reagim

borrell-haradinaj.jpg
ad min22:25 | 07/10/2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, reagoi në rrjetet sociale në lidhje me një deklaratë të Josep Borrel, i cili pritet të jetë komisionari i BE-së për politikën e jashtme. Ai u shpreh se ndjen keqardhje për cektësinë e njohurive të Borrell për Ballkanin.

“Sot, kur dëgjojmë z.Borrell, i nominuar për të zëvendësuar znj.Mogherini, duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme, se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India, ndjej keqardhje për cektësinë e njohurive të tij për rajonin tonë, ndërsa pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së.

Ia kujtojmë z.Borrell parimin themelor – se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit. Njohja është akt politik, dhe nuk e percakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit”, shkruan Haradinaj.

Haradinaj shprehet se është me fat që ka bekimin e shumicës së shteteve demokratike perëndimore, që vazhdojnë ta përkrahin vendin në secilën fushë. Ndërkohë deklarata e Borrell sipas tij, provon  nivelin e ulët të besimit dhe njohjes sipërfaqësore të rrethanave në Ballkan nga Borrell.

“Kosova pret seriozitet dhe respekt të ndërsjellë nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian, sidomos tani që udhëhiqet nga Gjermania. Besojmë fuqishëm se degradimet, shkarjet, dhe ofendimet e tilla, nuk do të lejohen më nga institucionet e BE-së. Kosova që nga viti 2017, nuk pranon trajtime nën nivelin e shtetësisë dhe sovranitetit të plotë të saj”, shkruan Haradinaj.

Josep Borrell pritet të jetë shefi i ri i politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Evropian. Ai pati ditën e sotme një dëgjesë në komisionin e punëve të jashtme të BE-së ku shpalosi idetë e tij.  Borrell theksoi se vizitën e parë do ta zhvillojë në Kosovë, ndërkohë që vendi i tij, Spanja, nuk e njeh akoma si shtet.

Ndër të tjera, Borrel është shprehur se “Njohja e Kosovës është çështje e shteteve anëtare. Ne kemi qasje të ndryshme për njohjen e pavarësisë, por jemi të bashkuar për angazhimin. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje dhe do të bëj ç’është e mundur për të përmbushur këtë prioritet. Mendoj, se nëse nuk zgjidhim problemet e fqinjëve tanë më të afërt, do jetë e vështirë  të besohet se ne jemi një fuqi gjeo-strategjike. Nuk ka rëndësi se ç’po bën Spanja, pasi përsa kohë Rusia, Kina apo India nuk do njohin pavarësinë e Kosovës, Kosova nuk do jetë shtet”./abcnews.al

hashim-thaci.jpg
nev ila11:39 | 07/10/2019

Një ditë pas zgjedhjeve Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët e vendit dhe partitë politike për procesin e lirë dhe demokratik në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën dje. Thaçi ka deklaruar se Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike, duke shtuar se e njejta pjekuri politike duhet të tregohet edhe në formimin e qeverisë së re.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën. HTH”, shkruan Thaçi./abcnews.al

Partizani-derbi.jpg
Igli Nikolli14:17 | 30/09/2019

Klubi i Partizanit ka reaguar në lidhje me ngjarjet e ndodhura në derbin e djeshëm kundër Tiranës. Me anë të një postimi në faqen zyrtare, klubi i kuq citon banderolat e tifozëve të Tiranës si skandaloze, agresionin fizik ndaj tifozëve të kuq dhe hedhjen e sendeve të forta.

Partizani e cilëson si akt terrorist të mbetur në tentativë planin e rrezikshëm me arkën e fishekzjarrëve të fshehura afër tribunës ku qëndronin Guerrils. “Do tëndodhte një tragjedi me përmasa të frikshme”, lexohet në deklaratën e Partizanit.

Në fund ka dhe një thumbim ndaj homologëve bardheblu për mosreagimin dhe thirrje kundrejt organeve ligjzbatuese që të hetojnë gjithë ngjarjen dhe të vënë përpara përgjegjësisë autorët dhe bashkëpunëtorët. /abcnews.al

REAGIMI I KLUBIT TË PARTIZANIT 

Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv.

Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”. Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë.

Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent. 

sassoli.jpg
ad min12:55 | 23/09/2019

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka reaguar pas tërmeteve që goditën Shqipërinë. Në një postim në rrjetet sociale, ai thekson gatishmërinë e Europës për të asistuar vendin pas atyre momenteve të vështira.

“Në këto orë të vështira qëndrojmë pranë shqiptarëve. Mendime tona shkojnë për ata që kanë mbetur të plagosur apo kanë humbur shtëpisë. Europa është e gatshme të asistojë në rikuperimin dhe rindërtimin”, shkruan Sassoli në Twitter.

/abcnews.al

 

kocijancic.jpg
ad min20:51 | 20/09/2019

Komisioni Europian ka reaguar për rastin Tahiri përmes zëdhënëses Maja Koçijançiç. Në reagimin e Komisionit Europian thuhet se BE respekton pavarësisnë e institucioneve gjyqësorë dhe nuk komenton vendime ose çështje individuale.

“Bashkimi Europian është i venë në dijeni se Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur në shkallë të parë, se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është fajtor për shpërdorim të detyrës. Ne nuk komentojmë vendimet ose çështjet individuale, sepse Bashkimi Europian respekton pavarësinë e institucioneve gjyqësore. 

Ne gjithashtu vërejmë se detajet dhe motivimi i vendimit nuk janë ende të disponueshme dhe se procesi gjyqësor vazhdon, duke qenë se aktvendimi është ende subjekt i ankimit”, thotë KE.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin e Tahirit me 5 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i është ulur automatikisht në 3.4 vite, dënim i cili konvertohet në shërbim prove./abcnews.al

lulzim-basha-7.jpg
ad min22:32 | 19/09/2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi në rrjetet sociale pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për Saimir Tahirin. Ai e konsideroi vendimin për ish-ministrit si të turpshëm çka provon se drejtësia në vend është peng i kryeministrit Rama.

“Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit.

Vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i Edi Ramës”, shkruan Basha.

Në fund, kreu i selisë blu thotë se vetëm çlirimi i qeverisjes nga krimi do t’i hapë rrugë drejtësisë së vërtetë.

“Përsa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi, krimi dhe të pushtetshmit do të jenë të paprekshëm, Shqipëria do të mbetet peng i krimit dhe shqiptarët më të varfër e më të papunë. Vetëm çlirimi i qeverisjes nga krimi do t’i hapë rrugë drejtësisë së vërtetë dhe mirëqenies për të gjithë shqiptarët”, përfundon postimi i liderit të opozitës.

3.4 vjet burg është dënimi i vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Trupi gjykues ka vendosur dënimin e Tahirit me 5 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i është ulur automatikisht në 3.4 vite, i cili konvertohet në shërbim prove./abcnews.al

konfindustria-leter.jpg
ad min12:01 | 08/09/2019

Konfindustria ka reaguar për arrestimet e fundit lidhur me aksionin anti-informalitet, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë dhe ekzekutivit, që të jenë të kujdesshëm dhe profesionalë në ngritjen e akuzave ndaj bizneseve.

Sipas Konfindustrisë, akuzat e ngritura duhet të jenë tërësisht të bazuara, të pandikuara nga politika dhe konkurrenca në treg e bizneseve, korrupsioni dhe shfaqjet mediatike për përfitime personale përballë procesit të Vetting-ut.

“Rastet e përsëritura të ndalimeve të bujshme nga organi i Prokurorisë të drejtuesve të bizneseve, përfshi dhe rastet e fundit të skemave fiktive të TVSH, shoqëruar me paaftësinë e akuzës për t’i mbrojtur në gjykatë, prodhojnë pasoja mjaft të dëmshme ndaj konkurrencës së lire në treg në afatgjatë”, thuhet në reagimin e Konfindustrisë.

Më tej, ky institucion kujton se rasti i ndalimeve të bujshme të muajit Janar 2019 me akuzën për përvetësim në vlerën e 18 milionë euro me skema fiktive të TVSH, ku askush nuk është në dijeni sot, se çfarë është bërë nuk duhet të përsëritet.

Konfindustria thekson se dëmi moral dhe financiar shkaktuar qytetarëve dhe bizneseve nga publikimi në media i emrave, në rastin kur akuzat e ngritura nga prokuroria rrëzohen me vendim gjykate, është mjaft i lartë.

Në fund të reagimit, Konfindustria thotë se skemat mashtruese të TVSH, në vlera kaq të larta financiare nuk mund të krijohen dhe zbatohen pa pjesëmarrjen dhe korrupsionin e përfaqësuesve të gjithë niveleve të agjencive shtetërore të përgjegjësisë dhe problematikave në legjislacionin në fuqi./ABC News Albania 24/7

agim-kajmaku.jpg
nev ila17:31 | 27/08/2019

Deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Agim Kajmaku iu përgjigj duke publikuar pasaportën e tij, me vulat e hyrje-daljeve nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës.

“Tellalli i PD u mor me mua prape sot, po ska problem se e verteta vonon po nuk harron. Une paskam urdher arresti ne Greqi dhe hykam e dilkam sa here dua! Ja ku e kam qe kam hyre e kam dale nga Greqia para se te dilte emri kandidat”, shkruan Kajmaku në rrjetet sociale.

Kryebashkiaku i Vorës vijon më tej se, as është arrestuar e as dënuar në Greqi, por ka punuar me emër tjetër si të gjithë shqiptarët.

“Po te isha ne kerkim s’do hyja dhe dilja sipas qefit! Shume shpejt do gjejne nje babale tjeter se babale mua s’me bejne dot”, shkruan ndër të tjera Agim Kajmaku, në reagimin e tij./ABC News Albania 24/7

nafta.jpg
ad min15:54 | 21/08/2019

Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pas bllokimit të 550 tonëve karburant jashtë standardeve në Ballsh.

“Kush merret me naftë duhet të zgjedhë: o sipas ligjit o goditjen e ligjit”, e nis statusin e tij në Facebook Rama, i cili më tej shton se lufta kundër informalitetit nuk do të ndalet para asnjë subjekti, duke filluar çdo ditë me të mëdhenjtë.

“Ata që nxjerrin, përpunojnë apo tregtojnë naftë, janë në shënjestrën e strukturave të shtetit dhe s’do të kenë asnjë shteg jashtë rrugës së ligjit e të standardeve që meritojnë konsumatorët.

Informaliteti në dëm të cilësisë është po aq i dëmshëm dhe i patolerueshëm, sa edhe informaliteti financiar në kurriz të konsumatorit e të shtetit”, shkruan Rama.

550 tonë karburant në rafinerinë e naftës në Ballsh të Fierit, u bllokua këtë të mërkurë dhe nuk do të hidhet në treg për mosplotësim të standardeve të cilësisë. Zbulimi u bë përmes një laboratori të lëvizshëm që analizon mostrat e karburantit në 30 minuta deri në 1 orë.

Rezervuari i bllokuar dhe karburanti nuk do të hidhet në treg, por do të vazhdojë për përpunim të mëtejshëm. Do ketë përsëri kontroll dhe nëse do të përmirësohet cilësia do të lejohet për treg.


/abcnews.al

spain.jpg
ad min13:17 | 16/08/2019

Familjen spanjolle që ra pre e një konflikti me pronarin e restorantit në Porto Palermo, e ka vizituar ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. Në profilin e tij në Facebook, Klosi shkruan:

“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja,  që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve”.

Klosi shton se, ashtu sikurse i kishte pohuar edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, “një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë”. Në status, Klosi thotë se familja spanjolle ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtpërdrejtë të qeverisë.

/ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono