refugjate

macron1.jpg
G. P.13:43 | 21/09/2018

Presidenti i Francës ka paralajmëruar Italinë se mund të mbetet jashtë zonës Shengen nëse nuk pranon reformimin e misionit Frontex për emigrantët. Gjithashtu Macron ripërsëriti se ajo që kalon Italia nuk është krizë emigrantësh, por krizë politike.

“Ata që na thonë se Evropa nuk është në gjendje të dakordohet, janë të njëjtit që krijojnë kriza dhe tensione”.

Samiti i Salzburgut i dedikuar Brexit dhe emigracionit përfundoi dhe Emmanuel Macron vendos disa fishekë në karikatorin e tij. Pastaj merr shënjestër: së pari drejt vendeve të Vishegradit, pastaj drejt Italisë.

“Vendet që nuk duan të forcojnë Frontex do të dalin nga Shengen”, u shpreh ai.

Sot Italia është një nga vendet më skeptike me propozimin për të forcuar Gardën Kufitare të BE-së, nisur nga Jean-Claude Juncker dhe mbështetur nga të gjitha shtetet kryesore evropiane.

Paralajmërimi i Macron mund të jetë bërë në sajë të fushatës elektorale, për shkak të zgjedhje për Parlamentin Evropian. Dhe në fakt, kështu është lexuar edhe nga kryeministri Italian, Giuseppe Conte, i cili komenton sulmet që nisen nga Parisi, shpesh në adresë të Matteo Salvinit.

Por presidenti francez, me kërcënimin e izolimit të Italisë nga Shengen, prek një aspekt shumë të rëndësishëm. Një çështje thelbësore, e cila qëndron në qendër të projektit për të krijuar nga polici kufitare të BE-së.

Shefi i Pallatit Elize ripërsërit se ajo në zhvillim në Mesdheun Qendror nuk është një krizë migratore, por një “krizë politike” e lidhur me “ndjeshmërinë italiane”. Edhe numrat tregojnë se fluksi migrator është drejtuar nga brigjet e Greqisë dhe Spanjës.

“Tensionet,- vijon presidenti francez,- janë krijuar nga ata që nuk respektojnë të drejtën humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare të detit, duke refuzuar anijet që arrijnë edhe pse portet e tyre të sigurtë janë më të afërt”.

Macron është i bindur që në një farë pike çështjet do të prekin fundin dhe do të zhvillohet një lloj llogaridhënie, siç po ndodh me ata që kanë synuar për Breksit.

“Kjo tregon se të largohesh nga BE nuk është kaq e lehtë, dhe mbi të gjitha ka disa pasoja”.

Ashtu si mungesa e qasjes në tregun e BE-së për Londrën. Ose, në perspektivë, dëbimi nga Shengen për Italinë dhe shkurtimi i fondeve strukturore për Hungarinë që refuzon të mirëpresë refugjatët./abcnews.al

b.jpg
G. P.09:33 | 12/09/2018
Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se çdo ditë mijëra venezuelianë braktisin vendin e tyre. Mbi 2 milionë janë larguar dy vitet e fundit, për shkak të trazirave ekonomike dhe politike në Venezuela. Ata shkojnë në vende fqinjë si Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori në kërkim të një jete më të mirë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza ishte në Brazil për të folur me disa prej tyre.Kampet e refugjatëve po mbushin Brazilin. Mijëra venezuelianë po kërkojnë ndihmë për shkak të mungesës së barnave, ushqimeve dhe shërbimeve të tjera, shkaktuar nga kriza ekonomike në vendin e tyre.

Me katër nga gjashtë fëmijët e saj, Natalie Silva, një nënë venezuelianë, po kërkon strehim në Pacaraima, një komunë në veri-perëndim të shtetit Roraima në Brazil.

“Më kanë dhënë ndihmë me shërbime sociale, personeli ushtarak ka qenë shumë i sjellshëm me mua, më kanë dhënë pelena, ushqim, veshje dhe ujë për fëmijët. Tani po pres që të na caktojnë një banesë. Nesër shkojmë në spital sepse kemi malarjen”,thotë ajo.

Sipas autoriteteve lokale, mesatarisht 600 venezuelianë mbërrijnë çdo ditë në kufi. Ushtria braziliane menaxhon qendrën e regjistrimit dhe merr masat e sigurisë.

“150 anëtarë të ushtrisë janë pjesë e operacionit së bashku me personelin civil. Operacioni i Pacaraimas ka 250 vetë”, thotë koloneli Hilel Zanatta.

Operacioni ka tre faza: kontrolli i kufirit, strehimi në Boa Vista dhe integrimi. Përfaqësuesi i agjencisë së OKB-së për refugjatët në Brazil, thotë se është rritur numri i venezuelianë që kërkojnë ndihmë.

“127 mijë venezuelianë kanë hyrë në Brazil që nga viti 2017, rreth 58 mijë vazhdojnë të jenë këtu. Rreth 33 mijë kanë kërkuar zyrtarisht azil nga policia federale. 12 mijë të tjerë kanë kërkuar viza për qëndrim të përkohshëm”, thotë Luis Fernando.

Megjithatë ka pasur edhe shprehje pakënaqësie nga vendasit. Ata shohin një lidhje direkte mes rritjes së numrit të venezuelianëve dhe problemeve të sigurisë.

“Ka mungesë sigurie. Shumë njerëz vijnë për të shkarkuar probleme, bëjnë gjëra të çuditshme”.

Brazili është një nga vendet e Amerikës së Jugut që ka zbatuar një përgjigje humanitare ndaj krizës venezueliane. Por për shkak të barrës ekonomike, presidenti brazilian, Michel Temer po konsideron mundësinë e kufizimeve.

Organizata e Shteteve Amerikane në një takim të posaçëm, analizoi krizën e imigracionit, të shkaktuar nga ikjet nga Venezuela. María Claudia Pulido, ndihmës sekretare ekzekutive e Komisionit Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut tha se kriza shtrihet në disa vende dhe kërkon një përgjigje rajonale, duke respektuar të drejtat e njeriut./VOA

emigrantet-itali-933x445.jpg
G. P.20:57 | 25/08/2018

Shqipëria është e gatshme të ndihmojë Italinë në zgjidhjen e situatës së krijuar nga bllokimi i 150 emigrantëve në det, duke ofruar gatishmërinë të strehojë një pjesë të emigrantëve të anijes “Diccioti” e bllokuar prej ditësh në portin e Katanias.

Burime të Tv Klan thanë se mes dy qeverive është rënë dakord që vendi ynë të marrë 20 emigrantë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati njoftoi në Twitter se Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj për përballimin e kësaj situate.

“Itali, ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën, por jemi gjithmonë këtu, nga ana tjetër e një deti ku ishim ne dikur ata eritreas që vuajnë ditë e natë në mes të detit, në pritje që Evropa të zgjohet!!! Dje Italia na shpëtoi. Sot jemi gati të ndihmojmë”.

Ministri Bushati zhvilloi edhe një bisedë telefonike me homologun e tij italian Enzo Moavero Milanesi, i cili falenderoi qeverinë shqiptare për gadishmërinë e treguar dhe vlerësoi këtë veprim duke e cilësuar si një shembull inkurajues për shumë vende të BE-së.

Sakaq, situatat sanitare në anijen ‘Diciotti’ mbetet delikate. Autoritetet urdhëruan zbritjen e 17 personave, disa prej tyre të dyshuar se janë infektuar me turbekuloz.

Dështimi në arritjen e një marrëveshjeje me BE-në për menaxhimin e emigrantëve të bllokuar në anijen e ankoruar në portin e Katanias ka futur në krizë Italinë. Kryeministri Giuseppe Conte ka mbetur i paralizuar mes qëndrimit kategorik të dy zëvendësve të tij kundër zbarkimit të refugjatëve dhe përgjigjes së prerë të Brukselit, që refuzon ndarjen në kuota. Conte shpresonte në gadishmërinë e vendeve anëtare, një shpresë kjo që rezultoi e kotë pasi përgjigjia e BE-së nuk linte vend për interpretime.

Ministri i Brendshëm Mateo Salvini propozoi identifikimin e emigrantëve në bordin e anijes dhe shqyrtimin po atje të atyre që mund të kenë të drejtë për azil.

Tv Klan

lezhe.jpg
G. P.12:01 | 11/07/2018

Dy persona u arrestuan nga Policia e Lezhës për shkak se tentuan të japin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të 7 shtetasve të vendeve të treta.

Ata janë Besnik Gjoka, 46 vjeç nga ishulli i Shëngjinit dhe Valentino Ndoci, 48 vjeç, nga Puka.  Shtatë persona të vendeve të treta u gjetën brenda një tuneli tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Prej aty, ata do nisnin rrugën drejt Malit të Zi. Ndërkohë po mëngjesin e kësaj të mërkure, Policia Kufitare e Korçës ndaloi 4 emigrantë të paligjshëm në kufirin e gjelbër.

Bëhet fjalë për 3 shtetas sirianë dhe 1 palestinez. Ata u kapën në piramidën nr 3 në kufirin e gjelbër, ndërsa po tentonin të kalonin kufirin në këmbë. Katër refugjatët, të gjithë meshkuj, u nisën drejt qendrës së azilkërkuesve në Tiranë./abcnews.al

salvini12.jpg
G. P.08:17 | 27/06/2018

Në grindjen për mënyrën e veprimit me refugjatët që duan të hyjnë në Europë, kampet e pritjes në vende të tjera jashtë BE po shihen si një opsion. Por Libia i tha jo ministrit të ri të Brendshëm italian, Matteo Salvini.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvinin në Tripoli, zëvendëskryeministri i Libisë, Ahmed Meitik u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë me Bashkimin Europian në çështjen e migracionit ilegal. Por Libia e refuzoi “kategorikisht” që qendra të tilla të ngrihen në territorin e saj. Kjo do të shkelte ligjin libian.

Salvini kërkon kampe në 5 vende afrikane

Ministri i Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvini ishte shprehur më parë për ngritjen e kampeve pritëse për refugjatët në 5 vende afrikane, por pa përmendur emra konkretë. Në kthim në Itali ai u shpreh pastaj konkretisht për ngritjen e kampeve të tilla në jug të Libisë, Niger, Mali, Çad dhe Sudan. Qendra të tilla pritëse dhe identifikimi do të ndihmojnë Italinë si Libinë, të “ndalë” migracionin, kështu është shprehur kreu i partisë armiqësore ndaj të huajve, Lega. Si shpërblim këto vende do të marrin më shumë ndihma për zhvillim. Për këtë ai do të këmbëngulë edhe në samitin e BE-së në Bruksel më 28 e 29 Qershor.

Mungon gjuha e përbashkët në BE

Në BE diskutohet me zjarr për politikën ndaj refugjatëve. Në ditët e shkuara ka pasur propozime nga më të ndryshmet për migracionin. Franca dhe Spanja janë shprehur për ngritjen e kampeve të mbyllura në territorin e BE-së. Salvini e hodhi poshtë këtë plan. Hotspot-et për regjistrimin e refugjatëve në Itali nuk janë zgjidhja e problemit, sepse nuk e ndërpresin fluksin përmes Mesdheut. Edhe Austria dhe Danimarka duan qendra azili jashtë Europës.

Baza ligjore e paqartë

I pasqaruar është kuadri ligjor për ngritjen e qendrave të tilla të mundshme jashtë BE. Komisioni Europian është shprehur, se qendrat e azilit nuk duhet të jenë ligjërisht “vrima të zeza”. Prandaj edhe azilkërkuesit e mbërritur ndërkohë në BE nuk duhet të kthehen në kampe jashtë BE. “Qendrat e zbarkimit” të këtij lloji nuk janë në ujdi me të drejtën ndërkombëtare, u shpreh një zëdhënëse të hënën në Bruksel.

Libia është porta kryesore për refugjatët nga vendet afrikane që përmes Mesdheut duan të hyjnë në BE. Sipas disa llogaritjeve qindra mijëra vetë presin në Libi për shansin e hyrjes në Europë. Organizatat humanitare kritikojnë trajtimin jo adekuat të këtyre migrantëve në kampet libiane.

Italia mbyll portet

Qeveria nacional-populiste në Romë ka mbyllur portet italiane për refugjatët e shpëtuar në Mesdhe që duan të zbarkojnë në tokë. Qëllimi i saj është që refugjatët që shpëtohen nga roja bregdetare italiane të kthehen me anije në Libi. Roja bregetare italiane i kalon tani sinjalet e emergjencës të lëshuara nga gomonet në rrezik tek roja bregetare libiane. Bllokada italiane ka bërë që prej ditësh qindra afrikanë të ngujohen në anijet e organizatave humanitare dhe anijet e mallrave që kanë marrë në bord njerëzit në rrezik mbytjeje./DW

majkoo.jpg
G. P.16:24 | 20/06/2018

Lidhur me debatin se Shqipëria mund të presë deri në 600 mijë emigrantë, ka reaguar edhe ministri për Diasporën, Pandeli Majko, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e ka quajtur të pavend përhapjen e lajmeve të tilla.

Sipas tij, grumbullimet e refugjatëve, në sasi sfiduese për vendasit do të krijonin një situatë shpërthyese, për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë, e nëse ka ndonjë politikan europian, i cili diskuton “ftesën” për hapjen e negociatave me Shqipërinë, me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve, atëherë kjo ftesë më mirë të mos vijë, pasi nuk do të ishte aspak një ftesë europiane./abcnews.al

azili.jpg
G. P.09:47 | 16/06/2018

Si shpërndahen refugjatët brenda BE dhe kur kontrollohet zona e Shengenit? Rregullat për të drejtën e azilit në nivel të BE nuk janë shumë të thjeshta. Ne ju prezantojmë më të rëndësishmet. 

Politika për dhënien e azilit është një nga temat më të diskutueshme nga partitë në parlamentin gjerman, Bundestag. Sa refugjatë lejohen të hyjnë kur në Gjermani dhe si duhen trajtuar ata janë pyetje, për të cilat partitë gjermane kristiandemokrate, kristiansociale dhe socialdemokrate kanë qëndrime të ndryshme.

Por cilat janë rregullat që duhen respektuar nga të gjithë, jo vetëm në Gjermani por në gjithë Bashkimin Evropian? Ato janë direktivat e Bashkimit Evropian për politikën e azilit. Se si i zbatojnë vendet e veçanta këto direktiva, si i interpretojnë ato dhe si i kthejnë në ligje kombëtare është e drejtë e secilit vend. Prandaj në disa pika ka ndryshime të mëdha midis vendeve të Bashkimit Evropian.

Rregulli i Dublinit

Refugjatë që duan të kërkojnë azil në Gjermani, nuk mund ta bëjnë këtë në çdo lloj vendi. Që prej vitit 2003, ata janë të detyruar të respektojnë rregullin e Dublinit. Ky rregull thotë se refugjatët që kërkojnë azil në një vend të BE-së, duhet ta bëjnë këtë në vendin e parë që shkelin brenda BE.

Vendet anëtare nuk i përmbahen shumë këtij rregulli. Me të ashtuquajturën “Vetë-hyrje”, ato mund të marrin vendim nëse duan ta marrin përsipër procesin e azilit të dikujt, edhe nëse personi ka hyrë në një vend tjetër të BE-së. Gjermania për shembull ka hequr dorë nga dorëzimi i refugjatëve në vende të tjera. Në verën e 2017-ës për shembull Gjermania nuk dërgoi më refugjatë mbrapsht në Hungari. Arsyeja, mungesa e sigurisë ligjore. Komisioni i BE-së akuzoi Hungarinë se ia vështirësoi refugjatëve aksesin në proceset e azilit, në përshtatje me ligjet e BE-së.

Arsye të tjera për të hequr dorë nga Rregulli i Dublinit mund të jenë edhe dyshime në standartet sociale të vendeve të tjera të BE-së. Kështu për shembull Gjermania nuk kthente më refugjatë për në Itali, sepse atje ata nuk sistemoheshin si duhej.

Ndarja e refugjatëve

Megjithë përjashtimet e bëra, Rregulli i Dublinit bën që shtetet anëtare që ndodhen në kufijtë e jashtëm të BE-së, të kenë të bëjnë me shifra të larta të numrit të refugjatëve. Prej kohësh bëhen përpjekje për të vendosur një kuotë shpërndarjeje të refugjatëve në mënyrë që të lehtësohen nga barra e rëndë shtetet si Italia dhe Greqia. Në raste krizash shtetet duhet të pranojnë një numër të caktuar refugjatësh, që vendoset në bazë të numrit të popullsisë së vet.

Një rregullim i tillë ka dështuar deri tani për shkak të kundërshtimit të disa vendeve. Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia refuzojnë të marrin me detyrim refugjatë, që “ju caktohen t’i marrin. Më 2017 Bashkimi Evropian u përpoq që me anë të një “Relocation Program”, të rishpërndante në vende të tjera të BE-së, 160 mijë refugjatë që ndodheshin në Greqi dhe Itali. Por vetëm 26 mijë prej tyre u pranuan vërtet në vende të tjera të BE.

Kontrolle kufitare në zonën e Shengenit

Zona e Shengenit nuk është e njëjtë me zonën e BE-së. Jo të gjitha vendet janë anëtare të zonës së Shengenit, si përshembull Bullgaria dhe Rumania. Ndërkohë disa vende që nuk janë vende anëtare të BE-së, por janë anëtarë të zonës së Shengenit, si për shembull Islanda dhe Norvegjia. Brenda zonës së Shengenit njerëzit mund të lëvizin të lirë. Por ky rregull nuk është gjithnjë i vlefshëm.

Në kuadër të krizës së refugjatëve në vitin 2015, Gjermania futi kontrollin kufitar në zonën e Shengenit për të penguar mundësinë që një numër i madh refugjatësh të futeshin në Gjermani pa u kontrolluar asnjëherë për dokumentat. Kontrollet lejohen vetëm në situata emergjence dhe për afat të shkurtër, por Gjermania e shtoi gjithnjë e më shumë këtë afat, së fundmi në nëntor 2017. Ndërkohë qeveria gjermane e arsyeton kontrollin kufitar me rrezikun e sigurisë publike dhe rrezikut nga terrori.

Akomodimi i refugjatëve

Në çështjen e trajtimit të refugjatëve që presin përgjigje për kërkesën e azilit, vendimtare është si i interpretojnë ligjet e BE-së vendet anëtare. Disa aspekte janë të përcaktuara strikt, si për shembull futja në tregun e punës e azilkërkuesve është e lejuar vetëm pas nëntë muajsh.

Rregullime të tjera nuk kanë formulime strikte. Sipas të drejtës ndërkombëtare të refugjatëve duhet të ekzistojnë kushte pranimi në përshtatje me të drejtat e njeriut. Se si duhet të jenë ato kushte, vendet e vendosin vetë. Prandaj në mënyrën se si akomodohen refugjatët, standartet e vendeve të ndryshme të BE-së, janë shumë të ndryshme.

Kështu për shembull në disa vende ka kampe të mbingarkuara me refugjatë, ndërtesa pa pajisje sanitare ose madje në disa vende nuk janë të rralla çadra për refugjatët. Situata të tilla Gjermania i ka marrë si shkas për të hequr dorë nga rregulli i Dublinit dhe për të mos i kthyer refugjatët në këto vende./Deutsche Welle

edi-rama.jpg
G. P.11:18 | 13/06/2018

Në një intervistë për turken, Anadolu, kryeministri Edi Rama ka komentuar fjalët për një kamp luftëtarësh apo refugjatësh në Shqipëri si fantazi që s’mund të ndodhë. Shefi i ekzekutivit gjatë intervistës ka folur edhe për organizatën FETO në Shqipëri si dhe marrëdhënien e tij me presidentin Erdogan.

Kreu i ekzekutivit shqiptar Edi Rama në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu e ka quajtur “thjeshtësisht fantazi” kampin e refugjatëve të përfolur si qendër rajonale për trajtimin e luftëtarëve.

“Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne”.

I pyetur lidhur me strukturat e organizatës FETO që veprojnë në Shqipëri, kryeministri pohon se qeveria që drejton është e përkushtuar të mos lejojë influencë negative në arsimin në Shqipëri. Sa i përket marrëdhënies Kosovë – BE, Edi Rama e quajti të turpshëm faktin se shqiptarët e Kosovës edhe sot mbeten të izoluar pa patur mundësinë të lëvizin lirisht.

Kryeministri Rama gjatë intervistës foli edhe për marrëdhënien me presidentin Rexhëp Tayp Erdogan, të cilin deklaron se e ka admiruar për së largu dhe është frymëzuar prej tij në kohën kur drejtontë bashkinë e Stambollit. Pas njohjes së afërmi me të marrëdhënia është ngritur mbi respektin reciprok dhe besimin ndaj njëri tjetrit, theksoi shefi i ekzekutivit./abcnews.al

vlcsnap-error155-1280x720.jpg
G. P.18:52 | 09/02/2018

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka denoncuar se refugjatët e strehuar në ishujt grekë bien pre e agresioneve seksuale. UNHCR citon të dhënat e mbledhura nga rreth 620 refugjatë, ndërsa paralajmëron se shifra reale e viktimave është shumë më e lartë.

Refugjatët në qendrat e pritjes në ishujt grekë përballen vazhdimisht me rrezikun për t’u kthyer në viktima të dhunës seksuale. Denoncimi është bërë këtë të premte nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që ka shprehur shqetësim për informacionet e përcjella nga azilkërkuesit. UNHCR ka marrë të dhëna nga 622 refugjatë, që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, që në të paktën 28 për qind të rasteve është verifikuar pas arritjes në Greqi. Por numri i agresioneve, sipas agjencisë së OKB-së, ka gjasa që të jetë shumë më i lartë.

Zëdhënësja Cecile Pouilly ka deklaruar se refugjatët që bien prej e dhunës ngurrojnë të denoncojnë për shkak të turpit dhe frikës për diskriminim apo hakmarrje. “Ndaj numri i incidenteve ka gjasa të jetë shumë më i lartë nga sa është raportuar. OKB aktualisht ka vetëm një ide të pjesshme të asaj që ndodh në të vërtetë”, ka deklaruar Pouilly. Sipas zyrtares, më shqetësuese situata paraqitet në qendrat e pritjes të ishujve Lesbos dhe Samos, ku disa mijëra refugjatë vazhdojnë të qëndrojnë në kushte të rënda strehimi dhe rrjedhimisht siguria e tyre është e cënuar. Qendrat në fjalë mbajnë aktualisht rreth 5 mijë e 500 persona, që është dyfishi i kapaciteteve të tyre./abcnews.al

siria.jpg
G. P.10:54 | 21/01/2018

Pesëmbëdhjetë refugjatë sirianë, disa prej të cilëve fëmijë, janë gjetur të ngrirë për vdekje ndërsa përpiqeshin të kalonin kufirin malor në Liban.

Sipas BBC-së, trembëdhjetë trupa u gjetën të premten, ndërsa dy të tjerë u zbuluan të shtunën, pasi zona ku ata po përpiqeshin të kalonin u godit nga një stuhi e madhe e dëborës.

Sipas mediave, grupi ishte braktisur nga kontrabandistët.

Refugjatët po merrnin të njëjtën rrugë, që qindra mijëra sirianë të tjerë kishin marrë para tyre, duke u përpjekur të arratiseshin nga konflikti në vendin e tyre.
Libani, me një popullsi prej katër milionë banorësh, ka pranuar rreth një milion sirianë që nga fillimi i luftës në vitin 2011./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono