Rex Tillerson

donald-trump-2.jpg
G. P.09:59 | 17/03/2018

Analistët amerikanë janë të bindur se me shkarkimet dhe me emërimet e fundit, administrata e Trump mund të konsiderohet si një administratë ushtarake. Madje në Uashington thonë se këto shkarkime do të vazhdojnë.

Shkarkimi i Rex Tillerson mund të shihet në një këndvështrim më të gjerë, që prek dhe zgjidhjet strategjike dhe jo vetëm njerëzit e presidentit amerikan. Nga ekonomia e deri tek politika e jashtme, Trump tashmë është gati që të imponojë nacionalizmin e tij ndaj Amerikës dhe botës. Ose të paktën do të përpiqet ta bëjë këtë.

Një paralajmërim për shkarkimin, Reks Tillerson e mori disa ditë më parë kur kreu i stafit të presidentit i tha që të shkurtonte vizitën në Afrikë, pasi mund të merrte një mesazh në Twitter. Dhe ishte pikërisht me një mesazh në Twitter që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i komunikoi vendimin ish-sekretarit të Shtetit. Trajtimi brutal konfirmoi marrëdhëniet e këqija mes të dyve. Tillerson nga ana e tij nuk e ka mohuar asnjëherë, që e ka quajtur hajvan presidentin, duke u bërë hallka e fundit e zinxhirit të pushimeve nga puna, që nisën menjëherë pas uljes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Por në folklorin politik, vendimi i fundit tregon një zhvillim më të gjerë dhe të thellë, me pasoja në politikën e administratës amerikane.
Pas më shumë se një viti në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump po ndërton një skuadër, që ka të njëjtin këndvështrim me të për një botë nga e cila duhet të mbrohen duke ndjekur moton: Amerika e para! Është një kthesë, që i përket si frontit të politikave të jashtme ashtu dhe atij ekonomik.

Shkarkimi i Rex Tillerson ishte i paevitueshëm edhe për analistët që kishin besuar në influencën e moderuar e ish-kreut të Exxon. Tillerson përfaqësonte një linjë mbrojtjeje ndaj ideve të kreut të Shtëpisë së Bardhë, që shpesh kanë qenë virtual si mesazhet e tij në Twitter.
Por Presidenti dhe sekretari i Shtetit kishin mendime të ndryshme pothuajse për gjithçka, që nga Irani e deri te Koreja e Veriut apo Rusi. Dhe kontrasti me Shtëpinë e Bardhë, në vend që të përmirësonte politikën e jashtme amerikane, ka ridimensionuar peshën e Departamentit të Shtetit, të braktisur në duart e një sekretari pa eksperiencë në këtë fushë.

Emërimi i Mike Pompeo rivendos në funksion makinerinë e diplomacisë amerikane. Por në drejtimin e saj do të jetë një fajkua, si e kanë pagëzuar mediat amerikane, i cili ka të njëjtën linjë të ashpër të Trump për shumë dosje, në radhë të parë për marrëveshjen bërthamore me Iranin. Fati i kësaj marrëveshjej do të vendoset përfundimisht javët e ardhshme. Hyrja e tij në Departamentin e Shtetit nuk është sinjal për uljen e tensioneve, të paktën, sipas Teheranit dhe jo vetëm, madje media zyrtare e Partisë Komuniste në Kinë e komenton me një fjali këtë emërim të ri: Për ne ndryshon shumë pak, sepse Tillerson nuk ndikonte në marrëdhëniet mes dy vendeve”. Por Trump do të ketë pranë një njeri shumë besnik dhe që e sheh botën njësoj si ai.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për emërimin e Gina Haspel, gruaja e parë që drejton CIA-n dhe e para që disa vite më parë drejtonte një nga burgjet sekrete në Tajlandë, burg ku praktikoheshin tortura. Kolegët e njohin si “Bloody Gina” (Xhina e përgjakshme) dhe ajo u përpoq të fshihte çdo gjurmë të së kaluarës dhe pse nuk e mohoi asnjëherë. Sepse ashtu si presidenti dhe sekretari i ri i Shtetit, dhe drejtoresha e re e CIA-s vlerëson se një dozë e moderuar torturash është një përbërës i domosdoshëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Por në Uashington flitet se shkakrkimet nuk përfundojnë këtu, dhe personi i radhës që do të dalë nga skena mendohet të jetë gjenerali H. R. McMaster, shumë i ashpër me Presidentin. Në vendin e tij një tjetër shumë i besuar i Trump, John Bolton, bashkëpunëtor i ish-presidentit Bush.

Por gjithsesi nuk është vetëm një çështje emrash. Shkarkimet e Trump në kundërshtim me traditën presidenciale amerikane bëjnë akoma më të dukshme risitë në fushën ekonomike, ku taksat e reja për hekurin dhe aluminin çuan në dorëheqjen e drejtorit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Gary Cohn, këshilltari i parë i Presidentit për çështjet ekonomike.

Analistët shkojnë dhe më tej duke e cilësuar si një qeveri ushtarake, administratën e re të Trump.
Emërimi i Pompeo për të drejtuar politikën e jashtme plotëson ekipin e personazheve me kompleksin ushtarak të aftë për të influencuar në mënyrë vendimtare në Shtëpinë e Bardhë. Nuk është një risi, pasi që në vitin 1961, presidenti Ajzenauer, në fjalimin e tij të lamtumirës paralajmëronte amerikanët për rrezikun e vendosjes së pushtetit në duart e njerëzve me uniformë dhe prodhuesve të armëve. Ai që kishte drejtuar ushtritë aleate kundër Hitlerit. Më pas ushtarë të tjerë morën poste të larta drejtuese: Alexander Haig (sekretar Shteti me Regan), Brent Scoucroft (këshilltar për Sigurinë Kombëtare me Ford e Bush), Colin Pouell (sekretar Shteti me Bush).

Po në presidencën Trump, ushtarakët ishin ata që fituan Shtëpinë e Bardhë. John Kelly, shefi i stafit; James Mattis, ministër Mbrojtje; Joseph Dunford dhe Herbert Raymond McMaster, këshilltarë për Sigurinë Kombëtare. Tre të parët janë ish-gjeneralë marine dhe i katërti një ish-gjeneral ushtrie. Atyre u shtohet Pompeo, i cili, përveç se është një diplomat i akademisë ushtarake të Uest Point ka qenë dhe një industrial i sektorit aero–hapësinor para se të bëhej pjesë e të djathtës republikane. Si politikan, Pompeo ka mbrojtur “Patriot Act”, që lejon përgjimin e komunikimeve mes qytetarve amerikanë, ka kritikuar marrëveshjen me Iranin për programin bërthamor, është kundër mbylljes së Guantanamos dhe cilëson si patriotë agjentët e CIA të akuzuar për tortuar ndaj të burgosurve.

Pra shtëpia e Bardhë është tashmë një administratë ushtarake ngrenë alarmin analistët. Duke bërë që politika e jashtme amerikane të bëhet gjithnjë e më shumë agressive. Kërcënimi për prishjen e marrëveshjes së arritur me Iranin në 2015-n, kërcënimi ndaj Koresë së Veriut, çështja e Jeruzalemit, impenjimi ushtarak në Siri, taksat për importin me Bashkimin Europian, paralajmërimi për të shkurtuar buxhetin për NATO-n dhe përballja me Kinën janë vetëm disa nga karakteristikat e administratës së projektuar nga Trump.

Ka nga ata që pyesin nëse dhe polemikat mes Mbretërisë së Bashkuar ndaj Moskës për shkak të helmimit të ish-spiunit rus, mund të jetë parathënia e një ofensive të koordinuar kundër Rusisë.

Nëse Londra dhe Uashingtoni, tradicionalisht aleatë, të vendosnin për të bojkotuar kampionatin botëror të futbollit në Rusi, cfarë do të bënin vendet europiane?

Politika ndërkombëtare amerikane ka hyrë në një tokë të panjohur ku busulla e presidentit është në duart e Pompeos i cili është shumë i ngjashëm me Trump në temperament.

Një personazh që nuk do të bëjë asgjë për të përmbajtur deklaratat dhe vendimet e presidentit, përkundrazi do i mbështesë dhe mund ta shtyjë për më shumë. E kundërta e asaj që u përpoq të bënte Tillerson.

Me daljen nga skena të Tillerson, i vetmi sekretar që konsiderohet i pjekur nga analistët është Mad Dog Mattis, sekretari i Mbrojtjes, një ushtarak që e di shumë mirë se e vetmja zgjidhje për Afganistanin është rruga e diplomacisë. Por ende nuk dihet nëse do të mund të bëjë kundërpeshën ndaj dyshes Trump-Pompeo.

Por përse Trump vazhdon të largojë njerëzit që e ngjitën në Shtëpinë e Bardhë?
Sipas mediave amerikane, Rex Tillerson nuk ka asnjë lloj simpatie për Rusinë dhe kjo mund t’i ketë kushtuar postin. Në fakt, deklarata e tij e fundit ishte: “Nga Ukraina në Siri, e tashmë Mbretëria e Bashkuar. Rusia vazhdon të jetë një forcë e papërgjegjshme në botë, duke vepruar pa asnjë vlerësim për sovranitetin e shteteve të tjera dhe jetën e qytetarëve të tyre”.

Që kur Donald Trump është në krye të shtëpisë së Bardhë, ky është dënimi i më fortë amerikan ndaj sjelljes ruse. Vetëm se nuk erdhi nga presidenca amerikane por nga kreu i diplomacisë që me sa duket veproi pa u konsultuar me Trump. Ky i fundit e shkarkoi vetëm pak orë pas deklaratës në fjalë.

Por cilat janë disa nga shkarkimet dhe dorëheqjet në administratën amerikane që nga marrja e presidencës nga ana e Trump. Aktualisht numri i të larguarve me apo pa dëshirë është 25:

Reks Tillerson është vetëm i fundit në radhë nga bashkëpunëtorët e Donald Trump, i cili që nga fillimi i presidencës së tij janë pushuar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Tillerson prej muajsh nuk ishin të mira dhe burime të ndryshme brenda Departamentit Amerikan të Shtetit konfirmonin mundësinë e zëvendësimit të tij.

Tillerson nuk ka folur më me kreun amerikan të shtetit që nga pushimi nga puna dhe injoron arsyet e këtij vendimi, ndërsa përplasjet më të forta mes tyre kishin të bënin me politikën e jashtme.

John McEntee – Asistenti personal i Trump.
Asistenti personal i Trampu pushua nga puna në 12 Mars për një problem sigurie, që nuk u bë asnjëherë publik.

Gary Cohn – Drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Në 7 Mars të 2017-s, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se këshilltari kryesor ekonomik i Trump kishte dhënë dorëheqjen. Kohn një mbështetës i tregtisë së lirë në këtë mënyrë u mënjanua nga politikat e Tramp për vendosjen e taksave për hekurin dhe aluminin.

Josh Raffel – Zëvendësdrejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.

Hope Hicks – Drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.
Dorëheqja e tij erdhi një ditë pas dëshmisë në komisionin e Inteligjencës rreth çështjes së Russiagate.

Rachel Brand – Prokurore e Përgjithshme e Asociuar.
Numri tre në departamentin e drejtësisë dha dorëheqjen pas nëntë muajsh në këtë post pas sulmeve të presidentit amerikan ndaj këtij departamenti dhe forcave të rendit.

Rob Porter – Sekretar i Personelit të Shtëpisë së Bardhë.
Ai dha dorëheqjen pas akuzave për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes së tij.
Brenda Fitzgerald – Drejtoreshë e Qendrave të Kontrollit të Sëmundjes dhe Parandalimit.
Dorëheqja e saj erdhi pas akuzave për konflikt interesi.

Andreu Mccabe – Zëvendësdrejtor i FBI-së.
Ai u largua nga posti në Janar të 2018-ës pas akuzave se ishte anti–Trump.

Rick Dearborn – Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Omarosa Manigault-Newman – Drejtoreshë e Komunikimit për Zyrën e Lidhjes me Publikun në Shtëpinë e Bardhë.
U pushua nga puna pas përfshirjes në një punë të dytë në sektorin privat.

Dina Pouell – Zëvendëskëshilltare për Sigurinë Kombëtare.

Tom Price – Sekretari për Shëndetësinë dhe Shërbimet Njerëzore.
Price dha dorëheqjen pasi u përfshi në skandalin e shpërdorimit të fondeve publike për arsye personale.

Sebastian Gorka – Zëvendësasistent i Presidentit për Sigurinë Kombëtare dhe Terrorizmin.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi pushimin e tij nga puna, pasi ishte i lidhur me grupe të ekstremit të djathtë hungarez.

Steve Bannon – Kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë.
Këshilltari dhe ideologu i Tramp u pushua nga puna në Gusht të 2017-s.

Carl Icahn – Këshilltar special i Presidentit në fushën e teknikave të rregullatorit.

Sean Spicer – Sekretar për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë
Dha dorëheqjen në Korrik të 2017-s.

Anthony Scaramucci – Drejtor për Komunikimin në Shtëpinë e Bardhë.
Ai u pushua nga puna 10 ditë pas marrjes së postit.

Reince Priebus – Shefi i Stafit në Shtëpinë e Bardhë

Valter Shaub – Drejtor i zyrës për etikën në qeveri.
I emëruar në këtë post në mandatin e dytë të ish-presidentit Obama ai dha dorëheqjen në muajin korrik. Kritik i ashpër i administratës Trump për çështje etike.

James Comey – Drejtor i FBI
U pushua nga puna për shkak të hetimeve rreth skandalit të e-maileve të ish-sekreteres amerikane të shtetit, Hilari Klinton.

Michael Dubke – Drejtor për Komunikimin në Shtëpinë e Bardhë
Qëndroi vetëm tre muaj në postin e tij.

Katie Ualsh – Zëvendësshefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë.

K.T. McFarland – Zëvendëskëshillatre për Sigurinë Kombëtare.
U detyrua të largohej pas emërimit si ambasadore amerikane në Singapor, një post që nuk e pranoi.

Michael Flynn – Këshilltar për Sigurinë Kombëtare.
Flynn dha dorëheqjen në Shkurt të 2017-s pas presioneve se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet e tij me rusët gjatë fushatës elektorale.

Preet Bharara – Prokuror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Nju Jorkun.
U pushua nga vetë presidenti amerikan Trump, pasi refuzoi të jepte dorëheqjen./abcnews.al

byroja-14-mars-1280x658.jpg
G. P.12:17 | 15/03/2018

Shkarkimet e Trump ishte tema e diskutimit në “Byro Politike”.
Të ftuar: Agim Nesho, ish-ambasador në SHBA; Alfred Lela, analist; Ilir Kalemaj, pedagog i marrëdhënieve me jashtë dhe Erald Gjoni, ish-këshilltar i marrëdhënieve ndërkombëtaare i kryetarit të Kuvendit dhe Ministrisë së Jashtme.
Mes të ftuarve u diskutua rreth shkarkimit të sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, që ka shkaktuar mjaft debate dhe reagime në skenën ndërkombëtare./abcnews.al

rex-tillerson-1280x853.jpg
G. P.22:17 | 13/03/2018

Në fjalimin e tij të lamtumirës, sekretari në ikje i Shtetit, Rex Tillerson ia ka rezervuar falenderimet stafit të tij, duke lënë mënjanë presidentin Trump, që siç tha, ia kishte komunikuar shkarkimin me një telefonatë.

Në reagimin e parë pas shkarkimit nga detyra, Rex Tillerson ka falenderuar qytetarët amerikanë, stafin e Departamentit të Shtetit dhe rrjetin e diplomatëve që punojnë në të gjithë botën.

I vetmi person që ai nuk ka falenderuar ka qenë presidenti Trump dhe i vetmi moment kur e ka përmendur ka qenë kur ka thënë se kreu i shtetit ia kishte komunikuar largimin përmes një telefonate nga “Air Force One”.

Në fjalimin e lamtumirës, Tillerson ka vlerësuar stafin e tij për përkushtimin e treguar ndaj një sërë çështjeve të ndjeshme, përfshirë atë të ngacmimeve seksuale.

“Do të takohem me anëtarët e zyrës time më vonë gjatë ditës për t’i falenderuar për shërbimin e tyre. Ata kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar ndaj misionit tonë, që përfshin promovimin e vlerave”, ka thënë Tillerson.

Shefi në ikje i diplomacisë amerikane nuk ka lënë pa përmendur Rusinë në deklaratën e tij, duke u thënë gazetarëve se shumë punë mbetet për t’u bërë për t’iu përgjigjur sjelljes dhe veprimeve shqetësuese të qeverisë ruse. Një koment i guximshëm duke pasur parasysh faktin se sa hezitues ka qenë presidenti Trump për të dënuar Rusinë për ndërhyrjen e përfolur në zgjedhjet e vitit 2016.

Ndërsa mes arritjeve kryesore të diplomacisë amerikane, Tillerson ka renditur përpjekjet për të ulur Korenë e Veriut në tryezën e negociatave, progresin e trupave amerikane në Afganistan dhe fushatën kundër ISIS në Siri.

Më herët gjatë ditës, presidenti Trump u tha gazetarëve se e pëlqente Tillerson, por nuk binte dakord me të për disa çështje kyçe, si për shembull marrëveshja bërthamore me Iranin./abcnews.al

vlcsnap-error030-1280x720.jpg
G. P.20:51 | 15/02/2018

Vizita e ardhshme në Turqi e sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, pritet të jetë komplekse, nisur nga përplasjet e fundit verbale mes dy vendeve dhe kërcënimit të presidentit Erdogan për “shuplakën otomane”.

Për CNN, vizita në Turqi do të jetë më e vështira me të cilën do të përballet sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson. Vizita e shefit të diplomacisë amerikane bëhet në një kohë kur në Ankara, presidenti Erdogan ka dyfishuar dozën e toneve anti-amerikane e madje ka kaluar në kërcënime.

Kjo, për shkak të pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Siri dhe aleanca e tyre me popullësinë kurde. “Është e qartë se ata që paralajmërojnë se do të reagojnë me forcë nëse preken nuk e kanë provuar shuplakën otomane”, tha Erdogan ditën e martë.

Qeveria në Ankara druhet se me mbështetjen amerikane, kurdët sirianë më vonë do të ndihmojnë ata turq për të kërkuar pavarësinë. Për analistët, kjo është një çështje e nxehtë që rrezikon të fusë në përplasje dy vendet anëtare të NATO-s, por në Departamentin e Shtetit duket se nuk kanë frikë nga paralajmërimet e Erdogan.

“Jemi mësuar me një retorikë të tillë”, ka thënë zëdhënësi Heather Nauert duke iu referuar shuplakës së kreut të shtetit turk. Ndërsa vetë, Tillerson ka nënvizuar se Turqia është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe se palët duhet të gjejnë rrugën për të bashkëpunuar në të njëjtin drejtim. Ai ka shtuar se dy vendet ndajnë qëllime të njëjta sa i takon Sirisë dhe Shtetet e Bashkuara i kuptojnë shqetësimet e Ankarasë./abcnews.al

trump-1.jpg
G. P.22:45 | 26/01/2018

Administrata amerikane ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, për ndërhyrjen e saj në Ukrainë. Në pamje të parë, ky veprim minon përpjekjet e presidentit Trump për të normalizuar relatat me Moskën.

Pavarësisht se ka shprehur disa herë dëshirën, duket se presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump do ta ketë të vështirë të ripërtërijë marrëdhëniet e dëmtuara me Rusinë. Kjo, pasi administrata amerikane ka miratuar sanksione të reja për ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe për aneksimin e Krimesë.

Departamenti i Thesarit ka shtuar në listën e zezë 9 kompani ruse dhe 21 individë, mes të cilëve bien në sy: zëvendës ministri rus i Energjisë, Andrei Çerezov, i ndëshkuar edhe nga sanksionet e BE-së; shefi i kompanisë ruse Tekno-Prom-Eksport, që merret me ndërtimin e komplekseve energjitike; si dhe 11 separatistë pro-rusë të emëruar ministra pas vetëshpalljes republikë të rajoneve Donetsk dhe Lugansk.

Sanksioneve nuk u kanë shpëtuar as disa kompani ndërtimi të angazhuara në ngritjen e infrastrukturës në Krime. Pak ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, bëri përgjegjëse Rusinë se nuk kishte bërë sa duhet presion ndaj presidentit sirian Assad për shmangien e përdorimit të armëve kimike ndaj popullsisë. Një deklaratë kjo, që mund të vështirësojë edhe më tej normalizimin e marrëdhënieve./abcnews.al

turqia.jpg
G. P.22:30 | 22/01/2018

Administrata amerikane ka ndryshuar qëndrimin e saj kundrejt Turqisë sa i takon mbështetjes për milicitë kurde në veri të Sirisë. Gjatë një vizite në Londër, sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, e ka cilësuar “legjitim” shqetësimin e Ankarasë për kthimin e milicive në një forcë sigurie.

Shtetet e Bashkuara kanë vullnet për të bashkëpunuar me Turqinë për t’i dhënë përgjigje “shqetësimeve legjitime” të saj sa i takon situatës në veri të Sirisë. Deklarata është bërë nga sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, dy ditë pasi forcat e armatosura turke nisën një ofensivë kundër milicive kurde të mbështetura nga Amerika.

Nga Londra, Tillerson ka thënë se Uashingtoni është i vetëdijshëm për shqetësimet e Ankarasë dhe ka theksuar se është e drejta e saj të mbrohet nga elementët terroristë.

“Ne jemi në kontakt me Turqinë dhe gjithashtu me lidershipin e koalicionit tonë në Siri dhe po u kërkojmë të dyja palëve që të përmbahen”, ka thënë Tillerson.

Shefi i diplomacisë amerikane ka shtuar se Shtëpia e Bardhë i ka propozuar një sërë masash Turqisë dhe faktorëve të tjerë në përpjekje për të stabilizuar situatën. Nga ana e saj, Ankaraja zyrtare ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërpresin mbështetjen për milicinë kurde YPG, të cilën e konsideron organizatë terroriste, dhe jo ta kthejne ate në një forcë sigurie.

“Nëse ata duan të bashkëpunojmë, ne jemi gati. Por hapi i parë i bashkëpunimit duhet të jetë ndërprerja e mbështetjes për grupet terroriste dhe rimarrja e armëve që u janë dhënë”, ka deklaruar zëvendës kryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag./abcnews.al

vlcsnap-error343-1-1280x720.jpg
us er20:17 | 15/12/2017

Sekretari amerikan i Shtetit, Reks Tillerson në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së OKB-së tha se Koreja e Veriut është kërcënimi më i madh për të gjithë botën. Ndërsa Antonio Guterres u shpreh i shqetësuar nga rreziku i konfrontimit ushtarak.

SHBA do të mbajë të hapura kanalet e saj të komunikimit me Korenë e Veriut, pavarësisht se mban presionin mbi Penianin për të ndaluar testet bërthamore dhe raketore. Kjo është konfirmuar nga sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson. Duke folur në Këshillin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zyrtari i Uashingtonit tha se një ndërprerje e qëndrueshme e sjelljes kërcënuese të Koresë së Veriut duhet të ndodhë përpara se bisedimet të fillojnë me Penianin.

Rex Tillerson, Sekretar Shteti i SHBA-së: “Aftësia në rritje e Koresë së Veriut pasqyron një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë dhe sigurinë e të gjithë botës. Ne nuk e konsiderojmë këtë pretendim si një kërcënim bosh. Ne kemi qenë të qartë se të gjitha opsionet mbeten në tavolinë në mbrojtje të kombit tonë. Por ne nuk kërkojmë dhe as nuk duam luftë me Korenë e Veriut. Peniani duhet të fitojë rrugën për rikthim në tavolinën e bisedimeve. Fushata e presionit duhet dhe do të vazhdojë derisa të arrihet denuklearizimi. Ndërkohë, ne do të mbajtë të hapura kanalet tona të komunikimit”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në fjalën e tij shprehur shqetësimin ldhur me përshkallëzimin e tensioneve.

Antonio Guterres, Sekretar i Pergjithshem i OKB-së:Situata në gadishullin Korean është çështja më e tensionuar dhe e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në botë. Unë jam thellësisht i shqetësuar nga rreziku i konfrontimit ushtarak që mund të vijë si rezultat i përshkallëzimit të paqëllimtë apo llogaritjeve të gabuara”.

Më tej ai bëri thirrje që konflikti të zgjidhet me anë të mjeteve diplomatike dhe paqësore./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono