referendum

rumania-referendum-1280x684.jpg
ent ela14:55 | 26/05/2019

Qytetarët në Rumani po votojnë këtë të diel në një referendum të thirrur nga presidenti për të shprehur vullnetin mbi reformat në drejtësi, të cilat koalicioni qeverisës po kërkon t’i zhbëjë.

Rumunët kanë dalë të dielën në votime për referendumin mbi nismën e koalicionit qeverisës për të zhbërë reformat anti-korrupsion, në vendin që konsiderohet më i korruptuari në Bashkimin Europian. Referendumi, që po mbahet paralelisht me votimet për Parlamentin Europian, u organizua nga presidenti Klaus Iohanis, i mbështetur nga opozita e qendrës së djathtë.

“Drejtësia është çështje e interesit kombëtar dhe qytetarët kanë të drejtë të vendosin nëse duan ose jo që korrupsioni të kthehet në një politikë shtetërore”, deklaroi Iohanis kur thirri referendumin. Disa mijëra rumunë protestuan në shkurt pasi qeveria e majtë miratoi pa një debat publik një masë që kufizon pavarësinë e prokurorisë. Lëvizja ishte e fundit e një seri ndryshimesh legjislative dhe personeli nga Partia Social-Demokrate, që kur ajo mori pushtetin 2 vjet më parë.

PSD e kundërshtoi referendumin dhe miratoi një dekret që ndryshoi pragun e votimit, duke bërë që referendumi të jetë i vlefshëm vetëm nëse në votime marrin pjesë 30 për qind e votuesve të regjistruar në listat kombëtare në vend të atyre të regjistrit elektoral, që janë rreth 600 mijë më shumë. Përpara se PSD të vinte në pushtet, Bukureshti kishte fituar çmimin e BE-së për luftën kundër korrupsionit nën drejtimin e prokurores speciale Laura Koevesi, që u shkarkua vitin e kaluar për abuzim me anë të detyrës. /ABC News Albania 24/7

JOHNSON-BREXIT.mpg_snapshot_00.03-1280x722.jpg
G. P.20:04 | 02/03/2019

Një referendum i ri për Brexit do të ngjallte shumë zemërim të britanikët. Deklarata është bërë nga Boris Johnson, një nga propozuesit e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, i cili ka kritikuar dhe ata që i cilëson si bastardë që drejtojnë Europën. Ish-ministri i Jashtëm britanik u shpreh se nuk e mendonte si të mundur një referendum të dytë për Brexit.

“Mendoj se zemërimi i popullit të zhgënjyer do ishte shumë i fortë”, theksoi ai./abcnews.al

 

britani-1280x623.jpg
ent ela09:15 | 26/02/2019

Laburistët në Mbretërinë e Bashkuar kanë bërë një kthesë të papritur në qëndrimin e tyre për Breksit. Lideri Xhermi Korbin ka deklaruar se ata janë të gatshëm ta çojnë vendin në një referendum të dytë për daljen ose qëndrimin në BE.

Laburistët në Britaninë e Madhe kanë deklaruar se janë gati të mbështesin një referendum të dytë për qëndrimin në BE, në mënyrë që të shmangin daljen e dëmshme të përgatitur nga konservatorët. Lideri Xheremi Korbin i ka thënë grupit të tij parlamentar se partia do ta mbështesë një Breksit të dytë nëse varianti i propozuar prej saj hidhet poshtë në votimin e së mërkurës. Sipas BBC, bëhet fjalë për një zhvillim shumë domethënës nisur nga fakti se më parë zoti Korbin ka qenë një kundërshtar i thekur i një votimi të dytë. Por ndërsa kryeministrja Theresa Mej ndodhet nën presion për të shtyrë datën e daljes nga BE-ja më 29 mars, laburistët nuk i kanë sqaruar ende karakteristikat e referendumit të dytë. I pyetur nga mediat, një zëdhënës ka deklaruar se, laburistët thjesht do të mbështesin një votim të dytë popullor për të shmangur variantin e dëmshëm të konservatorëve. Ndërkohë, në një komunikatë drejtuar Parlamentit thuhet se çdo referendum tjetër duhet të përmbajë në mënyrë të qartë opsionet e largimit dhe qëndrimit në BE. Kryeministrja Mej insiston ndërkohë se Mbretëria e Bashkuar mund të largohet nga Unioni muajin e ardhshëm, siç është parashikuar./abcnews.al

brexit.jpg
G. P.22:03 | 28/10/2018

Fushata e gazetës “The Independent” për një referendum të dytë për Brexit ka mbledhur 1 milion firma vetëm në 3 muaj, që prej fillimit të nismës. Kjo është bërë e ditur nga vetë e përditshmja britanike. Gazeta nisi fushatën me 25 korrik duke shpjeguar në një editorial se referendumi I 2016-s “i ka dhënë sovranitet popullit britanik, tani populli ka të drejtë të thotë fjalën e fundit”, edhe për rezultatin e negociatave me Brukselin për divorcin nga BE.

Idea e një referendumi të dytë përjashtohet nga qeveria e Londrës. Ndërsa nga ana tjetër, mundësia që kryeministrja Theresa May të arrijë një marrëveshje me Brukselin dhe që të aprovohet nga parlamenti është shumë e ulët. Gjithashtu për Brexit po rriten dhe protestat në vend. Javën e kaluar në Londër u mblodhën më shumë se 600 mijë persona për të kërkuar një referendum të dytë./ABCNEWS.AL

brexit.jpg
G. P.22:05 | 20/10/2018

Rreth 670 mijë britanikë kanë mbushur rrugët e Londrës për të kërkuar një referendum të dytë mbi Brexit. Përballë tyre kanë dalë protestues rivalë të udhëhequr nga ish-lideri i nacionalistëve të JUKIP, që ka deklaruar se qytetarët duan të largohen nga BE-ja.

Protestues që bëjnë thirrje për një referendum mbi marrëveshjen finale të Brexit kanë mbushur të shtunën rrugët e Londrës. Ata janë mbledhur në sheshin e Parlamentit dhe organizatorët e tubimit thonë se bëhet fjalë për protestën më të madhe, më të rëndësishme dhe më të zhurmshme të mbajtur ndonjëherë në lidhje me këtë çështje.

Votuesit në moshë të re kanë udhëhequr marshimin e organizuar nga grupimi “Vota e Popullit”, ndërkohë që një protestë paralele pro daljes nga BE-ja është mbajtur në Herrogejt, e udhëhequr nga ish-lideri i partisë nacionaliste JUKIP, Najxhel Farazh. Deputetë nga të gjitha partitë politike po mbështesin të rinjtë në kërkesën për një referendum të ri, opsion që është refuzuar disa herë nga kryeministrja Theresa May.

Sipas BBC, që citon organizatorët e protestës, personat e mbledhur janë rreth 670 mijë. Ndërkohë, në protestën rivale, politikani Farazh ka deklaruar se ngjarjet e së shtunës tregojnë se qytetarët britanikë, përfshirë ata që në fillim ishin kundër, tani dëshirojnë largimin nga BE-ja.

“Dhe ky është mesazhi ynë, vazhdoni me planin. Na premtuat që nëse do të votonim pro largimit do të largoheshim dhe kështu duhet të ndodhë”, ka thënë Farazh.

Në referendumin e Qershorit të vitit 2016, qytetarët britanikë votuan pro daljes nga Bashkimi Europian, me një shumicë të ngushtë, 51.8 dhe 48.1 për qind. Tani, Mbretëria e Bashkuar duhet të zyrtarizojë largimin më 29 Mars të vitit të ardhshëm./abcnews.al

vmro.png
G. P.12:20 | 09/10/2018

Partia opozitare në Maqedoni VMRO – DPMNE është kritikuar nga Partia Popullore Europiane, pjesë e së cilës është dhe ajo, për sa i përket qëndrimit të mabjtur ndaj referendumit për emrin.

Partia Popullore Europiane, ku anëtare është VMRO-DPMNE, partia opozitare në Maqedoni ka reaguar pas referendumit për emrin. Kreu i këtij grupimi politik, Zhozef Dol, në profilin e tij në Twitter ka shkruar se është i zhgënjyer nga qëndrimi i partisë maqedonase në lidhje me procesin për emrin.

Ndër të tjera Dol shkruan se duhet të merret vendim i rëndësishëm për të ardhmen e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe të të gjithë rajonit në BE dhe në NATO. Dialogu midis atyre në pushtet dhe opozitës është i nevojshëm sepse kjo është pjesë e rëndësishme e demokracisë, përfundon ai.

Vonesa në reagim e Partisë Popullore Europiane ka ndodhur sepse gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur përpjekje për një dialog me VMRO-DPMNE në Maqedoni./abcnews.al

vota.png
G. P.22:41 | 07/10/2018

Referendumi në Rumani për ndalimin e ligjit qe lejon martesat mes së njëjtës gjini ka regjistruar një pjesëmarrje të ulët të votuesve, që me shumë gjasë do ta bëjë të pavlefshëm. Ky referendum i mbajtur dje dhe sot është mbështetur nga të gjitha partitë parlamentare.

Qytetarë të shumtë në Rumani bojkotuan votimin e së dielës nëse do të sanksionojnë në Kushtetutë se martesa duhet të jetë vetëm midis një burri dhe një gruaje, pasi pjesëmarrja mbeti e ulët në ditën e dytë të referendumit.

Vota shihet si një provë për popullaritetin e Partisë Social Demokratike në pushtet (PSD). Anëtari konservator i Bashkimit Evropian aktualisht bllokon martesat dhe partneritetet civile për çiftet e të njëjtit seks.

Referendumi u organizua nga një grup i shoqërisë civile, i quajtur Koalicioni për Familjen, i cili grumbulloi 3 milionë nënshkrime për të nxitur votimin për të siguruar që çiftet homoseksualë kurrë të mos fitojnë të drejtën për t’u martuar në të ardhmen.

Koalicioni ka marrë mbështetje nga Kisha Ortodokse dhe fetë e tjera, si dhe të gjitha partitë parlamentare, të cilët kanë reklamuar referendumin. Disa përpara mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja e votuesve ishte vetëm 16 përqind. Votimi ka nevojë për një normë të pjesëmarrjes prej 30 përqindësh, ose mbi 5 milionë njerëz, që të jetë i vlefshëm.

Para referendumit, dhjetëra anëtarë të Parlamentit Evropian dërguan një letër të hapur për kryeministren e Rumanisë duke i thënë asaj se referendumi ishte një gabim që do të nxiste urrejtje kundër komunitetit LGBT. Gjithashtu referendum është kundërshtuar edhe nga shumë grupime për të drejtat e njeriut./abcnews.al

arben-cejku.png
G. P.20:54 | 05/10/2018

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku ishte i Ftuar në “Provokacija” për të folur rreth referendumit për marrëveshjen me Greqinë që u zhvillua në Maqedoni. Për Çejkun, referendumi ishte një fitore brenda dështimit.

“Unë e kam cilësuar disa orë pasi përfundoi referendumin si një fitore brenda dështimit, pasi në këndvështrimin e cilësisë së pjesëmarrjes ishte një fitore, duke qenë se ata që morën pjesë votuan 90% pro. Kurse ishte një deshtim përs sasinë e pjesëmarrjes sepse duhet të ishte mbi 50%”, u shpreh Çejku.

Tashmë vendimi do të merret nga parlamenti sipas Çejkut. Ai tha gjithashtu se në Maqedoni mund të ndodhë ajo që ka ndodhur në Shqipëri që kalojnë disa deputetë të opozitës për të bërë mazhorancë.

“Vendimi do të merret nga parlamenti, edhe nëse do të kishte patur sukses. Interpretimi tashmë do të jetë politik. Nuk ka më asnjëlloj interpretimi tjetër. Kjo do të thotë që sa më parë të gjendet një mekanizëm për ta zgjidhur situatën parlamentit aq më mirë është sepse ky referendum do të përcillet në debatin e përditshëm si një mbështetje ose si një referendum i partive sepse VMRO po përpiqet ta paraqesë si referendum partiak, pra si mbështetje masive ndaj VMRO-së. Ndërkohë që LSDM thotë që ata që morën pjesë ishin masivisht pro. Pra kemi dy fitore që nuk korrespondojnë me njëra tjetrën. E vetmja zgjidhje tashmë shihet parlamenti dhe presioni ndërkombëtar do të fokusohet tek parlamenti, tek numri i deputetëve dhe mund të ndodhë ajo që ka ndodhur në Shqipëri që kemi kalim të disa deputetëve për të bërë një mazhorancë për interesat e vendit”, tha Çejku./abcnews.al

hahn.png
G. P.15:52 | 05/10/2018

Duke komentuar përsëri referendumin në Maqedoni, eurokomisioneri Hahn thotë se nuk nevojiten zgjedhje të reja në vend. Sipas tij duhet thjeshtë të arrihet dy e treta e votave në Kuvend për të siguruar zbatimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn konsideron se nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni.

Por sipas tij duhet të shfrytëzohet mundësia e sigurimit të dy të tretave të votave në Kuvend për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës për emrin. Në një prononcim për gazetën austriake “Kurir”, Hahn tha se këtë porosi ia ka përcjellë dhe kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.

“Zgjedhjet e reja do të jenë stërzgjatje e rrugës drejt fillimit të negociatave për qasjen e Maqedonisë në BE, e planifikuar në verë vitin e ardhshëm”, u shpreh zyrtari I Brukselit.

Lidhur me referendumin, Hahn theksoi se nuk mund të thuhet se ka qenë i pasuksesshëm.

“E pazakontë është në referendum të merret mbështetje prej 94 për qind, por të dalin vetëm 36.8 për qind e votuesve, edhe atë pasi opozita padyshim ishte e suksesshme në bojkotimin”, shtoi më tej eurokomisioneri.

Hahn mendon se në Kuvendin maqedonas mund të sigurohen dy të tretat e votave.

“Nevojiten tetë apo nëntë vota nga opozita dhe ajo patjetër të jetë e realizuar. Të gjithë thonë se duan anëtarësim në BE dhe NATO duke përfshirë edhe opozitën, dhe atëherë duhet patjetër të paguani çmimin e kësaj zgjidhjeje”, përfondoi Hahn./abcnews.al

levizja-besa.png
G. P.19:50 | 03/10/2018

Kryetari i lëvizjes Besa në Maqedoni ka deklaruar se vendi ka shanse për të miratuar ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja me Greqinë para se të shkojë në zgjedhje. Në një intervistë për “TV Klan Maqedonia”, Bilal Kasmi ka nënvizuar se në ndryshimet kushtetuese duhet të përfshihen edhe kërkesat dhe interesat e shqiptarëve.

Kreu i Lëvizjes opozitare Besa, Bilal Kasami, në një prononcim për Tv Klan ka komentuar situatën pas referendumit të pasuksesshëm në Maqedoni. Sipas tij, partitë për kapërcimin e krizës politike duhet të kenë parësore interesat e qytetarëve. Kasami është i mendimit se parlamenti duhet të bëj së pari ndryshimin e Kushtetutës, konform marrëveshjes së arritur me Greqinë, për emrin, e pastaj të shkohet në zgjedhje.

“Ne si Lëvizje Besa do të angazhohemi fuqishëm që të mos humbim kohë, por të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të vendosim bashkarisht se kur do të shkojmë në zgjedhje. Nëse partitë dalin përmbi interesat politike, ky legjislacion e ka ende mundësinë të marrë vendime të rëndësishme për shtetin”, shprehet Kasami.

Megjithatë, kreu i Lëvizjes Besa angazhohet që në ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë të shikohen edhe interesat e shqiptarëve të këtushëm.

“Kushti ynë do të jetë mbrojtja e interesave shqiptare. Shqiptarët duhet që në Kushtetutë të specifikohen si shqiptarë në pjesën ku flitet për gjuhën shqipe”, thotë Kasami.

Lidhur me deklaratën e shefit të diplomacisë geke Nikos Kocias dhënë televizionit shtetëror grek, i cili kishte veçuar rolin e partisë Besa siç tha, në pjesëmarrjen e ulët të votuesve në referendumin e së dielës, kreu i Lëvizjes Besa tha se pavarësisht pretendimeve për ndikime, opozita shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm duke siguruar vota të mjaftueshme që referendumi të jetë i sukseshëm.

“Pretendimeve për ndikime rajonale, sikurse tha ministri grek, unë u them se votat dhe numrat këtu tregojnë se realiteti është ndryshe. Mbi 150 mijë vota janë vota të opozitës shqiptare dhe ato bënë që referendumi të kalojë kushtin politik dhe të llogaritet si i suksesshëm”, theksoi Kasami.

Aktualisht, në referendumin e së dielës nuk u arrit censusi për kalimin e tij dhe kjo e ka futur vendin në një ngërç për kapërcimin e të cilit do të duhet edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono