republika

vucic.jpg
ad min13:47 | 16/10/2019

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar ashpër ndaj ambasadorit britanik në Prishtinë Nikolas Abot. Kjo pas publikimit të një fotografie të takimit që Abot zhvilloi me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti. Në fotografi shihet qartë se Kurti mban në zyrë një flamur të madh kuq e zi

Me anë të një mesazhi në profilin e tij në Tëiter, presidenti serb Aleksandër Vucic ka reaguar ashpër ndaj ambasadorit britanik Nikolas Abot. Shkak për këtë është një fotografi e publikuar nga takimi që Abot pati me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtit, në zyrën e këtij të fundit. Në fotografi shihet se Kurti në zyrën e tij mban një flamur të madh kuq e zi, e kjo nuk i ka pëlqyer aspak Vucic.

Vuçiç pyet ambasadorin.

“Pyetja ime për ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë: Cilat zgjedhje i ka fituar Kurti, në çfarë shteti? Dhe flamuri që i qëndroni përballë cilit shtet i takon, shkëlqesia juaj? Unë do të vazhdoj t’ju pyes derisa të marr një përgjigje për këto pyetje”.

Megjithatë në këtë pyetje të Vuçiç ka pranuar që Republika e Kosovës është një shtet, raportojnë mediat në Kosovë, meqenëse nuk i pëlqen fakti që Kurti në zyrën e tij mban flamurin e Shqipërisë dhe jo atë të Kosovës.

Në sfond me flamurin kuq e zi janë fotografuar edhe ambasadorë të tjerë të vendeve të huaja në Kosovës, përjashtuar ambasadorin gjerman, Christian Heldt dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett./ABC News Albania

conte-2-1280x853.jpg
ad min18:18 | 15/10/2019

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Italisë, Giuseppe Conte. Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi partneritetin strategjik me Italinë dhe falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik të vendit.

Duke falenderuar për angazhimin konstant të Italisë në mbështetje të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Meta tha se “ndjekim me shumë vëmendje të gjithë debatin mbi vendimin që do të merret në Samitin e 17-18 tetorit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë që qasja realiste e çeljes në parim të negociatave, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të mbështetet nga të gjitha vendet anëtare”.

Presidenti i Republikës vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Gjithsesi, vijoi Presidenti, ne konsiderojmë që ka ende shumë mundësi për t’u përdorur në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Në veçanti, presim një prani më të madhe të investitorëve italianë në Shqipëri, tha ai.

Një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, tha Presidenti Meta janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. Presidenti inkurajoi që të rrisim bashkarisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj./abcnews.al

KRIZA-HARADINAJ.mpg_snapshot_00.54-1280x720.jpg
ad min16:45 | 05/07/2019

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përgënjeshtroi Ministrinë e Jashtme lidhur me ndalimin e vizitave të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Analistët e cilësojnë aspak serioz një mos koordinim  të tillë.

As 24 orë nuk u deshën që qeveria e Kosovës të demantojë ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me ndalimin e vizitave zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Kryeministri Haradinaj fillimisht për këtë e ka njoftuar në Poloni homologen e tij serbe Ana Brnabiç.

Kabineti i Kryeministrit Haradinaj nëpërmjet një njoftimi zyrtar thotë se qeveria nuk ka marrë vendim për ndalimin e zyrtarëve serb në Kosovë. Sipas njoftimit  protokolli i vizitave të tyre tashmë është i njohur dhe secila kërkesë trajtohet në bazë të procedurave ligjore. Një moskoordinim të tillë e quan joserioz Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ai thotë se pos moskoordinimit brenda qeverisë ky vendim i kryeministrit mund të jetë marrë edhe pas presionit ndërkombëtar që mund ta ketë pasur. Një ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se ua ndalon hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve të Serbisë pas provokimeve e sjelljeve që po vijnë nga ky vend./ABC News Albania 24/7

META-SINKRON.mpg_snapshot_00.13-1280x720.jpg
ent ela15:00 | 27/06/2019

Në fjalën e tij në konferencën për shtyp kreu i shtetit i është përgjigjur kryeministrit Rama se axhenda e tij është ajo e Presidentit të Republikës dhe se ai është në gjendje të bëjë dallimin mes Republikës dhe Monikës. Meta tha se nuk e ka për turp që është burri i Monikës, atë e gjeti në partinë që sot drejton Rama.

“Nuk e kam për turp që jam burri i Monikës e kam gjetur në partinë që drejton sot Rama, por ai e di më mirë se kushdo që unë në të gjitha detyrat di të ndaj anën personale, shoqërore e familjare me atë shtetërore e institucionale. Për mua është tjetër gjë Monika dhe tjetër gjë Republika. Në këtë detyrë që kam axhenda ime është e Presidentit të Republikës si vend anëtar i NATO-s”.

Kreu i shtetit theksoi se për mua nuk ka më të rëndësishme sesa paqja, e ardhmja e Shqipërisë si një vend që do drejtojë OSBE vitin që vjen.  /abcnews.al

 

dervishaj-1280x720.jpg
ad min17:34 | 13/06/2019

Institucioni i Presidentit të Republikës e ka konsideruar debatin e zhvilluar në parlament si lumë fyerjesh, që nuk i shërbejnë zgjidhjes së krizës. Anulimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit deklaroi këshilltari ligjor i Presidentit Besnik Dervishaj është një akt i detyrueshëm për t’u zbatuar.  Çdekretimin e vendoreve sipas Dervishajt, mund ta vlerësojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Pas votimit të rezolutës në Kuvend ka reaguar sërish presidenti i Republikës. Përmes këshilltarit të tij ligjor Bledar Dervishaj, bëri të ditur se shfuqizimi i datës së zgjedhjeve është kryer konform kushtetutës dhe është i detyrueshëm për zbatim.

“Akti i Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, në zbatim të parashikimeve kushtetuese; referuar praktikës kushtetuese; referuar marrëdhënieve juridiko-shoqërore që ai rregullon, si dhe referuar argumenteve kushtetuese mbi bazën e të cilëve është marrë, e bën Dekretin e Presidentit një akt me natyrë krejtësisht të veçantë, dhe si i tillë, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë apo anti-kushtetutshmërinë e tij”, tha ai.

Presidenti ka nisur tashmë konsultimet me partitë politike dhe u bën të ditur qytetarëve se do caktojë së shpejti një datë të re zgjedhjesh.

“Presidenti i Republikës i siguron gjithashtu qytetarët e Shqipërisë se ata do të votojnë përtej 30 qershorit, në një datë sa më të afërt, në një situatë të qetë dhe në mënyrë të lirë e të ndershme. Pikërisht për caktimin edhe të kësaj date të re, Presidenti, prej ditës së djeshme ka nisur një proces të gjerë konsultimi me të gjitha forcat politike në vend. Presidenti do të shprehet me Dekret për caktimin e një date të re”, tha ai.

Këshilltari Dervishaj përsëriti qëndrimin e kreut të shtetit se shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk cënon interesat e qytetarëve e nuk prek shërbimet ndaj tyre sepse kryetarët e bashkive qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e pasardhësve.

vitore-tusha.jpg
ad min19:23 | 27/11/2018

Në komisionin e ekonomisë është shqyrtuar dekreti i presidentit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në seancën dëgjimore kandidatja Vitore Tusha është shprehur për vazhdimësinë KLSH-së, si një institucion i pavarur, por nga ana tjetër ka parë të domosdoshme trajnimin dhe certifikimin e audituesve.

Vitore Tusha është propozuar nga Presidenti i Republikës në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Përpara deputetëve të komisionit të ekonomisë gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese shpreh përgjegjësinë që ndjen për këtë detyrë.

“Besimin që më ka dhënë Kuvendi i Shqipërisë duke më votuar disa herë në funksione të larta kushtetuese unë vahzdimisht e kam vlerësuar me përgjegjshmëri të lartë si një detyrim për të shërbyer në mbrojtje të të drejtave themelore të shtetasve. Mbi të njëjtat parime dhe shumë respekt ju drejtohem ju të nderuar deputetë të më jepni besimin e duke më votuar në rolin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, tha ajo.

Por edhe angazhimin për që Kontrolli i Lartë i Shtetit të jetë një institucion i pavarur.

“KLSH-ja duhet të avancojë në ambiciet profesionale për të arritur në një nivel të lartë pavarësie ekspertize kompetence dhe sjellje etike. Situata ende kërkon një profesionalizëm të auditëve pasi vetëm auditët të institucionit të lartë të KLSH të cilët presupozohen të kenë nivelin më të lartë të ekspertizës nuk janë të ceritifikuar”, tha Tusha.

Në fund të seancës dëgjimore, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ka thënë se ky Komision do të hartojë një raport, të cilin më pas do ta depozitojë në Kuvend. Vitore Tusha është kandiduar në këtë post pas përfundimit të mandatit aktual të kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj. Mandati i kreut të KLSH-së është 7-vjeçar. Gara për zgjedhjen e kreut të KLSH-së nis me propozimin e Presidentit, në fund është Kuvendi që vendos me votë./abcnews.al

maqedonia.jpg
ad min11:55 | 03/08/2018

Presidenca e Maqedonisë organizoi një ceremoni me rastin e fetës së Republikës. Gjatë ceremonisë ka paur thirrje anti-shqiptare, por deri tani Presidenca nuk është distancuar nga këto incidente. Reagimet në vend kanë qenë të shumta.

Me thirrjet anti-shqiptare “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur” një pjesë e të pranishmëve në ceremoninë e organizuar nga presidenca maqedonase me rastin e festës së Republikës, shoqëruan vendosjen e luleve në Meçkin Kamen në Krushevë. Çdo gjë ndodhi para syve të presidentit Ivanov.

Mediat maqedonase kontaktuan me Presidencën, e cila ishte organizatore e manifestimit, por nga ky institucion nuk pati as edhe një distancim nga thirrjet raciste anti-shqiptare, ndërsa sipas Kushtetutës, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese në shtet në momentin që thirrjet u bënë në festën e Ilindenit.

Qeveria maqedonase nga ana e saj i dënoi thirrjet raciste në ditën e Republikës në 2 Gusht. Në një deklaratë për shtyp thuhej se qeveria e Republikës së Maqedonisë i dënon thirrjet për urrejtje dhe dhunë, që janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe u bën thirrje institucioneve kompetente t’i hetojnë këto dukuri dhe të marrin masat e duhura. Ilindeni është ditë për bashkim dhe jo ndarje, thuhej më tej.

Nga ana tjetër, atmosferë krejtësisht e ndryshme mbretëronte në manifestimin në Pelincë. Përveç këngëve dhe valleve maqedonase, në këtë organizim të qeverisë, u shfaqën edhe valle shqipe dhe ato të bashkësive të tjera etnike në vend.

Presidenti Ivanov në festën e Ilindenit u paraqit para qytetarëve me një fjalim të ashpër kundër pushtetit. Ai kundërshtoi marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, e cila sipas Ivanovit, e nënshtron shtetin ndaj Greqisë si dhe e fshin identitetin dhe historinë maqedonase.

Edhe pse NATO ka garantuar anëtarësimin e vendit sapo të përfundojë marrëveshjen me Greqinë, Ivanov theksoi disa herë se marrëveshja nuk garanton automatikisht integrim të vendit në NATO dhe BE. “Çfarë na duhet prosperiteti, pa identitet”?! Me këtë pyetje retorike Ivanov iu drejtua edhe ndërkombëtarëve, të cilët sipas tij, duan ta bindin popullin të vetëshuhet.

Maqedonia festoi në 2 Gusht Ditën e Republikës dhe dy Ilindenët historik, 115-vjetorin e fillimit të Kryengritjes së Ilindenit dhe 74 vjetorin e KAÇKM-së./abcnews.al

kuvendiii.jpg
ad min14:44 | 19/05/2018

Në prag të ditës kombëtare të jetimëve këta fëmijë kërkuan më tepër vëmendje nga institucionet shtetërore. Problemet e tyre i thanë nga foltorja e parlamentit, ndërsa Presidenti i Republikës kërkoi më tepër vemendje për ta.

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë këtë të shtunë ishin fëmijët jetimë. Në kuadër të ditës kombëtare të jetimëve, ata simuluan një seancë plenare.

Më shumë se 23 probleme që u ngritën nga foltorja e parlamentit bënë zëvendëskryetaren e Kuvendit të pranonte se për fëmijët jetime nuk është bërë sa duhet.

Marrjen e më tepër përgjegjësive për të krijuar një mjedis më të sigurtë, më frymëzues e angazhues për të rinjtë dhe fëmijët jetimë kërkoi edhe Presidenti i Republikës, i cili më herët organizoi një pritje për këta fëmijë.

Presidenti Meta u shpreh se kujdesi ndaj fëmijëve jetimë është prioritet që e ka bërë të qartë sapo ka marrë detyrën./abcnews.al

vlcsnap-error417-1280x720.jpg
ad min16:54 | 03/01/2018

Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, që u dënuan me kusht nga gjykata e Prishtinës për hedhjen e gazit lotësjellës në kuvend, ka reaguar kundër vendimit. Në një konferencë për shtyp theksuan se në Kosovë nuk dënohen kriminelët por deputetët që mbrojtën republikën.

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin e deputetëve të kësaj partie për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Donika Kadaj-Bujupi, e cila është një nga të dënuarit, tha se të gjitha veprimet e tyre në Kuvend kanë qenë të drejta dhe të duhura. Ajo tha se me veprimet e tyre kanë mbrojtur vendin dhe sovranitetin.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu, e cila gjithashtu është dënuar për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvend, tha se vendimi dëshmoi se nuk dënohen kriminelët në Kosovë, por dënohen aktivistët dhe deputetët që mbrojtën Republikën.

Ndërkohë, dy përfaqësueset e Lëvizjes Vetëvendosje theksuan se me dënimin me kusht, asnjëri nga 4 të dënuarit nuk do të humbasin mandatin as mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono