Real Madrid

duranti.jpg
G. P.21:26 | 30/11/2018

Një basketboll i nivelit të lartë u luajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë. Kevin Durant dhe Lebron James ishin të shkëlqyer, ndonëse patën fat të kundërt.

Tri histori të mëdha i ndanë vetëm pak orë. Amerika dhe Europa provuan thuajse njëkohësisht emocionet e rralla të basketbollit, me protagonist dy yje në NBA dhe dy formacione fitues në Euroligë. Ata ishin Kevin Durant e Lebron James në bregun e majtë të Atlantikut, dhe CSKA e Moskës e Reali i Madridit në atë të djathtin. Durant ishte sërish lider i Golden State, ndonëse shkëlqimi i tij prej 51 pikësh nuk i siguroi dot fitoren ekipit të tij. Supertalenti pati ndeshjen e tretë radhazi me të paktën 44 pikë të realizuara, një nga të paktët në historinë e lavdishme të NBA-së. Ai shtoi edhe 11 topa në tabela dhe 6 pasime për kosh, ndërsa Golden Stejti u mund në fushën e Torontos, 128-131, pas kohës shtesë.

Pavarësisht humbjes, kampionët luajtën me dy mungesa të mëdha, si Stephen Curry e Drejmond Green, ndaj kur ata të kthehen, besohet se ata do të jenë sërish favoritë për të mbrojtur titullin. Lebron James, ndërkaq, shkëlqeu në fitore. Basketbollisti numër 1 i botës shënoi 38 pikë në 38 minuta, duke qenë ai faktori kryesor i suksesit të Los Angelos Lakes ndaj Indianës në triumfin, 104-96. James kapi 9 topa në tabela, shërbeu 7 pasime për kosh dhe vodhi dy topa, në një sfidë tepër të vështirë, duke i dhënë fund serisë prej 3 humbjesh radhazi të skuadrës së tij.

Edhe Europa pati kulmin e saj të lojës së koshit. Në Madrid u luajt një finale e parakohëshme e Euroligës, mes Realit dhe CSKA-së së Moskës. Kampionët në fuqi të kontinentit u mundën në shtëpi nga formacioni rus, 88-93. Miqtë kryesuan në pjesën më të madhe të kohës, nën lidershipin e amerikanëve Higin e Klajbërn, si dhe të francezit De Kolo. Madrilenët kaluan në epërsi në pjesën e dytë, por nuk mundën të përballonin forcën fizike të rivalëve, pavarësisht lojës së mirë të argjentinasit Kampaso, dhe spanjollëve Rudi Fernandez e Felipe Rejes. CSKA u ngjit e vetme në krye të Euroligës me 9 fitore e 1 humbje, ndërsa Reali është i treti./abcnews.al

rives.jpg
G. P.15:43 | 30/11/2018

Do të zhvillohet në stadiumin e Realit të Madridit, finalja e Kupës Libertadores. River Plate dhe Boca Juniors përcaktojnë titullin në datën 9 Dhjetor.

Nuk mund të kishte vend më të mirë për ta luajtur. Një stadium kampionësh për të përcaktuar titullin kampion të Amerikës së Jugut, pra në finalen e kupës “Libertadores”. River Plate dhe Boca Juniors do të ndeshen në “Santiago Bernabeu”, në 9 Dhjetor, për sfidën fundore që do të vendosë fituesin e trofeut më të madh amerikanolatin. Kështu bëri me dijë përfaqësuesi i Federatës së Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL, pas marrëveshjes që u arrit me Realin e Madridit.

“Madridi është një nga qytetet më të sigurt në botë dhe ka komunitetin më të madh argjentinas në Europë, – tha presidenti Alehandro Domingez, – Kupa Libertadores nuk e humb identitetin e saj po u luajt në Spanjë”.

Finalja e dytë ishte parashikuar të luhej në stadiumin “Monumental” të River Plate në Buenos Aires, por u shty e pastaj u anulua, pas sulmit që tifozët vendas i bënë autobusit me lojtarët e Boca-s, ku u lënduan disa futbollistë. Boca kërkoi ta fitonte trofeun në tavolinë, por kjo u hodh poshtë, ndërsa Riveri mori gjobë me vlerë 400/000 USD.

U diskutua që finalja të luhej në Paraguaj ose në Katar, por përfundimisht u vendos në Madrid. Ndeshja e parë, Boca-River përfundoi 2-2, ndërsa fituesi i kupës “Libertadores” do të marrë pjesë në Kupën e Botës për klubet, që do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 12 deri në 22 Dhjetor./abcnews.al

realii.jpg
G. P.22:01 | 24/11/2018

Katastrofë e vërtetë e Realit në ligën spanjolle. Humbje e rëndë në fushën e Eibarit, me skuadrën nga Madridi që vazhdon krizën e lojës dhe të rezultateve.

Nuk mund të quhet një mundësi e humbur. Aspak, kjo që i ndodhi Realit në stadiumin e Eibarit e ka emrin “kapitullim”. Vetëm pak ditë pasi klubi konfirmoi Santiago Solarin si trajner me fuqi të plota, skuadra madrilene pësoi një katastrofë të vërtetë në La Liga, duke humbur 0-3 përballë një rivali tepër modest.

Në prani të jo më shumë se 7 000 spektatorëve, ekipi i yjeve si Kurtua, Marselo, Ramos, Modriç, Kros, Bejl apo Benzema, mori një leksion nga lojtarë të vlerësuar fare pak. Eskalante shënoi golin e parë që në minutën e 16-të, ndërsa pas pushimit kur pritej reagimi madrilen, erdhën edhe dy rrjeta të tjera, me autorë Sergi Enrikun dhe Kiken.

Çfarë ndodhi me kampionët e Europës?

Ndoshta akuzat për doping ndaj kapitenit Ramos kanë ndikuar tek vetë lojtari dhe tek skuadra, por kur humbet kështu, shkaqet janë më të thella. Reali i këtij sezoni vazhdon të mos bindë, ndërsa gjithnjë mendohet largimi i Kristiano Ronaldos, njeriut që shënonte nga 40 apo 50 gola çdo sezon.

“E shtuna e zezë” ishte emri që i vunë mediat disfatës në stadiumin “Ipurua”, ku më të dobëtit u cilësuan Marselo dhe Bejl. Pavarësisht nga gabimet e Barcelonës apo të Atletikos së Madridit, nuk duket se ky Real është në gjendje të përfitojë dhe të synojë titullin kampion./abcnews.al

ramos.jpg
G. P.16:10 | 24/11/2018

Revista gjermane “Der Shpigel” vazhdon akuzat ndaj disa prej yjeve më të mëdhenj të Realit. Pas Kristiano Ronaldos, në qendër të skandalit ka përfunduar kapiteni Sergio Ramos.

Kjo media është kthyer në armikun numër 1 në Madrid. Ishte revista “Der Shpigel” që botoi historinë e bujshme të përdhunimit të dyshuar, të kryer nga Kristiano Ronaldo në SHBA. Është sërish kjo media gjermane që publikon një tjetër skandal të dyshuar, atë të daljes pozitiv me doping të Sergio Ramosit në finalen e Championsit në 2017 ndaj Juventusit, fituar 4-1 nga madrilenët.

“Der Shpigel” shkruan se kapiteni i Realit doli pozitiv për deksametazon, pas analizës së urinës, por kjo gjë u fsheh nga UEFA, në mënyrë të pabesueshme dhe skandaloze. Revista i referohet dokumentave të siguruara nga “Futboll Liks” (Football Leaks – Rrjedhjet e Futbollit), një lloj Uikiliksi (Ëikileaks) sportiv. Reali u përgjigj duke mohuar kategorikisht që Ramosi të kishte shkelur rregullat për dopingun.

Gjithsesi, ky mohim nuk e largon hijen e skandalit nga klubi më i madh i botës, ndërsa “vjedhësit kibernetikë” (hakerat) thonë se kanë siguruar dokumente të fshehta të UEFA-s. Sipas tyre, deksametazoni, mund të lejohet vetëm nëse UEFA informohet që më përpara, gjë që nuk ndodhi në 2017.

“Asnjë masë nuk u mor ndaj lojtarit, apo mjekut të Realit, pavarësisht nga skandali, – shkruan “Der Shpigeli”, – mënyra sesi UEFA e fshehu këtë rast, tregon sabotimin e luftës ndaj dopingut në futbollin e nivelit më të lartë europian”.

Pas këtyre publikimeve, me siguri revista gjermane është kthyer në “armikun publik numër 1” për Realin.

Nuk mund të harrohet skandali i dyshuar për Ronaldon, që akuzohet se përdhunoi një grua amerikane të quajtur Ketrin Majorga, ndërsa Reali akuzohet se e detyroi që ta paguante ish-modelen për të mos folur. Në të kaluarën, klubi madrilen ka pasur skandale të tjera të dyshuara, siç ndodhi në 2015, kur një ndihmësgjyqtar deklaroi në kushte anonimiteti se ishte porositur nga Federata të arbitronte në favor të Realit, në El Klasikon ndaj Barcelonës.

Nuk pati rezultat nga hetimi, ndërsa katalanasit fituan 4-0 në “Santiago Bernabeu”. Skandalet ishin më të mëdha në kohën e Frankos, siç ndodhi në finalet e Kupës së Spanjës në 1943, kur Barcelona fitoi 3-0 ndeshjen e parë, por humbi 1-11 të dytën pas atij që u quajt presion i regjimit./abcnews.al

florentino-perez.png
G. P.13:15 | 29/10/2018

Gjendje e vështirë tek Reali i Madridit pas humbjes së rëndë në “El Klasiko”. Presidenti Florentino Perez po mendon për një trajner të ri, por duket se kriza është më e madhe sesa vetëm në stol.

Nuk mund të kishte fytyra më të trishtuara se kaq. Futbollistët e Realit, dhe gjithë delegacioni madrilen, u larguan me kokën ulur nga Barcelona, pas katastrofës në “El Klasiko”. Një humbje 1-5 ishte edhe më shumë sesa druheshin, ndërsa e ardhmja duket krejt e paqartë, duke filluar që nga trajneri Hulen Lopetegi.

Trajneri u shpreh se “goditja është e rëndë, por unë i kam të gjitha forcat për të vazhduar përpara”, veçse duket e vështirë që të mbijetojë. I pavendosur edhe presidenti Florentino Perez, që as nuk e ka shkarkuar, dhe as nuk e ka konfirmuar njeriun e stolit. Mediat spanjolle informojnë se bisedimet me Konten ende nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa kandidat është trajneri I Belgjikës, Roberto Martinez.

Gjithsesi, në kryeqytet nuk mendojnë se ndryshimi në stol do të sjellë ndonjë mrekulli. Gazeta “Marka” shkruan: Faji nuk është vetëm i Hulenit! Etapa tepër e keqe e Lopetegit mbyllet me “manitën” turpëruese ndaj një Barçe pa Mesin!

“AS” thekson gjendjen e ekipit: Goleadë vdekësore! Madridi është në vend të 9-të, shtatë pikë prapa Barçës!

Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, mendoi Kristiano Ronaldo, i cili sulmoi presidentin madrilen, në një intervistë për “Frans Futbollin”.

“Florentino Perez kurrë nuk më pa me sy tjetër, përveçse si një çështje biznesi, – ishin fjalët e portugezit, – asgjë nga ato që bëri, nuk i bëri me zemër”.

Sezoni duket në prag të dështimit dhe humbja e thellë në “Kamp Nou” thjesht e konfirmoi krizën. Reali nuk kishte bindur deri tani, as në La Liga, dhe as në Champions, ku u mund nga CSKA e Moskës dhe mezi fitoi me Plzenin e Çekisë.

Pa Ronaldon dhe pa Zidanin, ekipi duket pa udhëheqje e pa frymëzim, përballë një Barcelone tepër të fortë edhe pa Mesin. Gjithsesi, pritet vendimi për trajnerin, me Konten ende favorit, si dorë e fortë, veçse trajneri italian mori një paralajmërim nga kapiteni Ramos, që theksoi se “respekti fitohet, nuk imponohet”./abcnews.al

levante.png
G. P.23:15 | 20/10/2018

Reali i Madridit në krizë të thellë pas humbjes së radhës. Trajneri Lopetegi rrezikon postin, por e ardhmja duket e pashpresë pa Kristiano Ronaldon.

Më keq se kaq a mund të shkojë?

Një emër i madh si Reali po bëhet tallja e gjithë Spanjës dhe po shkon nga disfata në disfatë. Vërtet u shënua më në fund një gol, por ndeshja me Levanten në “Bernabeu” u humb, në vazhdim të një krize rezultatesh që duket pa fund.

Trajneri Hulen Lopetegi rrezikon seriozisht shkarkimin pas humbjes së tretë radhazi, dhe serisë prej 5 ndeshjesh pa fitore. Ekipi i tij vendosi rekordin negativ historik të 8 orëve e 1 minute pa shënuar, diçka e paimagjinueshme për një klub si Reali.

Morales dhe Marti me penallti i dhanë epërsinë 2-0 Levantes në pjesën e parë, ndërsa përpjekjet e madrilenëve pas pushimit nuk mjaftuan, ashtu si goli i Marcelos. Mungesa e Kristiano Ronaldos ndihet gjithnjë e më shumë, po ashtu fakti se lojtarë të rëndësishëm si Modriç apo Ramos janë jashtë forme.

A do ta shkarkojë presidenti Perez, Lopetegin në prag të “El Klasikos” me Barcelonën?

Gazeta “AS” informon se trajneri ende nuk rrezikon.

“Kadena Ser bën me dijë se Lopetegi u takua me Florentinon dhe se mund të vazhdojë”.

Gjithsesi, “Marka” shkruan ndryshe: Florentino i bën planet pa Lopetegin”.

Gazeta njofton se si pasardhës flitet ish-lojtari i Realit, Solari. Sidoqoftë, ka nga ata që fajësojnë pikërisht presidentin Perez. Analisti Hezus Sançez shkruan po për “Markën” se Lopetegi është viktima dhe jo fajtori, pasi ai u bë mish për top për shkak të planifikimit të keq të Perezit të një Reali pa Ronaldon./abcnews.al

bayern.png
G. P.22:03 | 07/10/2018

Dy prej skuadrave më të mëdha të Europës po kalojnë një moment tepër të vështirë. Reali dhe Bajerni pësuan humbje në kampionat, ndërsa trajnerët rrezikojnë shkarkimin.

Është shumë herët, por nëse nuk reagohet do të jetë tepër vonë.

Dy nga klubet më të mëdhenj të Europës dhe të botës, Reali dhe Bajerni, janë në të njëjtin moment, atë më të keqin e mundshëm.

Madrilenët u mposhtën në fushën e Alaveshit, minimalisht 0-1, me gol të pësuar në sekondat e fundit, ndërsa katastrofa e bavarezëve ishte shumë më e rëndë, 0-3 në Mynih ndaj Borusias së Mynshengladbahut.

Skuadra spanjolle ka më shumë se 4 ndeshje që nuk shënon, diçka krejt e paimagjinueshme, ndërsa ka pësuar 3 humbje në 4 sfidat e fundit.

Mediat natyrshëm nuk e kursyen.

“Marka”: Krizë e Realit! Madridi është ndaluar, 7 orë pa shënuar gol, dhe me 3 humbje në 4 ndeshjet e fundit!

“AS”: Keq e më keq! Një Real pa reagim dhe pa besim, u rrëzua ndaj Alaveshit pikërisht në fund!

Gëzohet  “El Mundo Deportivo” në Barcelonë: Krizë e Realit! Të bardhët, 4 ndeshje pa gol, diçka që nuk ndodhte prej 33 vjetësh!

Çfarë po ndodh në Madrid?

Trajneri Lopetegi deklaroi se “e quaj veten fajtorin numër 1 dhe marr përgjegjësinë, por së pari dëshiroj që të rikuperojmë lojtarët e dëmtuar”.

Garet Bejl, Karim Benzema apo Karvahal janë disa nga të lënduarit, por besohet se standardi ka rënë që pas largimit të Kristiano Ronaldos, që nuk u zëvendësua me një emër të madh.

Në Gjermani, kriza mund të quhet më e madhem, dhe pse Bajerni zakonisht e ka më të lehtë në Bundesligë.

Ndaj Gladbahut ishte një katastrofë, me 3 gola të pësuar dhe asnjë të shënuar, ndërsa Dortmundi pëfitoi dhe nisi shkëputjen në krye.

Mediat informojnë se në Bavari ka lëvizje.

Gazeta “Bild”: Goditje krize tek Bajerni! Takim i vëllezërve Kovaç me drejtorin Salihamixhiç!

Sërish “Bildi”: Çfarë do të bëjnë drejtuesit e Bajernit me trajnerin Kovaç?!

“Zydojçe Cajtung” e Mynihut: Kujtimet e këqija të vjeshtës! Trajneri Kovaç punon me më shumë kujdes sesa paraardhësi Ançeloti, por skuadra e tij është po aq e pasuksesshme sa një vit më parë. Ai ka nevojë urgjente për një plan në sulm!

“Unë e di se koha tek Bajerni ecën ndryshe, – pohoi Kovaç pas humbjes, – u thashë lojtarëve disa fjalë, por ato le të mbeten brenda nesh. Na ndodhi e njëjta gjë si ndaj Augsburgut dhe Hertës, dhe për këtë duhet të reagojmë sa më shpejt. Jam përgjegjës dhe e pranoj sfidën”.

“Ky nuk është Bajerni që njoh”, – tha kapiteni Manuel Nojer, me një shigjetë që ndoshta i drejtohej trajnerit, por ndoshta edhe lojtarëve dhe vetes së tij.

Bajerni është në vend të pestë në renditje, edhe pse diferenca prej 4 pikësh me Dortmundin mund të rikuperohet./abcnews.al

messi.png
G. P.16:26 | 30/09/2018

Barcelona dhe Reali i Madridit po kalojnë krizë rezultatesh në ligën spanjolle. Kritikat janë të shumta, ndonëse dy skuadrat mbeten në krye të kampionatit.

Kur Messi e nis nga stoli, diçka nuk shkon.

Nuk mund të imagjinohet një Barcelonë pa të në fushë, veçse normalisht që mund të ketë ndeshje kur mund të mos luajë.

Ja pra, që katalanasit nuk qenkan të përgatitur për këtë ditë.

Barazuan 1-1 në “Camp Nou” ndaj Atletikut të Bilbaos, duke rrezikuar të humbisnin, ndërsa vazhdojnë krizën e rezultateve dhe të paraqitjeve në La Liga.

Jo më kot, gazeta “Marca” theksonte në një opinion se “jeta është e vështirë pa Xavin dhe Iniestën”, me dy stërtalentet të larguar tashmë nga Barça.

U desh futja e Messi-t në lojë pas pushimit, që të shihnim ekipin që kemi parë gjithnjë.

Karakteri dhe etja gjithnjë e pashuar për fitores e argjentinasit, ndryshoi ndeshjen, edhe pse fati nuk ishte me kampionët.

U goditën dy herë shtyllat, por më në fund goli erdhi.

Realizues ishte El Hadadi, por pas këmbënguljes së dyfishtë të Mesit.

Barça mbeti në krye edhe pas takimit të tretë radhazi që nuk fiton, ndërsa kapiteni u përpoq të qetësonte ambientin.

“Nuk jemi të shqetësuar, sepse sezoni është i gjatë dhe është vetëm fillimi, por jemi të inatosur për rezultatet e fundit. Ne nuk i prisnim këto rezultate. Në ndeshjen e kaluar ne luajtëm mirë në pjesën e parë, por humbëm, ndërsa këtë herë krijuam shumë raste, por nuk fituam. Gjithsesi, duhet të jemi shumë më të fortë në mbrojtje”.

Mediat spanjolle, u morën direkt me katalanasit, por edhe me Realin që barazoi në derbin ndaj Atletikos.

“Marka” titullon për derbin: Dy portierë të mëdhenj, dhe një ligë pa padron!

“AS”: Derbi i portierëve! As Modriç dhe as Griezman nuk ishin në nivelin e Cristianos apo Messit”

“El Mundo Deportivo”: Kryesues! La Liga vazhdon po e njëjta! Barça merr vetëm 2 pikë nga 9, por mban kreun pas ndalesës së Realit!

“Sport”: Kryesues, pavarësisht gjithçkaje! Barça vazhdon ecurinë negative, por shpëton një pikë falë Messit!

Reali nuk mundi të përfitonte nga ndalesa e Barçës, pasi u ndalua për vete.

Atletiko e Madridit mbeti “mace e zezë”, duke i marrë barazimin pa gola në “Bernabeu”, pasi e mundi në finalen e Superkupës së Europës.

Kampionët e Europës ishin më mirë se kundërshtari, por nuk mundën të shënonin, dhe pas pushimit shumë tifozë thirrën në kor emrin e Kristiano Ronaldos.

Pas 7 javëve në La Liga, Barcelona kryeson me 14 pikë, po aq sa Reali, por Sevilja dhe Atletiko janë shumë pranë./abcnews.al

messs.png
G. P.11:55 | 27/09/2018

Lionel Messi dhe Luka Modriç pësuan disfata të rënda në ndeshjet e fundit të ligës spanjolle. Barcelona dhe Reali u mundën papritur, ndërsa rrezikojnë të mos jenë rivalët e vetëm për titull

Nuk kishte ndodhur, besohet, ndonjëherë, që fituesi i Çmimit të FIFA-s dhe ai që quhet lojtari më i mirë i botës, të turpërohen në të njëjtën mbrëmje.

Kjo, madje pak ditë pas ceremonisë së FIFA-s në Londër. Luka Modriç, fituesi i Çmimit, dhe Lionel Mesi, i besuar gjerësisht si numëri 1 i futbollit botëror, pësuan humbje tronditëse në La Liga edhe pse luajnë me dy skuadrat më të mira.

Më herët e pësoi Messi, kur Barcelona në mënyrë të pabesueshme u mposht në stadiumin e Leganjesit modest, që e nisi javën në vendin e fundit. Filip Coutinho kaloi Barçën përpara, por për 68 sekonda në pjesën e dytë, vendasit përmbysën shifrat.

Nabil El Zhar barazoi në 52’, ndërsa goli i dytë u realizua nga Oskar Rodrigez, i huazuar tek Leganjes nga Reali i Madridit. Ky ishte rezultati i dytë radhazi negativ për Barcelonën, diçka që ngre dyshime për aftësinë e skuadrës së trajnerit Valverde për ta mbrojtur titullin e fituar vjet.

Vetë madrilenët ndoshta do të kishin pasur nevojë për të huazuarin Oskar Rodrigez në Sevilje, ku Luka Modriç kaloi një nga mbrëmjet më të këqija të karrierës.

Rezultati përfundimtar ishte një katastrofë 0-3, ndërsa lojtari më i mirë i sezonit në botë nuk arriti të jepte të zakonshmen e tij, mori karton të verdhë për protesta, dhe përfundimisht u zëvendësua nga trajneri Lopetegui.

Reali humbi një mundësi të madhe, ndërsa tre golat e pësuar në 90 minuta ishin një paralajmërim. Andre Silva shënoi dy herë për Seviljen, ndërsa një herë e bëri Ben Jeder.

Barcelona e Reali mbeten në krye të La Ligës me nga 13 pikë, por tashmë Atletiko e Madridit është vetëm 2 pikë larg, pra ndoshta mund të jetë viti I duhur për të besuarit e trajnerit Diego Pablo Simeone./abcnews.al

isco.jpg
G. P.16:14 | 19/09/2018

Reali i Madridit rikthehet në Ligën e Kampionëve pas suksesit të vitit të kaluar. Skuadra e madhe spanjolle pret Romën në orën 21:00, ndërsa këtë vit është pa Ronaldon dhe trajnerin Zidane.

Thuajse kushdo do të ishte ende në eufori të plotë pas këtij momenti.

Fitorja e Champions-it është një nga mrekullitë më të mëdha dhe më të vështira në jetën e një lojtari e të një ekipi, veçse tek Reali, relativiteti ndihet më shumë.

Madrilenët e kuptojnë më së miri teorinë e jashtëzakonshme të Ajnshtajnit, se kjo botë është gjithnjë në lëvizje dhe se për hir të së sotmes, duhet të harrosh të shkuarën.

Do të thotë se përqëndrimi duhet të jetë totalisht tek ndeshja e parë e sezonit, sonte ndaj Romës në orën 21:00.

Në Maj u fitua titulli i 13-të kampion i Europës, një rekord që mund të quhet i paarritshëm dhe trajneri i ri, Lopetegui dëshiron ta nisë aty ku e la Zinedine Zidane, duke mos pasur Cristiano Ronaldon.

“Nuk ka nevojë të sqaroj se çfarë do të thotë kjo garë për ne dhe se çfarë do të thotë Reali i Madridit për Champions-in. Le të flasim për ndeshjen sotme ndaj Romës, një kundërshtar që do të na e bëjë shumë të vështirë fitoren. I bëj thirrje më shumë entuziazmit dhe padyshim ambicies së lojtarëve. Vjet, Roma eleminoi Atletikon në grup dhe Barcelonën në çerekfinale. Ajo është përmirësuar edhe më shumë, ndaj pres që ta kemi shumë të vështirë. Duhet të lodhemi shumë për të fituar”, tha ai.

Roma u përgatit këto ditë, duke e ditur mirë se çfarë detyre e pret.

Për fat, trajneri Di Françesko nuk ka probleme me dëmtimet dhe pezullimet.

Po ashtu, italianët udhëtuan drejt Madridit, me besim pasi vjet mundën Atletikon, Chelsea-n dhe Barcelonën.

“Shqetësimi im më i madh tani për tani është mbrojtja, ku duhet të përmirësohemi shumë. Pa mbrojtje të fortë nuk mund të fitosh, sidomos kur luan në këto nivele dhe në fushën e Realit. Vitin e kaluar në arritëm diçka të jashtëzakonshme, që askush nuk besonte se do ta arrinim, por tani pretendimet janë rritur. Kjo do të thotë se ne duhet të paraqitemi edhe më mirë se vjet. Jemi në Madrid për rezultat, por jam i bindur se Reali është kundërshtari më i fortë i mundshëm dhe se do të vazhdojë të fitojë edhe pa Ronaldon”.

Dy skuadrat janë ndeshur 10 herë në të kaluarën, me Realin që ka 6 fitore dhe Romën tre, ndërsa një përballje është mbyllur në barazim./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono