda e Polonisë dhe e Juventusit, Zbignjev Bonjek, nxitoi të bënte një saktësim.

“Të nderuar telekronistë italianë, – tha ai në një video të postuar në Twiter, – emri i tij nuk shqiptohet Piatek, por Piontek, është tepër e lehtë, dhe ju lutem thuajeni saktë”.

Piatek apo Piontek, për sulmuesin kjo nuk ka asnjë rëndësi. Për të vlen ajo që bën në fushë, dhe ai e bëri që në debutimin në Serinë A, duke shënuar ndaj Empolit në 26 Gusht. Ai ka arritur në 8 gola në 6 ndeshje të kampionatit, diçka që e ka arritur për herë të fundit Karl Aage Hansen, sulmuesi danez i Atalantës në sezonin 1949-1950.

Historia me emrin Piatek apo Piontek duket se do të jetë e gjatë. Tifozët e Xhenoas duan të shijojnë çdo moment pasi e dinë mirë se një yll i tillë nuk mund të mbajë gjatë veshur fanelën e skuadrës së tyre të zemrës.

Klubi i parë i madh europian që e kërkon është Juventusi./abcnews.al

jjjj.jpg
G. P.17:41 | 20/09/2018

Juventusi luajti mbrëmë shumicën e kohës pa Ronaldon, i cili doli me karton të kuq në pjesën e parë të ndeshjes. Portugezi pritet të përballet tashmë me dënimin. Ndërsa Lioni bëri surprizën në Champions, duke mundur në shtëpi Manchester City-n.

Surpriza më e madhe e së mërkurës në Ligën e Kampionëve ishte humbja e Manchester City në shtëpi. Lyon e mundi me rezultatin  2–1 ekipin e Guardiolas që zhvilloi lojën, por nuk arriti të merrte të paktën një barazim.

Sukses 2 – 0 për Juventus në fushën e Valencia. Golat u realizuan me penallti nga Pjaniç, ndërsa Cristiano Ronaldo la fushën me karton të kuq pas gjysmë ore lojë për sjellje jo sportive.

Real Madrid fitoi 3–0 në shtëpi me Roma, ndërsa Bayern Munchen mundi me rezultatin 2–0 Benfica në Lisbonë. Sukses 3–0 i Manchester United ndaj Young Boys në Bernë.

Skuadra e Mourinho pas rezultateve në kampionat po tregon karakter edhe në Europë. Ajax mundi 3–0 AEK Athens. Tagliafico ishte më i miri në fushë duke realizuar 2 gola, njëri prej tyre spektakolar.

Shakhtar Donetsk–Hoffenheim përfundoi në barazim 2–2. Ukrainasit shmangën humbjen në fund të takimit. Me të njëjtin rezultat u mbyll përballja Viktoria Plzen 2–2 CSKA Moskva. Këto ndeshje mbyllën javën e parë të Ligën së Kampionëve./abcnews.al

juventus.jpg
ent ela19:42 | 02/09/2018

Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë në krizë goli në Serinë A. Trajneri i Juventusit, Alegri, tregon se përse portugezi nuk po shkëlqen si në Spanjë.

Të vetmit gola i ka shënuar në stërvitje.

Cristiano Ronaldo nuk e kishte menduar se do të kalonin tri ndeshje të Serisë A, pa e gjetur rrugën e rrjetës.

Për fat të keq, ky është realiteti dhe duket sikur portugezi e ka lënë në Madrid aftësinë për të realizuar.

Pas Chievos e Lazios, ja edhe Parma nuk e lejoi, ndërsa fitorja e tretë radhazi e Juventusit u arrit me golat e të paoksidueshmit, Mario Manxhukiç dhe të francezit kampion të botës, Blaise Matuidi.

Në të kundërt, në të njëjtën mbrëmje, atë të së shtunës, Reali nuk e pati aspak të vështirë të triumfonte 4-1 ndaj Leganjesit në ligën spanjolle, edhe pa CR7-n.

Madrilenët janë me mesataren mbi 3 gola për ndeshje në fillimin e kampionatit, me Karim Benzema që duket se po zëvendëson Cristianon dhe që sipas trajnerit Lopetegui mund të arrijë në 40 gola këtë sezon.

Bashkë me sulmuesin francez, shumë efikas uellsiani Gareth Bale, por edhe kapiteni Sergio Ramos që vazhdon të mos gabojë nga pika e bardhë e penalltisë.

Çfarë po ndodh me Ronaldon?

“Seria A është një kampionat i vështirë, më i vështirë për të shënuar gola sesa La Liga, – thotë trajneri juventin, Allegri, – nuk është e lehtë që të realizosh 40 gola këtu. Gjithsesi, Ronaldo luajti një ndeshje shumë të mirë dhe e ndihmoi ekipin fuqimisht. Tani do të ketë pak më shumë kohë për të pushuar dhe për t’u përshtatur”.

Duket se mënyra e lojës në Itali është problemi kryesor, pasi në 70 vjet, vetëm Gonzalo Higuain ka arritur të shënojë më shumë se 30 rrjeta në edicion, saktësisht 36.

Në Spanjë, në të kundërt, për 20 vjet me radhë, fituesi i Këpucës së Artë ka realizuar mbi 30 rrjeta, me Messi-n që ka arritur edhe 50, dhe me Ronaldon deri në 46.

Cristiano nuk e ka tek Juvja atë ndihmë të ekipit për ta dërguar topin në rrjetë, siç e kishte në Madrid./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono