raportin

vucic-1-1280x695.jpg
nev ila19:27 | 28/05/2019

Kuvendi i Serbisë ka miratuar raportin për Kosovën në të cilin thuhet se Serbia do të luftojë në mënyrë paqësore për të. 145 deputetë votuan pro raportit, 4 kundër, ndërsa 9 të tjerë abstenuan.

Në fjalën e tij, presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Serbia kishte kaluar të martën një ditë të vështirë për shkak të aksionit policor në veri të Kosovës, që sipas tij tregon qëllimet që kanë politikanët shqiptarë.

“Të gjitha deklaratat se ky aksion ishte në kuadër të luftës kundër korrupsionit janë qesharake. Kur shikon numrin e serbëve të arrestuar dhe atë të shqiptarëve duket sikur serbët janë 14 herë më shumë kriminelë se shqiptarët”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se gjithçka është e pakuptimtë.

Kuvendi i Serbisë ka diskutuar në ditët e fundit për Kosovën, për herë të parë pas shumë vitesh./ABC News Albania 24/7

Tabaku-1-1280x696.jpg
ad min14:40 | 07/05/2019

Ish-nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë ka akuzuar qeverinë se po shkatërron ekonominë e veendit. Në një deklaratë nga selia blu, duke iu referuar konluzioneve të një dite më parë të FMN, Jordia Tabaku tha se borxhi i lartë i vendit vjen për shkak politikave të gabuara të qeverisë, të cilat i ka denoncuar që herët Partia Demokratike.

Në deklaratën e thirrur për media, ish-nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku, gjetjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar i sheh si shqetësime të artikuluara prej kohësh nga forca politike ku bën pjesë.

“Rritja e borxhit publik, ulja selektive e taksave për bizneset e disa oligarkëve dhe PPP-të korruptive kanë dobësuar ekonominë, duke ndikuar për keq në çdo familje që nuk është në biznes me qeverinë”.

Shqetësimet për rritjen ekonomike, borxhin publik dhe detyrimet e prapambetura, janë vetëm një pjesë e gjendjes kritike sipas demokratëve.

“Këtë konfirmoi edhe FMN-ja, e cila parashikon këtë vit rënie të ekonomisë për shkak të thatësirës. Borxhi i lartë publik është një faktor në dobësimin e ekonomisë dhe po ndiqet me shqetësim si nga Fondi, ashtu edhe nga opozita. Me një borxh ekonomik në kufijtë e 70% të PBB-së, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë se ka shteruar pothuajse çdo mundësi tjetër për të marrë borxh. Pavarësisht se qeveria ka gënjyer, e ka fshehur dhe nuk e ka raportuar këtë të dhënë, FMN e tha qartë se detyrimi prej 300 milionë euro është pjesë e borxhit të rritur publik”. 

Rimbursimi i TVSH-së, politikat fiskale favorizuese ndaj një grupi njerëzish dhe koncesionet dhe PP-të kanë krijuar një rrezik të vazhdueshëm në buxhetin e shtetit, thekson Tabaku.

“Investimet në infrastrukturë, që hapin vende pune dhe nxisin ekonominë, vazhdojnë të pakësohen çdo vit, sepse qeveria paguan 1.7 miliard euro ose 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për faturat e PP-vë që kanë shkuar tek një grusht oligarkësh të lidhur me qeverinë e Edi Ramës”. 

Klientelist e quan Tabaku edhe ligjin e ri për Koorporatën e Investimeve, i cili e kthen kryeministrin në pronar de facto të pasurive publike.

“Diagnoza që FMN ka për ekonominë shqiptare është se ajo vuan nga sëmundja e rrezikshme: është një ekonomi që pasuron një grusht njerëzish pranë pushtetit, që punon për pakicën dhe jo për shumicën”.

Zgjidhja për këtë vjen përmes alternativës së partisë demokratike – deklaron Tabaku – që promovon konkurencën e lirë, mundësitë e barabarta për të gjithë dhe taksa të ulëta./ABC News Albania 24/7

Senate-Attorney-General-11-1550192697.jpg
ad min22:30 | 01/05/2019

Në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë debatet lidhur me raportin e hetuesit të posaçëm mbi ndërhyrjen ruse. Së fundmi, kryeprokurori Uilliam Berr ka mbrojtur vlerësimin personal që i ka bërë dokumentit, duke shfajësuar presidentin Trump nga të gjitha akuzat.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara ka mbrojtur mënyrën se si ka paraqitur raportin hetimor mbi ndërhyrjen ruse, pas ankesave se nuk kishte prezantuar si duhet konstatimet e hetuesit të posaçëm Robert Myler.

Kryeprokurori Uilliam Berr u kritikua për vendimin e tij për ta çliruar presidentin nga akuza e pengimit të drejtësisë kur u shfaq përpara një paneli të Senatit. Dëshmia e Berr erdhi pas zbulimeve se Myler kishte shprehur shqetësim për prezantimin e raportit. Vetë hetuesi i posaçëm i ndërhyrjes ruse do të dëshmojë lidhur me çështjen në fjalë në Kongres më vonë gjatë muajit.

Prokurori i Përgjithshëm dëshmoi këtë të mërkurë, për herë të parë që nga publikimi i raportit me 448 faqe, ku thuhej se nuk kishte pasur bashkëpunim mes stafit elektoral të presidentit Donald Trump dhe Rusisë gjatë fushatës së vitit 2016. Por raporti nuk e shfajësonte presidentin nga akuza e pengimit të drejtësisë, me qëllim vështirësimin e punës së Myler.

Kryeprokurori Berr tha përpara komisionit të çështjeve gjyqësore të Senatit se, kishte mbetur i habitur për faktin se vetë zoti Myler nuk kishte arritur në një përfundim konkret nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë, ndërsa shprehu besimin tek gjykimi i tij se Trump nuk ndërmori hapa ilegalë për të bërë një gjë të tillë. “Nëse ai mendoi se nuk duhet të dilte me një përfundim për procedim, atëherë më mirë të mos kishte hetuar fare”, deklaroi Berr./ABC News Albania 24/7

190411181644-trump-mueller-split-0411-exlarge-169.jpg
ad min19:30 | 19/04/2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara nuk janë mjaftuar me versionin e redaktuar të raportit mbi ndërhyrjen ruse që u publikua ditën e enjte. Përmes një thirrjeje zyrtare, ata i kanë kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm që të ofrojë versionin real të dokumentit të hartuar nga Robert Myler.

Një thirrje që kërkon publikimin e versionit të plotë të raportit mbi ndërhyrjen ruse gjatë zgjedhjeve të 2016-s është kërkuar nga demokratët në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se versioni i redaktuar e lë Kongresin në errësirë.

Kongresmeni Xherri Nedller, kryetar i komisionit parlamentar për gjyqësorin, ka deklaruar se demokratët kanë të drejtë të pajisen me një raport të paredaktuar. Zoti Nedller e shpalli thirrjen për publikimin e raportit të plotë ditën e premte, duke i dhënë prokurorit të përgjithshëm Uilliam Berr kohë deri më 1 Maj për t’u përgjigjur.

“Komisioni parlamentar i çështjeve gjyqësore gëzon të drejtën dhe tagrin për t’u pajisur me versionin e plotë”, ka sqaruar Nedller.

Sipas tij, redaktimi të cilit i është nënshtruar raporti është i thellë dhe nuk paraqet asnjë nga provat e mbledhura nga hetuesi i posaçëm Robert Myler. Demokratët i kanë bërë gjithashtu thirrje vetë zotit Myler që të dëshmojë përpara Kongresit për punën që ka bërë.

Ata kanë kritikuar edhe prokurorin e përgjithshëm Uilliam Berr, duke e akuzuar për keqinformim me publikimin e përmbledhjes së mëhershme të raportit. Ditën e enjte, Berr mbajti një konferencë shtypi përpara se raporti i redaktuar të publikohej, gjatë të cilës mbështeti presidentin./abcnews.al

dash.jpg
ent ela19:12 | 13/03/2019

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë. Në pjesën pëqr Shqiperinë, vihet në dukje së janë sporadike rastet kur zyrtarët që kryejnë abuzime ndiqen penalisht dhe dënohen.

Mosndëshkimi është një ndër problemet kryesore që rendit Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin mbi të drejtat e njeriut në botë.

“Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent”, vë në dukje ky raport.

Sipas tij, zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Në përgjigje të kësaj,- vijon raporti- autoritetet kanë ndërmarrë një veting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.

Në raportin  Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet gjithashtu se korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit.

“Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem”- vijon raporti i DASH.

Në raport vërehen gjithashtu edhe problemet në fushën e medias.

“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi pikëpamjesh, megjithëse pati përpjekje për të ushtruar presion politik dhe ekonomik të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median”, nënvizohet në raportin për lirimin e mediat te publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono