rekord

AcropolisGTP.jpg
nev ila17:49 | 25/06/2019

Greqia synon të arrijë një rekord të ri turistësh këtë sezon veror. Sektori i turizmit vazhdon të jetë lokomotiva e rritjes ekonomike të shtetit helen, duke përbërë 12 për qind të prodhimit të brendshëm dhe më shumë se gjysmën e vendeve të punës.

Greqia pret këtë vit të shënojë rekord të rri në numrin e turistëve të huaj. Optimizmi bazohet në statistikat e vitit të kaluar, kur 33 milionë turistë shpenzuan në Greqi 16,4 miliardë euro. Një pjesë e këtyre turistëve vijnë nga Shqipëria, thotë Antonis Seretis, pronar i një zyre turistike në Athinë.

“Kemi një numër të vogël turistësh që preferojnë t’i kalojnë pushimet në ishujt grekë. Janë të shumtë ata që vijnë me makinat e tyre dhe pastaj marrin tragetin për në ishullin e destinacionit. Ka të tjerë që prenotojnë nëpërmjet zyrave turistike në Shqipëri, ashtu sikurse ka një pjesë që prenotojnë direkt nga interneti”, tha Antonis Seretis.

Edhe pse u godit mjaft rëndë në fillimet e krizës së thellë dhjetëvjeçare të Greqisë, turizmi arriti të mbijetonte. Dhe jo vetëm kaq, por është bërë lokomotiva e vetme që e mban në lëvizje ekonominë greke. Të ardhurat nga turizmi përfaqësojnë rreth 12 % të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Më shumë se gjysma e vendeve të punës në Greqi kanë lidhje direkte apo indirekte me sektorin e turizmit.

Elementët kryesorë të ofertës turistike të Greqisë janë deti dhe dielli. Por vitet e fundit janë bërë dhe mjaft investime, kryesisht në ndërtimin e hoteleve superluksozë. Vetëm për 2018-n investimet në fushën e turizmit e kaluan vlerën 5 miliardë euro. Megjithatë, në disa ishuj si Mykonos apo Santorini, mbipopullimi ka arritur nivele kritike, thotë biznesmeni Seretis. Kjo ka sjellë si rezultat që një numër i konsiderueshëm grekësh t’i kalojnë jashtë Greqisë pushimet e tyre. Por a mundet që kjo situatë të shfrytëzohet, me qëllim që një pjesë e turistëve të destinuar për Greqinë, të shkojë në vendet fqinje?

“Kam përshtypjen që po të bëhen fushatat e nevojshme publicitare edhe nga vendet fqinje, ka shumë mundësi që turistë të cilët vijnë nga larg, të vizitojnë edhe vendet fqinje. Sepse edhe vendet fqinje kanë zona interesante, ku turisti do të dëshironte të shkonte…” tha Seretis./ABC News Albania 24/7

smajlaj-1280x724.jpg
Sej rie13:10 | 25/06/2019

Izmir Smajlaj synon të thyejë sërish rekordin e tij të atletikës, brenda këtij viti. Trajneri Gjergj Ruli premton se sportisti shkodran do të jetë finalist i Botërorit dhe pretendent në Olimpiadë.

Pista e kërcimit nuk është ende e përfunduar.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tiranë, i ofron pikërisht këto kushte atletit më të mirë të vendit, Izmir Smajlajt, dhe padyshim kjo ndikon në sukseset e tij.

Kërcyesi së gjati nga Shkodra nisi menjëherë përgatitjet, vetëm dy ditë pasi theu rekordin me 8 metra e 11 centimetra, pasi sfidat janë shumë pranë.

Sinkron Smajlaj

Për shumë kohë, Smajlaj punoi në Shkodër, por prej 3 vjetësh është në kryeqytet.

Trajner i tij është Gjergj Ruli, që vesh edhe kostumin e presidentit të Federatës, edhe tutat e stërvitjes.

Ish-rekordmenit të kërcimit së gjati iu desh punë e madhe për ta bërë Izmirin një atlet profesionist, duke e ndjekur nga pas në Tiranë, Elbasan, Shkodër, por edhe jashtë vendit.

Ende i pakënaqur plotësisht, ai cakton caqet për t’u arritur.

Ruli i bën thirrje biznesit, bashkisë së Tiranës dhe qeverinë për të menduar për atletë si Smajlaj apo Luiza Gega./ABC News Albania 24/7

Emiliano-Fejzo-albanese-espulso-rimpatriato-in-Albania-ritorna-in-Italia-arrestato-Leggilo.jpg
G. P.16:27 | 14/06/2019

“E kam bërë shumë shpesh vajtje-ardhje, duke rrezikuar jetën time për të ardhur këtu, duke kaluar Shqipërinë nëpër male. Jam fshehur në një kamion, kam ardhur në Itali dhe jam rikthyer në Ancona”.

Kjo është deklarata e rekordmenit shqiptar të dëbimeve në Itali. 36-vjeçari Emiljano Fejzo ka thyer heshtjen dhe ka folur më një program televiziv të quajtur “Drito e Rovescio”. I riu shqiptar është arrestuar sërish dhe është në pritje të depërtimit për herë të 14-të. Rekord e quajnë mediat italiane këtë shifër.

Përballë gazetarit Francesco Selvi, Fejzo tregoi se pse rikthehet në Itali sa herë që e dëbojnë. Madje në fund ka një kërkesë për ministrin e Brendshëm italian, Matteo Salvini.

“Nuk mund t’jua them se si kam hyrë ilegalisht, por gjithmonë kam rrezikuar jetën. Kam kaluar male i vetëm kur kishte arinj, jam fshehur në një kamion dhe arrita në Ancona. Kthehem gjithmonë sepse e dua shumë partneren time, e cila është e sëmurë me Parkinson, nuk ecën dhe ka nevojë për kujdes mjekësor. Nëse duan të më ndihmojnë përse nuk më japin një punë? Kur kam qenë i ri kam tentuar të grabis, por tani nuk bëj asgjë të keqe. U premtoj të gjithëve se nuk do të bëj asgjë. I kërkoj Salvinit që të më japë dokumentet dhe të më gjejë një punë si gjithë të tjerëve”, është shprehur Fejzo.

Janë disa prefektura në Itali që kanë dekretuar dëbimin e të riut shqiptar. Përpara Reggio Emilia-s, dëbimin e Fejzos e firmosën Bologna dhe Treviso. Në disa raste kanë qenë vetë autoritetet që kanë bërë shoqërimin e tij fizik, duke kthyer shqiptarin në doganë./abcnews.al

karabinier.jpg
G. P.12:03 | 08/06/2019

Rekord mund të quhet historia e dëbimeve të një 36-vjeçari shqiptar. Pas dy javësh nga deportimi i herës së fundit, i riu Emiliano Fejzo, nuk rezistoi dhe u kthye sërish në Itali.

Por menjëherë u pikas nga forcat e rendit, të cilët e arrestuan për hyrje të paligjshme në shtetin italian. Ai është me precedentë të mëparshëm penal, shumicën e të cilave i ka në fushën e vjedhjes.

Janë disa prefektura në Itali që kanë dekretuar dëbimin e të riut shqiptar. Përpara Reggio Emilia-s, dëbimin e Fejzos e firmosën Bologna dhe Treviso. Kanë qenë vetë autoritetet që kanë bërë shoqërimin e tij fizik duke kthyer shqiptarin në doganë.

Mirëpo me këtë të fundit, shqiptari do të arrijë shifrën e 14 dëbimeve, të cilat mediat italiane i cilësojnë si një rekord jo për t’u mburrur.

Mësohet se ai u kthye në Shqipëri më 23 Maj të këtij viti. Pas 8 muajsh burg, Fejzo erdhi në atdhe me një linjë direkte nga Malpensa. Siç shkruajnë mediat italiane “ai nuk mund të qëndrojë larg Italisë”, duke u kthyer sërish dhe duke u kapur kësaj here në Reggio Emilia./abcnews.al

skysports-manchester-city-de-bruyne_4672735.jpg
ent ela11:56 | 19/05/2019

Mançester Siti hyri në histori si skuadra e parë në Angli që fiton çdo trofe kombëtar. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola, po ashtu triumfuan në finalen me rezultatin më të thellë në më shumë se një shekull.

Kur edhe një legjendë si Sër Aleksi dorëzohet, do të thotë se sfida është në kufijtë përtej të mundshmes.

Asnjë skuadër nuk ia kishte dalë në Angli që të fitonte një “treshe” trofesh kombëtarë në një sezon të vetëm, pra titullin kampion, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës.

Tashmë, dikush e krijoi epokën, e bëri të pamundurën të mundur, dhe kush tjetër përveç Mançester Sitit të Pep Guardiolës.

Edhe në Europë, këtë e kanë bërë shumë pak skuadra të mëdha, vetëm Bajerni, Paris SG, Rejnxhërsi e Sëlltiku apo Benfika.

Një triumf i përmasave historike u arrit me një rezultat gjithashtu historik, me rezultatin më të thellë të finales së Kupës së Anglisë në 116 vjet, dhe duke barazuar rezultatin më të thellë të të gjitha kohëve: 6-0.

“Viktima” ishte Uatfordi, një skuadër shumë e mirë përderisa kishte mbërritur në “Uembli”, por për të cilën finalja erdhi në momentin më të keq, atëherë kur “qytetarët” ishin më të frymëzuar se kurrë.

Autorë të golave ishin David Silva, Gabriel Zhezus, De Brujn, Gabriel Zhezus, Stërling dhe sërish Stërling.

Epërsia ishte e jashtëzakonshme, edhe pse Uatfordi e nisi mirë, duke pasur rast goli, e duke pretenduar për penallti.

Për fat të keq, nuk ia doli të shënonte, dhe u shkatërrua pasi pësoi të parin.

Siti mbajti topin 70 për qind, pati 23 gjuajtje drejt portës, me 11 në kuadrat (2, Uatfordi), si dhe kornet 13-1.

“Ky ishte një nga sezonet e mi më të mirë në karrierë si trajner, – tha Guardiola, – nuk mund të them se është më I miri, por është një prej tyre. Asnjë skuadër nuk ia kishte dalë më parë në këtë vend. Respekt për lojtarët e mi, ata kanë meritën kryesore. Sa për dënimin e UEFA-s, nuk e meritoj këtë pyetje sot, ndërsa ne po festojmë”.

Edhe gazetat nuk u morën me këtë pyetje.

“Deili Star”: Gëzimi i gjashtëshes! Siti shkatërron Uatfordin!

“Deili Telegraf”: Triumfatorët e treshes! Siti bën historinë me “fshesën totale” në shtëpi!

Deili Mirrër” bën lojë fjalësh me titullin e filmit “Seksi dhe qyteti”: Gjashta dhe qyteti! Fitore historike treshe e Pepit!

“Dhi Observer”: Qielli i madh blu! David Silva feston golin ndaj Uatfordit, në fitoren 6-0, që plotësoi një rekord shtëpiak trofesh!

Siti u bë skuadra e parë në Angli që arrin 50 fitore në një sezon, në çdo garë kombëtare.

Po ashtu, ajo vendosi një rekord në Angli duke shënuar 169 gola në një edicion, ndonëse nuk e barazoi apo theu dot rekordin e Barcelonës së Guardiolës në 2012, që realizoi 190 gola.

Kështu u mbyll një sezon i madh, me dështimin e vetëm, atë në Champions, ndërsa Siti rreshtoi triumfet radhazi, Superkupën e Anglisë, titullin kampion, Kupën e Ligës, dhe së fundmi Kupën e Anglisë.

Pati edhe një largim të madh, atë të kapitenit Vinsent Kompani, që deklaroi se mbylli karrierën 11-vjeçare me blutë e Mançesterit, duke fituar thuajse gjithçka. /ABC News Albania 24/7

mother-38-children-1280x853.jpg
nev ila18:10 | 30/04/2019

Është 39 vjeç dhe ka 38 fëmijë. Nëna nga Uganda për shkak të disa veçantive në organizmin e saj, çdo herë ka lindur më shumë se një fëmijë.

Gruaja me më shumë fëmijë në botë, jeton në Ugandë. Mariam Nabatanzi është 39 vjeç dhe ka 38 fëmijë. Gruaja ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë në moshën 13 vjeçare.

Për shkak të disa veçantive në organizmin e saj, ajo ka lindur çdo herë më shumë se një fëmijë: 5 herë ka lindur dy binjakë, 4 herë trinjakë, dhe 5 herë katërnjakë.

Tre vjet më barë bashkëshorti i saj e braktisi, dhe ajo tashmë kujdeset e vetme për të gjithë fëmijët e saj. Për tu ushqyer ajo bën disa punë: parukieren; distilon alkool dhe shet bimë mjekësore./ABC News Albania 24/7

nba-1.jpg
Sej rie21:47 | 27/04/2019

Kevin Durant luajti në versionin e tij më të mirë, dhe Golden Stejti u kualifikua për në raundin e dytë të plej ofit në basketbollin amerikan. Duranti shënoi 50 pikë ndaj Klipersave.

Jo më kot është lojtari më i mirë i finaleve në dy sezonet e fundit.

Kevin Durant cilësohet shpesh si rivali i vetëm i Lebron Xhejmsit gjithë këta vjet, dhe ai tregoi arsyen, në mënyrën sesi luajti në ndeshjen e gjashtë të plej ofit.

I lodhur nga rezistenca e gjatë e Klipersave, ylli i Golden Stejtit shkëlqeu pa masë në Los Anxhelos, duke shënuar 50 pikë.

Një rekord i karrierës së tij në plej of, dhe diçka që i jep shpresë kampionëve në fuqi të NBA-së se mund ta mbrojnë titullin, pavarësisht problemeve të mëdha që po provojnë.

Ndaj Klipersave, Golden Stejti humbi dy herë në fushën e vet, dhe kjo për shkak të mungesës së energjisë dhe të ritmit të lartë gjatë gjithë ndeshjes.

A do ta kenë kampionët këtë energji dhe këtë ritëm, në raundin e dytë, shumë më të vështirë, ndaj Hjustonit?

E sigurt është se do të kenë Durantin, për t’u matur me yllin më të madh të skuadrës nga Teksasi, Xhejms Hardenin.

Përveç 50 pikëve, basketbollisti me numrin 35 kapi edhe 6 topa në tabela, shërbeu 5 pasime për kosh, vodhi 1 top dhe bllokoi një gjuajtje të kundërshtarëve.

Stefën Kërri nuk ishte në nivelet maksimale si shënues, por gjithsesi u vlerësua mjaft.

Ai realizoi 24 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, ndërsa mori vlerësimin edhe më të madh se Duranti.

Drejmond Grin u tregua i rëndësishëm me një tripëll dabëll, 16 pikë, 14 topa në tabela, 10 pasime për kosh si dhe 4 bllokime gjuajtjesh.

Vetëm kapiteni Klej Tompson nuk ishte ai i zakonshmi, për kampionët të cilëve u mungon përfundimisht lojtari qendër, Demarkus Kouzins.

Gjysmëfinalet e Konferencës Perëndimore ndaj Hjustonit pritet të jenë shumë të vështira.

Kundërshtari do të ketë dy ditë më shumë pushim, por Golden Stejti do ta nisë serinë në Arenën e tij./abcnews.al

salah-1280x706.jpg
Sej rie13:10 | 27/04/2019

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, i bën thirrje lojtarëve të tij të shohin vetëm ndeshjet e tyre, në garën për titull në Premier Ligë. Të kuqtë dolën në krye, ndërsa Mohamed Salah theu një rekord.

Ishte fitorja që duhej dhe që pritej.

Liverpuli i bëri edhe herë detyrat në Premier Ligën anglez, duke dalë në krye qoftë edhe përkohësisht, ndërsa gara për titull mbetet e hapur.

Pesë me zero ndaj Hadërsfildit ishte pikërisht suksesi që dëshironte stadiumi “Anfild”, ku ndodheshin afërsisht 55 000 tifozë, ndërsa trajneri Jurgen Klop, I bëri thirrje lojtarëve të tij që të shohin vetëm punën e tyre.

“Pse duhet të rrimë e të mendojmë që Siti do të gabojë? – nisi përgjigjen ai, në formë pyetjeje, – ndeshja jonë e radhës në kampionat është ndaj Njukasëllit, dhe duhet të mendojmë vetëm për të, kuptohet pasi të luajmë me Barcelonën. Nuk mund të presim dhurata nga fati, por duhet të bëjmë punën tonë. Nëse fitojmë ndeshjet tona, dhe Sitit I ndodh diçka, atëherë dalim kampionë. Nëse jo, do të themi se bëmë maksimumin tonë”.

Njeriu I ndeshjes ishte Mohamed Salah, dhe kjo jo vetëm sepse shënoi dy gola, por edhe sepse theu një rekord të klubit.

Sulmuesi egjiptian arriti në 69 rrjeta në 100 ndeshje, diçka që askush tjetër nuk e kishte bërë në të kaluarën.

Kampioni i botës i vitit 1996, Roxher Hant mbante rekordin e vjetër me 68, po aq sa Sem Rejbould, ndërsa legjenda si Xhon Olldrixh, Jan Rash apo Fernando Torres janë edhe më poshtë.

Liverpuli u duk në formë të madhe, pak ditë përpara gjysmëfinales së parë të Championsit ndaj Barcelonës që do të luhet të martën e 30 prillit në “Kamp Nou”.

Nabi Keita shënoi që në minutën e parë ndaj Hadërsfildit, ndërsa Sadio Mane realizoi një dygolësh.

Gjithsesi, ka një shqetësim, dëmtimi i sulmuesit tjetër të rëndësishëm, Roberto Firmino.

Braziliani ka probleme muskulore dhe mediat thonë se është në dyshim për Championsit, ndonëse trajneri Klop qetësoi tifozët duke thënë se është gjë e vogël.

Liverpuli është në krye të Premier Ligës me 91 pikë pas 36 ndeshjesh, ndërsa Mançester Siti ka 89 pikë me 35 takime të luajtura./abcnews.al

ronaldo.jpg
nev ila13:56 | 21/04/2019

Kristiano Ronaldo vendos rekord pas titullit të fituar me Juventusin. Ylli portugez është i vetmi në histori që ka triumfuar në Angli, Spanjë dhe Itali.

Askush si ky superyll.

Lionel Mesi mund të jetë gjeniu i futbollit botëror, por si Kristiano Ronaldo nuk ka të dytë në planet.

Fitoi edhe titullin në Serinë A, duke u bërë i vetmi lojtar në histori që ia del edhe në Itali, pasi triumfoi në Angli dhe në Spanjë, pra në tri ligat më të mëdha të botës.

E filloi në Angli në vitin 2007 duke marrë tre Premier Liga radhazi.

E vazhdoi në Spanjë, me titujt në La Liga në 2012 e 2017, për ta përfunduar në Torino.

Fitorja 2-1 ndaj Fiorentinës e bëri titullin matematikisht të fituar, një sukses i jashtëzakonshëm edhe për CR7-ën edhe pse nuk shënoi gol.

Dyshimi i madh i tifozëve ishte për fatin e Ronaldos sezonin e ardhshëm.

“Do të qëndroj këtu me 1 000 për qind, jam shumë i lumtur, arrita ta fitoj titullin sapo erdha. Një vit i madh, pasi fituam edhe Superkupën. Sezonin e ardhshëm do të shkojë më mirë edhe në Champions” , ishin fjalët e portugezit.

Më pas, në Instagram, kampioni portugez postoi foton e festimit, duke u premtuar tifozëve se ky është vetëm fillimi.

I mësuar me trofe, Kristiano dëshiron të mos ndalet edhe në moshën 34-vjeçare, ndërsa ka mbërritur në kuotën 27 të titujve me klubet.

Mediat sportive italiane mburrën portugezin dhe Juventusin.

La Gazeta delo Sport”: Juventusi fillon nga numri 8! Fiton titullin e 8-të radhazi! CR7: Qëndroj këtu me 1 000 për qind!

“Tutosport” rreshton sukseset radhazi që nga viti 2012 dhe titullon: Titull i pafund! Juventus femra, dyfishin përrallor!

Ishte pra, edhe skuadra e vajzave që fitoi titullin kampion në Itali, të dytin radhazi, pasi mundi 3-0 Helas Veronën në fushën e kësaj të fundit.

Ishte një triumf i vështirë, me vetëm një pikë më shumë sesa Fiorentina.

Juventusi pra duket në formë për meshkuj e për femra./abcnews.al

nba-1280x720.jpg
ent ela22:30 | 08/04/2019

Hjustoni vendosi një rekord të ri në Basketbollin Amerikan për gjuajtjet me vlerë tri-pikëshe. Skuadra nga Teksasi shënoi plot 27 herë në fitoren ndaj Feniksit.

Hjustoni vendosi rekordin e ri në NBA, me 27 kosha tri-pikësh realizuar në një ndeshje të vetme. Një mbrëmje padyshim e paharruar. Plot 8 lojtarë në parket shënuan kosha nga distanca dhe rekordi i NBA-së u thye.

Nga 26, tani janë 27 realizime tri-pikëshe në një ndeshje të vetme të basketbollit amerikan, dhe “vula” iu vu nga Hjuston Rokits. Xhejms Harden shënoi 5 nga 6 tentativat, veçse më i miri ishte Erik Gordon me 8 gjuajtje të sakta (nga 13).

Edhe rekordin e mëparshëm, e mbante po Hjustoni, që duket si skuadra më e specializuar në NBA për këtë element, edhe më e mirë sesa Golden Stejti. Suksesi ishte i thellë, 149-113, ndaj Feniksit, dhe kjo tregon formën e mirë të skuadrës nga Teksasi.

Harden shënoi 30 pikë, Erik Gordon 26 dhe qendra Klint Kapela pati 22. Kapiteni, madje, pushoi gjatë gjithë periodës së katërt, për të qenë më i freskët për Play Off-in.

Trajneri Majk D’Antoni dhe tifozët në “Toyota Center” u kënaqën shumë edhe për faktin se Hjustoni luajti mirë si skuadër, jo thjeshte me aftësi individuale. Plot 12 lojtarë shënuan pikë për vendasit, që do të thotë se ka shumë alternativa në sulm.

Hjustoni mban vendin e tretë në Konferencën Perëndimore dhe që shihet si rreziku numër 1 për Golden Stejtin, pavarësisht se Denveri është në vendin e dytë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono