reshjet

MOTI-KRONIKE.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
ent ela14:50 | 10/07/2019

Moti përvelues i fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut ka ndryshuar që dje. Reshje të përkohshme dhe stuhi të lehta mbizotërojnë në shumë zona të vendit. Deri në fillim të javës së ardhshme do të jetë mot i paqëndrueshëm.

Retë do të largohen nga qielli i territorit shqiptar të enjten. Bashkë me to dhe temperatuarat e larta që përjetuam në fillim të muajit. Por ditë të tilla nuk do të na shoqërojnë gjatë.

Meteorologët parashikojnë rikthim të reshjeve të shiut në zonat malore gjatë fundjavës.

Ndërsa termometri nuk pritet t’i kalojë 31 gradë celcius.

Sa i përket vranësirave dhe rrebesheve të shiut që përfshinë vendin të mërkurën meterologët shpjegojnë se ishin pasojë e disa ditëve radhazi me temperatura shumë të larta. Megjithëkëtë mesi i këtij muaji sipas meterologëve pritet të jetë më i freskët se dhjetë ditëshi i parë i tij. Ditët e nxehta parashikohet të rikthehen në fund të korrikut.   /ABC News Albania 24/7

 

Durres-1280x698.jpg
Sej rie19:22 | 15/04/2019

Në Durrës, Ujësjellës-Kanalizimet kanë nisur zhbllokimet e kolektorit te ujërave, pasi me reshjet e fundit ato u bllokuan në disa vende.  Ky kolektor i ujërave të shiut prej më shumë se tre dekadash nuk është pastruar. Ujësjellës Kanalizime Durrës po punon për zhbllokimin e tyre. Mjetet e ndërmarrjes janë përqendruar në rrugën Mujo Ulqinaku dhe rrugën Kristo Sotiri.

Spartak Kovaçi drejtor Ujësjellës Kanalizime Durrës: “Do vazhdojmë të pastrojmë kolektorin e ujërave të shiut dhe ujërave të zeza. Momentalisht po shfrytëzojmë rastin që këto rrugë janë bllokuar nga bashkia e Durrësit për tu rikonstruktuar dhe asfaltuar dhe po punojmë me mjetet tona teknologjike, me stafin tonë dhe ndihmën e bashkisë që të pastrojmë këto kanale dhe të minimizojmë sa më shumë fenomenin e përmbytjes”.

Gjendja e kolektorëve të ujerave të shiut paraqitet problematike pasi ato përmbyten sa herë ka reshje./abcnews.al

vlore-1-1280x730.jpg
ent ela09:45 | 10/04/2019

Reshjet e shiut gjatë natës në Vlorë kanë shkaktuar përmbytje në qytetin e Vlorës. Uji ka dalë nëpër rrugë dhe në disa lagje ka arritur tek katet e para të banesave dhe tek bizneset. Me problematike është situata në rrugën pranë Portit të Vlorës, rruga pranë vendit të quajtur Albano dhe Romina por edhe në segmentin e hapur në bulevardin kryesor. Për shkak të sasisë së madhe të ujit probleme ka patur edhe në lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve./abcnews.al

kisha-1280x722.jpg
ent ela16:18 | 06/03/2019

Pa u riparuar ende dëmet e shkarkuara nga erërat në kishën shumëvjeçare të Balldrenit, ajo po përballet me një tjetër rrezik. Reshjet e pranverës kanë vënë në alarm institucionin e kishës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Çatia e saj u dëmtua para 2 javësh nga erërat e forta që shoqëruan rajonin.  Dëmet ende nuk janë riparuar në kishën e Shën Premtes në Blladren të Lezhës. Mbyllja e derës me dry, bllokimi i hyrjes anësore janë ndërhyrja e vetme.

Kjo e realizuar nga motrat kongregate të vendosura në një tjetër objekt ngjitur objektin e kultit monument kulture. Përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare thanë pasi verifikuan situatën se do të ndërhynin por ende asnjë veprim deri më tani.

Shirat që nisën mbrëmjen e martë vunë në alarm institucionin e kishës. Ata kërkojnë ndërhyrje të shpejtë pasi po rrezikohet një kishë me vlera të mëdha kulturore dhe afresku në brendësi të saj.

Kisha katolike ka kërkuar leje për të ndërhyrë dhe riparuar dëmin e shkaktuar nga era. Por siç bëhet e ditur Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk e ka lejuar diçka të tillë. Në këto kushte kisha 900 vjeçare është e rrezikuar. /abcnews.al

BORA-NE-DIBER-MBULIM_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x696.jpg
ent ela10:20 | 12/02/2019

Reshje dëbore kanë rënë natën në pjesën më të madhe të Dibrës dhe Bulqizës. Trashësia në qytetin e Peshkopisë shkon gati 10 cm kurse në lartësine mbi 800 metra mbi nivelin e detit dhe në zona të thella deri në 30 cm. Nuk ka patur probleme në rrugë, por megjithatë kompania kontraktore që mirëmban rrugën Peshkopi – Kala e Dodës ka nxjerrë mjetet borëpastruese dhe kalimi bëhet pa probleme. E njëjtë situata është edhe me rrugën Ura e Çerenecit – Librazhd ku kalimi bëhet pa probleme. Edhe nëpër fshatra nuk ka bllokime apo vështirësi në qarkullim. /abcnews.al

KUKES-BORA-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.44-1280x720.jpg
G. P.11:59 | 18/12/2018

38 mjete e 64 punëtorë janë vënë në dispozicion të rrugëve në Kukës për shkak të borës. Trashësia e dëborës në Kukës arrin 5 cm, në Krumë 7 cm dhe në Bajram Curri 10 cm. Sipas informacionit temperatura aktuale është -1 gradë celsius, ndërsa temperatura minimale do arrijë -1.2 gradë celsius. Si pasojë e temperaturave të ulta rrugët nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë nën efektin e temperaturave të ulëta, ndaj fenomeni i ngricave është prezent në të gjitha akset.

Por sipas një raporti të detajuar, Rruga e Kombit qarkullohet pa zinxhirë dhe në dispozicion të saj 13 borëpastruese e 2 fadroma për heqjen e dëborës. Lartësia e borës në Tunelin e Kalimashit arrin 12 cm. Gjatë aksit po hidhet edhe kripë njëkohësisht. Dhe në akset e tjera ka borëpastruese dhe fadroma që rrinë në gadishmëri për çdo situatë emergjente./abcnews.al

OK-PESHKOPI-BORA.mpg_snapshot_00.07-1280x719.jpg
G. P.10:54 | 18/12/2018

Reshjet e bores pushuan pas mesnate në qytetin e Dibrës, por në zonat e thella kanë nisur problemet. Në qytet trashësia e borës është 10 cm, kurse në rrethina ajo ka arritur 30 cm. Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe lëvizjave e mjeteve dhe e kalimtarëve është bërë e vështirë. Sipas gazetarit tonë në Diber Neki Feta, zona e Lurës është thuajse e izoluar, ashtu sikur edhe disa fshatra të Selishtës. Rruga Peshkopi – Tiranë është e qarkullueshme dhe është hedhur kripë, por Peshkopi-Kala e Dodës lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë. Aty trashësia e borës ka arritur 30 cm dhe nuk ka mirëmbajtje dimërore./abcnews.al

MOTI-KRONIKE.mpg_snapshot_00.03-1280x720.jpg
G. P.14:48 | 16/12/2018

Java e re pritet të nisë me reshje. Instituti i Gjeoshkencave Energjisë Ujit dhe Mjedisit parashikon shtrëngata në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës dhe borë në veri e lindje të vendit.

Reshjet pritet të rikthehen të hënën në të gjithë vendin. Parashikimi është i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë Ujit dhe Mjedisit, sipas të cilit në shumicën e qarqeve intensiteti i tyre do të arrijë deri mesatar. Ndërkohë në Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive dhe nuk përjashtohen shtrëngatat.

Zonat mbi 400 m mbi nivelin e detit në veri dhe lindje të vendit pritet të mbulohen nga bora, ndërsa bregdeti të përfshihet nga era e fortë.
Ndërkohë vlerat e termometrit kanë pësur rritje për shkak të masave më të ngrohta me origjinë oqanike në bregdet ato shënojnë 6 / 12 °C në vendet e ulëta 4 / 8 °C në vendet malore: -4 / 5 °C

Meterologët thonë se 15 ditëshi i fundit i dhjetorit do të jetë i paqëndrueshëm. Megjithkëtë, Krishtlindja parashikohet të vijë me mot të mirë, po ashtu edhe ndërrimi i viteve./abcnews.al

KUKES-RRESHJET_ABC-1280x720.jpg
G. P.18:43 | 21/11/2018

Reshjet e shiut në verilindje kanë shkaktuar probleme në disa rrugë, jo pak të rëndësishme. Ka patur rrëshqitje të gurëve dhe bllokim të rrugëve, por megjithatë reshjet nuk kanë ndikuar në rritjen e ujit në nivelin e Fierzës.

Në këtë rrugë në kohë reshjesh është e vështirë të udhëtosh. Kukës-Shishtavec është segmenti më i prekur nga shkarjet e gurëve e dherave. Gurët që bien janë të përmasave të rrezikshme. Por problemi kryesor lidhet me mirëmbajtjen e saj. Ende nuk është marrë në dorëzim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kukës e ka të pamundur të kryejë shërbimet që kërkojnë 33 km.

ARSH ka kontraktuar me sipërmarrje vetëm segmentin e parë Kukës – Ura e Zapodit, kurse pjesa tjetër dhe më e vëshira është pa të zot. Gjithësesi Bashkia e Kukësit ndërhyn herë pas here me punëtorët dhe mjetet e saj për ta mbajtur në qarkullim. Reshjet e shiut do të vazhdojnë sipas parashikimeve, megjithatë intensiteti i tyre nuk ka ndikuar në rritjen e prurjeve duke mos dhënë asnjë shenjë në nivelin e ujit të liqenit të Fierzës.

Përgatiti: Bujar Muçmata, gazetar i ABC News, Kukës

OK-MBULIM-PERMBYTJET-PAZARI-I-KORCES-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.26-1280x686.jpg
ent ela18:25 | 27/08/2018

Kanë mjaftuar 30 minuta shi që uji të përmbytë pazarin e Korçës. Sot situata ka qenë e vështirë në këtë zonë të qytetit të Korçës, e cila është një nga më të frekuentuarat për biznes e turizëm. Uji ka depërtuar edhe në disa biznese në këtë Pazar.

Është dashur ndërhyrja e një mjeti zjarrfikës, që tërhoqi ujin dhe ktheu zonën në normalitet. Edhe pse në ansamblin e Pazarit janë investuar disa milionë euro, bizneset që kanë vendosur aktivitetin aty, janë përballur me situatë permbytje për të disatën herë gjatë kësaj vere.
Përmbytje ka pasur edhe në zonën para bashkisë, në hyrje të qytetit dhe në afërsi të stadiumit. Shkak për situatën, sipas Bashkisë së Korçës, ka qenë intensiteti i reshjeve, që ka sjellë bllokimin e pusetave të ujërave të shiut./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono