river plate

Monumental.png
Igli Nikolli17:38 | 04/12/2019

Frika e madhe të shtyn të gabosh dhe të përhapësh panik. Kështu ka ndodhur në Buenos Aires, kryeqytetin e Argjentinës. Një telefonatë rutinë ka sjellë shqetësim dhe kaos të madh. “Kam vendosur një bombë në Monumental“, është dëgjuar një zë në anën tjetër dhe telefonata është shkëputur.

Bëhet fjalë për stadiumin e famshëm të River Plate, teksa forca të shumta policore kanë rrethuar stadiumin dhe kanë kryer evakuimin e personave të gjithë zonës sipas raportimeve të spanjolles Marca. Kontrollet e imtësishme nuk kanë dhënë efekt dhe bomba nuk është gjetur, më saktë nuk ishte vendosur fare.

E gjitha ishte një shpikje e një nxënësi. Djaloshi kishte një provim në shkollë, por nuk mësuar dhe ishte i papërgatitur. Ai ia doli që provimi të shtyhej, teksa zbulimi i së vërtetës riktheu qetësinë e munguar te njerëzit që jetojnë afër stadiumit të famshëm.

Na telefonoi një i ri, na tha se kishte vendosur një bombë në stadium dhe linja ra. Ishte një student dhe kishte një provim. Këto gjëra ndodhin ndonjëherë në vendin tonë“, u shpreh Ministri i Brendshëm i Argjentinës. /abcnews.al

Martinez-River.png
Igli Nikolli17:33 | 29/11/2019

Në maj festoi 23-vjetorin e lindjes dhe prej vitit 2016 është pjesë e ekipit të parë të River Plate. Lucas Martinez Quarta aktivizohet në rolin e qendërmbrojtësit dhe mesfushorit shkatërrues. Paraqitjet e mira me “Los Milionarios” bënë të mundur që të debutojë me Argjentinën në shtator.

Interi e ndjek prej kohësh dhe po tenton ta transferojë në Serie A. TyC Sport raporton se Javier Zanetti, zëvendëspresidenti i klubit zikaltër, udhëtoi javën e kaluar drejt Perusë për të ndjekur finalen e Kupës Libertadores, River Plate-Flamengo.

Legjenda e Interit ndoqi nga afër paraqitjen e mbrojtësit dhe pati mundësinë për të biseduar me drejtuesit e River Plate. Klauzola e largimit të lojtarit është 22 milionë dollarë, një shumë e përballueshme për klubin italian. /abcnews.al

Gabi-1280x853.jpg
Veronik Istrefaj23:04 | 23/11/2019

Është mbyllur takimi final i Copa Libertadores mes Flamengos dhe River Plate. Ishin brazilianët ata që triumfuan me rezultatin 2-1, falë një dopiete të sulmuesit të Interit, Gabriel Barbosa.

Gabigol shënoi dy gola në tre minutat e fundit dhe përmbysi gjithçka i vetëm, duke i dhënë trofeun Flamengos së tij. Ndeshja ishte shumë e luftuar nga të dyja skuadrat dhe ndërhyrjet e ashpra dhe tensioni në fushë nuk munguan.

Sulmuesi Gabigol bëri një ndeshje shumë të qetë për 90 minuta, por atëherë kur i duhej skuadrës, u shndërrua në protagonist, duke treguar se është një goleador i lindur./abcnews.al

Copa Libertadores, finale

Flamengo – River Plate  2-1
Gabigol 90′ 90+3′ / Borre 14′

 

Flamengo23.png
Veronik Istrefaj20:21 | 20/11/2019

Tre ditë para finales së madhe të Copa Libertadores, mes Flamengos dhe River Plate. Tifozët brazilianë të Flamengos kanë nisur festën që sot, kur kanë përcjellë skuadrën e tyre në rrugëtimin drejt Perusë, aty ku do të luhet finalja e madhe.

Fotot e publikuara në rrjet tregojnë qartë numrin e madh të tifozëve që kanë përcjellë autobusin e skuadrës së tyre. Një turmë e madhe me tifozë u mblodh rreth autobusit dhe ishte thuajse e pamundur që mjeti i transportit të klubit të lëvizte.

Në Brazil, jetohet me futbollin dhe përveç tifozëve që ishin sot të pranishëm në nisjen e skuadrës së tyre, të shumtë pritet të jenë dhe mbështetësit në stadium. Edhe argjentinasit e River Plate kanë një tifozeri të madhe dhe parashikohet një atmosferë e zjarrtë./abcnews.al

Flamengo
Flamengo2
Flamengo1
Flamengo23

 

River.png
Igli Nikolli15:27 | 20/11/2019

River Plate dhe Flamengo do të përballen mes tyre të shtunën (21:00) për trofeun e Kupës Libertadores. Finalja e madhe braziliano-argjentinase do të zhvillohet në Lima të Perusë dhe problemet e para kanë nisur.

Jo nga tifozët por nga arbitrat. Diego Haro, i cili ishte vendosur të ishte në krye të teknologjisë VAR, është pushuar nga puna. Shkaku? Arbitri peruan nuk kishte marrë leje për prononcimet e tij dhe ka diskutuar në media të ndryshme në lidhje me argjentinasit e Riverit, duke mos i kursyer komplimentet.

Haro ka thyer protokollin dhe nuk ka kërkuar leje për intervista. Ka folur për River Plate dhe revolucionin që ka bërë ekipi i Gallardos në Amerikën Latine. Për të evituar ngritjen e dyshimeve, CONMEBOL veproi me mençuri dhe e mënjanoi. Në vend të tij është zgjedhur Esteban Ostojich“, thekson gazetari Martin Liberman. /abcnews.al

river.jpg
Vladimir Prenga10:08 | 23/10/2019

Boca Juniors-Rover Plate ka tërhequr vëmendjen e shumë tifozëve anembanë botës. Një nga derbet më të mëdha u luajt në orët e para të ditës së sotme dhe në fund Boca fitoi me rezultatin 1-0. Gjithsesi ishte nga ato humbje që nga River Plate u festua, pasi kishin triumfuar 2-0 në takimin e parë dhe u kualifikuan në finale të Copa Libertadores.

Këtë herë nuk kishte probleme, pasi siguria ishte maksimale dhe gjithccka kaloi qetësisht. River Plate ishte shumë i fortë për Boca Juniors, që u mundua të shënonte një gol të shpejtë për të shpresuar në përmbysjen e rezultatit. Tevez ishte titullar, kurse De Rossi ishte rikthyer nga dëmtimi. Gjithsesi qëndroi në stol, pasi nuk ishte në formën e duhur për të luajtur.

Ndeshja u zhbllokua vetëm në minutën e 80-të, kur Hurtado shtyu në rrjetë një top pas një goditje dënimi. Festë e madhe në stadium, por vetëm në atë moment. Minutat kalonin dhe Boca Juniors nuk ia doli të shënonte dot edhe golin e dytë. Kështu, River Plate siguroi finalen dhe pret të mësojë rivalin, që do të përcaktohet pas përballjes Flamengo-Gremio. /abcnews.al

Higuain-Juventus.jpg
Veronik Istrefaj16:21 | 10/10/2019

Babai i sulmuesit të Juventusit, Gonzalo Higuain ka nxitur zëra për lëvizjen e mundshme të argjentinasit te River Plate, duke thënë se nuk i ka mbyllur dyert për një rikthim në klubin argjentinas.

“Gonzalo ka ende një kontratë dy vjeçare me Juventusin, por ai kurrë nuk e mohon rikthimin te River Plate. Unë personalisht, do të doja që fëmijët e mi të kthehen në Argjentinë”.

“Do të doja që ata të ktheheshin në një vend më të mirë. Unë nuk mund t’u kërkoj atyre, të cilët kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë për shumë vite, të kthehen këtu, edhe nëse unë do ta doja atë”, përfundoi Jorge Higuain.

Sulmuesi i Juventusit u huazua te Milani dhe Chelsea sezonin e kaluar dhe ka bërë shumë mirë për Juven që kur u kthye në Torino. Goli i tij i fundit kundër Interit i fitoi bardhezinjve ‘Derby D’Italia’ 2-1. Këtë sezon, Higuain ka luajtur tetë ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar tre herë./abcnews.al

River.jpg
Igli Nikolli11:30 | 04/10/2019

Dygolëshi i Luis Suarez përmbysi Interin dhe i dhuroi një fitore jetike Barcelonës në Champions. Trepikësh qetësie për kampionët e Spanjës dhe Ernesto Valverden. Pozitat e trajnerit ishin lëkundur pas nisjes jo të mirë të sezonit të ri.

Fitorja me Interin është një hap pozitiv, por drejtuesit e klubit katalanas nuk janë bindur plotësisht nga trajneri. Valverde është ende nën testim dhe TNT Sports zbulon edhe të preferuarin e Barçës për stolin. Ai është Marcelo Gallardo, trajneri i River Plate.

43-vjeçari po bën një punë fantastike me ekipin argjentinas dhe është pranë triumfit të radhës në Kupën Libertadores. Trofeun më të rëndësishëm për klube në Amerikën Latine e ka fituar në vitin 2015 dhe sezonin e kaluar.

Marcelo Gallardo

Riveri i tij u përplas sivjet prapë me Boca Juniors në gjysmëfinale dhe sfidën e parë e ka fituar 2-0 në Monumental. Finalja është një hap larg dhe Barcelona bën tifo për ekipin “Millonarios”… Gallardo është afër fitimit të trofeut për herë të dytë rresht (Boca Juniors e Carlos Bianchit në vitin 2000 dhe 2001 është ekipi i fundit që e ka fituar dy herë rresht).

Një tjetër sukses i Gallardos do ia lehtësonte ndërprerjen e kontratës me Riverin (i përfundon në vitin 2021) dhe do i mundësonte transferimin në Evropë. Finalja e madhe e Libetadores, që për herë të parë do të shpallë fituesin me 1 ndeshje teke, zhvillohet me datë 23 nëntor dhe Valverde mund të qëndrojë i qetë në stolin katalanas. /abcnews.al

Dieog.jpg
Igli Nikolli12:17 | 29/09/2019

Humbja e radhës për Diego Maradonën. Gimnasia La Plata humbi në shtëpi përballë River Plate 0-2 dhe kjo ishte disfata e tretë me legjendën argjentinase në stol. Vendasit nuk shfrytëzuan faktin që Gallardo zbriti në fushë një River me formacion të dytë.

“Millonarios” do të përballen me Boca Juniors të martën për Kupën Libertadores dhe pjesa më e madhe e titullarëve qëndruan pushim. Gjithsesi River fitoi duke u ngjitur në vend të gjashtë me 14 pikë, katër më pak se kryesuesit e Boca Juniors.

Gimnasia mbetet e fundit me vetëm një pikë dhe objektivi mbijetesë po fillon e komplikohet shumë. Maradona e përjetoi keq humbjen e fundit dhe në fund të ndeshjes u nis drejt tifozëve me lot në sy.

Diego kërkoi ndjesë, ndërsa nuk munguan duartrokitjet nga tifozët e tij, duke treguar se ata besojnë ende tek ekipi, trajneri dhe kthesa e madhe. /abcnews.al

river.jpg
ad min08:42 | 10/12/2018

River Plate arriti të fitonte trofeun Copa Libertadores për të katërtën herë. Në një ndeshje plot emocione, të luajtur në Madrid kundër rivalëve historikë, Boca Juniors, ata arritën të fitonin me rezultatin 3-1. Në fakt, 90 minutat e rregullta të lojës u mbyllën me rezultatin e barabartë 1-1. Të parët që shënuan ishin lojtarët e Boca-s me anë të Benedetto-s në fund të pjesës së parë. Ndërkohë barazimi erdhi 12 minuta pas nisjes së pjesës së dytë me anë të Lucas Pratto-s.

Në fillimin e pjesës së parë të kohës shtesë u dënua me karton të kuq Barrios, lojtar i Boca-s. Kjo mjaftoi që e gjithë River të dalë në sulm dhe të kërkojë golin në “Santiago Bernabeu”. Ai që bëri bëri të festojnë si të çmendur tifozët e River ishte Juan Quintero, i cili në minutën e 109 shënoi një gol pas një goditje jashtë zonës. Ndërkohë Gonzalo Martinez shënoi në minutën 120 golin e tretë duke vulosur kështu fitoren për skuadrën e tij.

Ndeshja midis dy skuadrave argjentinase u realizua në Madrid për shkak të dhunës që shpërtheu në kryeqytetin e Argjentinës, ku tifozë të River Plate sulmuan autobusin ku udhëtonin lojtarët e Boca Juniors. Qëllimi i zyrtarëve ishte që ndeshja të luhej në një vend larg Argjentinës në mënyrë që mos të krijoheshin trazira të tilla. Sidoqoftë ky vendim pati dhe kritika, pasi shumica e tifozëve nuk udhëtuan prej çmimit të lartë të udhëtimit drejt kryeqytetit spanjoll./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono